Vazhdon vapa, reshjet e shiut “harrojnë” Durrësin tonë/
Durrësi është mbërthyer si asnjë herë tjetër në darën e vapës.
Që prej një muaji temperaturat ditore shënojnë mbi 34 gradë celsius, ndërsa reshjet e shiut e “kanë harruar” prej kohësh qytetin bregdetar. Javën e kaluar shira të rrëmbyeshëm prekën një pjesë të qyteteve tona kryesore, madje reshje shiu u regjistruan të shtunën edhe në zonën e Sukth-Maminas, vetëm 11 km larg Durrësit. Meteorologët parashikojnë ndryshimin e kushteve të motit vetëm në fundjavë, megjithëse duhet pranuar se vapa dhe zagushia kanë krijuar probleme edhe në saktësinë e këtyre parashikimeve. Po lus zotin të hedhë një pikë shi në Durrës.
SH.K.
Fundi i një “iriqi” deti në afërsi të Sazanit
Shkruan:Shefqet Kërcelli/
Hapësira ujore detare në vendin tonë historikisht ka qenë një teatër lufte midis fuqive të ndryshme. Rezultat i këtyre betejave, përplasjeve dhe lundrimeve të shumta janë dhe minat detare, silurat apo lloje të tjera të municioneve luftarake të gjetura ndër vite nga anije të Forcës Detare, të peshkimit dhe nonjë rast dhe tregëtare. Sidoqë janë bërë mjaft operacione për pastrimin e këtyre “iriqëve” të detit, është e pamundur që ti pastrosh atë përfundimisht. Rrymat e detit, relievi i thyer i fundit të tij, gjallesat dhe bimësia nënujore, krijojnë kushte për strehimin e tyre dhe vështirësi në zbulimin dhe asgjësimin e municioneve detare. Rasti më i fundit ishte zbulimi dhe asgjësimi i një koke silure disa metra larg bregut në perëndim të ishullit tonë historiko-ushtarak, që tashmë po e kthejmë dhe në turistik. Ishte një mbetje e Luftës së II-të Botërore. Në grykën e Otrantos dhe hapësirat përreth nëndetset kanë vepruar që në Luftën e I-rë Botërore. Zhytësit tanë të QZH, Pashaliman kryen disa zhytje për përcaktimin e saktë të vendndodhjes të këtij “iriqi” dhe mënyrën e asgjësimit të tij. Ishte një operacion me vlera të shumëanshme civilo-ushtarake që kërkontë ndërthurjen e disa masave por dhe pjesmarrjen e specialistëve nga disa reparte të FA. Mbi këtë bazë Shefi i Shtabi të Përgjithshëm të FA nxori një urdhër të vecantë për asgjësimin e këtij “iriqi” të rrezikshëm, me rrezik potencial, që ishte ngurosur në thellësi të vogla afër bregut. Natyrisht këto lloj operacionesh kërkojnë njerëz të specializuar, mjete dhe masa të forta sigurie. Me një proces të përshpejtuar nën drejtimin e Zv/komandantit, Kapiten i Rangut të II-të Engjëll Sinanaj dhe stafit të Flotiljes u morën masat e nevojshme për crrënjosjen nga fundi i detit të këtij “iriqi”. Në një kohë rekord u lajmëruan të gjitha institucionet shtetërore dhe private të Vlorës për zhvillimin e këtij operacioni dhe ndërprerjen e lëvizjeve të mjeteve detare në këtë rajon, gjatë zhvillimit të operacionit. Një operacion në dukje i thjeshtë kërkoi bashkërendimin ndërinstitucional civil por dhe midis disa reparteve të FA, Forcës Detare, Policisë Ushtarake, KML dhe grupit mësimor të EOD në Qëndrën e parë Stërvitore të ngritur për këtë qëllim në rang FA me ndihmën e ODS.
“Butrinti” në krye të operacionit
Më ka qëlluar shpesh të jem pranë ekuipazhit të mrekullueshëm të anijes më të re të Forcës Detare, aq sa tashmë e ndjej veten si pjesëtar i saj. Madje dhe kushtet ku jetojnë këta detarë janë më komode se godinat e garnizonit. Ekuipazhi i anijes sapo përfundoi një stërvitje në det dhe shkoi të pushojë. Me shërbim atë natë ishte një nga detarët më të vjetër, Kapter Mehmet Xhelilaj. Mehmeti e ka në gjak disiplinën dhe profesionin e ushtarakut. Ai e ka filluar karrierën në ishullin e Sazanit, ku për disa vite ka jetuar dhe me familjen. Pamvarësisht vështirësive familjare dhe kujdesit të vazhdueshëm ndaj njerës vajzë me probleme shëndetsore, Mehmeti i ka qëndruar në kokë detyrës së kryemotoristit në anije, bashkë me kolegët e tij Artan Kojani, Lulëzim Delaj, Gëzim Abazaj, Eduard Cela, Aldion Asamataj, Preng Gjergji, Sokol Hametaj, Patriot Salihila, Artan Kojanaj, Shkëlqim Devollaj, etj. Anija ka ditë që lundron dhe kryen patrullime për të siguruar pushuesit e shumtë dhe anijet turistike, kryesisht në hapësirat joniane. Vetëm tre ditë kam qenë në shtëpi këtë muaj më thotë, Kapiteni i anijes, Kap.Lt. Ermal Hila. Sezoni veror na kërkon sa në Palermo, Sazan dhe Vlorë. Këtë detyrë “Butrinti” e realizon duke kombinuar grafikun e lundrimin me anijen “Oriku”. Ato ja dorëzojnë shërbimin njëra-tjetrës në ujërat e Jonit, herë në traversë të shpellës së Haxhi Aliut, Gjirit të Gramës, të Bristanit, të Dafinës apo në Mezokanal. Oficerët janë gjithnjë në zbatim të urdhërave të Komandant Ermalit dhe Ilirit, në krye të detyrës. Fillimisht efektivi pjesmarrës në operacion u rreshtua në molin ku ishte bregëzuar anija “Butrinti”. Këtu drejtuesit e operacionit, Kapiten i Rangut të II-të Engjëll Sinanaj, Major Shkëlqim Cela i EOD dhe Kapiten Krist Katundi i Policisë Ushtarake, dhanë udhëzimet të vecanta për masat e sigurisë në zbatimin e këtij operacioni specifik. Ndërsa Komandant Ermali i kërkoi zbatimin rigoroz të masave të sigurisë në anije, pasi dhe shumica e pjesmarrësve në operacion imbarkoheshin për herë të parë në bordin e saj. Plus kësaj në anije kishte materiale që do ta shkulnin nga rrënjët iriqin e detit. Mbasi u siguruan se gjithëshka ishte në rregull, komandant Ermali urdhëroi nisjen e anijes. Menjëherë ekuipazhi zbatoi detyrat funksionale dhe “Butrinti” u c’bregëzua qetësisht nga baza e Pashalimanit. Ishte një ditë e qetë dhe anija, mbasi la fenerin hyrës të bazës cau me shpejtësi drejt rajonit të caktuar. Ndërkohë miqtë e shumtë ushtarakë në anije sodisnin pamjen që të afronte në të majtë gadishulli i Karaburunit dhe bukuritë e gjirit të Raguzës, Shën Vasilit, Shënjanit dhe përballë ishulli ynë i Sazanit. N/oficerët e Policisë Ushtarake Arjan Allmuca dhe Primo Gjuraj, pjesë e operacionit, sodisnin me kërshëri këtë kombinim magjepës det-tokë të natyrës. Kemi kryer me qindra detyra në tokë, herë e parë që i bashkohemi një operacionin në det, ndaj e quajmë veten me fat që jemi këtu sot, thonë ata. Po ndërsa “Butrinti” po i afrohej ishullit, komandat dhe thirjet në Urën e Komandimit shtoheshin nga minuta në minutë. Meraku ishte i madh, sepse lajmërimi i subjekteve ishte bërë një ditë më parë, ndërsa në gjirin e Japrakut po lëvizte një skaf, me sa duket s’dintë gjë. Por në ndjekje të tij u vu skafi i “Butrintit”. Tashmë thuajse gjithë ekuipazhi i anijes di ta drejtojë këtë skaf, dhe me sa pashë këtë punë ata e bënin me qef. Kështu skafi i “Butrintit” dhe skafi i zhytësave tanë, mbasi bënë verifikimin, kontrollin dhe pastrimin e rajonit nga këto mjete filluan transportin e personave dhe materialeve në vendin ku “iriqi” i detit kishte bërë fole.
Nga praktika mësimore në operacion real
Kështu i qëlloi 16 djemve të kursit të I-rë për asgjësimin e municioneve me eksplozivë. Por ndërsa ata në tokë kishin bërë dhjetra shpërthime, këtu në det situata është më komplekse, me plot të papritura e vështirësi. Natyrisht për këtë ata u instruktuan nga specialisti ynë Kap.Lt.Lace Hila, por dhe grupi ynë i zhytësave pjesmarrës në kurs, Kapter H. Velaj, N/tetar L.Beqaraj, N/tetar F. Sina, L.Jaupi e A.Bani. Duhesh kombinuar aftësia e zhytjes me kujdesin e vendosjes së ekspolizëve. Të parët që shkuan në vendin e caktuar ishin N/kolonel Arif Curaj, major Shkëlqim Cela dhe instruktorët e kursit, kapiten Klodiani, Vladimiri, Artani dhe kapter Xhovalini. Ata ngritën një Vendkomandë provizore në breg për asgjesimin e “iriqit”, afër një kabël larg. Më pas veterani i zhytësave kapter Sazan Pashollari dhe lejtnant Geisi Ago me skafin e tij transportoi djemtë e tjerë që u zhytën në thellësi dhe me kujdes vendosën materialin shpërthyes. Të gjithë vepronin me kujdes e maturi duke zbatuar instruksionet përkatëse. Vërtet “iriqi” ishte në thellësi disa djujm, por vendosja e materialit shpërthyes, identifikimi i kokës së silurës në fundit e detit, i hëngri kohë mjeshtrave tanë. “Iriqi” kishte mbi 70 vjet atje dhe ishte bërë një trup me shkëmbinjtë, llumin dhe bimësinë nënujore. Meraku ishte i madh, të gjithë i kishim drejtuar sytë tek vendi i “iriqit”. Pultin e shpërthimit e mbante Komandanti i kursit EOD, major Shkëqim Cela. Vetëm mbasi u siguruan 100% se rajoni ishte i pastër, gjërat ishin në vendin e duhur, njerzit kishin zenë distancën e caktuar dhe skafi i “Butrintit” kishte siguruar rajonin nga Kepi i Jugut në Gjirin e Shënkollit, atëherë “Butrinti” me kujdes doli në vendin e drejtimit të operacionit. Sekondat në këto raste janë makth. Do shpërthejë?! do asgjesohet “iriqi”, apo jo?! Por, në sytë e major Shkëlqimit shihja siguri. E pashë që qetësisht shtypi pultin dhe afër një milje para nesh u dëgjua shpërthimi dhe më pas shtëllynga e tymit në formë kërpudhe që ju mbivendos shpatit të kepit të Kalamit. Një britmë gëzimi shoqëroi shpërthimin nga djemtë me uniforma të ndryshme që qarkonin kuvertën e anijes “Butrinti”. Ju bashkova dhe unë gëzimit të ligjshëm të këtyre djemve. Njëherësh u ndjeva krenar si ishushtarak. Kemi dhe djem që ja bëjnë bam?- thashë me vete. Krijova besim në vetvete për këta djem që i ndoqa hap pas hap në gjithë dinamikën e këtij operacioni të vështirë. Ndjeva keqardhje për zërat keqdashës e dyshues të disa njerzve për aftësitë e djemve tanë, por nga ana tjetër duhen parë mundësitë e trajtimit rigoroz të tyre. Ndërsa uniformat tre llojëshe po gëzonin përfundimin me sukses të operacionit, trageti “Europianseaways” na përshëndeti me sirenë nga Mezokanali, pak më tutje një velierë përshkoi qetësisht gjirin e Japrakut duke shprehur mirënjohje për këtë veprim tonin. Ajo e sigurt mori drejtimin për në portin e Vlorës. Mbas këtij operacioni të sukseshëm, ushtarakët pjesmarrës me shpejtësi mblodhën materialet dhe u bënë gati për t’u rikthyer në bazën e Pashalimanit. Tashmë në anije kishin lindur miqësi të reja, sepse në mëngjes ata nuk e njihnin njëri-tjetrin, por në kthim degjoje biseda me zë të lartë, foto të përbashkëta, urime, shkëmbim telefonash. Kishte shumë sinqeritet e thjeshtësi midis këtyre djemve. Nuk kishte kuptim tjetër, ishte një miqësi e pagëzuar në një operacion real, në një beteje të vërtetë me “iriqët” e detit. Kemi djem të përgatitur, mjaft kapitenë e togerë, thotë një nënoficer i vjetër i EOD. Epo duhen tu hapet rruga, ja pret tjetri. Koha iku shpejt gjatë kthimit dhe në cerekun e orës anija “Butrinti” u bregëzua qetësisht në molin e Pashalimanit. Ushtarakët u kujdesën që baza materiale përsëri të cohej me masa sigurie në vendin e caktuar. Ata u përshëndetën përzëmërsisht me njëri-tjetrin dhe morën drejtimin e vendndodhjes së tyre. Kishin shënuar një ditë të vecantë në kalendarin e tyre dhe dukeshin të freskët, pa asnjë shënjë lodhje. Por “Butrintin” e priste lundrimi i radhës. Ajo po atë ditë do zvëndësonte “Orikun” në kordinatat e caktuara për të siguruar pushuesit e këtij sezoni.
Shtatë ditë më pas…
Operacioni i zhvilluar nga uniformat tona trengjyrëshe i shërbeu direkt forcimit të sigurisë në ujërat tona territoriale. I shërbeu gjithashtu komunitetit dhe turizmit në rajonin Vlorë-Sazan. Tani mjetet turistike të cdo lloji s’do keni frikë nga këta “iriqë” të rrezikshëm, sepse atyre ja tregojnë vendin djemtë tanë me uniformë. Këto veprime janë në përputhje me detyrën e misionin që kanë Forcat tona të Armatosura, por njëherësh dhe në të njëjtën valë me vendimet e qeverisë për zhvillimin e turizmit në këtë rajon. Tashmë opinioni duhet të dijë se nuk ka më as luftë frontale, as luftë partizane në det, por ka operacione që i shërbejnë paqes e sigurisë së vendit dhe rajonit…Shtatë ditë më pas “Butrinti” coi në Sazan 119 turistë të huaj e shqiptarë, duke celur dhe sezonin turistik në këtë ishull. Lundrimi për në ishull mbas shkuljes së “iriqëve” ishte i sigurt dhe normal. Dhe këtë siguri për hapjen e siparit turistik dhe promovimin e turizmit në Sazan e krijuan këta djem që ditë e natë patrullojnë ujërat tona. Jo vetëm këtu por në cdo cep të bregdetit ata janë të pranishëm me moton, prezencë, gatishmëri dhe kontroll të hapësirës sonë detare. Detyra të tilla detarët tanë kryejnë vazhdimisht, ata dinë cfarë bëjnë, duke marrë në sy rrezikun. Ata janë prologu dhe epilogu i turizmit në vendin tonë. Dhe në Ligjin për “Rojen Bregdetare”, Neni 5, pika g, thuhet se Roja Bregdetare ushtron kontroll në zbatimin e legjislacionit për lundrimin turistik, ndërkohë që ka ndihmuar e shpëtuar dhjetra veliera e jahte turistike. Mjaft njerëz fshihen e lavdërohen nga puna e djemve tanë të Rojes Bregdetare. Nuk e di, a është shkruar nonjë rresht për rolin e Rojes Bregdetare në “Ligjin e ri të Turizmit”, të miratuar këto ditë nga Kuvendi Popullor. Gjithsesi nga ai pozicioni im në kuvertën e urës së Komandimit të anijes “Butrinti” i uroj djemve të detit fat e mbarësi në përmbushjen e misionit të tyre fisnik.
Sazan, korrik 2015
Durrës, kurorëzohen Miss & Mister Turizmi 2015
Irini Tepshi dhe Reidi Shehi morën kurorën e këtij eventi të rëndësishëm/
Me spektaklin veror të bukurisë Miss & Mrs Turizmi janë mbyllur dhe ditët e turizmit 2015 në qytetin bregdetar të Durrësit.. I zhvilluar në mjediset e brendshme të universitetit “Albania College”, ky spektakël veror i bukurisë rinore, solli surpriza të shumta në 10-vjetorin e tij.
Sfilata në pasarelë e konkurentëve e ndërthurur mjaft bukur me muzikën dhe veshjet e stilizuara me motive popullore, muzika e perzgjedhur e interpretuar nga këngëtarë të njohur, grupi i valleve dhe të ftuarit e shumte i dhane spektaklit ngjyra dhe larmi të vecantë. Për kurorën e Miss dhe Mrs Turizmi konkuruan 32 vajza dhe djem nga disa qytete të Shqipërisë. Juria e përbërë nga emra dhe personalitete të shquar në fusha të ndryshme të artit, kulturës, medias, sportit etj, vlerësuan me çmime të ndryshme disa prej konkurentëve në spektakël. Ndërkohë që konkurentët pjesmarrës të kësaj gare bukurie ekspozuan veshje dhe kostume popullore të krahinës apo trevës nga vinin.Gjithashtu gjatë ditëve të turizmit në ambiente të ndyshme të sheshit qëndror Durres, galerinë e arteve “Nikolet Vasia”, etj, u ekspozuan punime të ndryshme të artit e traditës popullore shqiptare, ushqime e gatime tradicionale, qylima me motive popullore, pra një larmi ekspozimesh nga mjeshtrat e mjeshtret shqiptarë. Nata finale e miss dhe mister turizmit 2015, mbylli dhe aktivitetet e zhvilluara në kuadrin e ditëve të turizmit 2015. Në fund juria vendosi për çmimin e madh të këtij spektakli, ku Miss Turizmi u shpall Irini Tepshi, ndërkohë Mrs Turizmi u shpall Reidi Shehi. Vajza dhe djali fitues të këtij spektakli, mbajnë njëkohësisht dhe kurorën e Miss & Mrs Durrësi 2015.
Sh.Kërcelli
Shqipëri- Mbyllet stërvitja rajonale “Joint Reaction -2015”
Moren pjese:Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Qendra Koordinuese e NATO./
Nga Shefqet Kërcelli/
Në datat 21-24 korrik 2015, në vendin tonë u zhvillua stërvitja “Joint Reaction 2015”, me pjesëmarrjen e vendeve të Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qendrës Koordinuese të NATO. Gjithashtu në stërvitje morën pjesë me statusin e vëzhguesit përfaqësues nga Rumania dhe Sllovenia. Qëllimi i kësaj stërvitje është rritja dhe forcimi i bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndërinstitucional, por dhe mes vendeve të rajonit, Kartës së Adriatikut dhe SHBA për përballimin e emergjencave civile. Stërvitja ishte si një situatë reale për koordinimin dhe ndërveprimin ndërinstitucional në rastet e emergjencave civile, Me gjithë kompleksitetin dhe shkallën e vështirësisë që përmbante në vetvete ajo i shërbeu forcimin të bashkëpunimit rajonal dhe si një platformë mbi të cilën mund të ndërtohen plane konkrete bashkëpunimi në të ardhmen, u shpreh edhe major Anton Gachev, pjesëmarrës nga Bullgaria; “Stërvitja i përmbushi në mënyrë absolute objektivat e vendosura dhe kjo stërvitje shërben si një bazë për të zhvilluar dhe përmirësuar planet, procedurat standarde si dhe përfshirjen e ndihmës ndërkombëtare gjatë operacioneve të emergjencave civile”- ky mendim reflektonte njëherazi mendimin e shumicës së pjesëmarrësve në stërvitje. Një tjetër aspekt i rëndësishëm ishte edhe përfshirja e strukturave të Forcave të Armatosura dhe roli i tyre mbështetës në Planin Kombëtar të Emergjencave Civile. Sic theksoi major Radu Curic, përfaqësues nga Mali i Zi, “Në shumicën e vendeve, Forcat e Armatosura lujanë një rol mbështetës në operacionet e emergjencave civile, megjithatë ky rol është shumë i rëndësishëm dhe kyc. Gjatë përmbytjeve në Malin e Zi, roli i Forcave të Armatosura ka qënë esencial”, theksoi major Curic. Në ditën e vizitorëve të shquar, DWD, që u zhvillua në Ministrinë e Mbrojtjes, morën pjesë zëvendëskryeministri z. Niko Peleshi, ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, ministri i Brendshëm z. Saimir Tahiri, ambasadori i SHBA në Tiranë z. Donald Lu, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, përfaqësues të pushtetit vendor, ambasadorë dhe atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues nga dikastere dhe institucione të tjera që marrin pjesë në këtë stërvitje etj. Ministrja e Mbrojtjes Kodheli në fjalën e saj nënvizoi se, këto lloj stërvitjesh tashmë reflektojnë qasjen e përbashkët për të angazhuar kapacitetet tona ushtarake dhe rritur ndërveprueshmërinë e tyre, për të adresuar së bashku rreziqet dhe kërcënimet me të cilat mund të përballemi. Ministrja Kodheli vlerësoi ndihmën e dhënë nga partnerët tanë për këtë stërvitje, sidomos të SHBA dhe, siç tha ajo, “’Joint Reaction – 2015′ dëshmon rolin politik dhe ushtarak të SHBA në shërbim të sigurisë tonë dhe sigurisë e paqes në rajon”.
Gjithashtu stërvitjen “Joint Reaction – 2015” e përshëndeti zëvendëskryeministri z. Niko Peleshi dhe ministri i Brendshëm z.Saimir Tahiri, të cilët vlerësuan rëndësinë e kësaj stërvitjeje të përbashkët shumëkombëshe për çështjet e emergjencave civile, si dhe falënderuan të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe kontributin e tyre për realizimin me sukses të kësaj veprimtarie stërvitore shumë të rëndësishme jo vetëm për vendin tonë, por edhe për të gjithë rajonin.
Ligji i Arsimit të Lartë,pozitë–opozitë takohen në Gjykatën Kushtetuese
Nga Shefqet Kërcelli/
Në Shqipëri vazhdojnë debatet për ligjin e ri për Arsimin e Lartë i cili miratua pas mesnatës së datës 21 korrik me votat e shumicës së majtë. Kryetari i opozitës Lulzim Basha paralajmëroi dje një aksion për të penguar hyrjn e tij në fuqi, që nga ndërhyrja pranë presidentit deri të ankimimi në Gjykatën kushtetuese. Por nga ana e tij kryeministri Edi Rama tha se ligji përfaqëson një reformë revolucionarizuese të sistemit të lartë arsimor në vend. Seanca maratonë e datës 21 korrik në parlament dhe debatet e zjarrta mes shumicës dhe opozitës, nuk kanë mjaftuar për të zbutur zhurmën e madhe që ka shkaktuar ligji për arsimin e lartë. Përkundrazi. Edhe në ditët në vijim po vazhdojnë replikat në distancë mes palëve. Ja si u shprehën liderët e dy forcave kryesore politke në vend për këtë ligj të rëndësishëm.
Rama: Ligji garanton konkurrencën dhe nuk përjashton askënd.
Kryeministri Edi Rama mbrojti ligjin e arsimit të lartë, të kaluar ditën e martë në seancën e posaçme të Kuvendit, duke deklaruar se ligji garanton konkurrencën dhe nuk përjashton asnjë nga e drejta e arsimimit. “Produkti është shumë i mirë dhe është për të ardhur keq kundërshtia që bëhet në emër të të varfërve, duke spekuluar në mënyrën më të padenjë dhe duke gënjyer në mëyrën më të papranueshme. Ligji garanton konkurrencë dhe që asnjë i ri apo e re, që ka dëshirë të ndjekë universitetin dhe që e meriton, të mos pengohet nga varfëria në familje, sepse është shteti që do të mbështesë të gjithë fëmijët e shtresës së varfër për të kryer me sukses përfundimet ku ata dëshirojnë”, tha Rama. Ligji mbështete financiarisht jo vetëm këtë shtresë, por edhe studentët e shkëlqyer dhe ata që zgjedhin programet e përcaktuara si prioritet kombëtar.
“Ky është një ligj që hap rrugën për të sjellë Shqipërinë në kohën e re europiane pas 20 e ca vitesh korrupsion dhe privilegjesh për një kastë që është financuar nga buxheti i shtetit dhe nuk ka kthyer mbrapsht investimin e marrë”, deklaroi kryeministri. Rama ripërsëriti se financimi shtetëror shkon i gjithë për të mirën publike, për rritjen e konkurrencës dhe cilësisë. Basha: Në Kushtetuese ligjin e arsimit të lartë. Rama-Meta, shkatërruan autonominë
Partia Demokratike paralajmëoi kundërshtimin deri në Gjykatën Kushtetuese të ligjit për arsimin e lartë, të miratuar ditën e martë nga mazhoranca.
“Ne do të marrim një aksion të gjerë informimi dhe ndërgjegjësimi të çdokujt, sesi hidhen në kosh të plehrave përpjekjet e mijëra gjimnazistëve? Si goditen të zotët, të aftët? Si stimulohen të paaftët? Çfarë do të thotë kjo për studentët? Një fushatë ndërgjegjësuese që nis sot e do të vazhdojë. Së dyti Partia Demokratike do të ndërmarrë një aksion masiv institucional, që nga Presidenti e deri tek Gjykata Kushtetuese, ku opozita do të jetë në krah të studentëve dhe pedagogëve që kanë të drejtë”, tha Basha. Për opozitën është akoma më e qartë se ligji u shërben interesave të një pakice njerëzish. “Me vendimin e djeshëm është hapur një betejë e madhe me njërën anë qeverinë dhe pakicën klienteliste korruptive, interesat e të cilës u shpërblyen dje, dhe nga ana tjetër të gjithë shqiptarët, që nga fëmijët e deri tek prindërit e gjyshërit”, u shpreh kreu i opozitës. Basha ironizoi duke thënë se ligji i arsimit të lartë është votuar nga deputetë pa diplomë, me diploma të rreme dhe me rekorde kriminale. Basha përsëriti qëndrimin e shprehur edhe në seancë plenare nga deputetët e opozitës, kur thanë se ligji do të rrisë kostot dhe tarifat duke u hequr të drejtën e arsimimit shtresave të varfra. Por jo vetëm kaq. Sipas Bashës, ligji shkatërron cilësinë përmes shkatërrimit të autonomisë me një qëllim të vetëm; vënien nën kontroll të pedagogëve. “Me këtë vendim, Rama-Meta kërkojnë të përdorin si marioneta pedagogët, në shtesa të pushtetit në vend të zërit të pavarur dhe të përvojës akademike shkencore që janë dhe duhet të jenë”, deklaroi Basha.
Ligji i ri, i cili është kundërshtuar dhe nga një pjesë e pedagogëve dhe studentëve, do të nisë nga zbatimi vitin e ardhshëm akademik, në mënyrë që gjatë këtij harku kohor të përgatiten dhe të gjitha aktet e tjera nënligjore.
- « Previous Page
- 1
- …
- 33
- 34
- 35
- 36
- 37
- …
- 44
- Next Page »