• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHEH HYSEN KUÇI I DIBRËS SË MADHE

September 21, 2015 by dgreca

Me rastin e 102 vjetorit të pushkatimit ( 22 shtator 1913 ) nga pushtuesit serbë./

Nga Abdurahim ASHIKU*/

“Më parë se të vijnë luftëtarët në Dibër, – shkruan gazeta “Përlindja e Shqipërisë” Nr.13 Vjeshtë e Parë -1913 ushtria serbe burgoi tetëdhet veta nga parësia e vendit, me qëllim që t’i vrasin dhe të nesërmen. Kur u rradhuan për me i plumbos, i arritën Malësorët, andaj s’munden me i vra të gjithë, por veç pesë shpirt.
Këta janë ata që ranë dëshmorë për lirimin e atdheut të vet, të cilëve historia meriton t’i shkruaj emënat e tyne për një kujtim të përjetshëm: Sheh Hyseni, SadullahStrazimiri, Ramiz beu, Karafil beu, Numan Efendiu. U ndrittë shpirti”.
Në vitin 1878, në krah të Abdyl Frashërtin, të Iljaz Pashë Dibrës dhe të shokëve të tyre që shkonin drejt Prizrenit ecte edhe një djalosh i ri. Bisedat me Abdylin në shtëpinë e tij, ngrohtësia e fjalëve që i jepnin jetë idesë së bukur për një Shqipëri të lirë nga pushtuesit osmanlinj, e ngritën peshë zemrën e Hysenit 23 vjeçar. I ati, Myslimi, i kishte folur shpesh për kryengritjet kundër turkut, për heroizmin e dibranëve në luftë me Hajredin Pashën më 1844, kundër të cilit kishte marrë pjesë edhe ai vetë, për luftërat e mëvonshme, që mbinin herë në njërën krahinë e herë në tjetrën në të gjithë Shqipërinë, duke i mbajtur zaptuesit vazhdimisht në grykë të pushkës.
Jeta në qytetin e Dibrës, që në atëkohë, ishte një ndër pikat kyçe të rrugëkalimeve për në Kosovë, Durrës, Elbasan, Gjirokastër, Janinë, Selanik etj., ambienti i teqesë të sektit bektashi, ku lindi dhe u rrit, sekt i cili “për hir të propagandës armiqësore që zhvillonte kundër Portës së Lartë, të tolerancës ndaj feve tjera dhe dallimit, që bënte midis islamizmit dhe kombësisë” (Histori e Shqipërisë V-I) do të formonin rrëkenë, që më vonë do të hapte rrugën e veprimtarisë patriotike të Hysenit. Nga ana tjetër, pritja dhe përcjellja në shtëpinë e tij të shumë udhëtarëve, të cilët në bisedat e tyre rrihnin mendimet përparimtare të kohës, mendimet plot bukë të Rilindjes Kombëtare, takimi disa herë me Abdyl Frashërin, vajtja në Prizren me të, marrja pjesë në mbledhjen patriotike, në Kuvendin e Dibrës dhe në mbledhjen e qershorit 1878 në Prizren, ku figuron edhe firma e tij midis shumë firmave të tjera; të gjitha këto do të shënonin hapa të tjerë të sigurt në veprimtarinë patriotike të Hysen Shehut, ose të Sheh Hysen Kuçit, siç njihet në qytetin e Dibrës dhe në tërë krahinën.
Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sipas kujtimeve të bashkëkohësve, Hysenin e gjen në aktivitete të vazhdueshme në Prizren dhe në Dibër.
“Mbas shkatërrimit të Lidhjes së Prizrenit-shkruan IsmailStrazimiri,- nuk u fik shkëndija kombëtare në Dibër, por filloi me u këndellë si prushi nën shpuzë, derisa kur erdhi koha shkëlqeu”
Në këtë kohë Hyseni ndiqet nga autoritetet turke, arrestohet dhe internohet. Më vonë kthehet përsëri në Dibër. Në dokumentet e kohës ai paraqitet si njeri i qetë, “në hall të vet”, që merret me teqenë e fenë e bile një fetar që ka përkrahur sektin, që i shkonte më për shtat Portës së Lartë, sektin Elveti. Por Hyseni nuk i zbatonte ritet e këtij sekti. Nuk mbante ramazan dhe kur ishte puna për të zgjedhur midis fesë dhe ndërgjegjes së tij ai ngrinte zërin: “Më mirë të bëjmë rrugën se sa të agjërojmë ramazanin” (Ishte fjala për ndërtimin e rrugës për Gostivar që kundërshtarët kërkonin, të mos bëhej në atë kohë sepse ishte ramazan).
Hyseni, tashmë i formuar si Patriot, me ndjenjën e dashurisë për mëmëdheun do të kërkonte rrugë të reja për të çarë përpara. Lëvizja e gjerë për gjuhën shqipe, që siç shkruante dëshmitari bashkëkohës IsmailStrazimiri, kur flet për shkollën e SeitNajdenit dhe shkollat e tjera:
“Kjo shkollë ishte krejt e mçeft, klasat e saj ishin izbat e errëta të dyqaneve dhe odat e mçefta të shtëpive…”
“Çdo fushë, livadh morën trajtën e një shkolle, ku mblidheshin grupe-grupe djemnia e re dhe mësofshin gjuhën e bekueme”.
Kjo lëvizje do të përfshinte edhe Hysenin bashkë me të vëllanë, Zylfiun. Shtëpia e tyre u bë dalëngadalë një qendër për mësimin e gjuhës shqipe. U hodhën edhe themelet për ndërtimin e një shkolle. Por autoritetet turke kuptuan qëllimin e bërjes së ndërtesës dhe dërguan zaptijet dhe e shembën. Autoritetet turke e kërcënuan Hysenin, se do ta arrestonin dhe internonin.
Shkollimit të njerëzve me gjuhën amtare shqipe Hyseni do ti jepte pjesë nga jeta e tij edhe në vitet e mëvonshme e në veçanti pas vitit 1910, kur klubi i Dibrës mori iniciativën për të hapur 250 shkolla të reja shqipe.
Shpallja e Pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912, bëri që të realizohej ëndrra shekullore e popullit, që luftoi me heroizëm për liri e pavarësi kombëtare. Dibra jetonte çastet e gëzimit të pakufi për lirinë e shumë pritur. Por shpejt gëzimi u prish. Një hordhi tjetër sulmoi Dibrën. Serbia synonte të dilte në Drin, Prat e Qafë të Buallit për të krijuar një urë lidhjeje për synimet e saj të mëtejshme drejt Durrësit. Dibra e cila ndjeu në palcë barbarinë dhe tehun e shpatës së re, nisi të përgatitej për luftë.
Në gazetat e kohës, me gjithë vështirësitë e komunikacionit dhe të ndërlidhjes, gjen një pasqyrim të mirë të luftës së dibranëve kundër pushtuesve serbë. Gazeta “G’iornaled’Italia” shkruan:
“Një notë zyrtare thotë se më 10 të muajit, ora 10 në mëngjes, u përpoqën shqiptarët me ushtrinë serbe afër Dibrës. Lufta u ba e rreptë dhe mbajti gjer në mesditë…Shqiptarët, nja 6000, hynë në Dibër”.
Hyseni në prag të kryengritjes ndodhet në Zerqan. Meqenëse njihte mirë qytetin dhe kishte influencë në banorët e tij, ai dërgohet nga kryengritësit për të organizuar popullin në kryengritjen që përgatitej. Kështu ai hyn ilegalisht në Dibër dhe nis aktivitetin.
I biri, Haki Shehu (Kuçi) në kujtimet e tij në dorëshkrim, shkruan:
“Për sa i përket vrasjes së babës tim unë mbaj mend…
Kishte kohë që baba nuk vinte. Një natë erdhi në shtëpi dhe ne fëmijët, shtatë vëllezër e motra, u gëzuam.Baba rrinte në dhomën nalt. Vinin njerëz dhe e takonin. Se çfarë bisedonin nuk e merrja vesh vetëm se mbaj mend mirë një ditë në mëngjes kur hapëm portën e oborrit dhe shikojmë se shtëpia ishte e rrethuar nga ushtria serbe. Ata hynë mbrenda dhe e arrestuan. Ne fëmijët filluam të qajmë. Mbas dy ditësh, në mëngjes ndigjuem krisma pushkësh. Babën e sollën kryengritësit, të Dibrës së Vogël dhe të Dibrës së Madhe që çliruan qytetin dhe e dëbuan ushtrinë serbe.
Më vonë kam marrë vesh nga xhaxhai dhe të tjerë se baba para se të vinte në Dibër ishte në Zerqan ku po përgatitej kryengritja e mbarë Dibrës kundër serbit. Baba erdh në Dibër për të ndihmuar në organizimin e kryengritje në qytet por spiunazhi e diktoi dhe e arrestuan së bashku me disa të tjerë. Prej këtyre u pushkatuan Ramiz Karafili, NumanHasani, SadullaStrazimirietj
Pasi hynë kryengritësit në Dibër morën trupin e babës dhe e prunë në teqe. Mbaj mend se atë ditë e shoqëronin mbi njëmijë burra nga qyteti i Dibrës dhe mbarë krahina, pjesëmarrës në kryengritje..” (Fragmend nga dorëshkrimi i mbajtur më 10 shkurt 1978)
Myslim Shehu, djali i Zylfiut, vëllai i Hysenit, lindur në vitin 1878, 35 vjeç në momentin e ngjarjes tregon…
“Mixha asht vra më 1913. Vjeshtë e parë ka qenë. E mbaj mend kur erdh naçalniku dhe e lidhi. Më tha “Amanet fëmijët se janë të vegjël”. Mixha ishte i lidhur me kryengritësit dhe kishte ardhë në Dibër për të organizuar kryengritjen. Kur doli jashtë e futën në mes zaptijet dhe e çuan në këshlla ku e vranë bashkë me disa të tjerë. Kur erdhën kryengritësit mixhën e kishin vra. E prunë në shtëpi shumë vetë. E varrosëm në tyrben e teqes. Tani e kanë hekvorrin prej aty se e kanë ba vendin shesh…” (Është fjala për qendrën e qytetit të Dibrës, lulishten e madhe ku sot janë vendosur buste të njerëzve që i dhanë nder e lavdi qytetit.)
Për qëndrimin burrëror karshi shovinistëve serbë të Hysenit dhe të shokëve të tij është shkruar në këtë kohë nga disa gazeta brenda dhe jashtë vendit si “Përlindja e Shqipërisë”, “KorrieredellePuglie”, “Kalendari kombiar 1914” etj.
“Më parë se të vijnë luftëtarët në Dibër, – shkruan gazeta “Përlindja e Shqipërisë” Nr.13 Vjeshtë e Parë -1913 ushtria serbe burgoi tetëdhet veta nga parësia e vendit, me qëllim që t’i vrasin dhe të nesërmen. Kur u rradhuan për me i plumbos, i arritën Malësorët, andaj s’munden me i vra të gjithë, por veç pesë shpirt.
Këta janë ata që ranë dëshmorë për lirimin e atdheut të vet, të cilëve historia meriton t’i shkruaj emënat e tyne për një kujtim të përjetshëm: Sheh Hyseni, SadullahStrazimiri, Ramiz beu, Karafil beu, Numan Efendiu. U ndrittë shpirti”.
Kryengritësit dibranë Sheh Hysenin dhe shokët e tij, që u pushkatuan nga serbët i gjetën para portave të këshllasë (kazermave). Në varrimin e tyre morën pjesë mijëra kryengritës dibranë dhe banorë të qytetit të Dibrës.
Ndonëse në lëvizjet demokratike të viteve njëzetë u bënë disa orvatje për ta përjetësuar emrin e Hysen Shehut, duke i dhënë nënprefekturës së Zerqanit emrin e tij, nderimet e merituara do ti jepeshin këtij aktivisti të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të Luftës për Liri e Pavarësi Kombëtare vonë, në 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit…
Në muzeun e vëllezërve Frashëri fotografia dhe të dhënat gojore për Sheh Hysenin qëndrojnë krahas dokumenteve të tjerë të vëllezërve pishtarë. Fotografia e tij qëndron gjithashtu në muzeun e dëshmorëve të tjerë të Luftës për Pavarësi Kombëtare.
Në kuadrin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të themeluar në Prizren Hysen Shehu (Kuçi) u dekorua me medaljen “ Për veprimtari patriotike ”
*(Fragmente nga punimi në dorëshkrim SHEH HYSEN KUÇI I DIBRËS SË MADHE )

Filed Under: Histori Tagged With: Abdurahim Ashiku, I DIBRËS SË MADHE, SHEH HYSEN KUÇI

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT