Ndonëse janë populli i dytë më i varfër në Europë, shqiptarët janë ata që sakrifikojnë më shumë financiarisht për t’u arsimuar. Përfundimi del nga krahasimi i të dhënave zyrtare mbi shpenzimet mujore të familjeve, që publikojnë institutet respektive të statistikave, Eurostat i Bashkimit Europian dhe Instituti Shqiptar i Statistikave. Sipas Eurostat, në vitin 2014 familjet e Bashkimit Europian shpenzuan mesatarisht 1.1 për qind të buxhetit mujor për shkollim. I marrë sipas vendeve, niveli më i ulët i këtij treguesi është në Lituani, ku familjet shpenzojnë mesatarisht 0.5 për qind të buxhetit për shkollim, ndërsa ekstremi më i lartë shënohet në Greqi me 2.1 për qind. Kjo i bën grekët popullin që shpenzon më shumë për t’u arsimuar brenda Bashkimit Europian si përqindje ndaj buxhetit të disponueshëm. Por nëse krahasohen me Shqipërinë, kampionët e BE-së mbeten dy herë pas. Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2014, familjet shqiptare dedikuan për shkollim 4.2 për qind të shpenzimeve konsumatore për arsimin. Kjo është 2 herë më shumë se sa Greqia dhe gati 4 herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian. Të dhënat zyrtare tregojnë se pesha e shpenzimeve për arsim në buxhetet e familjeve shqiptare është rritur me ritme të shpejta nga viti në vit. Sipas Instat, në 2007 familjet shpenzonin 1.7 për qind të buxhetit për arsimin. Në 2009-ën shifra u rrit në 2 për qind, ndërsa vitin e kaluar arriti rekordin 4.2%. Rritja e fortë e peshës së shpenzimeve për arsim gjatë viteve të fundit mund të jetë e lidhur me disa fenomenë. Së pari zgjerimin e universiteteve private dhe së dyti me faktin që shqiptarët tani kryejnë më shumë vite shkollimi. Sipas Instat, gati gjysma e fondeve që familjet shpenzojnë për arsimin shkojnë për programet master. Por cilado qoftë arsyeja, shifrat tregojnë se në Shqipëri të shkollohesh është një sakrificë jo e vogël, të paktën nga ana financiare. Dhe pas miratimit të ligjit të ri për arsimin, gjasat janë që në vitet e ardhshme shkollimi të bëhët edhe më i shtrenjtë, duke marrë gjithmonë e më shumë nga buxheti i familjeve.{SH.K}