Nga Frank Shkreli/
Ishte kjo një deklaratë sa bombastike aq edhe e papërgjegjëshme nga Kryeministri shqiptar Edi Rama, nga udhëheqsi i një vendi siç është Shqipëria, e cila historikisht, por sidomos në këto 25 vitet e fundit, ka gëzuar marrëdhënje të shkëlqyeshme me Shtetet e Bashkuara. Dhe për çka? Duket se Zoti Rama është futur në “pyllë pa kmesë” ndërsa iu përgjigj pyetjeve hipotetike mbi mundësinë e fitores së kandidatit republikan amerikan, Donald Trump, gjatë një interviste në televizionin Klan- Kosova. Fitorja e kandidatit republikan për president Trump, deklaroi Kryeministri shqiptar, do të ishte një kërcënim ndaj vendit të tij dhe ndaj marrëdhënieve bilaterale midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Sipas agjencive të lajmeve Rama u citua të jetë deklaruar, jo vetëm si Edi Rama, por si Kryeministër i Shqipërisë dhe si i tillë ai u shpreh në emër të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve se, “Donald Trump do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe pa dyshim është një kërcënim real edhe për marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane”. Megjith peshën e rëndë të këtij prononcimi, Zoti Rama nuk dha asnjë shpjegim dhe asnjë fakt për të jutsifikuar deklaratën e tij se pse zgjedhja e mundëshme e Donald Trump do të kërcënonte marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Edhe unë si shumë amerikanë i kam mendimet dhe rezervimet e mia serioze për Donald Trump. Prandaj për mua nuk kanë rëndësi pikëpamjet e Edi Ramës për Donald Trumpin, por ka rëndësi fakti që ai e lidhë Trumpin me marrëdhënjet shqiptaro-amerikane dhe me pasojat që mund të ketë fitorja e tij mbi marrëdhënjet dy-palëshe.
Janë shumë gjëra që mund të thuhen e të shkruhen për këtë deklaratë të papërgjegjshme nga një udhëheqës qeveritar dhe njeriu nuk di se ku t’ia fillojë. Por si fillim: Le ta marrim me mendë për një minutë se Donald Trump zgjidhet president i Amerikës, çdo bëjë Kryeministri Rama me 20 janar, 2017, ditën e inuagurimit të presidentit të ri? A do të njoftojë ai prerjen e menjëhershme të marrëdhënieve midis Tiranës dhe Washingtonit, në mënyrë të njëanshme? Çfarë do bëjë? A do të mbyllë menjëherë ambasadën amerikane në Tiranë dhe të përjashtojë gjithë personelin diplomatik amerikan nga Shqipëria? Janë pyetje për të cilat shoqëria dhe media shqiptare duhet të kërkojnë përgjigje prej kryeqeveritarit të zgjedhur me vota e tyre, për të ardhmen e marrëdhënieve të vendit me vendin që sot konsiderohet si kryealeati dhe mbështetsi të drejtave të shqiptarëve.
Për ndryshe pse bën një kërcënim të tillë publik Edi Rama? Është e pabesueshme që ai të dëshirojë me të vërtetë prishjen e marrëdhënieve, por nga ana tjetër është një deklaratë aq e papërgjegjshme sa të bën të mendosh. Me sa kam ndjekur fushatën për zgjedhjet paraprake këtu në Amerikë, nuk më kujtohet që Donald Trump të ketë përmendur ndonjë herë Shqipërinë ose shqiptarët as për mirë as për keq – prandaj lindë pyetja se çka e shtyri, çka e motivoi Edi Ramën të bënte një deklaratë të tillë, madje me vendosmëri, “e kam thënë e do ta them” nënvijoi ai, deklaratë e cila është shumë vështirë të tërhiqet tani.
Deklarata e Zotit Rama ishte krejtësisht a paprovokur. Në çdo vend tjetër normal të botës, sidomos në vigjiljen e vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, diplomatët dhe eskpertët do kalonin këtë fund jave duke u përpjekur të bënin atë që njihet si “damage control” ndaj kësaj deklarate të papërgjegjëshme të një kryeministri, si masë të parë dhe ndër të tjera, duke ftuar ambasadorin amerikan në Tiranë për t’i shpjeguar se në të vërtetë, “ajo që donte të thonte Kryeministri mbi marrëdhëniet amerikano-shqiptare është kjo dhe jo ajo..…se marrëdhënjet tona janë të forta pa marrë parasyshë se kush është në Shtëpinë e Bardhë….” e të tjera. Sepse ndryshe nga ambasadat shqiptare nepër botë, ambasada e Shteteve të Bashkuara nuk përfaqson asnjë individ të veçantë ose një parti politike, por mbarë popullin dhe qeverinë amerikane, (përfshirë edhe Donald Trump) pa marrë parasyshë dallimet politike dhe partiake.
Është në rregull, por a pakëshillueshme për një Kryeministër shqiptar që me komentet e tija si individ i lirë të përzihej drejtë për drejtë në fushatën politike amerikane, në mbështetje ose kundër një kandidati të cilës do qoftë parti, kjo është e drejtë e tij si dhe e gjithë neve. Por ajo që tërhoqi vëmendjen dhe pyetja që i duhet drejtuar Zotit Rama është: po me marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë ç’pate, Zoti Kryeministër? Çfarë kanë të bëjnë ato me Donald Trump?
Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, i nderuar Zoti Kryeministër, nuk varen nga një person as nuk prishen prej një personi, as nuk kultivohen e as nuk përparojnë nga një parti, as duke u bazuar në ideologji ose në pikëpamjet e një udhëheqsi të caktuar. Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë marrëdhëniet amerikano-shqiptare, si dhe me çdo vend tjetër, si marrëdhënie popull me popull — midis dy popujve të lirë, jo midis udhëheqsish në kohë të caktuara as midis partishë politike për interesat e tyre ideologjike afat shkurtë e sy qorrë.
Në të vërtetë, deklarata e Kryeminsitrit Rama mbi marrëdhëniet shqiptaro-amerikane është edhe një shuplakë ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilin pritet ta vizitojë këtë javë. Them shuplakë ndaj këtij komuniteti, i cili për një shekull punoi rëndë dhe me gjithë zemër për ruajtjen dhe forcimin e këtyre marrëdhënieve midis dy popujve, të cilat kohët e fundit shënuan 25-vjetorin e rivendosjes së tyre. Sepse historia e komunitetit shqiptaro-amerikan është në të vërtetë historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ç’prej kohës së Fan Nolit dhe Faik Konicës. Atëherë, si edhe sot – diaspora shqiptare në Amerikë madje edhe gjatë periudhës më të vështirë të këtyre marrëdhënieve gjatë regjimit enverist në Shqipëri — ka luajtur dhe vazhdon të luaj rolin kryesor në çimentimin dhe përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat diaspora shqiptare pa dallim, i ka konsideruar gjithmonë si të pa zevëndsueshme për interesat afatgjata dhe afatshkurta të kombit shqiptar, anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkan. Diaspora shqiptare në Amerikë, të cilët mund të jenë demokratë ose republikanë, historikisht janë përpjekur të sigurojnë së bashku mbështetjen e përfaqsuesve të këtyre dy partive në mbështetje të kauzave të shqiptarëve. Në këtë pikëpamje komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë i bashkuar. Deklarata e Ramës mund të prishë këtë ekuilibër që ka mbajtur komuniteti midis republikanëve dhe demokratëve. Përballë deklaratës së tij, lindë pyetja nëse udhëheqsi i sotëm i Shqipërisë Edi Rama i konsideron këto marrëdhënje si të tilla — me ose pa Trumpin — ose cilindo tjetër kandidat në Shtëpinë e Bardhë? A po ndoshta preferon një parti kundrejtë një tjetre. Gabim më të madh nuk do të kishte për mirëvajtjen e marrëdhënieve amerikano-shqiptare. Është kjo në përçarje që do të kishte pasoja serioze për dy vendet. Prandaj duhet të ketë vëmendje ndaj deklaratave të tilla nga një udhëheqës shteti.
Edi Rama nuk është as i pari as i mbrami, i cili si individ ose si udhëheqës i një qeverie, kritikon Donald Trump, pasi Trump duhet të kritikohet për shumë qëndrime të tia. Por deri më tani nuk kam parë ndonjë kërcënim si të Edi Ramës, nga ndonjë udhëheqës tjetër botëror megjith kritikat e shumta që të jetë shprehur ashtu siç u shpreh në Prishtinë Kryeministri shqiptar I cili u shpreh se fitorja e një kandidati për president të Shteteve të Bashkuara, në këtë rast Donald Trump, do të sillte pasoja të këqia dhe prishjen e marrëdhënieve. Madje as udhëheqsit meksikanë, të cilët ndër të tjerë kanë kritikuar më ashpër se askush duke hedhur poshtë politikat dhe qëndrimet e kandidatit Trump karshi vendit të tyre, sidomos në lidhje me propozimin e tij për ndërtimin e një muri midis dy vendeve për të ndaluar imigracionin illegal. Madje as ata nuk kanë kërcënuar prishjen e marrëdhënieve me Amerikën në rast të fitores së Trump, që tani duket gjithnjë e më e pamundur, megjithëse këtyre gjërave nuk u dihet.
Prandaj, Kryeministri Rama do bënte mirë të mësonte diçka nga më të mirët udhëheqës botërorë në lidhje me këtë bisedë. Në një intervistë me gazetën Huffington Post, Kryeministri i ri i Kanadasë, Justin Trudeau u shpreh se megjithë ndryshimet e mëdha politike që ai ka me Donald Trump, nëqoftse është e nevojshme ai do të gjëjë mënyrat për të punuar me të, nëqoftse zgjidhet. Nuk është kjo hera e parë, shtoi ai, që ideologjia e presidentëve amerikanë dhe kryeministrave kanadezë, në të kaluarën, të mos ketë qenë gjithmonë në përputhje me njëra tjetrën, por megjith këtë, midis dy vendeve janë zhvilluar marrëdhënje konstruktive dhe pozitive. Megjithë kundërshtimet e tija me politikat e Trumpit, udhëheqsi kanadez gjatë intervistës me Huffington Post as nuk kritikoi Trumpin as nuk kërcënoi prishjen e marrëdhënieve midis Otavasë dhe Washingtonit, nëqoftse fiton Trump. Kryeministri i Kanadasë shtoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë tepër të rëndësishme për tu marrë me individ, por se njëkohsisht ai është duke ndjekur nga afër këtë moment tepër të rëndësishëm, “në demokracinë më të madhe të botës”, u shpreh udhëheqsi kanadez.
Edhe ti Zoti Rama mos u shqetso aspak, por të keshë besim dhe bindje se populli amerikan, si gjithmonë gjatë historisë, në fund të këtij procesi politik, do të dijë se cilin kandidat të zgjedhë për ta udhëhequr atë për katër vitet e ardhëshëm. Dhe njëkohsisht uroj që gjatë vizitës këtë javë në Shtetet e Bashkuara të bindeni dhe të zotoheni Zoti Rama – pa marrë parasyshë se cili nga kandidatët nga cilado parti politike qoftë, do të votohet me shumicë nga populli amerikan nëntorin që vjen – se marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe kombit amerikan do të konsiderohen nga ju si tepër të rëndësishme për tu marrë me paragjykime ndaj kandidatëve të veçantë. Uroj gjithashtu që në fund të vizitës suaj në Shtetet e Bashkuara të largoheni nga ky vend, i bindur se marrëdhëniet e kombit shqiptar me Washingtonin, sidomos në këtë periudhë kritike, mbeten të pazëvëndsueshme dhe në interesin afat shkurtë dhe afat gjatë për shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkan. Uroj Zoti Kryeministër që në fund të vizitës të largoheni gjithashtu – me besimin tek votuesit amerikanë, se më në fund, ata do të jenë të aftë të votojnë kandidatin që ata konsiderojnë si më të mirin për president dhe që kur të këthehesh në Shqipëri të sigurosh bashkombasit tu se vendimi i votës së lirë të amerikanëve, nuk do të ketë kurrfarë pasojash për marrëdhëniet amerikano-shqiptare megjithë deklaratën tuaj të papërgjegjëshme, për të kundërtën, në Prishtinë.