–Kryeministri Isa Mustafa i uroi mirëseardhje në Kosovë sekretarit amerikan John Kerry/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 2 Dhjetor 2015/ Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry mbërriti për vizitë në Kosovë, i pritur me ceremoni solemne shtetërore në Aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, ku takohet me kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrat HashimThaçi, njëherit ministër i Jashtëm, dhe Branimir Stojanoviç, i komunitetit serb. Te shkallët e aeroplanit u prit dhe përshëndet nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Mustafa.Sekretari Kerry vjen për ta shprehur përkrahjen dhe miqësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, ka deklaruar për median në Prishtinë ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.
Kjo është vizita e tretë e një Sekretari amerikan të Shtetit në Kosovë, pas dy vizitave të Hillary Clinton.Njoftimi i dërguar nga qeveria kosovare thekson se, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Sekretarin amerikan të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kerry.
Sekretari Kerry, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë, u prit me nderime të larta dhe ceremoni shtetërore nga Garda e Nderit e Forcës së Sigurisë së Kosovës.Duke i uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, kryeministri Mustafa, e falënderoi sekretarin Kerry për vizitën, dhe i shprehu njëkohësisht mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen që SHBA-të kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për Kosovën.Kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviç, do të zhvillojnë takim bilateral me Sekretarin Kerry dhe delegacionin e SHBA-ve.Pas takimit, kryeministri Isa Mustafa dhe sekretari John Kerry, do t’i drejtohen gazetarëve të pranishëm.