Nga Enver Lepenica/ Imer Sheme Jazua, ushtari i fundit i Ballit Kombëtar i mbetur gjallë u shua më 17 maj, në moshën 97 vjeçare, pasi kishte kaluar një jete të gjatë, plot halle e dallgë të mëdha. Ai kishte lindur në Lepenicë të Vlorës, në vitin 1917, atje shkoi jëtën e tij, atje në duar të fëmijëve të tij të shumtë e dorzoi edhe shpirtin e tij të bukur.
* * *
Ishte pinjoll i një familje atdhetare që kishte hyrë në histori që në atë vitin e largët 1908, kur gjyshi tij Jazua ra dëshmor në Qafë të Sinjës të Beratit në kryengritjet antiturkë, kur luftohej për Pavërsinë Kombëtare.
Dymbëdhjet vjet më vonë në vitin 1920, i ati Imerit, Sheme Jazua, apo Sheme Trimi siç i flisnin shokët e tij të armëve u zgjodh komandant i çetës së Lepenicës, për të luftuar kundër Italisë që kishte pushtuar vendin.Ai luftoi me trimëri në Luftën heroike të Vlorës, dhe ra dëshmor në Qafë të Llogorasë.
Jehona e luftës dhe trimërisë së Sheme Jazos nuk u shua as në ditët tona. Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, Këshilli i Qarkut të Vlorës i dha ati titullin e lartë ”Nder i Qarkut të Vlorës”
* * *
Imer Shemja eci në udhën heroike të gjyshit dhe të të atit dhe e çoi më lart emrin e mirë të familjes tashmë të njohur e nderuar në të gjithë Lumin e Vlorës. Djalë i ri së bashku me vëllan Esatin, u përfshi që në fillim në Lëvizjen Antifashiste 1939-1944, në radhët e Ballit Kombëtar, përkrah komandantit famëmadh Hysni Lepenica.
Ne krah të Hysni Lepenicës e shpinte ideali luftës për liri si amanet i të parëve, por edhe lidhja e gjakut që kishte me të dhe fakti se kur i ati Imerit ra dëshmor në vitin 1920, të dy jetimet i mori në shtëpi familja e Hysni Lepenicës, i mbajti dhe i edukoi. Ishte një shmbull atdhetarie dhe dashurie njerzore që u shfaq në të gjithë krahinën e Mesaplikut, ndaj bonjakëve të dëshmorëve të vitit heroik 1920.
Tashmë në Lëvizjen Antifashiste 1939-1944, ishte radha e Imer Shemes që të dëftente vlerat e tij atdhetare dhe njerzore. Kështu ai u bë roja sy pa fjetur, ose siç thotë populli trimi i Hysni Lepenicës, krahas Sefer Imerit dhe çamit Elmas Emin, Filati. Imeri ishte si i ati, burrë i gjatë mbi dy metra. Me automatikun krah qafë, me koburen, thikën dhe bombat në brez dhe me dy radhë fishekë të kryqëzuar në gjoksin e tij, dukej si një gjigand i pa mposhtur, gjithmonë përpara komandantit, pa ju trembur syri asnjëherë para çdo situate.
Në të gjitha fitoret, në luftë, në krah të Hysni Lepenicës ai kishte meritat e veta.
Iku nga kjo botë me brengën e madhe se nuk ju ndodh pranë komandantit në ditën e zezë të 14 shtatorit 1943, kur ai ra heroikisht në fushën e betejës kunder hordhisë fashiste. Tundte kokën por nuk e nxirrte nga goja fjalinë: ”Ndofta do ta kishja shpëtuar!”
Pas çlirimit të vendit, në kohë paqie Partia Komuniste kërkonte të lante hesapet me kundështarët e saj politik. Hakmarrja kishte filluar që në nëntor të vitit 1943, kur bandat e Hysni Kapos kishin sekuestruar mallin dhe kishin djegur 12 shtëpi nga 40 që kishte i gjith fshati Lepenicës.
Edhe në kohë paqie, u arrestuan e dënuan shumë vetë, u pushkatuan, vdiqën burgjeve, apo vuajtën terrorin dhe dhunën komuniste. Imer Shemja i zgjedhur nga fshati kryetar kooperative, u arrestua në vitin 1960, me një kurth të ngritur nga bandat kriminale të Sigurimit të Shtetit, që më pas pjestarët e kësaj bande u dënuan me pushkatim dhe me burgime të rënda, por Imerin nuk e shpallën të pa fajshëm!
* * *
Imer Shemja ishte burrë krahine, i stolisur me vyrtytet më të mira të racës sonë, me dashurinë për atdheun, me trimërinë, me besnikërinë, me fisnikërinë dhe bujarinë. Ishte orator dhe të bënte për vete me fjalën e tij të rrjedhshme dhe të ngrohtë, i gjendej mikut dhe shokut në çdo rrethanë. Asnjë problem dhe hall i fshatit dhe fshatarëve të tij nuk ishte e huaj për të. Në detyrat e larta që pati në kshillin e fshatit dhe si kryetar kooperative deri në vitin 1960 kur u arrestua dhe dënua, ai la kujtime të pa shlyera dhe shembuj se si drejtohej e udhëhiqej një fshat.
Edhe pas daljes nga burgu ai mbeti një kryeplak i mirë i fshatit dhe krahinës në tërësi, i pa emruar zyrtarisht por i besur dhe nderuar nga njerzit e thjeshtë që kishin besim tek ai, dhe te kshillat e tij të vlefshme.
Ai u la fëmijëve të tij të shumë, gjithë fshatit dhe krahinës së Mesaplikut emrin dhe veprën e tij të mirë, si shembull për t`u ndjekur nga rinia.