Voal – Zëri i Shqiptarëve mbështet fuqishëm Deklaratën e Federatës Panshqiptare Vatra në SHBA, që vjen nga vendi të cilit Kosova i dedikon çlirimin dhe lirinë, rreth situatës dramatike në Kosovë, duke e konsideruar me vlerë historike, e cila me urtësi dhe largpamësi, mban një qëndrim mbi palët politike, në të mirë të popullit të Kosovës, meqë, në fund të fundit, partitë politike në Kosovë përfaqësojnë votën e elektoratit. Sikur thekson Federata Panshqiptare Vatra, edhe Voal është kundër kthimit të Kuvendit të Kosovës në një arenë të dalur jashtëkontrollit, në opozitë të plotë me traditën shqiptare, ku drejtësia vendoset përmes urtësisë, dhe peshorja anon nga e mira e përbashkët. Po ashtu Voal është kundër maxhorancës së krijuar si rezultat interesash klienteliste dhe jo frut i demokracisë free and fair. Voal shpreh qëndrimin konform deklaratës së Vatrës se „koalicioni qeveritar nuk i shpëton përgjegjësisë për situatën e krijueme që asht shkak i një dëshprimi shpërthyes. Korrupsioni i përhapun deri në rrethet ma të nalta qeveritare e parlamentare, zyrtarët e zgjedhun a të emnuem pasunohen “mbrenda natës”si me u pikë parja prej qiellit, ndërsa populli vorfnohet gjithnjë e ma tepër, papunësia rritet, rinija mbetet rrugëvet pa shpresë për të ardhmen dhe mija familjesh lëshojnë trojet e marrin arratinë“. Edhe Voal si Vatra „nuk mund të pajtohemi me metodat e dhunës me prirje anarkike të opozitës, që janë të papranueshme në nji shoqni të civilizueme, të dënueshme si antidemokratike dhe, në anë tjetër, komprometojnë randë kauzën të cilës don t’i dalë zot, sado kauzë e drejtë të jetë ajo.“ Voal pajtohet plotësisht me Deklaratën e Vatrës në lidhje me dy marrëveshjet që ka bërë qeverija e Kosovës me Serbinë për “Zajednica”-n dhe me Malin e Zi për përcaktimin e vijës kufitare. Fillimisht opozita të tërhiqet e me durim të presë vendimin që vjen prej Gjykatës Kushtetuese, ndërsa nga ana e saj Gjykata Kushtetuese të mos e zvarrisë vendimin. Për të gjetur një konsensus mbarë popullor, ne jemi plotësisht dakord me qëndrimin e Vatrës në deklaratën e 18 Nëntorit 2015 i shprehur në dy pika: „Së pari, duhet të merret vendim dhe të organizohet sa ma shpejt një referendum për marrëveshjet, për të cilat populli duhet të informohet në mënyrë shumë të qartë dhe t’i kuptojë mirë, kështu që ai, sovrani, në kushte të qeta sigurije, të vendosi në se i pranon ose i shtyn ato për negociata të reja. Së dyti, të shqyrtohet me seriozitet mundësia e shkuemjes në zgjedhje të parakohshme.” Vetëm kështu, do të veprohet në të mirë të interesit të popullit e të shtetit të Kosovës, do t’i jepet fund skenave të anarkisë dhe kaosit, si dhe do të ndalet papërgjegjshmëria e palëve. Të mos harrojmë se partitë në Kosovë duhet të jenë zëdhënëse të popullit të Kosovës dhe jo si deri tash që populli i Kosovës është kthyer në shërbëtor i partive politike.