* Prençi: Situatë e vështirë në Ndroq, përmbytet një kompleks blegtoral, ngordhin dhjetera koke bageti
* Bllokohen 20 punonjes te OSHEE nga shembja e rrugës në Qafe-Mali-Bajram Curri
TIRANE- Mjaftuan 24 orë reshje shiu që vendi t’i gjunjëzohet përmbytjeve e problemeve në qarkullim. Siç njoftuan edhe sinoptikanët, që prej mëngjesit të sotëm reshjet u bënë me intensive duke shkaktuar probleme në Tiranë, Lezhë, Dibër, Durrës, Bulqizë, Fushë Krujë, Pukë, Vlorë etj. Në Tiranë, lumi Lana ka dalë nga shtrati duke përmbytur disa zona. Vështirësi hasen edhe në qarkullimin e mjeteve në disa zona të kryeqytetit. Disa banesa janë përmbytur në Ndroq, ndërkohë që rrezikohet edhe ura e Shkozës. Po ashtu raportohet për banesa të përmbytura edhe në Kombinat, ndërsa u evakuan 50 nxënës nga një shkollë e përmbytur.
Si pasojë e reshjeve është përmbytur rruga e Mulletit dhe është mbyllur autostrada Tiranë-Elbasan, ndërsa qarkullimi po bëhet nga rruga e vjetër. Shembet edhe rruga në Qafë Mali-Bajram Curri, duke bllokuar lëvizjen e 20 punonjësve të OSHEE.
Që në orët e para të mëngjesit u raportuan rrëshqitje të dherave në Pukë, duke shkaktuar bllokimin e disa akseve rrugore. Problematike paraqitet situata edhe ne Qarkun e Lezhës. Burime nga Drejtoria e Bujqësisë në Lezhë pohojnë se janë nën ujë 1750 hektarë, ndërsa në Fushe Kuqe, 600 hektarë. Në një ndër zonat me problematikë sa i takon përmbytjeve, në fshatin Pllanë të njësisë administrativë të Zejmenit ishte edhe Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti. Ai tha se kjo është një situatë e jashtëzakonshme pasi në vetëm 2 orë kanë renë rreth 130 mm shi. Me qetësimin e kohës, tha Panariti, do të ndërhyhet për pastrimin e kanaleve kulluese.
Ndërkaq, disa fshatra në Fushë Bulqizë kanë mbetur të bllokuar, pasi përrenjtë e rrëmbyer kanë shkaktuar dëmtimin e rrugës. Mësohet se në disa zona në Zejmen pritet ndërhyrja e forcave të ushtrisë për të normalizuar situatën. E bllokuar është ura që lidh fshatrat Stojan-Ulëz, duke penguar kështu lëvizjen e qytetarëve. Rreth mesditës u raprtua për dëmtimin e argjinaturës së Drinit të Zi në Bulqizë.
MBLIDHET KOMITETI I EMERGJENCAVE CIVILE: SITUATA MBETET E VËSHTIRË
Në orët e vona të mbrëmjes, është mbledhur Komiteti i Emergjencave Civile nën drejtimin e zëvendëskryeministrit Niko Peleshi. Komiteti Kombëtar i Emergjencave Civile u njoh me situatën në vend dhe sidomos në zonat problematike ku kanë vërshuar edhe lumenjtë. Sipas konkluzioneve të KKECK, gjendja e përgjithshme është nën kontroll, por situata parashikohet të mbetet e vështirë. Ndërkohë që u vlerësuar fakti se janë parandaluar të gjitha pasojat për jetët njerëzore.
PARALIZOHET QARKULLIMI NË AKSIN RRUGOR GRAMSH-ELBASAN
Në orët e mbrëmjes së sotme është dëmtuar ura automobilistike e Çekinit në Gramsh, çka ka sjellë paralizim të qarkullimit në aksin rrugor Gramsh-Elbasan. Kjo pasi nga vërshimi i ujërave, ura ka pësuar dëmtime. Po kështu raportohet se në Gramsh janë të pakalueshme janë dhe disa rrugë në qytet.
KRUJË, LUMI ISHËM DEL NGA SHTRATI, RREZIKOHEN 50 FAMILJE
Situatë e rëndë në fshatrat e Krujës. Klodian Laska, banor i fshatit Murqi, njësia administrative Bubq ka njoftuar në redaksinë e BalkanWeb duke kërkuar ndihmë, pasi lumi Ishëm ka dalë nga shtrati dhe rrezikon 50 familje.
“Jemi të bllokuar nga lumi Ishëm, i cili ka dalë totalisht nga shtrati dhe na rrezikon rreth 50 familje nga përmbytjet. Kanalet kulluese janë të papastruara. 25 vjet jemi të harruar nga pushteti lokal dhe qendror kërkojmë ndihmën tuaj ta bëni çështje mediatike se jemi në hall dhe na rrezikohet jeta”, deklaron banori.
SHKUMBINI DEL NGA SHTRATI, PËRMBYTJE NË MURIQAN
Moti i keq dhe me reshje të dendura ka shkaktuar edhe daljen nga shtrati të lumit Shkumbin. Dalja nga shtrati e Shkumbinit ka shkaktuar përmbytje në Muriqan. Dalja nga shtrati e Shkumbinit ka shkaktuar probleme edhe në rezervuarin e Mlizës në Elbasan. Rezervuari i Mlizës me 100.000 m3 ujë, bëhet rrezik për përmbytje, prandaj po punohet për shkarkimin e ujit në një kanal dytësor.
Në disa banesa, në lagjen “Dyli Haxhire” në Elbasan uji ka mbërritur deri në pragjet e shtëpive. Banorët janë të shqetësuar dhe kërkojnë ndihmë, pasi banesat e tyre rrezikojnë të përmbyten nëse reshjet e shiut do të vazhdojnë me këtë intensitet.
UJI HYN NË BANESA NË VALIAS TË RI, BANORËT: PËRMBYTEMI GJITHMONE
Reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar probleme në disa zona të Tiranës. Uji ka përmbytur disa banesa në Valiasi të Ri, ndërsa banorët thonë se e njëjta situatë përsëritet sa herë ka reshje shiu, por askush nuk ka ndërhyrë për të shmangur përmbytjet.
180 FORCA TË USHTRISË, 20 MJETE E NJË “COUGAR” NË OPERACION PËR PËRBALLIMIN E SITUATËS
Forcat e Armatosura kanë angazhuar rreth 180 forca, mbi 20 mjete të ndryshme dhe një helikopter “Cougar” për përballimin e situatës së krijuar si pasoje reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë vendin.
Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe me pushtetin lokal, po ndjekin situatën e krijuar si rezultat i reshjeve të rëna gjatë orëve të fundit në vendin tonë dhe problematikën e krijuar prej tyre.
Në orën 12:30 të ditës së sotme, forcat ushtarake, me kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të EC dhe autoriteteve lokale, janë angazhuar për evakuimin e banorëve të përmbytur dhe riparimin e argjinaturave dhe zhbllokimin e kanaleve në fshatin Pllanë, Lezhë, në njësinë administrative Fushë Kuqe, bashkia Lac dhe më njësinë administrative Paskuqan, zona Babrru, qarku i Tiranës. Gjithsej janë angazhuar rreth 120 forca, gomone, 11 mjete transporti dhe 1 eskavator.
Në orën 13:40, 25 forca ushtarake, 2 mjete transporti 2 dhe 1 eskevator, me kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të EC dhe autoriteteve lokale në Dibër u angazhuan për ndërtim infrastrukture, argjinaturën e lumit Drin pranë fshatit Gjoricë, Peshkopi.
Në orën 13:45, 10 forca ushtarake, 2 Iveko transporti dhe 2 motorpompa, me kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të EC dhe autoriteteve lokale në Lundër, qarku Tiranë u angazhuan për largimin e ujit nga Arkivi i Sigurimeve Shoqërore.
Në orën 14:25, 4 forca ushtarake dhe 1 Iveko transporti 1 u angazhuan për largimin e ujit nga ambientet e Poliklinikës Qendrore në Tiranë.
Në orën 14:40, 20 forca ushtarake, 2 Iveko transporti dhe 2 gomone u angazhuan për evakuim banorësh në fshatin Ndroq të Tiranës.
Në orën 15.20, 1 helikopter COUGAR, me kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të EC dhe autoriteteve lokale në qarkun e Tiranës u angazhua për evakuim banoresh në fshatin Ndroq.
Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA-së, nëpërmjet Qendrës së Bashkuar Operacionale janë në kontakt të vazhdueshëm me strukturat e Emergjencave Civile dhe forcat ushtarake që po veprojnë në terren në ndihmë të komunitetit.
SITUATA NE RRETHE
Reshjet e shumta të shiut kanë sjellë probleme në disa zona të vendit. Korrespontentët tanë njoftojnë se në Peshkopi është bllokuar rruga që lidh qytetin me disa fshatra. Si pasojë kanë mbetur janë të izoluar 1200 banorë.
Rruga për në fshatrat Cerjan, Zagrad e Rabdisht është bllokuar si pasojë e prurjeve të shumta të Përroit të Llixhave. Nga kjo situatë rreth 100 nxënës që ndjekin shkollën në qytetin e Peshkopisë nuk kanë mundur të kthehen në shtëpi. Mësohet se nxënësit kanë qëndruar tek të afërmit në qytet.
Po ashtu në Fushë Bulqizë për shkak të dëmtimit të rrugës, janë bllokuar fshatrat Kocaj 1 dhe Kocaj 2. Në Mat ura që lidh fshatin Stojan me Ulëzën, është mbuluar nga uji, duke ndërprerë komunikimin. Në Gjoricë të poshtme në Bulqizë lumi Drin i Zi ka dalë nga shtrati si pasoje e dëmtimit të argjinaturës. Në rrezik janë dhjetëra banesa, forcat e ushtrisë kanë shkuar në ndihmë të banorëve.
Në Vaun e Dejës rritja prurjeve të përrenjve ka krijuar probleme në lagjen Kapedan. Tre banesa rrezikojnë të përmbyten. Zona e Gomsiqes është e izoluar për shkak te rritjes së nivelit te ujit. Në qarkun e Kukësit vijojnë reshjet. Disa banesa në Domaj të Hasit janë përmbytyr. Banorët kanë bërë thirrje për ndihmë. Energjia elektrike mungon në disa fshatra në Kukës, Has e Tropojë. Rruga e Kombit km i 7 në Kalimash ka rrëshqitje dherash dhe gurësh për pasojë ka vështirësi në qarkullim.
Kompania kontraktore po punon për pastrimin e rrugës. Kërkohet kujdes në rrugë për shkak të reshjeve të dendura dhe mjegullës. Reshjet e dendura krijuan probleme edhe në autostradën Rrogozhinë-Durrës, ku ka patur një prezencë të ujit në rrugë. Edhe në Kavajë përroi që kalon në qytet ka dalë shtrati duke sjellë përmbytje. Banorët kërkojnë ndërhyrje.
SHËMBET RRUGA NË QAFË-MALI-BAJRAM CURRI, BLLOKOHEN 20 PUNONJËS TË OSHEE
Ndërpritet qarkullimi i mjeteve në aksin Qafë-Mali-Bajram Curri, pasi në vendin e quajtur “Gryka e Arstit” është shembur rruga. Policia lokale njofton të gjithë banorët të evitojnë qarkullimin në këtë aks. Policia thotë se ka rrezikshmëri nëse lëvizet në Qafë-Mali-Bajram Curri. “Duhet ndërhyrje e specializuar për lidhjen e rrugës, nuk ka asnjë mundësi dytësore për lidhjen e rrugës”,- thotë policia.
Si pasojë e shembjes së rrugës 20 punonjës të OSHEE janë bllokuar në këtë zonë. Mësohet se ata po punonin për rikthimin e energjisë në Fierzë. Mësohet se ata do të shpërndahen nëpër banesat e zonës, ndërsa bashkë me ta ndodhet edhe Kreu i OSHEE-së në Pukë, Ndue Nikolli.
PRENÇI: NË MBRËMJE SITUATA DO TË PËRMIRËSOHET
Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi deklaron se pas orës 22:00 të mbrëmjes së sotme, situata do të përmirësohet. Ai thotë se nga të dhënat e mbërritura tek emergjencat civile, në mbrëmje do të ketë më pak reshje, megjithëse shiu do të vijojë por me intensitet më të ulët. Ai tha se ka pasur një situatë të rëndë në Ndroq, ku është përmbytur një kompleks blegtoral dhe janë mbytur disa lopë. Situata ka qenë e vështirë por me ndërhyrjen e strukturave është përmirësuar.
“Shkodra jo probleme serioze. Lezha probleme në Zejmen dhe Pllanë. Në terren janë forcat e ushtrisë dhe të gjitha strukturat, janë evakuuar 40 familje. Ka prezencë uji në 50-60 familje në Pllanë. Pas orës 22:00 do bjerë intensiteti i reshjeve. Nesër do të ketë reshje por me intensitet të ulët”, tha Prençi.
Ai foli edhe për problematikën në ujëmbledhësin e Bovillës ku tha se ekziston rreziku që prurjet e lumit të Tiranës të godasin tubacionin kryesor.
“Situata në ujëmbledhësin e Bovillës është problematike. Prurjet e lumit të Tiranës ka rrezik të godasin tubacionin kryesor që lidh impiantin e Bovillës me qytetin e Tiranës. Shpresojmë të kalojë situata pa ndonjë dëm katastrofik. Unë jam në Ndroq dhe po operojmë me të gjitha strukturat. Të gjitha janë në gatishmëri që me 29 dhjetor, por në datë 3 kanë kaluar në dispozicion të probleme emergjente nga përkeqësimi i motit”, tha ai.
ARRSH INFORMON PËR RRUGËT: NË GATISHMËRI MJETE DHE PUNËTORË,
Autoriteti Rrugor Shqiptar jep informacion për gjendjen e rrugëve në të gjithë vendin nisur nga situata e krijuar nga reshjet që kanë nisur prej më shumë se 24 orësh. Ndërsa në veri të vendit, si në Peshkopi, Bulqizë, në Lezhë por edhe në Shqipërinë e mesme ka patur edhe përmbytje. Gjendja nuk paraqitet e mirë në asnjë prej qyteteve, pasi rrugët janë të tejmbushura me ujë.
INFORMACION MBI GJENDJEN E KALUESHMËRISË SË AKSEVE RRUGORE KOMBËTARE
TIRANË
Aksi Tiranë-Kërrabë (km29)-Elbasan është i kalueshëm normalisht.
Akset Tiranë-Trau Dajt-Qafë Mollë-Bizë + Trau Dajt-Antena + Qafë Priskë-Shëngjergj janë të qarkullueshme normalisht. Në gatishmëri janë 2 borëpastruese, ekskavator, grejder dhe 7 punëtorë.
Në aksin Sauk – TEG – Ibë – Elbasan, në segmentin Rotondo – Sauk – Ibë, gjendja është normale dhe qarkullimi kryhet pa probleme. Megjithatë në gatishmëri janë mjete dhe punëtorë.
Në aksin Ura e Peshkatarit – Berzhitë ka një çedim të trupit të rrugës me 10 ml, deri në gjysmën e korsisë.
Tek nënkalimi i Mulletit rruga është devijuar në aksin e vjetër, si pasojë e pranisë së ujit në këtë vend.
Nga informacioni që është dërguar nga supervizori i Kontratës nr.2, ne segmentin Qafë Priskë-Shëngjergj që i përket kësaj kontrate, në vendin Ura e lumit Derje, është dëmtuar mbrojtja prej betoni. Si rezultat është gërryer trupi i rrugës në një gjatësi prej 115 ml.
Për këtë problem është ngritur grupi i punës me përfaqësues të Drejtorisë dhe të firmës që mbulon këtë kontratë
Është çuar një ekskavator për të bërë devijimin e lumit, në mënyrë që të mos godasë trupin e rrugës, kjo si zgjidhje provizore.
Gjithashtu inxhinieri topograf i firmës ka bërë rilevimin , për të marrë masat për një zgjidhje përfundimtare.
Janë marrë masa me sinjalistikë.
DURRËS
Nuk ka probleme në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, pasi ka trafik në akset e këtij qarku.
VLORË
Në akset e këtij qarku nuk ka probleme për qarkullimin.
Situata mbahet në monitorim të vazhdueshëm, sidomos pikat ku ka rënie materialesh.
Në Llogora janë në gatishmëri 1 borëpastruese, 1 fadromë dhe 5 punëtorë. Të bëhet kujdes në kalimin e segmenteve ku ka rrezik për rënien e dherave dhe të respektohet sinjalistika e vendosur.
GJIROKASTËR
Ka reshje shiu në të gjithë qarkun. Situata mbahet në monitorim të vazhdueshëm, sidomos në zonat e njohura ku ka rrëshqitje siç janë Shkalla e Zezë ku janë ne gatishmëri 1 fadromë dhe 6 punëtorë, dhe Rapi i Kuqarit, ku janë në gatishmëri 1 fadromë dhe 5 punëtorë. Rekomandohen përdoruesit e rrugës, që në këto zona të respektojnë sinjalistikën e vendosur. Në të gjitha akset e këtij qarku nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve. Të bëhet kujdes në kalimin në segmentet rrugore ku ka rrezikshmëri për rënien e gurëve në rrugë.
ELBASAN
Ka reshje shiu në të gjithë qarkun
1. Aksi Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë, ka si pika më të vështira:
1. Murrash, km 73-77
2. Dragostunjë, km 81-84
3. Pishkash, km 101-103
4. Qafë Thanë, km 110-113
Në gatishmëri në këtë aks janë 2 fadroma, 2 kamionë dhe 10 punëtorë, për çdo rënie materialesh në rrugë. Situata për momentin është normale.
Në aksin Librazhd-Steblevë situata për momentin është normale. Këtu janë në gatishmëri 1 traktor me zinxhirë, 1 fadrome dhe 11 punëtorë.
2. Aksi Elbasan-Peqin ka si pika më të vështira:
1. Derven, km 60-63
2. Babluc, km 66-67
Në këto momente qarkullimi është normal. Këtu janë në gatishmëri 1 kamionçine, 1 fadrome dhe 4 punëtorë.
3. Në Papër, km 57, situata është normale.
4. Aksi Elbasan – Gramsh ka si segmente më të vështirë:
1. Banjë – Drizë, km 77-89
2. K/Shirgjan – Drizë, km 72-80
Qarkullimi është normal deri në keto momente. Ka mjete e punëtorë në gatishmëri.
5. Aksi Gramsh-Kodovjat, Bersnik, Mashan, Km 104-109, qarkullimi kryhet normalisht.
Në të gjitha këto pika të rrezikshme ka mjete dhe njerëz në gatishmëri. është kryer pastrimi i akseve nga gurët dhe materialet e tjera. Të bëhet kujdes në akset ku ka materiale në rrugë. Të respektohen tabelat e sinjalistikës.
KORÇË
Në të gjithë qarkun ka reshje shiu dhe temperaturat janë rritur. Kjo ka sjellë përmirësim në qarkullimin e mjeteve.
Aksi Korçë-Dogana Kapshticë, gjendja është normalizuar dhe qarkullimi kryhet pa probleme. Firma kontraktore po mban në monitorim të vazhdueshëm situatën.
Aksi Korçë-Voskopojë kalimi është normal. Edhe ne aksin Korçe – Dardhë nuk ka probleme me qarkullimin.
Gjendja e akseve të tjera rrugore të Qarkut Korçë paraqitet normale dhe është duke u punuar për kriposje pjesore.
Ne akset e këtij qarku janë ne gatishmëri 13 borëpastruese, 3 grejdera, 8 fadroma, 14 kamionë dhe punëtore ne segmentet me problematike. Të bëhet kujdes në akset ku ka materiale në rrugë. Të respektohet sinjalistika në vendet ku ka prani të ngricave në rrugë.
FIER
Nuk ka probleme për qarkullimin në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në lëvizje, për shkak te fluksit të makinave
BERAT
Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e këtij qarku. Punohet për pastrimin e akseve, në kuadër të kontratave me performancë.
KUKËS
Në të gjithë qarkun, ka patur reshje shiu. Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në të gjitha akset e këtij qarku. Në aksin Tuneli Kalimash-Kukës-Morine janë në gatishmëri 3 mjete, ne aksin Kukës – Krume janë në gatishmëri 2 mjete, në aksin Kukës – Draj Reç janë në gatishmëri 2 mjete, në aksin Domaj – Bushtricë janë në gatishmëri 2 mjete, në aksin Kukës – Qafë Shllak janë në gatishmëri 2 mjete, në aksin Kukës-Ura e Zapodit janë në gatishmëri 2 mjete, ne akset e Tropojës janë në gatishmëri 10 mjete.
1. Në aksin Krumë- Qafe Prush, në një gjatësi prej 80ml, ka një çedim të trupit të rrugës. Është vendosur sinjalistika përkatëse dhe qarkullimi vazhdon normalisht.
2. Në aksin B. Curri-Valbonë, në km 13 -17, në vendin e quajtur Prroni i Thatë, ka h rënie gurësh masive që sjellin rrezikshmëri për qarkullimin.
3. Në aksin Fierzë-Lekbibaj , në vendin e quajtur Shkëmbi i Rajës, ka herë pas here shembje dhe rënie gurësh. Janë pastruar nga firma kontraktore.
4. Në aksin Domaj – Bushtricë, ne km 27, 29 dhe 31 nga Kukësi, ka çedim të trupit të rrugës 20-70 cm dhe vështirësi në qarkullimin e mjeteve.
5. Edhe në akse të tjera ka rënie gurësh në rrugë, të cilat janë pastruar nga kontraktorët.
Në të gjitha akset e këtij qarku, qarkullimi kryhet normalisht.
Të bëhet kujdes dhe te respektohet sinjalistika në vendet ku ka probleme në rruge dhe rënie gurësh e materialesh të tjera.
Gjithashtu të bëhet kujdes ne ato segmente ku ka ngrica në rrugë.
DIBËR
Në të gjithë qarkun ka reshje shiu. Në akset e këtij qarku janë në gatishmëri 14 mjete, në zonat ku ka rrezik për rënien e materialeve në rruge. Rekomandohen përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në zonat ku ka rrezik te rënies se materialeve ne rruge, si dhe te lagështisë në rrugë.
1. Gjatë gjithë aksit Skurraj – Burrel , ka herë pas here rënie gurësh në rrugë, që krijojnë probleme në qarkullim. Inspektorët dhe firmat ish kontraktore punojnë vazhdimisht për pastrimin e tyre. Në vendin e quajtur Baz, ka çedim të trupit të rrugës dhe shembje të murit pritës të rrugës. Në këto zona duhet të tregohet kujdes nga përdoruesit e rrugës, Ne gatishmëri janë 2 mjete.
2. Në aksin Burrel – Qafë Bualli, 1.5 km në dalje të qytetit të Burrelit, ka një çedim masiv të trupit të rrugës. Për momentin nuk ka probleme për qarkullimin.
3. Në aksin rrugor Kuben – Vasie, në km 19.5 nga Peshkopia, në fshatin Vleshe, ka një çedim të trupit të rrugës. Në këtë aks ka reshje bore dhe kalimi në këtë aks rekomandohet të bëhet me zinxhirë. Të behet kujdes në qarkullim në akset ku ka inerte në rrugë dhe të respektohet sinjalistika.
SHKODËR
Në të gjithë qarkun ka reshje shiu.
Në akset Dedaj-Razëm dhe Koplik-Bogë ka rënie gurësh si pasojë e reshjeve të shumta. Në gatishmëri janë 2 mjete fadroma, që po bëjnë pastrimin e akseve. Edhe në aksin Shkodër-Qafë Qelë ka rrezik për rënie gurësh në rrugë. Edhe këtu është në gatishmëri 1 fadromë, në aksin Shpal – Ura e Repsit janë në gatishmëri 2 mjete, në aksin Rrëshen – Qafe Benë janë në gatishmëri 2 mjete. Në aksin Qafe Mali – Fierze janë në gatishmëri 2 mjete, ne aksin K.Hadroj – Qafe Bene janë në gatishmëri 2 mjete.
1. Në aksin Qafë Laç – Qafë Qele ka zona me rrezik për rënien e gurëve, prandaj duhet të bëhet kujdes në qarkullimin në këtë aks.
2. Në aksin Pukë – Fushë Arrëz, në vendin e quajtur Kroi i Zojës, ka shembje të murit mbajtës të rrugës dhe çedim të saj. Situata e qarkullimit është normale. Në gatishmëri është 1 mjet.
3. Gjatë aksit Fushë Arrëz – Qafë Mali – Qafë Shllak, ka herë pas here rënie gurësh dhe shembje të skarpatave, por nuk ka probleme për qarkullimin. Në gatishmëri është 1 mjet.
4. Në aksin Vau i Dejës-Koman ka segmente ku ka rrezikshmëri për rënie gurësh e materialesh në rrugë. Në këtë aks, disa prej urave janë të dëmtuara, prandaj rekomandohet të bëhet kujdes në qarkullim. Të bëhet kujdes në zonat ku ka ngrica në rrugë, për shkak të temperaturave të ulëta të natës. Gjithashtu të bëhet kujdes ne zonat ku ka rënie gurësh e materialesh në rrugë.
LEZHË
Në të gjithë qarkun ka reshje shiu.. Në të gjitha akset qarkullimi kryhet normalisht. Ne aksin Milot-Skurraj-Rrëshen është në gatishmëri 1 mjet, në aksin Ura e Zogut-Rubik-Rrëshen është në gatishmëri 1 mjet, në aksin Rrëshen-Tuneli i Thirrës janë në gatishmëri 3 mjete.
1. Në aksin Rrëshen – Tuneli i Thirrës, në zonat e quajtura:
a. Mashterkovë km 26,
b. Fan km 28.5,
c. Bicak km 34,
ka shembje të dherave dhe bllokime të kanaleve anësore dhe tombinove, dëmtim të pritave mbrojtëse si dhe spostim të shtresës asfaltike nga vija e projektit. Megjithatë qarkullimi kryhet normalisht në këtë aks.
2. Në aksin Fushë Milot – Lezhë, ka dëmtim të fugës së diletacionit, në Urën mbi lumin Drin, në km 0.900. është vendosur sinjalistika përkatëse dhe për momentin nuk ka probleme me qarkullimin. Të bëhet kujdes dhe të respektohet sinjalistika rrugore.
PESHKOPI, BLLOKOHET RRUGA QË LIDH QYTETIN ME DISA FSHATRA
Reshjet e shumta kanë fryrë Përroin e Llixhave në Peshkopi, duke shkaktuar bllokimin e rrugës që lidh qytetin me fshatrat Cerjan, Zagrad e Rabdisht. Uji ka dëmtuar rrugën, ndërkohë që s’ka urë për të kaluar banorët. Nisur nga kjo situatë, nxënësit kanë qëndruar tek të afërmit në qytet.
BULQIZË, DËMTOHET ARGJINATURA E DRINIT TË ZI, RREZIKOHEN DISA BANESA NË GJORICË TË POSHTME
Reshjet e dendura kanë dëmtuar një pjesë të argjinaturës së Drinit të Zi, duke rrezikuar dhjetëra banesa në Gjoricë të Poshtme të Bulqizës. Në disa prej këtyre banesave ka prezencë uji. Si pasojë e kësaj situate, forca të shumta ushtrie kanë mbërritur në Gjoricë të Poshtme. Në Bulqizë ka mbërritur dhe deputeti Përparim Spahiu.
RRITET NIVELI I UJIT NË URËN E SHKOZËS, RREZIKOHET TË PËRMBYTET
Niveli i prurjeve të ujit në urën e Shkozës është rritur, ndërsa rrezikohet që kjo zonë të përmbytet. Mësohet se lumi Lana është tej fryrë nga prurjet, duke bërë që nga momenti në moment ai të dalë nga shtrati.
PËRMBYTEN DY BANESA NË ZONËN E NDROQIT, PUNONJESIT E ZJARREFIKESES SHPETOJNE 4 FEMIJE
Dy banesa në zonën e Ndroqit në kryeqytet rrezikojnë të përmbyten, ndërsa u rrezikua jeta e 4 fëmijëve, të cilët u shpëtuan nga punonjësit e zjarrëfikses. Mësohet se në këtë zonë uji ka ‘pushtuar’ rrugët, ndërsa situata vijon të jetë kaotike dhe në disa zona të tjera të Tiranës.
RRËSHQITJE DHERASH NË RRUGËN E KOMBIT
Në aksin Morinë-Kukës-Kalimash ka rrezik për rrëshqitje dherat. Ndërsa probleme paraqiten në kilometrin 7 të autostradës. Sakaq, probleme në këtë qark ka pasur dhe me energjinë elektrike, pasi ka ndërprerje në disa zona. Ndërkohë, reshjet e shiut vijojnë me intensitet të lartë, gjë që vështirësojnë punën e punonjësve të OSHEE që janë në terren për zhbllokimin e situatës.
PËRMBYTET RRUGA E MULLETIT, MBYLLET AUTOSTRADA TIRANË-ELBASAN, MJETET KALOJNË NGA RRUGA E VJETËR
Autostrada Tiranë-Elbasan është bllokuar, pasi rruga e Mulletit është përmbytur dhe automjetet e kanë të pamundur që të lëvizin. Mësohet se për inspektim në këtë zonë ka qenë ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto. Sakaq, po punohet për zhbllokimin e situatës, ndërsa ministri pohoi se janë marrë të gjitha masat. “Aktualisht arrsh është në gatishmëri të plotë. Nuk ka asnjë aks rrugor të bllokuar”, tha Haxhinasto.
DISA BANESA TË PËRMBYTURA NË KOMBINAT
Disa banesa në zonën e Kombinatit janë përfshirë nga uji, i cili ka shkuar në një lartësi gjysmë metri. Në këto banesa raportohet se janë dëmtuar të gjitha elektro-shtëpiaket.
MM: 100 FORCA USHTARAKE TË ANGAZHUARA PËR TË NDIHMUAR BANORËT
Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i FA në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe me pushtetin lokal po ndjekin situatën e krijuar si rezultat i reshjeve të rëna gjatë orëve të fundit në vendin tonë dhe problematikën e krijuar prej tyre.
Forcat ushtarake, me kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile dhe autoriteteve lokale, janë angazhuar për evakuimin e banorëve të përmbytur dhe riparimin e argjinaturave e zhbllokimin e kanaleve në fshatin Pllanë ( Lezhe), njësia administrative Fushë Kuqe (Bashkia Lac), njësia administrative Paskuqan, Zona Babrru (Qarku Tiranë). Gjithsej janë angazhuar rreth 100 forca, gomone, mjete transporti dhe eskavator.
Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet Qendrës së Bashkuar Operacionale është në kontakt të vazhdueshëm me strukturat e Emergjencave Civile dhe forcat ushtarake në terren.
PANARITI NË ZEJMEN TË LEZHËS: NDËRHYRJA PËR PASTRIM SA TA MBAROJNË RESHJET
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti inspektoi nga afër situatën e rënduar në qarkun e Lezhës. Nga Zejmeni, Panariti deklaroi se do të nis ndërhyrja për pastrim, sapo të mbarojë shiu. Sakaq, ai pohoi ndër të tjera se sapo të kalojë situata e vështirë me të cilën po përballen banorët e kësaj zone, do të bëhet dhe vlerësimi i dëmeve. “Sa të kalojë situata, do bëhet vlerësimi i dëmeve. Banesat e rrezikuara, mund të zhvendosen”, theksoi Panariti.
NIKO PELESHI: SITUATA E VËSHTIRË, POR KEMI PASUR MË TË RËNDA
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi ka inspektuar nga afër situatën e krijuar në fshatin Pllanë të Zejmenit, si pasojë e përmbytjeve. Peleshi është shprehur se situata është e rëndë, por thekson se është ndërhyrë në kohë.
“Situata është e vështirë, por ne kemi pasur edhe më të rënda. Është ndërhyrë në kohë. Megjithatë duhet bashkëpunim që kjo situatë të mos përsëritet. Nevojitet bashkëpunim mes pushtetit vendor me qeverinë”, u shpreh Peleshi.
MPB: JA SITUATA NË TIRANË, LEZHË, DURRËS E DIBËR, EVAKUOHEN DISA FAMILJE
Ministria e Punëve të Brendshme bën të ditur se dhjetëra familje janë evakuuar në Tiranë dhe Dibër, pasi banesat e tyre rrezikojnë të përmbyten, si pasojë e daljes së lumenjve nga shtrati.
Shirat e dendur që kanë përfshirë sot vendin, kanë shkaktuar probleme të shumta, kryesisht në qarkun Tiranë, Lezhë, Durrës dhe Dibër.
Ministria e Punëve të Brendshme informon lidhur me situatën, deri në orën 12:00.
Qarku Tiranë. Në Babrru, janë evakuar 25 familje pasi banesat e tyre rrezikoheshin nga përmbytjet e lumit. Në njësinë administrative Paskuqan është çarë tubacioni i ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Tiranës dhe po punohet për riparimin e tij.
Aktualisht në qytetin e Tiranës është rritur niveli i Lumit të Lanës.
Në rrugën “Mentor Xhemali” si pasojë e reshjeve të shiut ka prezencë uji në disa banesa. Në vendngjarje janë forcat zjarrfikëse dhe të policisë.
Tek “Ura e Beshirit” ka prezencë uji në aksin rrugor kombëtar Tiranë – Durrës. Po punohet nga forcat zjarrfikëse të Tiranës dhe policia rrugore.
Në rrugën “Siri Kodra”, pranë ish-Frigoriferit, ka prezencë uji në rrugë që ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Po ndërhyhet nga forcat zjarrfikëse dhe tek nënstacioni elektrik.
Në rrugën ‘Don Bosko’ ka prezencë uji që ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve.
Tek Bregu i Lumit, tek ish-Nishtulla nr. 3 janë evakuuar 3 familje që rrezikoheshin nga përmbytja.
Qarku Lezhë. Në fshatin Pllane, njësia administrative Zejmen, Bashkia Lezhë, si pasojë e fryrjes së përroit të Malbardhës rrezikohen disa banesa. Në vendngjarje janë administratori i njësisë administrative dhe forcat zjarrfikëse të Lezhës.
Për t’u ardhur në ndihmë banorëve kanë shkuar forcat e FNSH-së dhe policisë lokale.
Në fshatin fshatin Fushë Kuqe, njësia administrative Fushë Kuqe, bashkia Laç, si pasojë e reshjeve rrezikohen disa banesa. Në vendngjarje janë administratori i njësisë administrative dhe forcat zjarrfikëse të Laçit.
Qarku Durrës. Në Fushë – Krujë dhe fshatin Derven i Poshtëm ka pasur prezencë uji si rezultat i fryrjes së lumit që rrezikon disa banesa. Në vendngjarje janë administratori i njësisë administrative dhe forcat zjarrfikëse të Krujës.
Qarku Dibër. Në fshatin Gjoricë e Poshtme të Bashkisë Bulqizë rrezikohet argjinatura e lumit Drin. Forca të Ministrisë së Mbrojtjes janë të gatishmëri për të evakuuar rreth 200 banorë, nëse do të jetë e nevojshme.
Gjithashtu në Fushë Bulqizë rrezikohen disa banesa nga përmbytjet.
“Pas reshjeve të shiut me intensitet të lartë që kanë përfshirë të gjithë vendin situata vijon të monitorohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile e cila po koordinon veprimet me të gjitha Institucionet dhe strukturat operacionale në terren. Forcat e FNSH në gjithë vendin janë në terren në ndihmë të banorëve.”- bën të ditur MPB.
DISA LAGJE NËN UJË, EVAKUOHEN 50 FËMIJË NË NJË SHKOLLË NË KOMBINAT
Disa lagje në kryeqytet janë nën pushtetin e ujit. Mësohet se problematike ngelet situata në lagjen “Irfan Tomini”, Kombinat dhe në Shkozë. Sakaq, bëhet e ditur se 50 fëmijë janë evakuuar në një shkollë në Kombinat. Ndërkaq, kritike është situata dhe tek lulishtja ‘1 Maj’, Selitë dhe në Lanabregas.
PANARITI: HIDROVORET NË PUNË, KEMI MARRË MASA. SITUATA KRITIKE NË LEZHË
“Hidrovoret dhe kanalet e kullimit të ujit janë të gjitha në punë dhe situata është në kontroll sa i takon parandalimit të përmbytjeve nga reshjet e shiut”. Kështu deklaroi ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, në një komunikim për mediat për të bërë një bilanc të analizës së punës përgjatë vitit 2015 të institucionit që ai drejton.
Panariti theksoi se më problematike mbetet situata në Qarkun e Lezhës, pasi aty ka zona të përmbytura. Sipas ministrit shkak i krijimit të kësaj situate është bërë prerja pa kriter e pyjeve.
“Situata në sistemin e kullimit në Territorin e Shqipërisë është nën kontroll. Marr kontakte nga të gjithë bordet që jemi në terren. Hidrovorët punojnë dhe ka energji elektrike dhe ata po punojnë. Situata më kritike ndodhet në qarkun e Lezhës ku kemi prurja më të larta, i dhe për shkak të prerjes së pyjeve dhe fryrjes së përrenjve. Për këtë arsye përshëndes vendimin e Qeverisë shqiptare për moratorimun e ndaljes së prerjes së pyjeve. Por situata është nën kontroll.”, tha Panariti.
Nga ana tjetër Panariti garantoi se janë marrë të gjitha masat, ndërsa të gjitha bordet ndodhen në terren. Ai konfirmoi se pasi të mbaroj komunikimin me gazetarët do të niset për inspektim të situatës nga afër në Lezhë.
Sakaq, ai shtoi me ndarjen e re territoriale, bashkive u është dhënë në dispozicion 15 milionë lekë që kanë shkuar për kanalet kulluese, që t’ju paraprihen situatave të tilla siç janë përmbytjet.
SHIRAT NXJERRIN NGA SHTRATI LANËN, PËRMBYTEN DISA LAGJE NË TIRANË
Reshjet e shiu kanë shkaktuar fryrje të lumit të Lanës. Si pasojë e daljes së lumit të Lanës nga shtrati janë përmbytur disa zona në Tiranë. Problematike situata paraqitet në rrugën “Irfan Tomini”, në Kombinat, Shkozë. Ndërkaq, përmbytje janë shkaktuar edhe në Lanabregas.
SHKODËR,SHEFI I EMERGJENCAVE CIVILE FLET PËR SITUATËN NGA RESHJET
Reshjet e shiut kanë krijuar probleme në Vaun e Dejës të Shkodrës. Rritja prurjeve të përrenjve ka krijuar probleme në lagjen “Kapedan”, ku 3 banesa rrezikohen nga përmbytjet. Ndërkaq, zona e Gomsiqes është e izoluar për shkak të rritjes së nivelit të ujit. Shtabi i Emergjencave ndodhet në gatishmëri për të vepruar.
13 FAMILJE TË PËRMBYTURA NË FSHATIN PLLAN, 3 EVAKUOHEN
Plot trembëdhjetë familje në fshatin Pllan të Lezhës janë përmbytur, ndërsa rrugët janë bllokuar. Rrëshqitja e dherave në këtë zonë kanë bllokuar rrugën e fshatit. Banorët kanë kërkuar ndihmë, dhe deri tani janë evakuuar vetëm 3 familje.
Nën ujë janë edhe dhjetëra hektarë tokë bujqësore.
SITUATA NGA MOTI I KEQ, MB: DO KETË RESHJE E SHTRËNGATA SHIU, JA ZONAT QË RREZIKOHEN
Dita e sotme filloi me reshje shiu, ashtu siç edhe ishte parashikuar nga sinoptikanët. Nisur nga kjo situatë Ministria e Punëve të Brendshme informon qytetarët se gjatë ditës së sotme, sipas buletineve meteorologjike, pritet të ketë një përkeqësim të ndjeshëm të motit, që do të shoqërohet me reshje dhe shtrëngata shiu me një intensitet të lartë, kryesisht në orët e pasdites. Rajonet që parashikohet të preken nga përkeqësimi i motit janë Shkodër, Lezhë, Dibër, Tiranë, Elbasan, Gjirokastër dhe Vlorë ku në intervale kohore prej 2-3 orësh, do të ketë reshje shiu që mund të arrijnë në 30-40 mm.
Përveç rajoneve të përmendura, në lartësitë mbi 800 metra mbi nivelin e detit, pritet të ketë reshje bore gjithashtu të dendura.
“Për këto arsye, Ministria e Punëve të Brendshme njofton çdo shtetas që t`u bindet lajmërimeve të strukturave të pushtetit vendor dhe qendror për të shmangur qarkullimet e panevojshme, si dhe të japin ndihmesën e tyre ndaj këtyre strukturave, ashtu siç parashikohet edhe në Ligjin nr. 8756, “Për Emergjencat Civile”. Gjithashtu bëjmë thirrje të minimizohen lëvizjet e panevojshme, kurse prindërit të shoqërojnë fëmijët në shkolla, kopshte e çerdhe, etj. Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë masat e parashikuara për të tilla raste, duke ngritur Shtabet e Emergjencës në Prefektura e Bashki, për të vënë në gatishmëri të gjitha kapacitetet njerëzore e teknike operacionale që të reagojnë sipas situatës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Nisur nga kjo situatë, MPB theksoj se janë marrë masat që të jenë të gatshme për veprim gjithë strukturat operacionale të Emergjencave Civile si: Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, ARRSH, etj.
“Janë njoftuar të gjitha kompanitë që kanë detyrime kontraktore për mirëmbajtje dhe mirëfunksionimin e akseve rrugore kombëtare dhe rurale. U është kërkuar bordeve të kullimit dhe strukturave të hidrovorëve, si dhe OSHEE-së, të qëndrojnë në gatishmëri për të minimizuar pasojat që mund të shkaktohen nga reshjet e dendura”, thekson MPB.
Një ditë më parë kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njoftoi për situatën si pasojë e reshjeve të parashikuara, si dhe njoftoi qytetarët që të shmangin lëvizjet nga ora 14:00 e deri në orët e mbrëmjes.
BLLOKOHEN DY FSHATRA NË FUSHË-BULQIZË NGA DËMTIMI I RRUGËS
Reshjet e rrëmbyera të shiut kanë shkaktuar fryrjen e përrenjve në Bulqizë, të cilët kanë dalë nga shtrati. Si pasojë është dëmtuar rruga në Fushë Bulqizë, duke bllokuar dy fshatra, Kocaj 1 dhe Kocaj 2.
Nga reshjet e dendura janë dëmtuar edhe dy banesa.
PROBLEMATIKE ZONA E ZADRIMËS DHE TOROVICËS, PREFEKTURA E LËZHËS: HIDROVORET PO PUNOJNË ME KAPACITET TË PLOTË
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme në disa zona në Zadrime dhe Torovicë. Si pasojë e shirave të dendur rrezikohen të përmbyten disa banesa në fshatin Spiten në Lezhë.
Lidhur me situatën ka reaguar Prefektura e Lezhës, duke theksuar se deri më tani situata është nën kontroll, dhe po merren masat e nevojshme për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes.
Nga Prefektura e Lezhës sqarojnë se hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë.
PROBLEMET NË DISA AKSE RRUGORE NË PUKË, REAGON ARRSH
Aksi rrugor Fushë Arrëz-Gjegjan–Mirditë është bllokuar mëngjesin e sotëm si pasojë e rrëshqitjes së dherave. Shkak janë bërë reshjet e shiut. Shembja masive e dheut, e ndodhur pranë tunelit të Gjegjanit, është për shkak për bllokimin e rrugës.
Ndërkaq, i bllokuar ka ngelur edhe aksi rrugor Qafë Qerret-Qelëz, nga rrëshqitjet e dherave në fshatin Dedaj.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar ARRSH, duke theksuar nga ky institucion u ndërhy në aksin Fushë Arrëz-Gjegjan-Mirditë.
INFORMACION I ARRSH MBI GJENDJEN E KALUESHMËRISË SË AKSEVE RRUGORE KOMBËTARE
Nga komunikimi me specialistët e Drejtorive të Rajoneve, Autoritetit Rrugor Shqiptar njofton se situata në akset kombëtare paraqitet si më poshtë:
Në Rajonin Verior Shkodër: Në akset e këtij Rajoni ka patur rënie gurësh e materialesh , si pasojë e rreshjeve. Në të gjithë akset janë në gadishmëri mjete dhe punëtore që po bëjnë pastrimin e tyre. Nuk ka probleme për qarkullimin deri tani.
Në Rajonin Qëndror Tiranë: Si pasoje e rreshjeve ka patur një dëmtim të rrugës tek Ura e Peshkatarit – Bërzhitë, deri në gjysmën e korsisë. Janë marrë masat me vendosjen e sinjalistikës përkatëse.
Edhe në aksin Qafë Priskë – Shëngjergj ka një dëmtim të mbrojtëses prej betoni të rrugës, që ka sjellë demtim të saj. Është ngritur grupi i punës për verifikimin në vend të situatës. Rekomandohet të bëhet kujdes në qarkullimin në akset që kanë probleme dhe të respektohet sinjalistika e vendosur.
Në Rajonin Jugor Gjirokastër: Në akset e këtij Rajoni nuk ka probleme deri tani. Në gadishmëri janë mjete e punëtore sidomos në zonat e njohura të rrëshqitjeve, siç janë Shkalla e Zezë, Rapi i Kuqarit etj. Janë marrë masa që në këto zona të instalohen mjete dhe njerëz në gadishmëri. Në akset e Korçës nuk ka probleme për qarkullimin. Kontraktorët janë në gadishmëri.
Bashkëngjitur është tabela me situatën e akseve, dhe mjetet në gadishmëri sipas qarqeve.
Shijak, 150 banesa përmbyten nga lumi ‘Erzen’
Shijak, lumi ‘Erzen’ ka dalë nga shtrati në orët e vona të mbrëmjes. Lumi Erzen fillimisht ka përmbytur fshatin Sallmone duke përmbytur dhjetëra banesa.
Fluksi i lumit Erzen ka qenë tepër i madh dhe prurjet e tij kanë vërshuar edhe në fshatin Baronetë, duke përmbytur banesa të tjera.
Shpërthimi i tretë i lumit Erzen ka ndodhur tek Ura e Shijakut duke përmbytur dhjetëra banesa të tjera në këtë zonë.
Për shpëtimin e banorëve kanë mbërrijnë forcat ushtarake për të kryer evakuuimin pasi rrezikohet jeta e banorëve.
Forcat e ushtrisë po ndërhyjnë me varka dhe gomone pasi situata është shumë e rëndë. Forcat policore janë në terren dhe janë duke asistuar në ngjarjen e krijuar.
Priten shtim forcash ushtarake nga reparti i Farkës për evakuimin e banorëve, sepse uji ka mbërritur në banesa në lartësi deri në 2 metra.
Banorët më herët kanë apeluar për ndihmë pasi i rrezikohet jeta, dhe kanë deklaruar se në banesa ka edhe persona të moshuar dhe të sëmurë.(Kortezi Balkanweb)