• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JAM KETU!

March 2, 2021 by dgreca

-Në përkujtim të përvjetorit të lindjes së Profesorit Sejfulla Malëshova/

Nga Naum PRIFTI/

PARASHIKIM GJENIAL/

Në Plenumin e Beratit në tetor 1944, Sejfulla Malëshova e kritikoi ashpër Enver Hoxhën për lëkundje të vijës së partisë midis dy ekstremeve, oportunizëm dhe sektarizëm. Vrasjet e kundërshtarëve politikë nga njësitet guerile dhe nga atentatorët, në rrugë e nëpër lokale, të kryera me urdhër të Partisë, ai i cilësoi akte terroriste. Parulla e përdorur “në emër të popullit”, nuk kishte asnjë bazë ligjore. Malëshova paralajmëroi se po të vazhdohej në këtë rrugë, partia do të katandisej në një bandë me vrasës e kriminelë. Parashikimin e tij gjenial e vërtetoi koha. Profesor Malëshova bëri një gabim të pafalshëm taktik kur propozoi krijimin e postit të kryetarit të Partisë. Nuk kishte kandidat më të kualifikuar dhe me të gjitha premisat e mundshme veç Sejfullait. Bagazhi i tij përmbante aktivitet të gjatë patriotik me shumë figura kombëtare. Faik Konica dhe Fan Noli e konsideronin “poetin rebel” Lame Kodra si dishepullin e tyre dhe bashkëpunëtor të radhës së parë. Në botimet shqiptare si edhe në ato të Federatës “Vatra” në Amerikë dëshmohet veprimtaria, inteligjenca dhe patriotizmi i Sejfulla Malëshovës. Shkrimet e tij publicistike ishin orientim për platformën kombëtare. Fan Noli, i cili ia njihte zotësitë intelektuale dhe atdhetare, e mori në kabinetin e tij qeveritar në 1924. Malëshova ishte një nga veprimtarët e KONARE-së (Komiteti i Çlirimit Nacional) e krijuar në Vjenë nga emigrantët e majtë, Përveç studimeve filozofike e politike-ushtarake, Sejfulla Malëshova kishte mbrojtur disa grada shkencore dhe ishte njohës i disa gjuhëve. Si bashkëpunëtor shkencor në Akademinë e Shkencave të Moskës, Sejfulla Malëshova në koordinim me shumë patriotë atdhedashës shqiptarë ishte në krye të lëvizjes për një Shqipëri të lirë. Ai ishte aktivist me përvojë revolucionare dhe konsiderohej prijës i përpjekjeve të emigracionit shqiptar për çlirimin e vendit. Duke i ditur zotësitë e tij, propozimi në Berat ishte sfidues për Enver Hoxhën sepse detyrimisht sekretari do të spostohej në plan të dytë, prandaj e hodhi poshtë si të panevojshëm dhe të parakohshëm.

Për politikën e jashme Sejfullai udhëzonte të mbahej distancë e njëjtë si ndaj Bashkimit Sovjetik, ashtu edhe ndaj Amerikës dhe Britanisë së Madhe. Vënia e Aleatëve në të njëjtin plan sfidonte Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik, çka i dha rast Enver Hoxhës ta damkoste si oportunist. Në politikën e brendshme Malëshova kërkonte përkrahje për zhvillimin e tregut privat. Kjo qasje mjaftoi për ta etiketuar si liberal.

Të gjithë ata që guxuan ta kritikonin Enver Hoxhën në plenumin e Beratit, më vonë e pësuan dhe u eliminuan njëri pas tjetrit nga mjeshtri i prapaskenave. I pari e pësoi intelektuali Sejfulla Malëshova. Për mënjanimin e Malëshovës, Enver Hoxha kërkoi mbështetjen e Koçi Xoxes, Pandi Kristos, Tuk Jakovës, Kristo Themelkos, Gogo Nushit, Hysni Kapos. Të partishmit me arsim të kufizuar e hoqën qafe, me gëzim e lehtësim profesorin e nderuar, dijenitë dhe horizonti i të cilit i bezdiste. Kompleksi i inferioritetit të Enver Hoxhës mori shpërblimin e merituar me përjashtimin e Malëshovës.

Pas përjashtimit nga Byroja Politike, filloi e tatëpjesta e pafund e profesor Malëshovës. E shkarkuan edhe nga posti i Ministrit të Arsimit, madje nuk e lanë as kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve. Në gusht 1947 u provokua Konferenca III e Lidhjes së Shkrimtarëve. Doktor Dishnicës iu kërkua të bënte autokritikë për parathënien e tij në librin “Vjersha” të Sejfulla Malëshovës ku ai i jepte atribute të çmuara autorit si poet e mendimtar. Ndryshe nga ç’pritej, Dr. Ymer Dishnica deklaroi se nuk i hiqte asnjë presje parathënies që kishte shkruar. Kjo i zemëroi autoritetet dhe si pasojë Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica dhe Skënder Luarasi u përjashtuan nga Lidhja dhe u shkarkuan nga detyrat që kishin. Sejfulla Malëshovën e degdisën në Patos me detyrën e magazinierit të një depoje, Ministrin e Shëndetësisë Doktor Dishnicën e dërguan mjek të thjeshtë në Spitalin e Tiranës, pastaj e “transferuan” në Berat, ku punoi gjithë jetën, deri sa u shemb diktatura, ndërsa Luarasin e hoqën nga Drejtoria e Teksteve pranë Ministrisë së Arsimit dhe e emëruan mësues në Shkollën Pedagogjike.

Në vitin 1947 Sejfulla Malëshova u përjashtua nga Byroja Politike, i akuzuar si oportunist dhe properëndimor. Këto cilësime të PPSh-se do mjaftonin për ta ngritur figurën e tij në piedestalin e demokratëve.

JAM KETU

Një pasdite tek bisedonim me profesor Skënder Luarasin përpara Liceut Artistik në Tiranë pashë të kalonte te ana tjetër e trotuarit një burrë i moshuar, me ecje të qetë, paksa i ngadalshëm, por i përqendruar, pa shikuar as majtas as djathtas.

-E njeh atë burrë? – më pyeti profesor Luarasi që ndoqi shikimin tim.

-Më duket se jo, – i thashë.

–Profesor Sejfulla, – më tha ai.

E thërriti me emër dhe Sejfullai ktheu kokën e përshëndeti me dorë, buzëqeshi hijshëm me mirësjellje dhe vazhdoi rrugën e vet.

– Në Tiranë ai u mënjanohet takimeve se dyshon që e gjurmojnë. Tregohet i kujdesshëm, për të mos vënë asnjeri në pozitë të keqe, – më tha profesori.

Vetë Skënder Luarasi shquhej për guxim qytetar dhe nuk druhej ta takonte e të bisedonte me të internuarin Lame Kodra. Madje ngacmonte edhe kolegët e tij, që kalonin aty pranë dhe bënin sikur nuk i shihnin. “I dashur mik, a nuk po e njeh profesor Sejfulla Malëshovën?” Paksa të zënë ngushtë, kolegët kërkonin të falur, këmbenin dy fjalë formalisht dhe largoheshin shpejt nga frika se mos i shihte kush që po takoheshin me një të damkosur nga partia.

Nga mesi i viteve 1950 mësova nga kunati im Dhori Çaushi, i emëruar ndihmës dentist në Patos, se Sejfulla Malëshova punonte si magazinier në një nga depot e ndërmarrjes. Aty Sejfullai kryente dënimin si i internuar. Sipas rregullave ai duhet të flinte në një dhomë më vete, po për ngushticë strehimi, e kishin rrasur tok me 5-6 djem të rinj beqarë të flinin si në kushte konvikti, me shtrate druri ala-marinarçe. Dhori më tregonte se në netët e ftohta të dimrit, profesori mbështillej me batanije dhe kërrusur mbi shtrat lexonte ose shkruante.

Malëshova qëndroi i internuar disa vjet në Patos, përpara se të transferohej në Fier. Në periudhat e shkurtëra të zbutjes së luftës së klasave, Sejfullai erdhi disa herë në Tiranë për punë personale, sigurisht duke marrë leje nga Dega e Brendshme e Fierit. Zbutjet ishin si pranvera të parakohshme, të cilat pasoheshin gjithmonë nga acare dimri më të hidhura.

Dy herë ditën, në mëngjes e mbrëmje, Malëshova duhej të paraqitej në Degë për të vërtetuar që ishte aty. Vendasit e kureshtarët e shihnin profesorin të kalonte para sportelit të dezhurnit të Degës së Brendshme, duke ngritur dorën lart, si t’i thoshte: “Jam këtu!” Ky ritual i pandryshueshëm vazhdoi derisa vdiq më 1971.

PËRKTHYESI I TALENTUAR

Lame Kodra (pseudonimi letrar i Sejfulla Malëshovës) është përkthyesi i shumë poezive të zgjedhura dhe veprave nga një sërë autorësh me famë botërore, midis tyre hyjnë: “Ançari” i Pushkinit, “Punëtorët e Avlemendit” i Heinrik Haines, “Mbreti i Tulës” nga Gëte, cikël me poezi nga Nekrasovi, prozë nga Bokaçio dhe F. Argondica, “Kopshti i qershive” i Çehovit, prozat poetike të periudhës romantike të Gorkit “Zgalemi” dhe “Stuhija”. Stili i prozës së tij poetike është i dallueshëm për lirizëm të thellë dhe forma sintaksore si “mbi të thinjin shesh” ose “si e zezë vetëtimë” me të cilat ai ruante kadencën dhe ritmin e origjinalit, pa krijuar kurrfarë disonance. Ja një fragment i paharrueshëm nga “Zgalemi”:

“Mbi të thinjin shesh të detit, era fryn dhe mblidhen retë. Midis detit edhe reve, kryelartë shkon Zgalemi si e zezë vetëtimë. Prek me krahë ai valët, si shigjetë ngritët reve, dhe këthet dhe retë gjegjin gazin-kthimë të asaj shprese.”

Në periudhën e zbutjes së tensionit politik, në kohën e Krushovit, Malëshovës iu lutën të përkthente nga origjinali dramën e Çehovit “Kopshti i qershive”. Ai e përktheu, por u zhgënjye kur nuk e pa emrin e përkthyesit në frontespic. Protestoi te drejtoria e shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” se e kishin mashtruar, se nuk ishte e drejtë të mos figuronte emri i tij, por ankesa nuk u përfill. Duket se urdhri për t’ia fshirë emrin kishte ardhur nga lart. Shtëpia Botuese iu lut të përkthente edhe vepra të tjera, me kusht që të mos i vihej emri, por Lame Kodra, edhe pse kishte nevoja të ngushtshme të kompensonte rrogën e tij qesharake si magazinier, nuk pranoi. Për të, dinjiteti personal kishte më shumë vlerë se shpërblimi material.

SI E DUA SHQIPERINE

Poezinë “Si e dua Shqipërinë” e lexova për herë të parë në antologjinë e klasës I të shkollës unike. I magjepsur prej bukurisë së saj e mësova menjëherë përmendësh dhe nuk e harrova kurrë. Më kujtohet se në shtypin letrar shqiptar të viteve ’60-’70 u ndez një diskutim interesant midis estetëve dhe kritikëve për fillesat e realizmi socialist në Shqipëri, dhe kujt i takonte të ishte nismëtari. Mendimi se themelet i vuri Migjeni u kundërshtua me argumentin se krijimtaria e tij artistike i përkiste suazave të realizmit kritik ku temat e mjerimit dhe protestat sociale ishin rryma e viteve ‘30. Kryeveprat e Fan Nolit “Anës lumenjve:, “Marshi i Barrabait” nuk u përshtateshin kallëpeve të realizmit socialist. As autorë si Qemal Stafa e Veli Stafa, këngë të luftës, poema satirike “Epopeja e Ballit Kombëtar” e Shevqet Musarait, nuk i përmbanin elementet e realizmit socialist. Bartësin e vërtetë të kësaj metode të re letrare, Sejfulla Malëshovën, nuk guxoi ta përkrahte askush. Poezitë e tij të shkruara në prag dhe gjatë viteve të luftës, të mbledhura në vëllimin “Vjersha” më 1945, çelën shtegun drejt metodës së realizmit socialist, pavarësisht se më vonë kjo metodë u bë gangrena e letërsisë. Poezitë e Malëshovës “Si e dua Shqipërinë” janë modele të shkëlqyera me një konceptim të ri për artin nga këndvështrimi proletar.

“S’kam çiflig e s’kam pallate,

S’kam dyqan me katër kate,

Po e dua Shqipërinë,

Për një stan në Trebeshinë,

Për një shkarpë e për një gur,

Për kasollen mi Selishte,

Për dy ara në Zallishte,

——————————-

Unë e dua Shqipërinë,

Për tërfilin mi lëndinë,

Për një vajzë gjeraqinë.

Dhe për ujët që buron

Nga një shkëmb e gurgullon

Nëpër lisat gjethe-shumë,

Edhe zbret përposh në lumë.

Unë e dua Shqipërinë

Për një lule trëndelinë.

——————————–

Ku hamalli nëpër skela,

Ngarkon hekur e varela,

Këmbëzbathur bythëçjerrë

Punon vetëm për të tjerë.”

Portretin e dokerit Malëshova e jep me vërtetësi dhe mjeshtëri. Si vargjet ‘me mesazh’ ashtu edhe poezitë me motive shoqërore shquhen për muzikalitet me bukuri të jashtëzakonshme. Për këtë arsye ato mbaheshin mend me lehtësi dhe recitoheshin nga njerëz që mund t’i takoje në çdo kënd. Kështu ngjau që gjatë një stërvitje ushtarake në vitet ’70 dëgjova një oficer të recitonte vargjet:

“Këmbëkryq përmbi selishte

Po nis këngën pleqërishte,

Ndez çibukun dhe kujtoj

Djalërinë që më shkoj.”

I nxitur nga kureshtje e pyeta oficerin nëse e dinte se të kujt ishin vargjet.

-Nuk e di, – më tha,- por më pëlqejnë.

Nuk ia zbulova autorin, se mbase oficeri do skandalizohej, por u gëzova që poezia e Sejfullait ishte jetësuar në formën e vargjeve popullore, si krijime anonime, që përcillen brez pas brezi.

PARADOKSI I DEMOKRATIT TE ANATEMUAR

E kam dëgjuar shpesh pyetjen: Si shpëtoi Sejfullai? Si ngjau që Enver Hoxha nuk e pushkatoi apo nuk e burgosi atë ndërsa figura të tjera më pak të njohura dhe me më pak peshë i capërleu? Enver Hoxha nuk shihte kurrfarë rreziku prej tij, as imediat, as potencial, mbasi Sejfullai ishte tip meditativ, i mbyllur në vetvete, njeri i letrave, pa shokë, pa shoqëri, i vetmuar si asket. Partia e eliminoi Sejfulla Malëshovën duke e dënuar me vdekje civile të ngadaltë, të mënjanuar, i lënë për tu harruar. Për mua, ironia dhe paradoksi manifestoheshin para ekraneve atëherë kur në mbyllje të çdo kongresi të PPSH-së, Byroja Politike edhe delegatët këndonin bashkarisht “Internacionalen” e poetit francez Eugjen Potje, përkthyer shqip nga ‘liberal-oportunisti’ Sejfulla Malëshova. “Internacionalja” tingëllonte paradoksale në gojën e komunistëve superdogmatikë shqiptarë, që të vetizoluar nga gjithë bota bërtisnin “për bllokadë e rrethim të egër imperialisto-revisionist”, ndërsa refuzonin ndihmat e ofruara nga shumë shtete perëndimore, sepse “vinin nga armiq të betuar të vendit të vetëm socialit”.

Sejfulla Malëshova ishte vizionar atdhedashës dhe për artin- Lame Kodra- me mendimet e tij demokratike, me krijimtarinë letrare, me përkthimet e shkëlqyera ishte prurësi i një bote të re në letërsinë dhe kulturën shqipe.

Filed Under: Politike Tagged With: Naum Prifti, pervjetori, Sejfulla Maleshova

SEJFULLA MALËSHOVA, INTELEKTUALI, POLIGOTI, POETI I TALENTUAR…NJE JETE NE RROKULLIME

August 1, 2015 by dgreca

Nga Luan Çipi/
E kam shijuar poetin Sejfulla Malëshova, duke e ndjekur në peripecitë e jetës së tij, që më është dukur aq interesante, e veçantë, e pafat, e dhimbshme e deri tragjike, sa mendova të kërkoj dhe të merrem e të njihem edhe më shumë me të.
Sejfulla Malëshova u lind në 2 Mars të vitit 1900 në fshatin Malëshovë të Përmetit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Pas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje, ai shkoi në Itali dhe ndoqi studimet në Kolegjin e Arbëreshëve të Kalabrisë të Shën-Mitër Koronës, ku më parë kishte studiuar dhe De Rada, Luigj Gurakuqi dhe atdhetarë të tjerë të shquar..
Pas mbarimit të Kolegjit dhe të tri viteve për mjekësi në Romë, ai u kthye në Shqipëri dhe u përfshi në organizatën revolucionare atdhetare “Bashkimi”, që e kishte themeluar Avni Rustemi. Si shumë të rinj të tjerë të kësaj kohe edhe Sejfullai, morën pjesë në lëvizjen popullore anti Zogiste, që njihet si “Revolucioni i Qershorit i vitit 1924” . Pas triumfit të “Fanolistëve”, Sejfulla Malëshova, për rreth gjashtë muaj punoi në Kabinetin Qeveritar, si sekretar i kryeministrit Fan Noli.
Pas rikthimit të Zogut në pushtet, me ndihmën e bajonetave Serbe e Vrangjeliste, në dhjetorin e vitit 1924, Sejfullai, u largua me Fanolistët jashtë Shqipërisë. Në fillim ai u vendos në Itali dhe më pas në Vjenë të Austrisë, duke u përfshirë aktivisht në lëvizjet revolucionare majtiste të kohës. Në vitin 1926, me ndihmën e KONARE-s, porositur nga Fan Noli, ai së bashku me të tjerë djelmosha të shquar për kohën, si Ali Kelmendi, Koço Tashko, Zai Fundo, Tajar Zavalani e Halim Xhelo, përfituan bursë shtetërore nga Qeveria Sovjetike dhe Sejfullai për pesë vjet vazhdoi studimet në Fakultetin e Filozofisë në Moskë.
Pas mbarimit të studimeve 5 vjeçare, në vitin 1931, ai u zgjodh në krye të shoqatës së studentëve shqiptarëve që jetonin në Bashkimin Sovjetik. Nga viti 1931 e deri në vitin 1941, Sejfullai, pajisur me kulturë të gjerë dhe që njihte mirë 8 gjuhë të huaja, punoi pranë KOMINTERNIT si dhe pedagog e deri dekan në Fakultetin e Universitetit “Lomonosov” të Moskës.
Ai, në Bashkimin Sovjetik u martua. Ishte viti 1932, kur provoi të krijonte familje, duke u lidhur me një komuniste nga Moska, por që për divergjenca të theksuara mendimesh, ajo martesë nuk zgjati as tre muaj. Pas saj, i përkushtuar revolucionit dhe komunizmit, vendosi të mos martohet më kurrë. . Nuk dua të krijoj më familje i deklaroi njërit prej miqve të tij sepse unë jam revolucionar gjaknxehtë dhe impulsiv.
Në Bashkimin Sovjetik ai u pranua në Partinë Bolshevike. Ka qenë viti 1932, kur në një diskutim të zgjeruar që kishte ndërmarrë organizata bazë, për problemin e veprimtarisë së brendshme të partisë, ai ka shfaqur hapur dhe prerë kundërshtimin e tij. Ai jo vetëm e kundërshtoi, por i bindur në të vërtetën e idesë së tij, (siç ishte natyrë e përhershme e tij) këmbënguli me forcë për ta mbrojtur atë. Kjo solli përjashtimin nga radhët e partisë. Pas kësaj, u dëbua nga Moska dhe u dërgua si punëtor i rëndomtë në një uzinë mekanike në Kaukazin Verior. Por edhe në atë rast ka ndodhur një fenomen i çuditshëm, i cili do t’i ndryshonte menjëherë jetën, që i kishte marrë rrokullimën.
Në verën e vitit 1933 kur Sejfullai kishte gati një vit që punonte në Kaukaz, bëhet një mbledhje e radhës në Byronë politike të KQ-së të Bashkimit Sovjetik, drejtuar nga Stalini. Ajo mbledhje kishte si rend dite për të diskutuar pikërisht caktimin e rregullave të brendshme të funksionimit të partisë. Ishin këto pikëpamje të Stalinit për koincidencë, po ato që ishin bërë shkak për të përjashtuar nga partia Sejfullain. Stalini kishte porositur posaçërisht se të gjithë ata komunistë, që nuk kanë qenë dhe nuk janë dakord me parimet e përmendura, kanë ide të qëllimshme kundër rrugës së partisë sonë. “Ata që na përkrahin, janë me ne, të tjerët janë armiqtë tanë”. Kaq mjaftoi që e gjithë organizata, e cila një vit më parë kishte përjashtuar Sejfulla Malëshovën, të shkrihej tërësisht si organizatë partie dhe Sejfullai të vlerësohej e të rehabilitohej në mënyrë të menjëhershme, mandej të vlerësohej e të nderohej posaçërisht. Kjo për të do të thoshte që të kthehej në Moskë dhe të kishte mundësi të ushtronte profesionin e tij si intelektual. Sa u rikthye në Moskë në vitin 1933, ku ai tre vjet më parë kishte qenë student, vdiq dekani i Fakultetit të Filozofisë të Universitetit “Lomonosov”, i cili kishte qenë edhe pedagogu i tij. Pas një muaj ai konkurroi për vendin e pedagogut, që e fitoi me lehtësi, duke u klasifikuar i pari në 100 kandidatë.
Gjatë asaj periudhe, edhe falë gjuhëve të huaja që zotëronte, ai u dërgua nga Kominterni me detyra të ndryshme në disa shtete të botës.
Sejfulla Malëshova, për njohuritë superiore teorike marksiste-leniniste, në vitin 1934 pranohet anëtar përfaqësues në Komintern dhe me këtë detyrë dërgohet si delegat e veprimtar në Shqipëri dhe bëhet direkt pjesë e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar, dhe më pas në pozita drejtuese të Partisë dhe të Shtetit në Shqipërinë e pasluftës.
Pas një emigrimi të gjatë, pasi kishte qëndruar edhe përreth dy vjet në Francë, Sejfullai erdhi në Shqipëri në marsin e vitit 1943. Qëndroi për disa kohë në Tiranë si ilegal dhe u largua përfundimisht nga kryeqyteti, kur mori pjesë në Konferencën e Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë të zhvilluar në Labinot, ku dhe u zgjodh kandidat i Komitetit Qendror.
Kur filloi Operacioni Gjerman i Dimrit, ai qëndroi partizan në male, pranë Enver Hoxhës dhe Shtabit të Përgjithshëm, deri në mbarimin e Luftës. Në tetorin e vitit 1944, në Berat, u zgjodh në Qeverinë e parë provizore të kryesuar nga Enver Hoxha, duke marrë postin e Ministrit të Kulturës dhe të Shtypit.
Ndërkohë, menjëherë pas çlirimit, në vitin 1945, do të zgjidhet Kryetari i Parë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë Po këtë vit do të botohet edhe vëllimi i tij poetik “vjersha“, me pseudonimin letrar Lame Kodra.
Po, Sejfulla Malëshova, poliglot dhe shumë i avancuar në dije për vendin e vet, ashtu dhe gjaknxehtë, i nxituar shpesh herë, dhe i papërmbajtur e i drejtpërdrejtë, krijonte mosmarrëveshje e keqkuptime me shokët dhe ndofta edhe rivalitet e xhelozi deri me drejtuesit kryesor partiak e shtetëror. Shpejt ai doli hapur dhe goditi direkt udhëheqësin kryesor të Partisë Komunist edhe të Frontit Nacional çlirimtar: në “Plenumi i Dytë i K.Q. të PKSH, që u mblodh në Berat, ai deklaroi hapur dhe pa frikë se: “Enver Hoxha, ndonëse është konsideruar si shëmbëlltyra e sukseseve tona të LANÇ-it e të PKSH, në të vërtetë është sinteza e gabimeve të tyre”. Dhe me poshtë ai do të vazhdonte me guximin e tij proverbial: “Sektarizmi jo vetëm në Parti, po edhe në ushtri, degjeneroi gradualisht në terror dhe s` është aspak e çuditshme, se si ky terror degradoi në krim, madje në krim të organizuar”.
Sejfullai madje, edhe dy vjet me vonë, kur do ta përjashtonin nga Byroja Politike e K.Q. deklaroi se “po vazhduam me këtë mënyrë do të kthehemi shume shpejtë në një klikë, madje në një klikë vrasësish.”
Në politikën e jashtme, Sejfulla Malëshova ishte për distancë të barabartë midis Bashkimit Sovjetik, Amerikës dhe Anglisë, për çka u damkos si oportunist nga Enver Hoxha, meqë i vinte në plan aleatët e mëdhenj. Në politikën e brendshme, Malëshova kërkonte përkrahje për zhvillimin e tregut privat. Dhe kjo mjaftoi të akuzohej si liberal.

Sejfulla Malëshova, sipas kujtimeve të shokut e mikut të tij të idealit me integritet kulturor të njëjtë, dr. Ymer Dishnicës, ishte jo vetëm mjaft i ditur, por edhe shumë i vendosur dhe parimor, që kishte parashikuar gjithçka, po asnjëherë nuk toleronte. P.sh, ai dikur i kishte thënë atij në intimitet: “Bëra mirë që s’u martova, o Ymer, sepse kjo situatë që po më krijohet, do të më merrte në qafë edhe fëmijët”. Sejfullai paqësor, nuk donte të krijonte viktima.
Dukeshin vështirësitë e mëdha që kishte populli, për ilaçet që duheshin gjetur, për hallet e njerëzve, sepse dihet, që fillimi, në çdo lloj pune është i vështirë. Edhe vet, që e kishte përjetuar jetën komode, ndodhej shpesh para vështirësive jetësore, por pa pretendime për privilegje. Sejfullai e përsëriste shpesh fjalën e Presidentit Amerikan, Vilsonit, të thënë më 1913: “Duhet të shkatërrojmë gjithçka që mban vulën e vogël të privilegjit”. Kur diskutohej për “Metafizikën e dashurisë” të Shopenhaurit, thoshte: “Njeriu i madh nuk ka kërkuar gjënë e vet, nuk ka përjetuar për vete, por për të gjithë…. Gjeniu qëndron në kontradiktë, në konflikt me kohën e vet…” Sejfullai, tregon me nostalgji shoku i tij i luftës: “ishte erudit dhe kishte një memorie për ta pasur zili”. Dhe ai vazhdon: “Kur takoheshim rrallë në Berat, me orë të zgjatura bënim biseda të ngrohta…Kujtoj që thoshim se njerëzit e mëdhenj (dhe citonim Hygonë, Çehovin), ishin indiferentë ndaj lavdërimeve të veprave të tyre, por ishim të ndërgjegjshëm se njeriu në jetë ka nevojë për vlerësime e nxitje, ashtu siç ka nevojë për ushqim e për ajër”. Ai, ishte për hapa të ngadalta, po të sigurta. Për këtë temë, Sejfullai më tregoi: “Pleqtë e fshatit tim, më thonë shpesh se kalit po t’i biesh nga vithet, bën përpara, po t’i biesh nga koka, ecën prapa”.
Sejfullai, ishte i hapur dhe kritikues pa rezerva për shokët. Citonte shpesh Bjelinskin që kishte thënë. “Ta thuash i pari të vërtetën, duhet fisnikëri dhe guxim”. Dhe guximi deri në vetëmohim nuk i mungonte profesorit të nderuar të filozofisë, që kish sakrifikuar katedrën e Universitetit të Moskës, për të luftuar për popullin e vet të robëruar e të varfër. Ai kritikonte hapur këdo dhe ndofta me të drejtë aludonte deri pozicionin e Kryetarit të Partisë, kur propozoi që të krijohej edhe ai post, krahas Sekretarit të Përgjithshëm, çka do ta linte në hije Enver Hoxhën.
Në vend që udhëheqja kolegjiale e Partisë Komuniste Shqiptare, t`i merrte në konsideratë vërejtjet e bëra nga ai, ndikuar edhe nga titistët veprimtar me influencë të kohës, e ndëshkoi atë, duke e dënuar “teoricienin e shquar”, me neutralizim e mënjanim total.
Në vitin 1946 edhe për divergjenca të shumta që kishte në vazhdim me Enver Hoxhën në fushat e ekonomisë, kulturës dhe drejtimit të Partisë, përjashtohet nga Partia dhe shkarkohet nga të gjitha funksionet.
Pas kësaj, për dhjetë vjet me radhë ai punoi si ekonomist në Bankën Kombëtare në Tiranë dhe në vitin 1956, atë e internuan në Ballsh, ku u la të banonte në një barake të vjetër. Gjatë kësaj kohe, (në vitin 1949) Malëshova u përjashtua edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, duke u cilësuar si element antiparti.
Pas pak kohësh nga vajtja në Ballsh, atë e lejuan të banonte në qytetin e Fierit, duke punuar si magazinier lëkurësh në një Ndërmarrje Bujqësore.
Shpesh njerëzit pyesin si nuk e pushkatoi, a pse nuk e burgosi Enver Hoxha Sejfulla Malëshovën, kur nuk kurseu figura të tjera më pak të njohura e me më pak peshë? Përgjigja është e thjeshtë: Sejfullai nuk ishte njeriu i veprimit aktiv dhe prej tij Enver Hoxha nuk shihte kurrfarë rreziku. Si njeri i letrave dhe teoricien, Sejfulla Malëshova ishte meditativ, i mbyllur në vetvete, pa shokë, pa shoqëri, i vetmuar. Në Ballsh, magazinieri Malëshova, ku qëndroi i internuar disa vjet, pastaj e transferuan në Fier, dy herë ditën, mëngjes e mbrëmje, ishte i detyruar të paraqitej në sportelin e Degës së Brendshme Fier, për të vërtetuar që ishte aty. Kureshtarët e shihnin profesorin duke kaluar para policit dezhurn të Degës së Brendshme, duke e përshëndetur me dorë me një ritual të pandryshueshëm, jam këtu! Në periudhën e zbutjes së tensionit, në kohën e Hrushovit, profesorit iu lutën të përkthente nga origjinali dramën e Çehovit “Kopshti i qershive”. Ai e përktheu, por kur u botua dhe nuk e pa emrin në libër, sikurse ishte rregulli, protestoi. Ankesa e tij nuk u përfill. Edhe pse kishte kurdoherë nevoja të ngutshme për të kompensuar rrogën e tij qesharake si magazinier, ai nuk pranoi të përkthente pa emër, duke u qëndruar besnik idealeve dhe duke mbrojtur personalitetin e tij.
Po ta vështroje nga afër, Sejfulla Malëshova, ishte një njeri i zakonshëm në dukje, veshur sportiv me kilota, kapele republike ose me shapkë dhe që lëvizte i vetmuar, shkëputur nga shoqëria, më shumë me një biçikletë.
Sejfullai jetoi krejt i vetëm deri sa vdiq në mjerim të thellë, më 9 Qershor 1970 dhe në varrimin e tij mori pjesë vetëm e motra e ardhur nga fshati, si dhe dy nipat e tij.
Në vitin 1993 një grup intelektualesh u kujdesen për rivarrimin dhe ceremoninë e munguar për përkthyesin e Internacionales, Getes dhe Nekrasovit, apo poetin rebel siç i pëlqente ta quante veten.

Sejfulla Malëshova është dhe një zë i fuqishëm i letërsisë shqiptare midisi dy luftërave, zëri i asaj letërsie që njihej si letërsi e angazhuar, poet i dalluar i lëvizjes antifashiste dhe antizogiste.
Poezia e tij është poezi e angazhuar me teme politike, revolucionare. I drejtohet fshatarësisë shqiptare në radhë të parë, bën thirrje për kryengritje, për revolucion, për të rrëzuar regjimin obskurantist dhe atë fashist.
Një thesar i padiskutuar vlerash janë poezitë e tij, që më duken shpërthime momentale të talentit dhe pasionit të tij sporadik poetik: I pari libër i tij me poezi që më ka lënë të pashlyer në kujtesë “Stanin e Trebeshinës”, te poezia “Si e dua Shqipërinë?”, në vëllimin e parë dhe të vetmin libër poetik në shqip, botuar prej tij në vitin 1945 me “vjersha”, ku ka 21 poezi. Ka dhe poezi të tjera të vetmuara, botuar në emigracion te “Dielli”, “Liria Kombëtare”, etj.. Janë dhe përkthimet e tij nga poema e Nekrasovit “Poeti dhe Qytetari” etj., të futura edhe nga Nasho Jorgaqi te “Antologji Shqipërimesh Poetike”, përkthimet e bukura të Gëtes, Gorkit, etj.
Vepra e tij e parë letrare që njihet, është një poemë e botuar në italisht me titullin “Kostandini” botuar në Romë më 1923. Këtu besoj se nis krijimtaria letrare e Sejfulla Malëshovës. Dihet gjithashtu se edhe student në Itali, bashkë me Odise Paskalin, botoi revistën “Studenti Shqiptar”, ku dhe janë botuar edhe poezitë dhe përkthimet e para të Malëshovës. Ai përktheu dhe botoi p.sh. një vjershë të njohur revolucionare të Hajnes, “Punëtoret e avlëmendit”, për të cilën thoshte se ishte një nga vjershat e pakta të preferuara të Karl Marksit. Ai përktheu “Internacionalen” e Eugjen Potjes, himni i lëvizjes komuniste ndërkombëtar, që është dhe një nga përkthimet më të mira të tij. Janë dy variante të ndjera të “Internacionales” një nga Malëshova dhe një tjetër nga Petro Marko. Përktheu bukur dhe vjershën e famshme të Gëtes , “Mbreti i Tulës”, që e kish përkthyer më parë edhe Ndre Mjeda. Edhe këtu shqipërimi i Malëshovës është më i goditur, më i qartë dhe më harmonik. Si dishepull i poezive të shkollës noliane ai ka dhe poezi të e tjera, disa të zbuluara tani vonë, në blloqet e kutive të harruara të arshivave sekrete të ish “Sigurimit të Shtetit” dhe pa dyshim ka dhe dhjetëra të tjera të grisura e të zhdukura pa kujdes, apo ndofta të fshehura, me shpresë që dikush t’i gjej në të ardhmen. Sidoqoftë, ato poezi që janë botuar, bashkë me ato të tjerat, që njihen, nuk e arrijnë shifrën 50.
Në mungesë të të dhënave burimore, është menduar se poeti Sejfulla Maleshova, i njohur
me pseudonimin letrar “Lame Kodra”, gjatë kohës së persekutimit e kish braktisur poezinë. Kjo arsyetohej me kushtet e rënda qytetare dhe shpirtërore që iu krijuan, por dhe me arsyen se ai asnjëherë nuk do të dallohej si poet prodhimtar sistematik. Ashtu si Fan Noli dhe Sejfulla Malëshova, do të krijonte në letërsi, kryesisht në momente të caktuara, të diktuara nga rrethana social-politike, por kjo praktikë krijuese lidhej dhe me kërkesat e larta që kish ndaj poezisë së tij.
Nga pikëpamja sasiore kemi të bëjmë me një bilanc modest, një dukuri kjo e njohur në historinë e poezisë, që nuk është përcaktuese në vlerësimin e poetit. Po, gjithë sa ai krijoi, janë të mjaftueshme për t’i dhënë emrit të tij një vend të nderuar në poezinë shqipe në mes dy luftërave. Është fakt i njohur që poezia e Lame Kodrës, duke u bërë zëdhënëse e idealeve revolucionare të shoqërisë shqiptare, do të gjente për afro dy dekada jehonë dhe përhapje të gjerë në Shqipëri sidomos në masat e rinisë. Madje, ajo do të përjetonte një periudhë kulmore, duke e cilësuar Sejfulla Malëshovën si “Poet Kombëtar” në ato 2-3 vitet e para të pas çlirimit. Por fatkeqësisht, kjo ngjitje e poetit, do të zgjaste një kohë tepër të shkurtër, që përkoi me periudhën e karrierës së tij politike, kur ai do të bënte pjesë në udhëheqësit më të lartë të shtetit shqiptar dhe të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Koha, që ai ishte figurë politike, ka ndikuar në popullaritetin e poezisë së tij. Pas më se gjysmë shekulli mund të themi se kjo nuk e ka prekur vlerën e vërtetë të poetit. Ai, mbeti një zë i bukur në poezinë shqipe, një emër i përveçëm si shprehje autentike e idealeve revolucionare të atij brezi që, sipas mënyrës së tij, luftoi për liri kombëtare dhe shoqërore, kundër bejlerëve, fashizmit dhe “regresit social”. Dhe duke qenë i tillë, pra poet i vërtetë, në dekadat që erdhën, sado mbytëse që qe asfiksia politike, nuk e zhvlerësoi dot poezinë e tij.
Por ç’ndodhte me poetin gjatë kohës së persekutimit? Këtë e gjejmë të vëzhguar nga studiuesi i talentuar, shkrimtari ynë i madh, Nasho Jorgaqi: Në kushtet e izolimit të rreptë, të dramës e të zhgënjimit tepër të hidhur që kalonte, të natyrës së tij të mbyllur, ishin gati të paarritshme mundësitë e kontakteve dhe të informacionit, si burim i pashtershëm krijimtarie. Një gjë dihej saktë, se ai përkthente për shtëpinë botuese “Naim Frashëri. Nga krijimtaria origjinale e vonshme, siç thotë miku i tij Nasho Jorgaqi, janë gjetur gjithsej gjashtë vjersha. Vjersha e parë me titull “Rruga jonë” (1946), është hyrja e një poeme që kish nisur të shkruante, por për shkak të goditjes politike që pësoi, ajo mbeti me sa duket në mes. Është një vjershë e shkruar më frymën e kohës, më temë aktuale politike, që sjell atmosferën e jetës shqiptare të viteve të para të pasçlirimit, entuziazmin e punës për të ndërtuar Shqipërinë e shkatërruar nga lufta.
Pas tre vjetëve, edhe pse kish ndërruar pozita politike, siç del nga dorëshkrimi i poezisë së dytë, do të marrë pjesë në konkursin kombëtar për “Himnin e Republikës” (1953). Ai do të paraqitet me një tekst të vetin dhe sipas shënimit personal, ka fituar çmimin e parë (?!) Për vet motivin që trajton, ajo është një vjershë politike, mishërim dhe pasqyrë e ideve të ditës, besnike ndaj idealit të tij komunist. Me tone retorike dhe patos, ai i këndon republikës, aspiratës dhe ëndrrës së jetës së tij.
Vetëm dy vjet më vonë (1955) ndjehet kthesa në poezinë e Malëshovës në vjershën “Poeti”, që e bën të ndahet paksa nga krijimtaria e mëparshme. Pas gjithë asaj që i ka ndodhur, për herë të parë shpërthen dufin që mban përbrenda. Më në fund Malëshova poet, e gjen vetveten, ndaj tregohet i bindur e guximshëm në të drejtën e tij. Ashtu në heshtje dhe në vetmi këndon këngën e vet të lirë. Ndonëse nuk është më i ri, liria e bën të mos njohë moshë. Me këtë poezi, më shumë se Sejfulla Malëshovën kemi tani Lame Kodrën, poetin rebel, siç e pati quajtur veten në vitet e mërgimit politik në vjershën anonime (1935) plot dy dekada më parë, ndërsa tani shpërthen kundër pabesisë e padrejtësisë, babëzisë për pushtet, ndalimit të mendimit të lirë, i bindur se “Kënga e poetit s’perëndon”.
Është edhe 90 vjetori i Lidhjes së Prizrenit që e nxit dhe e frymëzon. Hidhet në histori, në kohën e zgjedhës otomane, kur dhe zoti i kish harruar shqiptarët. Por nuk i ka harruar Skënderbeu dhe pas kësaj figure kapet poeti, dhe tregon se edhe pse ndodhet shumë larg, heroi jetonte me fatin e atdheut të robëruar dhe të fisit të tij, brenda të cilit lëviznin “turma kordhëtar”, por që s’kishin flamur. Pra, u mungonte udhëheqësi dhe, Skënderbeu nuk pret më, hidhet vet në aksion.
Një vit më pas (1969) festohet 25 vjetori i çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. Poeti me këtë rast do të shkruajë dy vjersha, thuajse me të njëjtin emër (“Lapidari” dhe “Lapidarët”). Dhe tema është ajo e Luftës Antifashiste Nacional- Çlirimtare, të cilën e sheh të mishëruar në një imazh konkret, siç janë lapidarët e ngritur në kujtim të luftëtarëve të rënë për liri.
Tre poezitë e fundit që na kanë arritur, vazhdon të shpjegojë profesor Nasho Jorgaqi, edhe pse nuk kanë datë, janë vërsnike me të tjerat. Më interesantja duket vjersha “Nga një dramë e pambaruar”, një vepër që u nis, por nuk u krye nga autori. Është fjala për shpirtin e njeriut, një temë aq’ e trajtuar nga poezia nëpër shekuj, për të cilën poeti shprehet në këtë vjershë meditative. Në konceptin e tij, shpirti i njeriut paraqitet si një mikrounivers, me humnera dhe të përpjeta, me të thella oqeani dhe maja Himalaje, ku përleshen ferri dhe parajsa. Në këtë sfond sa real aq dhe mitik qëndron njeriu si përbindësh dhe perëndi! Ka të ngjarë që pesë vargjet e kësaj vjershe të jenë kredoja e dramës, në të cilën autori do të shpaloste idetë e veta, filozofinë e tij për këtë fenomen universal e të përjetshëm. I paraqitur artistikisht ky fenomen, në pendën e poetit, do të përcillte dhe shtjellonte përvojën nga kalvari i jetës së tij.
Një dimension tjetër i poetit na shfaqet në dy vjershat e tjera, siç është ai i humorit. “Njeriu me këmbajka dhe servilët” dhe “Po saze dhe daulle…” janë vargje humoristike, të vetmet në gjithë krijimtarinë e tij, momente kur ai rreket të qeshë e të tallet me realitetin e kohës, duke e stigmatizuar dhe fshikulluar atë.

Duke kërkuar në internet e gjetiu, fakte për jetën dhe veprimtarinë e Sejfulla Malëshovës, arrita në përfundimin e kënaqshëm, se ai formonte një potencial të madh intelektual, ishte poliglot dhe dijetar e poet i talentuar, pa përjashtuar teprimet dhe hobitë e tij, temperamentin e nxituar, të papërmbajtur, deri diku të njëanshëm dhe rebel. Jam i mendimit se me të, bashkëpunëtorët letrarë, partiakë dhe shtetarë, gjithashtu janë nxituar dhe nuk kanë ditur, që thesarin e tij të madh dituror dhe talentin e tij të rrallë, ta mbanin e ta ruanin me kujdes dhe ta shfrytëzonin e përdornin në dobi të vendit.

Vlorë, më 01.08.2015

Filed Under: Featured Tagged With: jete ne rrokullime, Luan Cipi, Sejfulla Maleshova

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT