Mbi 120 mijë qytetarë morën pjesë në mbrëmjen e se Henes, 13 maj, në çeljen e fushatës elektorale të Partisë Demokratike në sheshin “Nënë Tereza”.
Koncerti madhështor nisi rreth orës 19:30 ku flamujtë kuqezi dhe blu të Partisë Demokratike, NATO-s dhe BE-së, valëviteshin në duart e mijëra njerëzve.
Pjesë e kësaj feste madhështore ishin Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Eduard Selami, ministrat e kabinetit qeveritar, të gjithë kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike, si dhe qindra e mijëra simpatizantë të Partisë Demokratike.
Mitingun e hapi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha me një fjalim entuziazmues, i cili elekrizoi sheshin “Nënë Tereza”.
Fjala e Kryeministrit Berisha në prezantimin e kandidatëve të Partisë Demokratike, për zgjedhjet e 23 qershorit
Kryeministri Berisha, duke folur në një tubim elektoral në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku u prezantuan kandidatët për deputetë të Partisë Demokratë për qarkun e Tiranës, tha se katër vitet që vijnë janë vitet e projekteve gjigande për Shqipërinë, vitet e realizimit të një projekti të ri për punësimin, e marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe hapjes së negociatave, ndërsa garantoi se çdo deputet demokrat nuk do të jetë deputet i partisë, por i qytetarit.
Fjala e Kryeministrit Berisha në tubimin elektoral në Tiranë.
“Qytetare e qytetarë të Tiranës,
qytetare e qytetarë të mbarë Shqipërisë,
përshëndetje më njerëzore, më të ngrohta, nga sheshi “Nënë Tereza”. Një nderim të madh për ju, vajza e djem, gra e burra të Tiranës, që jeni sot në këtë shesh, për të çelur sëbashku fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit në Tiranën blu, në Tiranën e vlerave, në Tiranën zemrën e kombit, trurin e tij.
Zonja e zotërinj,
kam nder të madh sot, të paraqes para jush ekipin e parlamentarëve të ardhshëm të koalicionit të qendrës, qendrës së djathtë, të djathtës, koalicionit më të gjerë në historinë politike të pluralizmit shqiptar. Jam sot këtu, për t’u zotuar para jush se asnjëri nga këto gra e burra që qëndrojnë para jush nuk janë deputetë të partisë, por secili prej tyre është deputet i qytetarëve të Tiranës, të qytetarëve të Shqipërisë. Për ne, në çdo kohë, në çdo stinë, në çdo ditë, i pari është dhe do të jetë qytetari, interesat, aspiratat, idealet, problemet e tij.
Zgjedhjet e 23 qershorit janë për çdo qytetar shqiptar, zgjedhje e madhe për vitet që vijnë. Më 23 qershor, qytetarët shqiptarë, qytetarët e Tiranës janë të ftuar të vendosin për alternativën, për modelin e vokacionit të tyre perëndimor.
Shqiptare e shqiptarë,
gjithçka kemi realizuar të madhe në jetën tonë, gjithçka që kemi realizuar të madhe për veten tonë, për fëmijët tanë, familjet tona, kombin tonë, kanë qenë njëlloj, rezultat i përpjekjeve mbinjerëzore të shqiptarë, vokacionit të tyre perëndimor si filli shpirtëror i ekzistencës së tyre kombëtarë. Ne sot jemi të lirë të ndërtojmë një sistem demokratik, se për ne, nga gjenerata në gjeneratë, ky vokacion u mbrujt e u mbrojt në mënyrën më të fuqishme, me sakrificat më sublime. Kosova sot është e lirë, sepse çështja e shqiptarëve u bë çështje e perëndimit, sepse vokacioni ynë perëndimor triumfoi dhe ngadhnjeu.
Këta burra e gra që keni sot para, forcat politike të koalicionit “Të punësimit, mirëqenies dhe integrimit”, në asnjë ditë, asnjë orë, asnjë vit e nuk i lejuan kurrë vetes të ngrihen, të shkelmojnë e kundërshtojnë këtë vokacion. Në të gjithë morinë e kundërshtive, debateve, ata kanë qenë e mbeten demokrate të pamposhtura të këtij vokacioni.
Shqiptare e shqiptarë,
qytetarë të Tiranë e mbarë Shqipërisë,
23 qershori është zgjedhje e madhe. Alternativa tjetër ka faktuar se nuk është shkëputur nga trashëgimia e saj, nga ajo trashëgimi që bëri gjithçka për ta vendosur kombin jashtë hapësirës perëndimore. Në 20 vite, ajo alternativë bëri gjithçka për të bllokuar integrimin në Këshillin e Europës, bëri gjithçka për të bllokuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, bëri gjithçka për të bllokuar anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut, bëri gjithçka për t’ju lënë juve pa viza, për të mos lëvizur të lirë në Europë. Ajo alternativë bëri gjithçka për të privuar shqiptarët nga pasaporta e shkëlqyer e statusit të vendit kandidat. Sot, ajo alternativë, me cinizmin më ekstrem e quam veten Aleanca e Shqipërisë Europiane. E vërtetë kjo, sa ç’është i vërtetë zotimi i 1 prillit! Por ne të votojmë sëbashku për veten tonë, për fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë, për Shqipërinë në Europë, për Shqipërinë e integruar.
Qytetare e qytetarë të Tiranës e mbarë Shqipërisë,
23 qershori është dita e gjykimit tuaj historik, është dita e gjykimit tuaj të madh. Tek kutitë e votimit përballen dy filozofi, dy qëndrime. Përballet qëndrimi ynë, i cili ka në thelb dhe synon liritë tuaja, besim të pakufishëm tek iniciativa juaj e lirë, tek pasuria e saj. Ne besojmë se gjithçka ka arritur Shqipëria këto 20 vite, ju ka pasur juve, qytetarët e lirë shqiptarë, arkitektët e vërtetë, ka pasur liritë tuaja dhe ne qeveritarët, deputetët, zyrtarët nuk kemi bërë asgjë tjetër, por kemi menduar, kemi vendosur sesi t’i zgjerojmë ato. Është kjo iniciativë, është liria juaj që e ka ngjitur këtë vend dhe i ka dhënë atij një rritje 11 herë, që nuk krahasohet me asnjë vend tjetër. Është kjo iniciativë që besoi në një qeveri në shërbim të qytetarit, është kjo iniciativë që konsideron liritë e të drejtat e tij si të drejta tokësore e hyjnore të paprekshme.
Alternativa tjetër është alternativa që kërkon ta bëjë Shqipërinë që të punojë për qeverinë. Alternativa tjetër është alternativa e besimit tek diktati shtetëror, tek diktati qeveritar, e taksave të larta, e ngushtimit të hapësirave të iniciativës së lirë.
Vëllezër e motra,
Në 20 vite, në çdo rrethanë, ne kemi mbrojtur para jush parimet që besojmë. Çfarë bën zoti Rama? Sa qeverisi Tiranën dy e trefishoi taksat, tani kalon nga një qytet në një tjetër si hije e Nastradinit dhe ju thotë shqiptarëve se do të heqë taksat. Alternativa tjetër është alternativa e taksave të larta, alternativa e shkatërrimit të vendeve të punës, e largimit të investitorëve të huaj, alternativa e bllokimit të zhvillimit ekonomik.
Zoti Basha, demokratët e Tiranës dhe Shqipërisë të falenderojnë ty për rotacionin që i bëre zotit Rama, por, miqtë e mi, rotacionin e dytë ia bëri Koço Kokëdhima dhe të tretin do t’ia bëjë Tirana, do t’ia bëjë Shqipëria.
Qytetare e qytetarë të Tiranës e mbarë Shqipërisë,
këta burra e gra janë deputetët e qytetarit dhe ju garantoj se në axhendën e tyre, në përpjekjet e tyre do të kenë para së gjithash e mbi të gjitha, punësimin tuaj, krijimin e vendeve të punës, rritjen e rrogave tuaja. Ne kemi sot një plan të shkëlqyer punësimi, i cili përsëri ju ka juve në epiqendër, gjenitë tuaja krijuese, forcën dhe energjitë tuaja. Ne kemi sot një plan të ri punësimi, i cili bazohet në shumëfishimin e investimeve në këtë vend. Katër vitet që vijnë janë vitet e projekteve gjigande për Shqipërinë e shqiptarët. Sot filloi kaskada e Devollit, së shpejti TAP-i, kaskada e Vjosës dhe dhjetëra e dhjetëra vepra të tjera të mëdha. Ne do bëjmë çdo gjë që çdo shqiptar të ketë një jetë më të mirë.
Vëllezër e motra,
këto kanë qenë kohë stuhie, shtrëngate të madhe për Europën e botën, por anija jonë qëndroi, rezistoi dhe kjo jo për shkak të forcës së qeverisë, por forcës së pathyeshme të individit të lirë, të qytetarit të lirë shqiptar. Katër vitet që vijnë, Shqipëria do të kapë nivelet e vendit të zhvilluar. Ne garantojmë statusin, garantojmë hapjen e negociatave, do të bëjmë gjithçka për një jetë më të mirë për çdo shqiptar.
Qytetare e qytetarë shqiptarë,
le të vendosim të zhvillojmë kësaj radhe, fushatën më të civilizuar, fushatën e vlerave që ne u besojmë, fushatën që do të bindë çdo qytetar shqiptar, pavarësisht nga përkatësia partiake, se ne jemi ndryshimi. Përpara, Përpara, Përpara!. Fitore, Fitore, Fitore!”