• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Memoria e kombit në një vëllim me tregime

March 10, 2016 by dgreca

 Shënime për librin “Nëndetësja “, shkruar nga Viron Kona/

 Nga  SEJDO  HARKA/

Për  krijimtarinë e shkrimtarit Viron Kona, edhe pse është shkruar e diskutuar shumë, përsëri mbetet për të shtuar. Kjo ndodh, jo vetëm se ai është një nga krijuesit më prodhimtarë të kohës, por edhe sepse në çdo libër të ri sjell problematika, këndvështrime dhe vlera të reja për letërsinë e sotshme moderne shqipe. V. Kona ka shkruar mbi 35 vëllime me tregime, novela e romane për fëmijë  e të rritur,e, megjithatë, vazhdon të shkruajë e të botojë vazhdimisht libra gjithnjë e më të mirë. Ai është fitues i 7 çmimeve në gjininë e tregimit dhe të novelës, ndërsa romani i tij “Eh, more Bubulino!”, botuar edhe në suedisht, i  vlerësuar si libri më i mirë i vitit 2006 për fëmijë, është nderuar me çmimin UNICEF-AMC. Krijimtaria e Viron Konës dallohet për një tematikë të gjerë e  vlera gjithëkohore, për narracion të ngrohtë dhe gjuhë të pastër, për kthjelltësinë e mendimit dhe figuracion emocional, për karaktere reale dhe konflikte që herë ndjekin rrjedhën e jetës dhe herë atë  të fantazisë dhe të trillit të tij krijues. Pas monografisë  “Ju dua më shumë se veten!”, kushtuar mëmëdhetarit, leksikografit dhe poetit të nderuar Sadulla Zendeli-Daja, ai rishfaqet me librin me tregime “Nëndetësja”.

Titulli i këtij libri është sa i drejtpërdrejtë, aq edhe metaforik,madje është i dukshëm synimi se autori kërkon të zgjojë e ngacmojë  tek lexuesi memorien kombëtare. Të ecësh përpara, nuk do të thotë që të shkelësh me këmbë çdo gjë të mirë që na kanë lënë brezat. Ndërkaq, nuk do të thotë të fshish nga kujtesa ato që janë bërë keq dje, sepse nuk do të dish t’i ndreqësh ato nesër. Tregimet e këtij vëllimi lexohen me kënaqësi nga të gjitha moshat, sepse autori, jo vetëm se në themel vendos ngjarje reale të përjetuara nga vetë ai gjatë jetës(një tipar dallues ky i veprave të Viron Konës), por edhe sepse për t’u dhënë këtyre ngjarjeve formë  sa më emocionale, ai përdor  fantazinë dhe trillin e tij krijues artistik. Është kjo arsyeja  që tregimet e këtij  libri nuk janë riprodhim  i thjeshtë e spontan i disa momenteve kryesore të jetës së autorit, por  krijime me vlera e frymëmarrje të thellë përgjithësuese dhe artistike.

Libri çelet me një nga tregimet më të bukura që titullohet  “Kamerieri i Ismail Qemalit”. Në qendër të brendisë së këtij tregimi  lartësohet  figura e ndritur e Ismail Qemalit, burrit të madh të shtetit të parë shqiptar, që ngriti Flamurin e Pavarësisë në Vlorë. Ai shfaqet para lexuesve si diplomat i madh e burrë shteti, si njeri i ditur, guximtar dhe me forcë të madhe bindëse për diplomacinë botërore dhe shqiptarët. Këtë figurë dhe personalitet të ndritur kombëtar, që e kemi parë e lexuar  të portretizuar në këndvështrime nga më të ndryshmet, shkrimtari Kona e ndriçon nëpërmjet një plani mjaft origjinal, nga këndvështrimi i një fëmije, një kamerieri të vogël. Ndonëse nuk e ka kulturën dhe nivelin e duhur të kuptojë në mënyrë të plotë ngjarjet që ndodhnin aso kohe në Shqipëri, ai, nëpërmjet gjuhës së figurshme që përdor Ismail Qemali, merr mesazhe të qarta për gjendjen dhe realitetin ku jeton. Për ta bërë bisedën midis Ismail Qemalit dhe kamerierit të vogël sa më të bukur dhe më emocionale, autori përdor një paralelizëm të bukur figurativ  midis zogut  të rrëzuar e të mbetur në vetmi, i cili simbolizon shqiptarin e pambrojtur, dhe nga ana tjetër midis lukunisë së  qenve(pushtuesve) ,që lëshohen gjithë egërsi për kafshimin e trojeve tona.

“Qentë lëviznin rreth e qark të egërsuar dhe lehnin me tërbim. Gjuhët e dhëmbët i mbanin jashtë, ndërsa nga gojët u kullonin jargë. Sytë u shkreptinin nga lakmia.

Ismail Qemali hoqi vështrimin nga dritarja dhe tha:

-Zogu shpëtoi, por i plagosur. Do ca kohë që të shërohet. Kurse, qentë, i shikon, nuk lëvizin nga vendi. Duket që janë më të egërsuar se më parë, sepse u iku preja nga dhëmbët. Tani vijnë rrotull lisit me sytë nga foleja dhe përgjojnë rastin, që ai zog i vogël, ende i pafuqishëm, të rrëzohet përsëri”.

Nga kjo bisedë e ngrohtë dhe e figurshme midis Ismail Qemalit dhe kamerierit të vogël, lexuesi merr mesazhin e bukur: “Vetëm të bashkuar dhe të pavarur nga  të tjerët, mund t’i bësh ballë çdo lloj agresioni dhe pushtuesi, sado i fortë që të jetë ai”. Ashtu si zogjtë që luftojnë të mbrojnë folenë  dhe shokun e tyre të vogël, ashtu edhe shqiptarët   të bashkuar dhe me guxim e trimëri  duhet të luftojnë për mbrojtjen e trojeve. Një mësim i tillë kishte vlerë të madhe për shqiptarët, jo vetëm në ato kushte , kur vendi  luftonte për shpalljen e Pavarësisë  nga të huajt, por edhe sot e kësaj dite që  Shqipëria është  e pavarur dhe jeton kohën e demokracisë.

Vend të dukshëm në tematikën   e tregimeve të këtij vëllimi zë dashuria  e respekti për prindërit  dhe  lidhjen midis brezave. Dashuria prindërore  nuk është thjesht respekt e dashuri për prindërit dhe të afërmit, por një dashuri  universale, për  vendlindjen  dhe atdheun, për  traditat dhe kulturën, për vazhdimësinë e gjakut dhe të gjuhës. Dy nga tregimet më të mira që trajtojnë këtë tematikë janë “Antigona” dhe “Një gotë uzo”. Për autorin nëna është  mbretëresha  e bukurisë shpirtërore. Me dashurinë e saj të rrallë ajo  të kthjellon mendjen dhe të ngroh shpirtin edhe në ditët më të vështira të jetës. Portreti i saj i papërsëritshëm e ndjek  autorin në çdo hap dhe i sjell  atij fat kudo, madje dhe  ditën e provimit. Për çudi , në tezën e provimit të letërsisë antike  i bie të analizojë “Antigonën” e Sofokliut, emër që rastësisht e mbante edhe nëna e autorit. Ndoshta ishte ky emër magjik, që e mbush atë me emocione e përgjegjësi të lartë për t’u përgjigjur  shkëlqyeshëm para komisionit të provimit. Gjatë analizës së “Antigonës”, atij i dukej sikur bisedonte ngrohtësisht me nënën e tij, e cila i jepte forcë që ai të përgjigjej sa më mirë.

“Ecja në rrugët e Tiranës me gëzimin që të fal dhënia e një provimi dhe nota e mirë. Ndihesha si një pupël e lehtë dhe doja t`u flisja të gjithëve sa njihja. Libreza e notave qëndronte e ngrohtë në xhepin e brendshëm të xhaketës, në xhepin pranë zemrës. Herë – herë më bëhej se, bashkë me rrahjet e mia të zemrës, rrihte lehtë edhe zemra e bukur e nënës sime, e cila, me emrin e saj, më kishte qëndruar aq pranë, edhe në atë provim të letërsisë antike..”(27).

 

Viron Kona dhe Sejdo Harka            

 

Po kaq i bukur dhe emocional  është dhe tregimi “Një gotë uzo”. Në qendër të brendisë së këtij tregimi qëndron  babai, i cili fiket si qiriri në krevatin pranë komodinës, mbi të cilën qëndronte gota e pambaruar e uzos. Për ta  shprehur sa më emocionalisht  dashurinë, dhimbjen  dhe mirënjohjen për gjithçka që babai i tij ka bërë për të, autori përdor këto vargje të poetit të njohur kosovar Sokol Demaku: “Shpirti yt/Sot është i madh/Është yll në qiell/Ndriçim mbi mua”. Pajtohem gjithashtu edhe me shënimin për vlerat e këtij tregimi të publicistit Guri Shyti, i cili pasi e përgëzon autorin për këtë tregim me ndjenja njerëzore, i shkruan:“ Aty nuk përmendet fare fjala shumë e përfolur “dashuri”, por tregimi është përplot me të për prindërit dhe për jetën që vazhdon”.

Përmes tregimit “Eukalipti” Viron Kona përçon mesazhin e përgjegjësisë që duhet të kemi për ruajtjen e memorjes së kombit dhe  përçimin brez pas brezi të  kulturës dhe traditave tona më të  mira. Për ta sjell  këtë mesazh sa më mirë tek lexuesit, autori intrigon metaforikisht  me mbjelljen e një eukalipti, nëpërmjet të cilit ofron të gjalla kujtimet dhe emocionet e moshës  së fëmijërisë. Shtatin e lartë të asaj bime të shenjtë, trungu i së cilës mbante të shkruar historinë e gjallë të vendit tonë, autori e kujton me dhimbje e mall: “E shihja, – shkruan ai, – atë eukalipt me mall tek lartësohej me rrënjët e futura thellë në këtë tokë, por fatkeqësisht… Ç`ta zgjas! Bashkë me ata qindra drurë, pemë, shkurre dhe lule të llojllojshme, edhe eukalipti im, ai simbol i jetës, por edhe i fëmijërisë sime… nuk jetonte më. E, teksa trupi i tij, u shndërrua në copa druri për t`u ngrohur në dimër, apo… për të zier raki, brenda meje ishte këputur e thyer me zhurmë diçka tepër e shtrenjtë dhe e shenjtë…Ky ishte fundi i atij eukalipti….U deshën më shumë se 30 vjet që ai të lartësohej e të bëhej aq i madh, i fuqishëm dhe i bukur, por, vetëm disa goditje spate druvari dhe, Ai, u shemb në tokë, si…Anteu”.(52) Për ta bërë sa më emocionale dhe më dramatike këtë papërgjegjshmëri  ndaj vlerave, autori në krye të tregimit citon  këto vargje të bukura të poetit të diasporës shqiptare Sadulla Zendeli – Daja: “Ku jeni, o lisat e vendit tim/Që zogjtë  të shtegtojnë e të kthehen në Atdhe/E në degët tuaja gjelbërore/të ndërtojnë/Të bukurat fole”.

Ndjesinë e dhimbjes dhe të protestës qytetare ndaj vandalizmit shkatërrues të traditave, kulturës dhe gjithçkaje të mirë që trashëgojmë nga e kaluara, autori e përjeton edhe në tregimin “Nëndetësja”. Protagonisti kryesorë i këtij tregimi është “Nëndetësja 105”, e cila do të bëhej mollë sherri dhe krenarie në filmin “Ballë për ballë”. Ky “përbindësh” metalik mbante mbi shpinë një luftë sa të ftohtë, aq edhe të tmerrshme. Por, fatkeqësisht, ky simbol  guximi e krenarie, që s’u dorëzua para sulmeve grabitqare të kohës, i tjetërsuar në skrap, do të bluhej nga dhëmbët e përflakur të furrnaltës së Metalurgjikut të Elbasanit. Prandaj me dhimbje autori shkruan: “Krenaria” e Flotës Luftarake Detare Shqiptare gjatë “Luftës së Ftohtë”, po përfundonte në kremator(furrnaltë)…E bashkë me ato copëra çeliku dhe bakri, m`u bë se po përfundonin në furrnaltën e zjarrtë  edhe tërë ato ngjarje, ndodhi, episode, marrëdhënie, histori njerëzish që kishin ëndërruar, kishin sakrifikuar…Në vitin 2013, – vijon më tej autori, – isha i ftuar në Suedi në një takim shkrimtarësh. Ndër të tjera, vizitova edhe Muzeun Detar të Goteborgut. Mbeta i mahnitur nga ajo që pashë. Një muze detar me hapësira të paana, me anije të shumta që pluskonin qetësisht në ujë. Ishin anije  gjithfarë llojesh, nga më të vjetrat dhe nga më modernet, anije viking, anije  me vela, anije peshkimi,anije transporti,anije luftarake… Këtë emocion, e përjetova veçanërisht kur pashë parakalimin triumfalë e krenar të asaj flote “të çuditshme”,  me anije të shumëllojshme, përfaqësuese të të gjitha kohëve, që lundronin “duke parakaluar”  herë pas here përpara banorëve të qytetit dhe miqve të ardhur nga tërë anët e botës, si për t`u treguar njerëzve se atë që ata ndërtojnë, të mos e shkatërrojnë, sepse, ashtu ata respektojnë vlerat e vetes dhe të brezave, ashtu nderojnë dhe ruajnë gjithnjë të freskët kujtesën, historinë e tyre…

Në këtë vëllim lexuesi do të gjejë edhe shumë tregime të tjerë të bukur, por në këto shënime u ndalëm kryesisht në ato tregime që e përçojnë drejtpërdrejt kujtesën dhe memorien e kombit, në themel të të cilit qëndron mesazhi  universal: “Që një komb të mos vdesë kurrë, në çdo çast duhet të mbajë të ndezur kujtesën për të djeshmen, të sotshmen  dhe të ardhshmen”. Dhe ky mesazh i bukur vlen  edhe më shumë sot, kur, fatkeqësisht  disa pseudo modernistë, i  kanë drejtuar shigjetat helmuese  kundër  memories, kulturës dhe traditave tona më të mira…

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Nëndetësja “, nga Viron Kona, Sejdo Haka, shkruar

“ATDHEUT I KAM BORXH JETËN…”

March 29, 2015 by dgreca

Nga:SEJDO HARKA/
Nuk ka shumë ditë qëkur u nda përgjithnjë nga jeta, poeti përmetar Rrapo Këlliçi. Në nderim e kujtim të tij, më poshtë po botojmë një shënim për librin me 160 faqe dhe me titullin “Flladet e vjeshtës”(Tiranë, 2006).
Ai lindi më 23 prill 1943, në fshatin Leskaj të Përmetit. Mbaroi shkollën e mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri”, në Gjirokastër dhe pastaj shërbeu mësues në disa shkolla të rrethit Përmet. Në vitin 1981, u diplomua për gjuhë-letërsi shqipe, në Universitetin e Tiranës dhe dy vjet më vonë kreu studimet psuniversitare për filozofi. Në vitet e fundit jetoi në Tiranë e dha mësim në shkollat e mesme të përgjithshme “Petro Nini Luarasi” dhe “Eqrem Çabej”. Ka botuar librat “Bardhi piktor”, “Alo, Alo!” dhe “Mëngjese e perëndime”. Ky është libri i katërt i tij.
xxx
Të shkruash për poezitë e Rrapo Rëlliçit,në radhë të parë, duhet ta njohësh mirë shpirtin e tij.Për këtë, mjafton të lexosh vargjet :”Nga jashtë, jam i ashpër si stralli,/Shkëndija , flakë e dritë në gji mbaj,/Si t’i kam zemër ,nuk jam një copë zall…/Cingërisëm pak…/Më puth/ të shohësh sa ëmbël di të qesh apo të qaj”,me të cilët mbyll poezinë “Autoportret”. Sado fjalë të bukura të përdorësh për të karakterizuar portretin poetik tij,ato do të tingëllonin të paplota,para vargjeve të mësipërm , të cilët e pikturojnë, jo vetëm autorin, por dhe kredon e tij poetike. Në këto vargje, ai shfaqet sa i ashpër aq dhe i butë, sa rrebel , aq dhe i arsyeshëm ,sa i egër aq dhe njerëzor ,me shpirt të bardhë si bora.
Për të vërtetën është thënë e shkruar shumë. Populli, për të theksuar pavdekësinë e saj, ka krijuar një mori aforizmash dhe sentencash filozofike, të tilla si “E vërteta zhytet, por nuk mbytet”. Vërtetësia e kësaj thënieje është absolute. Askush nuk ka mundur ta varrosë përjetësisht të vërtetën ,edhe kur mbi të derdhen male me shkëmbinj e baltë. Atë nuk e kanë helmuar as gjarpërinjtë ,që mbytën Laokontin, i cili guxoi të thoshte të vërtetën për Kalin e Trojës.
Rrapo Këlliçi është autor i katër librave me poezi. Ato, që e kanë bërë të njohur në botën e letrave, janë vëllimet “ Mëngjese dhe perëndime” dhe “ Flladet e vjeshtës”, të clët kanë dalë në qarkullim kohët e fundit.Tematika e krijimtarisë së tij është sa e gjerë,aq dhe aktuale.Kredoja e poetike e saj është e vërteta dhe pavdekësia e saj. Për këtë poet, e vërteta mund të baltoset ,por nuk “ndryshket”, mund të gjakoset e mbytet ,por nuk vdes kurrë. Ja ç’shkruan autori për pavdekësinë e saj: “Mëngjese dhe perëndime janë dashuritë,/ Mëngjese dhe perëndime kanë qeveritë, /mëngjese dhe përëndime ka gjithë jeta,/veç lindë dhe s’vdes kurrë,/vetëm e vërteta”.Autori dëshiron ta shohë të vërtetën në sy.Atë e gjen te dashuria dhe miqësia e sinqertë , te bukuritë e shpirtit dhe besa e fjalës, te poezia dhe trupi nudo,te kthjelltësia e syve dhe mendimi i qartë, dhe jo te falsiteti e gënjeshtra, xhelozia dhe hipokrizia , te grykësia dhe përçmimi. Ndaj ai shkruan:”I urrej/ xhelozitë, /mëritë”, sepse ato e zbrazin dhe e brejnë shpritin e njeriut,si krimbi mollën. Ndërsa më poshtë vazhdon:”I dua miqësitë, /dashuritë”,që fatkeqësisht janë “mungesat e kohës”. Të vërtetën autori e gjen tek e dashura e zemrës ,për të cilën thurë vargjet më të bukura:”Të dua të bukur, si drita e ylberit,/të dua me shpirt/si beben e syrit,/të dua të pastër,të çelur/si zemra pa borxhe”.Autori, të dashurën e çmon,”edhe kur qeshë edhe kur qan/edhe kur qetësinë ia prishë/ edhe kur shan”. Por, “që të mos mbetet si akullnajë /vetëm indiferentizmin s’ia fal”.
Poezia e tij e ndjenjës është sa tradicionale, aq dhe moderne. Në to, bashkëjeton koncepsioni i Naimit, me atë të Eseninit, për dashurinë. Në poezinë “Përjetësi”,dashurinë e koncepton të përjetshme , gjë që e shpreh në vargjet:” Ç’u plekse kështu me mua,/ Si pjergulla pas lisit të vjetër?/ As ti s’shqitesh, /As unë s’dua/ të pranoj kalorës tjetër…”. Për të, dashuria është përmendore. Për njeriun e zemrës, ai shkruan:”Le të vdesim të dy në një ditë,/ Në heshtje dashurisë ne i ngritëm përmendore”!Megjithatë ,autori nuk mbetet rob arkaik i dashurisë,që shuhet si flaka e kashtës pas shiut .Në poezinë “Kërkoj”,ai përputhet me ndjesinë e Eseninit për dashurinë,sipas së cilës njeriu,për të gjetur dashurinë e vërtetë ,kërkon tërë jetën.Aq më tepër sot,kur jorrallë, dashuria shitet e blihet me para.Ndaj poeti shkruan:”Kërkoj dikë të ndjekë gjurmët e mija/…në rrugë më lënë,s’u bëmë kurrë dy./Ta gjejmë,/ta ndjejmë,/ku është dashuria”!
Ndjenja më e veçantë njerëzore, për autorin, është dashuria për nënën .Ajo është sa tokësore aq dhe qiellore . Në vargjet:”Në i fala kaq dashuri Hënës./Dhe s’ndahem prej saj asnjëherë,/e dua se më ka emrin e Nënës,/të dyja të bukura/… pranverë mbi pranverë”, autori nëpërmjet një paralelizmi të bukur figurativ, e vë shejën e barazimit ndërmjet nënës së tij dhe Hënës, të cilat i bashkon bukuria e rrallë.
Edhe lirinë e do të vërtetë e jo fasadë e falsitet. Për të, liria është : “Enigma më e madhe e kohërave, /dashuria më e madhe e brezave,/ krahu më i fuqishëm i shpendëve”. Prandaj ai e thërret:”Eja e pastër, pa maska , veshje e stoli,/siç lind fëmija nga nëna/e thjeshtë /Nudo…Liri”. Autorin e frymëzojnë e bukura dhe e mira, sinqeriteti dhe ndershmëria, komizmi dhe tragjizmi i jetës. Në penën e tij ato marrin vlerën e sentencave filozofike gjithëkohore, si p.sh:”Vdekja është më e shtrenjtë se jeta”, “Kush di të vuajë, s’ka frikë nga vdekja”etj.
Simbol i së vërtetës dhe bukurisë shpirtërore , i mençurisë dhe sinqeritetit për autorin, është bërë Naim Frashëri, cili për të është “lule, që s’vyshket kurrë”dhe”bilbili i gjuhës dhe i poezisë shqipe”.Autori vendosë raporte të drejta ndërmjet njeriut e Atdheut, të vërtetës dhe jetës. Me njerëzit ai shlyhet ,kur u thotë të vërtetën, ndërsa për Atdheun e falë edhe jetën.
Në krijimtarinë e Këllçit, krahas poezisë së pejsazhit, gjejmë të lëvruar edhe poezinë e meditimit, siç është ajo me titullin ”Një fije floku”, ku autori mediton për lindjen dhe vdekjen, për jetën, të vërtetat dhe paradokset e saj, për kohën , ndryshueshmëriënë , shndërrmin dhe vlerat e saj.
Autori, ashtu siç i respekton njerëzit, që e vlerësojnë dhe e mbrojnë të vërtetën, po me aq force i fshikullon ata, që e shtrembërojnë atë. Mbytësit e së vërtetës janë gënjeshtarët, hipokritët, egoistëst ,sadistët dhe grykësit. Hipokritët.ta qajnë hallin, kur hiqesh zvarrë.Ndërsa, “kur të dhëmb shpirti,/të quajnë të marrë!”.Grykësit, “si krimba lëvrijnë në kërma e pleh”, ndërsa servilët dhe egoistët.”si qeni, vetëm për vete lehin”.Për autorin, bartës kryesorë të këtyre veseve janë politikanët dhe pushtetarët ,të cilët janë shkaktarë të varfërisë dhe amullisë ,të deforimit të votës, të gjallërimit të korrupsionit dhe krimit, duke errësuar të vërteten. Në poezinë me titull ‘”Politikanëve”, ai u drejtohet me pyetjet retorike:”A keni sy e veshë, zotërinj politikanë?!/Si nuk u vjen keq, kur e shihni…Atdheun, që përpëlitet si zogu në mes të llohës” ?!”Ata,edhe kur “përgjërohen” për popullin, “çirren për kolltuk e para”. Politikanët dhe pushtetarët e korruptuar janë ata, që “…me gjakun tonë bëjnë tregëti ,ata që edhe zanat i nxorën në pazare rrospish”. Ata, që “as gjak, as nder, s’na lanë në faqe”. Në vend që të gjenerojnë qetësi e paqe, “i gjakosin e vrasin njerëzit ,si në përralla me kuçedra”. .Është kjo arsyeja ,që autori shpërthen nga zemërimi: “Edhe në xhungël ka më shumë qetësi, /më shumë mirëkuptim mes shumë egërsirash”. Protesta e autorit e arrin kulmin në vargjet:”Na lodhët! Na vodhët! Duam paqe”!
Për t’i fshikulluar veset e njeriut , autori krijon shumë fabula të bukura. Edhe pse narracioni e karakteret janë të njohura, në trilin e tij krijues marrin vlera të papërsëritshme . Nëpërmjet tyre përçohen mesazhe unviersale e tepër aktuale. Mund të themi se fabulat janë krijimet më të bukura poetike të Rr.Këlliçit. Pas bëmave dhe veseve të kafshëve fshihen karakteret njerëzore. Kështu, pas mizës, e cila për të ndyrë dhallin, mbytet në të, fshikullon mburravecët sadistë, të cilët për t’u bërë keq të tjerëve, sakrifikojnë dhe veten.Pas këpushës së shtypur nga lopa, së cilës i pi gjakun , kur zhgërryhet ledheve, fshihet njeriu, që fryhet e pasurohet, duke pirë gjakun e të tjerëve.
Një nga fabulat më të bukura të krijimtarisë së këtij autori është ajo me titullin “Ujku rojtar” , Narracioni i saj është sa i bukur ,aq dhe tallës, sa i vërtetë aq dhe paradoksal. Vesi i grykësit, herë duket sikur kalon nga egërsiarat te njerëzit e herë nga njerëzit te egërsirat, por kjo e fundit duket më finoke.Për të treguar rrjedhën e narracionit të fabulës, po citojmë disa vargje. “Ca mishngrënës ndanin gjahun, njëri kofshën ,tjetri krahun”. Ata ,u grindën kaq shumë me njëri- tjetrin, “sa tundi vendin shamataja,/ për mëlçitë u bë hataja”. Në këto cast, ujku thotë:” Mos u zini, ja u ruaj unë,/ sa të merrni një sy gjumë”. Kur egërisrat u zgjuan të uritura dhe kërkojnë pjesën, ujku u përgjigjet me sentencën e mençurisë popullore: “Ç’pjesë kërkoni, or qyqarë,/ kini parë ujqër rojëtarë”?
Poezia e Rrapo Këlliçit është e çiltër ,sponatne dhe tepër e ndjeshme. Ajo vjen natyrshëm ea sforcime, me fjalë, shprehje e figura të kërkuara . Brendia e saj mban shqetësimin e njeriut të kohës për Kombin dhe formimin e tij,për fatin e Kosovës dhe të Çamërisë , për krijimin e një shteti unik dhe të një shoqërie të përparuar. Në to, gjallon dashuria njerëzore, freskia e maleve të vendlindjes, shushurima e dallgëve të Vjosës, ëmbëlsia e vargjeve të Naimit dhe shpirti i ngrohtë i njerëzve të atyre anëve. Autorin e ngazëllen gjithçka e mirë dhe e nervozon gjithçka e keqe ,që e pengon njeriun dhe shoqërinë të ecë përpara. Për t’i afirmuar virtytet më të mira të njeriut , autori fshikullon vese të tilla të tij, si gënjeshtra, hipoktrizia, servilizmi, egoizmi e sadizmi, të cilat i mjergullojnë shpirtin dhe i turbullojnë mendjen. Herë me humor e herë me ironi e sarkazma, autori synon ta zhveshë njeriun nga veset dhe të këqijat , për ta bërë pjesë të ndryshimeve të mëdha të kohës. Gjuha e përdorur është e bukur dhe me një figuracion të pasur.Është kjo arsyeja, që poezitë e këtij autori i mbeten lexuesit në mendje , si një këngë e bukur, edhe kur dëgjohet për herë të parë.Poezitë e Rr.Këlliçit dallohen ,jo vetëm për origjinalitetin e papërsëritshëm, por edhe për shumëllojshmërinë e vargjeve dhe të strofave.Nervi poetik i autorit është sa spontan,aq dhe i kultivuar në vite,që tregon pjekurinë e një poeti të formuar.
Tiranë, mars 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: “ATDHEUT I KAM BORXH JETËN…”, Sejdo Haka

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT