Kosovë-Shtypi 16 janar 2017 për zhvillimet e fundit/
SHBA-ja respekton të drejtën e Kosovës për ndërhyrje në veri/
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përkrahur veprimin e institucioneve të Kosovës për t’i dërguar forcat speciale policore në pikën kufitare në veri, për ta parandaluar futjen e trenit ilegal serb.
Zëdhënësja e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, J. Michelle Schohn, ka thënë për “Kohën Ditore” se e respektojnë të drejtën e Kosovës që të menaxhojë kufijtë e vet.
“SHBA-ja ka njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur që nga viti 2008 dhe ne e respektojmë të drejtën e Kosovës që të menaxhojë se kush dhe çka kalon nëpër kufijtë e saj. Na vjen mirë që mbrëmë nuk kishte konfrontime në kufi”, ka thënë Schohn.
Ajo më tej ka shtuar se SHBA-ja përkrah fuqishëm dialogun e moderuar nga BE-ja “si mënyrën më të mirë për të ecur përpara në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”.
Së fundi janë rritur zërat që thonë se obstruksionet e Serbisë vijnë pas ndryshimeve në administratën e SHBA-së, ku serbët llogarisin në përkrahjen e presidentit të ri amerikan, Donald Trump. E pyetur për mundësinë e ndryshimit të kursit amerikan në raport me Kosovën, me ardhjen e Trumpit, zëdhënësja e Ambasadës amerikane në Prishtinë ka përmendur vazhdimësinë e politikës amerikane në Ballkan.
“Politika e SHBA-së lidhur me Ballkanin në dy dekadat e fundit ka qenë relativisht konsistente pa marrë parasysh se cila parti ka qenë në Shtëpinë e Bardhë. Nuk kemi parë asnjë indikacion se kjo do të ndryshojë”, ka thënë Schohn.
KFOR-i, i gatshëm për intervenim
Zëdhënësi i KFOR-it, nënkoloneli Max Barbacini,në një prononcim për gazetën “Zëri”, u ka bërë thirrje palës serbe dhe asaj kosovare për vetëpërmbajtje dhe të angazhohen për dialog. Megjithatë, sipas tij, KFOR-i është i gatshëm për çfarëdo situate, e cila ka nevojë për intervenimin e tyre
Tentimi që treni i nisur nga Beogradi me mbishkrimet “Kosova është Serbi”, të hyjë në Kosovë, ka kaluar të gjitha kufijtë e “normalitetit” të provokimeve të deritashme nga ana e Serbisë. Ky rast, nga ekspertët e sigurisë në vend, po shihet si “luftënxitëse”, dhe që ka cenuar situatën e sigurisë në Kosovë. Madje, sipas tyre, në pikëpyetje është edhe vetë stabiliteti rajonal, transmeton zeri.info. Megjithatë, sipas Policisë së Kosovës, nuk ka vend për shqetësime në nivel shtetëror për gjendjen e sigurisë. Ata vlerësojnë se situata është e qetë dhe e “brishtë” në pjesën veriore të Mitrovicës. Për këtë arsye edhe kanë ngritur në dispozicion të gjitha kapacitetet që kanë. E presidenti serb, Tomislav Nikoliç, dje ka mbledhur edhe Këshillin e Sigurisë Nacionale, pas së cilës ka thënë se Serbia është e gatshme të nisë edhe ushtrinë në Kosovë, nëse rrezikohen jetët e serbëve.
E rreth krejt kësaj situate reaguesi i tretë për sigurinë në vend, KFOR-i, në një prononcim për gazetën “Zëri”, u kanë bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të angazhohen në dialog, duke shtuar se ata do të jenë të gatshëm për çfarëdo lloj situate që paraqitet në terren.
Qehaja: Serbia synon aneksimin e veriut
Ramadan Qehaja vlerëson se planet e mirëpërgatitura të Serbisë janë në funksion të arritjes së qëllimeve që kanë të bëjnë me aneksimin e veriut të Kosovës me mjete dhe metoda të kombinuara konvencionale e jokonvencionale
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, që është ftuar dje nga presidenti Tomislav Nikolliq, i janë dhënë detyra konkrete çdo subjekti. Toni i tyre kërcënues ngërthen në vete planet e mirëpërgatitura në funksion të arritjes së qëllimeve që kanë të bëjnë me aneksimin e veriut të Kosovës me mjete dhe metoda të kombinuara konvencionale e jokonvencionale. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ish-gjeneralmajori në Armatën Jugosllave, tanimë të shpërbërë, Ramadan Qehaja, duke shtuar se tashmë pritet të ketë edhe intensifikim detyrash dhe pranisë së agjentëve të shërbimit inteligjent civil e ushtarak serb, jo vetëm në atë pjesë të territorit, por në tërë territorin e Kosovës.
Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, i rekomandon institucioneve të Kosovës që të sigurojnë gatishmërinë vepruese të Policisë së Kosovës në funksion të dekonspirimit dhe reagimit ndaj pretendimeve të cekura më lart. “Kjo punë duhet bërë në koordinim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI)”, shprehet ai.
Po ashtu, sipas tij, është më se urgjente që Policia e Kosovës të furnizohet tutje me mjete të blinduara, armë të gjata krahu dhe pajisje tjera personale. Ndërsa, njësitet speciale, sipas tij, duhet urgjentisht të pajisen me helikopterë për bartjen e njësiteve në pika të caktuara dhe të zgjerohen numerikisht konform nevojave. “Zhvillimi i këtyre njësiteve duhet bërë si një proces e jo veprime ad-hoc, duke menduar në intensifikimin e tyre që tani”, shprehet Qehaja.