Historike, për hërë të parë ndeshje miqësore futbolli midis ekipit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcave të Sigurisë Kombëtare të Republikës së Kosovës/
NGA SHEFQET KERCELLI/
Mbasditja e datës 13 tetor 2014, ishte një ditë e vecantë për Forcat e Armatosura të RSH dhe FSK, pasi për herë të parë në historinë shekullore të shqiptarëve zhvillohet një ndeshje miqësore futbolli midis ushtarakëve të një gjaku, por në shtete të ndryshme. Me këtë rast stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” kishte marë pamje festive me flamuj, postera, banderole dhe simbole të dy shteteve dhe ushtrive tona. Hijeshinë stadiumit ja shtuan fëmijë të ushtarakëve që mbanin flamujt të dy shteteve, banorë të qytetit të Tiranës si dhe ushtarakët e shumtë të dy forcave që kishin mbushur shkallët e stadiumit për të ndjekur këtë ndeshje futbolli, por jo thjesht, pasi ishte një aktivitet festiv madhështor që i kaloi përmasat e një ndeshje. Aktiviteti sportiv-kulturor u ndoq nga afër dhe nga Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, Shefi Shtabit të Përgjithshëm i FA, Gjeneralmajor Jeronim Bazo, Komandanti i FSK, GjeneralLejtnant Kadri Kastrati, Komandantët e Forcave dhe ushtarakë të lartë të FA e FSK, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Kosovës në vendin tonë, zoti Ramiz Lladrovci, atashe ushtarakë të vendeve mike, ushtarakë e punonjës civilë të Forcave tona të Armatosura si dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Mbas ekzekutimit të hymneve kombëtare të dy shteteve nga orkestra frymore e FA, pjesmarrësit e këtij aktiviteti i përshëndeti Ministrja e Mbrojtjes zonja Mimi Kodheli. Ministrja i uroi mirëseardhjen ushtarakëve të FSK në këtë aktivitet të vecantë duke theksuar se futbolli dhe shkallët e këtij stadiumi më kanë lidhur që në fëmijëri, kur unë ndiqja rregullisht ndeshjet e zhvilluara dhe yjet e futbollit shqiptar. Ky sport i bukur dhe popullor vec vlerave sportive dhe fizike do i shërbejë më së miri forcimit të miqësisë midis ushtarakëve të dy shteteve tona, nënvizoi ministrja. Më pas zonja Kodheli falenderoi organizatorët e këtij aktiviteti dhe administratën e stadiumit “Qemal Stafa” për ndihmën e dhënë në mbarvajtjen e tij. Në vijim pjesmarrësit i përshëndeti Shefi i Shtabit i FSK, Gjenerallejtnant Kadri Kastrati, i cili tha se, është nder dhe krenari për mua të përshëndes në këtë aktivitet simbolik, ku sporti gërshetohet me bujarinë dhe miqësinë e shqiptarëve. Falenderoj popullin dhe shtetin shqiptar për ndihmën e dhënë gjatë viteve të vështira të popullit të Kosovës si dhe për ngritjen e Forcave të Sigurisë në Kosovë! Falenderoj të gjithë ata që u morën me organizimin e këtij aktiviteti dhe krijuan kushtet për zhvillimin e një loje të mirë midis dy ekipeve. Këto veprimtari do na ndihmojnë që në të ardhmen Forcat e Sigurisë së Kosovës të marrin pjesë në aktivitetet sportive të NATO-s ku ne aspirojmë të aderojmë, por dhe në ato me karakter ndërkombëtar, theksoi Gjeneral Kastrati. Uroj të na dhurojnë lojë të mirë të ushtarakët tanë, tha zoti Kastrati. Ndërkohë një grup fëmijësh i dhuruan buqeta me lule personaliteteve dhe futbollistëve të dy ekipeve. Siparin e kësaj ndeshje e hapi gjuajtja e topit të parë nga Shefat e Shtabit të dy Forcave, zoti Jeronim Baze dhe Kadri Kastrati. Më pas filloi ndeshja e futbollit e cila për mëse 90’ i dhuroi emocione të bukura spektatorëve të shumtë. Një garë sportive dhe shpirt luftarak, me sulme e kundërsulme të shpejta, kombinime të sakta, triblime e teknikë, pritje të shkëqyera nga dy portierët, Bujar Manxholli dhe Lorenc Haka. Nuk mund ti dalloje këta djem të rinj nëse ishin ushtarakë apo futbollistë profesionistë. Me kolegët e mi të medias në FSK, zotin Ali Ukaj, zotin Elezi, Kosumi, zonjushën Gashi dhe këshilltarin britanik të FSK N/Kolonel David Jonson ndoqëm me vëmendje cdo aksion të futbollistëve ushtarakë. Me sa duket në këtë lojë të bukur i ndihmon zanati i ushtarakut më thotë Aliu, ndërsa ushtaraku britanik bëntë tifo për lojtarët e FSK. Ka të drejtë i thoja, se tashmë zoti Jonson është bërë pjesë e FSK, ndaj ai është dhe pjesë shpirtërore e ekipit. Kjo lojë e bukur solli dhe emocionet e golit. Fillimisht në minutën e 60-të, shënuan miqtë me anën e major Tom Lleshit, një gol i bukur që u duartrokit nga gjithë spektatorët, më pas në minutën e 75, barazoi Reinaldo Gjerazi i KDS. Loja u mbyll me barazim, kështu që u kalua në gjuajtjen e 11-metërshave për të nxjerrë fituesin e kupës. Përsëri emocione, ku mbas dy pritjeve të shkëlqyera të portierit të ekipit të FA, ndeshja përfundoi 5 me 4, në favor të ekipit të FA të Republikës së Shqipërisë. Por nuk ishte thjesht rezultati që diktoi momentet e kësaj ndeshje, mbi të gjitha ishin vlerat morale e miqësore që karakterizuan këtë aktivitet që lidh djemtë tanë në të dy anët e kufirit. Tashmë miqësia ushtarake mori një dimesion të ri, atë nëpërmjet sportit dhe aktiviteteve kulturore sportive, të cilat duhet të jenë më të shpeshta., shpreheshin pjesmarrësit. Dhe për organizimin e këtyre askush nuk na pengon, ka forma dhe mënyra të ndryshme, mjafton vullneti dhe dëshira, ndaj ato duhet të jenë pjesë e programeve të bashkëpunimit midis dy ushtrive tona për vitin e ardhshëm. Ndërkohë në pushimin e ndeshjes spektatorët qëndruan nën muzikën e afruar nga këngëtarët e Qëndrës Kulturore të FA, zotërinjve Kozma Dushi dhe Redon Makashi, miq të përhershëm të ushtarakëve. Mbas përfundimit të ndeshjes titullarët e dy Forcave shpërndanë certifikatata për tranjerët, gjyqtarët, ushtarakët-futbollistë më të dalluar në këtë kompeticion si dhe trofeun për ekipin fitues. Kështu Gjeneral Bazo i dha një kupë simbolike kapitenit të ekipit futbollistik të FSK, major Tom Lleshit, ndërsa Gjeneral Kastrati, i dha kupën trofe të fitores në këtë ndeshje historike, kapitenit të ekipit të FA, Kapiten Ervin Hysi. Kjo ceremoni e thjeshtë u shoqërua nga duartrokitje, ovacione por dhe lotë gëzimi nga të gjithë pjesmarrësit. Shpërndarje kartvizitash, shtrëngime duarsh, përqafime dhe brohorima pa fund. Në heshtje e pranuan të gjithë se në këtë event futbollistik nuk kishte rëndësi rezultati, por fakti që për herë të parë në histori u arrit të organizohet një aktivitet i këtij lloji në rang kombëtar. Përpos vlerave sportive dhe argëtuese, ndeshja e futbollit e datës 13 tetor 2014 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, përcolli mesazhe të qarta miqësie e bashkëpunimi midis ushtarakëve në dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.
Shefqet Kërcelli
Stadiumi “Qemal Stafa”
Tiranë.
Anija e Rojes Bregdetare,ARCHAngel, P-02 shpëton ekuipazhin e peshkatores “ANA”
Nga Shefqet Kërcelli/
Në orën 04.30, te 30 shtatorit, anija e gatëshme, Archangel P-02 me vendbazim në ishullin e Sazanit mori një sinjal nga QNOD, {Qendra Operacionale Ndërinstitucionale Detare}, se trageti i linjës Vlorë-Bari “Europian Voyager Limassol”, në distancën 2.3 milje në Jugperëndim të kepit të Sazanit, ka goditur aksidentalisht peshkatoren “ANA”, {port regjistrimi Durrës}, me pasojë mbytjen e peshkatores. Menjëherë Anija P-02, me Komandant KapitenLt. Elton Kasëmi shkoi në vendin e ngjarjes për kërkimin dhe shpëtimin e peshkatores me kapiten Qemal Lata, dhe ekuipazh Aranit e Julian Lata. Peshkatorja pas përplasjes ishte zhytur menëhere në thellësitë e Jonit dhe 3 peshkatarët qëndronin mbi zadren e shpëtimit. Mbas goditjes Trageti ndaloi dhe nisi kërkimin për gjetjen e njerëzve në det. Në oren 05.18 anija e Rojës Bregdetare , P-02 pas kërkimeve të kryera gjeti zadrën me tre peshkatarët dhe i solli në portin e Vlorës, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë nga komandanti i anijes së Rojes Bregdetare u plotësua dokumentacioni përkatës dhe deklarata e peshkatarëve. Tashmë institucionet e tjera shtetërore të qytetit Vlorë po kryejnë procedurat përkatëse për të tilla raste.
Kalendar-Si Sot,57 vjet nga krijimi i Shërbimit Hidrografik Shqiptar
Nga Shefqet Kërcelli/
57 vjet më parë, më 25 shtator të vitit 1957 u krijua Shërbimi Hidrografik Shqiptar{SHHSH}, një strukturë e rëndësishme e Komandës së Forcës Detare dhe e shtetit shqiptar. Me këtë rast Komandanti i këtij shërbimi Kapiten i Rangut të II-të Lulzim Kryeziu dhe personeli i SHHSH për nder të kësaj date organizuan disa aktivitete të vëcanta. Në këtë festë krahas personelit aktual të këtij shërbimi morën pjesë dhe Komandanti i Forcës Detare, Gjeneral-Brigade Qemal Shkurti, Atasheu Ushtarak i Republikës së Kosovës në Shqipëri, N/Kolonel Enver Dugolli, veteranë të Shërbimit tonë Hidrografik, ishdrejtues dhe specialistë të saj, përfaqësues të institucioneve detare, Drejtori i Administratës Detare Gazmir Tahiri, zv.Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, zoti Bujar Dhima, etj. Mbas fjalës së mirëseardhjes të Komandantit të Shërbimit Hidrografik, zotit Lulzim Kryeziu, të pranishmit i përshëndeti dhe Komandanti i Forcës Detare, gjeneral Qemal Shkurti. “Është kënaqësi e vecantë për mua t’ju përshëndes dhe uroj në këtë përvjetor të 57 të krijimit të Shërbimit tonë Hidrografik”, tha gjenerali. Shërbimi ynë Hidrografik është një komponent i rëndësishëm i Forcës sonë Detare, sepse luan rol parësor në sigurimin e kushteve hidrolundrimore dhe sinjalistikës detare për lundrim të parrezikshëm të mjeteve detare në hapësirën ujore të Republikës së Shqipërisë. Për shtetet e zhvilluara apo vendet në zhvillim, një hidrografi dhe sinjalistikë efikase janë domosdoshmëri në zhvillimin e transportit detar dhe turizmit të vendit duke ndikuar direkt në integrimin e shpejtë të tij në strukturat ndërkombëtare të detit dhe në BE. Që nga krijimi i këtij shërbimi më 25 shtator 1957 e deri tani, personeli i Shërbimi tonë Hidrografik ka kryer studime të karakterit hidrografik dhe hidrologjik të bregdetit, relievit dhe fuindit të detit, ka vendosur fenerë, shënja detare, ka përpunuar e botuar harta detare, udhëzues të lundrimit, etj. duke mbajtur në gatishmëri të plotë sistemin e farofenerëve përgjatë bregdetit shqiptar. Në fakt ne si popull detar dhe bashkë me të zhvillimi i transportit detar na është dashur të përdorim mjete sinjalizimi të thjeshta që në kohët e vjetra, Tradita e zhvilluar detare dhe rritja e transportit detar kanë kërkuar dhe përmirësimin e mjeteve të sinjalizimit në vendin tonë. Për këtë, në fillim detarët tanë përdornin zjarre dhe mjete të thjeshta ndricuese në vende të dukshme të bregdetit. Sipas Polibit, “kur një mjet lundrimi i huaj hynte në Adriatik, skelat e vogla në anë te grykës së Otrantos, ndiznin zjarre në vende më të ngritura për të lajmëruar skelat e tjera më në brëndësi, për rrezikun që afrohej. Kështu duke lajmëruar njëri-tjetrin jepej kushtrimi nga Karaburuni në Vjosë dhe të gjithë zinin grykën e Otrantos. Në këtë mënyrë veprohej dhe për mjete detare të kohës, të cilat futeshin në skela ose lundronin pranë bregut. Më vonë filloi të përdorej dhe busulla. Në shekullin e kaluar, numuri i fenerëve ishte i pakët dhe shërbimi i kufizuar. Ata për shkak të teknologjisë së kufizuar dhe mungesës së personelit shpesh fikeshin. Kështu vetëm në shekullin e XIX-të u ndërtuan disa fenerë me shërbim të kufizuar për shkak të teknologjisë dhe personelit. Feneri më i vjetër në vendin tonë është ndërtuar në VP të Sazanit më 1871, pastaj më 1884, në Shengjin. Në vitet ’30 të shekullit të kaluar u ndërtuan feneri i Durrësit, Kalasë së Vlorës, Cukës, etj. Mbas clirimit pati një fazë të re të ngritjes së fenerëve. Sigurisht që mbas 25 shtatorit 1957, Shërbimi ynë Hidrografik mori formë të plotë si strukturë e vecantë për sigurimin hidrolundrimor në Flotën Luftarake Detare. Mbas këtij organizimi u intensifikua puna për përmirësimin e teknologjisë së fenerëve. Krahas vënies në punë të fenerevë me gaz acetilen, u rikonstruktuan mjaft prej tyre dhe u pajisën me aparatura të reja. Në vitet 1958-1960, u ndërtuan kulla fenerësh prej betoni dhe guri me lartësi nga 8-14 m, në kepin e Palermos, në jug të ishullit të Sazanit, në Shënvasil, Pashaliman, Treport, në Kepin e Selitës, në malin e Durrësit, kepin e Palit, etj. Në v.84-86 u ndërtuan me arkitekturën e kohës dy kulla të reja feneresh, një në derdhjen e lumit Vjosa, 20 m të lartë dhe në këpin e Palit, 14 m. Mbas ’85 u bë pajisja e disa fenerëve me aparaturë elektronike automatike, që rriti rrezen e tyre të shikimit dhe uli në masën 40% harxhimin e energjisë elektrike. Në vitin 1985, në bregdetin shqiptar numuroheshin mbi 40 fenerë detarë, që mbulonin me rrezet e tyre ujërat tona bregdetare me një brez nga 6 deri në 13 milje detare, dhe në disa kepe deri 25 milje detare. Për zbatimin e detyrave të institucioneve përkatëse ndaj sektorit të fenerëve, ka një VKM, nr.1, datë 9.02.1985 dhe një tjetër më 13.06.1999, për taksën e farofenerëve, ku specifikohet se 20% e të ardhurave që përfitohet i kalon Minmistrisë së Mbrojtjes. Në vite shteti shqiptar dhe Komanda e Forcës ka treguar kujdes për zhvillimin dhe modernizimin e këtij Shërbimi të rëndësishëm me interes kombëtar. Kështu specialistët tanë në bashkëpunim me vendet aleate kanë vënë në punë teknologjinë me llampa të tipit LED, vetushqyese nëpërmjet paneleve diellore, që kanë disa avantazhe si kërkesa më të vogël në mirmbajtje, riparime të shpejta, ekonomike, të mbrojtura nga dëmtimet dhe pashmëri më të madhe. Kjo teknologji shihet si e ardhmja e sinjalistikës portuale. Shërbimi ynë hidrografik vitete e fundit ka bashhkëpunuar me Zyrën Hidrografike të SHBA, të Mbretërisë së Bashkuar, Shërbimin Hidrografik Italian, Grek,Turk, etj. në fushën e ndërtimit të sinjalistikës detare, matjeve hidrografike në porte dhe zona të vecanta, ka përgatitur harta hidrografike përfshirë dhe ato elektronike. Natyrisht projekti më i rëndësishëm është ai me Shërbimin Hidrografik Norvegjez, ALNO HIP, i cili do fokusohet në kryerjen e matjeve batimetrike, përpunimin e të dhënave dhe menaxhimin e prodhimin e hartave detare elektronike. Nga ky projekt do përfitojë jo vetëm Forca Detare por të gjithë subjektet detare private e shtetërore. Zbatimi i këtij projekti fillon këtë vit dhe do zgjasë deri në vitin 2017. Sigurisht që këto projekte do shtojnë kapacitetet operacionale të Shërbimit tonë Hidrografik, standartizmin dhe ndërveprimin e tij meqëllimqë vendi ynë të përmbushë kërkesat e organizmave dhe legjislacionit ndërkombëtar në fushën e sigurisë hidrolundrimore. Por duhet vënë në dukje se zbatimi i projektit kërkon personel të kualifikuar, deri tek programet software. Në fund të fjalës së vet gjeneral Shkurti theksoi se:-në këtë përvjetor të 57 të SHHSH ne kujtojmë me respekt drejtuesit dhe specialistët e parë të këtij shërbimi dhe ata në vazhdim, që me profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre ja rritën vlerat këtij shërbimi. Kujtojmë e nderojmë bërthamën e parë të kuadrove dhe specialistëve, zotin Arqile Papadhimitri, shefi i këtij shërbimi, Koco Lati, zv.kom. për punë politike, Mersin Shqypi, Shef i seksionit të hidrografisë, Teofik Digli, shef i fenerëve, Dhimitër Postoli, për hartografinë dhe Seit Berisha, shef i sinoptikës. Kujtojmë dhe nderojmë oficerin hidrograf Kadri Ylviu, i cili vdiq aksidentalisht më 11.03.1961, kur anija hidrografe u përplas me shkëmbinj të nënujshëm në Porto-Romano. Sot ne kujtojmë e respektojmë drejtuesit, Arqile Papadhimitri, Mersin Shqypi, Capajev File, Bashkim Kryeziu, Nikolla Tole, Ilirjan Hoxha si dhe dhjetra kuadro e specialistë të tjerë që kanë shërbyer gjatë këtyre viteve në këtë shërbim të cmuar të Forcës Detare. Si Komandant i Forcës Detare dhe në të ardhmen do të mbështes dhe inkurajoj punën e personelit të SHSH si dhe cdo aktiviteti që kujton dhe repekton brezat e mëparshëm të Shërbimit tonë Hidrografik, tha gjeneral Shkurti. Më pas pjesmarrësit e aktivitetit vizituan ambientet e Shërbimit tonë Hidrografik të vendosur brenda territorit të portit Durrës dhe u njohën gjerësisht me projektin ALNO HIP.
Një shesh me emrin “Selaniku” në qytetin e Durrësit
Nga Shefqet Kërcelli*/
Paraditen e datës 22 shtator, në sheshin përbri stacionit të trenit, {Lagja nr.4 e qytetit Durrës} u zhvillua ceremonia për vendosjen e emrit “Selaniku”, këtij sheshi. Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i bashkisë së qytetit Durrës zoti Vangjush Dako, Kryetari i Bashkisë së Selanikut, zoti Jannis Butaris, Konsulli shqiptar në Selanik Riza Poda, përfaqësues të pushtetit lokal Durrës, përfaqësues të ambasadës greke në Tiranë, qytetarë të Durrësit, emigrantë shqiptarë në Selanik, etj. Emërtimi i këtij sheshi me emrin “Selaniku” ishte një dëshirë dhe inisiativë e kahershme e emigrantëve tanë në Selanik, të cilët në bashkëpunim më Këshillin Bashkiak dhe Bashkinë Durrës bënë të mundur realizimin e kësaj nisme. Mbasi u ekzekutuan hymnet e dy shteteve nga banda e qytetit Durrës, zoti Vangjush Dako, i uroi mirëseardhjen kryebashkiakut të Selanikut në këtë ceremoni të thjeshtë, por me simbolikë të madhe. Në vijim zoti Dako theksoi miqësinë tradicionale midis dy popujve tanë dhe rëndësinë historike, ekonomike dhe kulturore të qytetit të Selanikut në Ballkan. Në të ardhmen ne do forcojmë lidhjet e bashkëpunimin midis dy qyteteve tona tha zoti Dako. Ndërkohë zoti Janis Butaris vuri në dukje se pamvarësisht diversitetit të kulturave, mendimeve apo vështirësive të jetës, asgjë si pengon dy popujt tanë që të jetojnë në paqe dhe fqinjësi të mirë. Do punoj gjithë jetës për të forcuar vëllazërinë midis dy popujve tanë, theksoi zoti Butaris. Më pas nga dy krybashkiakët u zbulua pllaka e mermerit me emërtimin e sheshit të Selanikut. Zoti Luan Zyka, aktivist i shoqatës së emigrantëve shqiptarë në Selanik, theksoi se zgjodhëm Durrësin, për të dhënë një shesh me këtë emër, se është një qytet që ka pranuar herët diversitetin kulturor, është qytet-port si Selaniku dhe ka mjaft emigrantë durrsakë në qytetin Helen. Jam shumë i gëzuar që në Durrës kemi një shesh me emrin Selaniku, thotë zoti Panajot Kurti, i cili kishte ardhur me familjen enkas për këtë ceremoni nga Selaniku. Emigrantët shqiptarë në sajë të dëshirës së mirë të zotit Butaris dhe kolegëve të tij kanë një shesh në Selanik me emrin “Durrësi”, i cili ndodhet pranë stacionit të trenit të këti qyteti. Por mbi të gjitha më gëzon fakti që sot ka ardhur në Durrës vetë zoti Butaris, një mik i shqiptarëve. Zoti Butaris është një politikan vizionar, human dhe bashkëkohor. Për bindjet dhe qëndrimet antiraciale shpesh debaton me politikanë ekstremistë në Greqi, thotë Panajoti. Por mbi të gjithë ai është një njeri fisnik, janë të panumurta rastet që Butaris ka ndihmuar shqiptarët në nevojë. Pikërisht nën shoqërinë e durrsakëve të shumtë emigrantë në Selanik, u përcoll dhe zoti Butaris, që shënoi dhe mbylljen e ceremonisë për emërtimin e këtij sheshi, “Selaniku”, një binjak më sheshin “Durrësi” në Selanik.
* Bashkepunetor i Diellit
Finalizohet stërvitja e përbashkët “Imponimi-2014”
Nga Shefqet Kërcelli/
Sot paradite, data 17 shtator, nga ora 09.00 deri më 14.00, në rajonin e Gjirit të Vlorës u zhvillua stërvitja e përbashkët “Imponimi-2014”. Qëllimi i kësaj stërvitje ishte bashkërendimi i veprimeve të Forcës Detare, Forcës Ajrore dhe Trupave Speciale në realizimin e operacioneve për zbatimin e ligjshmërisë detare. Stërvitjen “Imponimi-2014” e ndoqi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA Gjeneral-major Jeronim Bazo, Komandanti i Forcës Detare, Gjeneral-brigade Qemal Shkurti, Komandanti i Policisë Ushtarake, Kolonel Xhevdet Zeneli, etj. Për zhvillimin normal të stërvitjes u zhvilluan dy konferenca paraprake nga kordinatorë t e FD, FA dhe Batalionit Special. Kështu në stërvitje morrën pjesë 4 anije të Flotiljes Detare Pashaliman, konkretisht anija P-132 Oriku, Anija P-134, Butrinti, Anija P-116, Bora, Anija P-02, Mati, bashkë me dy gomonet e anijeve Oriku dhe Butrinti, Forcat Ajrore kishin një helikopter Cougar 633 dhe një helikopter BO-105, ndërsa Forcat Speciale me një skuadër të trupave të saj. Gjatë stërvitjes u zbatuan dy skenarë të përcaktuar më parë. Fillimisht mjete të Rojes Bregdetare{RB} në përbërje të Forcës Detare, përkatësisht P-116, P-02, Oriku dhe Butrinti kërkojnë dhe tentojnë të kapin një mjet me lëndë narkotike pranë rajonit Kala-Radhimë, por nisur nga rrezikshmëria e lartë dhe të shtënat me armë nga skafi me drogë , në ndihmë të mjeteve të RB vijnë dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore. Kështu këto mjete duke bashkë renduar veprimet me njëra tjetrën bënë të mundur neutralizimin e mjetit dhe personave trafikantë .Në skenarin 2 të stërvitjes u realizuan veprime praktike për kryerjen e një bordimi jo-konsesual të Motonavës “Pafata”, e cila është marrë peng nga një grup terroristësh të cilët po e detyrojnë anijen dhe ekuipazhin e saj të lundrojnë drejt Portit të Vlorës. Për neutralizimin e terroristëve u jepet urdhër anijeve të gatëshme P-116 në Sazan dhe P-132 në bazën e Pashalimanit për të bllokuar anijen”Pafata”.Gjatë bordimit terroristët ju kundërpërgjigjën me armë grupeve tona të bordimit, kështuqë ju kërkua ndihmë Trupave tona Speciale, të cilat mbrritën menjëherë ne vëndngjarje. Duke u kordinuar veprimet det-ajër u bë i mundur kontrolli i Urës së Komandimit nga trupat speciale dhe shpëtimi i pengmarësve në anije. Veprimet të shkathta, të shpejta e eficente të trupave tona bënë të mundur realizimin me sukses të dy operacioneve për zbatimin e ligjshmërisë detare. Theksojmë se trupat tona si ato të Rojes Bregdetare dhe ato të Forcave speciale më parë janë trajnuar me specialistë amerikanë. Në fund të stërvitjes Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral-major Jeronim Bazo përgëzoi efektivat pjesmarrës për përkushtimin, disiplinën dhe profesionalizmin e treguar në realizimin me sukses të objektivave e tematikës së stërvitjes. Më pas gjatë intervistës me mediat vlonjate, Gjeneral Bazo vlerësoi përpjekjet e Forcave tona të Armatosura për shtimin e kapaciteteve operacionale në luftën kundër trafigjeve detare si dhe gatishmërinë e këmbënguljen e shtetit shqiptar për parandalimin dhe eleminimin e shkeljeve të ligjshmërisë detare në ujërat tona territoriale.