• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË VIT PA IMZOT RROK MIRDITËN

December 12, 2016 by dgreca

 

1 Imzot mirdita me Papen Gj Pal (2)

Nga Frank Shkreli/ Ja u mbush viti kur u përhap lajmi pikëllues se Arkipeshkvi i Metropolitanës Tiranë – Durrës, Monsinjor Rrok Mirdita kishte ndërruar jetë pas një operaconi të rëndë në zemër.  Ishte një vdekje e parakohëshme dhe e pa pritur që shkaktoi hidhërim të thellë në radhët e të gjithë atyre që e kishin njohur atë, jo vetëm në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan ku kishte shërbyer me përkushtim për pothuaj 30-vjetë — para se të emërohej nga Papa Gjon Pali i Dytë  në vitin 1992 Arkipeshkëv i Durrës – Tiranë, por edhe  ndër shumë shqiptarë të gjitha feve anë e mbanë trojeve shqiptare të cilët e kishin njohur gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij prej pothuaj gjysëm shekulli.  Me të gjithë, ai kishte lenë vetëm kujtime mbresëlënse, për punën e tij si përfaqsues i lartë i Kishës Katolike, por edhe si shërbestar i popullit shqiptar pa dallim feje a krahine, me përkushtim ndaj fatit të Atdheut të tij dhe shqiptarëve kudo.

Si njëri prej atyre shqiptarëve që u pikëlluan nga humbja e Mons Mirditës, edhe unë si bashkvendas, bashkatdhetar dhe bashkvuajtës në mërgimin e largët — për një kohë edhe bashpuntor i tij pranë Qendës Katolike Shqiptaro-Amerikane në New York në vitet e para pas ardhjes së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin megjithëse larg me detyrë në Washington — mbajsha kontakte të rregullta me të.  Si i tillë, në këtë përvjetor të parë të ndarjes së tij nga kjo jetë, së bashku me komunitetin shqiptaro-amerikan e ndjejë hidhërimin e thellë për këtë humbje të madhe për të gjithë ne, por sidomos për ata që e kanë njohur nga afër, jetën e të cilëve ai ka prekur më drejtë për drejtë, në një mënyrë ose në një tjetër, duke lënë mbresa të paharruara dhe të pashlyeshme në të gjithë ne.   Mons Rrok Mirdita, ishte gjithmonë i gatëshëm të shërbente, jo vetëm me shërbime e ceremoni fetare, por ishte i pranishëm pranë komunitetit dhe me komunitetin edhe në  raste të ndryshme familjare, shoqërore, shoqërore dhe atdhetare.   

Në këtë pëvjetor të kalimit të tij në amshim, unë dhe të gjithë ata me të cilët Mons Mirdita ka punuar ose që e kanë njohur për së afërmi e kujtojmë,  i jemi mirënjohës dhe përulemi me respekt kujtimit të tij, në shënjë nderimi të thellë për miqësinë, këshillat dhe për rolin që ai ka luajtur në jetën tonë këtu në komunitetin shqiptaro-amerikan, në Shqipëri si udhëheqës i Kishës Katolike shqiptare pas shëmbjs së komunizmit dhe më heret në karieren e tij, në trojet shqiptare nën Malin e Zi. Natyrisht, se ai do të mbahet mend për aktivitetin shumë të frutshëm të tij fetar dhe atdhetar prej tri dekadash këtu në Shtetet e Bashkuara, por besoj se historia do të kujtojë këthimin e tij në Atdhe dhe veprimztrainë e tij fetare në ringjalljen e Kishës Katolike në Shqipërinë post-komuniste, ku siç komentoi edhe Radio Vatikani me këtë rast, ai “Vuri themelet e rilindjes së Kishës Dioçezane të Tiranë-Durrësit e jo vetëm, në një periudhë jashtëzakonisht të veçantë e të vështirë për shumë arsye e rrethana, duke orientuar popullin udhës së Zotit dhe shoqërinë e re demokratike shqiptare drejt atyre vlerave që janë të doemosdoshme për një demokraci të mirëfilltë.”  

Mons. Rrok Mirdita e donte popullin shqiptar, të cilit i shërbeu gjithë jetën me durim, largpamësi e përkushtim.  Ai e donte popullin shqiptar, sepse me të — nepër rrugët e mërgimit dhe në trojet shqiptare në Ballkan — kishte përjetuar vuajtjet dhe mundimet, të mirat e të këqiat, gëzimet dhe hidhërimet, lindjet dhe vdekjet.   Prandaj si Bari e Prijës shpirtëror, në cilatdo rrethana, shpesh tepër të vështira, Mons Mirdita, bëri gjithçka mundi duke i ndjenjur afër dhe duke i prirë popullit në udhën e Zotit e në mbështetje të atyre vlerave  shpirtërore, kulturore, kombëtare e shoqërore, që e dallojnë kombin shqiptar, duke theksuar problemet e duke propozuar udhën për t’i bërë ballë sfidave, gjithmonë  duke pasur si qëllim e synim të mirën e popullit të vet dhe të Kishës që i shërbente.

Radio Vatikani kujtoi 1-vjetorin e kalimit në amshim të Mons Rrok Mirditës, por ky përvjetor nuk u harrua as këtu në Shtetet e Bashkuara, ku Mons Rrok Mirdita u ka shërbyer mërgimtarëve shqiptarë pa dallim duke u gjend afër tyre për nevojat e tyre familjare, shpirtërore, kulturore dhe atdhetare për pothuaj një çerek shekulli. Të mërkurën që kaloi,  Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” në Scarsdale të New Yorkut mbajti një meshë përkujtimore për të ndjerin Imzot Rrok Mirdita.  Para pjesëmarrësve, kujtuan Mons Rrok Mirditën me fjalën e tyre famullitari i kishës Dom Pjetër Popaj, Diakoni Marash Shkreli dhe nipi i Monsinjorit, Edi Mirdita si përfaqsues i familjes.  Por fjalën kryesore të rastit e mbajti Tonin Mirakaj, mik  i vjetër dhe bashkpuntor i ngushtë i Mons Rrok Mirditës gjatë viteve, i cili ndër të tjera tha:

“Nuk eshtë e lehtë të pranojmë se nuk e kemi më në mesin tonë, mikun, dashamirsin, pjestarin e familjes, udheheqsin guximtar dhe të vendosur.  Për shumë prej nesh, bashkëpuntorin e 20 viteve (1973-1993) I cili me dedikim, vullnet dhe dashuri, shërbeu në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”.  Si besimtarë, jemi të vetdijshëm se Imzot Rroku është pranë Atit të gjithpushteshëm të cilit ai i ka shërbyer me korrektesë dhe devotshmëri, të gjithë jetën e tijë.

Imzot Rroku vazhdon të jetojë në kujtimet tona, jeton në historinë e veprës së tijë, në shërbim të Zotit dhe njerëzimit.  Jeton në historinë e lavdishme të Kishës Katolike Shqiptare të New Yorkut.  Jeton në historinë e bashkimit të dy Qendrave Katolike shqiptare, bashkim që solli forcën ekonomike, e cila bëri të mundur kalimin nga South Bronx, në një ndër vendet më të preferuara të lagjës Westchester dhe në themelimin e famullisë “Zoja e Shkodres”, me të drejta kanonike dhe ligjore si çdo famulli e vendit – të cilën e gëzojmë na sot e do t’a gëzojnë breza të ardhëshëm të shqiptarëve në New York.   Ai jeton gjithashtu në historinë e Kishës Katolike në Shqipëri, të cilës i shërbeu për afër 23 vjet, ku arriti suksese monumentale në ringjalljen shpirtërore të njerzëve, në rindërtimin e Kishës që e gjeti në gjendje të mjerueshme, gati krejtësisht të shkatërruar; në arsim nga shkolla elementar e deri e tek Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë, në shëndetsi, klinika, spitale dhe shërbime të tjera sociale.  Ai jeton në kujtimin e një populli që vuajti tmerrin e një regjimi të mbrapsht dictatorial komunist, për afër një gjysem shekulli.  Dhe ajo që kurorëzon arritjet e veprimtarisë së tij tijë është ndërtimi i Katedrales së “Shën Palit”, në qënder të kryeqytetit  të Atdheut tonë, në Tiranë.  Përpjekjet e Tija kishin vetëm një qëllim: Ndërtimin e një Shqipërie me Zotin. Një Shqipëri për të gjithë shqiptarët.

Gjatë njoftësisë, bashkëpunimit dhe miqësisë personale me Imzot Rrokun, kam formuar bindje se ai kishte largpamje dhe vizion profetik.  E parashifte të ardhëmen me qartësi.   Gjithëka e profetizojë u realizua në të dy anët e Atlantikut!   Në vizitën e parë që bëri në Shqipëri, mbas rënjes së diktaturës si prift i thjeshtë, Dom Rroku bashkë me mikun e tijë Djakonin Marash Shkrelin, nga një dritare e hotel Dajtit sheh një fushë që në atë kohë ishte bosh.  I thotë Shkrelit: ‘Sa i mirë duket ky vend, për një Katedrale’!  Në atë kohë nuk i shkonte në mend atij dhe as kujt tjetër se do të  ishte pikërisht Dom Rrok Mirdita, ai që pak më vonë do shugurohej Arkipeshkëv i Durrësit dhe Tiranës dhe se pikërisht  aty në atë vend që profetizojë nga dritarja e hotel Dajtit ishte ai që do të ndërtonte Kathedralen e sotëme të Shën Palit!

Imzot Rrok Mirdita kishte veti prej udhëheqsi që në moshë të re.  Këto veti ai i përfeksionoi me studime teologjike e filozofike të cilat e pasuruan me një kulturë klasike europiane, që bashkë me vullnetin e tij të çeliktë dhe besimin e pa tundur tek i Lumi Zot, mundi të arrijë suksese të shkëlqyeshme në dobi të Kishës Katolike, në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve, kudo që gjënden mbrenda dhe jashtë atdheut. Një histori e vertetë, e shkruar eventualisht nga persona kompetent do e shenojë emrin e tijë me germa të arta!

Në një e-mail që më dergojë pak ditë më parë, miku i jonë i përbashkët i perndershmi Dom David Gjugja, mbasi komenton shumë favorshëm për shkrimin : “Imzot Rrok Mirdita, pesonalitet i shquar i Kishes Katolike”, botue këtu, në Shqipëri dhe në faqen e Internetit të  Radio Vatikanit, ndër të tjera shkruan:

“Monsinjor Mirdita kishte një njohuri të thellë të historisë së popullit të vendit vet. Jo vetëm historinë, por aj njifte mirë shpirtin e popullit Shqiptar, ja dinte ëndërrat, dhimbjet, vuajtjet, synimet, dredhiët, të mirat dhe të këqijat. Prandej si bari e prijës shpirtëtor,bëri gjithëçka për t’i prirë popullit në rrugën e Zotit, e të atyre vlerave që janë shpirtërore, duke pasë për qëllim e synim të mirën e popullit dhe të Kishës.

Perveç asaj që ka bërë me ju në mesin tuaj e për ju (Për kishen tonë në NY) Monsinjor Rroku do mbetet si Kryeipeshkev largpamës, i  urtë, i vendosur, i qëndrueshëm, plot durim, i përzemërt, i afërt, e  i matur me të gjithë. Ai vuri themelet e rilindjes së Kishës dioçesane të Tiranë-Durrësit, në një periudhë jashtëzakonisht të vecantë dhe të vështirë për shume arsye e rrethana, duke orientuar popullin drejt udhës së Zotit dhe shoqërinë e re demokratike shqiptare drejt atyre vlerave që janë të doemosdoshme për një shoqëri demokratike të vërtetë. Dinte çka thoshte, kujt ia thoshte, pse ia thoshte e ku donte të dilte me fjalën, mesazhin, udhëzimin dhe me orientimin që i jepte kujdo!”

Ai, ishte dhuratë e Zotit për Kishën, për Shqipërinë, për komunitetin tonë të këtushëm, për familjen, miqët e bashkëpuntorët e tijë. E falenderojmë Zotin që e patëm në mesin tonë. I përjetshëm qoftë kujtimi i Imzot Rrokut!

Tonin Mirakaj përfundoi fjalën e tij duke bërë thirrje për organizimin e një simpoziumi shkencor ku do të merrnin pjesë personalitete të shquara të fesë, letërsisë dhe kulturës kombëtare, për të folur më gjërësisht për veprimtarinë fetare, kulturore dhe atdhetare të Imzot Rrok Mirditës, ashtu siç e meriton figura e tij.

Në këtë përvjetor të parë të largimit të Imzot Rrok Mirditës nga kjo botë kujtojmë pra, humbjen e madhe të një udhëheqsi kishtar, i paisur me cilësi të një prijsi të palodhur i pa shkurajuar kurrë përball vështërsive, i hyri punës me gjoks.  Si burrë i mirë me shokë shumë, me ndihmën dhe mbështetjen e shumë përkrahsëve, ai kapërceu vështirsi të panumërta, këtu në Amerikë por edhe më shumë në Shqipëri.  Unë, e besoj shumë të tjerë që e kanë njohur ose që kanë punuar me të ndjerin, do të ushqejmë dhe do të ruajmë, sa të jemi gjallë, mirënjohje për miqësinë, bashkëpunimin e këshillat dhe për trashëgiminë e tij fetare, kulturore dhe kombëtare që la pas – trashëgimi kjo që besoj se do të sjellë punë të mbara, për Kishën Katolike në Shqipëri dhe në dobi afatgjatë për mbarë kombin shqiptar.  Në këtë përvjetor të vdekjes së tij, jo vetëm ne që e kemi njohur, por edhe Kisha Katolike dhe bota shqiptare në përgjithësi, kujton një frymëzues dhe organizator të palodhur nismash jo vetëm fetare, por edhe kulturoro-kombëtare, gjithmonë në përputhje me lartësimin e vlerave më të dalluara fetare dhe kombëtare të shqiptarëve.  Unë dhe shumë të tjerë që e kemi njohur për së afërmi Mons Rrok Mirditën dhe me të cilin, si indivdidë dhe si komunitet, kemi kaluar nepër disa shtigje të vështira, por edhe të lumtura gjatë dekadave të fundit, e ndjejmë rëndë mungesën e tij në këtë përvjetor të parë të kalimit të tij në amshim.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Nje vit pa Imzot, RROK MIRDITA

NDEROHET NE NEW YORK KUJTIMI I IPESHKEVIT TE NDJERE TE SHQIPERISE RROK MIRDITA

December 19, 2015 by dgreca

NEW YORK : Të shtunën, më 19 dhjetor 2015, duke fulluar në ora 11 deri në 4, pasdite në Qendrën “Nëna Tereze” – Kisha Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës në Nju Jork, anëtarët e familjes së Rrok Miridtës, në SHBA, pritën ngushëllime nga komuniteti shqiptarë, për ish-famulliatrin e kësaj kishe, të ndjerin Imzot Rrok K. Mirdita Arqipeshkëv Metropolitan i Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës, i cili vdiq më datën 7 dhjetor 2015, në moshën 76-vjeçare.
Federata Pan Shqiptare e Amerikës Vatra, liderit e saj, veprimtarë të dalluar të komunitetit, besimtarë , familjarë, miq dhe njohës të Imzot Rrok Miriditës, përcollën me këtë rast kujtimet e tyre dhe lanë ngushëllimet më të thella për shkuarjen në amshim të Rrok Mirditës.
Gazeta Dielli shkruan në një reportazh të saj online se dje pasdite është nderuar në Nju Jork, kujtimi i Ipeshkevit të Kishës Katolike Shqiptare Rrok Mirdita. Dhjetra besimtar, dhe lider e vepritar të komunitetit, erdhën dje pasdite në Qendrën Kulturore” Nanë Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare ”Zoja e Shkodrës”, shkruan Dielli, për të marrë pjesë në një të pame, e cila mbahej në nderim të Ipeshkevit të ndjerë të Shqiperisë Rrok Mirdita, ish meshtari i parë i kësaj kishe në Nju Jork, prej bashkimit të saj.
“Një përfaqësi e Vatrës e përbërë nga kryetari i saj, Dr. Gjon Bucaj me zonjën Nikoleta, zv. Kryetari Asllan Bushati, anëtari i kryesisë Marjan Cubi me zonjën Dila, Zef Pernocaj, Pashko Camaj, anëtar i kryesisë, editori i Diellit Dalip Greca, u kan shprehur familjarëve dhe besimtarëve të kësaj famullije ngushëllimet më të thella” shkruhet në reportazhin e Diellit-
Kurse, në faqen e internetit të kësaj kishe, në librin e shënimeve shkruan Dedë Bala ngushëllimin e tij duke thënë : “Jepja o zot jetën e pasosur, e ndrite drita pa mbarume. Në vitin,e tmershëm për shqiptarët,1999, ky njeri i Zotit, e ka thanë Meshën në shtepin time në Tiranë , thotë ai ndërsa shtonë se në prezencë të mbi 200 refugjatëve që i kisha strehuar në këtë shtëpi, ka thanë uratën dhe na ka dhanë bekimin, duke thane se zoti qoftë me ju – Pushoftë në paqe!”.
Një besimtare e devotshme dhe veprimtare e komunitetit Maria Dusi në postimin e saj thotë se “Imzot Rrok Mirdita ishte një shembull dhe një krenari për të gjith ne shqiptarët. I përjetshëm qoftë kujtimi i Tij dhe I leht i qoftë dheu i tokës nanë.
Kurse, Drejtori i Qendrës “Nëna Terze” pranë Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës,
Marjan Cubi në ngushëllimin e tij për këtë lajm të idhtë shkruan :” Zoti e bekoftë shpirtin e Arkipeshevit Rrok Mirdita . Aji pushoftë në paqe dhe kujtimet e mira mbetëshin përgjithmonë “
Raimonda Moisiu , kryetare e Shoqatës së Shkrimtarve Shqiptaro Amerikan, shkruan në mesazhin e saj ngushëllues :”U prehtë në Paqe! I përjetshëm kujtimi dhe vepra e tij drita e saj që la pas për gjeneratat! Amen!
Shënime ngushëllimi ka lënë edhe gazetari Dritan Haxhia i cili ka shkruar :“Mos u harrofte kurre puna dhe emri i Arqipeshkvit Imzot Rrok Mirdita.
Lola Artiste Limo “Krishti e past ne Parriz” dhe Pashk Maksuti i cili ngushëllon duke thënë : “Pushoft ne paqe”
Kështu, pra shqiptarët, do ta kujtojnë ipeshkvin si bariun e parë pas komunizmit, që e drejtoi Kishën e rilindur në rrugën e përtëritjes e të zhvillimit; do ta kujtojnë për kontributin e dhënë në harmoninë fetare, ka thënë presidenti iShqipërisë, zoti Nishani.(Photo credite Dielli)

Filed Under: Komunitet Tagged With: NDEROHET KUJTIMI I IPESHKEVIT TE NDJERE TE SHQIPERISE, RROK MIRDITA, Vatra

U NDA PREJ NESH MONSINJOR RROK MIRDITA

December 8, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ishte ky lajmi pikëllues këtë javë nga një njoftim për mediat dhe për publikun nga Arkidioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës.  Lajmi na tronditi meghithëse kishim marrë vesh se gjëndja e tij shëndetsore nuk ishte aq e mirë, prap se prap nuk na e merrte mendja se Mons Miridta do të ndahej prej nesh kaq shpejt. Ky lajm i zi, shkaktoi hidhërim të thellë në radhët e të gjithë atyre që e kanë njohur Monsinjor Rrok Mirditën, nga komuniteti shqiptaro-amerikan ku ai ka shërbyer me përkushtim për pothuaj 30-vjetë, para se të emërohej nga Papa Gjon Pali i Dytë  në vitin 1992 Arkipeshkëv i Durrës – Tiranë, por edhe nga shumë shqiptarë të gjitha feve anë e mbanë trojeve shqiptare që e kishin njohur dhe me të cilët kishin pasur kontakte, në radhët e të cilëve kishte lenë vetëm kujtime mbresëlënse për punën e tij si përfaqsues i lartë i Kishës Katolike, por edhe si shërbestar i popullit shqiptar pa dallim feje a krahine dhe Atdheut të tij.

Si shumë shqiptarë të tjerë, edhe unë si bashkvendas, bashkatdhetar dhe bashkvuajtës — për një kohë edhe bashpuntor i tij në vitet e para pas ardhjes së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin megjithëse larg me detyrë në Washington — mbajsha kontakte të rregullta me të.  Si i tillë, ndjejë hidhërimin e thellë për këtë humbje të madhe për të gjithë ne, por sidomos për ata që e kanë njohur nga afër dhe në jetën e të cilëve ka lujatur rol dhe ka lënë mbresa të paharruara dhe të pashlyeshme.  Nëqoftse më lejohet,  për rolin e tij në jetën time dhe të familjes mjafton të përmendi se si bashkvendas dhe të njohur që ishim me të dhe familjen e tij, në  vitin 1975 Dom Rroku  pranoi me një shprehje miratimi, të ndërmjetësonte si “shkues” për fejesën me bashkshorten time Vitoren, që përfundoi në  martesën që vazhdon për 40-vjet tani. Sot, por ndoshta edhe atëherë, mund të duket si diçka e jashtzakonshme për një meshtar që të shërbente si shkues, por i tillë ishte Mons Rrok Mirdita, i gatëshëm për të shërbyer, jo vetëm me shërbime e ceremoni fetare, por gjëndej edhe në fusha të ndryshme familjare dhe shoqërore.  Unë dhe familja i jemi mirënjohës dhe përulemi me respekt në shënjë nderimi të thellë për rolin që ka luajtur në jetën tonë dhe të familjes.

Si rrjedhim, ashtu si edhe shumë shqiptarë, unë ruaj konsideratën më të madhe për punën dhe veprimtarinë fetare dhe atdhetare prej 50-vjetësh të Monsinjor Rrok Mirditës, qoftë në  vendlindje  në rrethin e Ulqinit, qoftë në Amerikë, qoftë më në fund edhe në Shqipëri, ku luajti rolin kryesor për ringjalljen e Kishës Katolike të martirizuar për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi i egër komunist i Enver Hoxhës, që kishte pasur në plan të zhdukte të gjitha fetë, por sidomos e kishte ferrë në sy klerin katolik, anëtarët e të cilit brutalisht i vrau, i burgosi dhe i torturoi deri në zhdukje. Me arrijtjen e tij në Shqipëri, Mons. Mirdita, përballet me një gjë gjëndje të mjerueshme shoqërore dhe fetare, me një vend që kishte mbyllur kisha e xhamia, dhe si asnjë shtet tjetër në botë, komunistët shqiptarë me një vendim absurd, kishin shpallur Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë, duke ndaluar me ligj edhe Zotin.

Si Arkipeshkëv i Durrës- Tiranë  emërohet dhe shugurohet nga miku i madh i shqiptarëve, Papa Gjon Pali i Dytë në fillim të 90-ave. Ndër veprimtaritë e tij të shumëta gjatë asaj periudhe, si drejtor i  entit bamirës të Kishës Katolike,  Caritas-it Shqiptar nga viti 1994 deri në vitin 2000, ai me vetitë e jashtzakonshme  mendjeje e zemre që e dallojshin — ashtu siç vihet në dukje edhe në njoftimin e Arkipeshkëv i Durrës- Tiranë — Mons Mirdita siguron ndihma nga vende dhe institucione të ndryshme katolike anë e mbanë Europës, por edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan, për t’i ardhur në ndihmë popullësisë së varfër në Shqipëri, por njëkohsisht edhe popullit shqiptar të vuajtur dhe të terrorizuar të Kosovës nga   forcat terroriste të policisë dhe ushtrisë serbe të Millosheviqit gjatë dekadës së vështirë të 90-ave.  Gjatë asaj periudhe,  Kisha Katolike Shqiptare në New York kishte  organizuar gjithsejt 22 transportime ushqimesh dhe veshmbathjesh, si edhe fonde me qindëra mijera dollarë për njerëzit në nevojë në Shqipëri dhe për refugjatët shqiptarë nga Kosova.

Parardhësi dhe mbështetsi i Mons Rrok Mirditës në New York, Dom Zef Oroshi me rastin e themelimit të Lidhjes Katolike Shqiptare në vitin 1962, pat deklaruar:  “Mirë se u pruni Zoti në shtëpinë tuej.  Këjo sot është një shkëndi e vogël që me ndihmë të Zotit do të bahemi dritë e madhe, me shëndritë edhe votrat e errësueme në Atdhe. Rruga e jonë është dhe mbetet ajo e Krishtit: drejtësi, dashuni e paqë për gjithkënd dhe me gjithkënd.”

Nuk ka asnjë dyshim, për ata që e kanë njohur dhe që kanë ndjekur jetën dhe veprimtarinë e Mons Rrok Mirditës, se në të vërtetë ishte Arkipeshvi i Durrës -Tiranë, i cili për fat të keq u nda prej nesh para pak ditësh, ai që “shkëndinë e vogël”, për të cilën pat folur Mons Zef Oroshi në vitin 1962 —  Arkipeshkvi Rrok Mirdita ishte ai që shëndërroi, atë shkëndi të vogël në një “Dritë të Madhe”, dritë e cila sot me krenarinë dhe besimin e padyshimtë në pasurinë etnike të trashëguar nga të parët dhe në traditat fetare dhe kombëtare shqiptare, të gërshetuara me kulturën e shëndosh amerikano-perëndimore, më në fund, “shëndritë në votrat e errësueme të Atdheut”.

Kjo është merita dhe trashëgimia e Mons Rrok Mirditës, i cili me entuziazmin e tij pat sjellur një bashkpunim të zellëshëm e të frutshëm në komunitetin shqiptaro-amerikan duke i dhënë një hov të ri veprimtarisë së Kishës së parë katolike në Amerikë dhe bashkpunimit të këtij komuniteti dhe mbarë shqiptarëve në Shtetetet e Bashkuara, pa dallim. Ishin përpjekje të vështira këto për të bashkuar shqiptarët e shpërndarë anë e mbanë Nju Jorkut dhe në shtete të tjera. Por me vullnetin e pandërprerë, me sakrifica e mundime të mëdha që  Mons Mirdita me bashkpuntorët e tij arrijti të kapërcente kundërshtimet, apatitë, ndërhyrjet qëllim-këqia, dhe  më në fund nën drejtimin e tij, ia dolën me realizimin e objektivit të lartë fetar e kombëtar, ndërtimit të Kishës së re, Zoja e Shkodrës këtu në Hartsdale të New Yorkut që sot është bërë jo vetëm qëndër fetare, por edhe një qëndër kombëtare me rëndësi e shqiptarizmit dhe e vëllazërimit midis shqiptarve të besimeve të ndryshme.  I ftuar nga Papa Gjon pali i dyt,  Mons. Mirdita pranon këtë thirrje the privilegj historik   që veprën em madhe të filluar në Amerikë, t’a vazhdonte në Atdhe, për të filluar një agim të ri për Shqipërinë, siç pat shkruar një gazetë amerikane në atë kohë.   Me transferimin e tij në Shqipëri, ai angazhohet për ringjalljen e Kishës Katolike duke ndërtuar, ndër të tjera, edhe Kishën Katedrale të Shën Palit Në Tiranë, edhe kjo një qëndër shërbimesh fetare dhe kombëtare për të gjithë shqiptarët, por një qendër kjo që Mons Rrok Mirdita e shëndërruar në bashkrendimin e veprimtarive të shumta në fusha të ndryshme bamirëse përfshirë, sipas njoftimit të Arkipeshkvisë, ” fushën e arsimit, atë shëndetësore, në mbrojtjen e fëmijëve, në mbështetjen e familjeve në vështirësi dhe në strehimin e të braktisurve përmes hapjes së shkollave fillore ( fillore, e të mesme), azileve, qendrave sociale, shkollave profesionale, qëndrave shëndetësore, dhe atyre për fëmijët e braktisur”, ndër të tjera.

Humbje e madhe e një udhëheqsi kishtar, i pajisur me cilësi të një prijsi të palodhur e i pa shkurajuar përball vështërsive, ia hyri punës me gjoks, me ndihmën e shumë përkrahsve ai kapërceu vështërsi të panumërta, këtu në Amerikë por edhe më shumë në Shqipëri.  Unë, dhe besoj shumë të tjerë, do të ushqejmë  dhe do të ruajmë, sa të jemi gjallë, mirënjohje për miqësinë, bashkpunimin e këshillat, por për më tepër për trashëgiminë e tij fetare, kulturore dhe kombëtare, trashëgimi që besoj se do të sjellë lulëzime dhe punë të tjera të mbara për Kishën Katolike në Shqipëri dhe anë e mbanë  trojeve shqiptare, në dobi të mbarë kombit. Jo vetëm Kisha Katolike, por bota shqiptare në përgjithësi, ka humbur një frymëzues dhe organizator të palodhur nismash jo vetëm fetare, por edhe kulturoro-kombëtare, gjthmonë në përputhje dhe në lartësimin e vlerave më të dalluara fetare dhe kombëtare.  Unë dhe shumë të tjerë që e kemi njohur për së afërmi Mons Rrok Mirditën dhe me të cilin si indivdidë dhe si komunitet kemi kaluar nepër disa shtigje të vështira, por edhe të lumtura gjatë dekadave të fundit, e ndjejmë rëndë humbjen e tij. Si bashk-udhtarë nepër këto shtigje – vëllëzërve dhe familjes së tij më të gjërë — si pjesëmarrës në zinë që e goditi, u shprehim ndjenjajt dhe përdhimtimet tona më të sinqerta. Ai pushoftë në paqë dhe ju Zoti u forcoftë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli, RROK MIRDITA, U NDA PREJ NESH MONSINJOR

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT