Nga Sarajeva Beqir SINA/
SARAJEVE BH Dy ditë para shtegtimit apostolik të Papa Françeskun në Sarajevë, pra, sot, më 4 qershor, në lagjen Marin Dvor, u bë përurimi një shtatore e së Lumes shqiptare Nënë Terezës, Bojanxhe Bojaxhiut. Shtatorja e Nëna Terezes, tani pas Nju Jorkut, Michiganit, Prishtinës, Strugës, Tiranës, do të ketë vendin e saj edhe në zemër të qytetit të Sarajevës.
Përurimi i saj u mbajt sot në Sarajevë, në sheshin Marin Dvor, para Kishës së shën Jozefit, me një ceremoni solemne, të përzemërt e të thjeshtë, duke e përuruar kështu shtatoren e bukur e së Lumes shqiptare Nënë Terezë.
Mes duartrokitjeve të dhjetra pjesëmarrësve, u bë edhe zbulimi i shtatores së Nëna Terezes nga kardinali Vinko Puliç, Dom Luka Brkovic, ish ambasadori i Shqipërisë në Bosnje, dr. Flamur Gashi, këshilltar për Ballkanin i Presidentit të Shqipërisë z. Bujar Nishani dhe veprimtari i dalluar, Marash Kol Nucullaj, anëtar i Bordit të LQSHA
Në ceremonin e organizuar në Kishën shën Jozefi në qendër të Sarajevës, mori pjesë edhe, kryebashkiaku i Sarajevës, zoti Komshiç, kryetari i shoqatës kulturore ‘HKD Napredak’ imzot Franjo Topiç,ambasdori Valentin Incko përfaqësues i lartë i Bashkimit Europian për BH,pjestarët e trupit diplomatik në Sarajevë, grupe shqiptarësh të cilët kishin ardhur nga Tuzi – Mali i Zi, dhe Shqipëria, profesor Fran Camaj, profesor Martin Berishaj nga Lubjana dhe shqiptarët që jetojnë e punojnë në Sarajevë, e shumë personalitete tjera.
Kjo shtatore madhështore e së Lumes Nënë Terezë është një dhuratë e vëllezërve shqiptarë të Gonxhe Bojaxhiut bërë kryeqytetit të Bosnjës-Hercegovinës, “si mesazh më i bukur që shqiptarët mund t’i bëjnë Sarajevës”, tha ne ceremonin e perurimit ish ambasadori i Shqipërisë në BiH zoti Gashi. “Nënë Tereza sjell mesazhin e mirësisë dhe të lirisë për të gjithë popujt, dhe tani ajo do të na lidhë edhe më shumë ne shqiptarëve me Sarajevën, shtoi Gashi.
Dom Luka Brkovic, i cili ka dhene nje kontribut te madh ne vedosjen e shatores se Nnena Terezes para oborrit te Kishes Shen Jozesit ne qender te Sarajeves, tha se Nena Tereze eshte e gjithe botes
Ne kete ceremoni te mbajtur ne kishe u dha edhe nje meshe per Nene Terezen
Sipas kardinalit Vinko Puljiç, shtatorja e Nënë Terezës, është mishërimi më domethënës i dorës së shtrirë vëllazërore në shenjë dashurie e shërbimi ndaj njeriut nevojtarë. Ajo na mëson e tregon fuqinë e dashurisë e të respektit ndaj tjetrit, si vlera përherë aktuale për shoqërinë tonë”.
Përurimi i përmendores së Nënë Terezë u realizua dy ditë para ardhjes së Papa Françeskut në Sarajevë.
Dhe, burime nga kisha na thanë se ndërsa Papa Francesku ka për të përshkruar bulevardin qendror të Sarajevës, dhe do të kalojë edhe para Kishës së Shën Jozefit, ka për tu lutur duke qëndruar para shtatores së Nëna Terses,per pak caste duke i dhën të Lumes Nëna Tereze bekimin e Tij.
Sipas ipeshkvi imzot Topiç “Ka shumë ngjashmëri ndërmjet këtyre dy personaliteteve. Edhe Papa Françesku ka një përzemërsi e kujdes të veçantë ndaj të varfërve, siç e kishte Nënë Tereza”. Papa Bergoglio e shpalli Nënë Terezën si shembull për mbarë Kishën, për mbarë botën, për t’u imituar. Nga ky vend, sheshi Marin Dvor i Sarajevës, , pohon prifti don Ivo Komsiç “e Lumja Nënë Terezë do të na përkujton të gjithëve të jemi e të bëhemi të mirë, për aq sa të mundemi”.
Ndërsa Imzot Topiç shtoi se Nënë Tereza është ndër personalitetet e pakta pozitive e cila nuk ka pasur kurrë askënd kundër saj. “Ajo bashkoi e afroi mes tyre shumë vise e popuj. Mori çmimin Nobel për paqe, e kur ndërroi jetë në Indi pati një ceremoni shtetërore. Tërë jetën ia kushtoi atyre njerëzve që kishin më së shumti nevojë për dashuri e ndihmë humanitare. Është një fenomen i veçantë, sepse tërë jetën ishte me të sëmurë, e asnjë herë nuk është infektuar nga ndonjë sëmundje”, tha Franjo Topiç.
Ideja, nisma dhe koordinimi i realizimit të kësaj vepre është e ambasadorit Flamur Gashi, i cili deri në shtatorin e kaluar, ka qenë edhe ambasador i Shqipërisë në Bosnje-Hercogivinë, kurse tani mban postin e këshilltarit të Presidentit të Shqipërisë për rajonin e Ballkanit.
Realizimi artistik i shtatores së Nënë Terezës, është vepër e skulptorit shqiptar Pjerin Kolnika nga Tirana dhe grupit të studios, ku ai ka derdhur më parë në bronx shtatoren e Presidentit të SHBA George Ë. Bush në Fushë Krujë, dhe atë të Skënderbeut në Shkup.
Shtatorja e vendosur para Kishës së Shën Jozefit në Sarajevë paraqet Nënë Terezën me një fëmijë, me rruzare në duar, një paraqitje prekëse kjo me përçimin e mesazhit universal të dashurisë e paqes vëllazërore mes popujve, kombeve e feve, në këtë qytet që ka kaluar konfliket më të mëdha , fetare dhe nacionale.
Sponsorizimi i kësaj vepre e cila ka kushtuar 28 mijë Euro, është bërë nga shqiptari i Amerikës, veprimtari i dalluar, nga Michigani Marash Kol Nucullaj, anëtar i Bordit të LQSHA, sponsorizues edhe shumë veprimtarive kombëtare në SHBA.
Ai tha se e kam bere kete dhurat per Sarajeven dhe popullin e saj, qe te nderoje te gjithe shqiptaret. Ngaqe, tani me simbolin e paqes dhe dashurise, fituesen e cmimit Nobel per Paqe Nenan Terezen, ne kete qytet qe ka perjetuar luftera te medha, shatorja e Saj eshte duke pasur më tepër mbi domethënien e vlerat që shpalos shtatorja e së Lumes Nënë Terezë në Sarajevë, e cila “në një farë mënyra, në emër të shqiptarëve, Nënë Tereza e pret Papa Françeskun…ne krenohemi me Nënë Terezën e gëzohem që kjo vepër është e vëllezërve të saj shqiptar” thotw sponsorizuesi Marash Kol Nucullaj nga Koja e Tuzit ne Mal te Zi.
RIKTHIMI I DR. IBRAHIM RUGOVËS NË PRISHTINË
Me ceremoni shtetërore, nderime të larta nga Garda e Shtetit, në praninë e mijëra qytetarëve dhe përfaqësuesve të shtetit, u bë zbulimi i shtatores e cila u cilësua si kthim historik i presidentit të parë të Republikës së Kosovës.
Shtatorja e ish-Presidentit Ibrahim Rugova u inaugurua pikërisht në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë.
Zbulimi u bë nga presidentja Atifete Jahjaga, bashkëshortja e ish-presidentit, Fana, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa. Për veprën e ish-presidentit të ndjerë foli presidentja kosovare dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa.
Presidentja tha se kjo shtatore e presidentit Rugova është bazament i lirisë. Sipas saj, prania e kësaj vepre arti nderon të gjithë duke dëshmuar rrugën dhe sakrificën përgjatë shekujve: “Kjo shtatore na kujton e dëshmon për rrugën dhe sakrificën për liri, pavarësi e demokraci. Rugova ishte i pari që solli frymën e demokracisë perëndimore.”
Ndërkohë, z.Mustafa tha se Kosova nderon presidentin Ibrahim Rugova, i cili ishte mjeshtër i artit poetik dhe dijetar i cili i doli në ballë të popullit në kohën më të vështirë dhe bënte thirrje për zgjidhje për paqe.
Shtatorja e liderit historik të Kosovës është punuar prej bronzi dhe ka lartësi prej 4.20 m. Ajo është punuar nga skulptori shqiptar Julian Muçollari dhe ndihmësit e tij, në një kohë rekord prej vetëm 15 ditësh. Kjo ceremoni është organizuar nga komuna e Prishtinës me mbështetjen e Presidencës dhe FSK-së.
Prishtina së shpejti me Shtatoren e Presidentit Rugova
Kjo është fotografia e shtatores së ish- Presidentit Ibrahim Rugova, e cila shumë shpejtë do të vendoset në kryeqytet.”Vendoset në sheshin që mban emrin e tij. Artistë të mëdhenj po punojnë në finalizimin e saj. Përmasat dhe realizimi i shtatores janë impresionuese. Jam i sigurte se të gjithë, në veçanti ata që e kanë njohur nga afër Presidentin Rugova, do të mahniten me madhështinë e kësaj shtatoreje.
Me kalimin e kohës, përmasat e personalitetit të Presidentit Rugova vijnë duke u rritur.”
Kjo foto dhe ky mbishkrim është publikuar në rrjetin social Facebook, të nënkryetarit të Prishtinës, Avdullah Hoti.(Bota Sot)
SHTATORJA E ISA BOLETINIT PERUROHET NE MITROVICE
Në ceremoni Lulzim Basha, Ali Ahmeti dhe Hashim Thaçi/
Shtatorja e patriotit dhe atdhetarit të shquar Isa Boletini është inaguruar në Mitrovicë, në një ceremoni ku kanë marrë pjesë personalitete të politikës shqiptare. Ceremonia është hapur nga kryetari i komunës së Mitrovicës Avni Kastrati i cili ka shprehur rëndësinë e një evenimenti të tillë në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në Mitrovicë është përuruar sot monumenti i patriotit të madh, Isa Boletini.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha nderoi sot figurën e Isa Boletinit dhe ka çmuar lart veprën së tij në Pavarësinë e Shqipërisë. Gjatë ceremonisë së vendosjes së shtatores së Isa Boletinit, Basha theksoi se burra si ai vijnë rrallë e vepra e tyre mbetet përjetë.
“Ai ishte një vazhdim mali dhe çdo fëmijë e di se malet nuk çrrënjosen. Fshati Boletin prej kohësh ka qenë i famshëm, kulla e Isës do të faktonte edhe dije, zgjim dhe vetëdije kombëtare. Kjo kullë e madhe ishte si një vazhdim mali, edhe Isa Boletini si një diamant i historisë shqiptare shkëlqen si ngahera, burra si ai lindin rrallë dhe ata janë mes nesh ngahera. Jam krenar që kam gjak si gjaku i tij dhe jam shqiptarë e bashkëkombës i tij. Ne sot e mot jemi me Isa Boletinin e Isa Boletini është me ne”- tha Basha, duke e cilësuar atë një nga ata burra që janë hipoteka dhe gjeneza historike e pavarësisë.
Në vijim të fjalës së tij, Basha vuri në dukje se ndjehet krenar për figurën e Isa Boletinit.
“Jam krenar që kam gjak si gjaku i tij dhe jam shqiptarë e bashkëkombës i tij. Ne sot e mot jemi me Isa Boletinin e Isa Boletini është me ne”- ka thënë Basha.
Më tej fjalën e mori dhe kreu i BDI, Ali Ahmeti dhe kryeministri Hashim Thaci që ngritën lart figurën e patriotit shqiptar.
Ndërkohë që kreu i qeverisë fliste, mes turmës kaluan kalorësit e pavarësisë. Të rinj të veshur me rroba tradicionale popullore të krahinës mbi kuaj sollën në vëmendje të të pranishmëve misionin e patriotëve dhe luftëtarëve shqiptarë të vitit 1912 që luftuan dhe kontribuan për të sjellë pavarësinë e shtetit shqiptar.
Basha: Burrat si Boletini, gjeneza e pavarësisë
I pranishëm ka qenë dhe kryetari i bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha i cili në fjalën e tij ka përmendur faktin se Boletini luftëtar i lirisë që në moshën 17 vjeçare, së bashku me trimat e tij janë garda e parë shqiptare.
Në fjalën e tij kryebashkiaku i Tiranës vlerësoi rolin e Isa Buletinit në mbrojtjen e pavarësisë shqiptare të asaj kohe.
“Burrat si Boletini lindin rrallë janë gjeneza e pavarësisë”- u shpreh Basha.
Ahmeti: Boletini nuk reshti për aspiratën kombëtare
I pranishëm në këtë ceremoni kreu i BDI-së Ali Ahmeti vlerësoi figurën e Isa Boletinit, që u bë frymëzim për të gjithë luftëtarët dhe që nuk reshti asnjëherë së luftuari për aspiratën kombëtare.
Ai theksoi gjithashtu se nuk ka vend për të folur për ndarjen e Kosovës, pasi kjo është një çështje e mbyllur.
Thaçi: Sot Isa Boletini kthehet në Mitrovicën e tij
Pasi ka përshëndetur të pranishmit kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se 100 vjetori i pavarësisë e gjen Shqipërinë anëtare të NATO-s, dhe Kosovën të pavarur, dhe se sovraniteti i saj nuk do të cënohet.
“Në këtë 100 vjetor, Shqipëria anëtare e NATO-s. Kosova ka hyrë në 5 vjetorin e pavarësisë së saj. Janë këto arritje historike për të cilat u flijuan brezat”- theksoi Thaci.
Gjithashtu i pranishëm ka qenë dhe stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini, i cili në emër të familjes së tij dhe pasardhësve të atdhetarit të shquar ka falenderuar të pranishmit dhe ata që bënë të mundur vendosjen e shtatores në Mitrovicë.
Aktiviteti është përmbyllur me një performancë të ansamblit të valleve Shota.(kronika u ndertua sipas shtypit)
HASAN PRISHTINA, VIZIONAR I MADH-SHTATORJA NE TIRANE
Kryeministri Berisha ishte te premten e 23 nentorit, i pranishëm në ceremoninë e vendosjes së shtatores së patriotit të shquar Hasan Prishtina. Shtatorja, e realizuar nga skulptori Artan Peqini, u vendos në një nga sheshet kryesore në qendër të Tiranës.E pranishme në këtë ceremoni të organizuar nga ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ishte edhe Presidentja e Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga, Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, si dhe të ftuar të tjerë.
Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij përshëndetëse, vlerësoi lart figurën dhe kontributin e Hasan Prishtinës për pavarësinë e Shqipërisë. “Duke shprehur krenarinë tonë të madhe për këtë burrë të shquar të kombit, këtë arkitekt të pavarësisë së Shqipërisë, këtë arkitekt të bashkimit të shqiptarëve të të gjitha trojeve etnike, le të punojmë ne së bashku për të shndërruar në realitet ëndrrën e tij në një Evropë të Bashkuar”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Sot për kryeqytetin e Shqipërisë është një ditë e shënuar, pasi vendoset këtu apo kthehet në kryeqendrën e Shqipërisë arkitekti i Shqipërisë etnike, arkitekti i pavarësisë së Shqipërisë, burri i madh që shkriu energjitë e tij për bashkimin e trojeve shqiptare, për pavarësinë e Shqipërisë, për dinjitetin e shqiptarëve. Hasan Prishtina me veprën e tij, me të gjithë përkushtimin e tij, u shndërrua në flakëmbajtësin e idealit të bashkimit kombëtar të Lidhjes së Prizrenit. Ky burrë trim, guximtar e i mençur i kombit udhëhoqi lëvizjet më të mëdha çlirimtare që shqiptarët kanë pasur në kohërat moderne. Përfaqësuesi i shqiptarëve në Parlamentin e Perandorisë Osmane do të zotohej solemnisht se “unë do të organizoj kryengritje të armatosura për çlirimin e shqiptarëve, do të bëj gjithçka për Shqipërinë etnike”. Pas takimit të njohur tashmë në histori me Ismail Qemalin dhe një grup burrash të mëdhenj të kombit shqiptar, në Taksim, ai mori përsipër organizimin e kryengritjeve çlirimtare të shqiptarëve për të themeluar Shqipërinë etnike. Hasan Prishtina u kthye në Kosovë, në Drenicë, në Prekaz, Krujën e dytë të shqiptarëve dhe nisi organizimin e asaj lëvizje të madhe çlirimtare që do të përmbyste qeverinë xhonturke, qeverinë që erdhi me parulla të Revolucionit Francez, të cilat Hasan Prishtina i kishte bërë të vetat, por që dëshmoi armiqësinë më të madhe të shqiptarëve. Ky vizionar i madh parashikoi se aleanca Ballkanike nuk ishte gjë tjetër, përveçse aleancë e shenjtë kundër shqiptarëve, aleancë për copëtimin e trojeve të tyre, aleancë për asgjësimin e shqiptarëve. Ai kuptoi se shqiptarët i pret një pushtim i dytë i tipit të Dushanit, pushtim që synonte ekstreminimin përfundimtar të tyre. I vetëm, me një mbështetje të gjerë popullore, u ngrit kundër kësaj aleance, u ngrit kundër Portës së Lartë dhe bëri që zëri i shqiptarëve të ushtojë fuqishëm në të gjitha kancelaritë e botës.
Kryengritja e vitit 1912 e udhëhequr nga ky vigan jehoi në mbarë botën e qytetëruar. Hasan Prishtina nuk mundi të ishte në Vlorë ditën e shpalljes së flamurit, sepse aleanca antishqiptare e barbarëve që sulmuan trojet shqiptare e arrestuan atë dhe e mbajtën peng për muaj të tërë në Beograd. Përsëri i lirë do t’i përkushtohej më shumë se kushdo tjetër, do të vendoste gjithçka dhe mbi çdo gjë Shqipërinë etnike, bashkimin e trojeve shqiptare. Më pas në qeverinë e Ismail Qemalit, në qeverinë e Princ Vidit, në Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare, përsëri ai u bë protagonisti kryesor i shqiptarëve, të trojeve të tjera të pushtuara nga armiqtë dhe fqinjët tanë.
Sot, Hasan Prishtina vjen këtu në gjirin e qytetarëve të kryeqytetit, në gjirin e qytetarëve shqiptarë. Ai qëndron madhërishëm në Prishtinë, qëndron në Shkup, ish kryeqyteti i lëvizjeve shqiptare nga i cili Hasan Prishtina do të trondiste në themele Portën e Lartë, do të shpaloste projektin e bashkimit të trojeve shqiptare. Ai vjen sot më krenar se kurrë, sepse shqiptarët janë të lirë në të gjitha trojet e tyre etnike, sepse shqiptarët janë sot me vetëdijen më të madhe se kurrë për të punuar me përkushtim për të shndërruar në realitet idealin e pavdekshëm të Lidhjes së Prizrenit, idealin e pavdekshëm të Hasan Prishtinës, idealin e bashkimit të shqiptarëve.
Duke shprehur krenarinë tonë të madhe për këtë burrë të shquar të kombit, këtë arkitekt të pavarësisë së Shqipërisë, këtë arkitekt të bashkimit të shqiptarëve të të gjitha trojeve etnike, le të punojmë ne së bashku për të shndërruar në realitet ëndrrën e tij në një Evropë të Bashkuar.
Nder kujtimit dhe veprës së Hasan Prishtinës!”