Nga Sinan KAMBERAJ/ New York/
Andi dhe Lumi flasin për Holly Woodin/
Ekipi i fimit artistik kosovar SHOK u kthye mbrëmë nga Amerika në Kosovë.
Aktorët e vegjël, Lum Veseli dhe Andi Bajgora, thanë se ndjeheshin të lumtur që kishin marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes së fituesve të çmimeve OSCAR, në Akademinë e Holly Wood-it në Los Angeles.
Filmi i shkurtër artistik SHOK, prodhim i Qendrës Kinematografike të Kosovës, me regji të anglezit Jamie Donoughue, për fat të keq, nuk arriti ta marrë OSCAR – in e synuar. Juria e shpalli filmin irlandez “Stutturer” si filmin më të mirë në këtë kategori. Me meritë, pa diskutim.
Pavarësisht nga kjo, vetë nominimi i SHOK – ut kosovar për OSCAR në kategorinë e Filmit më të Mirë të Shkurtër Artistik, nga një Akademi prestigjioze botërore, është vetëvetiu një vlerësim i veçantë për Qendrën Kinematografike të Kosovës, për ekipin realizues të filmit, regjisorin Donoughue, aktorët kosovarë dhe sidomos artistët e vegjël, Lumin dhe Andin, që ia zbardhën fytyrën Kosovës.
Bindja që filmi SHOK do të nderohej me Çmimin OSCAR sforcohej nga vlerësimet që iu bënë Filmit, që nga çasti i nominimit, nga ana e kritikëve të famshëm të artit filmik, botuar në gazetat ose blogjet e revistave të mëdha amerikane e botërore, si New Yorker, Chicago Tribune, etj.
Edhe ky vlerësim i SHOK-ut nga kritika serioze filmike, dhe publiciteti që iu bë atij para ndarjes së Çmimit, është poashtu një nder i madh, si për vetë filmin, poashtu edhe për kinematografinë e “vogël e të varfër” kosovare.
* Dy çunat e SHOK – ut, Lumi dhe Andi, që dukeshin të gëzuar në konferencën me gazetarë, sapo zbritën nga avioni në Prishtinë, nuk e dinin se ata tashmë, me rolet që interpretuan në mënyrë brilante në film, ishin më shumë se heronj filmi. Edhepse të lindur mbas lufte, (ishin me fat që nuk e kishin përjetuar Ferrin), këta dy fëmijë artistë, duke përfaqësuar artistikisht të gjithë fëmijët e luftës, u bënë zëdhënës të tyre, të atyre mijëra fëmijëve të dëbuar nga Kosova, mijëra të tjerëve, që u vranë e u masakruan barbarisht, shumë prej të cilëve të zhdukur – pa varr.
* Miliona shqiptarë, të cilëve, në mbrëmjen e së dieles, do t’u jetë ngrirë shikimi në ekranet televizive, tek ndiqnin parakalimin e dy çunave aktorë nëpër Qilimin e Kuq të Akademisë së Hollywood-it, po të kishin mundësinë t’ishin mbrëmë pranë tyre në Aeroportin e Prishtinës, do t’u thoshin çunave të SHOK – ut: Ju lumtë! Ju i treguat artistikisht botës çka ka ndodhur në Kosovë, jo pushtetarët tanë, që sorollaten nëpër botë si somnabulë, qe gati dy dekada, pa arritur të thonë qartë se Atdheu i shokëve të Andit dhe Lumit, në vitin 1999 ishte Ferr!
* Në saje të këtyre dy aktorëve të vegjël, tashmë, qindra miliona artdashës në botë, të cilët mund ta kenë ndjekur Akademinë përmes Televizionit, do ta kenë më të qartë, përmes një vepre arti, çfarë ka ndodhur në Kosovë 17 vjet më parë.
SHOK – u i tha botës për 20 minuta, atë që SHOK – ët nuk ia thanë për 17 vjet!
Pushtetmbajtësit tanë ishin të zënë, duke na bindur, ne të pabindurve, që s’po marrim vesh as sot e kësaj dite, kush na paska pasë çliruar!
Fundi i fundit, me dërdëllisje nuk bindet bota.
Fjala artistike, në rastin e SHOK – ut, e shoqëruar bashkë me lojën skenike, dëshmoi magjinë e vet.
Këtë e bënë çunat tanë, Lumi dhe Andi.
New York, 3 mars