Shkruan Eugen SHEHU/
Rishikimi nga një periudhë e gjatë kohore e marëdhënieve bullgaro-shqiptare,në vitet 1941-1944, është i natyrshëm që do të nxjerret përballë problemeve të shumta dhe të koklavitura.Kjo jo vetëm për faktin kohor,as për burime arkivore (që lehtësisht mund të kërkohen e gjehen në Bullgari) se sa për një problem tjetër thellësisht me tendenca politike.Mbi këtë periudhë të vështirë të popullit shqiptar në viset shqiptare të Shkupit e Kumanovës,ku qëllimisht është hedhur pluhur harrese,ngase qoftë qeveria bullgare dhe qoftë ajo sllavomaqedonase i kanë quajtur e i quajnë ende këto treva autoktone shqiptare si domene të tyre.Në këtë mënyrë çdo studim apo lëvizje për të mundur të mësosh diçka nga pushtimi i trojeve shqiptare në vitet 1941-1944,ka qenë i pamundur,sepse koniukturat politike të djeshme dhe të sotme nuk lejojnë një sipërmarrje të tillë me vlera.Aty ku flitet në gjuhën e « ekuilibruar » të politikës,aty ku mungojnë dëshirat e sinqerta dhe analiza e thellë e problemeve,pikërisht aty duhet të veprojmë me kujdes se çfar fshihet pas kësaj heshtjeje apostolikeMe aq sa kam mundur të hulumtoj,në arkiva e në shtypin e kohës,une mendoj se në vitet 1941-1944,shqiptarët që jetojnë në trojet tona amtare në Shkup,Kumanovë e rrethina,jo vetëm që rruajtën trimërisht traditat e vyera të kombit tonë,por njëherazi me tendencat nacionaliste të shfaqur haptaz,dëshmuam atdhetarinë e flakët për viset etnike shqiptare.Merret lehtë me mend se regjimet komuniste totalitare,në Shqipëri e Maqedoni (si ish Republikë e Federatës Jugosllave) askurrë nuk kanë qenë të interesuara të hapin fletët e asaj historie,madje edhe vetë bullgarët kanë heshtur.Por nëse kërkohet të ecet përmes hapash politike e diplomatike,të respektit të ndërsjelltë vlen të kthesh kokën prapa për t’i parë të vërtetat e hidhura sa më të ndriçuara.
E vërteta është se në fillimin të vitit 1941,ngjarjet në Evropë muarrën rrjedha tejet të papritura.Gjermania ndodhej midis dy fronteve të luftës në Perëndim dhe në Lindje.Në Perëndim ishte Anglia e cila po bënte përpjekje për t’u mobilizuar duke marrë parasysh edhe ndihmën amerikane,ndërsa në Lindje komunizmi rus po forcohej e militarizohej dita ditës.Midis këtyre dy rreziqeve,çuditërisht Hitleri vendosi të shmange Perëndimin dhe këtë akt e kreu brenda natyrës së tij agresive dhe ambicioze duke u përgaditur për të sulmuar BRSS.Shumë historianë të Artit Ushtarak, e vlersojnë këtë hap të Hitlerit si çmenduri,por pak rëndësi ka kjo.Evropa po shkonte drejt luftërave fatale.Ndërkaq Italia pasi sulmoi shtetin amë,në vitin 1940 nisi luftën me Greqinë dhe më pas kërkoi prej Hitlerit (i cili mbante në memorje burimin e Luftës së Parë Botërore)një bashkërendim ushtarak për pushtimin e Jugosllavisë.Këtë e sqarojnë mirë analistët e huaj : « Më 4 shkurt,në konferencën e të gjithë hierarkëve ushtarak të Raihut të Tretë, »Operacioni Barabarosa » u kolaudua në mënyrë përfundimtare si edhe u përcaktua data e fillimit të tij,15 maj 1941.Por meqenëse Hitleri,i detyruar nga aleati i vet,Musolini,mori pjesë në operacionet e fushatës së Greqisë dhe më vonë të Jugosllavisë,duke humbur një kohë të çmuar prej gati 5 javësh,data e mësipërme ishte e nevojshme të spostohej në gjysmën e dytë të qershorit “
( R.Batalia , Lufta e Dytë Botërore , Tiranë 1988, faqe 160 ).
Kështu vlen të parashihet fakti që sulmi i prillit 1941 kundër Jugosllavisë,zhvillohej në rrafsh të planeve të përbashkëta me Italinë dhe kjo është arsyeja që pas atij kapitullimi të turpshëm të Armatës Jugosllave,u zbatua një plan i përpiktë për ndarjen e zonave të influencës në këtë vend.Por si një aleat të afërt në ide dhe qëndrime,kësaj radhe gjermanët menduan t’i ofronin edhe Bullgarisë një trofe nga sulmi mbi jugosllavinë.Kjo trofe përbën padyshim dëshirën e Hitlerit për ta përdorur në të pastajmen ushtrinë bullgare,për të realizuar qëllimet e veta në Evropën Juglindore e ma gjërë. E vërteta është se pikërisht me 6 prill 1941,ditën kur do të niste sulmi gjermano-italian mbi jugosllavinë,komanda e divizionit të Varadarit,nisi marshimet drejt tokave shqiptare deri lart në Dibër,me qëllim që pastaj të sulmonin aty repartet italiane,me qëllim dislokimin e tyre definitiv në brendësi të shtetit tonë amë.Mirëpo kur ushtritë gjermane mbritën në Shkup,në 9 prill 1941,ofensiva e trupave të Divizionit të Vardarit u duk qesharake ndaj edhe ushtarët e saj u kthyen prapa.Një repart i vogël i këtij Divizioni,i ndihmuar edhe nga dy-tri çeta vullnetarësh dibranë,nuk mund të përballeshin asesi me makinën e luftës së Raihut të Tretë.Qëndresa e tyre në Dibër zgjati 4-5 ditë dhe ishte gati simbolike.Në prani të forcave ushtarake gjermane,mësynë drejt perëndimit të Maqedonisë shqiptare,formacione të organizuara italiane të Divizionit “Firence “.Zënia e rajoneve të Dibrës,Gostivarit,Tetovës,Kërçovës dhe Strugës prej formacioneve ushtarake italiane,u bë pa pengesa.Mandej në shumë prej fshatrave të këtyre trevave,të cilat kishin vuajtur së tepërmi nga dhuna dhe terrori i ushtruar prej komandës së Divizionit të Vardarit,forcat italiane u pritën me indiferentizëm.Sidoqoftë ngjarjet që pasuan krijuan struktura të reja etnike për popullsinë shqiptare e cila ishte ndarë keqaz prej vitit 1913.Kështu,me dekretligjin e Mëkëmbjes së Përgjithshme,të 12 gushtit 1941,territoret e maqedonisë shqiptare iu bashkangjitën atyre të shtetit amë duke realizuar në fakt një të drejtë natyrore të popullit tonë.Për më tej ky bashkim nuk kishte të bënte vetëm me aspekte emocionale,por u shtri deri në hallkat më të imta të administratës civile.Këtë rol unifikues në krejt trojet shqiptare të sapobashkuara, e kreu më së miri “formimi i komisariatit Civil për Kosovën,Dibrën dhe Strugën”.(Arkivi Qendror i shtetit Tiranë.Fondi 267,dosja 64 fleta 1 ).
Por nëse në këto treva u ngjallën ndjenjat kombëtare,nëse këtu u lejuan gjuha e shkolla shqipe,nëse flamuri shqiptar nuk shihej si diçka e ligët prej italianëve, e kundërta ndodhi në viset etnike shqiptare të Shkupit,Kumanovës dhe Manastirit të cilat u ishin “dhuruar” Bullgarëve që në Konferencën e Vjenës në prillin e vitit 1941.e vërteta është se Bullgaria nuk kishte qenë dakord me këto territore të dhuruara,pasi u dukeshin pak,të krahasuar me pretendimet e saj shovene. Veçanërisht për qytetin e Ohrit,qarqet shovene bullgaromëdha patën debatuar shumë sa me diplomaci gjermane,aq edhe ate italiane ngase sipas tyre Ohri na qenka kryeqendra e “hershme e kishës bullgare”.Kështu që duke zhvendosur kishën e tyre,qindra kilometra larg Sofjes,në fakt ato shpallosnin hapur politikën pushtuese të tyre ndaj grekërve dhe shqiptarëve.Pas ndërhyrjes të njëpasnjëshme të mbretit Boris të Bullgarisë,çështja e Ohrit u la e hapur dhe në fakt për disa kohë aty qëndruan në bashkëjetesë trupat italiane dhe ato bullgare.Ashtu siç përmenda dhe më lartë,përkundër qëndrimeve të ushtrive gjermane në Kosovën Veriore dhe asaj italiane në perëndim të Maqedonisë shqiptare,viset e Shkupit dhe të Kumanovës u gjendën edhe një herë nën brutalitetin ekstrem të pushtetit civil dhe ushtarak bullgar.Ndër masat e para të pushtesve bullgar në qytetin e Shkupit dhe komunën e Kumanovës,ishte ai i largimit të atyre pak nënpunësve me origjinë shqiptare të cilët patën mundur të bënin ndonjë klasë shkolle nën regjimin e urryer të Mbretërisë SKS.Nën preteksin se nënpunësit shqiptarë nuk e shihnin me sy të mirë,vendosjen aty të ushtrisë bullgare,brenda 3-4 muajve të fundit 1941,këta u pushuan nga puna.Më tej me urdhër të veçantë të administratës bullgare,për banorët e viseve shqiptare të Shkupit e Kumanovës,u vendos me ligj që një e dhjeta e prodhimit bujqësor e blektorial,të ishte si normë tatimi.Propaganda bullgare ngulte këmbë se kjo “e dhjetë” i duhej për të mbajtur në këmbë administratën shtetërore,në fakt pjesa më e madhe e saj,mbushte hambaret e serbo-sllavomaqedonasve si edhe xhepat e bullgarëve.Madje administrata bullgare,nuk vonoi (sidomos në komunën e Kumanovës) të bëjë një inventar të imët të krejt tokës dhe bagëtisë të shqiptarëve e mbi këto llogari vendoste padrejtësisht se sa drithëra apo bagëti këta duhet të jepnin falas për administratën vendore.Sikur të mos mjaftonin krejt këto,në fshatrat e komunës së Kumanovës,në vitin 1941,u shfaqën edhe disa banda kriminelësh e plaçkitësh ordinerë,sllavo-bullgarësh.Nën preteksin se Kumanova ka qenë dhe është bullgare,ata vodhën në mjaft shtëpi të këtyre shqiptarëve etnikë të cilët për çdo rast njoftuan edhe administratën vendore.Por kur e panë se ankimet e atyre binin në vesh të shurdhër,atëherë rrëmbyen armët duke luftuar së toku kundër këtyre bandave shtetërore bullgare.Autoritetet e vendit me këtë rast,nuk munguan të ngrenë padi e gjyqe ndaj shqiptarëve të Kumanovës të cilët,më tej,për t’iu shpëtuar burgimeve të llahtarshëm,muarën rrugën pa kthim drejt shtetit amë.
Në vorbullën e trazuar të ngjarjeve të vitit 1941,nuk vonoi që Bullgaria dhe Turqia të lidhnin një marrëveshje të përbashkët,kinse do të hiqnin dorë përfundimisht nga armiqsitë e vjetra dhe do të kontribonin në paqën Ballkanike.Por në një analizë të saktë që i bënte kësaj marrëveshjeje,gazeta “Tomori” e cila ka pas dalë në Tiranë,ku thuhej se ; “Fletoret nënvizojnë duke përfunduar komentet e tyre se Bullgaria do ta vazhdojë politikën e kësaj miqësie dhe bashkëpunimi me Fuqitë e Boshtit,Rusinë,Jugosllavinë dhe vende të tjera miq,por pa hequr dorë nga ana tjetër nga “aspiratat e saj ligjore”.( Gazeta “ Tomorri “ – Tiranë më 19 shkurt 1941 ).
Merrej lehtë me mend se çka mund të ishin aspiratat ligjore të bullgarëve,në fillim të Luftës së Dytë Botërore.Fakti që ata nuk vonuan të nënshkruajnë traktate me Turqinë dhe Serbinë,fakti që ishin shteti i privilegjuar i Gjermanisë dhe ndër aleati i parë në Ballkan,le të kuptosh se krejt veprimtaria militare e Bullgarisë do të synonte pushtimin e territoreve të cilët për ironi të fatit,i quante bullgare.Mendoj se është me vend të kujtojmë,se në vitin 1941,Armata Ushtarake Bullgare,ndonëse kishte veprime të kondicionuara prej Fuqive të Boshtit ,Romë-Berlin,nuk vonoi të nise drejt Ballkanit reparte të tjera speciale,me çrast përgadiste pushtimin ose përndryshe “rimarrjen” e territoreve bullgare.Krejt me tone politike,gjenerali i kësaj armate Ilio Jori,do të deklaronte në shtyp se ; “Nëse ngjarjet që janë tani,në zhvillim të plotë,do të kërkojnë pjesmarrjen në luftë të Bullgarisë,duhet të përfillet e sigurtë se traditat tona ushtarake do të pasurohen me lavdi të reja”.( Revista “Revista e së Nesërmes”,Sofje më prill 1941 ).
Qyteti i Shkupit gjatë vitit 1941 si edhe në pranverë të vitit 1942,iu nënshtrua një regjistrimi të përgjithshëm i cili ndonëse nuk ishte i domosdoshëm,pati objektivat e veta për pushtuesit bullgar.Ngase në këtë qytet banonin asaj kohe më shumë se 50 përqind,popullsi shqiptare,ata jo pa qëllim,në zyrat e regjistrimit vendosën nënpunës bullgar të cilët nuk dinin asnjë fjalë në gjuhën shqipe.Nëse shkoje për tu regjistruar dhe flisje shqip,ky nënpunës të nxirrte menjëherë përjashta me të thirrura e të sharra,ngase nuk lejohej përdorimi i shqipes në “tokë bullgare!!?”.Por edhe nëse doje të ktheheshe pas,për në shtëpi nuk mundje sepse të prisnin gjobat e rënda deri puna e detyrueshme,si dënim për moszbatimin e urdhëresave të qeverisë.Kësisoj banorët autoktonë shqiptarë në Shkup,por edhe ata të Kumanovës dhe Manastirit,detyroheshin të flisnin në zyrat e pushtuesit bullgar ose në gjuhën e tyre ose në gjuhën serbosllave.Sidoqoftë kjo ishte vetëm akti i parë i tragjedisë shqiptare.Gjatë regjistrimeve,krejt ata që deklaroheshin shqiptarë ndodheshin nën presionin dhunues të pushtetit ushtarak bullgar,i cili përdorte metoda nga më të ndryshmet për të bërë që shqiptarët të mohonin kombësinë e tyre.Në qindra raste,kur shqiptarët nuk e kanë përfillur këtë akt shkombëtarizues,ata janë rrahur në zyrat e rregjistrimit,sharë dhe malltretuar edhe në sy të familjeve apo grave të tyre.Mohimin e individualitetit kombëtar,që pushtuesi bullgar kërkonte të zbatonte për banorët e maqedonisë shqiptare, e patën bërë vite më parë edhe pushtuesit e tjerë serbo-sllav.Në këtë kontekst,kjo nuk qe diçka e ndryshme për shqiptarët.Ndaj në një farë mënyre ata nuk u gjendën të papregaditur.Në gusht të vitit 1942,qeveria bullgare kërkonte që “shqiptarët e rretheve të Shkupit e Manastirit,të rishikonin origjinën e tyre,ose në të kundërtën,ata si të gjithë banorët e huaj duhej të shpërnguleshin”(A.Q.i shtetit-Tiranë,Fondi 251,dos.71,fl 9-11)
Përballë kësaj dhune sistematike të pushtuesve bullgar,me ç’rast synohej shkombëtarizimi apo shpërngulja e elementit shqiptar,u vërejtën një varg tendencash nacionaliste të cilat iu kundërvunë këtij terrori bullgaro-sllav.Së pari në rrethet intelektuale shqiptare,si në qytetin e Shkupit ashtu edhe në Manastir,Kumanovë e rrethina,u punua me atdhetarizëm në pikëpamje të ruajtjes së identitetit nacional.Në kushtet e vështirësive të panumërta,të ndjekjeve dhe burgimeve,këta intelektualë të pakët nuk e pushuan luftën e tyre për mbajtjen gjallë të vetëdijes sonë nacionale.Kështu,nëpër shtëpitë e nacionalistëve shqiptarë,në Manastir përgjatë viteve 1941-1944,nuk u ndërpren shkollat për mësim në gjuhën shqipe.Ndonëse në mënyrë të fshehtë,kjo shkollë funksionoi falë edhe ndihmës së pakursyer të mësuesve normalist që kishin ardhur aty prej shtetit amë.Në mësimet e fshehura të shqipes,nxënësit në Manastir,Kumanovë,Shkup dhe rrethina,përpos gjuhës merrnin njohuri edhe mbi traditat e vyera të popullit tonë,si edhe luftërat e tij në shekuj për pavarsi.Në kushtet kur në zonat gjermane dhe italiane të pushtimit u fut gjërësisht literatura në shkollat shqipe të lejuara,këto tekste nuk munguan edhe në zonën bullgare të pushtimit.Ishin nacionalistët e këtyre trevave të okupuara nga Bullgaria,të cilët duke patur mbështetje të plotë nga politika e shtetit amë shqiptar,shkuan atje dhe fshehurazi çuan në viset e shtypura të tyre tekste të gjeografisë,historisë apo vepra të autorëve shqiptarë si naim Frashëri,Gjergj Fishta,Cajupi etj.Në qytetin e Shkupit,më 28 nëndor 1942,në disa dyqanë shqiptare u mblodhën dhjetra burra dhe kënduan këngë patriotike në gjuhën e tyre.Nërsa nëpër shkollat ( që zakonisht ishin shtëpi të atdhetarëvet) u kënduan këngë për flamurin kuq e zi,për Skenderbeun dhe Ismail Qemalin.Paradoksalisht ,në dhjetorin e vitit 1942,duke marrë shkas nga këto manifestime më të thjeshta në dukje,pushtuesit bullgar urdhëruan deri që,asnjë shqiptar nuk ka të drejtë të mbaje plis të bardhë në kokë.Plisi me shkabën dykrenore,ky simbol i kahershëm i shqiptarëve,tanimë duhej të hiqej pse,sipas autoriteteve vendore bullgare i nxit ata për t’u bashkuar.Heqja e plisit u prit me revolta ndër krejt trevat shqiptare të Shkupit,Kumanovës e deri të Manastirit dhe pati nacionalsitë që biseduan deri në organet më të larta bullgare të pushtimit.Pas tërë këtyre protestave,bullgarët nuk kërkuan në të pastajmen heqjen e tyre.Por gjithsesi,ishin me dhjetra prej burrave të këtyre trevave shqiptare,të cilët ngase nuk patën dëgjuar të hiqnin plisat nga koka,u malltretuan nëpër birucat e xhandarmërisë.Parë në këtë rrafsh,shqiptarët që jetonin në tokat e tyre,në Kumanovë,Shkup e rrethina,kanë qenë kurdoherë më të diskriminuar nga çdo kombësi tjetër.Atyre u është mohuar që në ditën e parë të pushtimit bullgar prill 1941 e deri në ditët e mbrame shtator 1944,çdo e drejtë elementare dhe natyrore.Për më tej,dhuna e terrori i pashembullt patën synuar (ashtu sikundër e ka pranuar edhe vetë diktatori komunist tito,gjatë atyre viteve)”në shfarrosjen e shqiptarëve” (Arkivi i Institutit të Historisë Tiranë.J.B.Tito,”çështja nacionale në Jugosllavi… “ faqe 48 ).
Një aspekt tjetër,që mendoj se përbën në mënyrë të drejtëpërsëdrejti tendencën nacionale të shqiptarëve në viset e pushtuara prej Bullgarisë,është qëndrimi i tyre heroik për të mos u larguar prej trojeve etnike.Veçanërisht në fshatra të Kumanovës dhe Manastirit,pushtuesit bullgar synuan një varg masash dhunuese duke shpresuar që shqiptarët,në pamundësi jetese,të merrnin rrugën drejt shtetit amë,Kosovës apo Turqisë.Në korrikun e vitit 1943,në fshatrat Sllivovë dhe Buçishte, pushtuesi bullgar,arriti deri aty kinse këta prodhonin shumë,ndërsa disa familje bullgare patën prodhime më të mbara.Kësaj vjedhjeje në qiell të hapur,banorët shqiptarë iu përgjigjën duke sulmuar komandën e xhandarmërisë në Manastir.Përpjekja e tyre dështoi përpara zjarrit të armëve bullgare,sidoqoftë shqiptarët treguan se do të luftonin për dinjitetin e tyre kombëtar,për egzistencën e tyre në trojet etnike,me çdo lloj çmimi që mund të paguanin.
Në tetorin e vitit 1943,ndërsa Komanda e Lartë e Ushtrisë Italiane,firmoste kapitullimin,pushtuesit bullgar ndërhynë në bisedime me këta për të marrë nën kontroll ato zona që do të liroheshin.Të pakënaqur me tokat e pushtuara në trevat shqiptare të Shkupit,Kumanovës dhe Manastirit ata kërkuan prej palës italiane jo vetëm nënshkrimin e një marrëveshjeje për “marrjen nën kontroll” por kërkuan prej këtyre të fundit edhe dhurimin e një pjese të konsiderueshme të armatimit,paisjeve ushtarake,veshmbathjes dhe ushqimit.Por nuk duhet të harrojmë se në vjeshtën e vitit 1943,organizata nacionaliste(Balli Kombëtar) në Strugë,Kërçovë,Gostivar,Tetovë e rrethina kishte marrë përmasa të mëdha.Ishte kjo lëvizje që kontrollonte plotësisht gjendjen në vend dhe pat zhvilluar disa luftime të sukseshme duke çliruar territore të tëra shqiptare,sigurisht duke vaditur këtë tokë të shenjtë edhe me gjakun e dhjetra e qindra bijëve nacionalist të rënë në këto beteja.Trimat Xhem Gostivari dhe Mafailat e Zajazit,të pasuar nga Sylë Hotla dhe ndihmuar nga Mulla Idriz Gjilani e mijëra bijë nacionalistë të Maqedonisë shqiptare,jo vetëm që nuk mund të pranonin pazare bullgaro-italiane,por u armatosën dhe përsosën organizimin e tyre për t’u bërë ballë pushtuesve të rinj.Burime të historiografisë sllavomaqedonase,flasin për më tej se çetat nacionaliste të shqiptarëve të Manastirit,Kumanovës dhe disa fshatrave të Shkupit,u bashkuan me çetat e Xhem Gostivarit dhe Mefail Zajazit,duke zhvilluar luftime të shumta në këto treva,kundër pushtuesit bullgar.Nga ana e tij,ky pushtues e pa që jo vetëm nuk përfitoi dot territore të tjera,por,po i ndizej toka nën këmbë edhe në ato vise shqiptare të pushtuara në vitin 1941.
Tendencat nacionaliste të shqiptarëve nën Bullgari,ndofta do të rroknin pikëpamje dhe ide më të mëdha,nëse do të kishin pasur një ndihmë edhe prej shtetit amë.Por qeveria shqiptare të viteve 1941-1944,në rrethanat që kalonin e kishin shumë të vështirë “të hynin” në këtë zonë.Ato qeveri u mjaftuan me një ndihmë në rrafsh të arësimit,apo deklaratave të ndryshme në parllamentin shqiptar.
Ndërsa për turp të tyre,kur shqiptarët e Shkupit,Kumanovës apo Manastirit,përleshehsin për jetë a vdekje me pushtuesit bullgar,komunistët e Tiranës u bënin thirrje formacioneve të tyre “nacionalçlirimtare” se “nuk ia vlente të luftohej për kufijtë etnike të Shqipërisë,por vetëm për kufijtë politike të saj”.(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë,fondi 14,dosja Raporti i E.Hoxhës në Berat).Më tej ishin po këta bastardë të Mugoshës të cilët dërguan formacione shqiptare deri në Vishegrad të jugosllavisë,pa u merakosur se çdo ditë,formacionet ushtarake bullgare,merrnin jetë shqiptarësh të pafajshëm në Shkup,Kumanovë e Manastir.Po të analizosh sot gjendjen shqiptare nën Fyrom,do vëresh situata të ngjshmërisë kohore me ndryshime të thella demografike politike në qytetin e Kumanovës,Manastirit,Resnjës e Ohrit si dhe ekspansionin demografik që i bëhet qytetit shqiptar të Shkupit pa folur më tej,ndaj forcimi i ndjenjës nacionale kërkohet të shihet si imperativ kohe,përderisa gjykimi i historisë nuk të rëndon ndërgjegjen.
Bern-Zvicër