-Mustafa: Falë përkrahjes së parreshtur nga partnerët tanë strategjikë, sidomos nga SHBA, FSK sot është një organizatë e përgatitur mirë dhe e aftë të ofrojë siguri/
Nga Behlul Jashari/-PRISHTINË, 20 Korrik 2015/-Transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, është një proces shumë i rëndësishëm për vendin tonë dhe për stabilitetin e përgjithshëm”, shprehet kryeministri kosovar, Isa Mustafa.
“Falë përkrahjes së parreshtur nga partnerët tanë strategjikë, sidomos nga SHBA, FSK sot është një organizatë e përgatitur mirë dhe e aftë të ofrojë siguri në Kosovë dhe rajon dhe të marrë pjesë në misionet paqëruajtëse jashtë vendit tonë. Prandaj, transformimin e saj në Forcë të Armatosur të Kosovës do ta bëjmë duke argumentuar se kjo është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe jo duke adresuar kundërshtarë të këtij transformimi”, thekson kreu i qeverisë kosovare.
“Qeveria nuk ka asnjë kushtëzim për këtë transformim, por ajo vlerëson se duhet të punojmë me tërë spektrin politik kosovar dhe me deputetët e subjekteve që përfaqësojnë popullatën joshumicë për të siguruar përkrahjen e tyre, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës bëhet duke rikthyer dhe duke ndërtuar besimin reciprok”, përfundon kryeministri Mustafa.
Deklarata në ‘Facebook’ bëhet pas një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të përbashkët me shefat e grupeve parlamentare.
Pas kësaj mbledhje, nga Kuvendi u njoftua se, “sa i përket propozim-amendamenteve në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të propozuara nga qeveria e Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, me kërkesë të shumicës së përfaqësuesve të subjekteve politike, Kryesia vendosi t’u japë kohë partnerëve të koalicionit të zhvillojnë konsultimet”.
Por, opozita deklaroi se ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit pasi nuk u pajtua “me vendimin e mazhorances që t’i tërheq nga pika e rendit të ditës ndryshimet kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”.