Nga Harry Bajraktari*/
Bllokada e kuvendit që po vazhdon me javë duke ndodhur edhe ditën e sotme ka ngritur tensionet nënjë shkallë dëshpëruese në Kosovë dhe kjo paraqet rrezik të një eskalimi të situatës së përgjithshme me pasoja të paparishikueshme. Keqpërdorimi i Kuvendit dhe përdorimi i dhunës brenda tij në shoqëritë demokratike janë të pa pranushme dhe si të tilla çdo kund gjykohen. Kuvendi është arenë dialogu dhe debati për probleme të ndryshme me të cilat përballet shteti i Kosovës dhe askush nuk ka mandat nga të zgjedhurit e popullit, qoftë pozitë, qoftë opozitë t’ i mbyllë dyert e këtij institicioni më të lartë ligjevënes të shtetit tonë. Vurja e dryrit, kështu siç po i vëhet Kuvendit, duke përdorur metodat jo demokratike dhe jo ligjore, po i vëhet bllokada shtetit, të cilin siç e dimë të gjithë e krijuam me sakrifica të mëdha të të gjithëve, me gjak dhe vuajtje.Nuk kanë qenë të pakta edhe krizat tjera në të kaluarën që i shkaktuan partitë politike për të ardhur në pushtet. Tani kemi një situatë shumë më të ndërlikuar, do të thoshja tepër të rëndë, që u krijua për shkak të nënshkrimit të dy marrëveshjeve: asaj për krijimin e Bashkësisë së Komunave serbe dhe Demarkacionit, vijës kufitare me Malin e Zi, ku opozita nxjerrë si pretekst se në të dy rastet është shkelur kushtetuta e Republikës së Kosovës, dersa pozita në pushtet i ka demantuar këto pretendime. Tani në vend të dialogut në Kuvend, ku do të bisedohej lidhur me këto dy marrëveshje, opozita ka zgjedhur rrugën tjetër të bllokimit, duke përdorur format e ndryshme të dhunës. Dihet se dhuna prodhon dhunën dhe ne jemi dëshmitarë të asaj çka ndodhi para pak ditësh në rrugë të Prishtinës. Mbyllja e dyerve të Kuvendit dhe pamundësia e shpjegimit të përmbajtjes së këtyre dy marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel në prani të zonjës Mogorini, tek qytetarët e Kosovës, u krijua një situatë konfuze.Skenat e gazit lotsjellës në Kuvend nga deputetët e opozitës, ku ka edhe pasoja shëndetësore, flasin se ne ende jemi larg tolerancës parlamentare dhe respektimit të ligjeve që janë miratuar po nga deputetët. Fatkeqësisht me këto sjellje jo demokratike dhe jo parlamentare po krijojmë imazhin e keq në botë në kohën kur Kosova, këto ditë, me një shpresë të madhe do të pranohet në UNESKO dhe hapi tjetër do të jetë liberalizimi i vizave dhe inkuadrimi në proceset tjera në Bashkimin Europian. Patriotizëm është hapja dhe jo mbyllja, jo dhuna, po dialogu dhe respektimi i shtetit.Një gjë është e qartë se kushdo që mund të vijë në pushtet në të ardhshmën s’ do të ketë mundësi që këto marrëveshje të nënshkruara në prani të Bashkësisë Ndërkombëtare t’ i zhvleftësojë. Këtë e dinë edhe ata që janë kundër tyre dhe ata që kanë vendosur firmat mbi to. Po çka tash?Në një situatë të tillë të papërmbajtur, pozitë dhe opozitë, duhet të lënë interesat partiake dhe të mendojnë për të mirën e Kosovës dhe për të mirën e popullit të saj, nga i cili u zgjodhën dhe të gjithë së bashku të gjejnë rrugën për të dalë nga kjo krizë e rëndë. Vetëm dialogu, toleranca dhe mirëkuptimi garantojnë sukses dhe asesi veprimet jashtëkushtetuese. Ky dialog mes partive politikë, pozitë dhe opozitë, duhet të ndodhë sa më parë dhe Kuvendi t’ i kthehet punës normale të miratimit të ligjeve dhe të kryrjes së obligimeve që ka në kompetencat e tij ndaj qytetarëve.Zgjidhja më e mirë sipas meje në këtë situatë të ndërlikuar për këto dy marrëveshje të nënshkruara në Bruksel do të ishte shpallja e një
referendumi ku populli do të përcaktoj, pasi që do të kishte marrë të gjitha shpjegimet e mundshme.
Populli pret nga qeveria dhe parlamenti të kryhen punët që kanë mbetur pa u përfunduar, siç është zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës, ndalja e korrupcionit, zbatimi i ligjeve dhe krijimi i besimit që është luhatur.Një përshkallëzim i gjendjes dhe qitja e njerëzve në rrugë do të ishte fatal për ne dhe, veç pasojave përbrenda, do të humbim përkrahjen që kemi pasur deri tash nga SHBA dhe nga Bashkësia Europiane. Kjo do të ishte baraz me paralizën e shtetit.
Reagimet e SHBA dhe të Bashkësisë Europiane flasin më së miri se cila është rruga që duhet ndjekur!
*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.