• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FIGURA E LEF NOSIT NË SHTYPIN E SHKRUAR KOMUNIST NË REGJIMIN TOTALITAR SHQIPTAR 1945-1965

March 6, 2020 by dgreca

Lef Nosi, portret i viteve’40

Shkruan: Sokol PAJA/

Sokol Paja

Shtypi i shkruar komunist përgjatë viteve 1945-1965 ishte një instrument i përqëndruar forcërisht në duart e partisë-shtet që kontrollonte gjithçka. Faqet e shtypit mbushen me gjyqe të zbardhura të kundërshtarëve të regjimit komunist. Shtypi, me qëllim forcimin e pushtetit dhe përgatitjen e publikut për forcën dhe egërsinë e regjimit, i bënte jehonë të madhe goditjes së kundërshtarëve politik të sistemit monist. Të njëjtin fat pati edhe Lef Nosi, firmëtari i pavarësisë, i cili u akuzua nga komunistët si tradhëtar dhe bashkëpunëtor i nazifashizmit. Në këtë punim do të zbardhim dhe do të analizojmë paraqitjen e figurës së Lef Nosit në faqet e shtypit të shkruar komunist. Do të merren në shqyrtim artikujt e botuar si në gazetën “Bashkimi”, “Zëri i Popullit”, “Zëri i Rinisë”, etj të cilat ishin më afër partisë-shtet. Në regjimin totalitar shqiptar media kontrollohej totalisht nga shteti dhe “propaganda ishte si një drogë e detyruar për të gjithë kombin”. Media ishte aktori kryesor në lidhjen mes pushtetit dhe masave. Propaganda sistemit komunist shqiptar bazohej në zbatimin sistematik të mendimit marksist-leninist i cili nëpërmjet mediave depërtonte në çdo qelizë shoqërore dhe shtetërore.

Lef Nosi në faqet e gazetës “Bashkimi”

Shtetet totalitare median e kanë një ndër partnerët më të fuqishëm për konsolidimin e diktaturave. Regjimi komunist në Shqipëri përgjatë 45 viteve të sundimit, median e kishte një aleat të fortë sidomos kur bëhej fjala për dënimin e kundërshtarëve të regjimit. Gjyqet ndaj “tradhtarëve” tëregjimit, mbushnin me porosinë e Komiteteit Qëndror dhe drejtuesve të propagandës, faqet kryesore të shtypit të shkruar. Në faqen e parë dhe kryetitull hapeshin gazetat e kohës ku titujt mbititujt e nëntitujr pompozë i bënin jehohë “kriminelit” të radhës që po likujdohej nga regjimi. Në regjimin totalitar shqiptar “shtypi, mediat në përgjithësi, sikurse dhe sektorë të tjerë, si arsimi e kultura, konsiderohen si pjesë përbërëse e sistemit të propagandës së Partisë në fuqi dhe vendosen nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Partisë”[1]. Përgjatë monitorimit të shtypit të shkruar komunist në periudhën 1945-1965, në gazetën Bashkimi si organi më zyrtar i qeverisë për kohën, Lef Nosi paraqitet si: Fytyrë e poshtër tradhëtie, kriminel lufte i dorës së parë, bashkëpunëtor i nazi-fashizmit, gjakpirës dhe mashtrues i popullit, trashëgimtar i institucioneve antikombëtare, trashëgimtar i gjakpirësve feudalë, përgjegjës për luftën vëllavrasëse, shkaktar i robërisë kombëtare dhe mjerimit të popullit, tradhtar i popullit, përkrahës i politikës së aventurës me qëllim nënshtrimin e Shqipërisë, sabotator, njeri dhelprak e djallëzor, pjesëmarrës në mbledhjet ku është vendosur atentat ndaj njerëzve të frontit, dhunues të rendit popullor nëpërmjet bashkëpuimin me reaksionin ndërkombëtar, propagandues i parullave helmatonjëse te “ballit” etj. Akuza në shtyp përgjatë zbardhjes së procesit gjyqësor ndaj Lef  Nosit në kuadër tëgjyqit kundër Këshillit të Lartë të Regjencës, Nosi akuzohet: “Ke inspiruar, urdhëruar, ndihmuar, okupatorin në vepra kriminale si : vrasje, tortura, arrestime dhe burgime në masë, internime dhe shpërngulje masive të popullsisë në masë drejtë kampeve të shfarosjes në Gjermani, Prishtinë etj, për grabitje, djegjie, plaçkitje, rrënime pasurish të shtetit e privatëve”[2]. Ndër faqet e shtypit Nosi paraqitet si publicist dhe propagandist i vënë në shërbim të nazizmit. Nosi fajësohet dhe akuzohet në shtyp se kishte ndihmuar në përhapjen e Legalitetit dhe Ballit kombëtar. Nosi akuzohet edhe si bashkëpunëtor në tradhtinë e klerit katolik, dhe pjesëmarrës e miratues i pushtimit italian të Shqipërisë. Ashpërisia e sistemit në gjyqin ndaj regjentëve, justifikohet si një hakmarje e drejtë e popullit ndaj tradhëtarëve që shitën atdheun, që shitën interesat e popullit dhe sabotuan ndërtimin e shtetit komunist. Referuar dosjesgjyqësore tëzhvilluar më 1 shkurt 1946, rezulton në faqet e gazetës Bashkimi se Lef Nosi akuzohej se: gjatë okupacionit italian, në bashkëpunim me Mustafa Krujën, ka qenë kryetar i komisionit të Elbasanit për mbledhjen e ndihmave të leshit, për ushtarët e Italisë fashiste; ka qenë kryetar i Komitetit Qarkor të Ballit për Elbasanin; përgjegjës për krijimin e çetave bashibozuke të Ballit, në prefekturë, ka qenë nisiator, pas kapitullimit të Italisë fashiste, për krijimin e Komitetit Ekzekutiv Provizor Kuisling, për krijimin e Asamblesë Kombëtare, akuza për të cilat sipas ropagandës në shtypine kohës, vdekja ishte pak. Nosi akuzohej si “anëtar i regjencës gjakatare, përkrahës i reaksionit ndërkombëtar, spiun i kuislingëve, njeri me ndërgjegje naziste” dhe regjimi i ri nuk mund të kishte në gjirine tij tradhtarë të këtillë. Reagimi i regjimit komunist mbështetet si një dëshirë e pakompromis e popullit, pra paraqitet sikur këto po i dënon populli jo pushteti dhe shteti ishte idetyruar të përmbushte deshirën e popullit. Partija pushteti e populli ishin një. Lef Nosi përmendet sëbashku me anëtarët e tjerë të Këshillit të Lartë të Regjencës si Maliq Bushatin, Pater Anton Harapin. Në vitin 1946 që përkon dhe me dënimin me vdekje te Lef Nosit dhe qeverisë së regjencës, shtypi shfaqet shum i ashpër dhe kthehet totalisht si një tabelë ku vareshin vendimet e gjykatave që dënonin kundërshtarët e regjimit. Regjimi nuk pranonte kundërshtarë.

Specifikat e regjimit komunist në Shqipëri 1945-1965

Regjimi politik që qeverisi Shqipërinë 1945-1990 ishte totalitarizëm stalinist. Totalitarizmi është regjim politik ku kavetëm një parti politikedhe icilinuk pranon asnjë kundërshtimtë organizuar. Shteti kontrollon, menaxhon dhe orkestron totalitetin e aktiviteteve të shoqërisë. Shtetet totalitare kontrollojnë dhe përcaktojnëçdo aspekt të jetës dhe aktiviteteve njerzore. Totalitarizmi është sistem unik që nëesencë, është model qeverisës ku, një parti ka të gjitha pushtetet: ekonomike, politike, ushtarake dhe juridike. Shteti totalitar shqiptar përgjatë 45 viteve kishte në themel nje ideologji të imponuar për të gjithë; një partie vetme që kontrolloi tërë aparatin shtetëror, një aparat të tmerrshëm policor që ushtroi terror, dhunë, frikë e përndjekje; një autoritet qendror për ekonomi, një monopol të mjeteve të komunikimit masiv dhe një monopol të forcës ushtarake. Sistemi komunist në themel të ndërtimit të shtetit totalitar kishte si qëllim eleminimin e kundërshtarëve, eleminimin e fesë dhe një propagandë ekstreme në media për të përgatitur orkestruar dhe manipuluar opinionin e median që i kontrollonte totalisht. Me qëllim frikësimin e popullit ndaj pakënaqësive apo ndoj revolte të mundshme, regjimi komunist përdori torturat fizike dhe psikologjike që gjatë 45- vjetëve të diktaturës ishin nga më të pashembulltat në Shqipëri dhe më gjërë. “Diktatori paranojak Enver Hoxha e bëri Shqipërinë një skenë ku luajti teatrin më gjigand të absurdit, ai që për ironi ish kundër artit moder, vetë ish autori, regjizori dhe aktori më i pamëshirshëm i aplikimit të terrorit absurd në jetë”[3]. Propaganda në shtypin e shkruar komunist në fillimet e vendosjes së regjimit totalitar është e tipit parapërgatitës ku ngulmohet dhe jepet ideja mbi rëndësinë që kishte lufta ndaj gjithçkaje që binte ndesh me sistein e ri që po instalohej. Feja dhe tradhtarët si Lef Nosi e kundërshtarë të tjerë të regjimit, mbushnin faqet e shtypit të përditshëm. Komunistët në shtyp propagandonin për një shoqëri të unifikuar dhe pa ndarje fetare se në këtë mënyrë ndarja dhe lufta e klasave do të ishte e dobët.Me anë të propagandës antifetare po përgatitej njeriu i ri komunist antifetar. Ideologjia fetare zëvendësohet me ideologji komuniste. Në çdo punë apo në çdo vendodhje të komunistit, “ai duhet të japë shembull organizimi, ideologjie, të marrë pjesë aktive në jetën shoqërore, të tregojë iniciativën, të jetë novator dhe luftëtar për një prodhimtari të lartë në punë. Komunisti është organizatori, është edukonjësi dhe prijësi politik i masave”. Të dënuarit dhe të persekutuarit e regjimit komunist akuzoheshin si kriminelë lufte, grabitës, shkatërrim e plaçkitje të pasurisë së popullit, bashkëpunëtorë të shtypësve dhe okupatorëve të huaj. Të burgosurit në regjimin komunist “liheshin për ditë radhazi pa bukë e pa ujë, hera herë lidhur kokëposhtë, hera herë nga duart. Rriheshin egërsisht me grushte, me shkelma, me shufra hekuri”[4]. Regjimi totalitar në Shqipëri bëri që të kishim ateizmin si ideologji shtetërore dhe praktikimi dhe ekzistenca e institucioneve fetare ndalohej me ligj. Totalitarizmi shqiptar kishte nën zotërim gjithçka ndodhte në këtë vend. Vërehej roli udhëheqës i Partisë së Punës në të gjithë jetën e vendit, politizimi i pushtetit Legjislativ, Ekzekutiv dhe Gjyqësor, parimi i unitetit të pushtetit, planifikimi i përgjithshëm i administrimit të punëve shtetërore, ideologjizimi i plotë i krejt shoqërisë.

Përfundime

Në regjimin diktatorial, shtypi ishte mjet i fuqishëm i propagandës në shërbim të konsolidimit të pushtetit monist. Në likujdimin e armiqve të pushtetit, mediat shfrytëzoheshin masivisht nga shteti për të bindur publikun dhe frikësuar masat. Përgjatë monitorimit të shtypit të shkruar komunist në periudhën 1945-1965, në gazetën Bashkimi si organi më zyrtar i qeverisë për kohën, Lef Nosi paraqitet si: Fytyrë e poshtër tradhëtie, kriminel lufte i dorës së parë, bashkëpunëtor i nazi-fashizmit, gjakpirës dhe mahstrues i popullit, trashëgimtar i institucioneve antikombëtare, trashëgimtar i gjakpirësve feudalë, përgjegjës për luftën vëllavrasëse, shkaktar i robërisë kombëtare dhe mjerimit të popullit, tradhtar i popullit, përkrahës i politikës së aventurës me qëllim nënshtrimin e Shqipërisë, sabotatorë, njeri dhelprak e djallëzor, pjesëmarrës në mbledhjet ku është vendosur atentat ndaj njerëzve të frontit, dhunues të rendit popullor nëpërmjet bahskëpuimin me reaksionin ndërkombëtar, propagandues i parullave helmatonjëse te “balli” etj. Akuza në shtyp përgjatë zbardhjes së procesit gjyqësor ndaj Lef  Nosit në kuadër të gjyqit kundër Këshillit të Lartë të Regjencës, Nosi akuzohet: “Ke inspiruar, urdhëruar, ndihmuar, okupatorin në vepra kriminale si : vrasje, tortura, arrestime dhe burgime në masë, internime dhe shpërngulje masive të popullsisë në masë drjetë kampeve të shfarosjes në gjermani, prishtinë etj, për grabitje, djegjie, plackitje, rrënime pasurish të shtetit e privatëve”. Ndër faqet e shtypit Nosi paraqitet si publicist dhe propagandist i vënë në shërbim të nazizmit. Nosi fajësohet dhe akuzohet në shtyp se kishte ndihmuar në përhapjen e Legalitetit dhe Ballit kombëtar. Nosi akuzohet edhe si bashkëpunëtor në tradhtinë e klerit katolik, dhe pjesëmarrës e miratues i pushtimit italian të Shqipërisë.

Bibliografia

Cenaj, Adelajda, Lef Nosi filolog, Naimi, Tiranë 2015

Fuga, Artan, Monolog,Dudaj, Tiranë, 2010

Gazeta “Bashkimi” 1945-1965

Gazeta “Në Shërbim të Popullit” 1945-1965

Gazeta “Zëri i Popullit” 1945-1965

Gazeta “ Zëri i Rinisë” 1945-1965

Kasoruho, Amik, Shqipëria, ankthi dhe ëndrra, UET Press, Tiranë 2012

Velo, Maks, Esse për Diktaturën Komunistë, 55, Tiranë 2003


[1] Fuga, Artan, Monolog, faqe 80, Dudaj, Tiranë, 2010

[2] Gazeta Bashkimi, 2 Freur 1946, “Krerët e tradhtisë japin llogari. Lef Nosi në bangon e të akuzuarit”, faqe 1.

[3] Velo, Maks, Esse për Diktaturën Komunistë, faqe 13, 55, Tiranë 2003

[4] Kasoruho, Amik, Shqipëria, ankthi dhe ëndrra, faqe 23, UET Press, Tiranë 2012

Filed Under: Histori Tagged With: Lef Nosi, Sokol

Lamtumirë miku ynë i shtrenjtë!

November 21, 2013 by dgreca

Nga Astrit PATOZI /

Çfarëdo që të bëjmë dhe çfarëdo që të themi ne sot, në këtë ditë zie, do të ishin të pamjaftueshme për të nderuar dhe respektuar si duhet Sokolin. E unë, ndoshta më shumë se kushdo tjetër, e kam të vështirë të gjej fjalët. Sepse pata fatin e mirë, por edhe të keq, për shkak të kësaj gjëme, të jem një ndër miqtë e tij të afërt, për gati 20 vjet.
Sepse më kujtohet, që e kemi ndjellur këtë ditë, kur me shaka i kemi thënë njëri-tjetrit se çfarë do të shkruajmë në fjalimin e lamtumirës, kur Ai, që është lart, do të thërresë të parin prej nesh në radhë.
Dhe kjo ka ndodhur zakonisht pas ceremonive, kur në të shumtën e rasteve për të ndjerin thuren zinxhirë lëvdatash dhe ditirambesh. Kemi thënë jo pak herë, reciprokisht, se do të çoheshim nga varri, nëse dikush në fjalët e përcjelljes do të na fyente, duke na vënë mbi shpinë merita dhe atribute, që nuk i kishim patur dhe që nuk na takonin. Dhe ndonëse do të doja shumë që Sokoli të ngrihej, e kam të pamundur që të mos ia respektoj atij amanetin.
Që prej mbrëmjes së djeshme e derimë tani kam dashur të besoj se gjithçka ndodhi ishte një ëndërr, por në fakt e tillë duket se ka qenë jeta e shkurtër e Sokol Olldashit. E megjithatë, ai u largua nga kjo botë më i realizuar dhe më i plotësuar se askush tjetër, pavarësisht se dha shumë më tepër, se sa mori, në jetën e tij, të prerë në mes. Kurrkush si ai nuk i jetoi me aq intensitet vitet e jetës së vet. Por ky është gjithsesi një ngushëllim fare i vogël për një humbje kaq të madhe.
Do të na mungojë të gjithëve, por mbi të gjitha familjes së tij të mrekullueshme, ndaj së cilës ndjehemi në faj, që i shkuam në shtëpi pa Sokolin. Kozeta, Kela, Glauku, Kleiti, Vangjeli, Sula, Ardi dhe Alda do të ndjehen gjithmonë krenarë për njeriun e tyre më të shtrenjtë, por asgjë nuk do të mund t’ia zëvendësojë atyre burrin e shtëpisë.
Unë nuk dua të flas sot për Sokol Olldashin si politikan, jo se nuk kam gjë për të thënë. Përkundrazi. Por se çfarëdo vlerësimi që të kem, nuk do t’i shtoj ndonjë gjë të madhe asaj që ai vetë ndërtoi në këto vite karriere të vrullshme, ku la gjurmët e tij të pashlyeshme, kudo ku shkeli, kudo që foli, dhe kudo, ku veproi si shtetar i klasit të parë. Ato janë, gjithsesi, të njohura për secilin prej nesh, por edhe për çdo shqiptar tjetër, pavarësisht bindjeve politike.
Por kam shumë për të thënë për Sokol Olldashin njeri, për shokun tonë të paharruar. Sigurisht, që kam të pamundur të flas në emër të të gjithë miqve të tij të shumtë, të shpërndarë në çdo cep të kësaj Shqipërie. Sepse, unë jam thjesht vetëm njëri prej tyre.
Por besoj se kam edhe lejen e tij për të thënë se Sokol Olldashi nuk kishte asgjë heroike në qenien e vet. Asnjë grimcë patetizmi, ndonëse zanati ynë e kërkon, madje në disa raste me tepri, këtë dimension. Por kjo nuk e pengoi atë aspak të ishte njeri i vendimeve të forta dhe të drejta dhe këtu nuk kam parasysh vetëm karrierën politike. Kjo nuk e pengoi atë të ishte një adhurues dhe lëvrues pasionant i gjithçkaje të bukur, që ka krijuar mendja e njeriut. Muzika, poezia, piktura, filmi, libri në përgjithësi, ishin realisht mjedisi, ku ndjehej më mirë se kudo tjetër. Dhe jam shumë i sigurtë, se do të kishte arritur në të njëjtat kuota dhe të njëjtat maja, në rast se do të kishte vendosur për t’u marrë me secilin prej pasioneve të tij, në këmbim të politikës.
Sokol Olldashi bënte shaka me vdekjen, dhe kjo u ndodh gjithmonë atyre, që e duan dhe e jetojnë në thellësi jetën. Edhe pse një mendje e mprehtë dhe përgjithësisht racionale, ai ishte, gjithashtu më entuziasti midis nesh. Prej më shumë se 15 vjetësh evitonte në maksimum fluturimet me avion, duke besuar verbërisht se i sigurt ndjehesh vetëm me këmbë ose me rrota mbi tokë. Por, ndonëse nuk ishte ndonjë fanatik i teknologjisë, luante me makinën dhe me shpejtësinë, njësoj si me tastierën e kitarës së vet.
Duke e shndërruar, praktikisht, makinën në një avion të rrezikshëm. Ironia e fatit e deshi, që vdekja ta gjejë, pikërisht, në vendin ku ai ndjehej më i mbrojtur, se kudo tjetër.
Do të na mungojë, jo thjesht humori i tij i papërsëritshëm, edhe në situatat më të rënda, por mbi të gjitha, sensi i optimizmit edhe në ditën më të zezë, edhe në kohën më të keqe. Dhe kjo është shenja e parë dhe më e qarta, që i dallon burrat e fortë nga njerëzit e zakonshëm.
Sokol Olldashi ishte një shqiptar i madh, dhe unë këtë e them me bindjen time më të thellë, edhe pse për këto fjalë asnjëherë nuk do ta merrja miratimin e tij. Në këtë botë dhe në atë tjetrën, ku po e përcjellim sot, me pikëllim. Por jo nga ai soj shqiptarësh, që mendojnë për ta shkruar me dorën e tyre historinë e vet. Dhe si i tillë hyri në histori.
Një përfaqësues brilant i brezit të vet, i pjekur shumë para kohe, edhe për shkak të një jete të vështirë, arriti ta provojë veten dhe t’ia dalë, duke mbajtur barra tepër të rënda në një moshë fare të re.
Dhe ruajti të njëjtin ritëm dhe të njëjtin ekuilibër, që nga dita e parë, kur vendosi të marrë përsipër gjëra të mëdha. Dhe gjithçka e arriti vetë, pa marrë asnjë dhuratë Krishtlindjeje, që nga dita e parë, e deri mbrëmë, në çastin, kur u shua. Pa i hyrë në borxh askujt, por duke na bërë të gjithëve borxhlinj. Ndaj edhe me sa duket vendosi të ikë nga kjo botë i vetëm, edhe pse ishte personazhi, më me shumë miq, që unë kam njohur ndonjëherë.
Lamtumirë miku ynë i shtrenjtë! U prefsh në paqe Sokol Olldashi! I paharruar, kujtimi yt!

Filed Under: Featured Tagged With: Astrit Patozi, Lamtumire, Sokol

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT