SHKOLLA E TRASHËGIMISË SHQIPE “CHILDREN OF THE EAGLE” FESTOI NË VATËR PËRFUNDIMIN E VITIT SHKOLLOR/
Nga Sokol PAJA – DIELLI/
Të Shtunën më 29 Maj 2021, në orën 1:00 pm, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, Shkolla e Trashëgimisë shqipe “Children of the Eagle” organizoi ceremoninë e përfundimin me sukses të vitit shkollor 2020-2021. Bijtë e mrekullueshëm të shqipes në diasporën e Amerikës në New York së bashku me mësuesit dhe drejtuesen e shkollës Drita Gjongecaj, kishin përgatitur një ceremoni mbresëlënëse duke e shoqëruar edhe me një koncert e recitime vjershash të poetëve më të dalluar të kombit tonë. Përfaqësuesit më të lartë të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, anëtarë të Kryesisë e të Këshillit të Vatrës, prindër, mësues, nxënës, miq, të ftuar, gazetarë, patriotë mbetën të mahnitur dhe të impresionuar nga talenti, përformanca dhe dashuria e veçantë e këtyre fëmijëve të mrekullueshëm për flamurin, gjuhën dhe traditën shqiptare. Drejtuesja e shkollës Drita Gjongecaj në hapje të aktivitetit artistik, në emër të organizatës dhe shkollës “Children of the Eagle”, i shprehu mirënjohje dhe i dorëzoi kretarit të Vatrës z.Elmi Berisha një Çertifikatë Mirënjohje për pasuritë që mbart dhe ambientin jo vetëm suportues por edhe motivues në të cilin VATRA hapi dyert që nxënësit të mësojnë rregullisht në një kohë kur çdo gjë tjetër ishte e mbyllur për shkak të pandemisë. “Nderimi më i madh i takon Federatës VATRA për mbështetjen sistematike të shkollës shqipe “Children of the Eagle”, duke u bërë strehë mësimore e nxënësve gjatë pandemisë botërore” u shpreh drejtuesja e shkollës “Children of the Eagle” Drita Gjongecaj. Kryetari i Vatrës u shpreh i emocionuar për këtë vlerësim që i jepet atij dhe Vatrës dhe u shpreh se Vatra do të jetë kurdoherë në mbështetje të shkollës shqipe. Z.Berisha i komplimentoi për performancën, rezultatet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin me Vatrën si familjen më të madhe në diasporën shqiptare në botë.
Drejtuesja e shkollës Drita Gjongecaj falenderoi në mënyrë të veçantë editorin e Diellit z.Dalip Greca, i cili ka suportuar me të gjitha mjetet e nevojshme çdo fundjavë shkollën shqipe. Z.Greca u nderua me Certifikatë Mirënjohje për ndihmën e pakursyer ndaj shkollës shqipe “Children of the Eagle”. Ai u shpreh i lumtur për nderimin dhe garantoi se do të jetë një mbështetje e vahzdueshme dhe ndihmë e pakursyer për mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. “Gjatë muajve të parë të pandemisë, efekti i implementimit të klasave online qe shumë i madh edhe për faktin që fëmijët gjetën mbështetje nga ana sociale dhe emocionale, në mes të kaosit dhe stresit, të panjohurës, etj. Mbajtja hapur e klasave shqipe u konfirmoi atyre se jeta vazhdon dhe nuk duhet të heqim dorë nga planet e synimet tona, dhe se përshtatja me situatat e reja është kusht i vazhdimësisë. Në formë nderimi dhe vlerësimi, si dhe për të evidentuar mbeshtetjen në çfardolloj niveli qoftë nga organizata apo individë, kemi: Partnerët e AADLC dhe njëkohësisht kemi Miqtë e Children of the Eagle. Ju ftoj të bëheni pjesë e këtyre nismave dhe ta mbështesni vazhdimësinë e mësimit të gjuhës shqipe, ruajtjes së kulturës dhe rrjedhimisht të identitetit tonë kombëtar” përfundoi drejtuesja e shkollës “Children of the Eagle” Drita Gjongecaj.
Fëmijë që e kanë ndjekur shkollën fizikisht në klasë përgjatë vitit shkollor 2020-2021, të cilëve iu dorëzuan Dëftesat ishin: Elvis Balaj, Arisa Balaj, Klarent Ahmataj, Klaudia Koka, Alfons Gjelaj, Joana Koka, Terezina Parubi, Gulianna Stefa, Alexa Parubi, Julia Loci, Anya Gjini, Jeton Shkreli, Julian Shkreli, Enki Mjerashaj, Ilira Idrizi, Altea Shahini dhe Siona Gashi. Përveç Kryetarit të Vatrës dhe Editorit të Diellit, drejtuesja e shkollës shqipe “Children of the Eagle” Drita Gjongecaj nderoi me Çertifikatë Mirënjohje mësueset Holta Ahmataj dhe Arjana Kurti, dhe gazetaren Marjana Bulku “Për kontributin e vyer në ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqipe tek fëmijët e diasporës”. Shkolla e Trashëgimisë shqipe “Children of the Eagle” e ka filluar aktivitetin e saj prej disa kohësh dhe prej 5 vjetësh njihet edhe zyrtarisht si organizatë e ligjshme jo fitim prurëse ne shtetin e NY. Children of the Eagle është pjesë e një organizate më të madhe e quajtur Organizata e Dy Gjuhëve dhe Kulturave Ndërsjellëse shqiptaro-amerikane-AADLC dhe që ka si qëllim zgjerimin dhe forcimin e rrjetëzimit të mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë. Që nga fillimet e saj, kjo shkollë është munduar të tërheqë një numer të konsiderueshëm nxënësish, familjet e të cilëve e vlerësojnë mundësinë që u është dhënë dhe e ndjekin me fanatizëm. Kjo shkollë ka dy qendra kryesore ku e zhvillojnë aktivitetin mësimor, njëra në Morris Park, Bronx, në shkollat publike dhe tjetra në Yonkers dhe Westchester. Mësimi online që vazhdon akoma, bëhet nëpërmjet platformave të avancuara bashkëkohore dhe përfshin Google Classroom e applikacione të ndryshme si Nearpod, Jamboard, etj. Në klasat online, ka nxënës edhe nga Londra e Manchester, Mbretëria e Bashuar, apo New Jersey, Maryland dhe Florida. Nxënësit e shkollës shqipe në përfundim të aktivitetit mrekulluan të pranishmit me një program artistik i cili u paraqit dhe u realizua mjeshtërisht nga nxënësit, duke dhënë shumë emocione për të gjithë të pranishmit në sallë. Nxënësja Terezina Parubi dhe Joana Koka paraqitën përshëndetje në shqip për mësueset e tyre dhe shkollën shqipe. Klarent Ahmataj recitoi poezitë “Mëmëdheu” nga Çajupi dhe “Shkolla ime” nga Azem Shkreli. Nxënësja Klaudia Koka recitoi poezinë “Atdheu im” nga Asdreni. Nxënësja Joana Koka recitoi poezinë “Nënë Tereza”, nxënësi Alfons Gjelaj me “Gjuha e nënës”, nënësja Terezina Parubi recitoi “O Malet e Shqipërisë” nga Naim Frasheri dhe një vjershë për atdheun. Nxënësja Joana Koka luajti dy pjesë në piano ndërsa Kënga e Alfabetit erdhi e kënduar nga Julia Loci, Gulianna Stefa, Anya Gjini dhe grupi. Kënga “Fol Shqip” u këndua nga Joana dhe Klaudia Koka. Mbrëmja festive u përmbyll me dhënien e certifikatave për secilin nxënës dhe një koktejl të përgatitur nga Mark Mrnaçaj me rastin e promovimit të librave të Dine Dines “ Alida” dhe “Gjyqi i Shopenhauerit”.