–Kosovë-SHBA, Hoxhaj dhe Palmer diskutojnë dhe koordinojnë aktivitetet e përbashkëta për këtë vit/
Në vazhdim të vizitës sot në Prishtinë, në takim me kryeministrin Isa Mustafa, drejtori i Zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve, Matthew Palmer, vlerësoi të arriturat në Kosovë, si dhe përkushtimin e Kosovës për avancimin e axhendës integruese dhe zhvillimore.
Palmer, po ashtu, shprehu përkrahjen e mëtutjeshme të SHBA-ve për Kosovën dhe për rajonin, thekson njoftimi dërguar nga Kryeministria.Gjatë takimit, është biseduar gjerësisht për proceset në Kosovë si dhe bashkëpunimin e mëtejme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Kryeministri Mustafa e njoftoi Palmer për progresin e shumanshëm në Kosovë, për zhvillim ekonomik, avancimin e proceseve euroatlantike si dhe fuqizimin e shtetësisë e të subjektivitetit ndërkombëtar.Duke e falënderuar për përkrahjen e pazëvendësueshme të SHBA-ve, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për thellimin e partneritetit strategjik me SHBA-në.Gjatë takimit, u bisedua edhe për proceset tjera duke veçuar rëndësinë e adresimit të çështjes së ratifikimit të marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, si dhe çështjet tjera të rëndësishme për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, siç janë transformimi i FSK-së, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vazhdimi i dialogut evropian për normalizimin e raporteve ndërshtetërore me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura.
Kosovë-SHBA, Hoxhaj dhe Palmer diskutojnë dhe koordinojnë aktivitetet e përbashkëta për këtë vit/
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur sot në takim drejtorin e Zyrës për Evropën Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Metthew Palmer, ku diskutuan koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta për vitin 2017.
Në vizitën në Prishtinë, edhe në këtë takim, Palmer ka deklaruar se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës dhe Ballkanit është i pandryshueshëm.
Njoftimi i dërguar thekson se, ministri Hoxhaj ka falënderuar Palmer për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, duke vënë në pah raportet e shkëlqyera ndërshtetërore mes dy vendeve.
Gjatë këtij takimi palët diskutuan për koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në politikën e jashtme për këtë vit, jo vetëm në aspektin bilateral por edhe në atë multilateral, duke përfshirë dhe organizatat ndërkombëtare dhe procese të tjera me rëndësi për Kosovën.
“Biseduam për koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në politikën e jashtme për këtë vit. Bashkëpunimi ynë tashmë nuk do të jetë vetëm bilateral por do të zgjerohemi edhe në planin multilateral, organizata ndërkombëtare dhe shumë procese të tjera të rëndësishme për Kosovën, ku do të ketë përfshirje më të madhe të departamentit amerikan të shtetit”, tha Hoxhaj.