• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KLASA E GJUHËS SHQIPE NË KISHËN E SHEN PALIT, ROCHESTER HILLS, MICHIGAN, IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

November 4, 2023 by s p

“Të veçantat e vitit mësimor 2023-2024”, Vera Ivanaj, mësuese e gjuhës shqipe në klasën e gjuhës shqipe që zhvillohet në Kishën e Shën Palit, Rochester Hills, Michigan, në një rrëfim për Diellin e Vatrës në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, shpjegon për lexuesit: përpjekjet për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe në mërgatë, gjuhën shqipe si pasuri kombëtare dhe identitare, rolin e mësimit shqip te rritja e ndjenjës patriotike te fëmijët.

PËRPJEKJET PËR MBAJTJEN GJALLË TË GJUHËS SHQIPE NË MËRGATË

Si çdo vit të ri shkollor, emocionet dhe ndjesitë janë tepër pozitive, si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit, por në të njëjtën kohë është edhe ndjenja e përgjegjësisë për të arritur maksimumin në procesin e mësim dhënies, si nga ana e mësuesit, ashtu dhe të nxënit nga ana e fëmijëve. Synimet janë të mëdha nga të dyja anët, e mësuesve dhe nxënësve, por çelësi për arritjen e tyre, në radhë të parë, është vullneti dhe puna sistematike e nxënësve për të mësuar dhe praktikuar gjuhën shqipe, jo vetëm në klasë por edhe në familjet e tyre. Gjuha larg trojeve amtare është si bima, nëse nuk e ushqen dhe nuk e ujit vazhdimisht, ajo do të thahet. Mbajtja hapur e klasës së gjuhës shqipe pranë kishës së Shën Palit, tregon se është një përpjekje e vazhdueshme për ta mbajtur gjallë gjuhën tonë. Procesi i mësimit është i njëjtë më atë të viteve të kaluara. Teksti bazë për nivelin fillestar është Abetarja dhe libri i ushtrimeve, ndërsa për nivelin e dytë, janë përzgjedhur pjesë nga gjuha shqipe e klasës së dytë.

EKSPERIENCA, ARRITJET KRYESORE, EFEKTI TE FËMIJËT

Pa dyshim që është një eksperiencë shumë e bukur. Ajo që vlerësoj më shumë gjatë këtyre viteve, është dëshira e madhe e një pjese të mirë të fëmijëve, për të mësuar gjuhën e bukur shqipe. Më kanë mbetur në kujtesë shumë fëmijë që mezi prisnin të vinin në klasë. Në sytë e tyre pasqyrohej etja e madhe për të thithur çdo fjalë të re. Ndrojtja e fëmijëve në fillim të vitit, ngadalë dhe pa u kuptuar vjen e tretet dhe ata çlirohen krejtësisht, aq sa mezi presin tu vijë rralla që të flasin e të lexojnë. Arritja kryesore është që fëmijët të përvetësojnë gjuhën shqipe, gjë që nuk është e lehtë të arrihet kur jeton në vend të huaj, por me vullnet e punë çdo gjë arrihet. Gëzohem shumë, kur prindërit më thonë se fëmija i tyre shkruan mesazhe apo flet në gjuhën shqipe me kushërinjtë që ka në Shqipëri, Kosovë, Malësi apo kudo që ata jetojnë.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE RRIT NDJENJËN E KRENARISË KOMBËTARE

Vetë prania e tyre në klasën e mësimit të gjuhës shqipe, tregon se ndjenja e patriotizmit dhe atdhedashurisë është e fortë brenda tyre. Mësimi i gjuhës e rrit edhe më shumë ndjenjën e krenarisë kombëtare dhe dëshirën për të vizituar gjithnjë e më shpesh tokën amtare, për ta njohur historinë e Shqipërisë edhe më mirë.

GJUHA SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË TRASHËGIMISË GJUHËSORE E KULTURORE KOMBËTARE

Një popull që nuk ruan gjuhën e tij, është i destinuar të zhduket. Faktori kryesor i ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor të çdo kombi, është gjuha. Një nga vlerat më të mëdha që ne gëzojmë si komb, është ruajtja e gjuhës dhe përcjellja e saj ndër breza. Është pikërisht gjuha ajo, që shpalos vlerat kombëtare si historinë, kulturën dhe traditat e çdo vendi. Vendi ynë ka një pasuri të jashtëzakonshmë të trashëgimisë kulturore jo vetëm materiale por edhe shpirtërore, si folklori, gjuha e pasur, traditat, njohuritë tradicionale, etj. Nëpërmjet gjuhës janë përcjellë ndër breza gojëdhënat, legjendat, këngët, historia e hershme e të parëve tanë dhe vendit tonë.

THIRRJE PRINDËRVE: SILLNI FËMIJËT TE KLASAT E GJUHËS SHQIPE

Në bazë të statistikave që publikohen, thuhet se numri i shqiptarëve në emigrim, është më i madh se i atyre që jetojnë në trojet amtare shqiptare. Rreziku i asimilimit të këtyre familjeve shqiptare është përherë i pranishëm. Janë prindërit, që kanë peshën kryesore për ta shmangur këtë rrezik, t’iu mësojnë fëmijëve gjuhën, duke kumunikuar shqip dhe vetëm shqip në familje. Vizitoni sa më shpesh të jetë e mundur vendlindjen bashkë me fëmijët tuaj, mundësisht që ata ti kalojnë atje pushimet e verës me kushërinjtë dhe të afërmit e tyre, kjo i ndihmon jo vetëm të mësojnë gjuhën, por të duan edhe më shumë vendin dhe të afërmit e tyre. Të gjithë ne që jetojmë jashtë trojeve amtare, e dimë shumë mirë se sa e shpejtë është e përditshmja, vetë jeta, sa e paktë është koha që kalon me familjen, por pavarësisht kësaj, me aq sa të mundeni, mos u dorëzoni duke e lënë pas dore gjuhën tonë shqipe. Në çdo vend të botës ku jetoni, nëse keni afër një shkollë ku mësohet shqip, mos hezitoni t’i dërgoni fëmijët tuaj aty sepse është investim me vlerë për të ardhmen e fëmijës tuaj, i formimit të tij dhe ruajtjes së identitetit tone kombëtar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja, vera ivanaj

FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI”, NDERIM E MIRËNJOHJE VEPRËS SË DR.ELEZ BIBERAJ

November 1, 2023 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” dhe gazeta “Dielli” shprehin mirënjohjen më të thellë dhe vlerësimet më të larta për ikonën e gazetarisë shqiptar-amerikane Dr.Elez Biberaj me rastin e daljes në pension.

Federata “VATRA” dhe gazeta “Dielli” e kujtojnë me shumë respekt bashkëpunim e shkëlqyer në dekada me Dr.Biberajn në aktivitete shkencore, kulturore, komunitare e atdhetare dhe i shprehin falenderim të përzëmërt se “Zëri i Amerikës” ka qenë një derë e hapur për “Vatrën” e “Diellin” në çdo kohë.

Gjate karrierës së tij të gjatë dhe të sukseshme me 43 vite veprimtari, z.Biberaj i dha jehonë çështjes kombëtare në ndërgjegjësimin ndërkombëtar dhe njohu Shtetet e Bashkuara e opinion publik mbi gjëndjen, vuajtjen e persekutimin e popullit shqiptar, klerit dhe elitës intelektuale shqiptare në regjimin diktatorial.

Dr.Biberaj me kontributin e tij mediatik, atdhetar e patriotik la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të shtetit e kombit shqiptar dhe mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Profili i lartë i Dr. Biberajt si një intelektual i shquar ndërkombëtarisht, si gazetar e drejtues profesionist, si studiues e hulumtues në shkencat politike e media, për më shumë se katër dekada karrierë, lartësoi kauzat shqiptare anembanë botës.

“Zëri i Amerikës” ka qenë zëri i lirisë, i demokracisë, i shpresës, i dritës, i së mirës, i frymëzimit, i së ardhmes për shqiptarët që vinte në trojet shqiptare të robëruara prej komunistëve, nëpërmjet zërit e penës së Dr. Elez Biberajt.

Integriteti i lartë, profesionalizmi i spikatur, ndershmëria dhe pasioni e bënë Dr. Biberajn frymëzim, model dhe orientim për çdo gazetar shqiptar.

Veprimtaria e Dr. Biberaj për ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, demokratizimin e institucioneve e shoqërisë shqiptare, pavarësinë e Kosovës, lartësimin e kombit tonë e lidhjen organike të mërgatës shqiptare me shoqërinë dhe institucionet amerikane, janë një shërbim i madh që i ka bërë kombit shqiptar.

Z.Biberaj është kontributor i artë në panteonin e burrave të mëdhenj të kombit tonë.

I dashur dhe fort i çmuar Dr.Elez Biberaj

Mirënjohje të thellë për çdo gjë që i ke dhënë komunitetit shqiptar, komunitetit mediatik, miqve e secilit profesionist që ka pas fatin të punojë ngushtë me ty.

Ka qenë privilegj i veçantë miqësia e bashkëpunimi i frytshëm.

Kombi dhe të gjithë ne do të jemi përherë mirënjohës.

Zoti të dhashtë shëndet të fortë, jetë të gjatë e lumturi familjare.

Me mirënjohje të thellë

Kryetari i “Vatrës”

Elmi Berisha

Editori i “Diellit”

Sokol Paja

Filed Under: Politike Tagged With: Elez Biberaj, Elmi Berisha, Sokol Paja

MËSIMI SHQIP NË FERRARA, RUAJTJA E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE TË ITALISË

October 31, 2023 by s p

Mirela Kristo, mësuese e Kursit të Gjuhës Shqipe në Ferrara, Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Ferrara, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Mirela Kristo bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I MËSIMIT SHQIP NË FERRARA

Kursi i mësimit plotësues të Gjuhës Shqipe në Ferrara ka hedhur hapat e tij të parë dhe ka mirëpritur kuriozitetin e një pjese të komunitetit shqiptar në Ferrara që në nëntor të vitit 2019 ku personalisht isha bashkëpunëtore në projektin “Mapping and profiling of Albanian Diaspora in Italy” të aprovuar dhe miratuar nga “The International Organization for Emigration” (IOM Mission in Albania) CeSPI (centro studi di politica internazionale) Rome – Italy me objektivin (Missione in Albania – Coinvolgere la Diaspora albanese allo sviluppo sociale ed economico dell’Albania). Në sajë të këtij projekti pata mundësinë të njihja shumë bashkatdhetare të profileve të ndryshme të cilët shfaqën një zhvillim profesional, intelektual dhe social të konsiderueshëm dhe si rrjedhojë dhe një integrim të arritur në jetën politike, sociale, ekonomike pse jo dhe kulturore të vendit që kanë zgjedhur të jetojnë. Në njohje e sipër, në bashkëbisedime shumë miqësore vura re që diçka mungonte. Cila ishte mungesa? Cila ishte arsyeja e saj? Sot them me bindje që mungonte: Gjuha e emocioneve, gjuha e shpirtit dhe gjuha e dhimbjes, — Gjuha e Origjinës. Arsyeja? Do të thoja që një pjesë përgjegjësie e kësaj mungese i takon integritetit tejet të arritur, i cili në një rrethane apo në një tjetër vendos në vështirësi gjuhën dhe kulturën e origjinës. Vetë fjala Integrim, jo si koncept dhe domethënie në fjalor por si “proces”, përmban brenda tij si modelin e asimilimit: “të përvetësosh kulturën e tjetrit e ta vendosësh atë mbi kulturën tënde, të zotërosh gjuhën e tjetrit e ta vendosësh atë mbi gjuhën tënde” por gjithashtu edhe modelin e shkëmbimit dhe gërshetimit kultural. Kjo është një temë që ka kompleksitetet e veta por nuk mund të mos isha e ndjeshme ndaj saj. Me ndjeshmërinë dhe qytetarinë e një mësuese të gjuhës shqipe përpiqem të respektoj atë të drejtë që shpesh herë me dashje apo pa dashje, u mohohet femijëve të lindur në mërgatë, të drejtën për të mësuar, për të folur dhe për të shkruar gjuhën amtare.

KURRIKULA MËSIMORE DHE BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT

Përsa i përket kurrikulës së përcaktuar për mësimin e gjuhës amtare në mërgate, unë ndjek konceptet e programit lëndor “Gjuha dhe kultura shqiptare” Niveli I, gjithashtu dhe tekste të tjera plotësuese të cilat më ndihmojnë të realizoj dhe të kuptoj më së miri nevojat e nxënësve në mënyrë që ata të përvetësojnë kompetencat kryesore të cilat janë: kompetenca e komunikimit dhe të shprehurit, kompetencat gjuhësore dhe kompetenca e të menduarit. Me anë të këtyre kompetencave shpresoj të kem arritur sadopak zhvillimin e aftësive për të lexuar, shkruajtur dhe folur gjuhën amtare. Patjeteër është një rol i një rëndësie tepër të veçantë bashkëpunimi dhe mbështetja që unë si mësuese gjej tek prindërit. Mendoj se sot, pas kaq vitesh pune, sacrifice e angazhimi e profesionalizmi e kam arritur përkrahjen e tyre.

SHOQËRIA ITALIANE SHPREH INTERES PËR MËSIMIN E GJUHËVE TË ORIGJINËS

Mundohem dita ditës , leksion pas leksioni, aktivitet pas aktiviteti, që të ndryshoj këndvështrimin e prinderve mbi prioritetin dhe rëndësinë e gjuhës amtare. Për ndërgjegjësimin e prindërve dhe për mbështetjen e gjuhës amtare duhet akoma shumë punë, kohë dhe investim, gjë e cila nuk mund të realizohet me përpjekje të vetme individuale por në bashkëpunim me politikat shtetërore e shkollore, me institucionet shtetërore dhe me marrëveshjet bilaterale ndërmjet qeverive të dy shteteve tona. Puna dhe përpjekja që bëj është për të arritur të vetmin objektiv që fëmijët e sotëm të mergates të arrijnë t’i përgjigjen në mënyrë dinjitoze pyetjes “Kush jam unë” duke shmangur kështu një “krizë idenditeti”. Shoqeria italiane shpreh interes për mësimin e gjuhëve të origjinës pasi kjo ndihmon pozitivisht në formimin e klasave shumëgjuhëshë dhe në krijimin e idenditeteve shumë kulturore.

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI

Të japësh mësim është një detyrë sa e bukur, aq dhe me përgjegjësi. Nëpërmjet mësimdhënies jepet dhe edukata, përveç mësues ne jemi dhe edukatorë, dhe të edukosh fëmijët me ndjenjen e atdhedashurisë e të gjuhës amtare në një vend të huaj është e vështirë dhe pak e vlerësuar. Duke qenë se fëmijët tanë janë të lindur dhe të rritur në Itali, italishtja për ta mbetet gjuhë e parë dhe shqipja gjuhë e dytë dhe e huaj, prandaj si mësuese përpiqem të angazhohem maksimalisht që mesimin t’a zhvilloj në mënyrë sa më përfshirëse, duke bërë protagoniste vetëm fëmijët dhe t’i trajtoj argumentat mësimore në shërbim dhe dobi të tyre. Mendoj se arritja e suksesit të mësimit dhe e kalimit të vështirësive qendron tek dëshira dhe ndërgjegja e gjithësecilit prej nesh.

E shoh të arsyeshme të bëj një thirrje për prinderit, në mënyrë që të ndihmojnë fëmijët e tyre në kontekstin gjuhësor në të cilin ndodhen: flisni sa më shumë në gjuhën shqipe fëmijëve tuaj! Çdo gjuhë ka rëndesine e saj dhe meriton të jetë e folur dhe e shkruajtur! Mos ia mohoni këtë të drejtë fëmijëve tuaj.

KUSH ËSHTË MËSUESE MIRELA KRISTO?

Jam Mirela Kristo, e lindur në qytetin e Durrësit, kam studiuar në Universitetin e Tiranës në Degën Gjuhë –Letërsi Shqipe dhe kam përfunduar studimet e larta në vitin 1997 me titullin “Mësues i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe për shkollen e mesme”. Pas eksperiencës si mësuese në qytetin e Durrësit, aktualisht jetoj dhe punoj prej më shumë se 20 vite në Itali. Në vitin 2004 jam regjistruar në kursin e trajnimit në përfundimin e të cilit u pajisa me Çertifikatën Rajonale të Emilia Romagna me kualifikimin si Ndërmjetëse Gjuhësore për thjeshtësimin e mësimit të gjuhës italiane për fëmijët shqiptarë në Njësinë Operative të Integrimit dhe Përfshimit të nxënësve me origjinë të huaj në Komunen e Ferrarës. Në vitin 2010 me studimin 1 vjeçar të ndjekur në Universitetin “Cà Foscari”te Venecias me titull “ Komunikimi Ndërgjuhësor dhe Ndërkulturor” i cili me dha mundësinë të punoj në Qëndrën e Shërbimeve Sociale dhe si bashkëpunëtore eksperte e gjuhës amtare në Njësinë Operative të Femijërisë dhe Adoleshencës të qytetetit të Ferrarës. Nga viti 2015 deri sot punoj si Edukatore Sociale dhe Përkthyese në Aktivitetin e Ndërhyrjes Sociale për fëmijët e mitur shqiptarë të pashoqëruar nga prindërit. Jam bashkëpunetore në projektet e CESPI Roma dhe IOM për përfshirjen e Diasporës Shqiptare në zhvillimin ekonomik e social të Shqipërisë. Që nga viti 2021 jam kualifikuar si pjesë e Regjistrit Shtetëror të Diasporës sipas kritereve të Urdhërit nr. 413, datë 26.07.2019 të Ministrit të Arsimit.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Sokol Paja

BEKIM FEHMIU, VEPRA DHE TË VËRTETAT E JETËS NË NJË DOKUMENTAR

October 26, 2023 by s p

Regjisori Valmir Tertini sjell një dokumentar biografik për jetën e veprën e aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu, me skenar nga Fahri Musliu dhe producent Jaklid Gace. Në një intervistë ekskluzive dhënë editorit të “Diellit” Sokol Paja, regjisori i filmit Tertini rrëfen për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, të vërtetat e jetës së Bekim Fehmiut, arritjet e tij, detaje rreth organizimit të dokumentarit jetësor dhe mbi të gjitha shuan çdo pikëpyetje për karrierën dhe jetën e aktorit të shquar Bekim Fehmiu.

NJË DOKUMENTAR PËR JETËN E BEKIM FEHMIUT

Dokumentari “Bekim Fehmiu” është rrëfimi më adekuat i një aktori të keqkuptuar, pra është e vërteta e tij nga faktet vizive, fjalët e tij, shpjegimet e të afërmve e deri tek pikëpyetjet e krijuara ndër vite. Dokumentari i gjatë artistik kushtuar aktorit shqiptar Bekim Fehmiu nisi si ide në vitin 2018 për të vazhduar si projekt filmik. Synimi ishte në 10 vjetorin e ikjes së tij fizike, pra ne 2020 te kemi premieren ne Prizren, por nuk nodhi ashtu. Pandemia e bëri të veten duke spostuar xhirimet e duke vështirësuar organizimin në Itali. Pas idesë së dokumentarit faza tjetër me takime intensive mbi skenarin dhe aplikimet për fonde. Ministria dhe Qendra Kinematografike në Kosovë e refuzuan projektin 2 herë. Qendra Kombetare e Kinematografisë në Shqipëri e financoi për të nisur punën, xhiruam fillimisht në 5 shtete, Kosovë, Shqipëri, Serbi, Bosnje, Kroaci, pandemia na ndërpreu xhirimet kështu që Italinë e lamë për një moment tjetër. Ndërkohë ne punonim në montazh por filmi nuk ishte i rrumbullaksuar, na duhej xhirime dhe në Itali, pasi mbyllem atë, tani ne kompletuam mungesat dhe ishim gati për dorën finale në post produksion. Shumë gjëra ekskluzive u zbuluan ndër vite që dokumentari të pasurohet në nivelin që është tani.

BEKIM FEHMIU SI IDENTITET KULTUROR

Bekim Fehmiu ishte aktori i parë i Evropës Lindore që luajti në Hollywood gjatë Luftës së Ftohtë dhe ishte një nga aktorët më të njohur ndërkombëtarisht. Në dokumentar Enver Petrovci thotë: “Krejt kemi pas qef me qenë si Bekimi” si dhe rastin kur ai ka ardhë me i vizitu në prova: “Po vjen Bekimi me na pa në prova, le mos bo hajgare”. Nga këto komente dhe shumë të tjera kuptojmë se identiteti kulturor i Bekim Fehmiut ishte një Idol, jo vetëm për artistet shqiptar por shumë më shumë.

NJË DOKUMENTAR QË IU PËRGJIGJET FAKTEVE RRETH BEKIM FEHMIUT

Dokumentari është observativ, pa narracion, por me intervista, i xhiruar në 6 shtete, Kosovë, Shqipëri, Serbi, Bosnje, Kroaci dhe Itali. 66 minuta. Dokumentari nis me vdekjen duke zbuluar të vërtetat e vetëvrasjes, pastaj lindja e deri tek kulminacioni i tij, shkëlqimi dhe rolet e mëdha. Kur ke famë padyshim se lindin keqkuptime dhe gojëdhena. Si u bë i njohur në ish Jugosllavi një aktor shqiptar i cili u pranua në akademi të arteve me kusht e pa njohur gjuhën serbe. Krijimi i familjes me Brankën. Largimi nga skena si protestë. Vetëvrasja etj. Të gjitha këto keqkuptime marrin fund, sepse dokumentari u përgjigjet me fakte.

SI ISHTE BEKIMI NË TË VËRTETË

Të intervistuarit e tregojnë Bekimin siç ishte në të vërtetë, që nga lindja, kulminacioni, veset e tij e deri tek vdekja. Rrëfime ekskluzive nga vëllai, gruaja, shokët, kolegët, bashkëpunëtoret e tij.

PREMIERA, NJË EMOCION I JASHTËZAKONSHËM

Premiera e madhe ishte në Tiranë, një emocion i jashtëzakonshëm për një punë mbi 5 vjeçare. Vendosëm që të bënim Premierë të mbyllur për shkak të interesimit të madh, nuk doja që të bëhej kaos dhe të mos kishte vende për të tjerët, por salla të mbushej përplot me personalitete, stafin realizues, kineastë dhe bashkëpuntorë të ftuar dhe ashtu ndodhi. Vërtetë më mirë sesa që e planifikuam. Premiera tjetër për Kosoven ndodhi në Prizren, kinemaja me e madhe atje u mbush përplot me të ftuar. Bekimi iu kthye Prizrenit tanimë në një film dokumentar dhe publiku e mirëpriti atë. Filmi dokumentar do të ketë edhe disa premiera të tjera në vendet ku është xhiruar, po ashtu dhe ekskluzivisht do vijë në NewYork për artëdashësit shqiptar dhe të huaj atje.

Trailer: https://youtu.be/60D0CPTBZVg

Video Premiera: https://www.youtube.com/watch?v=l1yubxGy1z4&t=2s

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

INVESTIMI TE FËMIJËT SI INVESTIM PËR SHQIPTARINË E SË NESËRMES

October 25, 2023 by s p

Ardit Breznica pjesë e Shkollës Shqipe Chicago dhe Grupit Arbëria Chicago që nga viti 2008 rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kulturor në Chicago, nëpërmjet mësimit të valleve shqipe, kengeve e pjesëmarrjes në aktivitete kulturore e komunitare. Me Ardit Breznicën bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

INVESTIMI TE FËMIJËT SI INVESTIM PËR SHQIPTARINË E SË NESËRMES

Arsyeja më e madhe pse investoj kaq shumë kohë dhe kam një pasion të madh për mësimin e valleve është për të ruajtur identitetin shqiptar në Amerikë. Është e rëndësishme që të kujtojmë nga vijmë kulturisht dhe të mësojmë historitë dhe vlerat që sjell çdo valle. Dua që fëmijët të kenë një hapësirë për të mësuar, rritur, dhe argëtuar me njëri-tjetrin, ndërsa krijojnë kujtime të përjetshme. Më bën vërtetë lumur të shoh fëmijët të argëtohen, dhe kjo është çfarë përpiqem të bëj çdo herë që mësoj.

AKTIVIZIMI I RINISË SHQIPTARE NË DIASPORËN E AMERIKËS

Së bashku me identitetin, ruajtja e kulturës ndodh dhe lidhja ndodh përmes valles. Dëgjojmë muzikë tradicionale, mësojmë lëvizjet, dhe si u krijua vallet. Nëse ka histori, unë i mësoj ato histori fëmijëve. Të gjithë e duan. Kjo do t’i lidhë ata më ngushtë me komunitetin shqiptar që ata në fund do ta marrin në dorë dhe, me shpresë, do të vazhdojnë të ruajnë traditat që prindërit tanë i sollën nga Shqipëria. Unë shpresoj të vazhdoj të mësoj vallet për sa më shumë fëmijë në Illinois dhe, në fund të fundit, në të gjithë Shtetet e Bashkuara, kështu që të gjithë të mund të mblidhemi dhe të gëzojmë dashurinë tonë për Shqipërinë dhe diasporën e saj.

AKTIVITETET KULTURORE ME SHOQATËN USKANA

Për Shoqatën Uskana, përvoja ime e parë me ta ishte kampi më 16 shtator. Ishte një mundësi për mua të mësoja nxënësit rreth disa valleve tradicionale shqiptare ndërsa kalonim kohë të këndshme dhe të kënaqshme së bashku.

BASHKËPUNIMI ME SHKOLLËN SHQIPE TË ÇIKAGOS

Për Shkollën Shqipe, unë jam një nga instruktorët e valleve për programin Grupi Arbëria. Është një program ku isha pjesë e tij kur u themelua më shumë se 10 vite më parë. Është një program i konsoliduar i Shkollës Shqipe dhe vazhdon të operojë me sukses me shumë fëmijë të entuziazmuar.

AKTIVITETET KULTURORE NË RUAJTJEN E TRADITËS SHQIPTARE NË MËRGIM

Një nga mënyrat më të mira për të mbajtur gjallë traditën shqiptare është përmes valles. Ajo është themelore në kulturën shqiptare dhe është një nga pak gjërat që bashkon njerëzit. Duke përhapur këtë dashuri për vallet, unë shpresoj të mbaj gjallë kulturën shqiptare te fëmijët, që mund t’i ndajnë kur ata kthehen në Shqipëri dhe gjithashtu tek familjet e tyre të ardhshme.

KUSH ËSHTË ARDIT BREZNICA?

Jam 23 vjeç, dhe vij nga Chicago, Illinois. Aktualisht punoj si inxhinier i sigurisë së rrjetit. Kam qenë pjesë e Shkollës Shqipe Chicago dhe Grupit Arbëria Chicago që nga viti 2008. Pasioni im për vallet shqiptare filloi kur isha shumë i ri dhe vazhdon edhe sot. Shpresoj që duke mësuar vallet kulturore të sjell një ndjenjë të fortë identiteti në komunitetin shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës zhvilloi mbledhjen përgatitore të Kuvendit të 25 Prillit 2026
  • “Thinking of You”
  • Kosova mes krizës politike dhe sfidës së pjekurisë demokratike
  • NGA AMERIKA ME SHPIRT E ZEMËR PËR EPOPENË E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
  • Narcizoidizmi, adoleshenca dhe arroganca politike, pengesat kryesore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Kosovë
  • Një jetë në shërbim të historisë shqiptare
  • Kush do ta zgjedhë liderin e Iranit?
  • Një monument letrar për viktimat e diktaturës…
  • Familja Qiriazi, Shtylla Historike e Arsimit Shqiptar dhe e Formësimit të Identitetit Kombëtar
  • Muhamet Kërpaçi, ambasadori i artit shqiptar
  • 𝐆𝐞̈𝐳𝐮𝐚𝐫 𝐃𝐢𝐭𝐞̈𝐧 𝐞 𝐌𝐞̈𝐬𝐮𝐞𝐬𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐠𝐣𝐢𝐭𝐡𝐞̈ 𝐦𝐣𝐞𝐬𝐡𝐭𝐞̈𝐫𝐯𝐞 𝐬𝐡𝐞̈𝐫𝐛𝐞̈𝐭𝐨𝐫𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐭𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐤𝐞̈𝐭𝐢𝐣 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢
  • Mësuesit çamë, ata që u sakrifikuan me dashuri për shkronjat dhe fjalën e ëmbël shqipe
  • Në ditëlindjen e 94 të shkrimtarit Naum Prifti
  • E ARDHMJA ESHQIPËRISË VARET NGA PUNA E MËSUESVE
  • “Dilema e Ismailit”, një film sfidë e kinematografisë shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT