• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Letër nxitëse e thirrjeje për shqiptarët e Amerikës

June 4, 2016 by dgreca

VOTA SHQIPTARE MUND TA KUALIFIKOJE Serena Buçaj SI MISS USA 2016/

  BIJËS SONË SERENA BUÇAJ, PRINCESHË SHQIPTARE E BUKURISË, QË DI TË RENDË ME HAP SHTOJZOVALLEJE/

– Letër nxitëse e thirrjeje për shqiptarët/

Nga Fotaq Andrea/

E dashur Miss Serena, bija-motra jonë,/

Në këto ditë të shënuara për ty e për gjithë shqiptarët, kur po votohet Miss USA 2016, më lejo të të dërgoj – si kurorë nga Panteoni i lashtë i bukurisë shqiptare – këto fjalë zemre për t’u ngrohur dhe ndjerë edhe më krenare, për t’i dhënë edhe më shumë hir e nur bukurisë tënde vezulluese me aureolë agimesh të bjeshkëve të dheut tonë.

Me të drejtë Beqir Sina të pagëzoi “Princeshë shqiptare e bukurisë”, kur je shpallur tashmë “Miss Bukuria” e New Yorkut dhe kur po konkurron denjësisht për më tej. Më lejo me këtë rast të të kujtoj se Gjeniu shqiptar Faik Konica, një ndër etërit themelues të Shoqërisë “Vatra” – e cila sot drejtohet plot patriotizëm e përkushtim nga yt gjysh Dr. Gjon Buçaj – shkruante në frëngjisht tek “Albania” e tij që më 1897 një shënim titulluar “Më të bukurat”, ku thotë: ” Shqiptarkat janë përgjithësisht të një bukurie mahnitëse. Por askund tjetër kjo bukuri nuk është aq mrekullore sa në Lahnokastër. Ky fshat i hijshëm, me shtëpiza plot dritë nga bardhësia ndodhet në komunën e Voshtinës (në Shqipërinë e Jugut). Linjë e derdhur trupore, floknajë e vrrullshme, sy magjeps, pamje të madhërishme plot qetësi e hijeshi, kostume piktoreske; – ndoshta është fshati i vetëm në botë ku nuk mund të gjesh kurrsesi gra të pahijshme dhe ku bukuria është aq pranë idesë së përsosmërisë.” (Albania”, nr. 5, 30 korrik 1897, f. 87.)

Ja Serena, fjalë mjeshtërore nga Konica, që ka shkruar dhjetëra faqe për vashat shqiptare, për emancipimin dhe rolin e tyre në familje e shoqëri, që nga Mrika 16  vjeçare që i shpëtoi jetën në fushë të betejës Kryetrimit shqiptar Skënderbeu e gjer te Shega e “Lules së Maleve”, që nga Helena e Trojës, simbol i bukurisë e “i zjarrit që ndezi vetë” gjer te  Greta Garbo “Hyjnorja”, të cilën Konica e adhuronte dhe admironte me sy prej sfinksi.

Por le të mos shkoj më tej, dhe më lejo, Zonjushë Serena – sa fjalë të bukur ka gjuha shqipe që nga “Zot-Perëndi” bën femëroren “Zojë-Zonjë” në shkallën më të lartë të dinjitetit femëror dhe që këtej “Zonjushë – Mësuese” – më lejo pra, të të  bëj me dije se 76 vjet më parë, në maj 1935, në Orientin ende të paemancipuar, ku gratë edhe sot mbajnë perçe, konkretisht në Tunis, kryeqyteti i Tunizisë, shpallej “Miss Bukuria” një shqiptare: Jorgjeta Temo (Georgette Temmos), me siguri pinjolle nga familja patriotike shqiptare e Ibrahim Temos. 20 vjeçarja Jorgjeta, që ruante ende theksin shqiptar karakteristik në të folurën e saj, do mbante kësisoj lart “flamurin e sharmit sekret të Orientit”, siç shprehet revista franceze “Afrika e Veriut” e 16 majit 1935 dhe do të konkurronte atë vit për titullin Miss Europa në garën ndërkombëtare të bukurisë në qytetin britanik Torquay.

Po në atë periudhë do vërejmë se piktori i famshëm botëror Henri Matisse, në një cikël vizatimesh e tablosh të viteve 30 të shekullit të kaluar, titulluar “Tema e Variacione” (170 vizatime) ka në qendër të tyre edhe një modeliste me origjinë shqiptare (nga nëna dhe babai) që quhet Nezi Hamide Shefqet, ish stërmbesë e sulltanit Abdyl Hamidit me një bukuri të përkryer. Tabloja e Matisës që ka pra në qendër 22 vjeçaren “Nezi shqiptarja” u shit më 1998, 44 milionë stërlina në ankandin Sotheby’s të Londrës, një çmim ky rekord.

Por, duke u kthyer tek ti, bija e motra jonë Serena, me këtë emër të lashtë latin që ngjall qetësi e lumturi shpirtërore të kulluar, nuk ka si të mos sjellim ndër mend përshkrimin më të përsosur që i ka bërë vashës shqiptare francezi Pukëvil, tek i shihte ato, që në fillim të viteve 1800, si shtojzovalle të vërteta, me bukuri hyjnore, që kullosnin bjeshkëve bagëtinë, me të vetmin rojtar një qen molos besnik, që çapitnin lehtë, me hap vallëzues tek rrihnin ajrin me tingëllat e tyre të praruara mbi gjoks, në atë krahol të shtrënguar mbi xhubletën 3000 vjeçare ku vetëtinte mbi brezare një dorezë kame për të vetmin mjet mbrojtës të tyre. Ato vasha shqiptare, që u këndoi Lord Bajroni dhe i personifikoi te “Hajdeja” e tij, ato që vetë “Zoti u shtonte vallen” në Eposin e Kreshnikëve, ato që kënga iso-polifonike himarjote i quante “Vajza të Valëve”, ato ishin dhe mbetën kështu simbol i bukurisë femërore shqiptare. Simbol bukurie, për nga floknaja rica-rica pis e zezë apo për nga gërshetat leshraverdhë të Bejkës së bardhë të malit, me sytë e tyre të zgjuar e  zhbirilues, me gojën kuti e dhëmbët inxhi, me qafën si sorkadhe mali dhe faqkat kuq si molla, me lëkurën bardhëllore si qumështi i dhisë, simbol i zanave dhe i përkrenares skënderbejane.

Sepse, Miss Serena, ti engjëll i bukurisë shqiptare, me siguri e di nga prindërit dhe familja që Olimbia, e cila lindi Aleksandrin e Madh, ishte iliro-molose-shqiptare; se mbretëresha Teuta arriti të sfidojë për tre vjet rresht Romën e lashtë dhe Senatin duke kontrolluar Adriatikun me flotën e saj; se princesha Argjiro, së bashku me Rozafën e Kalasë së Shkodrës, po edhe me Gratë suljote më pas, vërtet do të flijoheshin, por gjoksi i tyre do vazhdonte të pikonte jetë për të mëndur foshnjat;  se Shkëmbi i Ruginë Balshës në Llogara edhe sot vazhdon të rënkojë për krejt dhembjet historike të nënave shqiptare; se Vojsava do shihte në ëndërr një dragua tek do lindte dragoin shqiptar Skënderbe; se Donika 20 vjeçare do martohej me të dhe do mbronte kalanë e Krujës, kryeqytetit mesjetar të Arbrit; dhe se, më në fund,  bukuroshja Shote Galica, ashtu si Janica, Zhan d’Arka shqiptare, do udhëhiqte çetën e saj patriotike për liri me tërë ata burra mustak-rëndë dhe, tek do plagosej në kofshë, nuk do pranonte assesi të shihej nga sy mashkullorë, por do nxirrte fillikat vetëm rrëzë shkëmbit plumbin në këmbë me plumb, duke qëlluar drejt e mbi plagë, që do ta përthante më pas me raki, barot e duhan. “Hej grua shqiptare që ke ditur të lindësh burra!”, do mund të thërriste atëherë nga shpirti shqiptaro-rumunia Dora d’Istria, princesha e kulturës evropiane, me një bukuri e sqimë të rrallë, plot sharm, për nder të së cilës në Paris do ndiqej “Moda Dora d’Istria”.  Pale të shikosh fotot me bukuri të rrallë të Sadije Toptanit në shekullin XIX, Nënëmadhes së familjes mbretërore Zogu, apo të mbretëreshës Geraldina , e cilësuar kohët e fundit nga të huaj si e denjë për të qenë “Yll Hollivudi”.

Ti Serena i di këto, se në deje të vërshon shqiptari, dhe ne, duke të shikuar të parakalosh në piedestal të bukurisë si sirenë e zanë mali shqiptare, domosdo do shkojmë ndër mend bukurinë hyjnore të Shën Angjelina Komnenës, dashurinë qiellore të Zojës së Shkodrës, pajtores së Shqipërisë, ajo Nan e Kshillit t’Mir për të cilën aq bukur këndoi e u lut At Fishta madhështor : “Të falemi, o Mri! virgjina e dlir’, …/  O nana e bukur e K’shillit t’Mir; / Lutu, po, e derdhi hiret e m’dhaja / Si n’kohët e mocme n’kishë te Kalaja,/ Ku t’lutej Shkodra plot me dobi; /Të falemi, o Mri, të falemi, Mri!”

Ja, me këto lutje qiellore në gojën e poetit gjeni që dalin nga shpirti shqiptar, do dëshironim – o Serena, o yll i bukurisë, o e adhuruara e Perëndisë! – të merrje ti tërë votat e shqiptarëve të Amerikës, për t’u shpallur MISS USA 2016. Sepse për mrekulli, ky vit përkon edhe me shpalljen e “Nënë Terezës Shenjtore” në 4 shtator nga Papa Francesku, një ngjarje kjo madhore për popullin tonë që nxori nga gjiri i tij Nënë Terezën – Shenjtorja botërore e Bamirësisë.

SHQIPTARË, O BURRA VOTONI PRINCESHËN SHQIPTARE TË BUKURISË!

Një falënderim gjigand për Serenën, që po na nderon!

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Fotaq Andrea, Leter per shqiptaret e Amerikes, SERENA BUÇAJ

VOTA SHQIPTARE MUND TA KUALIFIKOJE Serena Buçaj SI MISS USA 2016

June 2, 2016 by dgreca

Votoni MISS USA 2016 – Princeshën shqiptare fituesen e kurorës në New York, Serena Buçaj/
Nga Beqir SINA – New York/
LAS VEGAS – NEVADA : Princesha shqiptare fituesja e kurorës në New York, Serena Buçaj, këto ditë është duke jetuar në momente të veçanta të jetës së saj në andrenalinën për të fituar edhe kurorën tjetër të bukurisë MISS USA 2016.
Konkurrenca paraprake MISS USA 2016 do të zhvillohet gjatë kësaj jave, duke nisur qysh mbrëmë të mërkurën, më 1 qershor dhe do të mbyllet të dielën më 5 qershor në 7 të darkës, ku do të jetë i transmetuar në kanalin televizivë kombëtar ABC, ndërkohë që ju mundet ta ndiqni çdo episod në medien sociale në Facebook, dhe në faqen e internetit në www.missuniverse.com. ;
Garuesit nga të gjitha 50 shtete, përfshirë dhe D.C. Distriktin e Kolumbias, do të konkurrojnë në skenën e mahnitshme dhe gjigande të pallatit të sportit “T-Mobile Arena” në Las Vegas – Nevada, të gjitha veshjet, duke nisur prej nga ato në rroba banje dhe në fund me fustanet e mbrëmjes fustan .
Ndërkohë që për një vend për të fituar kurorën e Princeshës së më të bukurës në Shtetet e Bashkuara, do të konkurojnë në “Top 15” pesëmbëdhjet vjazat më të bukura, njëra prej të cilave edhe do të shpallet gjatë emisionit televiziv MISS USA 2016, të dielën, më 5 qershor.
Këtë vit, për herë të parë ka edhe një fituese tjetër , do të jetë ajo e kurorës “FindingMiss52”, i pari-në këto spektakle të bukurisë mbarëkombëtare, në SHBA, ku vajzat më të bukura do të dalin në sfilatën e tyre për një garë mes 52 konkurenteve, për të nxjerrë edhe një bukuroshe me fat për t’u bashkuar me konkurrencën në Las Vegas.
Në mesin e konkurruesve për herë të parë në historinë e emigracionit është edhe një shqiptare e cila ndohet në Las Vegas e cila i ka hyrë garës për ‘Miss USA 2016’. ‘
Ajo është Serena Buçaj vajza pukjane, që e quan veten nga Kosova( mbasi prindërit e saj kan jetuar kur u arratisën nga Shqipëria në Kosovë) e cila, tani po sfidon bukurinë e vajzave shqiptare në njëren ndër garat më të mëdha në botë të modës, MISS USA, duke synuar kurorën e artë.
Serena është 22 vjeçare dhe ajo është zgjedhur në janar të këtij viti fituese e kurorës së artë ‘Miss New Yourk-u’, mirpo kjo duket se vetëm sa e ka motivuar Serenën për të konkurruar për’ Miss USA 2016’, ku bukuroshja shqiptare do të përballet me konkurrente nga gjithë SHBA, të cilat kanë një synim të qartë, të rrëmbejnë kurorën.
Mirpo, tani në fazën paraprake Serenës i duhet përkrahja më shumë se kurr, për të arritur qëllimin e saj. Faqja e ‘Miss USA’ tani ka hapur linkun “http://vote.missusa.com” ku ju mund të votoni edhe 10 herë – për të preferuarën tuaj, dhe t’i ndihmoni Serenës për tu shpallur ‘Miss USA’
The New York Times,  :”Shqiptaret janë raca më e bukur në Evropë”
Vajza Shqiptaro-Amerikane – Serena Buçaj , me origjinë nga Puka – Shqipëri, – e cila u kurorërzua për herë të parë si Miss Nju Jork USA 2016, në fund të konkursit të bukurisë të mbajtur ne 17 Janar, 2016, në metropolin botëror qytetin e Nju Jorkut, është duke ecur në rrënjët e saja në Amerikë.
Serena Buçaj – prej se kur fitojë kurorën e bukurisë në Nju Jork, ka faleminderuar të gjithë komunitetin shqiptarë për mbështetjen! që po i jep asaj, dhe, tani përsëri kërkon ndihmën e tyre duke votuar atë.
Buçaj prej se kur ka fitur kurorën e më të bukurës së New Yorkut, “Miss New York – USA 2016, një qytet ky me 12 milion banorë, një botë e terë në miniaturë, i ka shpeshtuar takimet e saj me komunitetin shqiptarë.
Kujtojmë me këtë rast, prezencën e saj në shfaqjen e filimit Shok në New York, festën e 8 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës , nga Asamblesti Mark Gjonaj në, Bronx, pjesmarrjen e saj në meshën e së dielës në Kishën Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, dhe takimin e fundit në shtëpinë e Vatrës.
Ajo në një intervistë ekslusive me gazetën tonë, pranojë me kënaqësi se është krenare që ishte shqiptare, dhe e rritur me vlerat shqiptare.
Gjithashtu, thotë ajo ndjehem e bekuar, që kam lindur e jam rritur në Shtetet e Bashkuara. “Unë kam me vete të mirën e të dy botëve! Shqiptare dhe Amerikane ! Do të dëshiroja shumë të vizitoja Shqipërinë, që mbart rrënjët e mia dhe është vendlindja e tim eti.”
Por , ajo e pohonë, gjithmonë këtë, madje e ka përsëritur edhe në televizionet, gazeta dhe revistat me prestigjoze në SHBA, se ajo është, krenare që është shqiptare, dhe me prindër nga Puka e Shqipërisë, të cilët kan jetur në Kosovë.
Teksa ajo tregonë se prindërit e saj u arratisën nga Shqipëria nën sundimin e regjimit komunist – rreth gjashtë dekada me parë, duke qendruar fillimisht në Kosovë, për disa vjet, deri sa emigruan këtu në Shtetet e Bashkuara, ajo çdo herë flet për prindërit e familjen e saj shqiptare.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Miss USA 2016, Princeshën shqiptare fituesen e kurorës në New York, SERENA BUÇAJ

MISS NEW YORK USA 2016, NJË VATRANE NË GJURMËT E GJYSHIT

February 23, 2016 by dgreca

*SERENA BUÇAJ, MISS NEW YORK USA 2016, DO TË PROMOVOJË VATRËN NË SHBA/

*FOTOGRAFITW: DRITAN HAXHIA (Video Photography Tani Studio)*

Është emocionuar shumë më bukura e vajzave të Nju Jork-ut për 2016-ën, Bukuroshja me gjak e rrënjë shqiptare, Serena Buçaj, gjatë vizitës në VATËR më 21 Shkurt 2016 . Ndoshta po aq sa ishte emocionuar me 17 Janar 2016, kur ajo u shpall më e bukura e bukurosheve konkurente për shtetin e madh të Nju Jork-ut. Veçse këtë herë emocionet ishin disi të veçanta, lotët nuk i mbajti dot. Fotografi profesionist Dritan Haxhia e ka fiksuar në kamër momentin.

Kur nëna e Serenës, Kristina, kujtoi se babai i saj (Gjyshi i Serenës), i ndjeri atdhetar vatran Ndue Perpeaj, kthehej nga mbledhjet e Vatrës dhe u fliste për punët kombëtare të vatranëve dhe të Federatës, bukuroshja u ndje krenare për rrënjët e saj shqiptare. Kristina kujtoi edhe çastet kur vinte gazeta Dielli në shtëpi me postë dhe babai i saj(Gjyshi i Serenës) e priste me gëzim, e lexonte dhe komentonte. Serena u ndje e emocionuar nga rrëfimi dhe tek do të paraqeste kërkesën për t’u anëtarësuar në Vatër, do t’i kërkonte kryetarit të Vatrës, që ta lejonte që të fliste për Vatrën dhe vatranët gjatë turneve nëpër SHBA, të promovonte punën kombëtare të vatranëve prej më shumë se një shekull për Shqipëri e shqiptarizëm, për ruajtjen e traditave Kombëtare dhe forcimin e urave të miqësisë mes Kombit Amerikan dhe atij Shqiptar.

– Dua ta promovoj Vatrën, me lejen tuaj, gjatë veprimtarisë time si Miss Nju Jork-u, tha mes emocioneve Serena Buçaj.Kërkesa e Bukuroshes u prit me entusiazëm nga vatranët. Serena, nga 21 Shkurti 2016 është vatrane, duke premtuar se do të ecë në gjurmët e gjyshit.(Për më shumë lexoni specialen në Diellin e printuar)

* I shihni ne facebook(dalip greca)

Filed Under: Vatra Tagged With: Miss New York USA 20166, SERENA BUÇAJ, Vatra

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT