Shtëpia e Bardhë i konsideron ekstremizmin e dhunshëm dhe agresionin rus, si dy nga sfidat kryesore ndaj sigurisë kombëtare amerikane. Përballja me këto kërcënime është një përparësi për Shtetet e Bashkuara edhe në rajonin e Ballkanit, ku përpjekjet për të ushtruar ndikim si nga Rusia, ashtu edhe nga islamistët radikalë, takohen në një pikë. Paqëndrueshmëria politike, tensionet e mbetura etnike dhe dobësia ekonomike i bëjnë këto vende veçanërisht të ekspozuara. Popullsitë me numër të madh myslimanësh nga njëra anë dhe lidhjet historike dhe fetare me Rusinë nga ana tjetër, i bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor, më të prekshme nga këto ndikime. Frank Wisner, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara dhe ish-i dërguar i posaçëm për bisedimet e statusit mes Kosovës dhe Serbisë, thotë se megjithëse Ballkani nuk është sferë përparësore rivaliteti, ai nuk është i parrezikuar.“Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Ballkani të mos lejohet të preket nga rivalitetet e fuqive të mëdha dhe së dyti që çështjet e Lindjes së Mesme të mos ta infektojnë këtë rajon. Përsa i takon kësaj të fundit, kjo është detyrë e shërbimeve të zbulimit të Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara, si edhe atyre të Ballkanit, që të identifikojnë dhe gjejnë elementët shkatërrimtarë që shkojnë dhe kthehen nga zonat e udhëtimit të Levantit dhe Lindjes së Mesme”, thotë ai. Rreziku i ndikimit të radikalizmit islamik. Vende si Shqipëria, Bosnja dhe Kosova kanë miratuar ligje për tu ndaluar qytetarëve të tyre të marrin pjesë në luftëra të huaja dhe kanë arrestuar një numër elementësh radikalë. Kjo do të jetë një përpjekje afat-gjatë, thotë ish-zëvendës ndihmës Sekretari i Mbrojtjes Ian Brzezinski, që tani është studiues në Këshillin e Atlantikut: “Do të jetë një ndërmarrje e vazhdueshme, afatgjatë, ku intensifikimi i këtij bashkëpunimi mes policive e shërbimeve të zbulimit, do të bëhet gjithnjë e më urgjente, gjithnjë e më e domosdoshme, me kalimin e kohës”. Që kur filloi konflikti në Siri në vitin 2011, në këtë vend kanë shkuar mbi 20 mijë luftëtarë të huaj, nga mbi 90 vende, të paktën 3,400 prej tyre nga Perëndimi, sipas Raportit për kërcënimet Globale të departamentit amerikan të zbulimit. Numri i luftëtarëve nga Ballkani është të paktën një mijë, nga të cilët 500 nga Bosnja, 300 nga Kosova, 90-100 nga Shqipëria dhe rreth 100 nga Maqedonia, sipas të dhënave zyrtare nga Ballkani dhe burimeve të tjera. Ballkani dallon nga vendet e Evropës Perëndimore, pasi sundimi i ligjit është më i dobët dhe varfëria më e madhe, thotë zoti Brzezinski. “Strukturat e qeverisjes dhe rendit janë disi më të dobëta në vendet e Ballkanit, krahasuar me homologët e tyre në veri të Evropës. Disa prej këtyre vendeve kanë popullata të konsiderueshme myslimane. Kjo nuk do të thotë se është gjë e keqe të kesh popullsi myslimane, por është një realitet që po shfrytëzohet nga organizata si ISIS. Këto vende janë në spektrin e një varfërie më të madhe në relievin ekonomik të Evropës dhe kurdo që ke një situatë pabarazie ekonomike, ka shoqëri që janë më të ekzpozuara ndaj ekstremizmit”. Ish-ambasadori Wisner thotë se Shtetet e Bashkuara kanë synuar të veprojnë si një forcë stabilizuese në rajon, “Por vazhdon të ketë një program politik që ende nuk ka marrë rrugë, në Bosnje, Maqedoni dhe sigurisht mes Kosovës dhe Serbisë”. Rreziku i ndikimit të Rusisë. Një sfidë tjetër me të cilën ndeshet Ballkani sot është rritja e ndikimit rus. Moska synon të shfrytëzojë lidhjet e saj historike me rajonin. “Si Serbia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe vende të tjera, janë të gjitha në linjën e zjarrit”. Kështu u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit,z. John Kerry, gjatë një dëshmie të kohëve të fundit në Kongres. Rusia po përpiqet në mënyrë aktive të zgjerojnë praninë në Ballkan. “Mendoj se është e rëndësishme që të mos ketë kriza, që Rusia të mund t’i shfrytëzojë, gjë që do të rriste tensionet mes Rusisë, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara”, thotë ish-ambasadori Wisner. Serbia për shembull, importon 82 për qind të gazit nga Rusia. Pasi Bashkimi Evropian mori masa që çuan në anulimin e planit për gazsjellësin “South Stream” përmes Evropës Juglindore, Kremlini po përpiqet për një rrugë alternative që do të kalonte përmes Turqisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë dhe pastaj përmes Hungarisë dhe ndoshta deri në Austri. Mediat ruse, “Russia Today” edhe “Sputnik” janë të pranishme në Serbi. “Rusia përfiton nga koha kur ekzistonte Bashkimi Sovjetik që krijoi varësi infrastrukturore në rajon me ekonominë e sotme të Rusisë”, thotë zoti Brzezinski. Por ai shton se ndërsa ekonomitë e Ballkanit modernizohen dhe përshtaten me standardet evropiane të ligjeve dhe infrastrukturës, kjo varësi dobësohet. Megjithatë Serbia për shembull nuk i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Dhe kur Presidenti rus Vladimir Putin shkoi në Beograd tetorin e kaluar, ishte një kujtesë se lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, është e vështirë të bashkëjetojnë me aspiratat e Beogradit për të hyrë në BE. Nevoja dhe sfidat e integrimit Euro-Atlantik. Ish-ambasdori Wisner thotë se është e rëndësishme që Greqia dhe Maqedonia të zgjidhin problemet mes tyre dhe se Evropa duhet të vazhdojë me përpjekjet për integrimin e Serbisë dhe Kosovës. “Është veçanërisht e rëndësishme që të fillojnë negociatat që Kosova të hyjnë në rrugën e vet për një të ardhme në Bashkimin Evropian dhe që Serbia të mos hyjë në BE, nëse Kosova nuk pason në po të njëjtën rrugë, sigurisht duke plotësuar kushtet”. Zoti Wisner shton se duke zgjidhur këto probleme, nuk mbetet një terren negativ që Rusia mund ta shfrytëzojë dhe është më e lehtë që të ruhet harmonia e nevojshme për Ballkanin. Ai i referohet shqetësimeve të shprehura veçanërisht në Evropë, por edhe në Uashington se Presidenti Putin po përpiqet të krijojë çarje mes Ballkanit dhe Perëndimit. Sekretari Kerry tha para nënkomisionit të Senatit se Rusia është e angazhuar në një “përpjekje masive për të lëkundur, për të tërhequr vendet, për të krijuar lidhje me to”, duke rindezur në mënyrë tragjike një lojë të re mes Lindjes dhe Perëndimit. Uashingtoni, thotë zoti Brzezinski mund të luajë rol më të madh. “Mendoj se Shtetet e Bashkuara mund të inkurajojnë më shumë duke rizgjuar vizionin e një Evrope të bashkuar dhe të lirë, duke këmbëngulur më shumë për zgjerimin e NATO-s, veçanërisht për Maqedoninë dhe Malin e Zi. Mendoj se duhet të përpiqemi më shumë që të rrisim besimin e Serbisë tek potenciali i bashkëpunimit të sigurisë me Perëndimin, për ta shkëputur nga një lloj botëkuptimi pro-rus. Mendoj se është gjithashtu e nevojshme rritja dhe forcimi i bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit dhe Evropës Perëndimore”.Por si ish-ambasadori Wisner, ashtu dhe ish-zyrtari i lartë i Pentagonit, Brzezinski bien dakord se integrimi është një rrugë me dy drejtime dhe se procesin do të duhet ta udhëheqin vetë vendet përmes reformave agresive dhe arritjes së standardeve të nevojshme për anëtarësim të plotë në komunitetin Euro-Atlantik.
Pergatiti per Diellin, Shefqet Kercelli
Ambasadori Lu ne Konferencen Islami dhe Paqja
Donald Lu: Thirrjet Tuaja për paqe dhe mirëkuptim, të dëgjohen më shumë se ata që nxisin dhunë dhe shkatërrim…/
Pergatiti: SHefqet Kercelli/
Duke folur në konferencën e organizuar nga Komuniteti Islamik Shqiptar, në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane dhe Bashkimin Europian më datën 20 mars 2015, Ambasadori Lu iu drejtua udhëheqësve dhe akademikëve myslimanë, pjesmarrës nga rajoni dhe bota: “Unë e përshëndes punën tuaj të palodhur për të bërë që thirrjet tuaja për paqe dhe mirëkuptim, të dëgjohen më shumë se ato që nxisin dhunë dhe shkatërrim. Puna dhe përpjekja juaj është shprehja më e mirë e besimit që ju keni.”
Speaking at the “Islam and Global Peace” conference organized by the Albanian Islamic Community, in cooperation with the U.S. Embassy and the European Union on Friday morning, Ambassador Lu addressed the assembled participants of Muslim leaders and scholars from around the region and the world: “I applaud your tireless work to ensure that your voices that counsel peace and understanding are heard over those inciting violence and destruction. Your work and your struggle is the truest expression of your faith.”
KRONIKE NGA SHQIPERIA- “Cobra 3” ndalohet në Karavasta
Shkaku:Ndalimi i peshkatores italiane u bë për gjueti të paligjshme në ujërat shqiptare/
Nga Durresi: Shefqet Kërcelli/
Ne Foto: Anija “Oriku” -Roja Bregdetare duke shkuar ne vendngjarje/
Sic informon Kapiten i Rangut të III-të Urim Bulica, Oficer Drejtimi i Forcës Detare në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare {QNOD}, më datën 10 mars, ora 19.30, një nga operatorët e QNOD, diktoi një peshkatore italiane me emrin “COBRA 3”, e cila lundronte brenda ujërave tona territoriale në traversë të Karavastasë. Ndërkohë anija e Flotiljes Detare Jugore, P-132, Oriku, po patrullonte sipas planit në zonën e Bristanit për në Jug, drejt Palermos. Nisur nga situata e krijuar ju dha urdhër anijes “Oriku” të ndryshojë zonën e patrullimit dhe të marrë kursin për në Veri të Karavastasë, për të verifikuar peshkatoren e dyshuar në këtë zonë. Në orën 21.05, peshkatorja italiane ndodhej në Φ-40o 54’91”V dhe λ-19o11’43”L, rreth 2.8 milje brenda ujërave tona territoriale, duke lundruar me shpejtësi 2.5-2.8 nyje. Ndërkohë anija jonë nga VP i Sazanit lundroi për në Veri, në rajonin e dhënë. Për këtë situatë u njoftua Komandanti i FD, QBO, Oficerët e Policisë Kufitare, Peshkimit e Doganës që ndodheshin në Sallën Operacionale të QNOD. Në orën 22.10, anija jonë P-132 shkoi në rajon dhe uli skafin e saj, dhe në kordinatat, Φ -40o53’08” V dhe λ -19o10’17”L verifikoi peshkatoren italiane me emrin në bord “Cobra 3”, e cila kryente gjueti me trata fundore brenda ujërave tona. Peshkatorja kishte në përbërje të ekuipazhit 4 persona me kapitan Pjetro Di Lorenzo dhe port regjistrimi Mona Bari, Itali. Mbas pyetjeve të drejtuara nga Roja jonë Bregdetare, Kapitani i anijes italiane pretendonte se “kishin shkelur ujërat tona pa dashje, pasi po merreshin me aktivitetin e gjuetisë dhe nuk e kishin venë re këtë gjë”. Për këtë shkelje, të ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë brenda ujërave tona territoriale, peshkatorja u ndalua dhe u urdhërua që të drejtohej për në portin e Vlorës. Peshkatorja ju bind urdhërit të Komandantit të anijes “Oriku”, Kapiten i Rangut të III-të Ilir Cobo, dhe nën shoqërimin e anijes sonë dhe gomones së saj u drejtua për në portin e Vlorës. Për këtë u njoftua përsëri Komandanti i Forcës Detare, Gjeneral Qemal Shkurti, që e ndoqi “non stop” operacionin si dhe shërbimi në QBO, Polici Kufitare, Oficeri i Shërbimit doganor dhe ai shërbimit të peshkimit, që të dërgojnë përfaqsuesit e tyre në Vlorë për vazhdimin e procedurave të mëtejshme me ketë peshkatore. Në orën 02.05, datë 11.03.2015, peshkatorja “Cobra 3” dhe anija P-132 “Oriku”, u bregëzuan në portin e Vlorës. Në orën 03.20 të ditës së sotme, Komandanti i anijes P-132, plotësoi dokumentacionin përkatës që mbahet në këto raste dhe ja dorëzoi peshkatoren Policisë Kufitare dhe Kapitenerisë Vlorë për të vazhduar procedurat e metejshme. Më pas anija jonë “Oriku” u largua nga porti i Vlorës për të vazhduar detyrat e radhës. Aktualisht autoritetet shtetërore në Vlorë po mbajnë procesverbalet përkatëse mbështetur në legjislacionin shqiptar për këtë ngjarje.
PARANDALIMI I NDOTJEVE NE DET
Kuadro të Institucioneve tona Detare trajnohen për njohjen dhe zbatimin e kërkesave të Konventës MARPOL,{Meritime Pollution}, Konventa Ndërkombëtare për parandalimin e ndotjeve nga anijet në det./
Nga Shefqet Kërcelli/
Në zbatim të një projekti të Bashkimit Evropian, Dega e Asisitencës Teknike në Ministrinë e Transportit dhe Insfrastrukurës, nga data 26 deri më datën 26 shkurt organizoi në sallën e mbledhjeve të Drejtorisë së Administratës Detare trajnimin për parandalimin e ndotjeve nga anijet në det, sipas konventës MARPOL. Në seminar morën pjesë kuadro dhe specialistë të institucioneve tona detare, nga Drejtoria e Administratës Detare dhe kapiteneritë Sarandë, Vlorë, Shëngjin e Durrës, specialistë të mjedisit nga Autoriteti Portual Durrës, nga Ministria e Mjedisit, Qendra Operacionale Detare, Komanda e Forcës Detare, etj. Gjatë këtij trajnimi katër ditor, drejtuesi i seminarit, zoti Efthimios Liberopoulos, Ekspert iTrajnimeve Detare, trajtoi cështje që kanë të bëjnë me njohjen dhe zbatimin e kësaj Konvente të rëndësishme për sigurinë e mjedisit detar si, njohuri të përgjithëshme për Konventën MARPOL, masat parandaluese për ndotjen e ambientit detar nga anijet, reagimi ndaj sipërfaqeve ose zonave të ndotura detare, sistemet e antindotjes dhe eficensa e tyre, kontrolli dhe menaxhimi i ujërave të balastave dhe sedimenteve të anijeve, cështje të vecanta në zbatim të këtyre konventave dhe marrëveshjeve, certifikatat përkatëse të sigurisë detare në këto raste, etj. Trajtimi i thjeshtë e i detajuar i kësaj teme të rëndësishme detare, solli që dhe përvetsimi i cështjeve të këtij seminari nga pjesmarrësit të jetë i kënaqshëm, gjë që u reflektua në ditën e fundit të tij, ku pati pyetje dhe diskutime interesante, vecanërisht nga specialistët e mjedisit të AP Durrës. Zoti Elson Thana, specialist në Degën e Asistencës Teknike të MTI, thotë se projekti i BE për trajnimin e specialistëve të instititucioneve tona Detare është shtrirë për gjithë vitin. Seminari i parë u zhvillua në fund të janarit të këtij viti, ndërsa i fundit do jetë në nëntor. Kuptohet që tematika është e ndryshme nga muaji në muaj, ndërkohë që do shikohet dhe përbërja e pjemarrësve, në mënyrë që ceshtjet që trajtohen të përfarohen me detyrën funksionale që kryen secili në institucionet detare. Zoti Liberopoulos shprehet për agjencinë “Dyrrah”, se jam entuziast për zhvillimin e këtij projekti, shoh që ka seriozitet e përgjegjsi si nga dikasteri i MTI, nga organizatorët në Drejtorinë e Administratës Detare por dhe nga kuadrot apo specialistët në seminar. Ka interes, diskutohet e nxirren konkluzione nga pjesmarrësit, gjë që e bën atë efektiv në qëllimin që ka. Në fund të fundit është gjë e mirë që dhjetra specialistë shqiptarë, detyra e të cilëve lidhet me veprimtarinë në det, do trajnohen gjatë këtij viti për cështje të rëndësishme të legjislacionit detar ndërkombëtar. Kjo situatë dhe mikpritja shqiptare më vendos para përgjegjsisë morale dhe akademike, që dhe unë si lektor të ris nivelin nga seminari në seminar. Ndërkohë që po më kërkon gruaja në telefon me zor pres kthimin tim në fund të marsit, tha eksperti grek. Në fund të seminarit pjesmarrësve ju dhanë certifikatat përkatëse nga zotërinjtë Hamdi Domi, Shef Departamenti i Rregjistrimit të Mjeteve Detare në Drejtorinë e Administratës Detare dhe zoti Efthimios Liberopoulos.
Dy futbollistë të vjetër shqiptaro-amerikanë, drejtues të ekipit kombëtar shqiptar, U-21
Nga Shefqet Kërcelli/
Ishte një befasi e këndshme takimi i ditës së sotme me dy futbollistë të vjetër, zotërinjtë Skënder Gega {ish futbollist i ekipit të “Partizanit”}, dhe zotit Gut Tafaj, {portier i ekipit të “Tiranës”}, sportistë me emër në historinë e futbollit shqiptar, për talentin dhe spektaklin që i kanë dhuruar dashamirësve të këtij sporti para dhe pas viteve ’80. Një takim moshatarësh, që na riktheu kujtimet e atyre viteve. Komanda e Forcës Detare, ku unë punoj, e vendosur tashmë në ambientet e Shtëpisë së Pushimit të Ushtarakëvë në Plepa, më mundëson të sodis jo vetëm qytetin bregdetar të Durrësit, por dhe detin që e rrethon, duke më lehtësuar punën time si gazetar i kësaj fushe. Por sot, në shëtitjen e radhës përjetova surprizën më të këndshme të këtyre ditëve. Nuk më shkonte në mëndje që pas 30-të e ca vitesh, të takoj këta yje të futbollit shqiptar. Në kufirin midis Shtëpisë së Pushimit dhe Kompleksit “Tropikal” pashë dy burra me trup atleti që po shëtisnin duke biseduar për detin, mjedisin dhe ndotjet që kishte krijuar moti i këtyre ditëve. Vitet bëjnë të vetën, por tek Skënderi dhe Guti, vec thinjave, pashë energjinë dhe zhdërvjelltësinë e moshës së rinisë. Dukej qartë që ata nuk e kishin lënë sportin e tyre të dashur dhe në këtë moshë. Një takim bashkëmoshatarësh që na riktheu në vitet tona të rinisë, kur ata si futbollistë por dhe unë si ushtarak vraponim nga ishKavaleshenca në Golem e kthim, ku vec jodit shijonim natyrën e virgjër me plot pisha dhe rërë të pastër të këtij bregdeti. Ndjemë keqardhje për situatën e tanishme të ndotjes mjedisore. Dhe fotot që bëmë nuk ja cuam fëmijëve tanë në SHBA. Na vjen vërtet keq për këtë situatë thotë Skënderi, se ne po përpiqemi të sjellim sa më shumë turistë Amerikanë në vendin tonë. Mbase do përmirësohet në muajt në vijim, ja ktheu Guti. Më pas biseda vazhdoi për futbollin shqiptar dhe përgatitjen e brezave të rinj në këtë sport të parapëlqyer të bashkëkombasve tanë kudo që janë. Tashmë Skënderi dhe Guti jetojnë familjarisht në SHBA, ku dhe atje janë të angazhuar me këtë sport, por aktualisht federata shqiptare i ka thirrur ata të grumbullojnë e stërvisin kombëtaren shqiptare të U-21. Është zgjidhja e duhur të vendosësh në krye të juniorëve shqiptarë këta yje të futbollit shqiptar. Futbollistë të talentuar dhe me përvojë që kanë cfarë ti japin ekipit tonë të të rinjve. Stërvitje, disiplinë, kolektivitet, pasion, garë të fortë sportive, kjo është motoja që karakterizon skuadrën tonë të U-21. Dhe për këtë po punojnë intensivisht dy trajnerët tanë, Skënderi dhe Guti, që nga New Jersey i SHBA, me përkushtim e profesionalizëm po përgatisin kombëtaren tonë të të rinjve për sfidat e radhës. Në këtë ditë shkurti, bashkë me kolegët e mi detarë, i uruam me zemër fitore e përfaqsim dinjitoz në kampionatin evropian kombëtares sonë të U-21, të drejtuar nga dy përfaqësues të denjë të futbollit shqiptar, por dhe qytetarë të nderuar në SHBA.
- « Previous Page
- 1
- …
- 37
- 38
- 39
- 40
- 41
- …
- 44
- Next Page »