• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

… Prandaj duhen hapur Dosjet, që të zbardhet e vërteta!

July 7, 2016 by dgreca

Prof.Servet Pëllumbi t’ua nisë ditareve nga i vëllai Lirim Pëllumbi, i njohur në Durrës për burgosjen e të vëllait të Anton Çettës /

Nga Elida Buçpapaj/

Profesori i socialistëve Servet Pëllumbi  me rastin e 25 vjetorit të PS, ka botuar ditarin e tij politik të titulluar “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, i cili ka shkaktuar polemika tek personazhet e përmendur. Por, kur ballafaqimi është i hapur, vihen pikat mbi “i” dhe e vërteta zbardhet.

Problemi është për të vërtetat e diktaturës që i mban të fshehura pikërisht kjo klasë politike. Këto të vërteta lidhen me krimet e diktaturës dhe me personat që njihen si persekutorë dhe ekzekutorë të tyre. Hapja e Dosjeve dhe zbulimi i veprimtarisë të eksponentëve dhe spiunëve të ish-Sigurimit do të ishte rruga e duhur për pastrim të ndërgjegjes në raport me krimet e kryera, sikur kanë vepruar të gjithë vendet që kanë dalë nga regjime diktatoriale, ku Shqipëra zë vendin e parë për nga mizoritë dhe shtazëria e regjimit stalinist.

Por në vend të zbardhjes të krimeve të komunizmit, ka një përpjekje të qartë për rehabilimin e sistemit dhe figurave kriminale siç është rasti i Mehmet Shehut.

Duke u kthyer tek Profesor Servet Pëllumbi që vjen nga garda e vjetër, ish Profesor i Shkollës të Partisë nga ku dilnin kuadrot e sistemit, ai është njëri nga ata që nuk mbështet hapjen e dosjeve.

Kam parë dikund Prof. Pëllumbi thotë se “të hapësh dosjet sikur të hapësh një varr ku mungon skeleti”. Kjo logjikë e Profesorit për të mos hapur Dosjet bie ndesh me veprimet e tij që sot del e boton ditaret, fjalë goje të thëna nëpër raste specifike a veprime të bëra në rrethana të caktuara, shpesh private, shpesh biseda konfidenciale, që kanë shkaktuar reaksion negativ sepse personazhet e përmendur i konsiderojnë ato si spekulim apo lajthitje të profesorit.

Por ndërsa Profesori merret me ditarë e kujtime duke u futur në qendër të vemendjes, qytetarët e Durrësit emri i tij i lidh në mënyrë të tërthortë me plagë të hapura nga diktatura dhe nuk harrojnë rolin e zi të Lirim Pëllumbit, ish-kryetarit të Degës të Brendëshme të qytetit të Durrësit, që është vëllai i Prof.Servet Pëllumbit.

A ju kujtohet këngëtarja e shquar Alida Hisku kur doli publikisht e tha femrat i përdhunonin nëpër burgje dhe gjatë hetuesisë. Iu sulën si çakej Alidës!

Lirim Pëllumbi, shefi i Degës të Brendshme të Durrësit, kujtohet pikërisht për tmerre të tilla se si i merrte vajzat më të bukura të Durrësit dhe i përdhunonte nëpër ambjente të Currilave. Këto kujtime tmerri ka Durrësi për vëllain e Prof.Servet Pëllumbit.

Përse nuk flet Prof.Servet Pëllumbi asnjëherë për vëllain e tij. Prandaj nuk dëshiron Prof.Servet Pëllumbi që të hapen dosjet?!

Prej këtij kapitulli do të duhej që t’i niste ditarët e tij ish-Profesori i Shkollës të Partisë. Aq më tepër kur thirrja për “katharsis” ka qenë një apel i kahmotshëm i liderit historik të PS që është Fatos Nano.

Prof.Pëllumbit i takon ta hapë këtë faqe të nxirë e të fshehur e të tregojë për të vëllain, sidomos sepse në Durrës Lirim Pëllumbi njihet si figura që në fund të viteve ’70 ka arrestuar dhe burgosur kardiologun e njohur të qytetit Beniamin Çetta, vëllain e të madhit Anton Çetta, i njohur në Durrës si Dr.Beni.

Dr.Beni gëzonte reputacion të madh në qytetin e Durrësit, e donte gjithë qyteti sepse ishte i zoti, i përkushtuar dhe i pakursyer. Për fatin e tij të keq Dr.Ben Çetta kishte rënë në dashuri me një vajzë durrsake shumë të bukur. Të dy duheshin pa masë e ndofta do të krijonin edhe familje e do të bënin edhe fëmijë. Por Sigurimi nuk i la. Pak a shumë i njëjti skenar si në filmin gjerman që ka fituar Oscar “Das Leben der Anderen”- “Jeta e të tjerëve”. Ëndërra e tyre u kthye në dramë. Sepse kryetarit të Degës të Brendshme të Durrësit Lirim Pëllumbit i ra në sy e dashura e Dr.Benit dhe sipas stilit të njohur kërkonte ta kthente në një viktimë të tij të rradhës.

Vajza nuk pranoi sepse ishte e dashuruar me Dr.Benin, atëhere Lirim Pëllumbi thirri hetuesin dhe e detyroi që ta arrestonin Dr. Ben Çettën me akuzën për agjitacion dhe propagandë, sepse në vitin 1965 Dr.Beni paskish thënë se, për t’iu shkuar sa më shpejt në ndihmë pacientëve me probleme kardiake duhen makina, pasi me biçikleta nuk arrihet të jepet ndihma e nevojshme. Dhe kjo fjalë goje e shqiptuar vite më parë, që ishte vetëm një vërejtje në të mirë të pacientëve, nga pozita të një profesionisti,  iu kthye në provë krimi dhe Dr.Ben Çettën e arrestuan dhe e burgosën. Dr. Ben Çetta ishte vëllai i të madhit Anton Çettës, shkrimtarit, profesorit të letërsisë dhe patriotit shqiptar, i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë. Dr.Ben Çetta ishte kopje e vëllait, por në fushë tjetër. Prandaj Durrësi nuk e harron kurrë, nuk ia harron edhe vuajtjet, edhe arrestimin, edhe burgosjen e një njeriu të pafajshëm të burgosur nga një kriminel si Lirim Pëllumbi.

Dr.Ben Çetta doli nga burgu vetëm pas rrëzimit të diktaturës. Paçka se qyteti e mban në zemër kujtimin e tij, për të nuk kujtohet kush, as PD e qytetit, as PD në Tiranë. As ata që shesin dekorata. Ata merren vetëm me llogaritje për marrje pushteti ndërsa plagët e shkaktuara nga diktatura i harrojnë.

Por Durrësi nuk harron, Durrësi e kujton me dashuri Dr. Ben Çettën dhe me neveri Lirim Pëllumbin.

Dhe kur Prof.Servet Pëllumbi hap e kujton ditarët e partisë, Durrësi i thotë, Ok hapi ato ditarë sepse personazhet e tyre janë gjallë e të japin vetë përgjigje, por nise së pari nga Lirim Pëllumbi dhe kërkoi ndjesë qytetit për bëmat e tyt vëllai, kërkoi ndjesë familjes Çetta. Sepse të paktën këtë e ke për borxh.

Prandaj duhen hapur Dosjet, që të zbardhet e vërteta!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, servet Pellumbi, te Anton Cetes, vellai Lirim Pellumbi

AMANETI I ÇUAR NË VEND!

October 15, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Javën e kaluar, Z. Servet Pëllumbi, një ish-funksionar i lartë i Partisë Socialiste të Shqipërisë, në një intervistë televizive zbardhi mëtej dokumentin e Ramiz Alisë, të bazuar në platformën e Mikhail Gorbaçovit, të ashtuquajturën “Katovice” duke rrëfyer vendimin e ish-diktatorit komunist të Shqipërisë për të zbatuar vendimin sekret të Byrosë politike të Shqipërisë, në lidhje me këtë platformë.   Në Shqipëri gjithnjë duket si tabu përmendja e këtij këtij dokumenti, dhe si rrjedhim tërheq vëmendje e interesim sado herë që përmendet.  Është i rëndësishëm fakti që Z. Servet Pëllumbi, i cili ka qenë pjesmarrës dhe është në dijeni të plotë të ngjarjeve të 20 e sa viteve të jetës politike në Shqipëri, flet për këtë fenomen të rëndësishëm të historisë moderne shqiptare.   Deklaratat e tija kanë peshë dhe janë një kontribut në diksursin politik për zbardhjen e së vërtetës së historisë moderne të vendit.  Platforma “Katovice”,  në të vërtetë, ishte sajuar nga ish-udhëheqsit sovjetik Mikhail Gorbaçev.  Duke parë se komunizmi si ideologji dhe sistem qeveritar kishte dështuar anë e mbanë ish perandorisë sovjetike, ai në vitin 1987, mblodhi ish-udhëheqsit e partive komuniste në Katowice të Polonisë për tu paraqitur atyre platformën e kalimit nga komunizmi në “demokraci’’.

Megjithëse Partia e Punës e Ramiz Alisë nuk kishte marrë pjesë në mbledhjen e Katowicës, pasi e konsideronte veten gjithnjë si shpëtimtarja e fundit e marksizëm-leninizmit në botë, Zoti Pëllumbi thotë se megjithëkëtë platforma “Katowice” i kishte ardhur Ramiz Alisë nga Gorbaçovi dhe sipas tij, diktatori komunist shqiptar e zbatoi atë me përpikmëri — në mendimin tim më me përpikmëri se në çdo vend tjetër komunist të Europës.  Zoti Pëllumbi drejton gishtin ke Ramiz Alia, si njeriu i cili në bazë të plaformës “Katowice”, megjithëse në prapaskenë,   luajti një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit edhe pas vitit 1990 duke caktuar udhëheqsit e partive politike, si dhe reformat që duhen bërë në fushën ekonomike dhe politike të vendit.  Për mua elementi më i rëndësishëm në këtë platformë është amaneti i Ramizë Alisë se si të trajtohen (ose jo) ish-të përndjekurit politikë.   Pyetjes së gazetarit në televizionin “Channel One”,  nëse Ramiz Alia kishte gisht në zbatimin e platformës “Katovice” në Shqipëri, ish-udhëheqsi socialist, Z. Servet Pëllumbi, ndër të tjera tha këto:  “Unë i jam përmbajtur gjithmonë tezës që Ramiz Alia ka qenë çelësi i të gjitha situatave që janë zhvilluar në Shqipëri.  Ramiz Alia ka qenë në dijeni edhe për strategjinë e Katovicës së ‘87.   Madje, në një pritje, në prezencë të ish-presidentit Moisiu e kam pyetur: “Të ka dërguar Gorbaçovi një material për Katovicën?”, sepse Ramiz Alia ka qenë në një periudhë me Gorbaçovin në shkollën e partisë.  Më tha se erdhën disa materiale në atë kohë, por asgjë konkrete.  Ai e mohonte të ketë pasur informacione për Katovicën dhe për materialin përkatës.  Por, në të vërtetë ai ka qenë në dijeni të plotë dhe ka vepruar në përputhje me atë strategji.  Dokumenti që po ju tregoj është një facsimile e një skeleti të fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike”, tha ai në intervistën televizive për “Channel One”.

Në përgjigje të gazetarit, nëse ka ndonjë pikë referimi ndaj këtij dokumenti, Zoti Pëllumbi tha se dokumenti është lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike të Partisë në vitin 1989,  nga i cili ai lexoi në ekran pjesët më thelbësore të dokumentit, bazuar në materialet e Gorbaçovit ku sipas tij, thuhet:   “Socializmi ka dështuar. Cila do të jetë strategjia jonë për kalimin në demokraci?”  Ndër të tjera thotë: “Do të nxisim të krijojmë parti sa të duam, gjithsesi këto parti duhet kontrolluar nga ne”.  Dhe kështu u bë.  Vijon Ramizi: “Në krye të tyre duhet të vendosen njerëz që të përkrahin strategjinë. Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin me themel e me çati, në mënyrë që të fitojë simpatinë e perëndimorëve”.  Momenti i dytë është ai i të përndjekurve politikë: “Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin, sepse ata sapo të marrin fuqinë do të hakmerren. Ne nuk mund të bëhemi hyzmeqarë të tyre”.  Problemi i tretë, lidhet me pronat: “Të shpronësuarve do t’u japim letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’ua japim. Pasurinë e kemi krijuar ne dhe na takon ne”. Dhe  më në fund, sipas Z. Servet Pëllumbi, Ramiz Alia ka thënë se sipas kësaj strategjie,  “brenda dy tre legjilstaurave do kemi ish-klasën komuniste në klasë kapitaliste”.

Megjithëse kam besim tek deklarata e Z. Servet Pëllumbi, është shumë vështirë të zbulohet e vërteta mbi zbatimin e këtij dokumenti, siç është vështirë të zbulohet e vërteta për shumë gjëra të historisë komuniste dhe post-komuniste të Shqipërisë.  U mbetet  historianëve të paanshëm që më në fund të  hedhin dritë mbi këtë fenomen dhe të tjerë të kësaj natyre.  Por një gjë është e qartë.  Nëqoftse Ramiz Alia kishte gisht në vendosjen e udhëheqsve të     Shqipërisë post-komuniste dhe në krijimin e partive politike, historia e 20-viteve të fundit tregon se amaneti i ish-udhëheqsit komunist shqiptar – në bazë të platformës “Katovice” — është zbatuar si një skenar i ndjekur me përkushtim,pa ndryshuar pikë as presje.  Mund të ketë qenë këjo një koincidencë, ose mund të ketë qenë një aksident historik, që gjërat në Shqipëri të kenë rrjedhur pothuaj përpikëmërisht në përputhje me strategjinë e platformës “Katovice”.

Në vizitën e parë në Shqipëri në Mars/Prill të vitit 1991,  me delegacionin e parë zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit, ishim dëshmitarë të një vendi të shkatërruar shpirtërisht dhe ekonomikisht, por njëherazi u gjëndëm edhe përball një populli plotë pritje, i cili ëndërronte për një të ardhme më të mirë, për një jetë të lirë dhe në drejtësi.  Shqiptarët dëshironin integrimin me Perëndimin, rivendosjen e pronës private, të demokracisë, të zbatimit të ligjit. Dëshironon lirinë e shtypit, gjykata të pavarura dhe privatizim.  Por sot pas 20 e sa vjetësh, megjithë dukjet dhe retorikën demokratike, Shqipërisë fatkeqsisht i mungon substanca e vlerave të vërteta demokratike dhe është kaplluar nga një kulturë politike e rrënjosur në mos besim dhe mungesë tolerance ndaj kundërshtarit politik, që e ka lënë vendin pas në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste.

Sipas Z. Servet Pllumbi, në skeletin e programit të Ramiz Alisë thuhet se “Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin”, një amanet ky që është mbajtur, pasi jo vetëm që ata nuk kishin asnjë mundësi që të merrnin pushtetin, por ata u anashkaluan dhe as nuk u pranuan si pjesë e qeverive të 20-viteve të fundit.  Është e mundur që asnjë përson nga rradhët e të ish-përndjekurve dhe të dënuarve politikë dhe as nga bijtë e bijat e tyre të kësaj shtrese të shoqërisë së vuajtur shqiptare të ketë pasur përgatitjet dhe kualifikimet e duhura për ndonjë  detyrë me rëndësi në qeveritë socialiste dhe demokratike të  20-viteve të fundit?  Kombi shqiptar do të përparojë vetëm atëherë kur të gjithë trajtohen dhe gëzojnë të drejta të barabarta. Vetëm atëherë kur nuk bëhen përjashtime, por kur të inkurajohet pjesëmarrja dhe përdorimi i talentit  dhe potencialit të plotë të çdo personi pa marrë parasyshë të kaluarën familjare ose  bindjet politike të tij. Kombi do të përfitojë dhe të shkojë përpara vetëm atëherë  kur të tërheq talentet më të mira nga të gjitha shtresat e shoqërisë – pa ndonjë barometër politik – me qëllim realizimin e ëndërrave të shqiptarëve të para 20-viteve dhe vetëm në këtë mënyrë Shqipëria dhe Shqiptarët do të jenë në gjëndje të përballojnë sfidat e mëdha tani dhe në të ardhëshmen. A është e drejtë që bijtë dhe bijat e të përndjekurve të mos përfshihen në qeverisjen e Shqipërisë demokratike? Fatkeqsisht praktikat e qeverive të 20-vietve të fundit, më shumë kanë  ndarë e përçarë se sa kanë bashkuar e pajtuar.

Trashëgimia komuniste nuk mund të zhduket lehtë, megjithëse kanë kaluar më shumë se dy dekada ç’prej rënjes së komunizmit zyrtar. Këjo trashëgimi është pjesë përbërse e individëve, e grupeve dhe klasave shoqërore shqiptare dhe si e tillë, këjo trashëgimi fatkeqsisht është vendosëse për fatin e shqiptarëve tani dhe në të ardhmen.  Sidomos në Shqipëri, përballimi me të kaluarën duket se është tepër i vështirë — mos i pamundur — pikërisht për ndasitë e mëdha që kanë ekzistuar dhe që  ekzistojnë midis viktimave dhe  atyre që në emër të regjimit komunist dhunuan dhe shkelën të drejtat njerëzore të këtyre viktimave, vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me atë regjim.  Shoqëria shqiptare ka nevojë për krijimin e një hapsire të lirë publike ku qytetarët mund të debatojnë të pa penguar dhe pa ndërhyrje mbi çështjet e rëndësishme për fatin e tyre.  Martin Luter Kingu ka thënë se, “Jeta jonë fillon të marrë fund, pikërisht në ditën kur ne heshtim për gjërat e rëndësishme.

Z. Servet Pëllumbi hapi një debat për një gjë shumë të rëndësishme të historisë shqiptare të 20-viteve të fundit.  Dhe në një seminar të organizuar ditët e fundit nga Ambasada e Polonisë në Tiranë mbi standardet e të drejtave të njeriut dhe bashkpunimin me shoqërinë civile, Avokati i Popullit i Shqipërisë, Igli Totozani theksoi se mbrojtja e  të drejtave të njeriut  është problemi kryesor politik dhe ekonomik që pnegon zhvillimin normal të vendit duke thënë se “familja europiane, ku dëshirojmë të rikthehemi pas një mungese të gjatë dhe ku aspirojmë të jemi të barabartë mes të barabartëve, kërkon ndërgjegjësim të madh të shoqërisë, promovimin e një barazie, tolerancë dhe gjithpërfshirje më të madhe se ai me të cilin është mësuar shoqëria tradicionale shqiptare”.

Si e sheh Shqipëria të ardhmen e saj gjatë 20-viteve të ardhëshme? Cilat janë vlerat dhe objektivat mbi të cilat do të ndërtohet këjo e ardhëme.  A do të jenë gjithëpërfshirëse a po do të vazhdojnë të jenë përjashtuese?  Pa vlera dhe pa ideale të përbashkëta dhe pa të drejta të barbarta për të gjithë, përfshirë dhe ish-të përndjekurit dhe të dënuarit politikë, por sidomos bijtë dhe bijat e tyre, të cilët janë në moshën për të kontribuar — dhe pa marrë parasyshë amanetin e Ramiz Alisë —  duhet të kenë të drejtën e konkurencës që t’i shërbejnë Atdheut në çdo kapacitet dhe detyrë për të cilën kanë kualifikimet e nevojshme.  Për ndryshe, Shqipëria do të vazhdojë të çalojë drejtë përparimit, zhvillimit dhe integrimit europian për të cilin ka aq shumë nevojë.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Gorbacovi, servet Pellumbi

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT