Nga Dalip GRECA/*
Sot, me 26 gusht, Nënë Tereza mbush 105 vite nga lindja, ndërsa në 5 shtatori na kujton ditëvdekjen. Në nderimin që i bëjnë jetës dhe veprës së saj të përbotshme,humane, shqiptarët ndjehen krenarë, që simboli i tyre, vitin që vjen, më 4 shtator do të shënjtërohet. Në fakt në optikën e shqiptarëve ajo ishte shenjtë që në gjallje të saj, tek luftonte për të rikthyer në jetë ata që kishin marrë rrugën e vdekjes, tek ndihmonte të varfërit, tek mjekonte lebrozët, të gjymtuarit, tek u bëhej nënë të braktisurve, tek u shuante urinë të varfërve. Kur Nënë Tereza merrte Cmimin”Nobel” për Paqe, nga Roma, korrespondenti i Diellit, Petro Vucani, shkruante se Nënë Tereza ishte shenjtëreshë. Dhe ai si të tillë e përcjell tek lexuesit ndërsa e interviston me plot dashuri e krenari.
Ne shqiptarët jemi fatlum, që ajo, Nënë Tereza,që ngriti të fuqishëm Tempullin e dashurisë njerëzore, i përket racës tonë, gjakut tonë, ajo mbetet arbërore, dhe e thoshte me plot gojë se ishte shqiptare. Natyrisht që personaliteti i saj i kalon kufijët e një Kombi, ajo i përket njerëzimit mbarë sepse e atillë është vepra që i la trashëgim njerëzimit:Dashuria njerëzore!
Shqiptarët e Amerikës kanë arsye të ndjehen krenarë që iu bënë mbështeje, ndërkohë që vendi amë, e kishte mohuar dhe ia kishte ndaluar hyrjen, madje nuk e lejoi as për t’i hedhë një dorë dhe’ nënës.Por ajo i fali persekutorët e saj në emër të dashurisë njerëzore. Kur do të vinte në Kombet e Bashkuara, kur prijësi i OKB e cilësonte Nënë Terezën një OKB më vete, për turp ambasadori shqiptar do të braktiste seancën në shenjë “proteste” a mosnjohje, ndërsa shqiptarët e Amerikës do të zinin radhën tek kangjellat që ta shihnin, ta preknin, ta përshëndesnin. Lume Juka e ka sjellë me shpirt e emocion atmosferën e asaj kohe. Ishin po shqiptarët e Amerikës ata që e pritën me padurim në qershor 1988 kur ajo do të vinte në Kishën e Bronxit dhe do takohej me bijtë e bijat e gjakut të vet. Shumë prej atyre që e patën fatin ta takojnë atë ditë ruajnë kujtime, fotografi.
Intervista që i dha Gjekë Gjonlekës, ish gazetar i Zërit të Amerikës, edhe sot dëgjohet me krenari nga shqiptarët, kur ajo përcjell Lutjen në gjuhën e gjakut të saj, arbënor, gjuhën shqipe. Kur u organizua seanca dëgjimore në Kongresin Amerikan mes serbëve dhe shqiptarëve, serbët, që përfaqësoheshin me qarqet me të larta shkencore, akademike dhe fetare- shtërngonin në gjokse kryqe,ndërsa shqiptarët mbanin në xhaketa dhe ndër duar portretin e Nobelistes me gjak shqiptar,simbolit të Paqës, Nënë Tereza. Fituan shqiptarët në atë përballje. Dobrica Ćosić ishte i pari që e kuptojë se Washingtoni kishte nisë të fliste shqip, dhe se kishte ikë koha e serbëve në Amerikë, kishte ardhë koha e shqiptarëve.
Shqiptarët e Amerikës,me 5 shtator 1997, ishin në Kalkuta, kur pushoi së rrahuri zemra e dobësuar e Nënës Terezë. E qanë me Lot, sic qajnë bijtë për nënat. E përcollën me lutje duke patur në krye të meshës një prift atdhetar shqiptar, dom Anton Kcirën.
Ishin po shqiptarët e Amerikës ata që do të ngrinin të parët Shtatoret e përjetësisë për Nënën e përbotshme, simbolin e dashurisë njerëzore. Vëllezërit Lekë dhe Pashko Gojcaj, do të bëheshin ideatorët e realizuesit e shtatoreve të përjetësimit të Saj në Amerikë dhe në trojet Kombëtare: Në Malësi(Tuz), Prishtinë, Mitrovicë, Strugë, në Nju Jork, në Detroit, në Ohio, po ashtu edhe Elmi Berisha Klinë, Mhill Gjuraj në Pejë etj.
Janë po shqiptarët e Amerikës ata që janë bërë promotorët e mbledhjes së fondeve për ndërtimin dhe përfundimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, jo vetëm pse ajo mbanë emrin e shenjtëreshës. Jemi Komb i vogël dhe kemi nevojë për simbole, që i respekton Bota. Ditën e 26 Gushtit 2005, pikërisht në ditëlindjen e Nënës Terezë, dy simbolet e mëdha të Kosovës dhe kombit shqiptar, presidenti historik dr. Ibrahim Rugova dhe Ipeshkëvi i Kosovës Mark Sopi, tek vendosnin gurthemelin e Katedrales, kishin pranë edhe shqiptarët e Amerikës. Dhe ishin ata, shqiptarët e Amerikës, që i prinë fushatës për mbledhjen e fondeve duke grumbulluar më shumë se 1, 3 milionë dollarë dhe vazhdon cdo vit të shtohen fondet përmes Turneut të Golfit, nën drejtimin e Qendrës Kulturore”Nëna Terezë”, pranë Kishës “Zoja e Shkodrës” me organizator veprimtarin e palodhur, Anton Raja dhe shokët e tij.
Nënë Tereza na ka lënë pas kryeveprën e saj, Tempullin e Dashurisë njerëzore, që ngrihet mbi urrejtjen, mbi përcarjen. Tempulli që ajo na la ngrihet mbi fetë, mbi kombet, mbi shtetet. Mesazhi:Ta duam njeri-tjetrin, ta duam jetën, të ndihmojmë njëri-tjetrin, duhet të na ushqejë shpirtrat dhe mendjet. Vetëm kështu do t’i bëjmë ballë sfidave.Këshillat që ajo la pas janë një testament i ri për mbarë njerëzimin.
Coni ndërmend vetëm disa nga thëniet e saj të urta dhe do të ndjeheni të pasur në shpirtra:- Nese vertet duam te dashurojme, duhet te mesojme si te falim!, ka thënë ajo. Ose:
-Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyre, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!
-Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.
-Unë, thoshte ajo, shoh Zotin në çdo njeri. Kur laj një të sëmurë me lebër, ndjej se po kujdesem për Zotin. A nuk është kjo një eksperiencë e bukur?
-Të varfrit na japin më shumë seç u japim ne atyre. Ata janë njerëz kaq të fortë, duke jetuar ditë për ditë pa ushqim. Dhe ata kurrë nuk mallkojnë, as nuk ankohen. Ne nuk duhet t’u japim atyre simpatinë, por duhet të mësojmë nga ata.
-.Kam zgjedhur varfërinë për njerëzit tanë të varfër. Por jam e nderuar të marr çmimin Nobel në emër të urisë, zhveshjes, të pastrehëve, të verbërve, të sëmurëve, të atyre njerëzve që janë të padëshiruar,që nuk i do njeri, nuk kujdesen për ta. Njerëzit që ndihen të braktisur nga shoqëria dhe të refuzuar nga të gjithë.
-Nëse luksi na rrethon, ne humbim shpirtin. Ne do jemi të aftë të duam të varfrit nëse njohim varfërinë dhe jemi vetë të varfër.
-Nuk kam qenë kurrë më parë në një luftë, por kam parë urinë dhe vdekjen. E kam pyetur veten se çfarë ndiejnë ata kur e bëjnë këtë? Nuk e kuptoj. Ata janë të gjithë bijtë e Zotit. Pse ata e bëjnë këtë? Nuk e kuptoj.
-Zoti do gjejë një person tjetër më fisnik, më të devotshëm, më të përkushtuar ndaj tij dhe shoqëria do vazhdojë.
Ne, Shqiptarët, të shpërndarë në shumë shtete te Ballkanit dhe të mërguar, thuajse në të gjithë kontinentet, duhet të ndjehemi krenarë për shënjtëreshën tonë. Jo vetëm, kaq, por të përpiqemi të bëhemi pjesë e trashëgimisë së saj, të përfitojmë nga Tempulli i Dashurisë Njerëzore, dhe të mos bëhemi mbartës të urrejtjes, të mos bëhemi mish për top për ideologi që nuk janë në traditën shqiptare,të mos bëhemi merecenarë të luftrave ekstremiste fetare. Jo urrejtjes!Për ne,shqiptarët, harmonia fetare është vlerë e trashëguar dhe duhet të mbetet e shenjtë si e tillë.
* Editorial i Diellit