• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pulëbardhat e Liqenit Léman

June 17, 2018 by dgreca

 – Nga Elida Buçpapaj & Skënder Buçpapaj/

1 Pulbardha

Ka shumë arsye për të vizituar qytetin metropol të Gjenevës, simbolin e harmonisë dhe multikulturalizmit.

Gjeneva është qyteti i Kalvinit, ku e ka qendrën Kryqi i Kuq.

Gjeneva, metropol ndërkombëtar i diplomacisë, ku ndodhen Kombet e Bashkuara, ku zhvillojnë aktivitetin e tyre mbi 22 mijë diplomatë e përfaqësues të misioneve permanente dhe një numër i pafund NGO dhe organizatash e organizmash ndërkombëtare, midis tyre edhe APES,L’Association de la Presse Etrangère en Suisse et au Liechtenstein, Asosacioni i Shtypit të Huaj në Zvicër dhe Lihtenshtejn, ku jemi anëtarë aktivë prej më tepër se 15 vjetësh, njëra nga shoqatat më të vjetra ndërkombëtare të gazetarëve profesionistë, themeluar në 15 Korrik 1928, që këtë vit feston 90 vjetorin e krijimit.

Gjeneva me një popullsi 50 % zviceranë e 50 % me komunitete nga 177 nacionalitete prej gjithë botës, një meltingpot i vërtetë, ku midis tyre jeton edhe një komunitet i madh shqiptarësh, pjesa më e madhe e natyralizuar.

Gjeneva e Liqenit Léman, medaljonit të qytetit, të shkrira e bërë një me njëri-tjetrin.

Për Liqenin ka një poezi të Henri Durand që e quante “Léman, roi de nos lacs”, “Léman, Mbreti i liqejve tanë!”

Emri Léman i Liqenit është përdorur sidomos në kohën e Iluminizmit dhe Revolucionit francez nga Jean-Jacques Rousseau dhe Voltaire. Jean-Jacques Rousseau, autori i Kontratës Sociale, figura më e rëndësishme e iluminizmit, ka frymëzuar me idetë e tij Revolucionin Frëng dhe Kushtetutën e SHBA për shkëputjen nga Kurora britanike.

Liqeni Léman ka formën e një trofte dhe ndahet 60 % me 40 % midis Zvicrës dhe Francës. Aty buron Lumi i Ronës që derdhet pastaj në Mesdhe. Përveç Gjenevës, buzë ujrave të tij shtrihet edhe qyteti i Lozanës, Vevejit, Montrësë etj.

Emri i Gjenevës dhe Liqenit Léman është i lidhur edhe me Shoqërinë Lundruese të Gjenevës dhe Kupën e Artë Mirabo

Shoqëria Lundruese e Gjenevës dhe Kupa e Artë Mirabo – Bol d’Or Mirabeaud

Société Nautique de Genève (SNG) – Shoqata Lundruese e Gjenevës e themeluar në vitin 1872 është e angazhuar me zhvillimin e sporteve të ujit dhe mbështetjen aktive të sportit elitar.
Société Nautique de Genève është një institucion historik, me mbi 3000 anëtarë me mosha dhe prejardhje të ndryshme, që i bashkon pasioni për sportet e ujit.

Shoqëria Lundruese e Gjenevës qëndron aty buzë Liqenit Léman dhe, ndërsa brezat ndërrohen e koha rrjedh, SNG (akronimi Société Nautique de Genève ) identifikohet me plot dinjitet me historikun e emrit që mban.

Shoqata Lundruese e Gjenevës zhvillon aktivitete gjatë gjithë vitit, duke përfshirë mbështetjen e sportit elitar për përfaqësimin e ekipeve të saj në gara për trofe e tituj kombëtare e ndërkombëtarë. SNG mbështet gjithashtu sportistët e rinj elitë për të siguruar vazhdimësinë për një përfaqësim sa më të mirë të ngjyrave të klubit. Për këtë, SNG ka një fond të veçantë për të ndihmuar të rinjtë të cilëve u mungojnë burimet e nevojshme financiare. Atyre u krijohet mundësia të stërviten në gara me vela, kanotazh, skijim ujor etj.etj

Si staf të përhershëm SNG ka 14 punonjës, por si mbështetje ka gjithë metropolin, sipërmarrjen, mediat, vullnetarët, fansat.

Aktiviteti më sinjifikativ i vitit që organizon SNG, si qershia mbi tortë, është Bol d’Or Mirabeau, Kupa e Artë Mirabeaud, që këtë vit festoi 80 vjetorin!

Bol d’Or Mirabeaud – Kupa e Artë Mirabeaud

SNG e organizon Bol d’Or, këtë garë sportive të anijeve me vela në Liqenin Léman, prej vitit 1939.Bol d’Or Mirabeaud është kompeticioni më i madh në rang botëror në një hapësirë ujore të mbyllur sikur janë liqenet. Gara çdo qershor nis në Gjenevë nga Port Noir deri në Bouveret dhe kthim Bouveret – Port Noir Gjenevë. Zgjat 123 km ose 66.5 milje detare. Anijet me vela janë monoskafë ose lloje të ndryshëm katamaranësh.

Në Edicionin e parë organizuar 80 vjet më parë morën pjesë në garë vetëm 26 anije, në Edicionin e 80 të Bol d’Or që u zhvillua prej 8 deri 10 qershor, ku ishim të pranishëm edhe ne, garuan 559 anije që drejtoheshin nga 3000 lundërtarë zviceranë e të huaj nga 14 vende të botës.

Eventi si një festë e madhe nisi të premten, më 8 qershor me konfirmimet e pjesëmarrësve në garë pranë SNG. Po të premten, pas një dreke të organizuar nga Grupi financiar Mirabeaud, prej 12:00 deri në orën 18:30 ishte edhe dita e medias, e kontakteve të gazetarëve me pjestarët e ekipeve, intervistave etj.etj. Një grup gazetarësh do t’i shoqëronin garuesit edhe gjatë garës në liqen. Në mbrëmje u ofrua koktej nga mikpritësi dhe një koncert live në anijen Neptun që gjatë gjithë kohës shërbeu si skenë. Qendra e mediave ishte vendosur në një hapësirë të SNG rrethuar nga xhamllëku nga ku shikohet e gjithë skela dhe po ashtu liqeni ku të nesërmen do të zhvillohej gara.

Në SNG, prej 8 deri 10 qershor, adrenalina kishte arritur kuotat më të larta. Fansat kishin shansin të takoheshin me Skippersat e famshëm, ritakoheshin miq të vjetër, gazetarët ose ishin në kërkim të personazhit ose fiksoheshin nëpër laptopët e tyre. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të sipërmarrjeve që mbështetën eventin. Pihej birre e verë, shkëmbeheshin kartvizita, krijoheshin grumbuj tifozësh rreth skudrave të zemrës, shkrepeshin fotot dhe selfiet nga celularët.

Në mëngjezin e 9 qershorit të gjithë ishin aty. Në orën 6:30, garues, gazetarë, vullnetarë, fansa, admirues të pafund dhe fanatikë të zjarrtë të Bol d’Or e të emrave që identifikohen me këtë garë, e cila, tashmë e kthyer në legjendë, formon një trinitet me qytetin e Gjenevës dhe Liqenin Léman, pasi është regata më e rëndësishme në botë e hapsirave liqenore, ku është në garë shpirti luftarak i lundërtarëve, i skippers-ave, ku solidariteti i ekipeve në grup merr kuptim domethënës, si një sfidë sportive për t’u përballur jo vetëm me lundërtarët e tjerë, por për t’u përballur edhe me shiun, stuhinë, me trillet e liqenit të harbuar prej tërbimit apo me një liqen vaj e të palëvizshëm kur Perëndia Eol bashkë me erën kanë marrë arratinë kush e di se ku.

Gara do të fillonte në orën 10:00 me tre të shtëna topi. Ishte një skenë magjike, kur nëpër Liqen u shpërndanë anijet me vela, si tufa gjigande pulëbardhash, duke shfaqur një spektakël të jashtëzakonshëm. Liqeni dremiste, dielli shndriste, ishte një ditë brilante qershori, por era mungonte çka nuk e favorizonte aspak garën.

Skena e e anijeve me vela që krijonin asosacion me pulëbardhat ishin një mrekulli ku merr pjesë natyra dhe njeriu, të gërshetuara me dashuri dhe pasion, që lancon bukurinë e garës, shpirtin sportiv dhe emrin e Bol d’Or.

Bol d’Or nuk do të ekzistonte nëse dashuria dhe pasioni garues nuk do të mbështetej nga qyteti dhe sipërmarrja private. Buxheti i kësaj gare tre ditore që kushtoi mbi 1 milionë franga zvicerane u financua nga sponsori gjeneral, Banka Mirabeaud por edhe nga firma me emër si Hublot, Faigle, BMV, Peroni, Hoteli i famshëm Le Richemmond që mikpriste të ftuarit dhe gazetarët, firma e taksive BMV që lehtësonte lëvizjen e të ftuarve e kështu me rradhë.

Nuk do të lemë pa përmendur 150 vullnetarët që u vunë në shërbim të eventit, që dalloheshin nga tshirt-i nga ngjyra gri në të rimtë me logon e aktivitetit dhe nga dëshira për t’i kontribuar mbarëvajtjes të aktivitetit.

Në garë u përfshinë 559 anije, të llojeve të ndyshme, monoskafë dhe poliskafë, nga ku 301 anije e braktisën garën

Ky është viti i 80 i kësaj gare të bukur në Liqenin Léman që është kthyer në një festë. Kjo garë që nisi 80 vjet më parë, evuloi nga viti në vit, edhe sa i përsa i përket perfeksionimit teknologjik, ashtu edhe shpirtit garues, pjesëmarrjes, duke tërhequr vemendjen jo vetëm të Gjenevës, por edhe të botës, sepse kësaj gare i janë bashkangjitur lundërtarët më të famshëm nga e gjithë bota sikur Ellen MacArthur, Russell Coutts, Loïck Peyron. Ky i fundit në Edicionin e 80-të ishte edhe i ftuar i nderit. Por janë së pari vetë ekipet zvicerane të Bol d’Or që kanë bërë histori dhe janë kthyer në histori, duke fituar trofe jo vetëm në këtë garë, por edhe nëpër kompeticione me famë botërore sikur Alinghi, me pronar dhe drejtues multimilionerin Ernesto Bertarellin, që garon nën flamurin e SNG dhe ka fituar 2 herë trofeun e America’s Cup, në vitin 2003 dhe 2007.

Bertarelli me Alinghin dhe motra e tij Dona Bertarelli me katamaranin Ladycat, seicili me skuadrën e vet, që kanë fituar disa trofe të Bol d’Or, luftuan edhe këtë vit për të fituar trofeun e Edicionit të 80të, por këtë vit fitues doli Mobimo, i drejtuar nga Christian Wahl në kohën 14 orë 14 minuta e 2 sekonda. Në Edicionin Bol d’Or 2017, fitues ishte Alinghi në kohën 5 orë e 11 minuta, ndërsa Ladycat powered by S zuri vendin e dytë, duke arritur një minutë e 34 sekonda më vonë, në kohën 5 orë 12 minuta e 34 sekonda.

E vendosëm kohën e dy edicioneve të fundit për të parë efektin që luan era. Në Edicionin e 80të të Bol d’Or Mirabeaud, që njihet ndryshme me akronimin BOM, era ishte inekzistente, çka bëri që gara të zgjatej dhe fitorja e Mobimo u shënua në orën 00:13 të mesnatës të ditës të djelë. Skuadrat e Okalys dhe Ylliam luftuan deri në fund për vendin e parë, por Mobimo ia doli. Në këtë garë Alinghi zuri vendin e katërt.

Ndërsa pritetej zbarkimi i lundërtarëve në SNG, gjatë gjithë natës vazhdonte festa e shoqëruar edhe nga një koncerti live në skenën e anijes Neptun me artistë të sponsorizuar nga Festivali i Xhazit në Montrë. ( Jazz Festival Montreux) . Dhe kështu zgjati deri në agim ndërsa vazhdonin e ktheheshin garuesit e fundit.

Gara u ndoq live nga mijra e mijra fansa që morën pjesë direkt, ose përmes internetit, në youtube dhe rrjeteve sociale. Në SNG ishte po ashtu një ekran gjigand që përcillte live.

Aktiviteti shkoi mrekullisht, me një mbyllje nostalgjike të djelën në mbrëmje ku u shpërndanë trofetë.

Trofenë e Bol d’Or, kupës së Artë, e fitoi Mobimo, ndërsa organzatorët, të hënën më 11 qershor, nisën të merren me organizimin e Bol d’Or81!

Mbyllja

Në qytezën ku jetojmë në pjesën gjermane të Zvicrës kalojmë shpesh pranë një vile ku na priste me të lehura miqësore një qenush. U bëmë miq edhe me qenushin edhe me të zonjën. Qenushi quhej Alinghi, për nder të skuadrës Alinghi që kishte sjellë trofetë e fitimtarit në Kupës të Amerikës dy herë në Zvicër. Zonja, një fanse e regatave dhe e Alinghit, prandaj ia kishte vënë emrin qenit të saj, ndërsa ne patëm fatin që të merrnim pjesë live në kompeticionin më të bukur të Liqenit Léman ku garuan ekipet aq të njohura si Alinghi, Mobimo, Zen Too, Ylliam, Phaedo2, Safram, Ladycat etj etj. Tani jemi edhe fansa të tyre. Në shtëpinë tonë kemi dy mace me emrat Sushi dhe Nori. Nëse do të mikpresim një maçok të tretë, padyshim që do t’ia vemë emrin Alinghi ose Bom-Bom!

Por e sigurta është se ne do të kthehemi përsëri në SNG, si fansa për të ndjekur gara të tjera.

Ka edhe një arsye më shumë se përse ia vlen ta vizitosh Gjenevën!

Alinghi

 

Fotot janë të fotografit Loris von Siebenthal dhe janë marrë nga faqja zyrtare e SNG.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Pulëbardhat e Liqenit Léman, Skender Bucpapaj

A është Islamizmi i pranishëm në Kosovë?

March 7, 2018 by dgreca

  • Is Islamism present in Kosovo?/

Nga Skënder Buçpapaj/1 skenderiKjo pyetje lind nga fakti se sot 96% e popullsisë së Kosovës është me prejardhje nga familje myslimane. Shumica e tyre janë shqiptarë.Përgjigjen më të drejtë mund ta japë bashkëjetesa e traditave dhe e aktualitetit në këtë hapësirë.Prej dy mijë vitesh shqiptarët janë katolikë ose të krishterë perëndimorë.

Prej rreth një mijë vitesh, pra, nga viti 1054, kur u bë ndarja në Kishë Perëndimore dhe Kishë Lindore, një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve u bënë ortodoksë.

Prej katër shekujsh, një pjesë e madhe e shqiptarëve u bënë myslimanë. Kalimi në këtë praktikë fetare ndodhi kur kjo hapësirë zyrtarisht qeverisej nga Perandoria Myslimane Otomane.

Edhe gjatë kësaj periudhe tek shqiptarët vepruan më shumë ligjet lokale të quajtura kanune, ligje të hartuara nga princat katolikë. Këto ligje vazhduan t’i rregullojnë marrëdhëniet e shqiptarëve, të ruajnë gjuhën, zakonet, traditat dhe invidualitetin e tyre kombëtar pavarësisht se janë katolikë, ortodoksë, myslimanë apo ateistë.

Në Shekullin XIX Kosova u bë qendra kryesore e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për Pavarësi. Në Kosovë u zhvilluan betejat më të fuqishme kundër Perandorisë Otomane dhe kundër fqinjve sllavë kolonialistë.

Kjo lëvizje u udhëhoq nga idetë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Motoja frymëzuese e Rilindjes Kombëtare Shqiptare ishte «Feja e shqiptarit është shqiptaria». Kështu u ruajt vëllazëria shqiptare.

Fqinjët e shqiptarëve, kryesisht ata ballkanas, e kanë përdorur përkatësinë islame të shqiptarëve si prektest për të justifikuar copëtimin e atdheut të shqiptarëve. Përkatësia islame është përdorur atëherë për t’i identifikuar shqiptarët me turqit dhe për t’i justifikuar padrejtësitë monstruoze ndaj shqiptarëve.

Edhe Millosheviçi këtë pretekst shpalli në fund të Shekullit XX.

Gjatë periudhës pas Luftës së Parë Botërore, Kosova u sundua nga autoritetet socialiste në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ). Gjatë kësaj periudhe, shqiptarët e Kosovë u shekullarizuan vazhdimisht.

Propaganda zyrtare e asaj kohe i konsideronte fondamentalistë islamikë shqiptarët që kërkonin republikë në kuadrin e Jugosllavisë.

Fuqitë e Mëdha në Shekullin XIX dhe në fillim të Shekullit XX i kanë mbështetur fqinjtë e shqiptarëve në arritjen e qëllimeve të tyre. Në fund të Shekullit XX, Amerika, në krye të NATO-s, nuk e pranoi pretekstin e Millosheviçit. Prej gati njëzet vjetësh, Kosova është vend i çliruar. Prej dhjetë vjetësh Kosova është shtet me njohje të gjerë ndërkombëtare. Për këtë Kosova i është mirënjohëse Zotit dhe Amerikës. Bill Clinton, kur mori vendimin për të çliruar Kosovën tha se ne po marrim në mbrojtje një popull mysliman evropian.

Me islamizëm në kohën e sotme përgjithësisht kuptohet islami ekstrem. Në Kosovë praktikohet islami tradicional shqiptar, islami i moderuar. Ai dallohet për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërfetare, një realitet shqiptar, unikal në botë. Në gjithë historinë e shqiptarëve nuk është shënuar as incidenti më i vogël ndërfetar.

Ndjenjat e shqiptarëve ndaj përkatësisë fetare të popujve të tjerë e kanë kaluar me sukses shembullor provën e tyre në qëndrimin e tyre ndaj hebrejve.

Lind pyetja: Atëherë pse një numër shqiptarësh myslimanë nga Kosova u bënë pjesë e ISIS-it?

Kosova, si shumë vende të tjera, u zu në befasi. Individë të veçuar apo grupe të vogla të rinjsh u rekrutuan dhe u dërguan në Siri dhe Irak. Rekrutuesit e tyre ishin klerikë myslimanë vahabistë. Koha tregoi se islami ekstrem nuk ka shanse në Kosovë.

Të rinjtë e sotëm të Kosovës janë fëmijët e luftës të Kosovës, të ngulitur në kujtesën e njerëzimit gjatë viteve 1998-1999. Ata janë lindur dhe rritur me filozofinë e Presidentit Ibrahim Rugova për një Kosovë të pavarur dhe sovrane, në marrëdhënie sa më të mira me fqinjët, për një Kosovë të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si dhe në miqësi të përjetshme me Amerikën.

***

Is Islamism present in Kosovo?

This question arises from the fact that today, 96% of Kosovo’s population are from Muslim family backgrounds. Most of them are ethnic Albanians.

The most direct answer can be given by the coexistence of the traditions and the actuality in this region.

Since two thousand years, Albanians have been of Catholic or Western Christian denomination.

Since about a thousand years, then, from 1054, when it became part of the Western Church and the Eastern Church, a considerable part of the Albanians became Orthodox.

Since four centuries, a large part of Albanians became Muslims. The transition to this religious practice occurred when this region was officially governed by the Ottoman Muslim Empire.

Even during this period, Albanians acted more on local laws called canons, laws drafted by Catholic princes. These laws continued to regulate Albanian relations, preserve their national language, customs, traditions and national affiliation regardless of being Catholic, Orthodox, Muslim, or atheistic.

In the nineteenth century Kosovo became the center of the Albanian National Movement for Independence. In Kosovo, the most severel battles against the Ottoman Empire and against the colonial Slavic neighbors took place.

This movement was led by the ideas of the Albanian National Renaissance. The inspirational motto of the Albanian National Renaissance was “The Albanian religion is Albanianism.” Thus the Albanian brotherhood was preserved.

Neighbors of Albanians, mostly Balkans, have used the Islamic denomination of Albanians as pretext to justify the shattering of the homeland of the Albanians. Islamic affiliation was then used to identify Albanians with Turks and to justify monstrous injustices against Albanians.

Milosevic also proclaimed this pretext at the end of the twentieth century.

During the period after World War II, Kosovo was governed by secular socialist authorities in the Socialist Federal Republic of Yugoslavia (SFRY). During that period, Kosovars became more secularized. Official propaganda regarded as Islamic fundamentalists Albanians seeking a republic in the framework of Yugoslavia.

The Great Powers in the 19th and early 20th centuries have supported the Albanians’ neighbors in achieving their goals. At the end of the twentieth century, America, at the helm of NATO, did not accept the Milosevic pretext.

Since nearly twenty years, Kosovo is a liberated country. Since ten years, Kosovo is a state with broad international recognition. For this, Kosovo is grateful to God and America. Bill Clinton, when making the decision to liberate Kosovo, said that we are defending a Muslim European population.

Islamism at this time, is generally understood as extreme Islam.

In Kosovo traditional Albanian Islam is practiced, a form of moderate Islam. It is distinguished for excellent interfaith relations, an Albanian reality, unique in the world. There has not even been a small inter-religious incident in all history of Albanians.

The sentiments of Albanians to the religious affiliation of other peoples have successfully passed exemplary proof in their attitude towards the Jews.

The question is: Why then did a number of Muslim Albanians from Kosovo become part of ISIS?

Kosovo, like many other countries, was caught by surprise. Separated individuals or small groups of young people were recruited and sent to Syria and Iraq. Their recruits were Wahhabi Muslim clerics. Time indicated that extreme Islam has no chance in Kosovo.

Today’s young people in Kosovo are Kosovo’s war children, embedded in the memory of humanity during 1998-1999. They were born and raised with the philosophy of President Ibrahim Rugova for an independent and sovereign Kosovo, in a better relationship with its neighbors, for an integrated Kosovo in the European Union and NATO, and in everlasting friendship with America.

Filed Under: Analiza Tagged With: Is Islamism, present in Kosovo?, Skender Bucpapaj

Pse qytetari dixhital i Ramës fa schifo

July 16, 2017 by dgreca

Nga Skënder Buçpapaj/

‘Qytetari dixhital’ i Ramës ‘é una schifezza’ do të thoshin italianët, është një neveri, një krupë, një gërdi, themi ne shqiptarët.

I ashtuquajturi ‘komunikim me qytetarët’ që kryeministri aktual i Republikës së Shqipërisë Edi Rama ka ndërmarrë në ndërkohën mes zgjdhjeve të reja parlamentare dhe formimit të qeverisë së re ‘socialiste’, nuk është asgjë tjetër veçse një kopjim, një plagjiaturë e “qytetarit dixhital”, që ish kryeministri Sali Berisha ka ndërmarrë në faqen e tij në facebook pas zgjedhjeve parlamentare të para katër vjetëve.

Në ato zgjedhje Sali Berisha e humbi pushtetin, e humbi zyrtarisht drejtimin e Partisë Demokratike dhe, përveç paraqitjeve të tij në seancat parlamentare të të enjteve, nuk ka me çfarë të merret. Kohën e tij më aktive Berisha ua kushton statuseve në faqen e tij zyrtare në facebook dhe komunikimeve me qytetarët. Këta e njohin ish kryeministrin me shkeljet e ndryshme në administratën shtetërore, me fakte të freskëta negative shpesh në kohë reale, që ndodhin në jetën e përditshme anembanë vendit.

Qytetarët që pa ndërprerë e njohin me realitetin, Berisha i përmbledh në “Qytetarin dixhital” dhe komunikimin e tij e konsideron një rubrikë mediatike. Pa përjashtim, të gjitha statuset e Berishës, të buruara nga ky komunikim gjejnë botim të menjëhershëm në të gjitha llojet e mediave shqipe, të të gjitha llojeve.

Vetëm një numër i vogël i tyre nuk konfirmohet nga realiteti, pra janë të rreme, të sajuara qëllimisht nga qytetarët e ndryshëm, për t’ia zbutur ndikimin këtij komunikimi të Berishës. Prej shtatorit të vitit 2013, kur u largua nga pushteti, Berisha, siç e përmenda, i ka gjithnjë e më të pakëta mjetet për ta verifikuar shkallën e vërtetësisë së një informacionit nga terreni. Prandaj reagimi i publikut ndaj kësaj mënyre komunikimi të ish kryeministrit është kryesisht miratuese.

Rama e ka kopjuar në shumëçka Berishën. Përgjithësisht politikanët shqiptarë i kopjojnë shumë pasardhësit e tyre, nga Enveri, Mehmet e deri tek këta të fundit. Të gjitha këto kopjime ‘fanno schifo’, ngjallin neveri. Por kjo do të ishte temë më vete. Rama po e kopjon tashi Berishën ish kryeministër, pra nuk po e kopjon Berishën kryeministër, çka ngjall, veç të tjerash mosmiratime në publik dhe jo vetëm në personat që preken drejtpërdrejt nga këto që publiku i quan ‘listat e zeza’ apo ‘fletërrufe’ të Ramës.

Në këto ‘lista të zeza’, ‘fletërrufe’, ‘dacibao’, ‘gazeta muri’ krahas emrave të panjohur, përfshihen edhe emra personalitetesh të shquar. Këta të fundit nuk i kanë ardhur pas qejfit ndonjë teke të ndonjë militanti ‘socialist’ dhe ky ia nxin emrin drejt e tek vëmendja e kryeministrit aktual.

Publikimi i emrave, të shquar apo të pashquar, të njohur apo të panjohur le të jenë këta, nga kryeministri aktual, në kohën kur ai e mban veten të jetë në kulmin e pushtetit, më i votuari pas Enver Hoxhës, më i stërfuqishmi pas tij, lind një dyshim të fortë, ngre një dyshim të madh: Kryeministri më shumë se fuqinë e tij, më shumë se pushtetin e tij a mos po e ndjen pafuqinë e tij, papushtetin e tij. (?!?) Tashi që e ka timonin i vetëm dhe që po e mbërthen e po shtrydh gjithnjë e më shumë në duart e tij, a mos vallë anijen po ia rrëmbejnë valët dhe atij po i ngelet vetëm timoni?!!!

Sepse një kryeministër në pushtet, për më tepër një kryeministër në ngjitje marramendëse, siç e mendon ai veten e tij, do të kishte mundësinë t’i verifikonte njoftimet e qytetarëve dhe, vetëm pasi t’i ketë veirifikuar, natyrisht, në kohën sa më të shpejtë, t’i shpallë emrat bashkë me bëmat dhe me pasojat e bëmave të tyre.

Administrata e Ramës është e krimbur. Është mirë që kryeministri ta mbajë vëmendjen të përqëndruar pikërisht aty. Për administratën joshtetërore, Rama le të krijojë e konsolidojë institucionet.

Le të ketë edhe pak besim tek Reforma në Drejtësi. Sepse komunikimet e Ramës me qytetarët nuk e zëvendësojnë Reformën në Drejtësi. Edhe këtu duket se po kapërcej në një temë tjetër.
“Listat e zeza” të Ramës, veç të tjerash, nuk shpëtojnë nga sensi i hakmarrjes. Nuk shpjegohen ndryshe ngutjet e një kryeministri, që e kalon një pjesë të madhe të përditshmërisë së tij duke komunikuar në facebook me qytetarët, për të borohoritur sapo në rrjetën e merimangës së tij të komunikimit me publikun bie ndonjë emër i madh.

Filed Under: Opinion Tagged With: i Ramës fa schifo, pse, qytetari dixhital, Skender Bucpapaj

7501 është padrejtësi, padrejtësia është informalitet, informaliteti është mafie

May 10, 2017 by dgreca

2 skender-bucpapaj-voal14-300x144Nga Skënder Buçpapaj/Shoqata Kombëtare e Pronarëve Legjitimë ua ka shpërndarë mediave një letër drejtuar kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Në thelbin e saj racional, letra mëton se kjo shoqatë, përkatësisht kategoria e përfaqësuar prej saj, nuk po përfillet si grup interesi as nga ky kryeministër, ashtu si nuk ishte përfillur deri tash nga kryeministrat Fatos Nano dhe Sali Berisha. Pa u përfillur ky grup interesi, pa u përfshirë në zgjidhjen e çështjes së pronës në Shqipëri, ngulmohet në letër, nuk do të ketë drejtësi ndaj pronës, pra nuk do të ketë zgjdhje të vërtetë, por ndërlikim të mëtejshëm të çështjes së pronës. Çështja e pronës, dihet, është përcaktuese për natyrën e vërtetë të çdo sistemit, historikisht – a është ai skllavopronar, feudal apo borgjez, aktualisht – a është ai kapitalist, socialist apo mafioz.

Nisur nga alergjia që Edi Rama manifeston në retorikën e tij ndaj dyshes Nano-Berisha, mishërues të tranzicionit dykokësh shqiptar, unë jam nga ata që ka pritur dhe ende vazhdon të presë që kryeministri i ri të krijojë shkëputje nga dy paraardhësit kryesorë. Pa u bërë shkëputja nga trashëgimia e kësaj dysheje, nuk mund të bëhet shkëputja nga politika e vjetër, nuk mund të ketë, pra, as Rlindje të vërtetë në realitetin shqiptar.

Edi Rama iu ka premtuar shqiptarëve, ndër të tjera se do t’ia kthejë Shqipërisë fshatin, një përmasë të humbur të realitetit të saj, kështu do t’ia kthejë ekonomisë një këmbë të humbur të saj, bujqësinë. Nëse kryeministri kërkon të dijë se kush dhe çka shkaktoi braktisjen e fshatit dhe ruralizimin e qytetit, atëherë përgjigja është ligji 7501. Është e vërtetë se ky ligj shënon edhe kompromisin më të madh midis PS-së dhe PD-së në historinë e këti tranzicioni. Por është e vërtetë gjithashtu se ky është kompromisi më famëkeq i arritur midis këtyre dy grupimeve, si dhe midis krerëve të tyre.

Nuk është zbatimi i keq i këtij ligji shkak kryesor i dështimit të politikës ekonomike të Shqipërisë, i informalizimit të kësaj ekonomie dhe të jetës shqiptare në përgjithësi, por është vetë ligji, është pazabtueshmëria e këtij ligji, burim i të gjitha të këqijave. E thonë filozofë të shquar, e thonë edhe vetë librat e shenjtë se vendimet e shumicës, vendimet në emër të shumicës shpesh përbëjnë padrejtësi të mëdha. I tillë është edhe ligji 7501, një ligj përjashtues ndaj një kategorie që përbën pakicë tek kutia e votimit. Fakti që kjo kategori përbën pakicë, në të vërtetë, e lehtësonte zgjidhjen e padrejtësisë historike, tashmë treçerekshekullore ndaj çështjes së pronës.

Ligji 7501 legjitimonte Reformën Agrare të vitit 1947, të cilin Historia e PPSH dhe e gjithë historiografia komuniste e përcakton si reformë demokratike. Duke e kopjuar symbyllur Enver Hoxhën, dyshja Nano-Berisha nuk e morën parasysh ndryshimin e realitetit shqiptar nga viti 1947 deri në vitin 1991. Kështu që, mbi një padrejtësi të madhe historike ndërtuan një padrejtësi tjetër tejet tragjike. Kjo padrejtësi e re u bë shkak kryesor i krimit ndaj jetës në Shqipëri, duke shkaktuar më shumë viktima se të gjitha pushtimet marrë së bashku, për më tepër ky krim përçau familjet, farefiset, e tronditi dhe e çekuilibroi fatalisht bashkëjetesën në këtë vend. Përjashtimi i një kategorie pakicë, pra, çoi në rrënimin e vetë shumicës në emër të së cilës u miratua ligji 7501.

Kryeministri Edi Rama po i përmbahet premtimit të tij për të përfunduar procesin e legalizimit të ndërtimeve të paligjshme. Mbyllja e tij sa më e shpejtë do të ndihmonte në fillimin e procesit të urbanizimit të vendit, pra të qytetit dhe të fshatit shqiptar, të bregdetit, të fushës dhe të malësisë. Ky legalizim, ndërkohë, shënon grabitjen e trojeve, pra, pronës së pronarëve legjitimë, duke e përshkallëzuar më tej padrejtësinë treçerekshekullore. Kjo situatë pjell informalitet dhe informaliteti pjell vetëm mafie. Është, kështu, më urgjente se kurrë përfshirja e kategorisë së pronarëve legjitimë në bashkëbisedimin për gjetjen e zgjidhjeve sa më të pranueshme për t’i dhënë fund padrejtësisë, për t’i dëmshpërblyer të dëmtuarit dhe për t’i kënaqur kërkesat e tyre.

Kjo do t’i jepte fund, nga një anë, krijimit të oazeve të reja të parajsës, ku jetojnë oligarkët, rrethuar prej ferrit ku jeton pjesa tjetër e popullsisë. Nga ana tjetër, do t’ia kthente jetën fshatit, do t’ia kthente bujqësinë ekonomisë, do t’ia kthente tregut shqiptar prodhimet bujqësore dhe blegtorale, do ta shndërronte atë në burim të degëve të reja të ekonomisë, në burim masiv të vendeve të reja të punës, në burim të shtrirjes së zhvillimit dhe zgjerimit të mirëqenies.

Shqipëria mëton të ndërtojë infrastrukturë për zhvillimin e turizmit. Por kjo nuk mund të ndërtohet pa infrastukturë të jetës së vendit. Pa kthimin e jetës në fshat anembanë vendit nuk mund të ketë ringjallje të infrastrukturës së tij. Asnjë turist serioz nuk do t’ia mësynte një vendi me rrënoja. Shqipëria do të shndërrohej kështu thjesht në një burim të turizmit aventuror.

Zgjidhja e çështjes së pronës në Shqipëri nuk mund të bëhet duke i përjashtuar pronarët ligjitimë nga pjesëmarrja në zgjidhjen e kësaj çështjeje, nuk mund të zgjidhet duke mos ua dhënë atyre paratë e fituara nëpërmjet Gjykatës së Strasburgut. Kjo kategori meriton të zgjedhë midis shanseve më të mira të mundshme, të cilat janë reale dhe të mundshme në Shqipëri. Kjo kategori meriton dëmshpërblimin për treçerekë shekulli të grabitjes së padrejtë dhe shpërdorimit mizor të pronës së tyre të ligjshme.

Kryeministri Rama, shumica e re qeverisëse, klasa politike në Shqipëri, sa më shpejt të vetëdijësohet, aq më mirë: Ligji 7501 është bërë në dëm të një pakice të ligjshme. Zbatimi i tij nuk ka qenë dhe nuk do të jetë në të mirë të shumicës së popullsisë. Ai ka krijuar në këtë tranzicion një pakicë të re të paligjshme pronarësh dhe të pasurish, e cila përditë e më shumë shndërrohet në një problem që nuk e ndihmon, por e pengon zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat është i mbingarkuar stërmundimshëm realiteti shqiptar.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ligji 7501, mafie, padrejtesi. informalitet, Skender Bucpapaj

Të ishte Edi në vend të Lulit, të ishte Luli në vend të Edit

April 21, 2017 by dgreca

Nga Skënder Buçpapaj/

U bënë 50 ditë që Luli erdhi me çadrën e tij fare pranë zyrës së Edit. Kreu i opozitës erdhi fare pranë zyrës së Kryeministrit, saqë ky disa herë desh e ka ngatërruar derën e Kryeministrisë me derën e Çadrës së Lirisë.Përëndrrat kryeministrore u përzien aq rëndshëm me përëndrrat kryeopozitare, saqë njëri zgjohet nga përëndrra e tij dhe i duket vetja se është tjetri. Edi zgjohet nga përëndrra e tij dhe i duket vetja se është Luli, kryeministri zgjohet nga përëndrra e tij dhe i duket vetja se është kryeopozitari; nga përëndrra (ëndrra me sy hapur) zgjohet kryeopozitari dhe i duket vetja se është kryeministri. Është e paplotë, është përgjysmë përëndrra e njërit pa përëndrrën e tjetrit, sepse ato priten në mes gjithmonë nga i njëjti ankth dhe nga i njëjti makth, por edhe sepse ato puthiten, qepen, ngjiten, saldohen mes tyre, duke u bërë një nga e njëjta shpresë e përbashkët.Ankthi i njëjtë, makthi i njëjtë, i përbashkët i kryeministrit dhe kryeopozitarit është Reforma në Drejtësi. Shpresa e përbashkët është që Reforma në Drejtësi të jetë një kreaturë që të mos e ketë kurrë fatin e ardhjes në jetë, të jetë një fetus që të ndërpritet në muajt sa më të hershëm të pasngjizjes.

Të ishte Edi në vend të Lulit

Luli do të donte që çadrën e tij ta vendoste poshtë dritares së Ramës, por ashtu do të dukeshin si Romeo dhe Zhuljeta.Më mirë, tha, të jetë në hapësirën midis dritares së ish Mehmet Shehut dhe dritares së ish Enver Hoxhës. Dhe prej këtu deri tek Perëndia të jetë Hapësira e Lirisë. Qielli që harkohet mes njërës dhe tjetrës të jetë Qielli i Lirisë. Prej godinës së ish Mehmetit deri tek godina e ish Enverit të jetë Sheshi i Lirisë.Vetë Rama, kur ishte kryeopozitar, nuk e vendosi çadrën e tij poshtë kryeministrit të atëhershëm, sepse do të dukeshin si Zhuljeta e Romeo.

Është një kohë shumë habitore, nëse e përmban gramatika një të tillë, kur Rama do të donte (oh, sa do të donte) të ishte kryeopozitari dhe të protestonte ai kundër Reformës në Drejtësi, të mos i kishte rënë Lulit shorti për këtë kryevepër historike.Po të ishte Edi në vend të Lulit, protesta në çadër do të kishte filluar që në ditën e parë kur u zu në gojë Reforma në Drejtësi. Sot, pra, nuk do të kremtohej dita e 50 e satë e Çadrës së Lirisë, por do të kremtohej dita e 500 e satë e saj.

Çadra e Lirisë e Edit nuk do të ishte e hapur si kjo e Lulit, do të ishte e mbyllur. Dhe në çdo paraqitje publike do të dilte nga një zëdhënëse e re, secila do të ishte një fytyrë e re për publikun, madje edhe një zë i ri. Ato do t’i mërmërisnin, secila më ëmbël se tjetra, do t’i recitonin secila më kumbueshëm se tjera, do t’i këndonin secila më sokëllitshëm se tjetra pjesët e tyre para publikut. Do të ishin si sirenat mitologjike, nuk do të kishte dëgjues apo shikues që të mos binte viktimë e magjisë së tyre. Ndërsa Edi atëherë, Luli tashi, do të shfaqeshin një herë në ditë para gazetarëve nga Selia Rozë, përkatësisht nga Selia Blu.Brenda çadrës së Lirisë sot dëgjohet muzikë, luhet domino, tavlla, shah, ik një ndërresë çadristësh, vjen një ndërresë e re çadristësh, e marrin fjalën njëri pas tjetrit eksponentë të opozitës, e merr fjalën çdo ditë Basha, derisa i shterron zëri i rezervuar për ditën apo natën përkatëse.Brenda çadrës së grevës së Edit hahej, pihej, flihej, shihej, fshihej, rrihej, arrihej, mbërrihej, nuk pushonin ditë e natë shuarjen e urisë së grevistëve shërbimet sociale që sillnin ushqime e pije dhe nxirrnin ambalazhe e mbetje ushqimore, nuk pushonin shërbimet mjekësore që matnin pulset, temperaturat, tensionet, nivelet e sheqerit. Atje ngrënë, pirë, shtrirë, ngrirë, shkrirë, mpirë, çmpirë do të koaludohej administrare e Edit, do të formatoheshin zero reformat e Edit të këtyre katër vjetëve, zero rezultatet e qeverisjes së Edit.

Rama nuk do të kishte bërë kurrë ndaj qeverisë një opozitë kaq dëfryese, kaq zbavitëse, kaq çlodhëse dhe ripërtëritëse si ajo e Bashës. Një opozitë të tillë Rama e ka bërë vetëm nga pranvera e vitit 2008, kur ndodhi Gërdeci, deri në pranverën e vitit 2009, kur Berisha mori mandatin e dytë të kryeministrit nga zgjedhjet e atëhershme. Rama u kujtua të bëjë opozitë pas humbjes zgjedhore dhe të kërkonte me qindra ditë pa pushim hapjen e kutive. Këtë e bënte vetëm që të mos e shkarkonin nga kreu i Partisë Socialiste dhe jo pse ia kishin mohuar postin kryeministror.

Basha e shfajëson veten se bëri katër vjet opozitë konstruktive. Ndërsa e la opozitarizmin për katër muajt e fundit, tashi kërkon edhe muaj të tjerë plotësues për t’u përgatitur për garën e re zgjedhore. Këtë e bën jo pse e synon postin kryeministror, por vetëm sepse ka frikë se do ta heqin nga kreu i Partisë Demokratike.

Të ishte Luli në vend të Edit

Përballë Reformës në Drejtësi edhe vetë ish Enveri, edhe vetë ish Mehmeti do të bëheshin besimtarë dhe do t’i luteshin Zotit 7 herë, 77 herë 77 mijë, milionë, miliardë herë që të shpëtonin prej saj, sidomos prej Vettingut.

Po të ishte Luli në vend të Edit, të ishte kryeministër e të mos ishte kryeopozitar, gjëja e parë që do të bënte do të ishte shfuqizimi i menjëhershëm i krejt paketës ligjore të Reformës në Drejtësi. 19 kriminelët e Edit në Kuvendin e Shqipërisë do të merrnin frymë lirshëm dhe në Kuvendin e ri do të hynin 190 kriminelë nga 140 anëtarë të mundshëm. Vetëtimat e Vettingut do të shndërroheshin në ylberë triumfi për të gjithë ata që pritej të prekeshin nga Reforma në Drejtësi. Republika e Re do të vinte në piedestal të gjithë Rilindasit që manovruan për të mos e vënë kurrë në jetë Reformen në Drejtësi. Janë gati për ta titujt Nderi i Kombit, Urdhëri i Flamurit, Urdhëri Gjergj Kastrioti Skënderbeu e tjerë e tjerë.

Rama në pranverën e para katër vjetëve iu premtoi shqiptarëve hapjen e qindra mijë vendeve të punës. Dhe e mbajti fjalën. Nga 30 mijë sa kishte të punësuar Lazarati më 2013, sot Lazaratët kanë të punësuar 300 mijë. Të tjerët, që nuk pranuan të jenë kultivues, industrializues, shpërndarës të kanabisit, me shumë marifet u përcollën për në vendet e ndryshme të Evropës, ku ata të arrijnë para se të arrijë Shqipëria, atdheu i tyre i dashur, i cili ua shikon shpinën përditë e më shumë miliona bijve e bijave që ikin për të mos u kthyer.

Po të jetë Luli në vend të Edit, pra kryeopozitari po të bëhet kryeministër i vendit, të gjithë të pakualifikuarit në kanabis dhe në trafiqet e tjera, të gjithë mërhumët dhe mërhumet që nuk dinë të korruptohen as të korruptojnë, që nuk dinë të trafikojnë apo të trafikohen, pra të gjithë këta e të gjithë këto të përcillen për në Evropën aq të dëshiruar. Dhe në vend të tyre, Atdheun e dashur, Shqipërinë e shqiponjave ta gëzojnë, ta trashëgojnë popullsi të njohura botërisht gjatë shekullit të kaluar dhe në shekullin e ri për kualifikimin e lartë në kanabis, në trafiqe, në korrupsion dhe në krime.

***

Të ishte Edi në vend të Lulit. Të ishte Luli në vend të Edit. Të ishte ‘Rilindja’ në vend të ‘Republika e Re’. Të ishte ‘Republika e Re’ në vend të ‘Rilindja’. Të ishin ‘rilindasit’ në vend të ‘republikasvet të rinj’. Të ishin ‘republikasit e rinj’ në vend të ‘rilidasve’.

Filed Under: Analiza Tagged With: Luli në vend të Edit, Skender Bucpapaj, të ishte, Të ishte Edi në vend të Lulit

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 14
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT