Nga Ago Agaj*/
Flet Veterani lng. Ago Agaj/
E shkëlqyera Kryetare e Mbledhjes/
Z. Kryetar i B.D.Sh./
Të nderuar klerikë dhe zonja e zotërinj/
Jam mirë njohës për rastin që m’u dha për të marrë pjesë në këtë kongres i cili mori formën e një seminari të vërtetë.
Dua të vë në dukje se mua më gjeti si dikur një Lab qiraxhi që ishte këngërrek e vallëtar dhe e mbante fustanin gjithënjë në mes të samarit të mushkës. Një ditë duke udhëtuar pas mushkave, u ndoth pranë një shtëpije ku bëhej dasëmë. Dasmorët e panë, e mbërthyen dhe e detyruan të merrte një valle. Mirëpo vallja Labërisht pa fustan nuk ka lezetë dhe aj vrapoj te mushkat, por fustanin nuk e gjeti, se e shoqja e kishte hedhur në finjë për të larë, se atëherë sapuni ishte i rrallë. Labi u këthye i mërzitur, nxorri shaminë e madhe nga brezi, e tundi e tha:
Hafansëz valle më zure
Këtë radhë me pature.
Dhe unë vij sot para juve pa fustan d.m.th. i pa pregaditur… vallja ime nuk do të ketë hije në këtë seminar.
Përdora fjalën, fustan e jo «fustan-ellë» se një këngë e vjetër, më se 150 vjet thotë:
Gjonleka në shur të kuqe
Mban fustan mbi gju hajduçe
Flet greqisht, shqip e turçe
Nuk e dij se ku e gjetën shkrimtaret e Tiranës këtë bishtë « ELLA » që ja ngjitën fustanit tonë.
Ky Zenel Gjonlekë qe aj që vrau Kuftanazin në Manastirë, se aj kishte vrarë gjyshin e Ismail Kemalit kur ishte Pasha në Janinë. Gjonleka e dinte se Beu i Vlorës ishte ftuar e vrarë në besë, por nuk dinte se prej kujt. Kur Pashai u lavdërua se e kishte vrarë aj, Gjonleka dolli nga Saraj, vate tek dyfekçiu më i mirë, bleu me të dy Lirat e vetëme që kishte, dy gjarpnushe prej Stambolli, u vuri gurë Vlonci, i mbushi me barut Mati që të ndeznin edhe nd’ujë, u këthye te Pashaj dhe me të dyja e qëlloj.
Kaftanazit ia martoj
Nëpër 40 mijë shkoj
Kështu aj mori hakun e stërgjyshit të ksaj Zonje së lartë që kryeson kët seminar.
Zotërij, sot është dita e doktorëve për të folur, dhe unë e kam një Doktor të vogël që duhej të fliste sot, por më duket se u tremb para ktyre Profesorëve e Doktorëve të mbëdhenjë dhe u aratis. Kështu dal unë si jedek (kal beteje në rezervë).
Fjalimet e parafolësve qenë shumë të vlefshme, instruktiv e nga një herë të shkëlqyer dhe që të gjith në fund të fjalimeve theksuan nevojën e Bashkimit. Kjo më kujtoj Senatorin Romak i cili në fund të çdo fjalimi me çdo lloj përmbajtjeje thoshte Carthago Delenda Est.
Për Bashkim kanë folurë që kur ishim në Atdhe e na digjeshin shtëpijat. Bashkim s’u bë dhe na ikëm nga sytë këmbët. Erdhëm në Italij, folëm shumë por bashkim s’u bë Në Alexandri të Egjyptit u nënshkrua një protokoll bashkimi dhe mund të them për të me një fjalë të vjetër.
U ndez një zjarr në prrua.
Kurë u ndez e kurë u shua
Sëfundi u mblodhën në SHTB. të cilat unë pëlqej më mirë t’i quaj Shtetet e Bekuara. Dhe këtu janë bërë tentativa të shumta për bashkim, të cilat shtuan edhe më shumë përçarjen tonë.
Eshtë folë për bashkim në kohën e Luanit të Janinës, por më kot. Besoj se do të jetë folë edhe në kohën e Ilirëve por sikur të ishin bashkuar ato që në TRIEST e në PREVEZ, ato nuk do te ishin mundur prej Romakëve.
Qindra vjet me vonë kur Atila i Hunëve (një fis Turk) i solli Sllavët si Skllavër dhe hapi shtegun nëpër dynjanë e tyre në Evropën Jugore në shumicë, Ilirët po të kishin qenë të bashkuar, nuk do të ishin përpirë prej Sllavëve si vesa në diell. Mosbashkimi ngjan të jetë një mallkim i racës tonë, por shkaku i dukshëm ishte se ne kemi harruar fjalën e Krishtit i cili thot se njerëzit shohën qimen në syrin e tjetrit por jo trarin në syrin e tyre.
Një tjetër e vërtetë që na nuk e marrëm parasysh është fjala që thotë çdo gjë që me ngjet mua, shkakëtar i parë jam vetë. Duke qënë na të përçarë e të pa fuqishëm, nuk duhet hedhur fajin fqinjëve lakmitarë, që përfitojën nga dobësija jonë. Ata ndjekin me zotësij të shquar interesat e Atdheut tyre.
Po të marrim parasysh të dy akcionet që përmenda më lart, na duhet të analizojëm karakterin tonë për të gjeturë të metat, që nuk na lënë të formojëm asnjë lloj bashkimi.
Na jemi individualista, egoista aq sa dhe Naimi thotë.
Unë, unë, ti moj unë.
Që ke prishur e prish punë.
Veç ksaj gjithkush prej nesh kërkon të komandojë. Pouqueville, Konsulli i përgjithshëm i Napolonit pranë Ali Pashës Tepelenës gjat 10-12 vjetëve, njeri shkencar e studioz, thotë: Shqiptari kërkon të komandojë; në qoftë se nuk i del në fshatin e tij, atëher aj ikën nga syt këmbët në imperatorín pa fund të Osmanllive dhe shumë herë atje ja mbrrin qëllimit. Por në qoft se edhe atje nuk ja del dot, atëherë blen me paratë e kursyera një kope me dhij e komandon ato.
Një tjetër bashk-kombas yni u ndodh në fund të shekullit të shkuar në Egjypt, punoj si kryerojtar ne çiflikun e gjërë të njëj Princi shumë kohë dhe, kur u plak, u tërhoq në Kajro ku mund të jetonte rahat, por i kënaqurë nuk qe. Nuk kishte kë të komandonte. Vrau mëndjen dhe e gjeti. Në at kohë Kajro nuk kishte ujësjellës dhe ujin e sillnin nga mali, të ngarkuar në deve, me lëkura. Pra ndihej mungesë e madhe për ujë në qytet.
Miku ynë bleu dy qypa të mëdhenj, i mbushi me ujë, i vuri pranë rrugës në hije të një pemës të madhe, u vuri dhe dy sapllake përsipër dhe u ul këmbëkryq në mesë të dy qypave. Erdhi i pari i etur e u lëshua në qypin e djathtë, por miku e urdhëroj të shkonte tek i mëngjëti. Pas atij erdhi i dyti dhe vete pas të parit, por miku e urdhëroj të shkonte tek i djathti. Kështu vazhdoj çdo ditë duke urdhëruarë djathtas, majtas, dhe më darkë vente i kënaqur në shpij.
Prej sa u tha me sipër neve na mungon ajo cilsij që formon bashkësij e shtet. Popujt Gjermanikë, Sllavë dhe Turqit e kanë këtë cilsí, se ato, po të dalë një burrë mbi ta, ato e marrin pas, e ngrejën lartë, formojën shtet, përparojën, forcohen dhe shtojën sigurinë e tyre, se të fortin nuk e sulmon kush.
Na Shqiptarët e sidomos na Jugorët, me të dalë dikush mbi shokët, do të lëshohemi ta zëmë për këmbe e ta heqim poshtë.
Prandaj nuk kemi formuar shtet gjer pak dekada më parë. Këtu në programin e B.D.SH. shof se flitet për një bashkërendim veprimi dhe kjo më duket e përshtatshme e realizushme me pak vullnet të mirë, duke krijuar një atmosferë vëllazërimi, harmonie dhe veprimi ynë të drejtohet jo kundra njëri tjetrit, por kundra kundërshtarit të përbashkët, kundra atyre që torturojnë e skllavërojnë sot popullin tonë.
Mendoj se në vijë të parë mund të realizohet nji bashkërendim kulturor, se shtegun e kemi të hapurë disi.
Thohet se mrekullira nuk ngjajën më në kohën e sotëme. A dinit ju të kemi pasur një Mecen (MAECENAS) Shqiptar? Unë nuk e dijë. Por sot kemi këtu në mes tonë një të till: Isa Elez Ndreun, i cili ka 20 vjetë, që me mjetet financiare të tijat, e vlera të tij, ka bërë, të mundur vazhdimisht, pa ndërprerje, botimin e të përkohëshmes « KOHA E JONË». Ka dhe një bashkëpunëtor me një energjij e dedikim të habitshëm Z. Lec Shllakun, i cili nën rrethana shumë të vështira vazhdon punën.
Besoj se rreth këtij Meceni e bashkëpunëtorit tij, mund të mblidhen edhe pak pasunikë të tjerë të mërgatës, të cilët natyrisht duhet të jenë çmonjës e admironjës të kulturës e jo vetëm materjalista, dhe me kontribute të përshtatshme mund të botohen ose ribotohen shkrime, që sod fishken e verdhen ndëpër sepete ose libra që janë në rrezik të xhduken.
Këto libra e botime sot populli ynë në Atëdhe nuk i këndon dot, por çdo botim yni vete në Tiranë dhe përgjegjësit i këndojën dhe ato do të shohinë ndryshimin e madh ndërmjet një botimi e studimi në atmosferë të lirë, e t’atij që është i drejtuar e censuruar si kalë arabaje. Do t’u futen idera si miza në vesh dhe do t’u hyjën në tru.
Këtu u prekën si me shaka e fshikës bejlerët e agallarët e së shkuarës në vendin tonë dhe jo satrapët e sotëm. Një më i math se neve, F.S.NOLI u dedikoj «Historin e Skënderbeut» Kryetrimave që e çliruan vendin nga Bejlerët, Agallarët etj.. Noli kishte shumë fëtyra të ndryshme, si fetar, historian, muzikant e tjera, por ajo më e thekura ishte poezija dhe si poet nuk ishte realist, se përndryshe do të dinte se Shqipëria u pregadit, u krijua e u mbajt prej Bejlerëve të vetët d.m.th. «Oxhakëve».
Në mos besoni e në mos përtoni këndoni historinë tonë, atje do të shifni Skënderbeun, Princat e tij, më vonë Bushatlinjët, Ali Pashën, të tre bejlerët e shkëlqyer Frashërlinj, bejlerët e agallarët e bajrektarët e «Lidhjes Famshme Të Prizrenit» të cilën e përkujtojëm na sot dhe e cilla mbolli farën e Nacionalizmës Shqiptare, Vaso Pashën dhe Oxhakun e Vlorës që kurorëzojnë veprën e tyre.
Sa për Agallarët ju kujtoj vetëm një vepër të tyre: Luftën e Vlorës.
Ishin agallarët ata që muar nisiativën, formuan mbrojtjen Kombtare, kryesuan luftën dhe udhëheqën në beteja e famë të pavdekëshme Luanët Tonë. Lufta qe si të gjitha luftërat me trimrij, gjak e sakrificë, por dy pamje të kësaj lufte janë, në historinë tonë, të pa shoqe.
I kësaj klase ishte Elez Agë Ndreu që dërmoj në Lumë ushtrinë Serbe, i ksaj ishte Cincinati i vogël yni Salih Butka e tjerë dhe do të më çonte shumë lart si kur të delsha në Dardani tek Kryeluani Isa Buletini, Idriz Seferi dhe në Çamëri tek Muharrem Rushiti etj..
Më duket se ka ardhë koha të heqim dorë nga shkryerja e pa të drejtë, e pa vend e të parëve tanë. Të mos zhyejmë të kaluarën tonë, se një popull që nuk ka e nuk di të kaluarën, nuk mund të këtë të ardhme të denjë.
Vendimi për luftë, që në vetvete përbënte një vendim për vetëvrasje në masë dhe, së dyti, efekti i saj i pa shembull për jetën Kombtare tonën.
Të mos ishin përzënë fuqitë Italiane nga Vlora, Greqija nuk hiqte dorë nga pjesa tjetër e Shqipërisë Jugore dhe Jugosllavija që kishte zënë Dibrën, Lumën e Malsinë e Gjakovës, nuk do të hezitonte të dyndej brenda ditës gjer në Shëngjin për t’i siguruar vetes edhe një skele në Adriatik.
Atëherë si do të krijohej e si do të jetonte një Shtet Shqiptar.
Zotërinj, ky është realiteti dhe le të dali kush të përgënjeshtroj me fakte e jo me fjalë boshe.
Ç’gëzoj F.S. Noli se u zhdukën bejlerë e agallarë. Po kush erdhi në krye?
Presidenti i parë i shtetit Shqiptar Komunist gjer sa vdiq qe Dr. Omer Bej Nishani.
Enver Hoxha është nga klasa e agallarëve, siç e dëshmon shtëpija madhështore e tij, e transformuar në Muze.
Mehmet Shehu, bir i teqes së pasur në Çorrush dhe nip i agallarve të Shkozës (Vlorë), Manush Myftija, denbabaden shtëpij agallarësh. Kadri Hasbiu brez pas brezi agallarë.
Më i varfëri i tyre ishte Hysni Kapua, por edhe ky ka historinë e familjes tij: Stërgjyshi i tij, i plakur kishte dalë shullëhej në rrëzë të shtëpisë së madhe e të vetëmuar në krye të Tërbaçit dhe mendonte të ardhëmen e familjes së tij. Djalin nuk e kishte të zotin por nusja e djalit ishte « nuse plot goja », e Zonja.
Plaku e pyeti: Bija e babait, do ta qash ti babajn kur të vdesë?
– Me gjith zëmër baba!
– Po si do ta qash?!
– Kur të vijë koha, do të dij si ta qaj…
-Unë dua ta dëgjoj sa të jem gjallë.
Nusja s’ia prishi qefin dhe nisi vajnë:
– Që në tenzimat, e tutje, babo derzeza
Trim me pallë mi supe, babo derzeza
Kur u shtrua tenzimate, babo derzeza
Plak e aga fshati, babo derzeza
O dashi me këmbor të madhe, babo derzeza
Si e hoqe kujt ja vare, babo derzeza…
-Mjaft, bij e babajit, mjaftë, – i tha plaku, dhe – a po pushon!?
Djali i mefshtë i plakut dhe nusja Zonja bënë një djalë, Muradin, i cili e varë këmborën dhe u bë anëtar i komitetit Mbrojtja Kombtare në luftën e Vlorës.
Kur Muradi u plak e u bë kruspull, dolli nipi i tij Hysni Kapua. Në kët mënyrë mund t’u shpie gjer në Pezë e në Dibër.
Si përfundim Zonjë e Shkëlqyer dhe Zonja e Zotërinj të nderuar, u them se Bloku Kombtar Indipendent ka qënë, është e do të jetë për herë përkrahës i bashkërendimit të sinqertë me të gjitha partitë nacionaliste në mërgim, që dëshirojnë të bashkëpunojnë.
***
Marrë nga buletini me titull «Seminari dhe Kuvendi i Dytë i “Bashkimit Demokrat Shqiptar”, Nju Jork, 16-18 shtator 1977», fq.56-60
***
Shenim i botuesit:
ING. AGRONOM AGO AGAJ
Ing. Agr. Ago Agaj, lindi me 7 Mars 1897 në katundin Ramicë, të Mesaplikut (Vlorë).
Shkollën fillore e kreu në Vlorë (turqisht). Me 28 Nandor 1912 ishte djalë 15 vjeçar kur Ismail Qemal Vlora ngrijti Flamurin Kombëtar.
Shkollën e mesme e kreu në Vjenë po ashtu studimet Universitare. Kurse stazhin e kryen në gjermani në Schlesien e sipërme.
Me 1920 merr pjesë në Luftën e Vlorës, në çetën e Bajram Qamil Agajt.
Gjatë viteve 1920 – 23 bashkpunon me Prof. Dr. Ernst Nowak, të Universitetit të Köln-it (Gjermani), për hartimin e kartës gjeografike, topografike dhe gjeologjike të Shqipnisë, dhe më 1924 ban pjesë në Komisionin për caktimin definitiv të nomenklaturës së Hartës së Shqipnisë.
Kur kthehet në Vlonë, emnohet agronom i zyrës së bujqësisë, dhe në Revolucionin e Qershorit 1924 merr pjesë si Fanolist.
Prej vitit 1925-26 bashkpunon me sviceranin Dr. Miller në kërkimet e shtresave vajgurore të nëntokës shqiptare, për llogari të Dutch Shell Oil Comp. dhe Z. Agaj asht prezent në hapjen e pusit të parë vajguror shqiptar.
Në fund të vjetit 1926 emnohet agronom në Shkodër, ma vonë në Qafzotaj (Shijak), mandej Drejtor i Shkollës Bujqësore në Lushnje. Si Agronom, kur mbyllet Shkolla Bujqësore e Lushnjës, shërben në Berat, Gjinokastër dhe Delvinë.
Më 1936 Z. Agaj merr pjesë në kryengritjen e Ethem Totos, dënohet dhe 7 Prill 1939 e gjen Z. Agajn në burg. Me qeverinë e Shefqet Verlacit emnohet kryeagronom në Ministrinë e E. Kombëtare.
Mbas bashkimit të Kosovës me Shqipni, prefekturat e Mitrovicës, Vuçiternit, Podejevës dhe e Pazarit të Ri, kishin mbetë, në ato kohë të turbullta, nën sundimin serb. Z. A. Agaj me shumë shokë e bashkpunëtor si me Dr.Vehbi Frashërin, ndërhynë pranë autoriteteve gjermane dhe i bindën që ato krahina t’i ktheheshin Shqipnís.
Me vota të lira Ago Agaj zgjidhet prej mitrovicarve Prefekt dhe kështu fillon organizimi i administratës shqiptare, i gjendarmërisë dhe i hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Njikohësisht i duhet të mbrohet nga sulmet e çetnikve të Drazha Mihaloviçit, e ndër këto ndeshje Z. Agaj plagoset.
Qeverija e Mustafa Krues e emnon drejtor të përgjithshëm i Nuzullimeve, qe mvarej nga Kryeministria. Në qeverinë e Rexhep Mitrovices ban pjesë si Ministër i Ekonomisë Kombëtare, në këtë kohë Shqipnija ishte shpallë e pavarme e neutrale, mbasi fashizmi me 7 Shtator 1943 kishte ra.
Si të gjithë nacionalistat Z. Agaj në nandorin e vjetit 1944 largohet nga Shqipnija dhe emigron në Egjypt, ku zgjidhet si Këshilltar për administrimin e pasunisë së Aziz Izzet Pashë Arnautit (origjinë shqiptare prej Familjes së Qoralive të Tiranës) dhe drejton sektorin « Vinicole e Viticole » derisa Egjypti nuk anoi politikisht nga Rusia Sovjetike, atëherë Z. Agaj emigroi në Shtete të Bashkueme të Amerikës.
Gjatë qendrimit në Egjypt Z. Agaj pregatiti dorëshkrimin e vëllimit « Lufta e Vlorës » të cilin e vuni në shtyp në 1969 në Amerikë, që pat sukses të madh mbasi ishte hera e parë që fiitej mbi luftën heroike të vlonjatve, nga nji pjesëmarrës siç asht Z. Agaj. Z. Agaj ka tjera dorëshkrime që presin të vehên në shtyp posa të gjinden mjetet financiare.
Z. Agaj, përveç se ka nji kulturë të gjanë agronomike, historike e përvoja tjera, njeh dhe zotnon gjuhën gjermanishte, frengjishte, italishten, arabishten, turqishten, greqishten, e tjera; asht orator i shquem dhe poezia popullare asht « hobby » i tij.
*Marrë nga buletini me titull «Seminari dhe Kuvendi i Dytë i “Bashkimit Demokrat Shqiptar”, Nju Jork, 16-18 shtator 1977», fq.56-60