• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DR. SKENDER VELIU FLET PËR DIELLIN NGA SLLOVENIA

July 17, 2020 by dgreca

SI SHPËTOI SLLOVENIA NGA KATASTROFA COVID-19

Skender Veliu, doktor në repartin e kirurgjisë në spitalin e përgjithshëm  Splošna Bolnišnica Jožeta Potrča në qytetin Ptuj në Slloveni, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, shtetin slloven në betejën ndaj Covid-19. Me Dr. Skender Veliun bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SLLOVENIA PËRBALLË PANDEMISË COVID-19

Në fund të vitit 2019 në Wuhan të Kinës u paraqit një numër i konsiderushëm i rasteve më pneumoni të panjohur. Shkencetarët erdhën në konkluzion se bëhej fjalë për sëmundje të re infektive të cilën e quajtën COVID-19. Shkaktari i të cilës është virus nga familja e koronavirusëve të cilët shkaktojnë edhe sëmundjet e njohura që më parë – SARS dhe MERS. Për parandalim të përhapjes së virusit është me rëndësi përveç largësisë mbi 1,5m edhe izolimi i kontakteve (pastrimi dhe dezinfikimi i duarve). Virusi fillon të shumohet 24 – 48 orë para fillimit të simptomeve të sëmundjes që domethënë se personi është vektor i virusit edhe pse nuk ka shenja të sëmundjes. Sasia më e madhe e virusit gjendet në hundë, më intenzivisht shumohet në fillim të sëmundjes. Pas 15 ditëve në hundën e të sëmurëve gjendet një sasi e vogël e virusit ndërsa pas 21 ditëve humbet krejtësisht. Inkubacioni zgjat 2 – 14 ditë mesatarisht 4 – 6. Sëmundja mund të shfaqet në 14 ditët e para pas infikimit. Karakteristikë janë dhembjet e muskujve dhe nijeve lodhshmëri, ftohje, në disa raste edhe barkqitje. Simptomat më të shpeshta janë temperatura e lartë trupore dhe kollitje e thatë. Në format më të rënda të sëmundjes paraqitet edhe ndjenja e mungesës së ajrit. Momentalisht nuk kemi në disponim medikamente apo vaksina për shërimin e kësaj sëmundje. Në Slloveni kemi udhëzime nacionale të cilat diktojnë menyrën e shërimit të pacientëve me COVID-19. Përdoren të gjitha metodat dhe medikamentet që janë në disponim dhe që përdoren në vendet e tjera të botës.

COVID-19 NJË INTERPRETIM STATISTIKOR

Sipas informatave të deritanishme 80% e pacientëve e tejkalojnë në mënyrë të lehtë, 15% në menyrë të mesme dhe 5% në menyrë kritike. Vdekshmëria e pacientëve në gjendje kritike është 50%, ndërsa në përgjithësi është vdekshmëria 2 – 4%. Të fëmijët sëmundja kalon në menyrë të lehtë që domethënë se fëmijët nuk janë në grupin e të rrezikuarve përveç fëmijëve të imunokompromituar. Në Slloveni virusi u importua nga Italia ndërsa bartjet sekundare të virusit ndodhën brenda familjeve dhe në disa kolektive pune. Sllovenia është shtet i vogel i cili ka 2.094.060 banorë me dendësi 103 banorë ne kilometër katrorë. Rasti i parë u konfirmua me datë 4.3.2020. Epidemia u shpall në 12.3.2020. Edhe para shpalljes së epidemisë pati aktivitete të shumta drejtuar parandalimit të përhapjes së virusit. Para së gjithash ishin kto rekomandimet për domethënjen e distancës sociale, higjenës së duarve dhe kollitjes dhe rekomandimet që banorët të rin në shtëpi. Shpallja e epidemisë solli heqjen e transportit publik, mbylljen e shkollave, çerdheve, restoranteve, ndalimin e mbledhjes në vende publike, kufizimin e levizjes brenda komunave, mbyllen e kufijve, aeroporteve. Gjithashtu karantinën e domosdoshme pas kthimit nga vendet e jashtme, mbyllja e të gjithë dyqaneve përveç dyqaneve me artikuj ushqimorë. U përcaktuan terminet e blerjes në këto dyqane, sidomos për grupet e rizikuara të popullatës. Dezinfikimi i duarve është tashmë pjesë e jetës, gjithashtu edhe përdorimi i maskave në hapsira të mbyllura. Të infikuarit të cilit nuk kanë nevojë për shërim në spital është i domosdoshëm vetëizolimi në shtëpi. Me masat e lartëpërmendura arritëm që të ndalojmë përhapjen e virusit kështu që në datën 15.5.2020 Sllovenia e tërhoqi shpalljen e epidemisë. Shumë nga masat e lartëpërmendura mbetën në përdorim (distanca sociale, dezinfikimi i duarve, mbajtja e maskave në hapsira të mbyllura). Mundemi të udhëtojmë jashtë shtetit me disa kufizime, pas kthimit prej shteteve të cilat janë në të ashtuquajturën listën e kuqe na pret karantëna 7-ditore dhe testimi për COVID-19.

BARRA E PANDEMISË NË SLLOVENI

Në Slloveni COVID-19 paraqiti problemin më të madh në institucionet ku janë të strehuar të moshuarit. Kemi pasur 3 raste ku numri i të infikuarve ishte tejet i madh por me aktivitete adekvate ia dolem të ndalojmë përhapjen e virusit. Deri me 12.7.2020 në Slloveni kemi evidentuar 1859 raste pozitive me COVID-19. 111 pacientë kanë vdekur dhe janë bërë 116.023 teste. Në institucionet për të moshuarit janë evidentuar 485 raste pozitive. Numri më i madhë i të sëmurëve është në grupmoshën 45 – 54 vjet (314 raste). Më shumë të vdekur ka në grupmoshën mbi 85 vjet (61 rast). Paraqitja e COVID-19 në Slloveni ka pas një ndikim të madh në funksionimit e sistemit shëndetësor dhe kërkon ndryshime dhe adaptacione të shumta. Në kohën e epidemisë kemi pasur 16 pika hyrse ku mjekët familjarë i kanë drejtuar pacientët me simptoma të sëmundjes COVID-19 në testim. Rastet e të infikuarve të cilët nuk kanë pasur nevojë për shërim në spital i kemi drejtuar në izolim shtëpiak dhe me kujdes kemi monitoruar gjëndjen shëndetësore nëpërmjet bisedave telefonike. Në rast të përkeqësimit të gjëndjes dhe nevojës për hospizalizim pacientët e tillë janë drejtuar në spitalet e veçata. Kemi 4 spitale të tilla në të cilat i kemi në disponim të gjitha kushtet për izolimin dhe shërimin e pacientëve të tillë.

FAZAT QË NDOQI SHTETI SLLOVEN NË SHËRIMIN E PACIENTËVE

Në të gjitha spitalet në mënyrë intenzive u pregaditëm për shërimin e pacientëve me COVID 19. Në fazën fillestare Minsistria e Shëndetësisë dha udhëzime për ndërprerjen e të gjitha programeve elektive, kështu që në të gjitha spitalet trajtonim vetëm raste emergjente dhe bënim pregaditje për epidemi me dimenzione më të mëdha. Çdo spital e ndamë në 3 zona. Zona e parë ku trajtohen pacientët pa shenja të COVID-19, zona e dytë ku trajtohen pacientet tek të cilët dyshohet prezenca e COVID-19 dhe zona e tretë ku trajtohen pacientët pozitiv. Më e rendësishmja është triazha në hyrje të spitalit ku çdo pacienti i matet temperatura trupore dhe merrët anketa epidemiologjike. Të punsuarit e kemi të domosdoshme gjatë trajtimit të pacientëve të mbajmë maskë kirurgjike ose mjete të tjera mbrojtëse. Në spitalin tonë me sukses e përdorim edhe dezinfikimin e hapsirave me drit ultraviolete e cila është treguar e sukseshme në parandalimin e përhapjes së COVID-19. Në sallat operative regjimi higjenik është i rreptë, gjatë operacioneve ku rreziku është më i madh përdorim mjete mbrojtëse individuale. Me masat e lartëpërmendura kemi arritur që ta ndalojmë përhapjen e virusit pas hapjes në jetën publike pas 31.5.2020 u paraqitën raste të reja kështu që në korrik shifet rritja e numrit të infikuarve. Shteti dhe institucionet  shëndetësore pregaditen për valën e re të epidemisë.

VIRUSI KA NDRYSHUAR PËRGJITHMONË JETËN TONË

Në kohën e paraqitjes së sëmundjes COVID-19 jeta e njerëzve dhe sistemi shëndetsor në Slloveni janë ndryshuar rrënjësisht. Ndryshimet bien pasoja serioze për shëndetin e njerëzve mirëqenjen subjektive dhe kualitetin e jetës posaçërisht për disa grupe të banorëve siç janë fëmijët, gratë, të moshuarit dhe të papunësuarit. COVID-19 përveç ndikimeve në shëndetin fizik, vendet e punës dhe të ardhurat rrit shqetësimin e njerëzve gjë që ndikon në kontaktet sociale, besimin tek njeri-tjetri, besimin tek institucionet dhe siguria personale. Hulumtimet tregojnë se njerzit në Slloveni dhe BE në kohën e epidemisë ndjehen pak më keq, më shumë ka pasur punë nga shpia, besimi në BE dhe në qeverinë aktuale ka qenë i ulët, është rritur numri i paraqitjeve të dhunës familjare, është ulur optimizmi i njërzve në lidhje me ardhmërinë. Shkaku i epidemisë janë luhatur temelet e shëndetsisë Sllovene ku perballohemi me infrastrukturën e vjetëruar. Gjithashtu e kemi të parregulluar kujdesin afatgjatë. Ndërprerja e programeve elektive sjellë zgjatjen e pritjes për trajtime të ndryshme. Janë përkeqësuar disa sëmundje kronike, është përkeqësuar situata financiare. Nuk i kemi të qarta të gjitha pasojat të cilat do ti tregojë e ardhmja. Sigurisht na pret rrugë e gjatë me investime në pajisje, kapacitete shëndetsore, infrastrukturale që të mundësojmë trajtimin e sigurtë për të gjithë shtetasit e Sllovenisë. Në nivel individual është e nevojshme ndërgjegjesimi dhe kuptimi i realitetit të ri –  vazhdimisht mbajtja e distancës sociale, rëndësia e higjenës së duarve dhe përdorimi i maskave mbrotëjse.

KUSH ËSHTË DOKTOR SKENDER VELIU

Dr. Skender Veliu ka lindur në vitin 1970 në fshatin Dobri Dol në afërsi të qytetit Gostivar në Maqedoninë e Veriut. Në vendlindje kreu shkollën fillore, arsimimin e mesëm e ka përfunduar në Gjimnazin e Gostivarit. Duke marrë parasysh pozitën e palakmueshme të Shqiptarëve në Maqedoni në atë kohë ka vendosur që studimet ti vazhdojë jashtë vendit. Në vitin 1989 menjëherë pas mbarimit të Gjimnazit regjistrohet në Fakultetin e Mjeksisë në Bratislavë në Sllovaki. Të njëjtin Fakultet e mbaron me sukses në vitin 1995 dhe vazhdon specializimin në Kirurgji po ashtu në Sllovaki. Provimin e specializimit në Kirurgji e mbaron me sukses në vitin 1999. Si specialist i kirurgjisë së përgjithshme vendos të shpërngulet në Slloveni. Para punësimit detyrohet të ekuivalentojë diplomën. Punë kjo që kërkon kryerjen e 10 provimeve diferenciale dhe përsëritjen e provimit të specializimit në Ljubljanë, Slloveni. Prej vitit 2000 punon dhe jeton në spitalin e pergjithshëm – Splošna bolnišnica Jožeta Potrča Ptuj në repartin e kirurgjisë. Preokupim primarë e ka kirurgjinë abdominale – operacionet laparoskopike, miniinvazive. Gjithashtu me sukses i trajton edhe plagët kronike në ambulancën për plagë kronike të cilën edhe e udhëheq. Në dekadën e fundit të karierës profesionale merret edhe me operacionet endovaskulare të enëve të gjakut në ekstremitet e poshtme.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Skender Veliu, Slloveni, Sokol Paja

SHQIPTARËT NË SLLOVENI DHE BETEJA E SHTETIT SLLOVEN NDAJ COVID-19

July 3, 2020 by dgreca

Dr.med. Rushit Salihi, specialist pediatër në spitalin “Splosna Bolnisnica Celje” Slloveni, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, betejën që po zhvillon Sllovenia ndaj Covid-19, shqiptarët në Slloveni dhe mbi të gjitha këshilla drastike si të ruhemi prej virusit vdekjeprurës. Me Dr. Rushitin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SLLOVENIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Situata në Slloveni është stabile në betejën ndaj pandemisë globale. Tani jemi në të ashtuquajturën kohë vallëzimi me virusin. Pas normalizimit të gjëndjes epidemiologjike që zgjati gati një muaj, kemi përsëri paraqitje të rasteve të reja që janë të impoirtuara nga vendet e ballkanit ( Bosnje Hercegovinë, Serbi, Kosovë, Maqedoni e Veriut, shumë pak nga Shqipëria, e Kroacia), të sjella nga punonjës sezonal, apo edhe shtetas të Sllovenisë me origjinë nga këto vende. Me masat dhe hapat që kemi marrë që nga fillimi i pandemisë, e kemi pasur gjëndjen nën  kontroll  të plotë, e  them këtë se me sistemin shëndetësor që kemi në Slloveni,  dhe organizimin që kemi ia kemi arritur shumë shpejt ta kemi nën kontroll situatën e krijuar prej Covid-19.  Sllovenia është ndër vendet e para në botë me më shumë testime në një milion banorë, dhe vazhdojmë  me këtë ritëm testimi në popullatë. Jemi të organizuar në atë mënyrë që të kemi disa pika hyrëse të ashtuquajtura pika Covidiane,  përndryshe triazhimi fillon që me telefonatën e parë, vijon në pikat hyrëse, e më pas te pacientët e prekur me virus të cilët dërgohen në spitalet e emërtuar spitalet Covid. I pari spital që u emërtua i tillë ka qenë: Klinika universitare e Infektologjise, e më pas Klinikat dhe spitalet tjera të specializuara…  Me këtë organizim kras kursimit në mjete mbrojtëse kemi zvogluar dhe mundësinë e të ashtquajturit ekspozim i gjithë sistemit shëndetësor. Përndryshe futemi ndër shtete që këshillojmë shumë testime në masë krahas masave të rrepta në parandalimin dhe menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia globale.

SHQIPTARËT NË SLLOVENI

Situata e shqiptareve në Slloveni është stabile, por duke parë origjinën, mentalitetin, dhe traditat tona hasen në vështirësi, por mundohen dhe së bashku t’ia dalim me sukses. Pengesë e madhe paraqet mosnjohja e gjuhës, që paraqet pengesë shumë e madhe në komunikim dhe në trajtimet e mëtejshme që kërkohen. Nisur nga situata e krijuar nga komuniteti shqiptar të prekur nuk ka shumë, për viktima nuk kam informacion të saktë. Por nga kontaktet që kemi pasur si komunitet dhe informacionet e brëndshme, lavdi Zotit skemi pasur fatalitete. Përsa i përket vaksinës nuk është aspak ndryshe me vaksinat e tjera që kërkon kohë dhe dhe kosto të madhe deri sa testimet të kalojnë mirë, dhe më pas të marrë dritën jeshille për t’u përdorur në masë si vaksinë e mirë, dhe e sigurtë, nuk duhet harruar vështirësitë që hasin ekspertët sepse kemi të bëjmë me virus të ri që ka shumë mutacione dhe akoma s’dihet aq mirë se si do reagojë e do të zhvillohet në të ardhmen.  

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELIT DHE DIASPORËN NË USA

Mesazhi im dhe njëkohësisht i gjithë kolegëve të Federatës së mjekëve shqiptarë në EU dhe në vendet e tjera të botës, me seli në Gjermani është: distancimi social, mbajtja e maskave në vendet e duhura, larja sa më shpesh e duarve, dezinfektimi i duarve, mos grumbullimi në masë, vetëizolimi sipas gjëndje dhe në fund respektimi i masave të vëna nga shteti, e respektim i çdo këshille të dhënë nga mjekët dhe ekspertët sëndetësor. Para ca ditësh patëm një konferencë online për shkak të pamundësisë që të takohemi fizikisht, tematika : Problematika aktuale e pandemisë së COVID-19 të shkaktuar nga SARS CoV 2, në trojet shqiptare, gjendja shumë e rëndë, dhe menyrat se si të përballohet kjo situatë dhe ku shohim kontributin apo ndihmesën tonë në përballimin e pandmeisë globale në vendet ku jetojmë e punojmë por mbi të gjitha në trojat tona të mëmëdheut. Në fund dolëm me deklaratën  e përbashkët dhe shumë spote audiovizive për ti dalë në ndihmë popullit shqiptarë në trevat shqipetare, që ua drejtuam mediave audiovizive në trevat tona shqiptare. Tani jemi në hartim e sipr të një shqetesimi kërkese për të marrë masa të duhura për të dalë nga kjo situatë të pavolitshme epidemiologjike që ndodhen shetet tona amë ( Shqipëri, Kosovë, dhe Maqedoni e Veriut, si dhe trevat tjera me popullatë shqiptare), edhe me ndihmën e Bashkimit Evropijan. Si dhe koordinimi dhe bashkëpunimi në të ardhmen i të gjithë mjekëve shqiptar që të kujdesi s amë shumë për qytetarët e vendeve tona në hapsirën shqipfolëse. Këshilla ime thelbësore është: “Mbroj veten që të mbrosh dhe të tjerët”.

KUSH ËSHTË DOKTOR RUSHIT SALIHI

Dr. Rushit Salihi ka lindur në shatin Gjurgjevishtë të Malesisë së Gostivarit, në Maqedoninë e Veriut, të shperngulur në nji fshat fushor afër Tetovës, ku ka kryer shkollen fillore, si nxënësi më i mirë i shkollës. Më me pas vazhdoi dhe me sukses shembullor mbaroi gjimnazin në Tetovë, ku ishte maturant në vitin 1990/91. Me shkatërimin e ish-Jugosllavisë, dhe hapjen e përgjakur të Shqipërisë, u hap mundesia që të vazhdonte sudimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës nga viti 1992/3 deri në vitin akademik 1997/8 ku me sukses u diplomua, dhe mori titullin Doktor i mjekesisë. Tre javë më pas u shpërngul në Slloveni ku dorëzoi kërkesën për nostrifikimin e diplomës, në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Ljubjanës, Nostrifikikin e mbrojti me sukses në dhjetor të vitit 1998. Vijoi më pas me stazhin 6 mujor në Klinikën Universitare të Ljubjanës ( UKC Ljubljan), në fund dha provimin profesional, më tej vazhdoi sekundarijatin në Klinikën Universitare të Sëmundjeve të mushkërive dhe tuberkulozit (UNIVERZITETNA KLINIKA ZA PLJUČNE BOLEZNI IN ALERGIJO GOLNIK). Në viti 2003 fitoi të drejtën e specializimit në fushën e pediatrisë, e në vitin 2008 e mbaroi specializimin, dhe më pas në vitin 2010 mbrojti me sukses provimin ku mori titullin specialist pediatër në mbikëqyrje te Shoqates së Mjekëve në Slloveni ( Zdravniška Zbornica Slovenije), Klinikën e Pediatrisë në UKC të Ljubjanës.  Nga viti 2010 ushtron detyrën si specialist pediatër, e tani disa vjet në vazhdim si specialist pediatrije me përvojë ( višji specialist pediater). Në mënyrë konstante subspecializohet në fusha të ndryshme të pediatrisë, dhe për sëmundje të ndryshme. Ka përvoja shumë vjeçare në trajtimin e sëmundjeve kronike tek fëmijët dhe adoleshentët, si dhe në kohën e fundit në fushën e trajtimit familjar të obesitetit tek fëmijët dhe adoleshentët, nën patronatin e Inshtitutit Nacional të Shendetit Publik, Ministrisë së Shëndetësisë e finacuar nga fondet e Bashkimit Europian. Motoja e tij për të gjithë qytetarët e prekur në këtë kohë pandemie globale është: “Mos rreziko, rri në shtëpi”.

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. med.Rushit Salihi, Slloveni, Sokol Paja

Kosovë-Ministri i Diasporës me bashkatdhetarët në Slloveni

September 27, 2015 by dgreca

-Vizita me rastin e përkujtimit të familjes shqiptare Bruti me prejardhje nga Durrësi  e që në Kopër u vendos në fund të shekullit 16/

PRISHTINË, 27 Shtator 2015/ Në kuadër të vizitës në Republikën e Sllovenisë, pas takimeve me ministrin slloven për Diasporën, kryetarin e komunës së Lubjanës dhe përfaqësuesit e shoqatave shqiptare në këtë shtet, ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati takoi edhe bashkatdhetarët që jetojnë në Kopër.Vizita në këtë komunë u bë me rastin e përkujtimit të familjes së njohur fisnike shqiptare Bruti, e cila ishte me prejardhje nga Durrësi  e që në Kopër u vendos në fund të shekullit 16. Në këtë ngjarje prezent ishte edhe kryetari i Koprit, Boris Popoviq si dhe bashkatdhetarë nga shtete tjera si Kroacia e Italia.

Ministri Murati në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi Shoqatën Kulturore Shqiptare “Iliria” për punën e bërë me komunitetin e kësaj zone, në përgjithësi, dhe organizimin e kësaj ngjarjeje në veçanti. Gjithashtu, shprehu mirënjohjen e tij për institucionet e ndryshme të Koprit lidhur me përkrahjen e komunitetit shqiptar të kësaj zone duke theksuar se “shembulli më i mirë i marrëdhënieve të hershme të mira midis sllovenëve dhe shqiptarëve është vetë historia e familjes Bruti”. Ministri i Diasporës, Murati më pas vizitoi edhe ekspozitën e artistit të njohur shqiptar Gani Llaloshi.

Ministri kosovar i Diasporës u prit edhe në një takim të veçantë nga kryetari i Koprit, Boris Popoviq, nga i cili kërkoi vazhdimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të përkrahjes për bashkatdhetarët tanë që janë qytetarë të komunës së udhëhequr nga ai. Nga ana tjetër,  Popoviq e falënderoi për vizitën dhe shprehu vullnetin e gatishmërinë për t’ju përgjigjur nevojave të komunitetit shqiptar në Kopër.

Gjatë vizitave ministri Murati ishte i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Slloveni, Nexhmi Rexhepi./b.j/

Filed Under: Mergata Tagged With: Kosove, Ministri i Diaspores, Slloveni

Ramush Haradinaj mbetet në Slloveni

June 19, 2015 by dgreca

Gjykata në Kranjë ka vendosur se Ramush Haradinaj duhet të mbetet në Slloveni. Kjo pasi Gjykata duhet të procedojë ankesën para se ajo të vazhdojë së trajtuari kërkesën e Serbisë për ekstradim.Gjykata ka deklaruar se e ka marrë “ankesën për mënyrën e zhvillimit të procedurës lidhur me arrestimin e shtetasit të Kosovës, transmeton B92 raportin e agjencisë sllovene të lajmeve STA.

Gjykata ka vendosur që padia të jetë komplete pasi ajo nuk përfshin autorizimin për avokatin nga ana e ngritësit të akuzës në mënyrë që ajo të mund të të procedohet, thekson STA. Gjyqi njëkohësisht ka sqaruar se “në rast ekstradimit të Haradinaj, personi i arrestuar ka premtuar se nuk do ta braktisë vendin”. Ramush Haradinaj është arrestuar të mërkurën pasdite në aeroportin e Lubjanës derisa po kthehej nga Gjermania në Kosovës.

Fletë arrestin për në Interpol me akuzën për krime lufte në Kosovë e kishte dorëzuar Serbia.

Filed Under: Kronike Tagged With: Gjykata, mbetet, Ramush Haradinaj, Slloveni

PRESIDENTI NISHANI: SHQIPERIA E PERKUSHTUAR KUNDER KRIMIT DHE FORCIMIN E SHTETIT TE SE DREJTES

July 25, 2013 by dgreca

“Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar në intensifikimin e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, forcimin e shtetit të së drejtës dhe përshpejtimin e ritmit të reformave për arritjen e stadardeve evropiane”.

Kështu është shprehur Presidenti Bujar Nishani gjatë fjalimit të mbajtur në takimin e Kryetarëve të Procesit të Brdo-s, që po mbahet në Slloveni duke shprehur edhe  angazhimin serioz të mazhorancës së re qeverisëse  në këtë drejtim.

“Kam bindjen se ajo do të realizojë me sukses programin e saj ambicioz. Kështu, do t`u ofrojmë qytetarëve tanë shërbime të cilësisë evropiane dhe do të arrijmë objektivin më prioritar strategjik, integrimin evropian” tha Nishani.

Gjithashtu, Nishani u shpreh se politika e jashtme e Shqipërisë është e orientuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal.

“Shqipëria nuk ka probleme të hapura me asnjë nga vendet e rajonit. Interesave kombëtare të Shqipërisë u shërbehet mirë në një mjedis rajonal paqësor, të stabilizuar, demokratik, ekonomikisht të zhvilluar. Ne kemi inkurajuar shqiptarët në rajon që të veprojnë në mënyrë institucionale dhe të mbështesin reformat për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, si edhe procesin e integrimit evroatlantik të vendeve ku ata jetojnë. Natyrisht, do të jemi gjithmonë për respektimin e të drejtave të tyre sipas standardeve më të përparuara evropiane dhe ndërkombëtare. Kjo politikë, e formësuar dhe zbatuar pa ekuivoke prej më shumë se dy dekada, do të mbetet një konstante, në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal” theksoi Nishani.

Gjithashtu Presidenti Nishani ka rikujtuar se më 16-17 shtator do të zhvillohet në Durrës, Samiti i pestë Rajonal Vjetor i radhës.

“Gjatë këtyre takimeve të përvitshme, ne kemi rikonfirmuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, miqësisë e bashkëpunimit midis vendeve tona, si edhe jemi angazhuar të kontribuojmë në nxitjen e mëtejshme të kësaj fryme, si në dialogun politik, bashkëpunimin ekonomik dhe në çështje të interesave të përbashkëta rajonale dhe në bashkëpunimin në kuadër të integrimit evropian të vendeve tona. Ne besojmë dhe, me gjithë zemër urojmë që këtë vit të kemi mes nesh edhe presidentët e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës” tha Nishani.

Kreu i shtetit Nishani më tej u shpreh se  rajoni i Ballkanit Perëndimor ka ndërruar faqen e historisë, duke u shndërruar nga burim kokëçarjesh në rajonin e mundësive të shumta.

“Ai mbart potenciale turistike, kulturore dhe historike, burime të shumta natyrore dhe ndodhet në një pozicion të favorshëm gjeografik.  Tashmë dialogu është gjuha e komunikimit, ku bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë risia më e këndshme dhe meritojnë mbështetje të veçantë. Por, ne mendojmë se bashkëpunimi rajonal konkretizohet, përtej deklaratave verbale, nëpërmjet projekteve konkrete për krijimin e një infrastrukture të përbashkët moderne rajonale, bashkëpunim në fushën e turizmit, transport, mbrojtjen e ambientit, heqjes së gjithë barrierave jo-fizike të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, rritjes së shkëmbimeve, njohjes më mirë të njëri-tjetrit. Angazhimi ynë i përbashkët do t`i shërbejë rritjes së potencialit ekonomik të rajonit, për ta bërë atë një treg të dukshëm, tërheqës dhe konkurrues për investitorët e huaj nga e gjithë bota” tha ai.

FJALIMI I PLOTE

Fjalimi i Kryetarit të Shtetit shqiptar në seancën plenare të Takimit të Kryetarëve të Procesit të Brdos:

I nderuar Presidenti Hollande,
I nderuar Presidenti Pahor,
I nderuar Presidenti Josipović,
Të nderuar zotërinj Ministra,
Zonja dhe zotërinj!

Kam nderin dhe kënaqësinë, që, në emrin tim, dhe të delegacionit shqiptar, të shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin për Presidentin Hollande prania e të cilit në këtë takim flet qartë. Franca dhe Bashkimi Evropian, me vepra dhe qëndrime konkrete, po i kushtojnë vëmendjen e duhur Ballkanit Perëndimor, mbajnë të gjallë dhe intensive dialogun dhe mbeten të përkushtuara në zbatimin e politikës së zgjerimit drejt rajonit tonë edhe në këto kohë jo të lehta krize.

Një falenderim i përzemërt shkon, në mënyrë të veçantë, për presidentët Pahor dhe Josipović, për sipërmarrjen e tyre. Sllovenia dhe Kroacia, me performancën e tyre të shkëlqyer, kanë merituar anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe janë bërë gjithashtu, përfaqësues të denjë të imazhit të një rajoni, i cili po ndryshon pozitivisht. Kur them këtë, kam parasysh, jo vetëm reformat e suksesshme që kanë afruar standardet e këtyre vendeve me ato evropiane, por edhe faktin se janë një shembull për mënyrën e zgjidhjes së çështjeve dypalëshe. Ata janë zëra të fortë, avokatë të rajonit në BE.

Eksperiencat sllovene dhe kroate janë një vlerë që duhet shfrytëzuar në procesin tonë integrues. Ne do të mund të shkëmbejmë eksperiencat tona  për atë që gjithsecili nga ne ka bërë mirë, ose jo.

Të nderuar miq!

Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka ndërruar faqen e historisë, duke u shndërruar nga burim kokëçarjesh në rajonin e mundësive të shumta. Ai mbart potenciale turistike, kulturore dhe historike, burime të shumta natyrore dhe ndodhet në një pozicion të favorshëm gjeografik.  Tashmë dialogu është gjuha e komunikimit, ku bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë risia më e këndshme dhe meritojnë mbështetje të veçantë.

Por, ne mendojmë se bashkëpunimi rajonal konkretizohet, përtej deklaratave verbale, nëpërmjet projekteve konkrete për krijimin e një infrastrukture të përbashkët moderne rajonale, bashkëpunim në fushën e turizmit, transport, mbrojtjen e ambientit, heqjes së gjithë barrierave jo-fizike të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, rritjes së shkëmbimeve, njohjes më mirë të njëri-tjetrit. Angazhimi ynë i përbashkët do t`i shërbejë rritjes së potencialit ekonomik të rajonit, për ta bërë atë një treg të dukshëm, tërheqës dhe konkurrues për investitorët e huaj nga e gjithë bota.

Zbatimi i “Trans Adriatic Pipeline” (Projekti TAP) ofron një mundësi të artë për të gjithë vendet tona. Tashmë është bërë konkretisht i nevojshëm bashkëpunimi për të lobuar për Projektin Jonian Adriatic Gas Pipeline – (Projekti IAP), një projekt i propozuar për ndërtimin e tubacionit të gazit natyral nga Shqipëria përmes Malit të Zi, Bosnjë Hercegovinës deri në Split, Kroaci.

“Korridori 8 –të” është nismë e filluar nga viti 1996, do të kalojë nga Bullgaria, Maqedonia dhe Shqipëria për të përfunduar në Bari/Brindisi mbetet një sfidë tjetër e rëndësishme.

Në mënyrë që të rritet konkurrenca dhe siguria e furnizimit me burime energjetike në nivel rajonal, vendet e Evropës Juglindore dhe Bashkimit Evropian kanë nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Energjisë. Objektivi afatgjatë është krijimi dhe të bërit funksional të instrumenteve të shkëmbimit të burimeve energjetike, si dhe krijimi i një Tregu Rajonal të Integruar Evropian, në mënyrë që çdo vend të marrë përfitime sa më të mëdha.

Integrimi me rrjetin rajonal është një dimension i politikave tona. Ai konsiston në ndërtimin e linjave të interkonjeksionit me të gjitha vendet kufitare si dhe me Italinë. Në këtë mënyrë, do të krijojmë mundësinë e shkëmbimit të energjisë me vendet fqinje dhe më gjerë.

Zonja dhe zotërinj!

Politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë është e orientuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal. Shqipëria nuk ka probleme të hapura me asnjë nga vendet e rajonit.

Interesave kombëtare të Shqipërisë u shërbehet mirë në një mjedis rajonal paqësor, të stabilizuar, demokratik, ekonomikisht të zhvilluar.

Ne kemi inkurajuar shqiptarët në rajon që të veprojnë në mënyrë institucionale dhe të mbështesin reformat për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, si edhe procesin e integrimit evroatlantik të vendeve ku ata jetojnë. Natyrisht, do të jemi gjithmonë për respektimin e të drejtave të tyre sipas standardeve më të përparuara evropiane dhe ndërkombëtare. Kjo politikë, e formësuar dhe zbatuar pa ekuivoke prej më shumë se dy dekada, do të mbetet një konstante, në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal.

Në Shqipëri do të zhvillohet këtë vjeshtë, dhe pikërisht në Durrës, më 16-17 shtator Samiti i pestë Rajonal Vjetor i radhës. Gjatë këtyre takimeve të përvitshme, ne kemi rikonfirmuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, miqësisë e bashkëpunimit midis vendeve tona, si edhe jemi angazhuar të kontribuojmë në nxitjen e mëtejshme të kësaj fryme, si në dialogun politik, bashkëpunimin ekonomik dhe në çështje të interesave të përbashkëta rajonale dhe në bashkëpunimin në kuadër të integrimit evropian të vendeve tona. Ne besojmë dhe, me gjithë zemër urojmë që këtë vit të kemi mes nesh edhe presidentët e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Mbetemi plotësisht të përkushtuar në intensifikimin e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, forcimin e shtetit të së drejtës dhe përshpejtimin e ritmit të reformave për arritjen e stadardeve evropiane. Ky është një proces, që kërkon vijueshmëri. Kur them këtë, kam parasysh edhe angazhimin serioz të maxhorancës së re qeverisëse, të dalë nga zgjedhjet e fundit dhe bindjen se ajo do të realizojë me sukses programin e saj ambicioz. Kështu, do t`u ofrojmë qytetarëve tanë shërbime të cilësisë evropiane dhe do të arrijmë objektivin më prioritar strategjik, integrimin evropian.

Së fundi, përfitoj nga rasti për të shprehur bindjen time në suksesin e këtij takimi dhe të procesit tonë të bashkëpunimit në vijimësi, si dhe të garantoj përkushtimin tim dhe të vendit tim ndaj tij.

Ju faleminderit!

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: presidenti Nishani, shqiperia, shteti i se drejtes, Slloveni

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT