Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
E di që as vetë maqedonët nuk e mbajnë veten kurrkundngat aq të maqedonizuar. E di që përcaktimin tim partia BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim) do ta marrë për lëvdatë.
Maqedonizimi i BDI-së nuk do të ishte temë e shkrimeve të mia nëse këto ditë nuk do ta dëgjoja në mediat njërin nga krerët e saj të deklaronte, madje me krenari të dukshme, se kjo parti është e vetmja në Maqedoni që është shtrirë tashmë në të gjithë territorin e vendit, përkatësisht në elektoratin e të gjithë vendit. Këtë mëtim, pra, nuk e kanë as dy partitë më të mëdha të Republikës së Maqedonisë, Lidhja Socialdemokrate apo VMRO-DPMNE.
Pjesë e pushtetit në Shkup, kjo parti iu bëri thirrje shqiptarëve t’i bojkotojnë votimet presidenciale që u zhvilluan të dielën, ngaqë, sipas liderit të saj, kryeministri nuk e përfilli kërkesën e tij që të kandidojë një emër konsensual, pra të pranueshëm edhe për BDI-në. Nga ana tjetër, i akuzoi për përçarje partitë shqiptare në Maqedoni që nuk mbajtën të njëjtin qëndrim.
Tri ditë para votimeve, kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK) Rufi Osmani i hodhi poshtë thëniet e BDI-së: “Është po BDI, që ofendoi rëndë inteligjencën shqiptare duke zgjedhur Lazar Elenoskin si maqedonas ambasador në Bruksel. Është po kjo BDI e cila me votat e maqedonasve, maxhupëve, hajdutëve dhe korrupsionin e paparë mposhti vullnetin politik të popullit shqiptar në zgjedhjet lokale 2013 në shumë komuna shqiptare. Është po kjo parti që lejoi sjelljen e Car Dushanit në Shkup në emër të pajtimit historik me serbët. Është po kjo parti që i propozoi VMRO-DPMNE-së, Lazar Elenoskin dhe Sërgjan Kerimin si të ashtuquajtur ‘president konsensual’.
Është po kjo udhëheqësi e BDI-së që në Evropë kandidon person pa kredibilitet dhe kandidat që mori më 2011 vetëm 400 vota.”
Vesel Mehmedi, shef i Shtabit të RDK-së, sjell argumente të tjera në këtë drejtim. “Ju e shihni se si qeveris BDI-ja, unë jam këshilltar në komunën e Gostivarit dhe ju dëshmoj se zullumi i kësaj garniture është i jashtëzakonshëm duke diskriminuar vendbanimet shqiptare në Gostivar ku i humbën zgjedhjet në Gostivar. Është koha për t’i thënë stop diskriminimit të shqiptarëve nga vet shqiptarët.”
Është tërësisht e kuptueshme se zgjerimi me anëtarësi maqedonase i ka kushtuar BDI-së braktisjen dhe sakrifikimin e interesave të shqiptarëve. Sepse, ngat çdo mendjeje, maqedonasit votojnë për interesat e veta para se të votojnë për interesat e të tjerëve. Po ashtu zgjerimi i kësaj partie me anëtarësi nga pakicat e Maqedonisë, siç janë romët, gjersa interesat e këtyre nuk pajtohen me interesat e shqiptarëve por me interesat maqedone, e çon këtë parti në kundërvënie me interesat e shqiptarëve në tërësi.
Siç dëshmojnë të lartcituarit, shmangiet e tilla e kanë cënuar rëndë në karakter BDI-në duke e vënë në pozita lutëse dhe përulëse ndaj maqedonëve, nga njëra anë, dhe në pozita revanshiste dhe arrogante ndaj atyre shqiptarëve që e kanë refuzuar, pra që nuk kanë pranuar t’i japin votën kësaj partie.
BDI i lutet kryeministrit për një kandidaturë konsensuale nga radhët e maqedonasve dhe të turqve dhe nuk këmbëngul që Maqedonisë i ka ardhur koha të ketë një president shqiptar. Në vitin 2001, kur përgatitej Marrëveshja e Ohrit, unë kam kërkuar nga pala shqiptare në bisedime të kërkojë që të sanksionohet në këtë marrëveshje, pastaj në kushtetutën e kësaj republike maqedono-shqiptare që presidenti të jetë shqiptar. Nëse jo, atëherë disa poste të tjera kyçe të jenë të përcaktuara me kushtetutë që t’iu përkasin shqiptarëve. Dhe për këtë iu sillja shembuj të ngjashëm ku, nëpërmjet zgjidhjeve të tilla, ishte garantuar qëndrueshmëria e mëtejshme e shteteve të caktuara, ishte krijuar konstitucioni i domosdoshëm dypalësh, mendësia e domosdoshme dypalëshe mbi të cilën do të bazohej perspektiva e një bashkëjetese në unitet qytetar dhe shtetëror.
Duke qenë në pushtet gjithë këto vite, i takonte BDI-së të ngulmonte në këtë drejtim, duke u bashkuar me krejt faktorin shqiptar dhe me faktorë të tjerë të mundshëm përkrahës ndaj këtij faktori, siç do të kishin qenë turqit, romët e tjerë. Vetëm sanksionimet në kushtetutë do të ishin detyruese dhe po ashtu do të garantonin qëndrueshmërinë e Maqedonisë, integrimin e shpejtë të saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian, për çka, jo pa të drejtë, dëshmojnë se janë shumë më të interesuar shqiptarët se maqedonët dhe të tjerët.
Duke u defaktorizuar çdo ditë e më tepër shqiptarët, siç ka ndodhur dhe po ndodh gjatë qeverisjes së BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, Maqedonia vetëm sa do t’iu largohet përherë e më shumë integrimeve evropiane dhe veriatlantike. Dhe BDI do ta shohë veten gjithnjë e më pranë interesave maqedone e gjithnjë e më larg interesave të shqiptarëve. Natyrisht, kjo do t’i sjellë asaj ndëshkimet e pashmangshme nga ana e elektoratit shqiptar në Maqedoni.
Me kandidaturën e Iljaz Halimit për president të Maqedonisë, shqiptarët dëshmuan denjësisht se mund t’ia japin këtij vendi një president të denjë dhe dëshmuan dëshirën e tyre të çiltër e vizionare që Maqedonia, për të mirën e të gjithëve, pjesë të traditës së saj të sanksionuar shtetërore, ta ketë tash e tutje presidentin shqiptar.
FQINJËT JANË NË EKSPANSION, NE JEMI NË RESTRIKSION
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Humbja e Ulqinit është dështimi i madh më i dukshëm, pra më flagrant, i politikës aktuale shqiptare, para së gjithash, i politikës aktuale të Tiranës në rrafshin kombëtar.
Është një ligj universal, i përjetshëm – nëse nuk je në ekspansion, atëherë vetvetiu je në restriksion. Dhe kjo pasqyrohet ku më dukshëm, ku më padukshëm, në të gjitha rrafshet dhe në të gjitha fushat e jetës së një vendi e të një kombi.
Politika jonë është në restriksion. Kjo është kundërnatyrore, sepse ne jemi kombi më vital në rajon, me popullsinë më të re dhe nga më të arsimuarat.
Kjo është kundërlogjike në rrethanat kur dalim nga një shekull copëtimesh, robërie, pushtimesh, diktaturash, në rrethanat, pra, kur pritej një shpërthim i vrullshëm i energjive tona të ndrydhura.
Kjo është absurde, në rrethanat e epokës globale, në rrethanat kur të gjitha vendet dhe kombet, të mëdhenj apo të vegjël, të fuqishëm apo të pafuqishëm, në të katër anët e botës, janë duke rendur për të përfituar nga hapësirat e krijuara për të bërë ekspansionizëm ekonomik, politik, ideologjik e tjerë, për të rritur ndikimin e tyre, praninë e tyre kudo, sido dhe sado që të jetë e mundur.
Kjo është veçanërisht kundërnatyrore, kundërlogjike, tejet absurde në kushtet kur jemi i vetmi vend, i vetmi komb në NATO, kur Amerika, mikja, aleatja, partnerja jonë e madhe na ka dhënë mundësinë e statusit të vendit më të privilegjuar të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ekspansioni në politikë është zmadhim, zgjerim i hapësirave të një populli, të një vendi, të një kombi duke u shtrirë në hapësira të popujve, shteteve, kombeve të tjera. Ekspansionizmi është prirje për të zmadhuar, për të zgjeruar kufijtë, sferën e ndikimit ekonomik, kulturor, e tjerë nëpërmjet shtrirjes në hapësira të reja, tregje të reja.
Restriksioni në politikë është zvogëlim, tkurrje, kufizim i hapësirave të lartpërmendura nga ana e një populli, një kombi, një shteti. Restriksionizmi është prirje për t’iu nënshtruar zvogëlimit, tkurrjes, kufizimit të hapësirave të tij jetike nga ana e një populli, një kombi, një shteti.
Në kushtet e sotme, të epokës globale, kur ekspansioni bëhet në formën e investimeve ekonomike dhe zhvillimore, në formën e transferimit të kapitaleve dhe të transportimit të zhvillimit nga një vend më i zhvilluar në drejtim të një vendi më të pazhvilluar, ekspansionizmi ekonomik dhe kulturor është ndërsjelltar i dobishëm për të gjitha palët. Në rrethanat e rajonit tonë, asnjë nga fqinjët tanë tokësorë nuk i ka premisat e natyrshme për të bërë ekspansion, të asnjë lloji, ndaj popullit tonë, vendit tonë, shteteve tona, hapësirës sonë kombëtare në përgjithësi.
Sot ne përjetojmë në mënyrë tejet të dukshme, prirjen tonë për restriksion të gjithanshëm. Kjo u pa së fundi në Ulqin. Por po shihet gjithaq dukshëm në procesin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe po pasqyrohet në mosfunksionimin e shtetit të Kosovës në një pjesë të konsiderueshme të territorit të tij. Po pasqyrohet në gjendjen përherë e më të përkeqësuar të pranisë shqiptare në Luginën e Preshevës (Kosovën Lindore). Po shihet në mospërparimin e popullit shqiptar në Maqedoni, si në aspektin kombëtar, si në aspektin shoqëror, ekonomik e tjerë. Po shihet me kërcënimet për ta tjetërsuar Radikën dhe Vjosën dhe për ta ngushtuar kështu më tej hapësirën tonë të interesave jetike.
Dukuritë e përmendura më lart, plot dukuritë e tjera që mund të rreshtoheshin këtu, ndodhin kur klasa jonë politike është e përfshirë në ethe të gjata, të pandërprera të revanshizmave të brendshme politike, ideologjike, të karakterit të ngushtë grupor, meskin, kundër interesave të elektorateve të tyre, kundër interesave të kombit të tyre, kundër interesave shqiptare. Ndodhin në një kohë kur palët në konfliktin brendashqiptar trumbetojnë gjithnjë e më zëshëm, gjithnjë e më kobshëm “nacionalizmin” e palës tjetër, “islamizmin” e palës tjetër, “primitivitetin” e palës tjetër, duke damkosur kështu kombin më të përkushtuar në Evropë për fqinjësi të mirë, kombin me islamin më të moderuar në botë, kombin ku është përkundur, rritur dhe kultivuar pandërprerë qytetërimi perëndimor, pavarësisht kushteve e rrethanave të veçanta, shpesh tragjike të imponuara.
Humbja e Ulqinit, mu para hundëve të Tiranës dhe Prishtinës, është me pasoja konkrete për gjeopolitikën shqiptare, një humbje, pra, që do të pasqyrohet në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të vetë Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Një lëshim të tillë në dëm të vetes së tyre dhe në dobi të shqiptarëve nuk do ta kishte bërë asnjë prej fqinjëve tanë. Humbja e Ulqinit në vetvete shënon edhe humbjen e çështjes shqiptare në Mal të Zi. Një humbje e tillë, qoftë edhe në fshatin më të vogël e më të largët të banuar me shqiptarë, shënon humbje të çështjes shqiptare. Një humbje e tillë, qoftë edhe në shtëpinë më të largët të fshatit më të largët shqiptar, shënon humbje të çështjes shqiptare. Sepse, secili nga këto raste, shënon dobësim të faktorit shqiptar në terrenin e caktuar, shënon rrjedhimisht dobësim të faktorit shqiptar në tërësi. Çdo defaktorizim shqiptar, kudo që ndodh, në trojet shqiptare apo jashtë tyre, në diasporë, në fakt përbën defaktorizim të mëtejshëm të shqiptarëve në tërësi.
Prania shqiptare, në trojet e saj, kudo që ndodhet, është një përparësi, një privilegj, një favor i një politike në raport me veten dhe të tjerët. Është një premisë që e përjashton, në çdo rrafsh, mundësinë e fqinjëve tanë për politikë mësymëse ndaj nesh; një premisë që e përjashton, në çdo rrafsh, prirjen tonë zbrapëse, lëshuese ndaj fqinjëve tanë.
Politikës sonë, sidomos asaj në Tiranë, ia ka zënë sytë internacionalizmi gjoja kozmpolit, në fakt retrograd. Ende kjo politikë nuk e kupton se çështja shqiptare, kudo që të jetë, në hapësirën shqiptare apo kudo nëpër botë, është absolutisht çështje e brendshme. Kjo politikë kurrsesi nuk mund të hiqet si e zënë në befasi, përkundrazi përballë një detyrimi kushtetues, prandaj mban përgjegjësi të plotë para kombit dhe para historisë.
NË EVROPË – SI ALEATË TË AMERIKËS
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Le ta themi haptas – vendimi për të mos ia dhënë Republikës së Shqipërisë statusin e vendit anëtar për në Bashkimin Evropian, edhepse i pritshëm në një farë mase, nuk ka zgjuar aspak ndjenja të bukura tek Shqiptarët.
Shije disi të baltimtë do të linte sidomos fakti që, për të kundërshtuar kandidimin e Republikës së Shqipërisë për në Bashkimin Evropian, në krye të kësaj nisme mori trajtë një institucion lobues i përbërë nga tri vendet më të fuqishme të këtij organizmi, përfshirë vendin e Tony Blairit, si dhe të dy vendeve të tjera (pra, gjithësejt, deri tash, pesë vende).
Ndoshta, më shumë se vendimi negativ, na befasoi vrazhdësia e sjelljes së vendimmarrësve dhe e termave të përdorura që e shoqëruan atë.
Ne, tashmë Republika e Shqipërisë dhe, herët a vonë, edhe Republika e Kosovës, e shikojmë veten drejtpërdrejt në një garë jetike me vendet fqinje ballkanase – kush do të shpërblehet duke u integruar më herët e më mirë në Evropë, për rrjedhojë, kush do të ndëshkohet me shtyrje pas shtyrjesh, kush do t’i meritojë apo nuk do t’i meritojë shpërblimet, kush do t’i meritojë apo nuk do t’i meritojë ndëshkimet.
Vendet fqinje ballkanase, në gjithë historinë moderne, deri edhe në koniunkturat më të liga e më të mbrapshta, kanë pasur raporte të privilegjuara me Evropën, qoftë me atë të dikurshmen, qoftë me atë të mëvonshmen, e cila identifikohet me vizionin e Bashkimit Evropian. Për këtë, ka ndikuar fuqimisht fakti se këto vende janë aleate të Rusisë. Dhe po integrohen në Evropë si aleate të Rusisë.
Shihet qartë, pra, se tradita ka ndikim të madh aktual dhe se kjo logjikë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Prandaj, ne shqiptarët, mund ta shohim veten të integruar me sukses në Evropë vetëm si aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky vend na shpëtoi në fund të Luftës së Parë Botërore nga kthetrat e Evropës, ky vend na shpëtoi menjëherë pas mbarimit të Luftës së Ftohtë kur makineria e luftës e Millosheviçit synonte të na shndërronte në një komb pa atdhe, pra në një komb-diasporë, ky vend na anëtarësoi në NATO, ky vend dëshmon interes të sinqertë që ne të integrohemi sa më suksesshëm në Evropë, në hapësirën veriatlantike dhe atë globale.
Ndonëse, deri në sekondën e fundit, ne shpresuam në një vendim pozitiv të Bashkimit Evropian, meqë jemi më mirë ose shumë më mirë se fqinjët tanë, ne jemi të bindur se Republika e Shqipërisë nuk e meriton integrimin në këtë organizëm. Po ta kishim ne në dorë, sigurisht, një vendi ku bën kërdinë prej njëzet e sa vjetësh ligji 7501, një klon i reformës agrare të Enver Hoxhës, nuk do t’ia hapnim dyert e integrimit evropian. Nuk do t’ia hapnim dyert pa e vënë në rrugën e zgjidhjes së plotë dhe të drejtë çështjen e pronës. Nuk do t’ia hapnim dyert pa bërë drejtësinë e plotë ndaj klasës së ish të burgosurve dhe ish të përndjekurve politikë, si dhe pa dënimin moral të ish burgosësve e ish përndjekësve të tyre. Nuk do t’ia hapnim dyert pa hapur dosjet e zyrtarëve të lartë të periudhës së tranzicionit, të cilët kanë qenë eksponentë të Sigurimit të Shtetit apo të shërbimeve të tjera lindore antishqiptare. Nuk do t’ia hapnim dyert pa parë se konkretisht po merr fund periudha e pandëshkueshmërisë së politikës së përfshirë në korrupsion dhe në krim të organizuar. E kështu me radhë.
Pikërisht nga Shtetet e Bashkuara, nga njëri prej institucioneve më eksperte të Uashington D. C. vinte këto ditë mesazhi i qartë: për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në vendet e Ballkanit, pra edhe në Shqipëri, është e domosdoshme që të konfiskohen pronat dhe pasuritë e politikanëve. Të gjithë e dinë se në Shqipëri, si në vendet fqinje ballkanike të saj, politikanët janë pasuruar në mënyrë të paligjshme. Kjo ka bërë që në këto vende të ndërtohen një rend i padrejtë, deri në flagrancën më të skajshme.
Për të krijuar një rend të drejtë, është e domosdoshme të ndërtojmë me sukses shtetin e së drejtës, të ndërtojmë demokracinë funksionale, të ndërtojmë pluralizmin e frytshëm bashkëpunues. Kjo kërkon që ne të jemi të hapur ndaj ndihmës së drejtpërdrejtë të aleatëve tanë, në radhë të parë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të të gjithë atyre që janë të prirur e të dëshmuar për të na dhënë ndihmë të sinqertë. Dhe një nga këto ndihma të sinqerta do të ishte që opinionit shqiptar, kur i flitet për korrupsionin dhe krimin e organizuar, t’i flitet gjithnjë e më pak me terma të përgjithësuar, abstraktë, t’i flitet gjithnjë e më shumë me terma konkretë të prekshëm. Në këtë mënyrë faktorët përbërës të realitetit tonë do të krijojnë bindjet dhe vendomsëritë më të plota për të zëvendësuar pjesërisht apo rrënjësisht politikën në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës.
Në retorikën që e shoqëroi vendimmarrjen e këtyre ditëve në Bruksel, u vunë re edhe paragjykime të mbrapshta kundër veçorive tona evropiane, në vend që të theksoheshin e të përgjithësoheshin ato për t’u bërë vlerë e Evropës, siç është toleranca shembullore ndërfetare. Dhe u shpërblyen pikërisht ata që kanë investuar me shekuj për t’i rrënjosur në Evropë e në botë paragjykimet e tilla ndaj nesh, aleatët e Rusisë, në vend që të shpërbylerit të ishim ne për sjelljen tonë shembullore ndaj fqinjëve tanë, ndonëse ata nuk kursyen ndaj nesh armiqësitë dhe mizoritë më shembullore.
Për t’i çrrënjosur këto paragjykime ndaj nesh në trurin e Evropës, natyrisht, ndihma më e sigurtë dhe më e frytshme do të jetë pikërisht Amerika. Garancia më e plotë dhe më e qartë për faktorizimin tonë sa më të suksesshëm evropian, perëndimor dhe global do të jetë pikërisht vizioni amerikan, pa të cilin nuk mund të realizohet kurrë as vetë vizioni aq i mrekullueshëm i Bashkimit Evropian. Për këtë kërkohet që të rritet pesha e Republikës së Shqipërisë në NATO si dhe në të gjitha organizmat e instancat e tjera ndërkombëtare. Për këtë kërkohet konsolidimi sa më i shpejtë i Republikës së Kosovës dhe hyrja e saj sa më bindëse në rrugën e integrimeve evropiane, perëndimore e globale.
Në ditët e sotme ne e shikojmë se Evropa nuk i ka nervat e duhura, nuk e ka vullnetin e duhur, nuk i ka kapacitetet e duhura për të na ndihmuar ne në mënyrë sa më të frytshme në integrimin tonë të suksesshëm. Për këtë, siç e theksoi edhe kryeministri Rama këto ditë, ndikojnë edhe ngërçet e krijuara nga përçarjet e brendshme të vetë Bashkimit Evropian – çka u vu re edhe në rastin e vendimmarrjes për ne, ku vetë institucionet e Bashkimit Evropian ishin haptas kundërvënëse dhe kundërthënëse mes tyre, duke hedhur poshtë konkluzionet e njëra tjetrës dhe duke krijuar çorodi, në vend të kthjelltësisë dhe transparencës, tek vetë vendi që aplikoi për kandidat të Bashkimit Evropian.
Shtyrjet e deritashme doemos ndikojnë tek ne në krijimin e psikologjisë se këto shtyrje do të jenë të pafundme, se dera ndaj nesh do të jetë gjithnjë gjysmë e hapur, pra gjithnjë gjysmë e mbyllur, ndërkohë që fqinjët tanë e kanë të rezervuar biletën e hyrjes, kur të duan ata dhe si të duan ata. Kjo nuk ka pse të zbehë aspak evropianitetin tonë. Ka në Evropë vende bindshëm më të suksesshme se vetë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, siç janë Zvicra dhe Norvegjia.
Vetë Evropa sot përbëhet nga disa rrafshe, diku paralele, diku prerëse, siç janë Bashkimi Evropian, Evropa e Zonës Euro, Evropa e Hapësirës Ekonomike Evropiane (Organizata e Bashkëpunimit për Zhvillim Ekonomik) e të tjera. Kjo e bën atë sa të ndërlikuar, aq dhe të depërtueshme. Për këtë na është e domosdoshme ndihma psikologjike, teknike dhe e gjithanshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jo vetëm në fazën e anëtarësimit, por edhe në perspektiva tejet afatgjata.
Buçpapaj ka një jetë që i bie me çekiç mureve që ndajnë
Nga Rrustem Geci – Dortmund/
Libri i Skënder Buçpapajt, „Frikë nga atdheu“ është një thirrje hyjnore e mbijetesës poetike e cila është e nevojshme në kohën tonë më shumë se kurrë, për të mbajtur gjallë diellin në vargjet tona. Shkrimtari, publicisti dhe eseisti Skënder Buçpapaj është vendali i Tropojës epike. Ai ia njeh nga afër zemrën Shqipërisë, dhe frymën ajrit që Shqipëria e konsumon. Buçpapaj një disident malsor nga gjigantet e alpeve shqiptare, ka një jetë që i bie me çekiç mureve që ndajnë!../
Nuk jam as Platoni as Jezui, por një shkrimtar që do udhën për tek nëna, tek gjiri i saj, tek jeta e saj, tek Gjylë Buçpapaj. Me këtë parathënie poetike hapet libri i shkrimtarit, Skënder Buçpapajt ”Frikë nga atdheu”. Brendia e poezisë të Skënder Buçpapajt, është poezi e gjerë, e thellë, me leksik dhe figurë shumë të pasur.
Në poezinë „Tamël zanash“, poeti Buçpapaj, na e shfaq gjithë fuqinë e tij poetike, njeriun poetik të truallit tonë. O shpirti im që tymon;Hënën e marrin nëpër fletët e aheve / dhe e shndërrojnë në tamël zanash / nëpër krojet fund ashté…tamlin e zanave foshnjat e pinë…Vargje vërtet të bukura, të përkryera, perla. Evat e sotme vazhdon poeti, janë të krevatëshme,../ ato e dinë se në parajsë, ai që i ka falë do t´i presë pa asgjë…
Libri poetik i Skënder Buçpapajt „Frikë nga atdheu“ është i konceptuar në shtatë cikle, dhe brenda ka 210 poezi. Gama poetike në poezinë e Skënder Buçpapajt është e gjerë. Arti poetik i Skënder Buçpapajt është i ngrohtë dhe mbresëlënës, epik dhe shpërthyes. Në poezinë „Ndërsjelltas“ poeti me lirikën më shqipe i thotë të vërtetës; Tani asnjë rrugë s´duhet të të sjellë te unë/ bëje të pamundurën që asnjëra prej tyre të të mos sjellë te unë / vërtiti nga të duash rrugët / ngatërroi si flokë një vit e më shumë të pakrehura / bëji lëmsh e hidhi në zjarr rrugët / edhe nëse betohesh se të gjitha të sjellin te unë / bëj të pabërën, shpik të pamundurën…/ vdis, zhvdis, jeto, çjeto / Mos shkel në asnjëren prej tyre / Të bëhem unë dëshmitar …
Në këtë poezi himn, poeti Buçpapaj, tregon se është gjigand në letërsinë tonë të bukur. Disa nga poezitë e Skënder Buçpapajt mund të quhen rrëfenja, rrëfenja poetike model. Në kohën tonë poezisë nuk po i shkojnë punët dhe aq mirë. Ajo here-herë qan, i dalin lot. Tyrifilët, ata që e zgjyrin fjalën e shenjtë të poezisë, e ndotin me gjithfarë baltërash, ata janë bijtë e mjegullave të palara,.. Rrukë, Mrrukë, dhe Ndrrukë…Poezia e Skënder Buçpapajt është poezi e mirëfilltë, poezi e cilësisë së lartë, poezi e idesë së luleve. Në poezinë „Rrugës së ashtës“ poeti Buçpapaj na shpie në një ambient të virgjër poetik. Rrugës së ashtës / kam shkuar shpeshherë / pa më vënë re…të takoj… popullin e ashtës,..ketrat, arinjtë, zogjtë, zvarranikët, krimbat.. Tematika e poezive të Skënder Buçpapajt është krejt e veçantë nga poetët e tjerë. Duket e thjeshtë, por shumë diell dhe jetë ka brenda. Ndërsa, në poezinë „Guri kalbur“, Buçpapaj bën një gjetje të shkëlqyer, dhe përdorë një figurë krejt të veçantë nga poetët e tjerë. Në fund të kënetës ushqen klorofilën e lëmashqeve / Në zemër i lëshon filiz ëndërra/ ëndërra e shëndërrimit në baltë…
Ndryshimi mes idesë së luleve dhe gurit të kalbur është se as lulja dhe as guri nuk kanë as kujtesë, as kohë. Realizimi poetik i autorit këtu është i përkyer. Dramaturgjia poetike e figurave; Rrukë, Mrrukë, Ndrrukë, shkruar nga autori Buçpapaj, është një gjetje nga më të realizuarat në poezinë moderne shqipe. Librin „Frikë nga atdheu“ unë e bleva para pak ditësh në Prishtinë. Dhe jam i befasuar për të mirë me vlerën poetike të librit. Meqenëse librit i kam bërë dy lexime, vlerësimet e mia kanë të bëjnë me një libër vërtetë të arritur.
Tematika e poezive të Skënder Buçpapajt është nga më befasueset. Në poezinë, “ Nëpër fletët e aheve”, po edhe në poezi të tjera, poeti ka zgjedhur një ambient të paprekur poetikisht. Askund më të kulluar / se në fletët e aheve / agimin nuk mund ta kemi / prandaj, kullojeni nën kullojsen / e fletëve të aheve… Kjo ese është një ftesë për të hyrë në brendësi të librit, në brendësi të shpirtit të poetit. Z. Skënder Buçpapaj, urime për këtë libër të arrirë. Presim edhe poezi të tjera nga ty. Shëndet e jetë të gjatë, o i madhi poet!
TË MOS SHNDËRROHEMI NË HORDHI
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
‘Ne’ të Republikës së Shqipërisë, në rreth një gjysmë shekulli, të paktën dy herë jemi shndërruar në hordhi. Herën e parë, më 1967, kur iu vërsuleshim kishave, xhamive, tyrbeve dhe teqeve. Dhe, herën e dytë, më 1997, kur i vërsuleshim gjithçkaje që na dilte përpara.
Herën e parë, ne ishim një hordhi në kazermë. Vërsulja kundër tempujve shpirtërorë ishte barabar me rrënimin flagrant të themelit mbi të cilin ishim vendosur dhe ndërtuar prej mijëvjeçarësh. Tashmë shoqëria jonë ishte një ndërtesë e mbështetur në ajër, më keq, në bosh.
Viti 1967 shënonte përfundimisht kapitullimin tonë tërësor, pa kushte përballë hipnozës që ushtronte ndaj nesh diktatura enveriste, si shoqëri me tru të hekurosur.
Herën e dytë, rrafsh tridhjetë vjet më vonë, ne ishim një hordhi klasike, kufizoheshim vetëm me vetveten tonë. Edhe atë çka kishte mbetur nga shteti, e rrënuam.
E kam përmendur edhe më parë. Mediat perëndimore në atë kohë habiteshin që zemërimi i shqiptarëve të shkonte përtej çdo parashikimi dhe të mos kursente asgjë, të mos kursenin çfarë kishte krijuar ajo vetë me mund e sakrifica mbinjerëzore. Konkluzioni i tyre ishte se shoqëria shqiptare kishte mbetur pa shtyllën kryesore, pa shtyllën shpirtërore që në vitin 1967, prej kur Republika e Shqipërisë ishte zyrtarisht vend ateist, madje i vetmi në botë. Dhe mediat parathonin se do të duhej kohë që kësaj shoqërie t’i kthehej shtylla më e domosdoshme, besimi.
Për të përkufizuar gjendjen tonë si shoqëri nuk kam përdorur fjalë më pranë burimit shqip si zhgan, skotë, lukuni, por, për hir të atyre me zell të tepëruar antiturk, kam përdorur fjalën hordhi, me burim turk – urdu. Në gjuhët perëndimore është dokumentuar për herë parë në vitin 1520. Dhe ka marrë këto kuptime: 1. Grupim i përkohshëm njerëzish për qëllime lufte, gjahu apo emigrimi edhe pa lidhje gjaku mes tyre: hordhitë e Hunëve. Kuptimi i zgjeruar: grupe të çrregullta të armatosura që kryejnë shkatërrime, plaçkitje e veprime të ngjashme – hordhitë barbare. 2. Me kuptim përkeqësues ose tallës – turmë, frotë.
Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 në Republikën e Shqipërisë, me pjesëmarrjen masive dhe votën po aq masive kundër qeverisjes tetëvjeçare të Partisë Demokratike, shënuan një zgjim qytetar në rritje të shoqërisë. Atëherë unë jam shprehur se kjo votë ishte një valvul shkarkuese e zemërimit dhe pakënaqësisë ndaj një partie politike. Që në dështimin e parë të mundshëm të koalicionit të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ky zemërim dhe kjo pakënaqësi do të shkarkohej kundër krejt klasës politike. Dhe do të harrohej krejtësisht ajo çka pamë këto vitet e fundit në Greqinë fqinje.
Protestat masive të nëntorit dëshmuan se këtë zgjim qytetar e prin rinia shkollore dhe studentore. Kjo kategori përfaqëson njëkohësisht ndjeshmërinë, vetëdijën, përgjegjshmërinë e lartë qytetare. Ndërkaq protestave nuk iu mungoi një përmasë ekstremiste e tipit antiglobalist, antiperëndimor dhe vetizolues, një lloj rizgjimi i së majtës ekstreme tradicionale. Për t’u gjykuar në mënyrën më të saktë natyra e një proteste, patjetër shikohet përmbajtja e parullave, sidomos i atyre të shkruara. Në protestat e nëntorit, në 90 për qind të rasteve, nuk ishte në shënjestër qeveria apo kryeministri. Vetëm me përfshirjen e opozitës filluan të duken edhe parullat e këtij lloji. Me përfshirjen e grupeve me orientime nga më të ndryshmet në protesta, ne ishim dëshmitarë se ato, krahas masivizimit, patën edhe prirje për çorientim, për përhapje paniku, duke e çuar shoqërinë drejt një histerie kolektive.
Në kuadrin e kësaj histerie kolektive, doli në pah, në mënyrë më alarmante se kurrë, mungesa e një elite të vërtetë, sidomos mungesa e një elite të institucionalizuar. Kryeministri Rama e kishte rastin të hidhte një hap sado fillestar drejt institucionalizimit të kësaj elite të mundshme. Vendosja e dialogut me këtë elitë do të jetë çelësi i vetëm për të mos lejuar rrëshqitjen e shoqërisë drejt shndërrimit të saj në hordhi.
Edhe grupimet shoqërore më të specializuara, të përfshira protestat, ato ambjentaliste, nuk ishin bindëse në paraqitjet e tyre. Sepse askush prej atyre që morën fjalën në rrugë, sheshe, para protestuesve, para publikut nuk arritën të shpjegonin thelbin e shqetësimit të tyre. Në vend të ndriçimit të realitetit të pritshëm që krijonte ardhja e armëve kimike në Shqipëri, u krijua errësim i vërtetë, prej këtej panik dhe çoroditje. Në Perëndim, grupime të tilla, sipas tematikës së shqetësimeve, aktivizojnë në krye të veprimtarive të protestave, ekspertë të vërtetë të fushave përkatëse.
Krahu mediatik vuajti nga të njëjtat simptoma si ato të rrugës. Për më tepër ato morën rolin e komentatoreve të drejtpërdrejta të spektakleve që jepeshin në rrugë dhe sheshe. Nuk u vu re gati askund në mediat një zë i specializuar që të hidhte dritë mbi realitetin e vërtetë. Për këtë mjerisht nuk u treguan të interesuara as qeveria, as opozita.
Në mungesë të një elite, sidomos në mungesë të një elite të institucionalizuar, të një elite me autoritet të barabartë ndaj të gjitha grupimeve politike apo qytetare, do të kemi një shoqëri me tru të shpëlara, së paku me një shoqëri me tru lehtësisht të shpëlashme. Politikani amerikan Powell Clayton dikur thoshte: “Në predikimet e mia shigjetat gjithmonë kanë synuar ndaj hordhisë me tru të shpëlara.”
Mjerisht tiparin e truve të shpëlara duket se e dëshiron dhe e ushqen me qëllim politika në Shqipëri, si mënyrë për ta larguar shoqërinë nga thelbi racional i realitetit. Dhe kështu shoqëria kalon nga njëra fushatë histerizmi në tjetrën. E tillë ishte fushata që mori shkas nga vizita e kryeministrave Thaçi, Rama dhe Erdogan në Prizren, ku u spekullua me një thënie të pathënë nga kryeministri turk për një histeri anti Turqi dhe antiturke. E vetmja kritikë racionale ndaj këtij takimi, në fakt, ishte se ky takim zhvillohej në kuadrin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit në Kosovë dhe ishte një solidaritet elektoral ndaj Thaçit. Por as Turqia, as turqit nuk meritonin gjithë atë shfrim që pamë në mediat tona. Është e drejtë që urrejtjen apo antipatinë të mos e ushqejmë ndaj fqinjëve tanë. Po aq është e drejtë që këto ndjenja të mos i drejtojmë ndaj faktorëve të tjerë.
Shoqërisë sonë i shpëlahen trutë duke e trullosur një herë se rreziku i saj më i madh dhe më urgjent është ai turk. Pastaj i shpëlahen trutë se rreziku i saj më i madh e më ugjent është Xhamia e Madhe e Tiranës apo Xhamia e Madhe e Prishtinës. Pastaj i shpëlahen trutë se rreziku vjen nga zhbirja kolektive që ka emrin asgjësim i armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Kështu logjika kolektive, vetëdija kolektive e shqiptarëve orientohet në mënyrat më të gabuara, më vetëshkatërruese të mundshme.
Lordi Byron thoshte për shoqërinë e kohës së tij: “Shoqëria është tashi një hordhi e polarizuar, e formuar nga dy palë të fuqishme, Bezdisësit dhe të Bezdisurit.” Kur nuk ekziston një faktor i tretë, atëherë hendeku i moskuptimit dhe i kundërvënies mes këtyre rritet. Dhe në raste si të shoqërisë sonë, ai shpërthen kundër vetvetes sonë. Në rrethanat e një bote të hapur, ata që nuk na e falin këtë mëkat janë të tjerët. Nuk ka pse të mos i mirëkuptojmë ata, aq më tepër kur janë miqtë tanë, aleatët tanë, partnerët tanë jetikë më të dëshmuar.
- « Previous Page
- 1
- …
- 8
- 9
- 10
- 11
- 12
- …
- 14
- Next Page »