Nga Bledi KASMI/
…Ndërroi jetë gazetari dhe miku ynë, Zef Lleshi. Nuk është është e lehtë të ndahesh nga një mik dhe aq më e vështirë të shkruash për të në këto momente. Kushdo që e ka njohur, ka pasur mundësi të takojë tek Zef Lleshi, njeriun me zemër të madhe. Janë të rrallë njerëzit si Zefi me aq energji pozitive, në këtë botën tonë të veshur me shumë urrejtje dhe mllef. Hokatar dhe babaxhan, Zefi kalonte momentet më të vështira të jetës gjate muajve te fundit jo duke pritur vdekjen, jo duke iu dorëzuar sëmundjes, jo duke u rrrëzuar, por duke e marrë atë me shaka, si e gjithë kjo jetë e shkurtër e secilit prej nesh.
“Më duket si një film i parë”, thoshte Zefi pak ditë më parë, duke mos qenë aspak i frikësuar për atë që e pret në botën tjetër. Ishte përgatitur për ditën e fundit ndaj dhe mendja e tij ishte aq e kthjellët sa është e rrallë sot të gjesh njerëz me kurajo të tillë si Zefi.
Ai postonte në facebookun e tij pa fund tregime humoristike nga spitali ku kurohej. Tallej me vdekjen sepse vdekja kishte dështuar që ta trembte Zefin.
Ai postonte foto pa u druajtur nga ndryshimi fizik që i kishte sjellë sëmundja dhe dukej se në vend që të ishim ne që ti jepnim kurajo Zefit në ato momente, ishte Zefi që na tregonte ne të gjithëve, se secili prej nesh ka nevojë për pak reflektim përpara se të mbërrijmë në stacionin nga ku nuk ka kthim pas, drejt të cilit jemi të destinuar të mbërrijmë.
Zefi kaloi me sukses një provë të vështirë, sikurse është jeta e kësaj bote dhe ne lutemi që mirësia e tij në këtë botë të gjejë paqen e dëshiruar në botën tjetër.
Ngushëllimet tona si “RD” në këto momente shkojnë për bashkëshorten tij Liza, vajzën Blerina dhe djalin Dritani.
Të prehesh në paqe miku yne, Zef!
Varrimi i tij do të bëhet sot në orën 14.00 në vendlidnjen e Zefit në fshatin Rrënjë e Zezë të Rrëshenit.