• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dom Luigj Pici, meshtari patriot që bekoi me kryq e luftoi me pushkë për lirinë e Shqipërisë

August 29, 2021 by s p

Nga Ndue Bacaj

Në vend të hyrjes 

Në fund të viteve shtatëdhjetë të shekullit njëzetë, unë si adolishent fillova të shkoi në të ashtuquajturen “festa e Reçit”. Së bashku me moshatarët e mi u mundojshim të shetisnim sa më shumë në trojet e Reçit, pasi siç na thuhej atëherë ky fshat ishte historik, heroik e patriot , si asnjë fshat tjetër në Malësi. Reçi na thuhej se kishte luftuar e fituar kundër ushtrisë fashiste italiane etj… Në vijim të shetitjeve tona në  Reç, do të vizitoshim vorret e Ulnikajve. Në këso rastesh, shpesh në vorre do të gjenim buqeta me lule , por mbi të gjitha qese të vogla me karamele, pako biskotash apo ndonjë “embelsirë” të kohës. Ne si fëmijë u gëzoshim ketyre gjërave , që për kohën i dëshirojshim jo pak. Kur për këto që gjenim në vorre të Ulnikajve , e veçanarisht në një vorr që vazhdimisht në kohen e “festës së Reçit” ishte më i pasur se të tjerët me këso gjërash,  prindërit tanë na thonin se keto “dhurata” liheshin te kryet e vorrit për shpirtë të vdekurve.. Ndersa për vorrin e veçantë na tregonin “thatë” se ky ishte vorri i një priftit… Mirpo duke u rritur ne do të mësonim në heshtje se ky vorr i perkiste patriot e antifashist Dom Luigj Pici , që  kishte  bekuar me kryq e luftuar me pushkë për lirinë e Shqipërisë , por shteti komunist e kishte vrarë mizorisht e pabesisht… Ndersa gjërat apo “dhuratat” te koka e ketij vorri thuhej se do ti kishin vendosur tinzisht të afërmit e tij nga Shkodra, apo ndonjë besimtar nga Reçi , ku Dom Luigji kishte qenë famulltar i nderuem e respektuem për vite në Kishen e Shën Elisë në Reç…  

“Pak” nga curriculumi i Dom Luigj Picit. 

Dom Luigj Pici lindi në vitin 1907, në një familje atdhetare e qendrestare, si ndaj pushtuesve turko-osman  dhe shovenëve grabitqar serbo-malazez sllav. Baba i Luigjit , Nushi , në vitin 1913 detyrohet të largohet nga Ulqini i uzurpuar nga Mali i Zi  dhe vendoset në qytetin e Shkodrës. Këtu falë miqësisë që kishte pasur baba i Luigjit , Nushi, me nacionalistët shkodranë e më gjërë , që donin bashkimin e trojeve etnike shqiptare , si Cafo beg Ulqini e tjerë, u sistemua e stabilizua në Shkodër si në shtëpinë e tij. Nushi kishte pasur tre djem, të cilët i shkolloi si mos më mirë për kohën, ku njëri ndër këta ishte Luigji , që do të bëhej meshtar. Në vitin 1926 edhe pse do të ishte vetëm pak më shumë se 19 vjeç  do të shugurohej prift (katolik) , duke filluar kështu detyren e vështirë, por fisnike të meshtarisë në Malin e Kolajve (Velipoj). Nga fundi i vitit 1930 , Dom Luigji do të transferohej nga Mali i Kolajve në famullinë e Reçit të Malësisë Madhe, nga ku nuk levizi derisa ishte gjallë. Gjatë gjithë sherbimit të tij Dom Luigj Pici u dallua , jo vetëm si meshtar i mirë i fjalës së Zotit për komunitetin katolik, por edhe si njeri me kulturë e patriotizëm pa dallime fetare, për banorët e Reçit e më gjërë. Për këtë vlenë të cilësohet se Dom Luigji do të ishte edhe një mësues i mrekullueshëm, ku (pranë famullisë së tij) do t’u mësonte vullnetarisht shkrim e këndim, pa dallime fetare djemëve të Reçit e rrethinave. Gjatë mësimit shkrim e këndim e në biseda të lira, Dom Luigji bënte thirrje për bashkim e jo ndarje, pasi siç thoshte ai , si katolik si musliman një Zot kemi, ashtu siç kemi një gjuhë, një gjak e një Atdhe,  që duhet t’i dalim përzot sëbashku. Dom Luigji këtë do ta tregonte me vepra me shembullin e tij personal… Dom Luigji që në ditët para të prillit 1939, kur kishte filluar të dëgjohej “duhma” e pushtimit fashist Italian, ai kishte qenë në krye të grupit të malësorve që marshoi tek Nënprefektura e Koplikut për të kerkuar armë per të mbrojtur trojet shqiptare nga pushtuesit fashist…Dy ditë pas pushtimit fashist të Shqipërisë, me date 09 prill (1939), (të dielen e Pshkëve), në kishën e Reçit do të thoshte: “Sot populli shqiptar po provon pushtimin fashist. Krishti dy herë ka qa; një herë kur lindi e në fund, jo se po vdiste , por se po e shihte vendin e pushtuem nga të huejt”. Me këto fjalë e me qendrimin e mëvonshëm e provoi veten si antifashist nga më të mirët. Për veprimtarinë e tij antifashiste u kërcënue nga pushtuesit , por populli e ruejti… Dom Luigj Pici u bë burim frymëzimi për malësorët e më gjërë , pasi ai do të merrte pjesë edhe në shumë aksione antifashiste, si prerja e televe telefonik në korrik 1942, sulmi kundër postës së policisë në Vrakë etj… (Caf  Jonuz  Culaj, Krushqit e Lirisë, fq.13-14, Shkodër 2001). Në Luften e “Reçit” (30-31 gusht 1943), perveç shumë luftëtarëve nacionalist dhe fare pak komunist, (madje dhe ata thuajse të padeklaruar në atë kohë), do të merrte pjesë edhe prifti antifashist e patriot Dom Luigj Pici.  famulltari i kishës së Reçit. Dom Liugj Pici në luften antifashiste perveçse meshtar që bekonte luftëtarët e lirisë ai do të ishte edhe një luftëtar me pushkë per çlirimin e trojeve shqiptare nga pushhtuesit fashist-italian e nazistët-gjerman. Dom Luigji, si pak meshtarë do të bashkëpunonte ngushtë me të ashtuquajturit nac-çlirimtar edhe pse me ideologji komuniste… Ishte ky bashkëpunim aq i madh sa do të zgjidhej në forumet e larta  të krijueme nga Lufta Antifashiste; në Dobraç e mandej në Shkodër (1943), ai u zgjodh anëtar i Këshillit Nacional-çlirimtar  të Qarkut të Shkodrës. Me mbarimin e luftës Dom Luigj Pici ishte kryetar i Frontit “demokratik” të qarkut Shkodër,  kurse në gusht të vitit 1945, në kongresin e parë të frontit “demokratik” të Shqiperisë do të zgjidhej antar i komitetit ekzekutiv të këshillit të pergjithshëm të frontit demokratik.. Dom Luigjit iu propozua edhe detyra e ministrit të arsimit, por ai preferoi të kryente detyren e tij si meshtar në Reç.. Pas zgjedhjeve  të dhjetorit 1945, shumë deputet që kishin vizione të gjana për demokracinë , kërkuen në parlamentin shqiptare pluralizmin politik dhe një qeveri me bazë të gjanë… Mirpo Enver Hoxha me shoket e tij komunist nuk i lejuan. Ideatorët progresist u shpallen armiq. Për rrjedhojë u banë gjyqe fallso e u pushkatuen shumë figura të shqueme si Shefqet Beja, Kolë Kuqali, Riza Dani, Kolë Prela e tjerë. Shumë të tjerë u dënuan me burgime me afate të gjata. Të gjithë këta ishin shokë të idealit të Dom Luigj Picit… Për Dom Luigjin  kjo ishte tragjedi, sepse ai kishte luftuar në emër të së drejtës dhe për të drejtën e jo për poshtërinë e krimin e organizuem. (Caf Jonuzi; Krushqit e Lirisë,fq. fq.13-15, Shkodër 2001). Dom Luigj Pici do të thirrej në gjyqin e inskenuar nga sigurimi i shtetit kumunist kundër klerit katolik, gjoja për gjetjen e armëve në Kishën e fretneve në Shkodër. Në këtë gjyqë Dom Luigji pa marrë parasyshë rrezikun që i kanosej do të deklaronte kundër akuzave të bame në drejtim të Klerikëve, dhe dëshmia e tij thoshte një të vertetë, të cilën Ai të nesermen e predikoi edhe në famullinë e tij. (At Konrad Gjolaj (Tomë Marku); ÇINARËT, fq.88, botim i muzeut historik të Shkodrës 1996). Deklarata e Dom Luigjit bani bujë. Ai u thirrë nga Koçi Xoxe , minister i punëve të Bredshme dhe iu kerkua të terhiqte deklaratat…Por ai nuk pranoi…(Caf Jonuzi, po aty, fq.16). Me 01 mars 1946 u propozua heqja e Dom Luigj Picit nga detyra e Frontit “Demokratik”, nga: Nazmije Velica, Sadik Rama dhe Hasan Smaja. Propozimi u aprovue dhe me 10 nëntor 1946, u vra pabesisht në Reç prej Asllan Licit e Pal Mëlyshit…(At Konrad Gjolaj (Tomë Marku); ÇINARËT, fq.88).  Në gjyqin e më vonshëm u vertetua se armët në kishë ishin futur një natë përpara kontrollit (e gjoja gjetjes së armëve),  nga sigurimi i shtetit komunist, me ndihmen e xhakonit të rekrutuem si spiun , Ndoc  Vasili…Këtë do ta deklaronte tre vjet mbrapa ish-oficeri i sigurimit , Pjerin Kçira, i kthyem në kundërshtar i vendosur ndaj regjimit komunist, kur si i burgosun do të dilte në gjyqë dhe do të deklaronte para publikut të pranishëm në sallë, se “armët në kishë i ka futë sigurimi i shtetit , me qellim që të dikretitonte kishën”, deklaratë për të cilën ai do t’u denonte me vdekje e do t’u pushkatonte. Patër Leon Kabashi , tue folë për këtë rast , do tu shprehte: “ Kisha ia ka me borxh mirënjoftjen Pjerin Kçirës”. (Ahmet Bushati , Në Gjurmët e Nji Ditari,Shkodra në tri vitet e saj të parë nën komunizëm- në Sigurim- ndër burgje e kampe, fq.159, Sh.b. “Camaj-Pipa”, Shkodër 2001).   Pra edhe ai prift katolik, ndër të paktit që bashkëpunoi e kontribuoj në radhët e partizanëve “nac-çl.” u vra. Por çfar rendësie kishte per komunizmin kontributi patriotik i ketij prifti katolik, perpara urrejtjes patologjike të komunizmit sllav e “krijesës” së tyre Enver Hoxhës, i cili do të deklaronte: “.. Meqense katoliçizmi shqiptar, dhe në veçanti kleri, ishin pengesa më e madhe per triumfin e komunizmit në Shqipëri, qeveria nuk do të kursente asnjë perpjekje per t’i shpartalluar ata..”.(At Konrad Gjolaj (Tomë Marku); ÇINARËT, po aty, fq.91). Vlenë të cilësohet, se zelli i madh i komunistëve shqiptar me në krye Enver Hoxhen kundër klerit katolik kishte edhe frymzimin, por edhe urdhërin nga komunistët sllav, që kishin krijuar PKSH-n. Këtë e ka treguar sekretaria personale e Enver Hoxhës, që kryente edhe punën e perkthyeses në ambasaden jugosllave në Tiranë. Kjo sekretare-perkthyese tregonte se kur një ditë kishte ardhur te Enveri ambasadori jugosllav, Enveri me gëzim e kreni i tregon atij: “ E mbytëm Patër Anton Harapin, e me të kemi plagosur për vdekje klerin katolik !”. Ndersa diplomati serb i pergjigjet: “Po, po, por keni gjallë ende Patër Gjon Shllakun që peshon shumë. Sipas porosisë që kam prej qeverisë time duhet të zhdukni Shllakun dhe të shkatërroni me kulm e themel klerin katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët…”. (At Konrad Gjolaj, po aty, fq.87-88). Gjë që e beri pa hezitim nxënësi i tyre i bindur Enver Hoxha, madje edhe duke i tejkaluar detyrat (kriminale) të dhëna nga serbo-sllavët, jo vetëm me të gjallët, por edhe me të vdekurit, duke u gërmuar edhe vorret e tretë eshtrat, siç është “rasti” me vorrin e Gjergj Fishtës e tjerë… Pas vitit 1991, kur lindi pluralizmi politik , eshtrat e Dom Luigj Picit do të merreshin nga vorret e Ulnikajve e do të rivarroseshin në Shkodër, pranë prindërve dhe të afërmëve të tij. Nga këtu trupi dhe shpirti i tij presin në amshim një rivlersim, nga shteti e pushteti…, si dhe nga Kisha katolike, që është mbështetur fort në binomin Fe dhe Atdhe, për të cilin edhe iu muar jeta, Dom Luigj Picit, nga ata që ishin pa fe e pa atdhe…

Filed Under: Politike Tagged With: Dom Luigj Pici, Ndue Bacaj, shqiperia

Po e shesin Shqipërinë rilindasit o shqiptarë

August 17, 2021 by s p

Nga Gezim Zilja/

Ky është porti i Vlorës një mrekulli. Nga viti 2014 deri në vitin 2020 për ta prurë në ketë gjendje janë hedhur nga komuniteti Europian plot 15 milion euro dhe po kaq dhe nga qeveria Rama. Ky port me kërkesen e saj i jepet një firme private. Pjesa tokësore 5,5 ha që si e shikoni eshte rruar e qethur, do të mbushet me pallate 20-30 kate sipas nje projekti të fshehtë, te miratuar nga qeveria. Pallatet do te shiten nga privati dhe miliarda euro do te futen të gjitha në xhepin e privatit. Ndërkaq ai do t’i paguajë qeverisë sips kontratës rreth 20 milion dollarë. Akuariumi po prej 5.5 ha do të shfrytezohet për port jahtesh dmth parking. Në baze të kontratës ( edhe kjo e fshehtë) vetem 2% e te ardhurave nga porti që do të raportoje privati do t’i kalojne qeverise. Kjo nuk eshte përrallë dhe as politike. Kur jepen pjesë te territoreve publike privatit këto duhet të bëhen publike dhe te merret mendimi i komunitetit ose të pakten i specialistëve. Kur është fjala për pjesë të territorit me rëndësi strategjike si porti I Durrësit dhe ai i Vlorës duhet pa tjetër të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare.  E dini ju te dashur vlonjate dhe shqiptarë sesa para fitojne shqiptarët nga rezortet në Drimadhe, Rrugët e Bardha e gjithë Dhermiun ? Zero lekë. Fiton vetëm privati. E dini sa para kanë marrë qeveritë shqiptare ( shqiptarët) nga Bankersi që deri tani ka marre per 20 vjet qindra milione ton nafte? Zero. Krom? Zero euro. Ndersa punetoret aty jane thjesht skllevë, që punojnë r per nje cope buke dhe nuk kanë asnjë te drejtë. Për portin e Durrësit do të shkruaj serish. Ajo eshte një gjëmë kombetare.  Eshte me të vertete një gabim historik i pariparueshëm që jo vetëm cënon Sigurinë Kombëtare, shkatërron ekonominë shqiptare por edhe zvogëlon territorin e Shqipërisë. Po specialistët e porteve, ekonomisë dhe transportit detar që kanë dhënë djersën mendimin e gjakun e tyre për këto porte, meëhabisin me indiferencën e tyre. Le të thone si qëndron e verteta edhe sikur mendimi i tyre të jete ne favor te qeverisë. Vetem dy specialiste të detarisë kam lexuar të thonë fjalën e tyre plot vërtetesi, të mbeshtetur në ligjet, e guxim qytetar: Artur Meçollari dhe Gazmir Tahiri. Pa portet e Durrësit dhe të Vlorës ekonomia shqiptare shkon drejt katastrofes se pakthyeshme.

Filed Under: Kronike Tagged With: Gezim Zilja, Porti i vlores, shqiperia

Dy dekada nga Marrëveshja e Ohrit

August 13, 2021 by s p

Maqedoni e Veriut: liderët maqedonas dhe shqiptarë, duke nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit, më 13 gusht 2001.

Marrë nga: Radio Evropa e Lirë

“Marrëveshja e Ohrit mbetet alternativa më e mirë për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut”, ka theskuar kështu me rastin e 20 vjetorit të këtij Dokumenti Kornizë, presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.

“Një argument i fortë në mbështetje të kësaj teze, është se edhe atëherë po dhe sot, edhe kritikët më të ashpër, nuk janë në gjendje të ofrojnë një alternativë tjetër të zbatueshme”, ka theksuar presideniti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e cila u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001, i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni, duke vendosur themelet e një kontrate të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si dy popujt më të mëdhenj që popullojnë këtë në vend, për ndërtimin e mëtutjeshëm të Maqedonisë së Veriut si shtet.

Marrëveshja e Ohrit u arrit pas dhjetë ditë negociatash intensive, mes forcave kryesore politike dhe me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar ku rol vendimtar kanë pasur SHBA-ja dhe BE-ja, të përfaqësuar nga lehtësuesit James Perdew dhe Francois Leotard.

Për Artan Grubin, zëvendëskryeministër për Sisteme Politike, Marrëveshja e Ohrit mbetet dokumenti që i hap rrugë procesit të integrimeve euroatlantike, pasi siç ka nënvizuar ai, ky dokument kornizë gjeneroi dhe Marrëveshjen e Prespës, që i hapi rrugë zgjidhjes së konfliktit me Greqinë, me këtë dhe debllokomit të procesit të integrimeve në NATO, si edhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, që synon të debllokojë dhe procesin e integrimeve në Bashkimin Evropian.

“Po të mos ishte Ohri nuk do të ishte Prespa, po të mos ishin të dyjat nuk do të kishim NATO, por ne nuk duhet të ndalemi këtu, por duhet të gjejmë forcë për ta zbatuar edhe marrëveshjen e tretë (Marrëveshjen me Bullgarinë) me po të njëjtin guxim dhe përkushtim, duke vulosur të ardhmen tonë evropiane”, tha Grubi.

Ali Ahmeti: sfidë mbetet tejkalimi i paragjykimeve

Ndërkaq ish-udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti aktualisht kryetar i partisë shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim, me rastin e shënimit të 20 vjetorit të Dokumentit Kornizë, ka theksuar se tani shqiptarët janë faktor i rëndësishëm i të gjitha zhvillimeve demokratike, megjithëse ka shtuar se tani mbetet sfidë për tejkalimin e paragjykimeve.

“Ne kemi përgjegjësi të mëdha historike edhe si parti politike, që të punojmë me njërëzit që t’i tejkalojmë paragjykimet. Akoma ka paragjykime në këtë vend, akoma ka interesa që motivohen nga ideologji dhe vende që nuk e duan përparimin e vendit tonë“, tha Ahmeti.

Filed Under: Kronike Tagged With: Marreveshja e Ohrit, shqiperia

SHQIPTARËT PËRFITUESIT MË TË MËDHENJ NË RAJON NGA HAPJA E KUFIJVE, TREGJEVE DHE INTEGRIMI

August 6, 2021 by s p

Arben Çejku, Drejtor i Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë, Ish-Ambasador, në një rrëfim për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, dhënë Editorit Sokol Paja, shprehet se Shqipëria duhet të mbështesë Kosovën, ta inkurajojë dhe ndihmojë me çdo formë që të jenë krah për krah në çdo hap diplomatik në rajon. Qeveria aktuale e Kosovës ka ende shumë punë për të bërë për të siguruar mbrojtjen e tregjeve kosovare nga “agresioni” i produkteve serbe. Shqipëria duhet të luajë rolin e saj në rajonin e Ballkanit, si vend anëtar në NATO dhe kandidat për në BE dhe ka përgjegjësinë e mbrojtjes së interesave shqiptare kudo në rajon.

  1. Çfarë fiton realisht Shqipëria dhe çfarë humbet Kosova nga Mini-Shengeni Ballkanik?
  • Nisma rajonale “Ballkani i Hapur”, si vijim i konceptit “mini-Shengeni ballkanik”, synon të zhvendosë marrëdhëniet bilaterale në një rrafsh bashkëpunimi multilateral duke synuar arritjen e disa treguesve konkret në dobi të qytetarëve. Rajonit tonë, edhe më parë nuk i kanë munguar nismat apo formatet e tilla të bashkëpunimit, pavarësisht emërtesave që kanë pasur. Programet e mbështetjes së Bashkimit Europian për Ballkanin si IPA, ERASMUS, CEFTA etj apo së fundi Procesi i Berlinit (2014), në thelb synojnë forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit tonë. Mbi të gjitha, vetë mbështetja e Brukselit për Ballkanin Perëndimor, nxit europianizimin e këtyre marrëdhënieve. Mirëpo, janë një seri faktorësh lokal që kanë penguar realizimin e disa marrëveshjeve të nënshkruara më parë. Unë mendoj se kjo nismë, sido që ta quajmë, qoftë “mini-Shengen”, qoftë “Open Balkan”, apo “SEFTA”, siç e ka propozuar Albin Kurti, nuk është ende një garanci ekskluzive për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara mes shteteve të rajonit tonë. Duhet ende shume pune dhe vullnet politik nga qeveritë tona. Unë besoj se është shumë e dobishme të mbështeten nisma dhe procese, që synojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Nga liria e lëvizjes, nga liria e tregjeve dhe investimeve reciproke, ka përfitim për secilin. Ne jemi vende që kemi provuar se çfarë kostoje kishte izolimi dhe luftrat ndër-etnike. Nga hapja e kufijve, tregjeve dhe nga integrimi shqiptarët janë ndër përfituesit më të mëdhenj në rajon. Pozita e tyre gjeostrategjike dhe resurset ekonomike e shoqërore që ato kanë i bëjnë konkurrent të denjë në tregun e hapsirës ballkanike. Lëvizja e lirë dhe e lehtësuar nga aspekti administrativ, i ka ndihmuar shumë qytetarët shqiptarë të Shqipërisë, të cilët lëvizin pa pashaporta në disa vende të rajonit tonë dhe anasjelltas. Kjo duhet të përfshijë patjetër edhe qytetarët e Kosovës, pavarësisht nëse e njeh apo nuk e njeh Serbia Kosovën. Për mendimin tim, pa përfshirjen e plotë të Kosovës në këtë proces, çdo nismë rajonale do të dështojë. Nga ana tjetër, vetë Kosova, siç e kam theksuar, duhet të jetë më proaktive në çdo përpjekje që synon çlirimin e Ballkanit nga e kaluara dhe të mos paragjykojë marrëveshje, ku vetë ajo mund dhe duhet të jetë pjesëmarrëse.

2. Shqipëria merr pjesë në Mini-Shengenin Ballkanik, në një forum kaq të rëndësishëm, pa Kosovën, si e komentoni?

Në marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 4 shtator 2020, tek aneksi “Normalizimi ekonomik”, në mes të tjerave thuhet se “të dyja palët do t’i bashkohen “zonës së mini- Shengenit” të inicuar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore…”. Me mospjesëmarrjen e saj, Kosova ka treguar injorim të zbatimit të këtij traktati, vlefshmërinë e të cilit e ka rikonfirmuar presidenca Biden. Unë nuk kam dijeni për natyrën e bisedimeve që janë bërë mes palëve për organizimin e takimit të fundit në Shkup, por theksoj se Kosova duhet të tregojë seriozitet në plotësimin e detyrimeve të saj ndërkombëtare. Qëndrimi i paqartë i qeverisë Kurti në raport me zbatimin e këtij traktati (që u shoqërua me njohjen e Kosovës nga Izraeli) nuk tregon seriozitet dhe lidership. Në vijim do të thoja se Kosova është shtet Sovran dhe i pavarur, prandaj vendimet e saj nuk duhet të diktohen as nga paternalizimi i Tiranës e as nga presionet serbe. Kosova ka vendin e saj në çdo nismë rajonale dhe vetëizolimi apo refuzimi për të ecur përkrah fqinjëve nuk sjell kurrfarë dobie. Natyrisht, Shqipërisë i takon të punojë më shumë me Serbinë, që për disa çështje që përfshijnë nismat rajonale të tipit “Open Balkan”, të kondicionojë pjesëmarrjen e saj me përfshirjen e Kosovës. Por nëse Kosova, për shkak të vendimeve të liderëve të saj zgjedh të refuzojë pjesëmarrjen, atëherë askush nuk mund ta detyrojë të jetë pjesë e tryezës ballkanike. Kosova ka institucionet e saj dhe përfaqësuesit e zgjedhur dhe janë ata që përcaktojnë se çfarë është më mirë për Kosovën dhe çfarë jo. Kjo do të thotë se secili politikan përgjigjet para institucioneve të shtetit të tij. Shqipëria duhet të mbështesë Kosovën, ta inkurajojë dhe ndihmojë me çdo formë që të jenë krah për krah në çdo hap diplomatik në rajon. Personalisht mendoj se qeveria aktuale e Kosovës ka ende shumë punë për të bërë për të siguruar mbrojtjen e tregjeve kosovare nga “agresioni” i produkteve serbe, të cilat thithin miliarda euro nga xhepat e qytetarëve, para se të përdorë retorikë politike dhe antagoniste ndaj nismave që kërkojnë hapje të tregjeve dhe kufijve rajonal. 

3. A duhet Shqipëria të ndërtojë marrëdhënie politike dhe ekonomike me Serbinë, duke lënë jashtë dhe aq më keq, duke antagonizuar Kosovën?

  • Shqipëria duhet të luajë rolin e saj në rajonin e Ballkanit, si vend anëtar në NATO dhe kandidat për në BE. Po ashtu, ajo ka edhe përgjegjësinë e mbrojtjes së interesave shqiptare kudo në rajon, duke respektuar shtetet fqinje dhe duke bashkëpunuar ngushtesisht me to. Serbia, pavarësisht se nuk është një shtet fqinj me Shqipërinë, vitet e fundit ka shtuar përpjekjet për intensifikim të marrëdhënieve shumëplanëshe me Tiranën. Vihet re tendenca e saj që në këtë marrëdhënie të injorohet satë jetë e mundur faktori Kosovë. Mirëpo duhet të jetë Shqipëria ajo që marrëdhëniet e saj me Serbinë t’i konsiderojë të rëndësishme, aq saato nuk cënojnë interesat e Kosovës. Po ashtu, këto marrëdhënie, kurrë nuk duhet të kapërcejnë dhe lënë në hije liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Shqipëria duhet të ushqejë marrëdhënie të mira me fqinjët, përfshi edhe Serbinë, por gjithnjë duke patur si prioritet interesat e shqiptarëve kudo që jetojnë. Pavarësisht propagandës politike që bëhet kohëve të fundit, unë nuk besoj se Shqipëria po “antagonizon” Kosovën në ndonjë segment të marrëdhënieve të saj rajonale. Përkundrazi, shpreh besimin tim se Shqipëria është aty ku janë interesat e Kosovës dhe, pavarësisht “antagonizmave” politike mes liderëve të caktuar këtej apo andej kufirit, shteti shqiptar në tërësinë e vet është dhe duhet te jetë me interesat kombëtare. Për më tepër që, në shumicën e marrëdhënieve rajonale, Shqipëria ka mirëkuptimin dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, SHBA-BE, që janë edhe partner të Kosovës. 

4. Replikat Rama – Kurti, dy kryeministra shqiptarë të shkëmbejnë kritika publikisht, në vend që të merren vesh privatisht dhe të ruajnë imazhin e unitetit në publik; a i dëmton shtetet tona në sytë e perëndimit dhe të fqinjëve?

  • Jo vetëm unë, por çdo shqiptar shpreh dëshpërim sa here kur shikon se mes udhëheqësve tanë në Kosovë e Shqipëri ka replika të pahijshme dhe më keq akoma, qëndrime inatçore që nuk reflektojnë aspak marrëdhënien mes nesh. Zoti Rama dhe Kurti kanë patur marrëdhënie shumë të mira vite më parë, por kohët e fundit, mes tyre ka mungesë urash të komunikimit e bashkëpunimit. Duhet që faktorë të tjerë shqiptar, të ndikojnë në afrimin mes tyre dhe jo në thellimin e përçarjes, duke krijuar kësisoj dy kampe; një pro-Kurti e një pro-Rama! Ne jemi e duhet të mbetemi deri në fund promotorrë të interesit tonë kombëtar, dhe jo ushtarë të njërit apo tjetrit politikan. Politikanët shkojnë e vijnë, por kombi ynë dhe sfidat e tij mbeten ndër shekuj! Secili nga ne duhet të shohë përtej hundës së tij, përtej interesit të tij personal e partiak dhe të shtrijë dorën pajtimit e bashkëpunimit. Inatet dhe egot personale të liderëve të caktuar nuk duhen ushqyer me retorika boshe dhe lajka. Kryeministri Rama, gjithësesi, duhet të ekspolorojë më shumë mundësi për të bashkëpunuar me Kurtin, sepse kështu ai bashkëpunon me Kryeministrin e Kosovës. Inatet dhe përshtypjet personale t’i ruaj për Albinin e jo për qeverinë Kurti. Nga ana tjetër, zoti Kurti duhet të kuptojë seriozisht se shteti i Kosovës ka rrënjë të thella dhe në ngritjen e tij kanë dhënë kontribut shumë njerëz e shumë breza dhe nuk do të sjellë asnjë dobi për të dhe të ardhmen e tij politike, tendenca për të anashkaluar apo fshirë realitete që janë gurthemel të Kosovës! Kjo vlen edhe për marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo vlen edhe për marrëdhëniet me Tiranën zyrtare. Personalizimi i marrëdhënieve institucionale, nuk është në dobi të fuqizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Shqipërisë e anasjelltas.
  • 5. Mini-Shengeni a është produkt i autoritarizmit dhe etjes për protagonizëm i Ramës, Vuçiq e Zaev?
  • Unë nuk mendoj se nisma e mini-Shengenit apo “Open Ballkan” është rrjedhojë dhe produkt i autoritarizmit. Autoritarizmin në qeverisjen e vendeve tona e ndjejmë në raportet që kanë këto qeveri me qytetarët e tyre. Protagonizmi i kryeministrave është i pashmangshëm, kurse autoritarizmi duhet luftuar kudo që shfaqet. Sidomos veprimet arbitrare, anti-ligjore dhe keq-qeverisja janë pjesë e autoritarizmit në qeverisje, pavarësisht retorikës që secili person përdor për t’i mbuluar ato. Ne kemi nevojë për qeverisje të mirë, për respektim të ligjit, për drejtësi dhe shance të barabarta, për transparencë dhe gjithëpërfshirje në vendimarrje.
  • 6.Mini-Shengeni Ballkanik a është një përpjekje e Ballkanit për të “shantazhuar” Perëndimin?
  • Pavarësisht retorikës që liderët e Ballkanit përdorin herë pas here, në formën e “presionit” apo “shantazhit” ndaj Brukselit, unë e di që ata e bëjnë këtë për të justifikuar dështimet e tyre në zbatimin e reformave të kërkuara. Asnjë lloj retorike nuk mund ta mbulojë diellin e dështimeve tona, prandaj duhet që të punojmë më shumë në shtëpinë tonë pa akuzuar fqinjin. Ne kemi nevojë për t’u integruar në BE dhe jo BE për t’u ballkanizuar.
  • 7. Shqipëria e ndarë nga Kosova a humbet peshë në politikën rajonale?
  • Pavarësisht disa problemeve që janë aktualisht në marrëdhëniet ndër-shtetërore, Kosova dhe Shqipëria nuk janë të ndara nga mbrojtja dhe promovimi i interesit kombëtar. Shqipëria e Kosova kanë qenë, janë dhe do të jenë së bashku krah për krah në forcimin e faktorit shqiptar në rajon. Në marrëdhëniet mes vëllezërve mund të ndodhë që të ketë keqkuptime, por vëllezërit mbeten gjithmonë vëllezër.

Filed Under: Featured Tagged With: Arben Cejku, Mini Shengeni Ballkanik, shqiperia

Shqipëria lufton me flakët, VATRA ndjek me shqetësim situatën

August 4, 2021 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA ndjek me shqetësim të thellë situatën e rëndë të zjarreve në Shqipëri dhe bën apel të fortë për autoritetet shtetërore, pushtetin vendor, Emergjencat Civile dhe banorëve të zonave të prekura për më shumë bashkëpunim në kalimin e kësaj emergjence të rëndë. Në Shqipëri zjarret janë përhapur pothuajse në të gjithë territorin e vendit të favorizuar nga temperaturat e larta, terreni malor, erërat e forta në disa zona, pamjaftueshmëria e mjeteve dhe kapaciteteve të strukturave të emergjencave civile në përballimin e fatkeqësive, emergjencave apo zjarreve masive. Kapacitetet e shtetit dhe strukturave të qeverisjes vendore për përballimin e situates së frikshme shkaktuar nga zjarret janë modeste ndaj VATRA i bën thirrje autoritetetve shqiptare që të kërkojnë ndihmë nga partnerët strategjikë, miqtë e Shqipërisë dhe çdo organizatë që të ndihmojë në kapërcimin e kësaj fatkeqësie me pasoja të rënda për vendin. Situata e krijuar le ti shërbejë institucioneve që të rrisin masat dhe kapacitetet që emergjenca kombëtare si kjo e zjarreve të mos përsëriten më në të ardhmen. Prej ditësh nga veriu në jug të Shqipërisë pyje, kullota dhe prona private në disa fshatra në 13 rrethe të Shqipërisë si Shkodër, Lezhë, Pukë, Elbasan, Fier, Skrapar, Durrës, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë, janë përfshirë nga flakët që kanë përpirë gjithçka pa mëshirë. VATRA shpreh ngushëllime për jetën e humbur të Andrea Haxhiaj në fshatin “Asim Zeneli” në zonën e Lunxherisë në Gjirokastër dhe lutet për të dëmtuarit nga zjarret. VATRA i bën thirrje faktorit politik në Shqipëri, institucioneve, banorëve të prekur dhe të gjithë faktorëve që të bashkëpunojnë më shumë në kapërcimin e kësaj situatë të krijuar.

Filed Under: Featured Tagged With: shqiperia, zjarret

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Frank Shkreli merr titullin ‘Qytetar Nderi’ i Malësisë së Madhe
  • Zgjedhjet piramidë dhe Shkodra
  • KUSH ËSHTË ABDULLAH RAMI?
  • Koncerti Panshqiptar Shpalos Bukurinë e Muzikës së të Gjitha Trevave
  • “Përtej harrimit” dhe përkthimi i “Shekspirit” të Hygoit, një përpjekje në rimëkëmbjen historike të kujtesës sonë të përbashkët
  • Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm
  • “50 VJETORI I REVOLTËS SË SPAÇIT”, HOMAZH DHE NDERIM TE VATRA
  • JU MIRËPRESIM NESËR TE VATRA
  • Shoqatat Shqiptare organizojnë “Piknikun shqiptar” në Staten Island, New York më 28 Maj
  • PAQEJA DHE MBROJTJA, NDESHJA DYFISHE N’EVROPË
  • ME VISARIN…
  • Presidentja Osmani priti në takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së
  • Misioni fisnik i AFC ndërthuret me simbolikën historike të New England Conservatory, Boston në 27 maj
  • Kryeministri Kurti mirëpriti Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi
  • SI DEGRADOI POZITA E SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI GJATË KOHËS SË PUSHTETIT TË MILLO GJUKANOVIQ-it ?

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT