• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË EVROPË – SI ALEATË TË AMERIKËS

December 22, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Le ta themi haptas – vendimi për të mos ia dhënë Republikës së Shqipërisë statusin e vendit anëtar për në Bashkimin Evropian, edhepse i pritshëm në një farë mase, nuk ka zgjuar aspak ndjenja të bukura tek Shqiptarët.
Shije disi të baltimtë do të linte sidomos fakti që, për të kundërshtuar kandidimin e Republikës së Shqipërisë për në Bashkimin Evropian, në krye të kësaj nisme mori trajtë një institucion lobues i përbërë nga tri vendet më të fuqishme të këtij organizmi, përfshirë vendin e Tony Blairit, si dhe të dy vendeve të tjera (pra, gjithësejt, deri tash, pesë vende).
Ndoshta, më shumë se vendimi negativ, na befasoi vrazhdësia e sjelljes së vendimmarrësve dhe e termave të përdorura që e shoqëruan atë.
Ne, tashmë Republika e Shqipërisë dhe, herët a vonë, edhe Republika e Kosovës, e shikojmë veten drejtpërdrejt në një garë jetike me vendet fqinje ballkanase – kush do të shpërblehet duke u integruar më herët e më mirë në Evropë, për rrjedhojë, kush do të ndëshkohet me shtyrje pas shtyrjesh, kush do t’i meritojë apo nuk do t’i meritojë shpërblimet, kush do t’i meritojë apo nuk do t’i meritojë ndëshkimet.
Vendet fqinje ballkanase, në gjithë historinë moderne, deri edhe në koniunkturat më të liga e më të mbrapshta, kanë pasur raporte të privilegjuara me Evropën, qoftë me atë të dikurshmen, qoftë me atë të mëvonshmen, e cila identifikohet me vizionin e Bashkimit Evropian. Për këtë, ka ndikuar fuqimisht fakti se këto vende janë aleate të Rusisë. Dhe po integrohen në Evropë si aleate të Rusisë.
Shihet qartë, pra, se tradita ka ndikim të madh aktual dhe se kjo logjikë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Prandaj, ne shqiptarët, mund ta shohim veten të integruar me sukses në Evropë vetëm si aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky vend na shpëtoi në fund të Luftës së Parë Botërore nga kthetrat e Evropës, ky vend na shpëtoi menjëherë pas mbarimit të Luftës së Ftohtë kur makineria e luftës e Millosheviçit synonte të na shndërronte në një komb pa atdhe, pra në një komb-diasporë, ky vend na anëtarësoi në NATO, ky vend dëshmon interes të sinqertë që ne të integrohemi sa më suksesshëm në Evropë, në hapësirën veriatlantike dhe atë globale.
Ndonëse, deri në sekondën e fundit, ne shpresuam në një vendim pozitiv të Bashkimit Evropian, meqë jemi më mirë ose shumë më mirë se fqinjët tanë, ne jemi të bindur se Republika e Shqipërisë nuk e meriton integrimin në këtë organizëm. Po ta kishim ne në dorë, sigurisht, një vendi ku bën kërdinë prej njëzet e sa vjetësh ligji 7501, një klon i reformës agrare të Enver Hoxhës, nuk do t’ia hapnim dyert e integrimit evropian. Nuk do t’ia hapnim dyert pa e vënë në rrugën e zgjidhjes së plotë dhe të drejtë çështjen e pronës. Nuk do t’ia hapnim dyert pa bërë drejtësinë e plotë ndaj klasës së ish të burgosurve dhe ish të përndjekurve politikë, si dhe pa dënimin moral të ish burgosësve e ish përndjekësve të tyre. Nuk do t’ia hapnim dyert pa hapur dosjet e zyrtarëve të lartë të periudhës së tranzicionit, të cilët kanë qenë eksponentë të Sigurimit të Shtetit apo të shërbimeve të tjera lindore antishqiptare. Nuk do t’ia hapnim dyert pa parë se konkretisht po merr fund periudha e pandëshkueshmërisë së politikës së përfshirë në korrupsion dhe në krim të organizuar. E kështu me radhë.
Pikërisht nga Shtetet e Bashkuara, nga njëri prej institucioneve më eksperte të Uashington D. C. vinte këto ditë mesazhi i qartë: për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në vendet e Ballkanit, pra edhe në Shqipëri, është e domosdoshme që të konfiskohen pronat dhe pasuritë e politikanëve. Të gjithë e dinë se në Shqipëri, si në vendet fqinje ballkanike të saj, politikanët janë pasuruar në mënyrë të paligjshme. Kjo ka bërë që në këto vende të ndërtohen një rend i padrejtë, deri në flagrancën më të skajshme.
Për të krijuar një rend të drejtë, është e domosdoshme të ndërtojmë me sukses shtetin e së drejtës, të ndërtojmë demokracinë funksionale, të ndërtojmë pluralizmin e frytshëm bashkëpunues. Kjo kërkon që ne të jemi të hapur ndaj ndihmës së drejtpërdrejtë të aleatëve tanë, në radhë të parë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të të gjithë atyre që janë të prirur e të dëshmuar për të na dhënë ndihmë të sinqertë. Dhe një nga këto ndihma të sinqerta do të ishte që opinionit shqiptar, kur i flitet për korrupsionin dhe krimin e organizuar, t’i flitet gjithnjë e më pak me terma të përgjithësuar, abstraktë, t’i flitet gjithnjë e më shumë me terma konkretë të prekshëm. Në këtë mënyrë faktorët përbërës të realitetit tonë do të krijojnë bindjet dhe vendomsëritë më të plota për të zëvendësuar pjesërisht apo rrënjësisht politikën në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës.
Në retorikën që e shoqëroi vendimmarrjen e këtyre ditëve në Bruksel, u vunë re edhe paragjykime të mbrapshta kundër veçorive tona evropiane, në vend që të theksoheshin e të përgjithësoheshin ato për t’u bërë vlerë e Evropës, siç është toleranca shembullore ndërfetare. Dhe u shpërblyen pikërisht ata që kanë investuar me shekuj për t’i rrënjosur në Evropë e në botë paragjykimet e tilla ndaj nesh, aleatët e Rusisë, në vend që të shpërbylerit të ishim ne për sjelljen tonë shembullore ndaj fqinjëve tanë, ndonëse ata nuk kursyen ndaj nesh armiqësitë dhe mizoritë më shembullore.

Për t’i çrrënjosur këto paragjykime ndaj nesh në trurin e Evropës, natyrisht, ndihma më e sigurtë dhe më e frytshme do të jetë pikërisht Amerika. Garancia më e plotë dhe më e qartë për faktorizimin tonë sa më të suksesshëm evropian, perëndimor dhe global do të jetë pikërisht vizioni amerikan, pa të cilin nuk mund të realizohet kurrë as vetë vizioni aq i mrekullueshëm i Bashkimit Evropian. Për këtë kërkohet që të rritet pesha e Republikës së Shqipërisë në NATO si dhe në të gjitha organizmat e instancat e tjera ndërkombëtare. Për këtë kërkohet konsolidimi sa më i shpejtë i Republikës së Kosovës dhe hyrja e saj sa më bindëse në rrugën e integrimeve evropiane, perëndimore e globale.
Në ditët e sotme ne e shikojmë se Evropa nuk i ka nervat e duhura, nuk e ka vullnetin e duhur, nuk i ka kapacitetet e duhura për të na ndihmuar ne në mënyrë sa më të frytshme në integrimin tonë të suksesshëm. Për këtë, siç e theksoi edhe kryeministri Rama këto ditë, ndikojnë edhe ngërçet e krijuara nga përçarjet e brendshme të vetë Bashkimit Evropian – çka u vu re edhe në rastin e vendimmarrjes për ne, ku vetë institucionet e Bashkimit Evropian ishin haptas kundërvënëse dhe kundërthënëse mes tyre, duke hedhur poshtë konkluzionet e njëra tjetrës dhe duke krijuar çorodi, në vend të kthjelltësisë dhe transparencës, tek vetë vendi që aplikoi për kandidat të Bashkimit Evropian.
Shtyrjet e deritashme doemos ndikojnë tek ne në krijimin e psikologjisë se këto shtyrje do të jenë të pafundme, se dera ndaj nesh do të jetë gjithnjë gjysmë e hapur, pra gjithnjë gjysmë e mbyllur, ndërkohë që fqinjët tanë e kanë të rezervuar biletën e hyrjes, kur të duan ata dhe si të duan ata. Kjo nuk ka pse të zbehë aspak evropianitetin tonë. Ka në Evropë vende bindshëm më të suksesshme se vetë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, siç janë Zvicra dhe Norvegjia.
Vetë Evropa sot përbëhet nga disa rrafshe, diku paralele, diku prerëse, siç janë Bashkimi Evropian, Evropa e Zonës Euro, Evropa e Hapësirës Ekonomike Evropiane (Organizata e Bashkëpunimit për Zhvillim Ekonomik) e të tjera. Kjo e bën atë sa të ndërlikuar, aq dhe të depërtueshme. Për këtë na është e domosdoshme ndihma psikologjike, teknike dhe e gjithanshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jo vetëm në fazën e anëtarësimit, por edhe në perspektiva tejet afatgjata.

Filed Under: Analiza Tagged With: ne Evrope, si aleate te Amerikes, Skender Bucpapaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT