• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjergj Kastrioti Skenderbeu, përcaktues i rrugës së shqiptarëve

January 15, 2018 by dgreca

1 -550 vjet-Në Kosovë nisin aktivitetet e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut/

1 Shtatorja-Kryeministri Ramush Haradinaj: Gjergj Kastrioti ishte ndër të parët në Ballkan, që vizion e kishte rreshtimin me Perëndimin dhe ishte përcaktues i rrugës të cilën shqiptarët do ta ruajnë në vazhdimësi/

1 Ramushi ne qender

-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova nw 28 Nëntor 2001:Sot është një ditë e madhe për Kosovën, sepse po e përurojmë monumentin e Heroit Nacional të shqiptarëve në Prishtinë. “Shumë gjenerata të mëparshme si dhe gjenerata jonë e kemi ëndërruar këtë ditë. Gjeneratat e reja, fëmijët tanë do të rriten me Skënderbeun, do të rriten me Heroin e vet dhe me fat të rinjve të Kosovës/1 front of

PRISHTINË, 15 Janar 2018-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Kosovë nisën aktivitetet e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të shpallur në 28 Nëntor 2017 në Vlorë, në 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, pas mbledhjes së katërt një ditë më parë të dy qeverive, në Korçë. Në mbrëmjen e sotme, në Biblioteka Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe me pjesëmarrjen e tij, u mbajt Ora e Madhe Letrare “Ora e Gjergjit”, në kuadër të organizimeve në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut.1 Ramushi2

Në këtë manifestim morën pjesë artistë, shkrimtarë dhe personalitete tjera nga fusha e kulturës.“Gjergj Kastrioti – Skënderbeu u përket shqiptarëve por edhe ballkanasve tjerë, sepse ai u përkiste tre feve, ndërsa kronistët thonë se fliste gjuhët e Ballkanit”, u shpreh kryeministri.Gjergji ynë, vijoi ai, është pararendës i multikulturalizmit dhe multifetarizmit, që sot janë vlera të përbashkëta, por ideali i tij ishte liria e kombit.

“Hyjnitë ua falën arbërorëve Gjergjin për t’i frymëzuar, për t‘ua ndezë zjarrin e guximit, për të vepruar pareshtur për të mbajtur gjallë patriotizmin shqiptar, deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe për ta sjellë edhe pavarësinë e Kosovës”, theksoi Haradinaj.Ai tha se, me manifestimin “Ora e Gjergjit” po nisemi në rrugëtimin epik përgjatë Vitit të Skënderbeut, sepse ideja e luftës për liri na bën bashkë dhe na mban në këmbë edhe sot pas 550 vjetësh.

“Gjergj Kastrioti ishte ndër të parët në Ballkan, që vizion e kishte rreshtimin me Perëndimin dhe ishte përcaktues i rrugës të cilën shqiptarët do ta ruajnë në vazhdimësi”, tha kryeministri i Kosovës.
Ai vijoi se, Gjergj Kastrioti ishte dhe vazhdon të mbetët fija e artë që na lidhë me aleatët tanë të përhershëm, por që na u gjendën edhe në ditët e vështira dhe me të cilët jemi edhe sot.“Gjergji na është bërë mburojë, përkrenare ndër shekuj, dhe inspirim për ta ruajtur lirinë kombëtare edhe me çmimin e jetës.Duke ju falënderuar të gjithëve, ju uroj Vitin e Gjergj Kastriotit!”, përfundoi kryeministri Haradinaj.Në manifestim, Shoqata kulturore artistike “Mirdita” kryeministrit Haradinaj në shenjë mirënjohje i ndau stemën e parë të shtetit të Arbrit, flamurin kombëtar shqiptar dhe numrat e plotë të revistës “Mirdita”.Në 17 janar në Prishtinë do të bëhen homazhe te Shtatorja e Skënderbeut, do të mbahet një akademi, do promovohen dy pulla postale të Postës së Kosovës dhe Postës së Maqedonisë, ansambli kombëtar “Shota” do mbajë një koncert  dhe do hapet ekspozita e piktorëve “55 portrete për 550 vjetorin”.Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 12 janarit 2018 formoi komisionin ndërministror për shënimin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Komisioni është i mandatuar t’i bëj të gjitha parapërgatitjet si dhe axhendën e shënimit të këtij jubileu.

***

ARKIV-28 Nëntor 2001: Sot në Prishtinë u bë përurimi i monumentit të Skënderbeut

M.Krasniqi: Skënderbeu do të mbetet frymëzim, prijës e udhërrëfyes i të gjitha brezave të sotëm e të ardhshëm

PRISHTINË, 28 Nëntor 2001 (QIK) – Sot aty rreth orës 15,30 u bë përurimi i monumentit të Skënderbeut në qendër të Prishtinës, në ditën e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, ku që nga orët e mëngjesit ishin tubuar me dhjeta mijëra qytetarë të Prishtiëns, Kosovës dhe viseve të tjera etnike shqiptare dhe nga diaspora.Duke folur para mijëra qytetarëve të tubuar, kryetari i Këshillit organizativ për ngritjen e monumentit të Skënderbeut akademik Mark Krasniqi.Pasi përshëndeti dhe uroi të gjithë pjesëmarësve qëndrim të këndshëm dhe të paharrueshëm në Prishtinë në përurimin e monumentit të Heroti tonë Kombëtar, Mark Krasniqi tha se “sot po përurojmë me respekt e devocion, me mallëngjim e dashuri ndaj stërgjyshit tonë të lavdishëm e të pavdekshëm, ndaj babait shpirtëror të kombit shqiptar”.Në vazhdim tha akad.Krasniqi tha se do t’i drejtohet me një përshëndetje Heroit Kombëtar: “Mirëse erdhe në mesin tonë o i madhi Skënderbe”!

“Kaluan shumë shekuj që të presim me përmallim e dashuri me lot të zemrës e me shpresë të pashuar. Por padrejtësia historike ndaj popullit shqiptar ta preu rrugën e Dardanisë sonë antike, rrugës së Kosovës së sotme kreshnike. Ti ke qenë gjithmonë gjallë në shpirtin e zemrën e të gjitha gjeneratave tona gjatë gjithë këtyre 533 vjetëve, që na ndajnë fizikisht prej Teje”, theksoi akad.Krasniqi.Në vazhdim ai tha: “Ti sot erdhe në Kosovën tënde, e cila ende nuk i ka shëruar plagët e rënda të robërisë shekullore. Por megjithëse e plagosur, e djegur, e shkatërruar, Kosova sot qëndron në këmbë pa okupatorin, duke bërë hapat vemdimtarë drejt lirisë dhe pavarësisë së plotë për çka kemi luftuar shekuj me radhë deri në ditët e sotit të frymëzuar e të përkrahur nga heroizmi Yt i pashoq nga idelai Yt dhe yni kombëtar për të qenë të lirë dhe zot në shtëpinë tonë”.Pasi foli për bëmat e Skënderbeut kundër hordhive otomane dhe u bë digë e pathyeshme e regjimit shkatërrues aziatik, akademik Krasniqi përkujtoi fjalët e thëna për Skënderbeut nga të huajt.Në vazhdim z.Krasniqi tha: “Ti je krenaria jonë, Ti i bashkove i e pajtove në Kuvendin e Lezhës të gjithë krerët e prijësit shqiptarë, lidhe besën shqiptare për të mirën e kombit, për lirinë e Atdheut, duke u dhënë shembull brezave të ardhshëm për bashkim e bashkëpunim…Në Ty pasqyrohen të gjitha vyrtytet e larta të traditës sonë të lashtë kombëtare. Ti ke qenë dhe do të mbetesh përgjithmonë frymëzimi, prijësi, udhërrëfyesi i të gjitha brezave të sotëm e të ardhshëm në rrugën e ndershme të realizimit të të drejtave dhe aspiratave të tona për liri, pavarësi, demokraci dhe tolerancë, për një jetë më të lumtur dhe më të qetë në trojet tona etnike”.3Mark ok

Mark Krasniqi në përfundim të fjalës së tij tha: “Ti nuk i takon vetëm popullit tënd shqiptar, ti je personi më i madh i merituar i mbarë botës liridashëse të civilizuar. Ti je një ndër nejërëzit më të mëdhenj të shekullti 15, siç është Nëna Tereze gruaja më e madhe e shekullti 20. Mirë se ke ardhur në mesin e vëllezëve Tu”!Pastaj akademik Krasniqi foli për vetë monumentin i cili është kopje e atij që gjendet sot në Krujë, vepër e skulptorit Janaq Paço si dhe për kontributet që u dhanë për ndërtimin e monumentit të Skënderbeut në Prishtinë.

Dr. Ibrahim Rugova: Gjeneratat e reja dhe fëmijët tanë do të rriten me Skënderbeun

 Një falë përuruese e mbajti edhe Dr. Ibrahim Rugova, kryetar i LDK-së. Ai para mijëra qytetarëve të Prishtinës, Kosovës, territoreve etnike shqiptare dhe shqiptarëve që kishin ardhur enkas për këtë ngjarje nga diapsora iu drejtua:”Zonja dhe zotërinj, qytetarë të nderuar të kryeqytetit, qytetarë të nderuar të Kosovës, mysafirë të nderuar nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Presheva, të nderuar miq ndërkombëtarë dhe përfaqësues diplomatik në Prishtinë.Sot është një ditë e madhe për Kosovën, sepse po e përurojmë monumentin e Heroit Nacional të shqiptarëve në Prishtinë. “Shumë gjenerata të mëparshme si dhe gjenerata jonë e kemi ëndërruar këtë ditë. Gjeneratat e reja, fëmijët tanë do të rriten me Skënderbeun, do të rriten me Heroin e vet dhe me fat të rinjve të Kosovës”, tha Dr. Ibrahim Rugova.”Do të ndiehen edhe më të qetë edhe dëshmorët e shumë brezave dhe ata të luftës së fundit për liri dhe pavarësi të Kosovës. Sot Kosova është e lirë, e bënë të lirë nipat dhe miqtë e Skënderbeut. Gjergj Kastrioti ndihet i lumtur për lirinë e Kosovës, të Dardanisë antike.Ndihet i lumtur, sepse miqtë e tij janë në Kosovë dhe me Kosovën, se Kosova dhe shqptarët po bashkohen e integrohen në botën perëndimore, aty ku e kanë vendin. Në atë botë, që e mbrojti me dinjitet dhe hapi perspektiva për shekujt e rinj evropianë e perëndimorë, për prosperitetin e civilizimit njerëzor”.”Shekuj me radhë Skënderbeu ishte simbol i lirisë dhe i pavarësisë për shqiptarët, ishte simbol i lirisë dhe i pavarësisë për Kosovën. Poashtu, shekuj me radhë Skënderbeu ishte simnol i lirisë dhe pavarësisë për shumë popuj evropianë dhe të botës. Ishte simbol edhe për lirinë dhe pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai e vazhdon këtë mision edhe sot”, theksoi Dr.Rugova.Në vazhdim ai tha: “I nderuari profesor Krasniqi, ju falemnenderit për angazhimin tuj, që në Prishtinë e ngritet këtë monument, e kryet edhe një punë që i ka hije profesorit. Falenderoj edhe udhëheqjen komunale të kryeqytetit, që përkrahu angazhimin e profesor Krasniqit dhe të gjithë ata që kontribuan, pra TMK-ja, pastaj të tjerët që i përshendeti profesor Krasniqi që e sollën monumentin, apo shtatoren e Skënderbeut në Prishinë, që e kemi këtu para nesh.Me fat Prishtinë, me fat Kosovë, zoti e bekoftë Skënderbeun siç e ka bekuar. Zoti e bekoftë Kosovë, ju falenderit dhe urime për monumentin e Skënderbeut. I nderuari profesor e solla kët copë ari që ta vendosni në monumentin e Skëndebeut një copë ari-kristal të Kosovës.Ky është një ari natyral i kristaleve të Kosovës. Ju falendroj shumë juve qytetarë që keni ardhur ta ndani gëzimin së bashku këtu në Sheshin Skënderbe të kryeqytetit të Kosovës sonë ta dashur. Me fat”, tha në fund të fjalës së tij Dr.Ibrahim Rugova.Pastaj akademik Mark Krasniqi ia dorëzoi këtë objekt madhështor kryetarit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Salih Gashi. Ndërkaq, Sali Gashi në fjalën e tij të rastit tha: “Më në fund erdhi edhe ky monument i shumëpritur dhe i lavdishëm për popullin tonë,- ngritja e përmendores së Skënderbeut në Prishtinë.Ky momenti i Heroit tonë kombëtar, kjo fazë historike sot po përfundon. Ja sot me 28 nëntor të vitit 2001, ëndrra e kahmotshme kombëtare e shumë brezave u bë realitet. Tash si kurrë më parë Prishtina, Kosova dhe populli i saj ndjehet i privilegjuar, që pati fatin të realizojë këtë projekt madhështor”, tha ndër të tjerat prefekti i Prishtinës Salih Gashi.Pastaj folën edhe Namik Dokle, kryetar i parlamentit të Shqipërisë dhe Bujar Bukoshi, kryetar i Fondit UFORK.

Filed Under: Featured Tagged With: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Behlul Jashari, përcaktues i rrugës, se shqiptareve

Modeli autoritar i shtetit në festën e pavarësisë së shqiptarëve

November 30, 2015 by dgreca

Nga Enver Bytyçi /Më 28 nëntor të këtij viti, pra ditën e pavarësisë së shqiptarëve, Kosova e thelloi ndarjen politike dhe krijoi kushtet për një krizë pa kthim. Themeluesi i Vetëvendosjes dhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prangos nga ana e policisë së shtetit në zyrat e partisë që ai themeloi, pas një daljeje publike në manifestimin e 28 nëntorit. Prangat iu vunë edhe 95 aktivistëve të tjerë të Vetëvendosjes. Por shumica dërmuese prej tyre tashmë janë të lirë, përveç zotit Kurti, për të cilin masa e arrestiti është caktuar për 30 ditë. Policia bëri gjithashtu kontroll në zyrat e partisë dhe tha se aty u gjetën mjete, me të cilat ka operuar Vetëvendosja në Kuvend, si gazlotsjellës, sprajt, maska, e të tjera si këto. E njëjta kishte ndodhur në Shqipëri më 28 nëntor të vitit 2000, kur politika urdhëroi policinë e Tropojës të qëllonte kundër gjimnazistëve në protestë në këtë qytet dhe vrau një protestues e plagosi disa të rinj. Më pas, në orën 01.30 të natës policia ndali në kryeqytet kreun e opozitës, e rrethoi atë dhe e shoqëroi për në zyrat e drejtorisë së policisë së Tiranës. Sigurisht kushtet e rrethanat ndryshojnë. Por të bën përshtypje fakti se si guxon politika të përdorë 28 nëntorin për të ndëshkuar opozitën?! Prej këtij rasti dhe prej rastit të Kada Bujupit qeveria e Kosovës ka dëshmuar se nuk dëshiron ta zgjidhë konfliktin përmes dialogut dhe kompromisit. Eshtë e vërtetë se Albin Kurti dhe deputetët e tjerë kanë shkelur ligjin kur përdorën gazin lotsjellës në parlament. Eshtë gjithashtu e vërtetë se Vetëvendosja dhe partitë e tjera opozitare e kanë dëmtuar imazhin e Kosovës me veprimet që bëjnë në parlament. Eshtë po ashtu e vërtetë se edhe mos pranimi në UNESKO, veç fajeve dhe përgjegjësive të diplomacisë shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë, është pasojë gjithashtu i këtij imazhi që përhapi opozita e Kosovës nëpër botë. Por një imazh akoma më të keq përhap qeveria e Kosovës, korrupsioni qeveritar dhe ai në drejtësi, tarafi dhe nepotizmi, favoret në tendera dhe në përdorimin e fondeve publike. A duhet që më parë se Albin Kurti të ishin në qeli të gjithë hajdutët e Kosovës?! Sigurisht që po. Atëherë më e pakta është se arrestimi i Albin Kurtit e Kada Bujupit është zbatim selektiv i ligjit në Kosovë. Mund të thuhet se në rastin e korrupsionit qeveritar “mungojnë provat”. Gjithmonë mungojnë provat, kur ato i administrojnë vetë hajdutët e kriminelët. Prandaj kjo nuk është arësye për të justifikuar kapjen e shtetit nga njerëz që punojnë për xhepin. Një shtet, një polici, një prokurori, një gjykatë, të cilat të gjitha së bashku ose veç e veç zbatojnë ligjin në mënyrë selektive, ky shtet nuk konsiderohet as shtet ligjor, as shtet i së drejtës. Edhe Kosova, edhe Shqipëria janë shtete të kësaj kategorie, kanë ndërtuar piramidën e ushtrimit politik e selektiv të së drejtës. Kjo është arësyeja pse arrestimi i Albin Kurtit do ta thellojë krizën politike në vend. Albin Kurti dhe veprimet e tij nuk po gjenin përkrahje te qytetarët, sepsë askush nuk dëshiron të bëhet kurban i politikës. Qytetarët e Kosovës e kuptuan se kauza e opozitës nuk ishte e qartë dhe sidomos metodat e saj të dhunës ishin jo demokratike. Ky ishte lajmi më i mirë gjatë javëve e muajve të fundit në Kosovë, sepse nga pjesmarrja dhe mbështetja e qytetarëve varet drejtësia e kauzave politike. Ndërkohë ishte lajm i mirë edhe për shkak se qytetarët kanë filluar të vetëdijësohen e të mos e lejojnë veten të keqpërdoren nga politika. Por nuk është me vend që mospërkrahjen e publikut qeveria ta shfrytëzojë si të drejtë të saj në vendimet që ajo merr e të dhunojë opozitën. Ndërsa arrestimi i 28 nëntorit ka mundësi që ta përkeqësojë këtë tregues, të rrisë mbështetjen e qytetarëve ndaj Vetëvendosjes, sepse ata nuk mund të pajtohen me dhunën e shtetit, aq më tepër në një ditë të shënuar kombëtare siç ishte dita e shpalljes së pavarësisë. Në një farë mënyre ky akt do ta shndërrojë zotin Kurti në një hero, duke i dhënë atij një vend të pamerituar në historinë tonë kombëtare. Aq më tepër në një vend e në një rajon kur heronjtë i thërrasin në skenë simbolikat dhe jo aktet që ata bëjnë për atdheun e për kombin. Qeveria e Mustafës dhe Hashim Thaçit me aktin e 28 nëntorit kanë përgatitur dështimin e plotë të qeverisjes së tyre. Nga frika, apo nga përceptimi se ata e kanë të drejtën në anën e tyre, këtë do ta provojë koha. Por se e drejta qëndron në anën e qeverisë, kjo nuk më rezolton e saktë, pasiqë kësaj qeevrie i ka munguar transparenca me qytetarët e saj sa i përket vendimeve që ajo ka marrë për nënshkrimin e marrëveshjes së Asosacionit serb dhe vijës kufitare me Malin e Zi. Askush nuk është i qartë se çfarë përfaqësojnë konkretisht këto dy marrëveshje dhe me ose pa qëllim, këtë nuk e ka qartësuar as vetë opozita, e cila i kundërshton ato me retorikë patriotike. Kjo është arësyeja pse qeveria tashmë është e dështuar plotësisht dhe sa më shpejt të japë dorëheqjen e ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, aq më mirë është për Kosovën dhe banorët e saj. Por le të presupozojmë se policia dhe prokuroria e Kosovës me arrestimet e tyre po zbatojnë ligjin. Po sikur pas këtyre dy deputetëve që gjenden prapa hekurave të përdorin gazlotsjellës në parlament deputetë të tjerë të opozitës, a do të thotë kjo se të gjithë deputetët e opozitës do të arrestohen?! A ka llogari politike në këtë aksion politik të qeverisë? Si mundet ajo që të burgosë të gjithë opozitën?! Ku ka ndodhur që pushteti të sillet kësisoj ndaj demokracisë, përveçse në vendet tipike diktatoriale e autoritare? Atëherë duhet të shkojmë te pasoja tjetër. Nëse burgoset opozita, çfarë sistemi ka ndërmend të aplikojë qeveria Thaçi-Mustafa?! Një sistem diktatorial apo autoritar të tipit rus?! Nëse ndodh kjo, lind pyetja se sa i sinqertë është konstatimi i zotit Thaçi se “prania ruse në rajon është rrezik për popujt ballkanikë”?! Apo kur bëhet fjalë për korrupsion, krim, veprim selektiv të ligjit na pëlqen modeli rus, kur bëhet fjalë për sigurinë dhe sovranitetin na pëlqen të mbështetemi te Perendimi, SHBA-të dhe BE!!! Ky konflikt konceptesh, pretendimesh, modelesh, përcaktimesh, sjelljesh duhet të marrë fund. Por nuk besoj se këtij konflikti e këtij modeli i japin fund udhëheqës politikë e shtetërorë të korruptuar e të lidhur me interesa oligarkike, ashtu siç nuk besoj se Albin Kurti dhe disa bashkëpunëtorë të tij, për shkak të qëndrimeve ideologjike të tyre, mund të sjellin ndonjë zhvillim të ri në politikën dhe qeverisjen e Kosovës, nëse ata marrin një ditë pushtetin. Sjellja arrogante në opozitë shumëfishohet me marrjen e pushtetit. Këtë po na e dëshmon përditë shembulli i Edi Ramës në Shqipëri. Kjo është arësyeja pse diplomacia shqiptare hesht në rastin e zhvillimeve në Kosovë, një heshtje e dubluar nga heshtja e Beogradit, e cila të vë në dyshim se mos midis dy kryeqyteteve ballkanike ka një marrëveshje të heshtur për heshtjen. Për të korrigjuar atë që mund të korrigjohet besoj se është në integritetin e parlamentit të votojë amnisti për të gjithë ata që kanë shkelë ligjin gjatë protestave kundër marrëveshjeve me Serbinë e Malin e Zi dhe të miratojë njëkohësisht një program bashkëpunimi politik për të çuar deri në fund transparencën dhe rishikimin e të gjitha vendimeve përkatëse. Pozita dhe opozita do të duhet të angazhojnë ekspertët e tyre më të mirë për të sqaruar eten dhe publikun rreth këtyre marrëveshjeve. Më pas do të duhej të shihej mundësia e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme, si zgjidhje përfundimtare për ta vënë vendin në binarët e një shteti normal. Ndërkaq do të ishte mirë që partitë politike në pushtet ose në opozitë të përcaktoheshin qartë dhe prerë në interes të shtetindërtimit dhe mbrojtjes së tërësisë territoriale e sovranitetit të vendit, duke përcaktuar si ëlëmentë themelorë të reformave drejtësinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe transparencën e bashkëpunimin politik. Shkurt, nuk është e mjaftueshme ta duam SHBA-në dhe BE-në vetëm me fjalë e retorikë, por me vepra dhe qëndrime rigoroze demokratike në respekt të lirisë së qytetarëve.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, i shtetit në festën e pavarësisë, Modeli autoritar, se shqiptareve

“Rreth shkaqeve të përçarjes së shqiptarëve”

May 27, 2015 by dgreca

Nga Ago Agaj*/
Flet Veterani lng. Ago Agaj/
E shkëlqyera Kryetare e Mbledhjes/
Z. Kryetar i B.D.Sh./
Të nderuar klerikë dhe zonja e zotërinj/
Jam mirë njohës për rastin që m’u dha për të marrë pjesë në këtë kongres i cili mori formën e një seminari të vërtetë.
Dua të vë në dukje se mua më gjeti si dikur një Lab qiraxhi që ishte këngërrek e vallëtar dhe e mbante fustanin gjithënjë në mes të samarit të mushkës. Një ditë duke udhëtuar pas mushkave, u ndoth pranë një shtëpije ku bëhej dasëmë. Dasmorët e panë, e mbërthyen dhe e detyruan të merrte një valle. Mirëpo vallja Labërisht pa fustan nuk ka lezetë dhe aj vrapoj te mushkat, por fustanin nuk e gjeti, se e shoqja e kishte hedhur në finjë për të larë, se atëherë sapuni ishte i rrallë. Labi u këthye i mërzitur, nxorri shaminë e madhe nga brezi, e tundi e tha:
Hafansëz valle më zure
Këtë radhë me pature.
Dhe unë vij sot para juve pa fustan d.m.th. i pa pregaditur… vallja ime nuk do të ketë hije në këtë seminar.
Përdora fjalën, fustan e jo «fustan-ellë» se një këngë e vjetër, më se 150 vjet thotë:
Gjonleka në shur të kuqe
Mban fustan mbi gju hajduçe
Flet greqisht, shqip e turçe
Nuk e dij se ku e gjetën shkrimtaret e Tiranës këtë bishtë « ELLA » që ja ngjitën fustanit tonë.
Ky Zenel Gjonlekë qe aj që vrau Kuftanazin në Manastirë, se aj kishte vrarë gjyshin e Ismail Kemalit kur ishte Pasha në Janinë. Gjonleka e dinte se Beu i Vlorës ishte ftuar e vrarë në besë, por nuk dinte se prej kujt. Kur Pashai u lavdërua se e kishte vrarë aj, Gjonleka dolli nga Saraj, vate tek dyfekçiu më i mirë, bleu me të dy Lirat e vetëme që kishte, dy gjarpnushe prej Stambolli, u vuri gurë Vlonci, i mbushi me barut Mati që të ndeznin edhe nd’ujë, u këthye te Pashaj dhe me të dyja e qëlloj.
Kaftanazit ia martoj
Nëpër 40 mijë shkoj
Kështu aj mori hakun e stërgjyshit të ksaj Zonje së lartë që kryeson kët seminar.
Zotërij, sot është dita e doktorëve për të folur, dhe unë e kam një Doktor të vogël që duhej të fliste sot, por më duket se u tremb para ktyre Profesorëve e Doktorëve të mbëdhenjë dhe u aratis. Kështu dal unë si jedek (kal beteje në rezervë).
Fjalimet e parafolësve qenë shumë të vlefshme, instruktiv e nga një herë të shkëlqyer dhe që të gjith në fund të fjalimeve theksuan nevojën e Bashkimit. Kjo më kujtoj Senatorin Romak i cili në fund të çdo fjalimi me çdo lloj përmbajtjeje thoshte Carthago Delenda Est.
Për Bashkim kanë folurë që kur ishim në Atdhe e na digjeshin shtëpijat. Bashkim s’u bë dhe na ikëm nga sytë këmbët. Erdhëm në Italij, folëm shumë por bashkim s’u bë Në Alexandri të Egjyptit u nënshkrua një protokoll bashkimi dhe mund të them për të me një fjalë të vjetër.
U ndez një zjarr në prrua.
Kurë u ndez e kurë u shua
Sëfundi u mblodhën në SHTB. të cilat unë pëlqej më mirë t’i quaj Shtetet e Bekuara. Dhe këtu janë bërë tentativa të shumta për bashkim, të cilat shtuan edhe më shumë përçarjen tonë.
Eshtë folë për bashkim në kohën e Luanit të Janinës, por më kot. Besoj se do të jetë folë edhe në kohën e Ilirëve por sikur të ishin bashkuar ato që në TRIEST e në PREVEZ, ato nuk do te ishin mundur prej Romakëve.
Qindra vjet me vonë kur Atila i Hunëve (një fis Turk) i solli Sllavët si Skllavër dhe hapi shtegun nëpër dynjanë e tyre në Evropën Jugore në shumicë, Ilirët po të kishin qenë të bashkuar, nuk do të ishin përpirë prej Sllavëve si vesa në diell. Mosbashkimi ngjan të jetë një mallkim i racës tonë, por shkaku i dukshëm ishte se ne kemi harruar fjalën e Krishtit i cili thot se njerëzit shohën qimen në syrin e tjetrit por jo trarin në syrin e tyre.
Një tjetër e vërtetë që na nuk e marrëm parasysh është fjala që thotë çdo gjë që me ngjet mua, shkakëtar i parë jam vetë. Duke qënë na të përçarë e të pa fuqishëm, nuk duhet hedhur fajin fqinjëve lakmitarë, që përfitojën nga dobësija jonë. Ata ndjekin me zotësij të shquar interesat e Atdheut tyre.
Po të marrim parasysh të dy akcionet që përmenda më lart, na duhet të analizojëm karakterin tonë për të gjeturë të metat, që nuk na lënë të formojëm asnjë lloj bashkimi.
Na jemi individualista, egoista aq sa dhe Naimi thotë.
Unë, unë, ti moj unë.
Që ke prishur e prish punë.

Veç ksaj gjithkush prej nesh kërkon të komandojë. Pouqueville, Konsulli i përgjithshëm i Napolonit pranë Ali Pashës Tepelenës gjat 10-12 vjetëve, njeri shkencar e studioz, thotë: Shqiptari kërkon të komandojë; në qoftë se nuk i del në fshatin e tij, atëher aj ikën nga syt këmbët në imperatorín pa fund të Osmanllive dhe shumë herë atje ja mbrrin qëllimit. Por në qoft se edhe atje nuk ja del dot, atëherë blen me paratë e kursyera një kope me dhij e komandon ato.

Një tjetër bashk-kombas yni u ndodh në fund të shekullit të shkuar në Egjypt, punoj si kryerojtar ne çiflikun e gjërë të njëj Princi shumë kohë dhe, kur u plak, u tërhoq në Kajro ku mund të jetonte rahat, por i kënaqurë nuk qe. Nuk kishte kë të komandonte. Vrau mëndjen dhe e gjeti. Në at kohë Kajro nuk kishte ujësjellës dhe ujin e sillnin nga mali, të ngarkuar në deve, me lëkura. Pra ndihej mungesë e madhe për ujë në qytet.
Miku ynë bleu dy qypa të mëdhenj, i mbushi me ujë, i vuri pranë rrugës në hije të një pemës të madhe, u vuri dhe dy sapllake përsipër dhe u ul këmbëkryq në mesë të dy qypave. Erdhi i pari i etur e u lëshua në qypin e djathtë, por miku e urdhëroj të shkonte tek i mëngjëti. Pas atij erdhi i dyti dhe vete pas të parit, por miku e urdhëroj të shkonte tek i djathti. Kështu vazhdoj çdo ditë duke urdhëruarë djathtas, majtas, dhe më darkë vente i kënaqur në shpij.

Prej sa u tha me sipër neve na mungon ajo cilsij që formon bashkësij e shtet. Popujt Gjermanikë, Sllavë dhe Turqit e kanë këtë cilsí, se ato, po të dalë një burrë mbi ta, ato e marrin pas, e ngrejën lartë, formojën shtet, përparojën, forcohen dhe shtojën sigurinë e tyre, se të fortin nuk e sulmon kush.
Na Shqiptarët e sidomos na Jugorët, me të dalë dikush mbi shokët, do të lëshohemi ta zëmë për këmbe e ta heqim poshtë.
Prandaj nuk kemi formuar shtet gjer pak dekada më parë. Këtu në programin e B.D.SH. shof se flitet për një bashkërendim veprimi dhe kjo më duket e përshtatshme e realizushme me pak vullnet të mirë, duke krijuar një atmosferë vëllazërimi, harmonie dhe veprimi ynë të drejtohet jo kundra njëri tjetrit, por kundra kundërshtarit të përbashkët, kundra atyre që torturojnë e skllavërojnë sot popullin tonë.
Mendoj se në vijë të parë mund të realizohet nji bashkërendim kulturor, se shtegun e kemi të hapurë disi.
Thohet se mrekullira nuk ngjajën më në kohën e sotëme. A dinit ju të kemi pasur një Mecen (MAECENAS) Shqiptar? Unë nuk e dijë. Por sot kemi këtu në mes tonë një të till: Isa Elez Ndreun, i cili ka 20 vjetë, që me mjetet financiare të tijat, e vlera të tij, ka bërë, të mundur vazhdimisht, pa ndërprerje, botimin e të përkohëshmes « KOHA E JONË». Ka dhe një bashkëpunëtor me një energjij e dedikim të habitshëm Z. Lec Shllakun, i cili nën rrethana shumë të vështira vazhdon punën.
Besoj se rreth këtij Meceni e bashkëpunëtorit tij, mund të mblidhen edhe pak pasunikë të tjerë të mërgatës, të cilët natyrisht duhet të jenë çmonjës e admironjës të kulturës e jo vetëm materjalista, dhe me kontribute të përshtatshme mund të botohen ose ribotohen shkrime, që sod fishken e verdhen ndëpër sepete ose libra që janë në rrezik të xhduken.
Këto libra e botime sot populli ynë në Atëdhe nuk i këndon dot, por çdo botim yni vete në Tiranë dhe përgjegjësit i këndojën dhe ato do të shohinë ndryshimin e madh ndërmjet një botimi e studimi në atmosferë të lirë, e t’atij që është i drejtuar e censuruar si kalë arabaje. Do t’u futen idera si miza në vesh dhe do t’u hyjën në tru.
Këtu u prekën si me shaka e fshikës bejlerët e agallarët e së shkuarës në vendin tonë dhe jo satrapët e sotëm. Një më i math se neve, F.S.NOLI u dedikoj «Historin e Skënderbeut» Kryetrimave që e çliruan vendin nga Bejlerët, Agallarët etj.. Noli kishte shumë fëtyra të ndryshme, si fetar, historian, muzikant e tjera, por ajo më e thekura ishte poezija dhe si poet nuk ishte realist, se përndryshe do të dinte se Shqipëria u pregadit, u krijua e u mbajt prej Bejlerëve të vetët d.m.th. «Oxhakëve».
Në mos besoni e në mos përtoni këndoni historinë tonë, atje do të shifni Skënderbeun, Princat e tij, më vonë Bushatlinjët, Ali Pashën, të tre bejlerët e shkëlqyer Frashërlinj, bejlerët e agallarët e bajrektarët e «Lidhjes Famshme Të Prizrenit» të cilën e përkujtojëm na sot dhe e cilla mbolli farën e Nacionalizmës Shqiptare, Vaso Pashën dhe Oxhakun e Vlorës që kurorëzojnë veprën e tyre.
Sa për Agallarët ju kujtoj vetëm një vepër të tyre: Luftën e Vlorës.
Ishin agallarët ata që muar nisiativën, formuan mbrojtjen Kombtare, kryesuan luftën dhe udhëheqën në beteja e famë të pavdekëshme Luanët Tonë. Lufta qe si të gjitha luftërat me trimrij, gjak e sakrificë, por dy pamje të kësaj lufte janë, në historinë tonë, të pa shoqe.
I kësaj klase ishte Elez Agë Ndreu që dërmoj në Lumë ushtrinë Serbe, i ksaj ishte Cincinati i vogël yni Salih Butka e tjerë dhe do të më çonte shumë lart si kur të delsha në Dardani tek Kryeluani Isa Buletini, Idriz Seferi dhe në Çamëri tek Muharrem Rushiti etj..
Më duket se ka ardhë koha të heqim dorë nga shkryerja e pa të drejtë, e pa vend e të parëve tanë. Të mos zhyejmë të kaluarën tonë, se një popull që nuk ka e nuk di të kaluarën, nuk mund të këtë të ardhme të denjë.
Vendimi për luftë, që në vetvete përbënte një vendim për vetëvrasje në masë dhe, së dyti, efekti i saj i pa shembull për jetën Kombtare tonën.
Të mos ishin përzënë fuqitë Italiane nga Vlora, Greqija nuk hiqte dorë nga pjesa tjetër e Shqipërisë Jugore dhe Jugosllavija që kishte zënë Dibrën, Lumën e Malsinë e Gjakovës, nuk do të hezitonte të dyndej brenda ditës gjer në Shëngjin për t’i siguruar vetes edhe një skele në Adriatik.
Atëherë si do të krijohej e si do të jetonte një Shtet Shqiptar.
Zotërinj, ky është realiteti dhe le të dali kush të përgënjeshtroj me fakte e jo me fjalë boshe.
Ç’gëzoj F.S. Noli se u zhdukën bejlerë e agallarë. Po kush erdhi në krye?
Presidenti i parë i shtetit Shqiptar Komunist gjer sa vdiq qe Dr. Omer Bej Nishani.
Enver Hoxha është nga klasa e agallarëve, siç e dëshmon shtëpija madhështore e tij, e transformuar në Muze.
Mehmet Shehu, bir i teqes së pasur në Çorrush dhe nip i agallarve të Shkozës (Vlorë), Manush Myftija, denbabaden shtëpij agallarësh. Kadri Hasbiu brez pas brezi agallarë.
Më i varfëri i tyre ishte Hysni Kapua, por edhe ky ka historinë e familjes tij: Stërgjyshi i tij, i plakur kishte dalë shullëhej në rrëzë të shtëpisë së madhe e të vetëmuar në krye të Tërbaçit dhe mendonte të ardhëmen e familjes së tij. Djalin nuk e kishte të zotin por nusja e djalit ishte « nuse plot goja », e Zonja.
Plaku e pyeti: Bija e babait, do ta qash ti babajn kur të vdesë?
– Me gjith zëmër baba!
– Po si do ta qash?!
– Kur të vijë koha, do të dij si ta qaj…
-Unë dua ta dëgjoj sa të jem gjallë.
Nusja s’ia prishi qefin dhe nisi vajnë:
– Që në tenzimat, e tutje, babo derzeza
Trim me pallë mi supe, babo derzeza
Kur u shtrua tenzimate, babo derzeza
Plak e aga fshati, babo derzeza
O dashi me këmbor të madhe, babo derzeza
Si e hoqe kujt ja vare, babo derzeza…

-Mjaft, bij e babajit, mjaftë, – i tha plaku, dhe – a po pushon!?
Djali i mefshtë i plakut dhe nusja Zonja bënë një djalë, Muradin, i cili e varë këmborën dhe u bë anëtar i komitetit Mbrojtja Kombtare në luftën e Vlorës.
Kur Muradi u plak e u bë kruspull, dolli nipi i tij Hysni Kapua. Në kët mënyrë mund t’u shpie gjer në Pezë e në Dibër.
Si përfundim Zonjë e Shkëlqyer dhe Zonja e Zotërinj të nderuar, u them se Bloku Kombtar Indipendent ka qënë, është e do të jetë për herë përkrahës i bashkërendimit të sinqertë me të gjitha partitë nacionaliste në mërgim, që dëshirojnë të bashkëpunojnë.
***
Marrë nga buletini me titull «Seminari dhe Kuvendi i Dytë i “Bashkimit Demokrat Shqiptar”, Nju Jork, 16-18 shtator 1977», fq.56-60
***
Shenim i botuesit:
ING. AGRONOM AGO AGAJ
Ing. Agr. Ago Agaj, lindi me 7 Mars 1897 në katundin Ramicë, të Mesaplikut (Vlorë).
Shkollën fillore e kreu në Vlorë (turqisht). Me 28 Nandor 1912 ishte djalë 15 vjeçar kur Ismail Qemal Vlora ngrijti Flamurin Kombëtar.
Shkollën e mesme e kreu në Vjenë po ashtu studimet Universitare. Kurse stazhin e kryen në gjermani në Schlesien e sipërme.
Me 1920 merr pjesë në Luftën e Vlorës, në çetën e Bajram Qamil Agajt.
Gjatë viteve 1920 – 23 bashkpunon me Prof. Dr. Ernst Nowak, të Universitetit të Köln-it (Gjermani), për hartimin e kartës gjeografike, topografike dhe gjeologjike të Shqipnisë, dhe më 1924 ban pjesë në Komisionin për caktimin definitiv të nomenklaturës së Hartës së Shqipnisë.
Kur kthehet në Vlonë, emnohet agronom i zyrës së bujqësisë, dhe në Revolucionin e Qershorit 1924 merr pjesë si Fanolist.
Prej vitit 1925-26 bashkpunon me sviceranin Dr. Miller në kërkimet e shtresave vajgurore të nëntokës shqiptare, për llogari të Dutch Shell Oil Comp. dhe Z. Agaj asht prezent në hapjen e pusit të parë vajguror shqiptar.
Në fund të vjetit 1926 emnohet agronom në Shkodër, ma vonë në Qafzotaj (Shijak), mandej Drejtor i Shkollës Bujqësore në Lushnje. Si Agronom, kur mbyllet Shkolla Bujqësore e Lushnjës, shërben në Berat, Gjinokastër dhe Delvinë.
Më 1936 Z. Agaj merr pjesë në kryengritjen e Ethem Totos, dënohet dhe 7 Prill 1939 e gjen Z. Agajn në burg. Me qeverinë e Shefqet Verlacit emnohet kryeagronom në Ministrinë e E. Kombëtare.
Mbas bashkimit të Kosovës me Shqipni, prefekturat e Mitrovicës, Vuçiternit, Podejevës dhe e Pazarit të Ri, kishin mbetë, në ato kohë të turbullta, nën sundimin serb. Z. A. Agaj me shumë shokë e bashkpunëtor si me Dr.Vehbi Frashërin, ndërhynë pranë autoriteteve gjermane dhe i bindën që ato krahina t’i ktheheshin Shqipnís.
Me vota të lira Ago Agaj zgjidhet prej mitrovicarve Prefekt dhe kështu fillon organizimi i administratës shqiptare, i gjendarmërisë dhe i hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Njikohësisht i duhet të mbrohet nga sulmet e çetnikve të Drazha Mihaloviçit, e ndër këto ndeshje Z. Agaj plagoset.
Qeverija e Mustafa Krues e emnon drejtor të përgjithshëm i Nuzullimeve, qe mvarej nga Kryeministria. Në qeverinë e Rexhep Mitrovices ban pjesë si Ministër i Ekonomisë Kombëtare, në këtë kohë Shqipnija ishte shpallë e pavarme e neutrale, mbasi fashizmi me 7 Shtator 1943 kishte ra.
Si të gjithë nacionalistat Z. Agaj në nandorin e vjetit 1944 largohet nga Shqipnija dhe emigron në Egjypt, ku zgjidhet si Këshilltar për administrimin e pasunisë së Aziz Izzet Pashë Arnautit (origjinë shqiptare prej Familjes së Qoralive të Tiranës) dhe drejton sektorin « Vinicole e Viticole » derisa Egjypti nuk anoi politikisht nga Rusia Sovjetike, atëherë Z. Agaj emigroi në Shtete të Bashkueme të Amerikës.
Gjatë qendrimit në Egjypt Z. Agaj pregatiti dorëshkrimin e vëllimit « Lufta e Vlorës » të cilin e vuni në shtyp në 1969 në Amerikë, që pat sukses të madh mbasi ishte hera e parë që fiitej mbi luftën heroike të vlonjatve, nga nji pjesëmarrës siç asht Z. Agaj. Z. Agaj ka tjera dorëshkrime që presin të vehên në shtyp posa të gjinden mjetet financiare.
Z. Agaj, përveç se ka nji kulturë të gjanë agronomike, historike e përvoja tjera, njeh dhe zotnon gjuhën gjermanishte, frengjishte, italishten, arabishten, turqishten, greqishten, e tjera; asht orator i shquem dhe poezia popullare asht « hobby » i tij.
*Marrë nga buletini me titull «Seminari dhe Kuvendi i Dytë i “Bashkimit Demokrat Shqiptar”, Nju Jork, 16-18 shtator 1977», fq.56-60

Filed Under: Komente Tagged With: Ago Agaj, rreth shkaqeve, se shqiptareve, te percarjes

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT