• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bisedë me tenorin me famë botërore Saimir Pirgu

April 19, 2016 by dgreca

Intervistoi: Mimoza Dajçi/

Me Saimirin u takuam në hollin e hotelit ku ishte akomoduar, jo larg “Kaufman Music Center” ku do të mbante edhe koncertin e tij recital. Ishte i saktë, erdhi në kohë. U përshëndet me ne. Veshur me xhinse e kapele sportive, dhe me mënyrën e thjeshtë të komunikimit, bënte të harroje për pak çaste që përballë kishe këngëtarin operistik me famë botërore. Me vajzën time Merlinin kishin studjuar bashkë në Liceun Artistik – Tiranë. Së bashku folën rreth muzikës, miqve të përbashkët e më pas unë i drejtova disa pyetje për intervistë.

 M.D – Përshëndetje Saimir, e mirë se u takuam në New York!

S.P  – Eshtë kënaqësi edhe për mua.

 M.D – Ju vini këtu pas disa koncerteve të suksesshëm nëpër Europë e botë, po pas New York-ut cila është ndalesa juaj operistike?

S.P – Ndalesa tjetër do të jetë në Chicago, ku do të interpretoj operan “Falstaff” të dirizhuar nga Maestro Riccardo Muti, shoqëruar nga “Chicago Symphony”. Sapo kam ardhur nga Moska ku interpretova në Teatrin “Bolshoi”. Sot jam në New York për mbylljen e turneut tim botëror “Il mio canto” që mban titullin albumit tim të cilin jam edhe duke promovuar në nivel internacional. Në këtë turne u përfshinë 9 performanca si në Tokyo, Tiranë, Firenze, Opera e Vienës, Opera e Berlinit, Teatri Châtelet i Parisit. Janë nga qytetet më kryesore, ku unë kam pasur sukses vitet e fundit dhe kam një publik që më ndjek rregullisht.

M.D – Si ka qenë pjesëmarrja e shqiptarëve gjatë turneut tuaj?

S.P – Në Tokyo, përveç përfaqësisë diplomatike, mesa di unë nuk ka shumë shqiptarë. Prezent në koncertin tim ishte vetëm ambasada jonë. Kam takuar shqiptarë në Vienë, se ka më tepër popullsi shqiptare, shumë pak shqiptarë në Berlin, por kam përshtypjen se në New York është pjesa dërrmuese e diasporës tonë, të cilët përbëjnë një numër të madh si ndjekës të koncerteve të mia.

Kam një publik internacional që më ndjek prej 12 vitesh, ku unë kam kënduar në Operan “Metropolitan” në Manhattan e në Teatrin “La Scala” në Itali, por çfarë më bën përshtypje është se prezenca e shqiptarëve është e pranishme, pavarësisht faktit që repertori im nuk përmban vepra shqiptare në përgjithësi.

M.D – Sa e rëndësishme është për ju muzika lirike – operistike dhe kur filluat të merreshit me tingujt e saj të parë?

  1. P – Muzika operistike është jeta ime. Sfida është tek ajo ç’ka ti do të sjellësh të re tek një vepër klasike e kompozuar 100 apo 200 vite më parë, dhe kjo është gjëja më e vështirë. Mënyra se si ti do ta interpretosh përpara publikut bën diferencën midis teje dhe qindra të tjerëve që e këndojnë. Të kënduarit për mua nuk është punë, është diçka hyjnore.

M.D – Në fëmijërinë tuaj keni studiuar për violinë. Kur i keni rënë për herë të

            fundit instrumentit tuaj të dashur?

S.P – Hera e më e fundit kur unë kam luajtur në violinë ka qenë me nipin tim, me rastin e vitit të ri që lamë pas. Ai është gati 4 vjeç. Improvizuam një koncert dhome për familjen. Ai dirizhonte e i binte pianos. Unë këndoja dhe më pas i rashë violinës.

M.D – Në çfarë moshe morët leksionet e para në violinë?

S.P – Në klasën e parë të shkollës fillore.

M.D – Pse ndryshuat drejtim nga instrumentist violine në këngëtar i muzikë operistike. Kush e dëshiroi i pari këtë zhanër tek ju, ju vetë, prindërit apo ndonjë pedagog i  juaji?

S.P – Në retrospektivë, nuk e shikoja veten në një nivel të lartë si violinist. Endrra e bukur e të kënduarit filloi me koncertin e tri tenorëve Plácido Domingo, José Carreras dhe Luciano Pavarotti në televizor kur isha ende fëmijë, derisa mori përmasa që as në ëndërr nuk do t’i kisha menduar. Nganjëherë e lexoj curriculumin tim dhe habitem me arritjet e mia.

M.D – A është e vërtetë se Pavarotti është ai që zbuloi tek ju talentin e rallë me famë  botërore?

S.P – Ajo ç’ka më dha pa masë Maestro Pavarotti ishin leksionet si dhe më mësoi të mos kënaqesha me pak e me arritjet e vogla në jetë. Në këtë aspekt kam qenë shumë me fat. Shikon një koncert në vitin 1995, ku tre tenorët këndojnë, dhe jeta e sjell që me njërin (Pavarottin) studjon e bëhet pjesë e jetës tënde deri sa u nda nga jeta, ndërsa me tjetrin (Domingon) këndon së bashku në Operan “Metropolitan”. 

  1. D – Nga kush e trashëgoni artin e bukur të muzikës, violinës e kantos?

S.P – Asnjë nga prindërit e mi nuk është muzikant, por janë dashamirës të artit. Gjithsesi nuk më kanë shtyrë me ngulm në këtë drejtim.

M.D – Për arritjet e sukseset tuaja jeni fitues i disa Çmimeve të mëdha nëpër botë, e tani së fundi Bashkia Tiranë ju dekoroi me Çmimin e Lartë “Çelësi i Qytetit”. Ç’do të   

            thotë kjo për ju?

S.P – Eshtë e vërtetë se jam fitues i disa çmimeve nëpër botë, por asgjë nuk arrihet pa sakrificë e përpjekje intensive. Ftesa nga Bashkia e Tiranës ishte e çiltër, e sinqertë. Pati shumë kërkesa për bileta nga publiku. Vura re se kishin dëshirë për të më ndjekur live, pasi kishin kaluar shumë vite që nga hera e fundit që kisha mbajtur koncert atje. Herës tjetër duhet të organizoj një koncert 2-3 netësh për të kënaqur bashkëkombasit e mi artdashës.

M.D – Në karakterin tuaj gjithashtu spikat edhe humanizmi. Së fundi fitimet e koncertit që mbajtët në Tiranë i dërguat për fëmijët e sëmurë.

S.P – Po ashtu ka ndodhur. Ishte dëshira ime që fondet e atij koncerti t’i adresoja për fëmijët e pediatrisë. Menduam që t’i jepeshin fëmijëve në nevojë, të cilët kanë sëmundje terminale dhe janë në fazat e fundit të jetës. Me kërkesën time, kjo iniciativë nuk u bë publike, për vetë faktin se i shërbente një kauze bamirësie që nuk ka nevojë për reklamë.

M.D – Një gjë që i bëri përshtypje artdashësve të muzikës klasike, ishte çmimi i arsyeshëm që vendoset për shitjen e biletave.

S.P – E kam bërë me dëshirë që t’i vendos çmimet e biletave me 30 dollarë, në mënyrë që t’i jap mundësi më shumë njerëzve të vijnë. Pasi jemi në kohëra të vështira e njerëzit vuajnë ekonomikisht. Kur jam në “Metropolitan” sigurisht që vendosja e çmimeve të biletave nuk varet nga unë, por ky është recitali im.

M.D – Faleminderit Saimir e suksese të mëtejshme!

S.P – Faleminderit edhe juve!

Prill 2016, New York

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Bisede, me tenorin me famë botërore, Mimoza Dajci, Saimir Pirgu

Saimir Pirgu në Merkin Concert Hall

April 10, 2016 by dgreca

Tenori shqiptar me famë botërore Saimir Pirgu dha koncert recital në Merkin Concert Hall në Manhattan/

Nga Keze Kozeta Zylo/

Tenori shqiptar me famë botërore Saimir Pirgu dhe koncert recital në Merkin Concert Hall me këngë nga albumi i tij i fundit “Il mio Canto” “Kënga Ime”.

Qindra shqiptarë dhe amerikanë zunë vendet në sallën e Merkin Concert Hall e njohur për këto koncerte të kësaj gjinie. Merkin Koncert Hall, ka nje akustikë të përsosur dhe ka fituar një reputacion si një nga vendet me të mira në Nju Jork për këtë gjini të koncerteve. Në të janë dhënë koncerte botërore duke përfshirë shumë premiera-nga kompozitorët bashkëkohorë dhe disa prej interpretuesve më te njohur në botë.

Saimir Pirgu është legjenda shqiptare e muzikës botërore i cili ka rrëmbyer zemrat e artdashësve të shumtë në botë.  Zëri i tij tërhoqi qysh në momentet e para të karierës së tij Luciano Pavarotin, Luanin e skenës siç do ta quajë vetë Saimiri dhënë në një intervistë per TV “Alba Life” në New York.  Vetë Pavaroti ka thënë se: “It is so important for people at a young age to be invited to embrace classical music and opera”, që përkthehet: është shumë e rëndësishme për njerëzit në një moshë të re që të ftohen për të përqafuar muzikën klasike dhe operën.

Dhe Saimiri e pati këtë fat të mrekullueshëm në jetë.

Ndërsa Placido Domingo ka thënë se zëri i tij ëhtë i mrekullueshëm.  Gazeta më e famshme në botë “New York Times” tërhoqi vëmendjen e lexuesve të saj në gjithë botën duke shkruar për Saimirin nën titullin: “Tenor from the dark side of the moon” që do të thotë “Tenori nga ana e errët e hënës”.

Dalja e tij në skenë ne Merkin Concert Hall ishte emocionuese, befasuese me zërin e tij të ngrohtë, lirik,  interpretoi këngë nga albumi i fundit “Il mio Canto” ariet me të bukura shoqëruar nga pianistja Lucy Arner.

Lucy Arner ka punuar në mesin e këngëtarëve të shquar me produksione artistike si Luciano Pavaroti, Alfredo Kraus, Montserrat Caballe, Joan Sutherland, Luciano Pavarotti, Marilyn Horne, Sherrill Milnes, Hoze Karreras dhe Placido Domingo.

Vete pianistja Arner, është gruaja e parë që mban pozicionin drejtore e muzikës së Operas Versimo New Jersey në vjeshtën e vitit 2015.

Mjaft gazeta prestigjioze dhe kritikë të artit dhe muzikës botërore Pirgun e vleresojnë si një nga këngëtarët më të njohur në botë i cili së fundi po kryen një tour botëror me albumin e tij “Kenga ime” si ne Tokio, Moske, New York, Tiranë etj…

Teknika e zërit të tij është e jashtëzakonshme, ngjitja e zërit të tij vjen ëmbëlsisht tek artdashësit e shumtë, dhe pastaj si me shkop magjik ngrihet mbi gradacielat e Nju Jorkut dhe shkon deri në qiell, pranë yjeve…

Ardashësit e shumtë e duartrokisnin pakufi, ai mjeshtërisht mbajti sallën ndezur dhe teknikisht hyri në rezonancë me publikun.

Saimir Pirgu interpretoi këngë nga Albumi “Il Mio Canto” Kenga ime të hedhur nga Opus Arte kengeë nga kompozitorë botërorë, ndermjet tyre si: Bononcini “Per la gloria d’adorarvi from Griselda”, Gluck “O del mio dolce ardor from Paride ed Elena, Scarlatti “Gia il sole dal gange from L’honesta negli amori, Mozart “Del piu sublime soglio from La Clemenza di Tito il mio tesoro intanto from Don Giovanni, Rossini “La Danza”, Verdi “La mia letizia infondere from I Lombardi alla prima crociata etj…

Tenori i famshëm botëror gjithçka shpirtërore e shprehu nëpërmjet muzikës, sepse muzika do të thotë Viktor Hygo shpreh atë që nuk mund të thuhet me fjalë dhe për të cilat është e pamundur të heshtësh.

Në fund të koncertit ai interpretoi “Fjalët e qiririt” të kompozuar nga Limoz Dizdari, interpretim që u mirëprit mrekullisht nga publiku i shumtë.

Në mes dartrokitjeve dhe luleve Saimir Pirgu mbajti nën emocione të gjithe artdashësit e shumtë të cilët kaluan një natë të bukur nju jorkeze nën zërin magjepsës të tij.

Në fund të gjithë ardashësit morën CD nën titull “Il mio Canto” të nënshkruar me autografin e tij.

TV “Alba Life” së shpejti do të sjellë intervistën e tij dhënë enkas për këtë TV pas koncertit të tij recital në Manhattan.

 

9 Prill, 2016

Manhattan, New York

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: në Merkin Concert Hall, Saimir Pirgu

Samir Pirgu, shkëlqen me Donizettin – dhe mrekullon publikun e Los Angelosit

March 31, 2014 by dgreca

“Sa brilantë ishin ” Lucia ” sopranoja Shagimuratova, dhe Edgardo Donizetti, tenori Saimir Pirgu – para një audience entuziaste në Dorothy Chandler Pavilion , shtëpia e Operës në Los Angeles , ishte një triumf i i vertetë dhe i qartë,” shkruan  ‘’Standard Repertory’’/

Nga BEQIR SINA/

LOS ANGELOS – CALIFORNIA/ Opera e Los Angeles zgjodhi idetë e marsit, që të zbulojë një prodhim të ri të operës më të njohur Donizetti – , ” Lucia di Lammermoor ” , e kryer nga Opera Warhorses – Drejtori i muzikës James Conlon dhe rolet kryesore  uzbekistania e lindur në rusi, sopranoja  Albina Shagimuratova dhe tenori lirik shqiptar, me renome në botën operistike, Saimir Pirgu. Simbas shtypit kalifornian thuhet se :”Në këtë natë operistike më të shndritshëme të roleve nga diva e coloratuar, Shagimuratova, ishte me të vërtet një fenomen, në trajtimin e pasazheve të qetë, pjesën Legato, ndërsa e pashëme jashtë trillës “coloratura and cadenzas” me përsosmëri në gjithë dukjet e saj.Dirigjenti Conlon nuk ka vërejtur ndonjë nga shkurtimet tradicionale në rezultatin muzikorë , kështu që Shagimuratova, dukej në mënyrë të konsiderueshme më shumë për të kënduar se do të pritej nga një soprano në një shfaqje tipike të shekullit të 20, shkruan ‘’Standard Repertory’’ në broshurën e Opera Warhorses në Los Angelos, portalin online. Duke vendosur veten si një soprano mbizotëruese në botë, coloratura , Shagimuratova, ishte shfaqur në Kaliforni më parë si Mbretëresha e Natës në “Shining L. A. Opera “Magic Flute” në Sunny Matinee Day –11 Janar 2009 – “Magic Flute” – San Francisco Opera, 13, qershor  2012, dhe “Rigoletto” Magnifico –  në San Francisco Opera, 8, shtator 2012.

“Sa brilantë ishin ” Lucia ” sopranoja Shagimuratova, dhe Edgardo Donizetti, tenori Saimir Pirgu – para një audience entuziaste në Dorothy Chandler Pavilion , shtëpia e Operës në Los Angeles , ishte një triumf i i vertetë dhe i qartë,” shkruan  ‘’Standard Repertory’’ .

Opera Donizetti – është një shembull i shkëlqyer se si kompozitori italian i operas , veçanërisht Donizetti dhe partneria e tij më e re bashkëkohore interpretojnë, Verdin, ( që jetoi pas Donizettit më shumë se gjysmë shekulli ) , lidhur me heronjtë meshkuj të letërsisë romantike dhe poezisë – ilustruar nga veprat e Gëtes , Bajronit dhe Scott – me stilë – zhvillimin e tenorit italian , duke përdorur tone drithëruese për të prodhuar nota kumbuese dhe me zë të lartë .

Si të zgjedhuren partneren e jetës Lucian – me  Edgardon, para audiencës skrupuloze në Dorothy Chandler Pavilion , shtëpia e Operës në Los Angeles , ata të dy ishin në gjendje për të bërë publikun të ngrihet në këmbë, të duartrokasë dhe thërras “Bravo”.

Pra, Pirgun, që tani është hedhur në një nga rolet më të mëdha të operës italiane në fillim të shekullit të 19të . Pirgu, me interpretimin e tij të brilantë ngjall kujtime të pashlyeshme të fisniku të ri të dëbuar , një vetë -shkatërrues , dhe dashnor i pasionuar , simbas ‘’Standard Repertory’’.

Edhe një skemë e kostumografisë- pjesë e projektuar në ndërrimet të prodhimit të ri, si ato në fund të shekullit të 19 – të, kan përforcuar imazhin Pirgut, si një hero quintessential Byronik . Saimir Pirgu, në këtë preformancë ka një zë lirikë me një peshë të përshtatshme për këtë rol romantikë, të një tenori epokë .Pjesë e tij ishte e paprerë , duke përfshirë restaurimin “Testosterone” – që nxiti në skenë një shkëmbim të dhunshëm  mes Edgardos dhe vëllait Lucia -s, Enrico-s ( që këndohen në mënyrë efektive nga baritoni Stephen Pauell ) .Paraqitjet Pirgu – shkruan ‘’Standard Repertory’’, deri më sot në Los Anxhelos kanë qenë rolet e shkurtër dhe të zjarrtë si :” Rinnuccio e Puccinit “,Gianni Schicchi”  – Woody Allen’s L. A. “Gianni Schicchi”: Spoofing Italian Films – 6, shtator 2008,  dhe “Byronic bad boy” Ferrando i Sir Nicholas Hytner’s nga Mozarti “Cosi fan Tutte” – Los Angeles Opera,  18, shtator 2011. Të dy si Shiguratimova dhe Pirgu janë aktorë të zgjuar dhe ishin fizikisht të besueshëm si të dashuruar të rinj , të tërhequr me njëri-tjetrin në një kohë, kur secili ishte nën stresin ekstrem psikologjik .Në fund ‘’Standard Repertory’’ shkruan se “fuqimisht rekomandojmë që kurr mos himbisni rastin për të parë “Lucia di Lammermoor ” , edhe nëse biletat janë të shtrejta – për shkak të pranisë së Shagimuratova dhe Pirgut në rolet kryesore , muzikës së James Conlon , dhe plotësinë e rezultatit , që përfshin skena dhe që janë të rrallë për t’u parë . Këto shfaqje muzikore janë me vlerë për çmimet më të larta të biletave “.

Ndërkaq, Klodeta Buzi, një muzkinate që jeton e punon në Tiranë pranë Akademisë Hollywood shkruan se Sapo u ktheva nga shfaqja e dytë e “Lucia di Lamermoor” në teatrin e Operës të Los Angeles, ku protagonist kryesor ishte Saimir Pirgu dhe Albina Shagimuratova, e dirigjuar nga Sir James Conlon.

Ajo tregon se “Teatri i drejtuar nga tenori i njohur Placido Domingo mban rreth 3100 njerëz në publik dhe mbrëmë ishte thuajse e tëra e shitur”.

Simbas Buzit : “Në mbarim të shfaqjes, si natën e premierës dhe po ashtu dhe në natën e dytë teksa Saimir Pirgu, tenori i ri shqiptar u shfaq për të përshëndetur publikun, e gjithë salla në brohoritje e sipër, ku shumë “Bravo” dëgjoheshin nga të gjitha anët u çua në këmbë për të respektuar performacën e tij. Me ta isha dhe unë thotë ajo, duartrokisja gjithë qejf Saimirin/Edgardon (roli që ai luante) dhe për më tepër isha shumë krenare që ky zoti Pirgu, kishte arritur në të tilla suksese duke përfaqësuar popullin dhe vendin tim.”

Më pas ajo në shkrimin e saj në portalin “Anabel”  shprehet se :”Po populli im nuk e di për këtë. Vendi im dhe media shqiptare hesht. Nuk është lajm që një shqiptar ende vazhdon të korri sukses në skenat më të mëdha të muzikës botërore”.

Opera “Lucia di Lamermoor” do të vazhdojë të jepet dhe për disa shfaqje të tjera deri më 6 Prill 2014  në Dorothy Chandler Pavilion , shtëpia e Operës në Los Angeles .

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Donizetti, Los Angeles, Saimir Pirgu, shkelqen

Saimir Pirgu: “Dua më shumë Shqipërinë”, në Televizionin e Zvicrës

May 16, 2013 by dgreca

Në përfundim të emisionit, Saimir Pirgu lë vulën e tij duke kënduar këngën „Dua më shumë Shqipërinë“, me të cilën entuziazmon publikun dhe nikoqirin e tij, Aschbacher /
Tenori i famshëm shqiptar, Saimir Pirgu ka qenë pak ditë më parë mysafir në emisionin shumë të popullarizuar të televizionit publik të Zvicrës (SRF1) Aeschbacher show. Në një prezantim që moderatori Aeschbacher i bëri Pirgut, u shpreh veç tjerash se ai ka bërë një karrierë „përrallore e të rrufeshme“, duke mbërritur për pak vite në lartësinë e yjeve të operës së sotme botërore.
„Me 22 vjet Saimir Pirgu feston suksesin e tij në festivalin e Salzburgut, Austri. Ndërkohë, sot, Pirgu 31 vjeçar është bërë tashmë tenor i famshëm. Pak ditë më parë ai ka kënduar në krah të Placido Domingos dhe Diana Damrau në shtëpinë e operës të Nju Jorkut „Metropolitan“, ndërsa gjatë muajit maj ai është i pranishëm në shtëpinë e operës në Cyrih me „Traviata-n“ e Verdit“.
Në emisionin e përmendur, Pirgu imponohet me spontanitetin e tij dhe thjeshtësinë prej artisti të madh që nuk i pëlqen pozat por paraqitet ashtu si është. Ai, duke folur me një gjermanishte të mirë, evokon fillimet e tij në muzikë, në Shqipërinë komuniste, kur e kishin zgjedhur të shkollohej për violinë. Por më vonë ai ka parë se violina nuk kishte qenë zgjedhja e tij dhe ka zbuluar pasionin e madh për këndimin operistik.
Pirgu më tutje flet për kohën e fillimit të studimeve në Bolzano (Bozen) të Tirolit jugor (Itali), për peripecitë e tij si një student i varfër nga Shqipëria. Por, në saje të angazhimit dhe talentit të rrallë, ai shumë shpejt mbaron shkollimin muzikor. Madje, aq shpejtë sa që edhe prindërit e tij, laikë në muzikë, dyshojnë se mos ai po merrej me punë të këqija, atje në Itali. Sidoqoftë, Saimiri i bind ata se është bërë këngëtar i operës, vetëm kur i fton të marrin pjesë si shikues në festivalin e Salzburgut.
Në përfundim të emisionit, Saimir Pirgu lë vulën e tij duke kënduar këngën „Dua më shumë Shqipërinë“, me të cilën entuziazmon publikun dhe nikoqirin e tij, Aschbacher.(Albinffo.ch)
http://www.srf.ch/player/tv/aeschbacher/video/saimir-pirgu?id=491292f4-7a9a-4df0-b4f8-9638cff36201

Filed Under: Kulture Tagged With: Dua me shume Shqiperine, ne Zvicer, Saimir Pirgu

Saimir Pirgu, artisti që krijon në mes dy kontinenteve

February 27, 2013 by dgreca

Nga Blerim Shabani/

Paralelisht Pirgu po përgatit shfaqje edhe në Nju Jork, ku luan krahas Placido Domingos së madh. Albinfo.ch ndoqi shfaqjen “Rigoletto” ku artisti shqiptar luan rolin kryesor dhe i mori atij një intervistë ,

Perdja në skenën e sallës luksoze të Operës së Cyrihut hapet me figurën dhe zërin e Saimir Pirgut, i cili luan rolin kryesor në shfaqjen “Rigoletto” të Gjuzepe Verdit. Dhe, perdja bie po ashtu me zërin e tij, që vjen nga prapaskena, duke kënduar arien e njohur “La donna è mobile”. Vetë subjekti i shfaqjes fokusohet në dramën jetësore të Rigoletto-s, palaços së oborrit, i cili vuan nga shtypja që i bëhet, veç tjerash dhe nga i zoti i tij, Duka i Mantovës, rol negativ, të cilin e luan Pirgu…

Saimiri është familjarizuar prej kohësh me Cyrihun, gjegjësisht me skenën operistike të këtij metropoli zviceran. Rreth 10 vite më parë ai ka luajtur në skenën e këtushme të operës rolin e Dukës së Mantovës në “Rigoletto-n“ e famshme të Verdit. Tash sërish në këtë shtëpi, ai luan po në “Rigoletto” dhe si gjithnjë, rolin e Dukës.

Para pak vitesh Pirgu kishte marrë pjesë me rolin kryesor, atë të Alfredos në një spektakël operistik të llojit të vet, në inskenimin e operës së njohur të Verdit “Traviata” të luajtur jo në skenë por në stacionin hekurudhor të Cyrihut. Loja impresionuese që bartej nga hapësirat mes peronave të trenit, te shkallët elektrike të stacionit e gjetiu, ishte transmetuar drejtpërdrejtë nga televizionet zvicerane. Dhe kishte lënë mbresa të thella te një publik i gjerë, i cili në kushte normale, vështirë “e gjen rrugën” deri tek teatri i operës…

Gjatë gjithë muajit shkurt Saimir Pirgu, tenori i ri, i njohur edhe si miku dhe pasuesi i denjë i Pavarotit, ishte sërish mysafir në metropolin zviceran. Në të gjitha, shtatë shfaqjet, salla ka qenë e mbushur tërësisht dhe biletat kanë qenë paraprakisht të shitura.

Kënaqësinë që të përjetojmë artin e tij të madh e patëm në shfaqjen e “Rigoletto-s” të dhënë të martën, më 26 shkurt në “Opernahus Zürich”. Me këtë rast ia “vodhëm” Pirgut pak minuta nga agjenda e tij e ngjeshur, për t`iu drejtuar lexuesve të albinfo.ch.

Albinfo.ch: Posa përfundoi shfaqja e operës “Rigoletto” të Verdit në skenën e Cyrihut. Bëhet fjalë për shfaqjen e fundit të këtij cikli, të filluar me premierën e dhënë më 3 shkurt. Si ndjeheni pas gjithë këtij angazhimi?

Saimir Pirgu: Në fakt “Rigoletton” nga 3 shkurti e këndej e kemi shfaqur gjithsej shtatë herë. Sigurisht, ka qenë një periudhe mjaft e ngjeshur me punë. Ndërsa këtu do të jem sërish në muajin maj, kur do ta shfaqim operën “Traviata” që jemi duke e realizuar në shtëpinë operistike “Metropolitan” të Nju Jorkut. Nesër do të jem në Nju Jork për të vazhduar provat. Premiera shfaqet më 14 mars.

Që t`ua përkujtoj, në Cyrih kam bërë “Rigoletto”-n edhe para dhjetë vitesh.

Albinfo.ch: Dhe, çfarë solli të re versioni më i ri i “Rigoletto”-s së Cyrihut?

Saimir Pirgu: Është një version modern, komplet i ri, i moduluar në kushtet e ditëve tona, përfshirë këtu edhe gjithë agresivitetin që karakterizon kohën tonë. Dhe këtu ka qenë edhe e bukura e kësaj shfaqjeje po aq sa edhe vështirësia e realizimit të saj. Ndër risitë hyn dhe skenografia qëllimisht e varfër dhe kostumet e kohës moderne që veshn artistët. Ndërsa shfaqja e para 10 viteve ka qenë brenda kornizave të klasikes.

Albinfo.ch: Ju, sigurisht edhe në shfaqjen e përmendur keni luajtur rolin e Dukës së Mantovës?

Saimir Pirgu: Po, sigurisht pasi që vetëm atë rol mund ta luaj unë…

Albinfo.ch: … Për shkak të moshës, ose tipit të zërit?

Saimir Pirgu: Për këto që thatë por edhe për shkakun se Duka di Mantova duhet të jetë i bukur, fascinant … (qesh)

Albinfo.ch: Kemi lexuar se në shfaqjet e para (nga fillimi i shkurtit) ka pasur edhe reagime të një pjese të publikut, nisur nga ky inskenim ndryshe…

Saimir Pirgu: Po, është e kuptueshme, gjithmonë do të ketë persona të tillë brenda publikut që duan ta shikojnë gjithnjë atë shfaqje me të cilën janë mësuar, me këtë rast, versionin klasik. Megjithatë, kritika, sidomos ajo ndërkombëtare dhe shtypi e kanë vlerësuar shumë lartë shfaqjen në këtë variant. Po ashtu është e kuptueshme se mund të ketë edhe zëra kundërshtues, sepse ky është teatri…

Albinfo.ch: Megjithatë është një inercion që publiku më lehtë të identifikohet me rolet pozitive se sa me ato negative, çfarë ishte roli juaj në shfaqjen “Rigoletto”. A keni përjetuar diç të tillë me rastin e kësaj opere?

Saimir Pirgu. Absolutisht jo. Sado që të jetë urrejtur Duka si njeri, atë e kanë dashur gjithmonë si rol. Sido që të jetë, ariet ndër më të famshmet në literaturën botërore të muzikës, janë pikërisht ato të Duka di Mantova-s si për shembull perla e njohur “La donna è mobile” etj.

Por nuk diskutohet, në këtë inskenim, roli im është edhe më negativ se në inskenimet tjera. Me tekstin e njëjtë, regjisorja e ka ashpërsuar paraqitjen e Dukës.

Albinfo.ch: Cila është shfaqja e radhës që jeni duke e përgatitur ose do ta filloni, pas “Rigoletto-s”?

Saimir Pirgu: Unë jam i angazhuar në më shumë se 20 role, në shtëpi të ndryshme operash, të cilat i shfaq paralelisht gjatë gjithë kohës.

Premiera e radhës që do ta kem është “Traviata” (bashkë me Placido Domingon) të cilën jam duke e përgatitur në operën “Metropolitan” të Nju Jorkut, në mënyrë paralele me këtë të Cyrihut. Dmth. gjatë gjithë kësaj kohe të provave kam qenë “në ajër”, në relacionin Nju Jork-Cyrih. Pardje kam ardhur nga Nju Jorku dhe nesër (e mërkurë) do të fluturoj sërish për atje… Kështu do të jem edhe një kohë, pasi që seria tjetër e shfaqjeve të “Rigoletto”-s në Operën e Cyrihut do të jetë në muajin qershor. Dhe siç e përmenda, me “Traviata”-n do të jem këtu në muajin maj.(falenderojme stafin e Albinfo.ch per bashkepunim me Diellin)

Filed Under: Kulture Tagged With: artisti, Blerim Shabani, mes dy kontinenteve, qe krijon, Saimir Pirgu

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT