• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Emri i Vjosa Osmanit rimon me liri, shpresë, shtet të së drejtës në Kosovë, Shqipëri & Ballkan

December 20, 2020 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Vizita triditore e Vjosa Osmanit në Tiranë shkaktoi tronditje.

E tronditi nga themelet Tiranën e tiranozaurit!

Solli një klimë tjetër, doli jashtë habitatit të kënetës, ujit të ndenjur .

Vjosa Osmani foli me një zë tjetër, larg zhargonit hipokrit të politikanëve shqiptarë, që tjetër thonë e tjetër bëjnë!

U shpreh shqip, pa nënkuptime,duke i turbulluar tryezat e bandave të opinionistëve që përsërisin me mendje “Big Brother is watching us” –

prandaj “gomari fluturon”, “liria është skllavëri”, “injoranca është forcë”, tekstualisht si tek Viti 1984 i George Orwell-it.

Vjosa Osmani solli në mes të Tiranës dhe në mes të Kuvendit të Shqipërisë vizionin jo futurist por të së ardhmes;se e ardhmja e politikës duhet të jetë patjetër e pastër, me integritet, që të ketë të ardhme!

Prania e Vjosa Osmanit në Tiranë e theu klishenë e takimeve të klasës të politikanëve zgjyrë që ua kanë shkatërruar jetën shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë.

Ishte krejt ndryshe vizita e saj nga takimet e Edi Ramës me Hashim Thaçin, me këshilltarin e përbashkët Baton Haxhiu, lidhje morboze homologësh, që sillnin jehonën e bashkim-vëllazërimit, duke i hequr Kosovës copa e duke e kthyer rajonin e Ballkanin nën rrezik të një lufte të re!

Vjosa Osmani foli 14 minuta, të sinqerta, me zemër në dorë dhe i tha të tëra, foli për dramat ndërshqiptare, për luftën e Kosovës me 13 mijë viktima të pafajshme, shumica të shtresës vulnerabël, civilë, fëmijë, gra e pleq, 1600 viktima ende të pagjetur, foli për Nënat Kosovare që kanë 22 vjet që presin, pastaj kërkoi rezolutë të përbashkët për genocidin serb, pastaj foli për “traun” midis Shqiptarëve.

Lufta e 1998-1999 e shembi “Murin e Berlinit” ndërshqiptar, ndërsa Edi Rama ngriti traun!

Edi Rama e ka personalizuar veten me traun!

Thuaj Edi Rama nënkupto tra, thua tra nënkupto Edi Rama!

A nuk është hipokrit Edi Rama si gjithë kasta e vjetër, halldupë xhepafryrë nga vjedhjet dhe poshtërsitë ndaj popullit?!

Këtej krijon barrierë të ekonomisë së tregut të lirë me tra ndërshqiptar, këtej i bën jehonë MiniShengenit!

Këtej nga ana e Shqipërisë Edi Rama ngre tra për Kosovën, ndërsa ana tjetër ia hap dyert Serbisë me Minishngen sipas shpikjes së Aleksandër Vuçiç!

Por Vjosa Osmani i tha se kështu nuk shkon!

Ballkani do paqe, por paqen nuk e vendosin dot liderë të komprometuar dhe të konsumuar që shesin edhe paqen, edhe Atdheun për interesa vetjake!

Paqen e vendosin liderët si formati i Vjosa Osmanit, që kërkojnë barazi dhe reciprocitet për të gjithë banorët e Ballkanit, duke ua hequr shqiptarëve vulën si qytetarë të dorës të dytë, të cilëve një kryeministër faqezi u vendos edhe tra dhe i ndan në mes!

Vjosa Osmani e tronditi Tiranën pa shtet të së drejtës, pa shtyp të lirë, Vjosa Osmani e tronditi të shkuarën dhe të tashmen pa të ardhme të kastës politike shqiptare.

Prandaj Vjosa Osmani ka fytyrën e së ardhmes, së cilës populli i Kosovës ia beson votën dhe ajo ia mban popullit të Kosovës premtimet –Vjosa Osmani nuk i ka shitur kurrë premtimet që i ka dhënë sovranit me një post ambasadoreje në New York apo Romë; apo me një post ministror në Prishtinë –

Vjosa Osmani është kjo që shihni, ajo është ato që thotë, ato që bën.

Vjosa Osmani nuk mashtron, nuk e shet integritetin e saj.

Vjosa Osmani ka një edukim dhe formim të shkëlqyer në SHBA, ka një eksperiencë të shkëlqyer në politikën e Kosovës, ka një lidhje të pandarë me sovranin e Kosovës!

Kosova ka shpresë deri sa ka figura të tilla si Vjosa Osmani!

Shqipëria ka shpresë deri sa ka figura të tilla si Vjosa Osmani!

Ballkani ka shpresë deri sa ka figura të tilla si Vjosa Osmani!

Sepse Vjosa Osmani mbjell paqe, liri dhe shtet të së drejtës!

Vjosa Osmani dhe liria janë në sintoni të plotë, si dy emra sinonime.

Sepse liria është themeli i barazisë, reciprocitetit dhe vëllazërimit, si qytetarë të Ballkanit, si ballkanas, si qytetarë të Europës, si europianë si qytetarë të botës.

Liria na takon të gjithëve – sikur thotë Paul Eluard tek poezia La Liberté – .

Liria ka fuqinë që të rilind, që të bën t’ia nisësh jetës nga e para,

dhe secili prej nesh ka lindur dhe ka të drejtë supreme për ta njohur lirinë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Shprese, Vjosa Osmani

Progresi në Kërkim të Vaksinës jep Shpresë

May 15, 2020 by dgreca

DR. PASHKO CAMAJ/

– A mundemi, ne si komb, apo cilido vend në botë, të shpresojmë ta mposhtim Covid-19 permes imunitetit të “tufës” dhe përmes infeksionit të përhapur? Përgjigja tingëlluese është JO…

Shkruan: DR. PASHKO CAMAJ-Zv/Kryetar i Vatrës

Derisa, në hemisferen veriore po kalojmë në ditët më të ngrohta të pranverës, lajmet rreth betejës kundër Covid-19 vazhdojnë të jenë aktuale, në të gjithë globin. Ditë pas dite, derisa i dëgjojmë, i shikojmë, apo i lexojmë ato, ne edhe shpresojmë. Në betejë kundër infeksioneve virale, si në rastin e pandemisë Covid-19, ne kërkojmë mënyra për të qëndruar të shëndetshëm, të bëhemi imun dhe të mposhtim këtë armik të padukshëm.  Imuniteti ndaj infeksioneve mikrobike ndodh në dy mënyra: përmes infektimit të natyrshëm ose përmes vaksinimit. Në mënyrë të natyrshme, imuniteti ndaj këtyre mikrobeve mund të ndodhë kur mjaft njerëz infektohen, mbijetojnë dhe bëhen imun ndaj virusit. Kjo në epidemiologji njihet si imuniteti i “tufës”, dhe ndodhë kur nga virusi infektohen 60-80% e popullsisë, e që do të thotë rreth 200-280 milion njerëz, vetëm në Shtetet e Bashkuara (ShBA). Sa për informatë, me një “shkallë vdekshmërie” për Covid-19 me rreth 1%, kjo do të nënkuptonte më shumë se dy milion vdekje vetëm në ShBA. A mundemi, ne si komb, apo cilido vend në botë, të shpresojmë ta mposhtim Covid-19 permes imunitetit të “tufës” dhe përmes infeksionit të përhapur? Përgjigja tingëlluese është JO, ne nuk mund të mbështetemi në imunitetin e “tufës” si mekanizëm shërimi për këtë ‘kolere’ te shekullit 21. Pra, kemi vetmen nje mundësi, të gjejmë vaksinën dhe ta prodhojmë sa më shpejt!

Progres në  kërkime të vaksines:  

Deri në javën e kaluar, mbi 80 kandidatë për vaksina Covid-19, janë duke u studiuar në të gjithë botën, ku shumica e tyre janë akoma në fazat e hershme të testimit. Lajm i mirë është se gjashtë prej tyre kanë arritur prova klinike, pra testohen në  njerëz. Një numër i vaksinave të kandidatëve që janë në fazën e testimit klinik, përfshijnë dy në ShBA, një në Britani, një në BE dhe katër në Kinë. Këto testime janë në faza relativisht të hershme (numër i vogël i njerëzve) dhe asnjëra nuk ka arritur ende në fazën e tretë, në të cilën vaksina testohet te një numër i madh njerëzish. Kjo fazë e provave do të na tregojë nëse vaksina funksionon, dhe ajo që është me e rëndësishmja, a është e sigurt për përdorim në njerz, pa efekte negative për shëndetin tonë. NëShBA, ka prova për vaksinat që po zhvillohen në Shkollën e Mjekësisë në NYU Grossman dhe Universitin Maryland, në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Rochester dhe në Spitalin Qëndror në Cincinnati. Për më tepër, është për to cekur një provë që po zhvillohet nga Pfizer Pharmaceuticals dhe një kompani gjermane bioteknike BioNTech, me 200 pacientë të regjistruar në Gjermani. Kto punime po gjenerojnë optimizëm, se vaksina e sigurt dhe efektive kundër Covid-19 do të jetë ne perdorim deri në fund të vitit. Nëse këto prova rezultojnë të suksesëshme, Pfizer planifikon të përdorë tre vendet e saj, në ShBA, për të prodhuar në masë vaksinën, me qëllim që të prodhojë miliona doza të vaksinave në vitin 2020, dhe qindra miliona më shumë në 2021.

Si funksionon vaksina:

Vaksina ka një funksion të thjeshtë: i jep udhëzime trupit tonë se si të bëjë proteina që do të shkaktojnë reagime ndaj mikrobeve, pasi të ekspozohen ndaj tyre. Ajo funksionon duke ‘trajnuar’ sistemin tonë imunitar, për të njohur dhe luftuar viruset ose bakterjet. Për ta bërë këtë, molekula të vogla nga viruset duhet injektuar në trup për të shkaktuar një përgjigje imune të trupit tonë. Këto molekula të vogla quhen antigjene, dhe ato janë të pranishme në të gjitha viruset dhe bakterjet. Duke injektuar këto antigjene në trup, sistemi ynë imunitar mëson që me siguri t’i njohë ata si ‘armiq pushtues,’ të prodhojë antitrupa ndaj tyre dhe t’i krijoj ‘kujtesë’ për të ardhmen. Nëse ne expozohemi ndaj këtyre mikrobëve përsëri, sistemi ynë imunitar do t’i njohë ata si armiq, menjëherë dhe agresivisht do t’i sulmojë ata përpara se të përhapen ne trupin tonë dhe të shkaktojë sëmundje. Administrata e Ushqimeve dhe Barnave në ShBA, e cila mbikqyr prodhimin e vaksinave dhe sigurin e tyre të përgjithshme, do të ketë fjalën e fundit. Ata aktualisht po shqyrtojnë procesin shkencor, si dhe pyetjet etike rreth zhvillimit të shpejtë ne prodhimin e vaksinës kundër Covid-19.

Drita në fund të tunelit te gjatë: 
Ndërsa provat në zhvillimin e vaksines janë aktuale dhe premtuase në të gjithë globin, shpresëdhënëse janë dhe aktivitetet e shumta shkencore që shikojnë të kurojnë pacientët e infektuar.  Hulumtimi mbi antitrupat që mund të përdoren si trajtim profilaktik për njerëzit që kanë qenë të ekspozuar ndaj Covid-19 janë prëmtues. Përdorimi i antitrupave mund të jetë mënyrë efektive dhe e shpejtë ne luften kunder virusit korona, derisa të prodhohet vaksina. Kështu, ne vazdojmë të presim, shikojmë, dëgjojmë dhe shpresojmë!

Filed Under: Opinion Tagged With: dr. Pashko Camaj, progres, Shprese, Vaksina

Serbët e veriut mbajnë shpresat te Rusia

October 7, 2017 by dgreca

1 serbetNga Amra Zejneli & Maja Fiçoviq/Mitrovica e veriut, një prej katër komunave veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, me nxitjen e liderëve politikë lokalë, sot është një bastion pro-rus, ku simpatia për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, por edhe për shtetin rus, konfirmohet nga shumica e qytetarëve serbë të kësaj komune.Nëpër rrugët e qytetit, valojnë flamujt rus dhe serbë, ndërkaq portreti i Putinit në ndërtesa ose i paraqitur edhe përmes mbishkrimeve, transmetojnë mesazhe të glorifikimit të aleancës serbo-ruse.Disa qytetarë serbë të Mitrovicës së veriut e shohin Rusinë si aleatin e vetëm të Serbisë.Miroslav Laketiq nga Mitrovica e veriut, shpreh mendimin se aleanca serbo-ruse, është krejtësisht e natyrshme.“Kjo është një gjë që dihet në përgjithësi. Serbia gjithmonë ka qenë në udhëkryqin e interesave të perëndimit dhe të lindjes dhe kjo do të vazhdojë të jetë kështu edhe më tutje. Për dallim nga perëndimi, Rusia kurrë nuk na ka nxjerrë probleme, nuk na e ka rrezikuar sigurinë dhe mëvetësinë tonë”.“Ata janë miqtë tanë tradicional. Shpresojmë që edhe kësaj here, Rusia do të mbetet në këtë rrugë. Rusia e fortë nënkupton edhe një Serbi të fortë. Kur Rusia është e dobët, atëherë nuk do ta ndihmojë Serbinë, ashtu siç ka ndodhur me Jelcinin e çmendur”, thotë Laketiq.

Mitrovicë

Mitrovicë

Mendim të ngjashëm ka edhe Bosanka Prodanoviq, serbe nga Mitrovica e veriut. Ajo thotë se populli në Mitrovicë të veriut, kryesisht, shpreson në mbështetjen e Rusisë:“Na mjafton ndjenja që Rusia dhe Putini ekzistojnë. Kjo mjafton. Pres gjithçka pozitive nga ata. Populli këtu, kryesisht, beson në Rusinë, sepse ne nuk e dimë se çfarë po bisedohet në Bruksel”.Me këtë gatishmëri të opinionit të qytetarëve në Mitrovicë të veriut, nuk duhet befasuar se pse lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, së bashku me shefin e Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, ka vendosur që para zgjedhjeve lokale në Kosovë, që do të mbahen me 22 tetor, ka shkuar në Moskë për të marrë këshilla.Por, njohësi i çështjeve të sigurisë nga Mitrovica e veriut, Veroljub Petroniq, nga organizata joqeveritare “Qendra humane në Mitrovicë”, shpreh mendimin se rrëfimi për ndihmën e Rusisë për serbët në Kosovë, të cilit iu dha hov, është imagjinar dhe bëhet më tepër për propagandë. Sipas tij, një ndihmë e tillë nuk ekziston.Petroniq thotë se kohë më parë ka marrë pjesë në një konferencë për sigurinë ndërkombëtare në Soçi të Kinës. Bisedat që kishte bërë atje me përfaqësues rus, siç thotë ai, e kanë sjellë deri te përfundimet interesante.“Kam pasur rastin të bisedoj me një deputet rus, i cili thjesht më ka bërë t’i hap sytë dhe të zbres në tokë. Ai më tha që në listën e tyre të interesave është në vendin e 17. Ai me tha se shteti i tij është vend që kufizohet me 19 shtete dhe ka dalje në 12 dete. Siç më tha, Armenia, Gruzia, Azerbaixhani, Kazakistani dhe të tjera, janë një grumbull i problemeve të tyre. Prandaj, ne jemi në vendin e 17 për ta”.“Madje, më ka thënë se Mali i Zi, para se të hynte në NATO, ka qenë një sferë apo zonë më e madhe e interesit për ta, se sa Serbia. Kjo, siç më tha ai, për arsyen e thjeshtë se do të ishte e mjaftueshme që e gjithë flota e Detit të Zi të shkojë dy herë në vit në Tivar, që të marr ujë për anijet dhe nëndetëset, të parakalojë nëpër Adriatik dhe ta tregojë forcën”, thotë Petroniq.

Portreti i Vladimir Putinit në Mitrovicë

Portreti i Vladimir Putinit në Mitrovicë

Por, rezerva të tilla ndaj Rusisë, sikurse ato të Petroniqit, vështirë se mund t’i gjesh në Mitrovicën e veriut.Jova Jovanoviq nga kjo komunë, thotë se Rusinë nuk mund ta shohë ndryshe, përveç si një vend mik të serbëve.“Rusët i përjetoj si miq. Ata janë miqtë tanë më të mirë për qindra vjet, e jo vetëm tash. Atij që i pengon Rusia, ai është armiku më i madh i popullit serb. Ata na ndihmojnë gjithmonë, pa ndonjë kërkesë për kompensim. Ata në perëndim, kërkojnë t’iu ndihmojmë vetëm kur kanë interes”, shprehet Jovanoviq.Por, a ka ardhur mbështetja ruse për Listën Serbe në momentin e duhur, kur me lejen e Beogradit, kjo listë ka vendosur ta mbështesë Qeverinë e Kosovës, në krye të së cilës është Ramush Haradinaj, të cilin Serbia po e akuzon për krime lufte?Megjithatë, serbët e veriut, e arsyetojnë këtë veprim të Listës Serbe. Një arsyetim të tillë e jep edhe Bosanka Prodanoviq:“Ne kemi qenë kundër asaj që Lista Serbe të hyj në qeverinë e Haradinajt. Por, nëse këtë e ka thënë Putini dhe në qoftë se qeveria e jonë e thotë një gjë të tillë hapur, atëherë diçka do të dalë nga kjo”.Besimi në gatishmërinë e Rusisë për të sakrifikuar për të mirën e Serbisë, në Mitrovicë të veriut nuk është mit e as temë historike.Një gjë të tillë e beson edhe Smiljana Jovanoviq, serbe nga Mitrovica e Veriut.“E shihni si ndihmojnë për ushtrinë, për pajisje dhe për shumëçka tjetër”, thotë Jovanoviq.Bashkëpunimi ushtarak serbo-rus, ka marrë hov, përkundër politikës së balancimit, të cilën e proklamon qeveria në Serbi. Megjithatë, për shumë serbë të Mitrovicës së veriut, një gjë e tillë i thellon shpresat se Rusia do të vazhdojë mbështetjen për arritjen e qëllimit, që Kosova të jetë pjesë e Serbisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: serbet e veriut, Shprese, tek Rusia

SHPRESË PËR REFORMIMIN E IMIGRACIONIT NË AMERIKË

April 15, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto: Presidenti Obama duke bërë betimin e një grupi të ri shtetasish amerikanë në Shtëpinë e Bardhë/

Çështja e imigracionit këtu në Shtetet e Bashkuara ka qenë dhe vazhdon të jetë një çështje që shkakton debate dhe mos marrveshje ndër më të ashpërat,  jo vetëm gjatë fushatave elektorale në nivel federal, shtetëror dhe vendor, por edhe në jetën e përditshme anë e mbanë Amerikës. Nuk është fjala për imigrantët që vinë këtu legalisht, por për ata që hyjnë në këtë vend ilegalisht dhe qendrojnë këtu me vite, dekada dhe ndoshta për gjithmonë si të tillë duke shkelur ligjet e imigracionit të këtij vendi.

Llogaritet se tani për tani, në Shtetet e Bashkuara mund të jetojnë rreth 11 milionë imigrantë ilegalë, megjithse numëri i vërtetë është vështirë të përcaktohet.   Shumica e tyre hyjnë në këtë vend nga Meksika, por imigrantë ilegalë në Amerikë ka pothuaj nga çdo kënd i botës, përfshirë edhe shumë shqiptarë.  Megjithëse, kryesisht për arsye të  krizës ekonomike,  hyrja pa leje e imigrantëve, sidomos nga Meksika, është ngadalësuar në mënyrë të dukshme dhe sipas disa burimeve mund të jetë në nivelin më të ulët në 40-vjetë, problemi i imigracionit ilegal vazhdon të mbizotëroj diskursin politik dhe ekonomik të këtij vendi.

Muajtë e fundit, në Uashington është venë re një ndërmarrje serioze nga senatorë të dy partive politike demokratë dhe republikanë për të zgjidhur, atë që është cilësuar si çështja e imigracionit ilegal, nismë e cila siç duket do të arrijë kulmin këtë javë,  si çështja numër një në agjendën e Kongresit. I ashtuquajturi “Grupi i të Tetëve” i Senatit amerikan dhe grupi i 6 ligjvënse të Dhomës së Përfaqsuesve, për disa javë tani janë takuar privatisht, me shpresë për të arritur një marrveshje në vija të përgjithshme, për një çështje që ka përçarë politikën dhe vendin për vite me radhë, për të mos thënë për dekada, ndërsa në të  njëjtën periudhë janë bërë edhe përpjekje për të gjetur mënyra për zgjidhjen e këtij problemi që të jetë e pranueshme për të dy palët, duke arritur një marrëveshje për një plan të gjithëanëshëm reformash të sistemit të imigracionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndër propozimet e para për të reformuar sistemin ishte ai i Senatori republikan Xhon Mekejn dhe i të ndjerit  ish-Senatorit demokrat  Eduard Kenedi, të cilët kishin hedhur propozimin e parë pothuaj dhjetë vjetë më parë, për një projekt ligj që do të konsiderohej si një kompromis.   Sipas këtij propozimi, republikanët ishin të kënaqur me  marrjen e masave më të forta përgjatë kufirit me Meksikën — gjë për të cilën kanë këmbëngulur vazhdimisht – me qëllim për të ndaluar hyrjen në masë dhe të pa kontrolluar të imigrantëve ilegalë  dhe demokratët do kënaqeshin me miratimin e një procesi, në bazë të të cilit, më shumë se 11-milionë imigrantëve ilegalë do tu mundësohej e drejta për tu bërë banues të përhershëm të këtij vendi.  Plani Mekejn-Kenedi pat siguruar edhe përkrahjen e ish-presidentit Xhorxh Bush, por nuk mori përkrahjen e nevojshme në Kongresin amerikan.   Gjatë fushatës për president, katër vjetë më parë, Barak Obama premtoi reforma të gjithanshme të imigracionit, por gjatë katë vjetëve të kaluara nuk tregoi ndonjë interesim të madh për këtë çështje.   Ndërsa në fillim të mandatit  dytë,  Presidenti Obama ka thënë se reforma e imigracionit është një prej prioriteteve të tija kryesore, duke shprehur besimin e tij se do të arrihet një konsensus në Kongres.

Komisioni i ligjeve i Senatit amerikan ka caktuar të Mërkurën e kësaj jave si ditën që senatorët e këtij komisioni do të dëgjojnë dëshmi mbi planin e Senatit,  përfshirë edhe propozimin për të legalizuar miliona imigrantë ilegalë që tani jetojnë në këtë vend, por sipas lajmeve, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm pasi imigrantët ilegalë të kenë kaluar nepër një proces tepër rigoroz kontrolli individual, pasi të kenë kapërcyer pengesa të shumëta, dhe duke përfshirë edhe nevojën për të mësuar anglishten dhe për të pasur një vend pune.

Edhe në të kaluarën,  në Kongresin amerikan janë paraqitur propozime të ndryshme për të reformuar ligjet mbi imigracionin, por sivjet duket se ekziston mundësia më reale për të ndërmarrë reformat e nevojshme, pasi sipas një sondazhi të kohëve të fundit, 64 për qind e amerikanëve janë në favor për t’u dhënë shtetësinë imigrantëve ilegalë.  Antarët e Kongresit zakonisht tentojnë të marrin vendime në përputhje me përkrahjen dërmuese publike të çështjeve që konsiderohen nga ligjvënsit amerikanë, siç është reforma e imigracionit. Si rrjedhim, një numër kongresistësh, përfshirë edhe Senatorin republikan Xhon Mekejn shprehen optimistë se ky mund të jetë viti që, më në fund, sjellë reformat e nevojshme në sistemin amerikan të imigracionit.  Këjo sepse, edhe Presidenti Obama ka shprehur gatishmërinë e tij duke thënë se është i vendosur që të bëjë ç’është e mundur për të siguruar miratimin e reformave nga Kongresi.

Megjithëse propozimet e reja pritet të kundërshtohen nga konservatorët të cilët janë kundër legalizimit të statusit për imigrantët pa dokumenta, edhe pala republikane duket gjithashtu e vendosur për të bërë diçka për të përshpjetuar reformën mbi imigracionin, pasi nuk dëshiron të konsiderohet si partia që është kundër imigrantëve.   Senatori Marco Rubio, kryenegociatori republikan për të reformuar ligjet e imigracionit, nga prindër të ardhur nga Kuba dhe njëkohësisht  kandidat i mundshëm për president në vitin 2016 — ndërsa ishte ftuar nga tre programet e tre rrjeteve televizive kryesore të së djelës për të diskutuar problemin e imigracionit — tha në programin “Meet the Press”, të TV-NBC se ligjet që kemi tani, “nuk janë të mira për askënd…. statuskuoja është e tmerrshme për Amerikën”, shtoi ai.  Duke folur për  propozimin e ri  për imigracionin,   që përkrahet si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët, Senatori Marco Rubio iu përgjigj intervistuesit se, ai nuk po e bën gjithë këtë përpjekje për të reformuar sistemin e imigracionit në Amerikë, për qëllime politike. Ai  tha se, “Unë jam Senator.  Unë nuk paguhem vetëm për të mbajtur fjalime.   Unë paguhem për të zgjidhur problemet”, me të cilat përballohet vendi.

Siç duket, në një përpjekje për të zbutur kundërshtimin nga konservatorët të cilët janë kundër një amnistie për imigrantët ilegalë, Senatori Rubio tha gjithashtu në një program tjetër televiziv (Fox News) se propozimet e reja për të reformuar  sistemin e imigracionit nuk janë amnisti, duke shtuar se në të vërtetë, propozimet e reja e bëjnë më të vështirë që një immigrant illegal të fitojë statusin legal, në krahasim me procesin dhe ligjet ekzistuese.

Pritet që grupi i 8 senatorëve   demokratë  e republikanë, të cilët për disa muaj tani kanë punuar për arritjen e një marrveshjeje për reformimin e sistemit të imigracionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të njoftojnë hollësitë e propozimeve të tyre të Martën.   Media amerikane thotë se propozimet e reja për reformimin e imigracionit përfshijnë edhe rritjen e numërit të imigrantëve që vinë në këtë vend në mënyrë ligjore.  Tani, Shtetet e Bashkuara pranojnë 1 milion imigrantë në vit me dokumenta, më shumë se çdo vend tjetër në botë.  Sipas propozimeve të reja pritet që ky numër të rritet me pesë për qind, sipas gazetës Los Anxheles Tajms.

Pasi të njoftohen këtë javë  hollësitë e propozimeve të reja nga grupi i 8 senatorëve nga të dy partitë, mbetet për tu parë nëse ata do të mund të bindin shumicën e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqsuesve, si edhe grupe interesash të ndryshme, se pas shumë vitesh dhe propozimesh të shumëta,  më në fund ka ardhur koha për një reformë të gjithanshëme të ligjeve amerikane mbi imigracionin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.   Miratimi i ligjeve të reja është kritik gjithashtu edhe për fatin  e qindra, për të mos thënë mijëra shqiptarëve dhe familjeve të tyre që mund të gjënden në këtë vend pa dokumentat e nevojshëm për një qendrim legal në Shtetet e Bashkuara.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, ne SHBA, per emigracionin, Shprese

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT