• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GËZUAR DITËN KOMBËTARE TË SHKOLLËS, MËSUES TË DIASPORËS!

March 7, 2021 by dgreca

NJË URIM I VEÇANTË PËR MËSUESIT SHQIPTARË NË DIASPORË

Sokol PAJA – DIELLI/

Sot është një ditë shumë e veçantë për kombin tonë, dita e mësuesit, heroit sakrifikues, heroit që hedh themelet e forta e të shëndosha të shtetit dhe të ardhmes së ndritur të kombit tonë. Shkolla është institucioni më i rëndësishëm i një shoqërie, shteti dhe themeli i një kombi të zhvilluar.

Në këtë ditë feste dhe krenarie kombëtare, më shumë se kurrë dhe më fort se asnjëherë tjetër duhet të shprehim mirënjohjen për rilindasit tanë të shquar, për patriotët e nderuar, për korifejtë e lartë të dijes, për trimat e pushkës e të penës që na trashëguan ndër breza këtë gjuhë të bukur të Perëndisë. Hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë më 7 mars 1887 ishte fillimi i daljes nga errësira 5 shekullore osmane. Sot përulemi para sakrificës që bëjnë qindra mësues çdo ditë duke përshkruar me këmbë orë të tëra fshatrat e largët, të vetmuar e të harruar të Shqipërisë duke mësuar shqip. Falenderim nga zemra për mësuesit shqiptarë në çdo cep të trojeve amtare por sidomos mirënjohje të veçantë sot iu shkon mësuesve të mërgatës shqiptare në çdo cep të botës. 

Gjuha e bukur shqipe sot flitet, mësohet dhe trashëgohet denjësisht në çdo shtet dhe kontinent ku jetojnë shqiptarë. Nga Amerika në Kanada, nga Australia në Angli, Itali, Gjermani, Austri, Zvicër, Belgjikë, Greqi, Suedi, Norvegji, Danimarkë, Finlandë, Spanjë, Kroaci, Turqi e kudo ku shqipet punojnë, gëzojnë e jetojnë. Emigrimi masiv, zhvillimi teknologjik, presionet e asimilimit në vendet ku jetojnë, nevoja e përshtatjes dhe integrimit e ka vënë në rrezik harrese dhe asimilimi gjuhën shqipe, por falë punës së jashtëzakonshme të mësuesve shqiptarë në diasporë, gjuha shqipe jo vetëm nuk harrohet por lëvrohet dhe kultivohet për mrekulli.

Mësues të certefikuar në hapsirën ndërshtetërore shqiptare, profesionistë të licensuar e mirëtrajnuar me metodat më bashkëkohore të mësimdhënies në shtetet ku jetojnë, eksperiencat pedagogjike ndërkombëtare i ka bërë mësuesit e diasporës shqiptare kompetentë, virtuozë dhe dinjitozë në mësimin e gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare. Këta mësues janë shndërruar në personalitete kombëtare dhe gëzojnë një reputacion të lartë dhe në shtetet ku punojnë e jetojnë. Mësuesit shqiptarë në diasporë, me pasionin, krenarinë dhe përkushtimin për të mësuar gjuhën shqipe bashkatdhetarëve, përveç se ruajnë identitetin, kulturën, traditën, shpirtin shqiptar, ata janë shndërruar në ambasadorë të pazëvëndësueshëm të etnitetit dhe identitetit tonë në botë. Mësuesit e diasporës shqiptare mbajnë gjallë flakën e dashurisë për Mëmëdhenë, zjarrin e shpirtit të bukur arbëror dhe  krenarinë e të qënit shqiptar. Falë mësuesve të përkushtuar, distancat shpirtërore atdhetare i kanë mundur distancat gjeografike. Nga fryma e tyre atdhetare, prej duarve të tyre të bekuara, prej dijes që përcjellin, mësuesit e diasporës trashëgojnë dhe shënjojnë vazhdimësinë e kombit tonë. Mësuesit shqiptarë në diasporë na bëjnë krenarë ndër kombe e shtete tjera. Mësuesit shqiptarë janë shndërruar në fidanishte ku këndojnë bilbila dhe rriten dallëndyshe që pasi fluturojnë në qiejt blu të botës kozmopolite, përsëri nuk e harrojnë dhe kthehen në folenë e ngrohtë: Mëmëdhe. Mësuesit shqiptarë në diasporë janë ambasadorët e vërtetë të kombit shqiptarë. Ata janë krenaria jonë, vazhdimësia jonë, identiteti ynë, më të vlefshëm se diplomacia parlamentare, ministrore apo konsullore qoftë. Mirënjohje e nderim. Respekte e vlerësim sot, nesër dhe përgjithmonë.

Filed Under: Featured Tagged With: Diaspora-Shkolla shqipe, shkolla, Sokol Paja

NË FESTËN E 4 VJETORIT ME NXËNËSIT E SHKOLLËS SHQIPE NË ASTORIA

March 11, 2019 by dgreca

NGA DALIP GRECA

Me 10 Mars, të dielën në mesditë,isha mysafir në festën e Shkollës shqipe në Astoria, Queens, e cila i zhvillon mësimet prej katër vitesh në mjediset e lokalit “Kuq e Zi” në pronësi të bashkatdhetarit Kristaq Foto.

Në Festën e Mësuesit, që përkon me festimin e 4 vjetorit të celjes së shkollës, drejtuesi i saj, i pasionuari Kristaq Papa, ka ftuar edhe prindërit e fëmijëve si dhe mësues veteranë të zonës, një pjesë prej të cilëve kanë dhënë kontribut në shkollë. Krahas Pavlina Papës dhe File Shehut, kanë kontribuar edhe mësuesit Gjena Prifti, Patriot e Micka Xhaferri, Vita Bano dhe Milika Foto. Natyrsiht ish mësueset e mërguar provojnë emocione të dyfishta tek shohin fëmijët e vegjël të flasin me aq saktësi gjuhën e prindërve të tyre.

Kristaqi ka përgatitë një orë model me të tri kategoritë e niveleve të nxënësve mbështetur mbi bashkëbisedimin. Prindërit dhe mysafirët ndjekin përgjigjet e fëmijëve dhe bëjnë vlerësimin e tyre. Këtë e kërkon Kristaqi, pas cdo përgjigje të nxënësve.

Ora e mësimit fillon nga grupi më i vështirë, ai fëmijëve dëgjues, të cilët kanë ardhur rishtaz dhe përbëjnë kontigjentin e klasës së parë për vitin në vazhdim. Ndjekim me radhë përgjigjet. Klara dhe Gabrieli edhe pse kanë vetëm 2 muaj që i janë bashkëngjitë grupit kanë përparuar kënaqshëm, Aleks Myftaraj, Arlind  Nesti Tollja e Leart Fredi Tollja, japin përgjigje logjike në një bashkëbisedim të lirshëm.

Grupi i të rriturëve është treguesi më real i efektivitetit të shkollës dhe prindërit i duartrokasin gjatë përgjigjeve logjike që japin.

Diasa nga këta fëmijë janë të prindërve me kombësi të ndryshme, por tek ua dëgjon shqiptimin në gjuhën shqipe, të habisin, nuk kanë asnjë ndryshim nga fëmijët me të dy prindërit me kombësi shqiptare. Enrik Myftaraj edhe pse e ka nënën italiane e ka me shumë dëshirë mësimin e gjuhës shqipe. Madje vetë mamaja Laura e ka mbështetë me shumë dëshirë, natyrisht edhe babai Erion Myftaraj ka dhënë mbështetjen e tij; Thomas, i biri i Richard Ford dhe Ledis Kulla, të habit me theksin e shkëlqyer të shqiptimit të fjalëve dhe fjalive.

Në grupin e tretë, të gjithë fëmijët janë të saktë në përgjigjet që japin: Mason Gorian Papa, Amelia Ermal Semini, Naile Fredi Tollja dhe Ernea Nesti Tollja,Eron Elio Papa, jo vetëm lexojnë rrjedhshëm, por arrijnë që të nxjerrin kupimin logjik dhe vlerat që mbartin pjesët e leximit që interpretuan.

  Fëmijët duartrokiten edhe kur rrëfejnë para të rriturve gjë a gjëza dhe kërkojnë që t’i gjejnë ata.

 Të pranishmit duartrokitën edhe një inskenim që interpretuan. Fëmijët interpretues ishin përshtatur mjaft mirë në pjesëzën”Macja Qau”, ku interpretuan:Enrik Myftaraj, në rolin e babait; Ernea Tollja në rolin e Gentës, dhe e shkathta Naile Tollja ën rolin e koteles së vogël. Një interpretim i saktë, dinamik, ku fëmijët jo vetëm thonë tekstin, por bëjnë dhe veprime teatrore.

Gjatë mësimit Kristaqi zhvillon dhe bashkëbisedim me prindërit, gjyshërit dhe gjyshet që janë në sallë duke i përgëzuar ata për kontributin e  madh që japin në familje, duke folur në gjuhën shqipe.Pa mbështetjen tuaj, do ta kishin shumë vështirë fëmijët të ruanin në kujtesë c’ka mësonin këtu cdo javë.

Në në fund një kotejl për me meny të larmishëm për fëmijët dhe prindërit.

Si mbyllje dy fjalë për Kristaq Papën: Meriton përgëzimet e komunitetit dhe të prindërve. E bën pa zhurmë punën e drejtuesit të shkollës prej 4 viitesh. Eshtë larg atyre që marrin Mirënjohje të organizatave të zhurmëshme të komunitetit, por kjo nuk e epngon që t’u përkushtohet sic di ai, me shpirt dhe me profesionalizëm!

Edhe për Kristaqin tjetër, Kristaq Foton, pronarin e lokalit, lavdërimet janë pak, prej katër vitesh ai ak lëshuar nja nga dhomat e lokalit për shkollën shqipe! Sikur të bënim të gjithë nga pak për ceshtjen Kombetare, ja këshutu; gjëra të vogla në duke si dy Kristaqët,?!! Nuk e kam fjalën tek ata që rrahin gjoksin dhe thërresin nga mengjesi ne mbrëmje: Jam shqiptar…., por për ata që bëjnë punë konkrete për shqiptari!

Filed Under: Featured Tagged With: shkolla

Militantizmi e ka dëmtuar rëndë sistemin arsimor të vendit

October 10, 2018 by dgreca

“Shkolla vlen aq sa vlen edhe mësuesi”./

                               Frederik Vilhelm/

1 fran-gjoka-2

Shkruan: Shkruar nga Fran Gjoka,Lezhë*/

Arsimi nuk është një pirg reformash subjektive që kanë mbetur në letër, por një projekt inteligjent që kërkon një menaxhim intelektual në rang qarqesh dhe rrethesh të vendit. Në këtë kuptim, jo kushdo mund të bëhet drejtues, pavarësisht nga vullneti e dëshira e mirë e njërit apo tjetrit. Parë në këtë këndvështrim, mendojmë se militantizmi e ka dëmtuar rëndë sistemin e arsimit të vendit. Përzgjedhja e kuadrit drejtues të arsimit, i thënçin me konkurs, por që kanë vepruar ndryshe, duke i emëruar drejtuesit mbi bazën e kritereve të tjera si ato nepotike, partiake e, pse jo, edhe korruptive e servile, e kanë kompromentuar rëndë realizimin e reformës, duke krijuar mendimin e gabuar se drejtor arsimi dhe, për më tepër, drejtor shkolle, mund të bëhet kushdo. Në këtë kuptim është paradoksale dhe i ofrohet një shërbim i keq institucionit të arsimit dhe të ardhmes së tij, kur drejtori, “që ka fituar” të ashtuquajturin konkurs, ka më pak arsim dhe përgatitje shkencore e pedagogjike sesa kolegët e tjerë.

“Meritat”e tij ai le t’i shfaqë në një vend pune tjetër, por kurrsesi në fushën e arsimit, këtë sektor delikat, prioritar dhe shumë të ndjeshëm për shoqërinë dhe të ardhmen e saj.

Të shqetëson fakti se në mesin e vitit shkollor MAS bën ndryshime, duke ndryshuar strukturën e orëve dhe lëndëve mësimore. Pra tre lëndë të ndryshme në një ditë, nga gjashtë lëndë që bëheshin. Kjo demagogji afatshkurtër e peshës së çantës së lehtë do të zëvendësohet ngadalë  me dije të cunguara të nxënësve. Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë e përligj me faktin se s’kemi shkollë e kushte minimale të domosdoshme për punë në shumë fshatra e qytete të vendit, prindërit s’kanë pasur ndonjë informacion paraprak për orët e ndryshuara, kuadrin ligjor dhe, mbi të gjitha, s’janë parë kushtet sociale dhe ekonomike të familjeve shqiptare.

                               Portali “Mësues për Shqipërinë”  i huazuar dhe formal 

I ashtuquajturi portal “Mësues për Shqipërinë”,  është huazuar në formën më të  shëmtuar në arsimin tonë. Është paradoks i vërtetë, aplikimi i kësaj formule abstrakte, kur në Itali dhe vende të tjera europiane bazohet në meritë dhe është i vërtetë e kuptimplotë. Për Italinë mësuesit shkojnë ku ka nevojë vendi, sepse motivohen dhe u krijohen kushte optimale për punë dhe jetesë. E kundërta ndodh në sistemin tonë arsimorë. Ky është portal që po shërben  si fasadë djallëzore e MAS–s, dhe Drejtorive Rajonale e ZA – ve,  për të mbuluar korrupsionin në këto drejtori të vendit, që si pasojë sjell një paligjshmëri të vërtetë që po bëhet  me emërimet dhe shkarkimet e mësuesve. Vazhdojmë me metodën “alla shqiptarçe”. Me të drejtë Frederik Vilhelm thoshte “Shkolla vlen aq sa vlen edhe mësuesi”. E kemi thënë edhe herë të tjera se kemi drejtorë shkollash që po e shkatërrojnë sistemin tonë arsimor, që nuk i shërbejnë vendit të punës, që janë nën nivelin e formimit shkencor – pedagogjik dhe profesional të mësuesisë në shkolla.

Me keqardhje shikojmë aty-këtu një liberalizim të theksuar të veprimtarisë mësimore dhe edukative. Në shkollat publike mungon kërkesa unike e llogarisë ndaj nxënësit, ku mësuesi e sidomos nxënësi, fillon e mbaron ditën e mësimit duke lëvizur sa andej – këtej dhe, më keq akoma, duke e lënë vetëm klasën e tij në kujdestari. Në pikun e punës së ditës mësimore grupe mësuesish i gjen kafeneve, të ulur për shtatë palë qejfe, madje shpesh, bashkë me drejtuesin, ndaj ndodhin dhe ngjarje të pakëndshme në shkollat tona.

                     Drejtues shkollash dhe të ZA-ve  që janë kthyer në feudalë

Kemi drejtues shkollash që kanë mbi 25 – 30 vjet në drejtim dhe janë kthyer si feudalë, apo pronarë në shkollat e tyre. Ka ardhur koha të kemi një lidership të formuar në mënyrë të plotë, kundër konformist e racional, që me kurajë civile dhe guxim intelektual pranon se ky sistem arsimor duhet ndryshuar, të gjenerojë intelekt e qytetari, duke iu larguar “lidershipit të tenderëve e bandave” të të gjitha niveleve që ka kapur për fyti sot shumë drejtorë qarqesh dhe të ZA-ve të vendit.

Fatkeqësisht, sot kemi drejtorë qarqesh dhe të ZA-ve, që kanë hyrë në vitin e gjashtë të drejtimit. Kjo zgjatje e pasuksesshme në drejtimin e arsimit ka dhënë mundësinë e pasurimit të tyre përmes emërimeve pa kriter. Kemi plot raste të vërtetuara, për veprime abuzive dhe korruptive, nga media e shkruar dhe ajo vizive. Me sa vëmë re, MAS nuk e ka pikën e impenjimit për të parë në se është e domosdoshme një ndërhyrje e tillë në reformimin e kuadrit drejtues në të gjitha nivelet në arsimin tonë. Si në çdo institucion tjetër, edhe administrata rajonale e arsimit ka nevojë urgjente për një reformim total të saj.Mendoj se duhet të vendosen në krye të arsimit rajonal, apo të ZA – ve drejtues që kanë guxim intelektual, persona apolitikë dhe që janë kundër konformizmit, të jenë racional dhe të realizojnë dy synime të mëdha: aktin e pastrimit dhe të ndryshimit në administratën publike të arsimit. E themi këtë, se ka mbi 20 vjet që qëndrojnë  në një vend pune, pa kontribuar në asnjë fushë të kërkimit shkencor, pedagogjik, apo didaktik, në një kohë që kemi breza të rinjsh që janë të shkëlqyer e me një apo dy mastera shkencor e profesionalë, që i mbajmë larg institucionit të arsimit rajonal.

Kjo administrate, do të thosha e fryrë, po mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Nga ana tjetër, nuk ka një sistem të vlerësimit të performancës së punonjësve në nivel DAR dhe ZA-ve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore vartëse, gjë e cila le për të dëshiruar. Në çdo drejtori qarku apo dhe të ZA-ve të arsimit ka specialist, që fatkeqësisht janë kthyer vetëm në zbatues të shkresave dhe vendimeve burokratike që vijnë nga lart dhe që në shkollë pak ose aspak shkojnë. Çdo gjë ka mbetur vetëm në besimin absolut të drejtuesve të shkollave, ndërsa me mësuesin, vështirësitë e punës së tij, nuk merret askush. Fatkeqësisht u hoq kontrolli i inspektoriatit rajonal të arsimit. Mendoj se ishte një gabim i rëndë për MAS-n. Shpresoj të rikthehet, sepse drejtuesit e shkollave dhe mësuesit do të jenë më impenjativ për punën e tyre mësimore.

Sado të flasim, përsëri është politika që po e shkatërron sistemin arsimor,  sepse simpatizantët po e mbajnë gjallë politikën e ditës në arsim. Ka ardhur koha që drejtorët e arsimit duhet të largohen, duke sjellë prurje të reja në drejtimin e arsimit në qarqet dhe rrethet e vendit. Vetëm kështu i bëjmë nder shkollës dhe komunitetit arsimdashës. Vetëm kur të heqim dorë nga preferencat politike dhe servilizmat në punën me kuadrin në arsim dhe të orientohemi vetëm nga ana profesionale, do të garantojmë disi realizimin me sukses të reformës dhe plotësimin e standardeve në arsim.

             Vijon formalizmi në përmbajtjen e shkollës.

Është folur dhe shkruar për ngarkesën mësimore të mësuesit, për libra të mbingarkuar me material pa vlerë, për asimilim të vështirë të marrjes së njohurive nga nxënësit, për peshën e rëndë të çantës etj. Çfarë po ndodh me tekstet shkollore, ku janë vlerat intelektuale kombëtare që përçohen me anë të tyre? Po bota akademike pse është mënjanuar në mënyrën më të qëllimshme dhe më dashakeqëse përballë këtyre fakteve që na shqetësojnë? Vazhdojmë të kopjojmë librat e vendeve të tjera të botës, kur kemi programet tona mësimore, të cilat mund të përshtaten fare mirë, duke ruajtur kulturën, pavarësinë dhe vlerat tona të çmuara kombëtare. Të gjitha këto kanë ardhur si pasojë e lirisë së shfrenuar, në emër të liberalizimit të dijes, e cila ashtu si edhe në ekonomi, ka prodhuar fakte të renda në arsim. Me keqardhje janë krijuar në të gjithë vendin “një xhungël” e vërtetë shkollash e universitetesh private, që nga numri i tyre në raport me popullsinë zor se gjen në një vend tjetër të botës si Shqipëria, ku dihet se arsimi është një e mirë publike, e cila nuk mund te ndahet me privatin në këtë mënyrë. Aq më tepër që e ka të pamundur të kontrollojë nivelin e dijeve që merren tek privati. Fatkeqësisht nuk ka ende një standard shtetëror të dijeve që duhet të përvetësojnë fëmijët në çdo hallkë të sistemit arsimor.

Ne zgjedhjet politike të 2013-tës  Edi Rama e cilësoj arsimin si “emergjence kombëtare”. Dhe shpresuam se do t`ia ndryshonte faqen për mirë arsimit tonë kombëtar. Por realisht arsimi mbetet për t`u dëshiruar. Kjo ka ardhur edhe nga papërgjegjshmëria në vendosjen e dy mandateve radhazi të Ministres së Arsimit dhe Sporteve dhe kjo e fundit në mungesën e përzgjedhjes së individëve vizionarë për menaxhimin e së ardhmes së gjeneratës së re të vendit.

Nuk janë alternative dhe “frymë e re” as portalet e mësuesve, as tekstet e reja të future “an block” as provimet e mësuesve apo blerje kreditesh, as formularët e maturanteve dhe, ajo që e shqetëson më shumë komunitetin e prindërve, është rritja galopante e çmimeve të teksteve shkollore e shumë veprimtari të tilla. Fatkeqësisht, kemi në institucionet qendrore dhe rajonale me diploma fallco të marra në universitetet private si “Kristali” apo ndonjë tjetër të vendit, ku i shoqëron një brez sharlatanësh me diploma dhe servile të regjimit.

Në çdo takim që kryenin mësuesit, ku përbetoheshin se Rilindja do të rrisë këtë mandate pagën e mësuesit në masën 40%, pra çdo vit nga 10%. Por, korriku dhe gushti ikën me vapën e madhe, ndërsa rritjen e pagës se mësuesve nuk u kujtua askush. Duke qenë mësuesi i nëpërkëmbur, i denigruar dhe i keq paguar, të gjithë të rinjtë po i largohen sektorit të arsimit.

Për të shkuar në rrënjë të problemit, duhet të kthehemi te qëllimi themelor i menaxhimit intelektual të arsimit që, me keqardhje, themi se askush nga drejtuesit e arsimit në qarqe dhe ato të ZA – ve e shkollave se kanë marrë ende seriozisht dhe të kenë një përgjigje se si duhet drejtuar dhe administruar në të ardhmen arsimi ynë kombëtar. Ne na duhet gjithashtu, ta shndërrojmë këtë në mesazh sensibilizimi për shkollën, që arsimi ynë të jetë sakaq i pranishëm dhe frymëzues për të ardhmen e brezit të ri. Ai të mos jetë si riprodhim i një shoqërie të korruptuar dhe konfliktuale, por si institucion që gjeneron inteligjencë e qytetari.

*E falenderojme autorin per bashkepunimin me Gazeten “Dielli”, SHBA

Filed Under: Politike Tagged With: FRAN GJOKA, Lezhe, milatitantizmi, shkolla

Shkolla “Children of the Eagle” – E Para Shkollë Shqipe në Yonkers

June 27, 2017 by dgreca

1 Drita Gjongecaj1 ok shkolla Yonkers1 shkolla Yonkers

Nga Drita Gjongecaj Hasandocaj/Ka më se një muaj që është hapur për herë të parë shkolla shqipe në Yonkers, NY. Në kohën kur shkollat publike ishin gati në përfundim të vitit shkollor, “Children of the Eagle” ka mundësuar që edhe fëmijët e Yonkers and Westchester të ndjekin programin e shkollës dhe trashëgimisë kulturore shqipe. Ajo i ka mbledhur fëmijët shqiptarë me qëllim që ata të vazhdojnë të takohen me njëri-tjetrin edhe gjatë verës, të flasin, shkruajnë, luajnë dhe këndojnë shqip ndërkohë që brumosen me ndjenjën e bukur të atdhedashurisë.

Klasat do të vazhdojnë edhe në muajin korrik duke arritur kështu në 10 javë gjithsejt për këtë semestër të parë të kësaj shkolle. Fëmijët janë të moshave të ndryshme por të gjithë i bashkon një gjë: të qenit krenar për prejardhjen e tyre dhe sidomos të qenit të ndërgjegjshëm se për ta ruajtur identitetin shqiptar nuk mjafton vetëm të veshësh bluzën kuq e zi, por duhet folur gjuha, duhen njohur dhe kuptuar trashëgimia kulturore dhe traditat kombëtare, dhe po ashtu, duhet lexuar në shqip që të zgjerojnë njohuritë për historinë dhe gjendjen aktuale të vendit të prejardhjes.

Nëse për ne shqiptarët, përpjekjet për ruajtjen e gjuhës amtare kanë qenë të vazhdueshme qysh nga koha e Rilindasve, duhet të nënvizojmë se kjo nevojë është po aq akute edhe sot për të penguar asimilimin në vendet ku diaspora shtrihet. Përvec kësaj, duhet marrë parasysh se në ekonominë e sotme globale, njohja dhe përvetësimi në nivele cilësore ka edhe përparësi të tjera duke filluar që nga shftrytëzimi i internetit, mjeteve të komunikimit masiv në gjuhën shqipe, punësimi, turizmi, fusha politike, etj. të cilat pa dyshim i hapin atyre më shumë dyer për prosperitet individual.

Për këtë qëllim, shkolla “Children of the Eagle” ka hartuar projekte specifike të programeve edukative dhe kulturore. Kjo shkollë aktualisht frekuentohet edhe nga fëmijë që vijnë nga Eastchester dhe Yorktown, distancë jo e shkurtër për prindërit që me përkushtim ua krijojnë fëmijëve të tyre mundësinë për të mësuar gjuhën e bukur shqipe ndërkohë që edhe luajnë dhe argëtohen me bashkatdhetarë nga vise të ndryshme shqiptare. Me fjalë të tjera, për këtë një meritë e veçantë i takon prindërve që i ushqejnë fëmijët e tyre me një ndjenjë të tillë dhe që shpesh herë lënë të tjera obligime pas dore vetëm që t’i sjellin ata në ambientet ku zhvillohet mësimi, në McLean Ave, Yonkers.

Grupi mësimdhënës përbëhet nga mësues që janë të licensuar për mësimdhënie edhe në shtetin e NY përveç përvojës që ata kanë sjellë nga atdheu amë. Duhet veçuar këtu ndihma e paçmuar e zotit Henry Djonbalaj, i cili ka siguruar ambientet ku çdo të shtunë zhvillohet mësimi për dy orë rrjesht. Me të njëjtin dashamirësi, shkolla “Children of the Eagle” është mbështetur edhe nga Konsullata e Kosovës dhe vecanërisht z. Fatmir Zajmi, i cili ka ndihmuar me tekste të Abetares dhe Fletore Pune, botime këto të përbashkëta Shqipëri-Kosovë.

Regjistrimet vazhdojnë në çdo kohë. Ky semestër përfundon me datën 29 korrik për t’i rihapur dyert në fillim të muajit shtator për një vit të ri shkollor për fëmijët shqiptarë të zonës Westchester, NY. Për më shumë informacion, vizitoni faqen e facebook, “Association of Albanian-American Dual Language & Culture – AADLC”. Një faqe interneti rreth shoqatës me të njëjtin emër dhe pjesë e së cilës është edhe kjo shkollë, do të jetë aktive së shpejti.

I mirëpresim prindërit që t’i sjellin fëmijët e tyre pranë shkollës “Children of the Eagle”. Le ta ruajmë dhe trashëgojmë gjuhën tonë të bukur!

Filed Under: Featured Tagged With: “Children of the Eagle”, Drita Gjongecaj Hasandocaj, shkolla

Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Brooklyn filluan vitin e ri mësimor 2014-2015

September 20, 2014 by dgreca

Bilbili i Gjuhës Shqipe Rafael Gjona m’u përgjegj se: “Dakord që mund të dali nga shkolla jonë një president për në Amerikë, por mund të kemi dhe një president të ardhshëm për Shqipërinë, pse jo”?…/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Në Brooklyn në një nga qytetet historike dhe ndër më të populluara të Nju Jorkut si dhe në Amerikë nxënësit shqiptarë filluan shkollën Shqipe.
Në mjediset e shkollës publike amerikane nxënësit shqiptarë të lindur në Amerikë u ulën për të filluar vitin shkollor akademik 2014-2015. Ishte një ditë e bukur shtatori me fllad Oqeani një ditë që do të ngelet përgjithmonë në kujtesën e nxënësve. Shumë prej tyre njiheshin nga vitet e mëparshme dhe takoheshin me mall, sepse ishin me sezonin e pushimeve dhe kishin pothuajse gjithë verën që nuk ishin takuar, ngase dikush kishte shkuar në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Dibër, Çamëri ose vende të ndryshme të botës që ata i tregonin me aq mbresa dhe bukuriza fëminore.
Disa prej tyre uleshin për herë të parë në bangat e shkollës dhe që më të mëdhenjtë tregoheshin tepër të kujdesshëm për t’u dhënë ngrohtësi dhe dashuri si më të “vjetër” të shkollës shqipe. Nxënësit erdhën të shoqëruar nga prindërit e tyre të cilët me emocion dhe mirënjohje tregonin kujdes të posaçëm që ata të dëgjonin mësueset e tyre dhe të mësonin sa më shumë SHQIP.
Në ceremoninë e hapjes së fillimit të vitit shkollor përshëndeti Dr.Valbona Zylo Watkins zv/presidente e Shkollës Shqipe dhe bashkëthemeluese e saj e cila iu uroi mirëseardhjen të gjithë nxënësve, prindërve dhe mësueseve të shkollës. Dr.Watkins bëri një prezantim të shkurtër të historikut të shkollës shqipe “Alba Life” shkollë që operon në Staten Island, Brooklyn dhe së shpejti do të kemi Shkollë Shqipe dhe në Manhattan. Ajo vazhdoi se shkolla ka hyrë në vitin e shtatë të saj dhe së bashku me stafin jemi krenarë që fëmijët tanë këtu në Diasporë po mësojnë Gjuhën Shqipe, kulturën dhe traditat e mrekullueshme të popullit shqiptar. Sivjet shkolla shqipe në Brooklyn është shtuar me një klasë më shumë çka tregon për rritjen e saj dhe seriozitetin e punës së mësuesëve. Prindërve të mëparshëm dhe të rinj u ka prezantuar programin shkollor, abetaren unike dhe librat qëdo të përdorin nxënësit, të cilat janë të miratuara nga të dy ministritë e Kosovës dhe të Shqipërisë. Aktivitetet e ndryshme që organizon shkolla Shqipe si festën e Pavarësisë, festat e fundvitit, 7 Marsin, Ditën e Mësuesit, Festivalin e Shkollave Shqipe që u organizua vjet për herë të parë nën drejtimin e Konsullatës së Kosovës me ish Ambasadorin Bekim Sejdiu dhe me Keshillin Organizativ do të vazhdojë çdo vit, si dhe mbylljen e vitit shkollor janë aktvitete që nxënësit marrin pjesë gjallerisht dhe që ata paraqiten denjësisht për të demonstruar kulturën shqiptare në New York në metropolin e botës. Në fund ka falënderuar mësueset e shkollës në Brooklyn si Altiona Stefanllarin e cila për arsye pune, pasi jep mësim dhe në mbasdite nuk do të marre pjesë këtë vit dhe Aferdita Kacubaj te cilat punuan me përkushtim për vitin akademik 2013-2014. Ndërkohë ka prezantuar para nxënësve dhe prindërve dy mësueset e reja zonjat Marjana Bulku dhe Armela Shehaj të cilave iu ka uruar mirëseardhjen dhe punë të mbarë në vitin e ri shkollor. Ajo i ftoi ato para audiotorit ku mësuese Marjana tha se kam tre vje që kam ardhur në Amerikë dhe shprehu me emocion bashkëpunimin me stafin e Shkollës Shqipe dhe tha se unë kam një përvojë të konsiderueshme në arsim pasi në Shqipëri kam dhënë mësim në shkollë të mesme dhe do të mundohem të përshtatem dhe këtu me nxënësit e kësaj moshe. I shprehu falënderimin dhe themeluesit të shkollës shqipe z.Qemal Zylo për bashkëpunimn dhe përkushtim që do të vazhdojnë me të gjithe stafin për ecjen e shkollës shqipe. Mësuese Armela Shehaj tha se ka mbaruar për mësuesi në Shqipëri dhe tha kam vetem tre muaj që kam ardhur në Amerike. E falënderoj Shkollën Shqipe për ngrohtësinë që më krijuan dhe për kërkesën që më miratuan për të dhënë mësim, detyrë që do ta kryejë me dinjitet dhe devotshmëri.
Në fund të ceremonisë iu ka uruar mirëseardhjen z.Qemal Zylo të gjithë prindërve, nxënësve dhe mësueseve të vjetra si Altionës dhe Afërditës si dhe mësuese të reja Marjanës dhe Armelës që u treguan te gatshme për këtë mision fisnik. Gjithmonë e kam ndjerë për detyre karshi Atdheut dhe Diasporës që me mundësitë tona si familje të hapim shkollat shqipe këtu në Diaspore që femijet tanë të mos e harrojnë kurrë Gjuhen Shqipe dhe rrënjët nga kanë ardhur. Pa bashkëpunimin e ngushtë tuajin si prindër, si dhe shoqatave të ndryshme ne nuk do të kishim sukses në hapjen e shkollave shqipe, pasi vetëm bashkëpunimi dhe mirëkuptimi bëjnë gjithcka të mundur dhe për këte ju shpreh mirënjohjen time. Z.Zylo falënderoi te gjithe prindërit si dhe nje falënderim special ka qenë për nxënësit e rinj që u ulën për herë të parë në bangat e shkollës. Është kënaqësi që Shkolla Shqipe “Alba Life” përdor mjediset e Shkollës publike amerikane dhe për këtë falënderoi drejtoritë e shkollave amerikane si dhe Bordin e Edukimit të New Yorkut që i lejon ligjërisht për të vazhduar programin e mësimit shqip. Pasi u bënë regjistrimet, dhënia e librave, nxënësit grupe-grupe u ndanë sipas klasave dhe vazhduan programin mësimor. Duke kaluar në korridor pranë çdo klase nuk ka se si të mos ndjesh emocion kur dëgjon fjalën e ëmbël shqip nga fëmijët e Diasporës, të cilët të japin një kënaqësi krejtësisht të veçantë.
Ndërsa dëgjoja Shqip, kishja hyrë në rezonancë si në një muzike me tingëllim të fuqishem aktual me vargjet për Gjuhën Shqipe të Martirit të Kombit Gjergj Fishtës i cili shkruan:
“Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini/ gegë e toskë/ malci e qyteta/ gjuhën t’uej kurr mos ta lini/ mos ta lini sa t’jetë jeta/ por për tê gjithmonë punoni/ pse, sa t’mbani gjuhën t’uej/ fisi juej, vendi e zakoni/ kanë me u mbajtë larg kambës s’huej”…
Pasi i përfundova nën zë së brendshmi këto vargje hymn, ndalova një çast tek klasa e Marjanës dhe ju thashë mirë se erdhët dhe punë të mbarë. Ja përshembull mesuese Marjana i thashë se ç’kam një parandjenjë që nga kjo shkollë mund të dali ndonje president i ardshëm në Amerikë, ndërkohë nxënësi Rafael Gjona, Bilbili i Gjuhës Shqipe m’u përgjegj se: “dakord që mund të dali nga shkolla jonë një president për në Amerikë, por mund të kemi dhe një president të ardhshëm për Shqipërinë, pse jo”?… Nxënësit e miratuan duke qeshur. Folëm me sy me mësuese Marjanën dhe u largova me një buzëqeshje dhe me një mendim të thellë në kokë…
Bota e tyre gjithmonë më ka magjepsur si mësuese me një përvojë të gjatë midis dy kontinenteve, por dhe si prind, si gjyshe dhe si shqiptare.
Në muajin e shtatorit në Ditën e parë të Shkollës Shqipe, në Bruklinin historik ndër qytetet më të populluara amerikane që njihet më së shumti me urën e famshme me të njejtin emër dhe që futet në mrekullitë moderne të botës, Bruklini dëgjoi shqip, jehona e saj do të dëgjohet sa të ketë frymë shqiptari.

19 shtator, 2014
Brooklyn, New York

Filed Under: Reportazh Tagged With: Alba-Life, Keze Zylo, nisi mesimi, shkolla

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT