• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONTRIBUTI I FAIK KONICES NE GJUHESI

July 11, 2013 by dgreca

Shfletojme ALBANINE e ustait te gjuhes shqipe, ish editorit te Diellit dhe kryetarit te Vatres, Faik Konica/

Eruditi Faik Konica ka nje kontribut te jashtzakonshem edhe ne fushen e gjuhesise. Në përpjekje për të ringjallur gjuhën shqipe, atij nuk mund t’i mohohet roli i prijesit. Në vitet më të vështira për shqipen ai dha kontribut të rrallë për pasurimin dhe modernizimin e saj, sidomos të leksikut deri atëherë të rrudhur, të cunguar e të asfiksuar prej hegjemonisë gjuhësore turke./

DIALEKTET SHQIPE DHE NEVOJA E SHKRIRJES SË TYRE

Dy dialekte të mëdha, – të cilat ndahen vetë në dialekte të tjera, por shumë pak të rëndësishme, – e ndajnë Shqipërinë në mes: dialekti gegë në Veri dhe dialekti toskë në Jug. Një lumë, Shkumbini, shënon pikënisjen e dy dialekteve. Duke studiuar, qoftë edhe përciptas, natyrën e gegërishtes e të toskërishtes, nuk vonojmë të vëmë re se dallimet mes tyre nuk janë më të mëdha nga ato që shquajnë mënyrën e të folurit të një normani nga ajo e një guaskoni. Në fund të fundit mund të thuhet se ky dallim kufizohet në ngjyrime shqiptimore. Por në një vend ku traditat shkollore mungojnë, këto ndryshime shqiptimore janë theksuar në vend që të zbuten; dhe shqiptarët, duke mos pasur për udhërrëfyes drejtshkrimor as fjalorë, as akademi, doli se – kur menduan të lëvrojnë gjuhën e tyre – ata nuk ndoqën tjetër rregull drejtshkrimore veç asaj që t‘i shkruanin fjalët siç shqiptoheshin. Në këtë mënyrë, po qe se do t‘i jepnit një shqiptari të veriut dhe një shqiptari të jugut një tekst për të përkthyer, do të kishit dy përkthime, gjuha e të cilave, në pikëpamje të morfologjisë, do të ndryshonte thuajse aq sa ndryshon spanjishtja nga italishtja. As rreziku i bashkëjetesës së këtyre dialekteve të kundërta, as vështirësia për t‘i shkrirë së bashku, nuk do t‘u shpëtojnë shqiptarëve të pajisur me njëfarë largpamësie. Nuk është çështja të hiqet gegërishtja apo toskërishtja dhe as të shtyhen shqiptarët të ndryshojnë, në përdorimin e përditshëm, dialektet përkatëse për të mbërritur në njëfarë njësie të gjuhës; kjo është e pamundur. Dhe nga ana tjetër do të ishte pa vend, sepse të duash të ndryshosh të folurën e një populli, do të thotë të ndryshosh karakterin e tij dhe të shkatërrosh personalitetin e tij; dialekti toskë, i gjallë, i përpunueshëm, i hollë, në zhvillim të vazhdueshëm, e përmbledh mirë natyrën toske, që përbëhet nga dhuna e përmbajtur, mendjemprehtësia, shkathtësia, intriga e paqëndrueshmëria; dialekti gegë, përkundrazi, i ngadalshëm, i rëndë, i pandryshueshëm, i zhveshur nga shprehjet me dy kuptime, përmbledh për mrekulli karakterin gegë, i përbërë nga serioziteti e çiltërsia e pastër, shpesh pa ligësi, e mbi të gjitha armik i risive. Çështja është të arrihet të krijohet, përtej bashkëjetesës paralele të të folmeve toske e gege, një gjuhë letrare, një gjuhë e shkruar, që të jetë e përbashkët për të gjithë shqiptarët.
Po të dëgjosh disa shqiptarë të mësuar, të cilët i pyetëm për mendimin e tyre, kjo çështje as që duhet shtruar fare. Sipas tyre, do të vijë një ditë kur dialekti toskë – pasi të ketë mbërritur, me një zhvillim të cilin e shohim për ditë të përparojë, në lartësinë e gjuhëve të mëdha moderne – do ta përthithë fatalisht dialektin gegë, i mbetur pa lëvruar; dhe citojnë, në mbështetje të mendimit të tyre, këtë fakt, në të vërtetë i saktë, që shumë shqiptarë gegë përdorin toskërishten kur shkruajnë. Por ne nuk e kemi këtë mendim, pasi, përveç se fakti që ata përmendin nuk na duket shumë bindës, dialekti gegë përmban qindra shprehje frazeologjike të humbura nga toskët dhe që janë thesarë të vërtetë të lënë trashëgim nga të parët tanë që nga lashtësia. […]
Ndoshta çështja do të gjente një zgjidhje të lehtë e të shpejtë, në qoftë se do ta ruanim toskërishten si gjuhë të prozës dhe gegërishten si gjuhë për poezinë. Natyra përkatëse e të dy dialekteve do të përshtatej pa dyshim me këtë rol. Mënyra e gjerë dhe fisnike, edhe pse pak e përpunueshme, e gegërishtes, duket se i shkon për shtat ritmit të mendimeve e të ndjenjave; ne kemi botuar së fundi (Albania 91) një sonet të admirueshëm, të parin të botuar në gjuhën tonë, të një shkodrani të ri, i cili jep një përfytyrim të asaj çka mund të bëhet dialekti gegë në duar të afta [soneti Vorri i Skandërbegut me autor, pas gjasash, Filip Shirokën, botuar te Albania 1897/6 – K.J.]; ne kemi botuar herën e fundit dy sonete të tjerë [Hovi i Mirditës n‘luft dhe Gaireti i shqyptarve n‘luft botuar botuar pa emër autori te Albania 1897/9 – K.J.], gjithashtu të një autori gegë, bukuria e shëndetshme e të cilave e përforcon këtë përshtypje. Por, të themi të drejtën, sendërtimi i këtij mendimi nuk do të ishte aspak i mundur në një vend ku njerëzit, në përgjithësi pak të rysur në njohjen e dialektit të tyre, janë aq më pak të aftë të mësojnë të shkruajnë dialektin fqinj. Jo! Zgjidhja më e mirë e problemit, më praktikja, do të ishte krijimi i një gramatike – të miratuar nga shqiptarët e mësuar dhe albanologët – ku të gjitha elementet dialektore, të mbledhur në grupe, të pajtuar, të bashkërenduar sipas një metode racionale e shkencore, do t‘i jepnin shkas lindjes së një gjuhe të përbashkët për të gjithë shqiptarët, ashtu si grekët kishin Koïnê glôssa-n e tyre. (botuar në frëngjisht te Albania, 1897/10)

ETIMOLOGJI E LOJËRA FJALËSH.RRETH NJË LIBRI

Ka një numër fjalësh në greqishten e vjetër, prejardhja e të cilave duket qartë se është shqipe: fakt që nuk duhet të na çudisë aspak, nëse mendojmë që këto dy gjuhë kanë qenë në kontakt qysh në antikitetin më të hershëm. Por numri i fjalëve që ka dhënë hua gjuha shqipe nuk është asgjë në krahasim me ato që ajo ka marrë. Ky nuk është mendimi i gjithkujt; dhe, duke ndërruar rendin e fakteve reale, disa pretendojnë se të gjitha fjalët që shqipja ka të përbashkëta me gjuhë të tjera, janë të gurrës shqipe. Për më tepër, duke marrë shkas nga disa përkime tingullore të rastit, ata duan të na tregojnë gjithandej rrënjë shqipe. Shkenca e Gustav Meyer-it tashmë i ka vënë përfund këto fantazi; fryt i një pune të mundimshme e madhështore, punimet e albanologut të shquar të Gracit ia kanë nënshtruar shqipen një analize racionale, kundërshtare të përfytyrimit. E megjithatë, duket se vargu i talljeve gjuhësore është larg së shteruri.[…]
(botuar në frëngjisht te Albania, 1897/6)

NEOLOGJIZMAT DHE LIGJET E ZHVILLIMIT FONETIK NË GJUHËN SHQIPE

Nuk do të ishte një përfytyrim bosh t‘i krahasonim gjuhët me organizmin njerëzor. Ashtu si trupi i njeriut formohet, zh villohet dhe rritet duke marrë fuqi e shëndet, falë ndihmës së lëndëve të huaja, po ashtu një gjuhë arrin në një fuqi shprehjeje e në një jetë të vetën vetëm me anë të huazimit paraprak të një sasie elementesh të huaja. E po ashtu si trupi tret ushqimet, ashtu edhe gjuha shndërron, për t‘i përthithur, fjalët që merr nga një gjuhë tjetër. Po ky shndërrim që një gjuhë u bën fjalëve të huaja – para se t‘i bëjë të vetat, para se t‘i injektojë, si të thuash, në damarë – nuk është një punë e rastit ose e trillit: është një funksion i vërtetë që, ashtu si funksionet e tretjes, ka ligjet e veta: janë ligjet e zhvillimit fonetik.
Gjuha shqipe, e varfër mbi të gjitha, madje më fort e varfëruar, ka ndier – sapo ka filluar të lëvrohet pak seriozisht – nevojën për të shtuar fjalorin e saj: që këtej ka ardhur një tufë neologjizmash, që vetëm sa shtohen nga dita në ditë. Këto neologjizma janë dy llojesh. Disa shkrimtarë krijojnë terma të reja thjesht duke bashkuar fjalë shqipe ekzistuese, një mënyrë sintetike shumë e mirë, e cila mund të qortohet ndonjëherë si e pamjaftueshme; nga ana tjetër, ata që e përdorin shpesh herë bëjnë gabimin që i ngjisin keq fjalët e bashkuara, dhe që e përdorin tepër shpesh prapashtesën disi të pakëndshme -ës. Shkrimtarë të tjerë, për të dhënë mendime që shqipja nuk mund t‘i shprehë, marrin lëndë nga fjalori i latinishtes e i greqishtes klasike: një mjet i ligjshëm, meqë është i nevojshëm; edhe ne vetë e kemi përdorur shpesh, por pa lënë pas dore mënyrën e sintezës. Por duhet thënë se, nëse neologjizmat e kategorisë së parë, në të shumtën e rasteve, janë të rëndë e të trashë, të tjerët janë thuajse gjithnjë të patretshëm, të vrazhdë, të papërshtatur. Shkrimtarët që merren e krijojnë të tilla, duket se nuk e kuptojnë që një fjalë, e zhvendosur siç është nga latinishtja në shqipe, stonon mes fjalëve të tjera, tingëllon keq në vesh, ruan një fizionomi barbare, që e bën qesharake: me këtë ata vërtetojnë se nuk njohin ligjet më elementare fonetike të gjuhës shqipe.

Këto ligje janë të shumëfishta: për t‘i nxjerrë e formuluar të gjitha do të duheshin njohur të gjitha etimologjitë e fjalëve shqipe. Filologu i madh Gustav Meyer e ka shtruar më parë rrugën me punimet e tij të shkëlqyera; por unë dyshoj nëse ai i ka shmangur gjithmonë hamendësimet dhe sidomos nëse është krejt i plotë. Sidoqoftë, ne tashmë i dimë parimet e këtyre ligjeve […] (botuar në frëngjisht te Albania, 1897/6) BUKURI, DOBl, VDOBËSI E GJUHËS INGLISHT Sot për sot është vënë re në të gjith‘ anët që gjuha in glisht ka marë dhe po mer një rëndësi të madhe. N‘Evropë, më të pasurat e më të mëdhatë fëmijëra [familje – K.J.] e quajnë për nder të rritin djemt‘ e tyre me një mësonjëtor inglis; në shkollat e Francës, e Gjermanisë, e Belgjisë, e Hollandës dhe tjatërkund, mësimi i gjuhës inglisht është dëtyrë.
Kur kërkon njeriu shkaket për cilët kio gjuhë zjen në të gjith‘ anët, më parë gjen bukurin‘ e saj. Dhe me të vërtet, gjuha inglisht është një nga më të bukurat e dheut; letratura e inglizëve s‘ ka shoqe në faqe të dheut; gjenia e aedhëtorëve [poetëve – K.J.], si Shakespeare (këndohet: Shekëspir), Milton, Pope, Byron (Bairën), Shelley (Shele), Tennyson, ka enthusiasur mijonëra të ditur dhe artistë. Në krye të XIX shekull poezia mori në Francë një sulmë të re; kryetorët e kësaj sulmës ishin Lamartini dhe Hugua [Viktor Hygo – K.J.], cilët kishin ushqyer mënden e tyre me këngat e Shakespearit dhe Byronit.
Përveç bukurisë, gjuha inglisht ka dhe një dobi të madhe. Statistikat dëftejnë se inglishtia kuvëndohet prej treqint mijon njerëzve; dhe ky numër dita me ditën po shtohet. Kudo që të veni, me inglishten u kanë për të kuptuar: s‘ ka nukë vetëm qytet, por as pshat n‘ Evropë ku të mos gjendet njeri të marë vesh këtë gjuhë; përveç Inglëdheut [Anglisë – K.J.], inglishtia flitet në tër‘ Amerikën e Nordit, në Hindi dhe në shumë të tjera vise.
Pastaj, s‘ësht as nonjë gjuhë e rëndë për të msuar. Ka, për kundrë, vdobësi [lehtësi – K.J.] të madhe. Gjithë ata qi kanë msuar fillollogjinë, e dinë fort mirë që inglishtia, pas persishtes, është gjuha cilës gramatika është më e tarrura [e qëruara – K.J.] nga gjëmbat.
Një fjalë për të mbaruar: Në gjuhën inglisht – miaft çudi! – ka ca fjalë qi janë si në shqipen. P.tr.: Jam inglizët i thonë I am, derë i thonë door, ju i thonë you (këndohet ju). Për këtë do të bëjmë fjalë gjër‘ e gjatë më tutje. (Albania, 1897/5)

MËNDIME GJUHËSIE

Tedesk – gjerman Një bashkëpunëtor i ALBANIËS ka dhënë këtu një vijë të mirë për të begatuar gjuhën me fialë të ra. Duhet shtuar një shënim për emërat e kombeve, të popujve, të viseve, etj. Këto fialë, kur nuk i kemi, duhet 1. a t‘ i lëmë shqip si janë në gjuhë të vetë 2. a, kur nukë bien mirë në vesh, t‘ i marim nga latinishtia duke i shqipëruar. Pas kësaj rregulle, shqipëtarët e veriut s‘ bëjnë mirë që thonë tedesk. Ç‘ është kio fialë italiane? A thomi dot shqip Deutcher, sikundër i thonë vetes tedeskët? Jo! Ahere le të marim fialën Germanus, shqip gjerman. (Albania, 1902/5)

Filed Under: Featured Tagged With: dialektet e gjuhes shqipe, e Faik Konices, Shfletojme Albanine

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT