Shkruan: Fejzulla ABDULLAI (magjistër i shkencave të gjeografisë) Detroit, Mi)/- Në trojet shqiptare ekzistojnë tre liqene me origjinë tektonike: Liqeni i Shkodrës (369.72 km2), Liqeni i Ohrit (348 km2) dhe Liqeni i Prespës.
Liqeni i Prespës, edhe pse gjeografikisht ndodhet në trojet shqiptare, prej vitit 1913 kur fuqitë e kohës i caktuan kufijt politikë në Ballkan, u përfshi në territoret e tre shteteve: Maqedonisë, Shqipërisë dhe Greqisë. Në fakt liqeni është i pozicionuar në kufirin trepalësh: në jugperëndim të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në juglindje të Republikës së Shqipërisë dhe në veri të Republikës së Greqisë.
Liqeni përfshin një sipërfaqe prej 274 km2 (në kushte normale). Prej sipërfaqes së përgjithshme 176.8 km2 i takojnë Republikës së Maqedonisë së Veriut, 49.4 km2 Republikës së Shqipërisë dhe 47.8 km2 Republikës së Greqisë. Gjatësia është 28.6 km, kurse gjerësia 16.9 km. Volumi i përgjithshëm është 4.8 miljonë m3 ujë. Thellësia maksimale është 54 m, mesatarja 18.8 m dhe gjatësia e vijës bregore 100.1 km.
Pellgu ujëmbledhës dhe akuatoria e tij përfshijnë një sipërfaqe prej 1.360 km2 ose 45.18% nga sipërfaqja e pellgut të përgjithshëm (3.010 km2) të Liqenit të Ohrit e të Drinit të Zi.
Ky liqen me Liqenin e Ohrit përbëjnë një sistem hidrografik të përbashkët, nga fakti se ujrat e këtij liqeni gravitojnë kah i Ohrit dhe nëpërmjet kanaleve sublakustrikë janë të lidhur ndërmjet tyre. Ujra rrjedhëse sipërfaqësore liqeni nuk ka. Ky është një rast i veçantë në Ballkan që s’egziston në liqenet e tjerë.
Në këtë shkrim nuk do të bëhet fjalë për ndonjë studim të veçantë mbi këtë liqen, por do të jepet një informacion mbi një dukuri që vazhdimisht ekziston tek liqeni dhe që nuk ekziston në dy leqenet e tjerë tektonikë të trojeve shqiptare.
Në aspektin gjeologjik, Liqeni i Prespës nuk është shumë i vjetër. Sipas studimeve të autorëve të ndryshëm është formuar pas paroksizmit alpin në oligo-miocen, përkatësisht me lëvizjet neotektonike në mezin e periudhës së neogjenit/ fillimin e epokës së pliocenit, para rreth 6 miljonë vitesh. Në kohën kur është formuar, ka pasur lidhje sipërfaqësore me Liqenin e Ohrit dhe me atë të Korçë-Bilishtit, që s’ekziston sot, duke u emërtuar me emrin Liqenet e Dasaret-it (Fisher). Më vonë, lëvizjet intenzive neotektonike në pleistocen, mundësuan që lidhja sipërfaqësore ndërmjet tyre të ndërpritet. Prej kësaj kohe uji/niveli i liqenit periodikisht është zvogëluar duke mbrijtur nivelin e sotëm. Madje, ndryshimet klimaterike në postpleistocen (diluvium) dhe drenimet nëntokësore ndikuan që niveli i liqenit e më tutje të ndryshojë.
Duke u ndodhur në një lartësi mbidetare prej 853 m, dhe me 158 m lartësi relative mbi nivelin e Liqenit të Ohrit, pastaj përbërjes gëlqerore të malit të Galiçicë që gjendet në mes tyre, është mundësuar që ujrat e këtij liqeni vazhdimisht, pandërprerje, të drenojnë në atë të Ohrit. Dukuria e këtillë hidrologjike që rrallë ekziston në botë, ka ndikuar që niveli i liqenit vazhdimisht të fluktuojë. Kjo mund të vërehet edhe prej kohës kur ekzistojnë të dhëna morfometrike, ndonjëherë niveli ka qenë i lartë e ndonjë herë i ulët. Mirpo, në fillim të këtij shekulli, për shkaqe të ndryshme, duke qenë vazhdimisht bilanci ujor negativ, liqeni në mënyrë të përshpejtuar ka filluar ta humbasë ujin, duke mbrijtur në një gjendje kritike sa që parashtrohet pyetja për ekzistencën e tij.
Në kohën e fundit në qarqet shkencore dhe faktorëve kompetentë të të tre shteteve ku shtrihet liqeni, parashtrohen shumë pyetje lidhur me këtë dukuri. Ç’po ndodh me liqenin që vazhdimisht po e humbet ujin? Pse këtij liqeni vazhdimisht po i ulet niveli, gjer kur do vazhdojë ulja e këtillë dhe çfar do ndodhë në të ardhmen me këtë liqen? Do zhduket tërësisht apo do të ekzistojë në përmasa më të vogla? Këtyre dhe pyetjeve të tjera që mund t’i ketë me numër, në sajë të literaturës përkatëse shkencore dhe të dhanave të tjera, do të orvatem të jap një shpjegim që pak a shumë ta nxjerr në dritë të vërtetën e tij.
Furnizimi i liqenit me ujë
Varësisht nga faktorët që e ushqejnë liqenin me ujë, regjimi i nivelit liqenor si element morfometrik në të kaluarën ka qenë jostabil. Akuatoria liqenore është në varësi të plotë nga faktorët pluvionivalë. Në fakt, liqeni me ujë furnizohet nga lumenjtë, nga të reshurat, burimet sublakustrikë (burime në bazamentin e liqenit) dhe nga tretja e dëborës në fillim të stinës së pranverës. Ndërsa ujin e humbet me avullim dhe nëpërmjet drenimeve nëntokësore që kanë lidhje me Liqenin e Ohrit, i cili është për 158 metra nën nivelin e këtij liqeni. Ujëra rrjedhëse sipërfaqësore sikurse që ka Liqeni i Ohrit ose ai i Shkodrës prej ku mund të largohet uji, ky liqen nuk ka. Në zvogëlimin e sasisë së ujit ndikim ka edhe faktori antropogjen nëpërmjet të sistemit të irigacionit.
Në Liqenin e Prespës nga të katër anët derdhen një numër afluentesh sipërfaqësorë dhe nëntokësorë që e ushqejnë vazhdimisht me ujë. Lumenjtë burimin e tyre e kanë në hapësirat e larta të shpateve të Pelisterit dhe maleve të tjera përreth ku reshjet janë në formë të dëborës. Në stinën e pranverës me tretjen e dëborës kur lumenjtë regjimin ujor e kanë më të lartë, liqeni furnizohet më tepër me ujë. Furnizuesi më i madh i liqenit është Lumi i Madh. Nga ky lumë në liqen gjatë vitit dedhet një sasi prej 29.96 miljonë m3 ujë. Madje rol të rëndësishëm e përcaktues në sasinë e ujit të liqenit ka sasia e ujrave që grumbullohen nga pellgu, i cili ka një sipërfaqe të përgjithshme për 3.5 herë më të madhe se ajo e vetë pasqyrës së ujrave të liqenit. Nga kjo shihet se liqeni ka burime të mjaftueshme për furnizimin e akuatoris së vet me ujë, por përsëri po e humbet ujin, gjë që nuk vërehet në Liqenin e Ohrit.
Ku shkon uji i liqenit?
Edhe pse liqeni vazhdimisht është duke u furnizuar me ujë, nivili i tij pandërprerë po vazhdon të ulet. Këtu veç faktorëve të tjerë, në rradhë të parë ndikim kanë drenimet nëntokësorë të ujit i cili me një inensitet të pandryshueshëm është duke u derdhur në Liqenin e Ohrit. Kjo është e mundur sepse pjesa perëndimore e akuatorisë liqenore dhe mali i Galiçicës që e ndan nga ai i Ohrit, janë të përbërë prej gëlqerorëve të cilët nga proceset kimike (korozionit) dhe plasaritjeve të ndryshme, mundësojnë që uji i liqenit vazhdimisht të largohet nëpërmjet kanaleve nëntokësorë dhe të shkarkohet në atë të Ohrit në formë të burimeve anësorë (buzëliqenore) dhe sublakustrikë.
Vendet ku drenon sasija më e madhe e ujit dhe prej të cilëve varet fluktuimi i nivelit të liqenit janë ponori Zavir, në gjirin e Liqenasit dhe Kazan, në pjesën veri-perëndomore të liqenit. Observime mbi drenimin e ujit në ponorin Zavir në fillim të shekullit të kalua kanë bërë K.Estrajh (K.Oestreich) dhe F. Kosmat (F. Kossmat). Estrajh thotë se ky ponor është me përmasa të vogla. Pasi gjerësia është e vogël (1,5 m), ponori s’është në gjendje të lëshojë masën e ujit që rrymon në drejtim të tij, ndaj pjesa tjetër e ujit humbet edhe nëpër kanale të tjerë, të cilët më vonë bashkohen në një rrjedhje të përbashkët. Kosmat, nga ana tjetër, nënvizon se përmbytjet që i shkakton liqeni gjatë niveleve të larta, janë në varësi të plotë të ponorit Zavir. Sipas tij, ky ponor është rregullator i nivelit të liqenit (J.Cvijiq (1911): Osnovi za geografiju i geologiju Makedonije i Stare Srbije, kn.III, Beograd). Përshkak të përbërjes gëlqerore (karstike), autorë të tjerë nuk e përjashtojnë mundësinë e drenimit nëntokësor të ujit edhe në vende të tjera.
Madje, këta autorë dhe autorë të tjerë, janë të mendimit se sasia e ujrave që shkarkohen në Liqenin e Ohrit , padallim kushteve klimaterike, është konstante. Sipas autorëve shqiptarë kjo sasi sillet rreth 16 m3/sek, që i përgjigjet një moduli vjetor prej rreth 12.2 l/sek për km2 (Grupë autorësh(1990): Gjeografia fizike e Shqipërisë, vëllimi i parë, Tiranë.).
Sa është prurja e ujrave që derdhen në Liqenin e Ohrit, është vështirë të konstatohet, ngase numri më i madh i tyre shkarkohen nën sipërfaqen e liqenit ku s’mund të bëhet kurfarë matjeje.
Sasia më e madhe e ujit, buron në gurën “Ostrovo” në afërsi të manastirit “Shën Naum”, në jug-lindje të liqenit. Kjo gurë pranon ujë prej rreth 30 burimeve nënujorë ku 15 prej tyre gjenden në pjesën bregore, uji i të cilëve përzihet me ujin e gurës menjëherë në vetë plasaritjet bregore të bazamentit ujor. Vlerësohet se këtu prurja mesatare sillet rreth 30-40 m3/sek (Cvijiq). Sipas një vlerësimi të mëvonshëm, prurja sillet rreth 6-7 m3/sek (Haxhiev).
Faktorët që ndikojnë në debalansin e sasisë së ujit në akuatorinë e liqenit, janë të numërt. Ndryshimet klimaterike, padyshim janë faktori kryesor. Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar sasisa e reshjeve në formë të shiut dhe dëborës vazhdimisht është zvogëluar. Kjo shihet prej vitit 1963 kur niveli e arrijti maksimumin dhe qenë shkaktuar përmbytje të mbëdha në rajon. Madje edhe vetë njeriu duke mos llogaritur mirë se ç’mund të ndodhë në të ardhmen, në vitin 1956 ndërtoi sistemin ujitës për nevojat e bujqësisë. Ky projekt qe totalisht i dështuar nga dy arsye: E para, uji i liqenit nuk përdorej në mënyrë racionale për ujitjen e tokës bujqësore dhe e dyta, pas paraqitjes së thatësirave, pati reperkuse negative të dukshme në balansën e ujit të liqenit.
Oshilimi i nivelit të liqenit
Faktorët e përmendur më lartë, vazhdimisht kanë ndikuar në fluktuimin e nivelit të liqenit.
Gjatë shekullit të kaluar, nivel të lartë liqeni ka pasur pesë herë: në vitin 1917 (muaji i VIII), në vitin 1938 ( VI, 290 cm), në vitin 1948 ( VII, 487 cm), në vitin 1963 (VII, 436 cm) dhe në vitin 1964 (VI, 412 cm).Prej vitit 1963, niveli filloj vazhdimisht të ulet.
Fluktuimet e nivelit të liqenit për një periudhë kohore 53 vjeçare (1951-2004)
Burimi: Pričini za niskoto nivo na Prespanskoto Ezero (Internet)
Regjimi i nivelit të ujit në vitin 1963 e pat mbrijtur maksimumin mbi kuotën 852 metra. Prej këtij viti, në vitin 2002, zbret në 843 metra, që është një zbritje vertikale për 9 metra. Tutje, në sajë të observimeve të bëra prej vitit 2003-2005 qe konstatuar se boshti i oshilimit pat qenë shumë më i madh, dhe sillej mbi 15 metra. Në kohën e fundit ekzistojnë të dhëna se niveli është ulur për rreth 10.5 metra! Për gjendjen alarmante të ujit të liqenit, shtypi maqedonas vazhdimisht është duke dhënë informacione.
Banorët e fshatrave përrreth bregut të liqenit, janë mjaft të brengosur për gjendjen e këtillë, sepse fshatrat që qenë pozicionuar buzë liqenit, tani mbi 200 ose 300 metra janë lark liqenit. Kështu është rasti me Dupenin e Poshtëm, Nakolecin, Asomatin, në lindje; Perovën e Poshtëme dhe Sir Han, në veri dhe Stenjën e Konjskën, në perëndim, në territorin e Maqedonisë së Veriut. Rast i njëjtë është edhe me fshatrat në territorin shqiptar e atë grek. Në pjesën veriore vija bregore është larguar rreth 3,5 km! Sipërfaqja e liqenit është duke u zvogëluar. Ujrat nëntokësore përrreth liqenit kanë shterur. Këneta në veri të liqenit, nuk ekziston më.
Si është e ardhmja e liqenit, do të ekzistojë, apo do të zhduket?
Kjo që po ndodh në kohën e fundit, vë në pyetje ekzistimin e liqenit. Nëse ky proces vazhdon, është e mundur që për një kohë gjeologjikisht të shkurtë, të zhduket duke lënë pasoja të rrënda në ekosistemin natyror.
Që do zhduket liqeni nuk ka dyshim, por pyetja është: sa është e gjatë jeta e tij? Duke u nisur nga fakti se liqenet janë objekte të shpeshta hidrologjike-morfologjike në sipërfaqen e tokës dhe në pikpamje gjeologjike kanë jetë afatshkurtë, atëheren mund të pritet se ky liqen do vijë koha që do zhduket. Kështu ka ndodhur në të kaluarën gjeologjike. Me formimin e fushëgropave në truallin e Ballkanit nga lëvizjet vertikale tektonike, sistemi hidrografik morri kahje të kundërt, përkatësisht ujrat filluan t’i mbushin me ujë fushëgropat dhe në këtë mënyrë aty u krijuan liqene me origjinë tektonike. Mirpo, më vonë me lëvizjet neotektonike paraqitet përsëri ulja e tokës në pjesën jugore të gadishullit gjë që mundësoj uji i liqeneve në përmjet grykave të largohet dhe të derdhet në detet e afërta. Në këtë mënyrë liqenet e asaj kohe që jetuan një kohë të gjatë u zhdukën. Kështu pra do ndodhë një kohë me Liqenin e Prespës sepse edhe ky e ka jetën e vet.
Liqenet gjatë jetës së vet kalojnë në katër stade: stadi i rinisë, i pjekurisë, i pleqërisë dhe stadi i zhdukjes së liqenit. Në stadin e parë relievi i liqenit është i pandryshuar; në të dytin paraqitet krijimi i teracave lakustrike dhe thepisjeve, kurse gropëzat e ndryshme në tabanin e liqenit akoma nuk janë të mbushura; në të tretin, përshkak të shtresimeve, tabani i liqnit është tërësisht i rrafshtë dhe, në të katërtin, është zhdukja, liqeni fillon të zvogëlohet të bëhet më i cekët, në brendësi fillojnë të rriten kallamishte të ndryshme dhe në këtë mënurë liqeni shndërrohet në kënetë. Tani të shohim se në cilin stad ndodhen ky liqen. Shumë autorë janë të mendimit se ky liqen ndodhet në fund të stadit të dytë. Këtë ata e konstatojnë në sajë të teracave të krijuara në fazat më të larta dhe thepisjeve të krijuara gjatë lëshimit vertikal të liqenit. Madje edhe me tabanin e liqenit, i cili akoma nuk është i rrafshuar nga shtresimet të bajturinave me origjinë potamogjene të cilat mund t’i rrafshojnë gropëzat e ndryshme.
Mirpo, tek ky liqen është një rast specifik që rrallë ekziston në liqenet e tjerë. Liqeni , siç përmendëm më lartë, pjesën perëndimore e ka me përbërje gëlqerore ku mundësohet largimi i ujit nëpërmjet drenimerve nëntokësore, kurse me ujë ushqehet nëpërmjet ujrave derdhëse dhe reshjeve. Kushtet e këtilla mundësojnë që jeta e liqenit të zgjatet ose të shkurtohet. Në gjendjen e tanishme, kur liqeni është duke humbur ujë më tepër se sa pranon, mund të thuhet se nëse vazhdon edhe më tutje në këtë mënyrë, jeta e tij do të jetë më e shkurtë. Ndaj shumë shkencëtarë të huaj e vendas të fushës limnologjike, janë të brengosur për jetën e këtij liqeni.
Vlerat themelore dhe masat për mbrojtjen e liqenit
Rëndësia kombëtare dhe ndërkombëtare e liqenit është në varësi të plotë të vlerave themelore të pejzazhit natyror, bukurive unikate të natyrës, vlerave specifike gjeologjike dhe gjeomorfologjike, karakteristikave hidrologjike dhe hidrobiologjike dhe pozicionimi ndërmjet tre maleve të shpallur parqe kombëtarë: në lindje Paku Kombëtar i Pelisterit (1948),në perëndim i Galiçicës (1958) e në jug në territorin grek. Nga këto vlera paraqitet edhe nevoja imanente për mbrojtjen e ihtiofaunës dhe ornitofaunës të cilat aty janë të përfaqësuara me një numër të madh reliktesh.
Shikuar nga aspekti i vjetërsisë gjeologjike dhe përbërjes petrografike, liqeni me vjetërsinë e vet prej rreth gjashtë miljonë vjet, rradhitet ndër liqenet më të vjetër në botë. Ndërsa me përbërjen e shkëmbinjve gëlqerorë (karbonikë) mundëson drenimin e ujrave nëntokësore të cilat derdhen në Liqenin e Ohrit dhe janë rregullator i nivelit të këtij liqeni dhe Drinit të Zi. Edhe gjeomorfologjikisht liqeni e ka anën specifike të vet. Malet që e rrethojnë janë një barierë për mbrojtjen e llojeve të ndryshme të shpezëve autohton.
Duke njohur vlerat e rralla të këtij ekosistemi natyror, siç është pasuria e ihtiofaunës me lloje endemike, ornitofaunës, rrëshqitsave, ujëtokësorëve, gjitarëve dhe llojeve të bimëve, Qeveria e Maqedonisë me Ligjin për mbrojtjen e natyrës të vitit 2004, neni 76, alineja 1 dhe 2, Liqenin e Prespës e klasifikon në përmendore të natyrës. Madje, lokalitetin “Ezerani” në veri të liqenin me sipërfaqe rreth 2.800 hektarë, prej fshatit Sir Han gjer në fshatin Asomat, ku është i koncetruar një numër i madh i specieve endemike të tokësorëve e shpezëve dhe llojeve të ndryshme të bimëve, me Ligjin për mbrojtjen e pasurive të rralla natyrore të vitit 1973, me Ligjin për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit, Prespës e Dojranit të vitit 1977 dhe Ligjin për mbrojtjen e lokalitetit “Ezerani” të vitit 1996, shpallet për rezervat natyror me mbrojtje të rreptë.
Nga vlerat e këtilla, Liqeni i Prespës gjendet në listën e lokaliteteve me rëndësi të veçantë të ornitofaunës në Europë. Në vitin 1995 është shpallur për zonë e Ramsarit. Liqeni jovetëm që ka rëndësi lokale e rajonale, por edhe europjane e globale.
Vlerat e larta natyrore të këtij ekosistemi të veçantë natyror dhe egzistimi i mundshëm për shndërrimin e liqenit nga liqen oligotrof në eutrof, ku është në rritje e sipër sasia e biomaterjeve të dëmshme për ihtiofaunën e liqenit, nga ana e institucioneve shtetërore, janë ndërmarrë masa të ndryshme për mbrojtjen dhe për të nxjerrë në dritë vlerat e paçmuara të ekosistemit liqenor.
Procesi i planifikimit fillon me Planin hapësinor të Republikës së Maqedonisë, si dokument më i lartë i planifikimit. Ky plan qe aprovuar nga ana e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në vitin 2004 (“Gazeta zyrëtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 39/2004). Bazuar në këtë Plan, në vitin 2010, shteti aprovon Plan hapësinor për rajonin e Ohër-Prespës (“Gazeta zyrëtare e Republikës së Maqedonisë” nr.22/2010).
UNDP më 06/2008 në suazat e e projektit “Integrated Ecosystem Management in the Prespa Lakes Basin of Albania, Macedonia and Greece, paraqet STUDIM DRAFT FIZIBILITETI MBI LOKALITETIN “EZERANI”.
Më vonë Qeveria Maqedonase paraqet Plan për menaxhimin e Liqenit të Prespës. Projekt-plani: STUDIM MBI REVALORIZIMIN DHE PLANI PËR MENAXHIMIN E PËRMENDORES NATYRORE LIQENI I PRESPËS, qe përgatitur nga një grup ekspertësh, i sponzoruar nga United Nations Development Programme, botohet si libër në vitin 2013 me titull: PLAN MBI MENAXHIMIN E PËRMENDORES NATYRORE LIQENI I PRESPËS.
Plane të këtilla ndoshta egzistojnë edhe nga ana e Republikës së Shqipërisë e Republikës së Greqisë, për të cilët s’kemi informacione. Problemet me këtë ekosistem të dhuruar nga natyra me bukuri të rralla, vazhdojnë më tutje. Dhe tani është në pyetje egzistenca e tij në përmasa normale, apo të zvogëluara gjer në zhdukje?
Fejzulla ABDULLAI (magjistër i shkencave të gjeografisë)
Detroit, Mi)
Pasojat nga largimi i ujit