• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKOLLA SHQIPE NË DUSELDORF, GJUHA DHE IDENTITI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE TË GJERMANISË

November 8, 2022 by s p

Antoneta Micalliu, mësuese në Shkollën Shqipe në Duseldorf, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Gjermani nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Antoneta Micalliun bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË DUSELDORF

E sotmja është vazhdimësi e së kaluarës,prandaj dëshiroj të shkruaj diçka për historikun e shkollës shqipe në Duseldorf. Mësimi i gjuhës shqipe në Duseldorf i shënon fillimet e veta në vitin 1985. Duke qenë se Duseldorfi është kryeqyteti i Republikës së NRW ( I Vestfalisë së Renit Verior)edhe përqëndrimi i shqiptarëve që punonin dhe jetonin këtu, ishte i madh. Kjo e bëri të pashmangshme hapjen e shkolles shqipe ,në këtë qytet. Mësuesi i parë i Duseldorfit ishte zt. Pal Përgjokaj dhe pas tij në vitin 1989 zt. Rifat Hamiti dhe znj. Nexhmije Hamiti. Aktualisht Duseldorfi ka katër mësuese të gjuhës shqipe. Shkolla shqipe, si shumë gjuhë të tjera, drejtohet dhe organizohet nga institucionet gjermane. Në Republikën NRW, numërohen rreth 29 gjuhë amtare. Duseldorfi ka një sipërfaqe prej 217,4 km2 përbëhet nga dhjetë Stadtbezirke( pjese përbërëse) dhe mësimi këtu është i përqëndruar në këto pjesë:

Dyseldorf Eller

Duseldorf Gerresheim

Duseldorf Rath

Mësimi zhvillohet pasdite,në grupe mësimore. Në mësim marrin pjesë nxënës nga klasat 1-10-të klasifikuara në grupe përkatëse,sipas numrit të nxënësve që parashikon ligji i Ministrisë së Arsimit.

KLASAT, KURRIKULA MËSIMORE, LIGJI PË GJUHËT

Ekzistojnë tre plane mësimore që përfshijnë klasat: 1-4/ 5-6/ 7-10. Gjithashtu edhe një ligj, i cili përcakton përdorimin konkret të këtyre planeve. Ligji, më i ri i fundit ,në lidhje me mësimin e gjuhëve amtare është ai i vitit 2021( Bass 13-61 nr.2) Në këtë ligj gjuha amtare shikohet nga një këndvështrim i ri, ajo bëhet pjesë e sistemit të shumëgjuhësisë, mund të mbahet edhe në orët e mësimit të paradites, në shkollat gjermane, në bashkëpunim të ngushtë me mësuesit e këtyre shkollave. Në vitin shkollor 2021-2022 provimet e gjuhëve amtare përfshihen në sistemin qëndror të provimeve, si dhe gjuhët e tjera të huaja, siç është ; anglishtja, frëngjishtja, spanjishtja etj. që mësohen në mësimin e rregullt gjerman të paradites. Ky mësim i përmbahet referencë-kompetencave të përbashkëta europiane (GER.Gemeinsamer europäischer Referenzrahmen).

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË GJERMANI

Mësimi i gjuhës shqipe luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar. Ai përfshin jo vetëm mësimin e gjuhës, por edhe ruajtjen e kultivimin e traditave e kulturës kombëtare njohuri nga historia e gjeografia,njohjen e figurave e personaliteteve në fusha të ndryshme, të artit, sportit, kulturës, letërsisë etj. duke pasur pikësynim, formimin e përgjithshëm të çdo nxënësi dhe rritjen e vetëdijes kombëtare. Shkolla forcon edhe lidhjet e bashkëpunimin e nxënësve me njëri-tjetrin, bashkëpunimin e lidhjen mes familjeve, pra është një faktor i rëndësishëm shoqëror, social, për jetën e shumë emigrantëve që jetojnë e veprojnë këtu. Gjithashtu një rol po aq të rëndësishëm, në ruajtjen e traditave kombëtare, sidomos të këngëve,valleve dhe letërsisë sonë kombëtare, si dhe në aspektin shoqëror,kanë luajtur edhe programet shkollore, të cilat kanë një traditë, në Duseldorf, që nga mësuesit e mëparshëm, që kanë punuar në këtë qytet dhe që i përmenda më lart, e deri në ditët tona. Ato janë bërë pjesë e pandarë e jetës së nxënësve dhe bashkatdhetarëve që jetojnë këtu. Përveç programeve shkollore vlen të përmenden edhe aktivitete të tjera si ; garat sportive, konkursi i diturisë etj. Megjithatë duhet thënë, që fatkeqësisht, ka ende, aty-këtu, ndonjë prind, i cili kënaqet me njohuritë e gjuhës së folur në familje, nga fëmijët e tij, dhe nuk e quan të rëndësishëm mësimin e gjuhës, në shkollë. Madje ka edhe ndonjë rast ,kur mësimi i gjuhës shqipe shihet si pengesë për mësimin e gjermanishtes. E gjitha kjo në një kohë kur vlerësimi i gjuhëve amtare si bazë për mësimin e gjuhës së vendit ku jetojmë,ka arritur shkallën më të lartë të vlerësimit, nga vetë institucionet vendore dhe është i mbështetur, në eksperienca që e bëjnë të padiskutueshëm vlerën e tij.Por këto raste nuk duhen pergjithësuar. Fakt është që mërgata shqiptare sa vjen e po bëhet më e ndjeshme dhe më e vetëdijshme ndaj faktorit të gjuhës amtare.

SI PRITET MËSIMI SHQIP NË GJERMANI

Siç e permënda dhe më lart shoqëria gjermane eshtë ndërgjegjësuar gjithashtu, në lidhje me rëndësinë e gjuhëve amtare, ajo po i kushton gjithnjë e më shumë vëmëndje atyre, shkak është edhe heterogjeniteti i popullsisë, veçanërisht që me krijimin e BE-së, ku ardhjet nga shtetet e tjera për arsye punësimi janë rritur dukshëm. Kjo ka sjellë me vete edhe një ndryshim, në mënyrën e të menduarit dhe konfrontimin me eksperienca të reja gjuhësore, të cilat kanë sjellë rritjen e vlerës së gjuhës mëmë dhe ndryshimet e nevojshme në strukturën arsimore gjermane. Jo vetëm institucionet,por edhe mentaliteti i përgjithshëm i popullsisë ka ndryshuar, pozitivisht, në këtë drejtim.

SHQIPTARËT NË GJERMANI

Shqiptarët vetë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në hapjen e shkollave shqipe. Në shumë qytete janë krijuar shoqata të ndryshme, të cilat kanë dhënë një kontribut të madh. Me ndihmën dhe kontributin e këtyre shoqatave, por edhe me iniciativën personale të shumë prindërve është bërë e mundur hapja e shumë shkollave shqipe kudo në Republikën NRW. Per herë të parë, në NRW, shkolla shqipe u hap në qytetin Euskirchen. Një qytet me rreth 59.000 banore,në vitin 1975. Që nga viti 2013, në këtë qytet punon Znj.Etleva Gerbi Mance, e cila me pasion e vullnet të veçantë përveç mësimit organizon edhe shumë aktivitete me nxënësit, duke e konsoliduar frymën atdhetare, duke ruajtuar traditën e duke pasuruar jetën kulturore, të shqiptarëve që jetojnë këtu. Por shkolla në Euskirchen nuk mbeti një rast i vetëm, në vitin 1977 shkolla shqipe filloi të hapej më tej edhe në shumë qytete të tjera. Sot janë rreth 30 mësues që punojnë me orë të plota pune, në këtë Republikë dhe numri i nxënësve është vazhdimisht në rritje. Tani kemi gjeneratën e dytë, madje dhe të tretë, të emigrantëve të parë të ardhur. Disa qytete ku ekziston shkolla shqipe prej vitesh janë: Duseldorf, Duisburg, Köln, Neuss, Düren, Mönchengladbach, Solingen, Wuppertal, Gelsenkirchen, Dortmund, Hagen, Remscheid, Krefeld, Bocholt, Langenfeld, Münster etj.

ÇDO INDIVID IDENTIFIKOHET NGA TË HUAJT ME KOMBIN NGA VJEN

Sado të integrohemi në vendet ku ne jetojmë e punojmë, sado të arrijmë, mendoj që rrënjët jane ato, që të futura thellë në tokë ushqejnë trungun, degët gjethet dhe i japin jetë pemës. Rrënjët tona jane vendi ku kemi lindur dhe nga kemi ardhur. Edhe pse fizikisht nuk jemi më aty, shpirtërisht duhet t’i përkushtohemi, vendit tonë, të bëjmë më të mirën e mundshme, qe të trashëgojmë, tek brezat e ardhshëm, gjuhën, zakonet, traditat, kulturën, letërsinë, muzikën, gjithçka të mirë, të bukur e me vlerë. Të duam, mbështesim e ndihmojmë njëri-tjetrin, sepse harmonia, uniteti dhe respekti reciprok, janë faktorë shumë të rëndësishëm, për ruajtjen dhe rritjen e vlerës kombëtare, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Shumë pika uji të bashkuara krijojnë një përrua, shumë përrenj, krijojnë një lumë. Çdo individ identifikohet nga të huajt me kombin nga vjen. Çdo vepër e mirë ose jo e mirë, dashje, ose padashje, nuk mbetet vetëm tek individi, pra nuk shihet si një rast i veçantë, por duke u nisur nga këndvështrimi i të tjerëve, përgjithësohet dhe mund të jetë një rreze dielli, ose një hije e zbehtë, për vendin nga vijmë.

KUSH ËSHTË ANTONETA MICALLIU

Të shkruaj për vetveten, më duket detyra më e vështirë. Megjithatë po bëj një përmbledhje të shkurtër të jetës sime, me pak fjalë. Unë kam lindur në një qytet të vogël, në qytetin Rreshen, aty kam kryer shkollën fillore dhe të mesme. Kam qenë aktive në shkollë dhe jashtë saj. Kam marrë pjesë, në shumë aktivitete jashtëshkollore. Pas përfundimit të gjimnazit kam vazhduar studimet në Fakultetin Histori-Filologji, në Tiranë, në degën gjuhë- letërsi shqipe. Edhe në kohën e studimeve, veçanërisht vitin e parë të universitetit kam qenë aktive dhe jam munduar që pasionin tim për letërsine ta lëvroj më tej. Pas përfundimit të universitetit, kam punuar disa kohë si mësuese zëvëndësuese, në disa shkolla në Tiranë. Në vitin 1997 kam ardhur në Gjermani, si vizitore,dhe si pasojë e situatës së rëndë që kaloi vendi, në atë periudhë, nuk ishte më i mundur kthimi. Jam munduar të jem kërkuese ndaj vetvetes edhe këtu ku jetoj. Kam punuar si mësimdhënëse, në disa shkolla gjermane. Mësimin, si mësuese e gjuhës shqipe e kam filluar në qytetet Langenfeld, Erkrath dhe sot punoj në qytetet Neuss dhe Duseldorf. Profesionin nuk e kam parë vetëm si profesion, por si pasion, si një detyrë të shenjtë, ndaj atdheut dhe bashkatdhetarëve.Jam përpjekur, deri tani, në çdo kohë të jap kontributin tim edhe jashtë orëve të detyruara mësimore, në çdo kohë dhe në çdo shkollë, ku kam punuar.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

SHQIPTARËT E ARIZONËS FESTUAN 100 VJETORIN E MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE

October 31, 2022 by s p

Sokol Paja/

Shqiptarët e Arizonës festuan me madhështi 100 vjetorin e marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane. Grupi organizator në Arizona që përfshinte tre organizatat: “Albanian Civic Center of Arizona”, “Albanian Cultural Center Eagle of Arizona”, “Albanian-American Women Association of Arizona”, i rrëfyen Diellit organizimin dhe detajet sesi shkëlqyen në një festë të veçantë për të gjithë shqiptarët e Arizonës me rastin e 100 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqiptaro-Amerikane.

100 VITE MIQËSI SHQIPËRI-AMERIKË

Shqiptarët e Arizonës në shenjë nderimi, respekti dhe vlerësimi festuan me madhështi festën një shekullore të miqësisë me aleatin më të madh e më besnik të kombit shqiptar, Amerikën e dashur dhe të ëndërruar. 100 vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Amerikës dhe Shqipërisë është moment i shënuar dhe shumë i veçantë për të dy popujt, shtetet e kombet. Shqiptarët i janë mirënjohës Amerikës pasi në çdo moment që kombi ynë ka pasur nevojë, Amerika është përgjigjur dhe s’na ka lënë kurrë vetëm. Në 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Amerikës dhe Shqipërisë si popull kemi shansin dhe nderin e madh të trashëgojmë miqësinë dhe të rrisim mbështetjen e bahskepunimin me krenari e dinjitet. Kjo miqësi e ngohtë dhe e sinqertë mes dy popujve do të ndriçojë rrugën përpara në misionin tonë të përbashkët, si aleatë besnik, si miq e si bashkëpunëtorë për të mirën e popujve tanë e shteteve tona. Ky përvjetor shekullor është një bekim dhe urim për 100 vjetorin e miqësisë së shtrenjtë e të shenjtë. Zoti i bekoftë të dy vendet tona të begata.

PROGRAMI I FESTËS QË NGROHU ZEMRAT SHQIPTARE NË TOKËN E PREMTUAR

Festimet që u kremtuan në Arizona, filluan me një program shumë të ngjeshur patriotik dhe artistik. Pas fjalës përshëndetëse të Ambasadores Floreta Luli-Faber, në fjalën përshëndetëse folën: Florim Ymeri, President i Albanian-American Cultural Center “Eagle of AZ”. Të ftuar ishin John dhe Cindy Gillan, miq të Shqipërisë. Dr.Gillan është dentist në Arizona dhe një mik i vjetër i Shqipërisë. Ai është një nga themeluesit e Shoqatës Mjeksore Shqipëri-Amerikë, ku ka dhënë nje kontribut të çmuar në shkëmbimin e eksperiencave mjekësore mes dy vendeve. John e ka vizituar Shqipërinë që në 1995, dhe mbas saj pothuajse çdo vit. Ai meriton një pashaportë shqiptare. Ai ka marre pjesë në demonstratat për Pavarësinë e Kosovës /Dardanisë. Po ashtu ishin të ftuar Philip dhe Sharon Jay, financierë, miq të Shqipërisë. Philip na nderoi me fjalën përshëndetëse. Po ashtu dhe ai ka marrë pjesë në demonstratat për Pavarësinë e Kosovës /Dardanisë në vitet 1997-1998. Prof. Dr. Arben Lasku prezantoi një përmbledhje të marrëdhënieve dipllomatike Shqipëri-Amerikë, që me fillimet e saj. Disa momente interesante nga fjalimi i tij ishin 1819 – Dy gazetarë Amerikanë vijnë në oborrin e Ali Pashë Tepelenës. 1891 – qeveria Amerikane merr leje në Stamboll për hapjen e shkollës shqipe për vajza në Korçë. 1919 – presidenti Wilson mbështet integritetin territorial të Shqipërisë, pengohet ndarja. 1922 – vendosen mardhëniet diplomatike Shba-Shqipëri. 1930 – ndërtohet ambasada e Shba në Tiranë, si e para ndërtesë ambasade e ndërtuar ndonjëherë nga Amerika . 1991 – rivendosen mardhëniet Amerikë-Shqipëri pas 52 vjet ndërprerje. Afërdita Ollomani nga Maqedonia e Veriut lexoi një poezi për Pavarësinë e Kosovës/ Dardanisë, si dhe ndau me të gjithë, ndihmën që ka dhënë familja e saj në kohën e luftës së Kosovës/Dardanisë. Anton Gega agjent imobilar përshëndeti në emër të komunitetit nga Malsia / Mali i Zi, gjithashtu edhe Nora Qorri agjente imobilare përshëndeti në emër të grupit organizator.

PROGRAMI ARTISTIK I FESTËS

Programi artististik permbante valle nga fëmijët Arianna, Isabella, Gabriella, Alexander, Dominick, Emma, Besarah, Brian, Ana, Viktoria, Christina, Andra, Evelyn, Veronika, Klea, Sia, nën drejtimin e Xhesi Fidanit me kengën “Valle Tropojane” dhe “Këngë moj buçit në Male”, me kostumin më të veçantë, krahët e shqiponjës, një projekt i desinjuar dhe prodhuar nga Eliana Nikolla. Aktiviteti për fëmijët, u pasurua dhe më shumë nëpërmjet vizatimeve dhe stickers me flamurin shqiptar, nën përkujdesjen e Doriana Pëllumbi dhe Valbona Pëllumbi. U bë promovimi i filmave me metrazh të shkurtër “ My Secret War” nga Rina Hajra. dhe “The Dark Web”, Ervin Musabelliu, të rinj të talentuar që Amerika i ka dhënë mundësinë të zhvillojnë talentet e tyre. Nëpërmjet “Power Point” që u shfaq në televizor, u paraqitën veprimtaritë e shoqatave në Arizona ndër vite. Një falenderim i veçantë në atë prezantim i bëhej çiftit Remzi e Mary Barollit për kontributin e tyre të çmuar në komunitetin e Arizonës. Po ashtu u shfaq dhe një power point me njerëz të shquar Amerikano-Shqiptarë si Dua Lipa, Rita Ora, Ava Max, Bebe Rexha, Jim Belushi, Eliza Dushku etj. Në program ishte përfshirë një ekspozitë fotografike nga aktivitet e komunitetit shqiptar në Arizona ndër vite. Gjithashtu u pasqyrua një ekspozite nga piktorët tanë të talentuar Engjëll Musabelliu dhe Afërdita Ollomani. Familjet e Remzi Barollit, Arben Laskut, Shahin Berisha, Rusha Hamitit, Rakip Syla kishin përgatitur posters nga kontributi I familjeve të tyre në komunitet, sidomos nga lufta e Kosovës/Dardanisë. Ekspozita fotografike nga aktivitetet e Shoqatave në Arizona ndër vite, ngjalli shumë interes për të gjithë të pranishmit. Në këtë festim nderoi me pjesëmarrjen e tij anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Arizonës John Kavanagh dhe gruaja e tij Linda Kavanagh. Për miqtë dhe të ftuarit u ofrua ushqim tradicional i përgatitur nga Merita Kraja Idrizaj, Nora Qorri, Djellza Shkodra, famijla Gegaj, Afërdita Ollomani.

MIRËNJOHJE DHE VLERËSIM

100 vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Amerikës dhe Shqipërisë duhet të shoqërohet pa dyshim me mirënjohje dhe vlerësim për angazhimin, punën e palodhur, profesionalizmin dhe shpirtin e festës bashkëpunëtorët që mundësuan gjithçka: Merita, Nora, Djellza , Elonia, Eliana, Oli, Rina, Xhesi, Vlera, Doriana, Valbona, Vjollca, Florim, Arben. Falenderohen anëtarët e komunitetit në Arizona për donacionet në mbështeje të aktiviteteve të tilla. First Interstate Bank me menaxhere Brisilda Hysenaj dhuroi $ 1,000. Prezantueset e programit Rina, Xhesi, Vlera, këto vajza që përfaqësojnë bukurinë shqiptare, shfaqën talent dhe performancë të shkëlqyer për të gjithë të pranishmit. Të gjithë bashkë kanë punuar shumë dhe kjo është edhe nxitje për Shoqatat e tjera që nesër të bëjnë dhe më shumë aktivitete të përbashkëta në diasporë. Kjo ishte një festë madhështore e pritur shumë mirë si në komunitetin shqiptar dhe më gjërë. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën, Amerikën dhe shqiptarët kudo që janë.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

Mërgata shqiptare e Amerikës si aset politik, ekonomik e kulturor i kombit tonë

October 29, 2022 by s p

Sokol Paja/

Mërgata shqiptare e Amerikës është pa dyshim një aset i jashtëzakonshëm politik, ekonomik, social e kulturor i kombit shqiptar. Sa herë ka pasur nevojë shteti e kombi ynë, të parët janë përgjigjur shqiptarët e Amerikës. E filloi Vatra, e vazhdo përgjatë gjithë 110 viteve histori, e kryeson sot bashkë me gazetën Dielli veprimtarinë kombëtare në shërbim të çështjes shqiptare bashkë me dhjetëra shoqata, organizata e klube patriotike të shpërndarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqiptarët e Amerikës me në krye Vatrën përbëjnë grupin patriotik më serioz, më energjik, më potent, më vital duke u shëndërruar në një burim të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, Kosovën, e trojet shqipfolëse në proceset që kalojnë shtetet tona e shqiptarët në tërësi. Duke qenë se Kosova është një shtet në rrugëtim e sipër në proceset integruese, ndërtimin e demokracisë, konsolidimin e shtetit ligjor e demokratik, e ka të nevojshme të shikojë në diasporë profesionistët dhe ekspertët që ti ftojë për të kontribuar në qeverisje dhe shtetndërtim. Po ashtu edhe Shqipëria e shpallur e mos varme prej 110 vitesh, në tranzicionin e zgjatur 30 vjeçar, klasa politike aktuale ka dështuar turpshëm përballë aspiratave të popullit e kombit shqiptar në rrugëtimin euroatlantik te shtetit shqiptar. Mërgata shqiptare me profesionistë të spikatur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të gjitha fushat si arkitekturë, shkenca politike, ekonomi, mjeksi, inxhinjeri, shkenca kompjuterike etj, do të ishin një mundësi e shkëlqyer për shtetet tona që të ndryshojë filozofia e shërbimit publik në institucionet shtetërore publike, performanca e punonjësve, depolitizimi i administratës shtetërore dhe mbi të gjitha ngritja e nivelit të ekspertëve dhe vetë shtetit. Fytyra e shteteve tona sot lë shumë për të dëshiruar, militantët ua kanë zënë vendin profesionistëve. Militantët në poste kyçe, porfesionistët ose të pa punë, ose në profile jo të përshtatshme ose më e keqja mbushin gomonet për në Mbretërinë e Bashkuar. Shteti-Partia-Militanti janë bërë një e vetme dhe e pa ndarë duke e monopolizuar shërbimin publik shtetëror, duke e kthyer në një burim korrupsioni, nepotizmi, arrogance në raport me qytetarin e thjeshtë. Si në Kosovë dhe në Shqipëri ka një nevojë emergjente për ndryshime thelbësore në qeverisje, administratë dhe mbi të gjitha në mendësi e filozinë e shërbimit ndaj qytetarëve shqiptarë. Nevojitet një kastë e gjërë profesionistëtsh nga jashtë shtetit, të pa përlyer, të pa përfolur, me integritet të lartë, që të modernizojnë shtetin dhe qytetarët të ndiejnë ndryshimin real nëpërmjet qasjes së re në politikbërje e shtetndërtim. Mërgata shqiptare e Amerikës është një ndër mërgatat shqiptare në botë më të fuqishme në aspektin politik, ekonomik, kulturor dhe social. Mergata shqiptare e Amerikës është një aset i shkëlqyer që nëse përdoret siç duhet nga qeveria dhe opozita, do të rriste në një tjetër nivel elitën politike të vendeve tona si në Shqipëri dhe në Koosvë dhe mbi gjithçka do të lidhte organikisht mërgatën e Amerikës me shtetet tona në Kosovë e Shqipëri. Nëse bijtë më të shquar, mendjet më të ndritura e profesionistët më të lartë të mërgatës shqiptare që punojnë e veprojnë në Amerikë e më gjërë do të ftohehsin në qeveritë e Shqipërisë e Kosovës, kjo do të shërbente edhe si një pikënisje për mërgatën e Zvicrës, Gjermanisë, Suedisë, Belgjikës, Britanisë etj. Emigracioni politik i pas viteve 90-të i ka varfëruar shumë shetet tona si në Shqipëri e Kosovë e trojet shqipfolëse. Përditë po emigron elita intelektuale e vendit si në Shqipëri dhe në Kosovë. Politikës së korruptuar i bëjnë alergji profesionisët e ndershëm. Ikja e intelektualëve është një emigrim i tmerrshëm. Profesionistët ndihen të pavlerësuar e të nënvlerësuar e shumë herë të asfiksuar prej militantëve partiakë. Mërgata e Amerikës duhet të ftohet si prej opozitës dhe prej qeverive. Në rast se nuk gjendet hapsira përmes ftesave, vetë mergata duhet ta ndjejë si detyre patriotike përfshirjen në proceset politike për një qeverisje më të mirë si në Shqipëri e Kosovë dhe mbi të gjitha të jetë një alternativë e re morale dhe politike për qytetarët shqiptarë. Politika shqiptare e ka humbur morain e saj dhe të drejtën për t’i besuar për të ndryshuar fatet e shtetit e popullit tonë. Fatet e atdheut duhet ti marrë në dorë mërgata e Amerikë dhe mërgatat e tjera shqiptare nëpër botë me gjak të ri, me moral të ri, me filozofi të re, me profesionistë të rinj për të çuar përpara përparimin, zhvillimin, lulëzimin, begatimin e kombit shqiptar. Situata politike në Shqipëri sa vjen e përkeqësohet. Kryeministri Rama ka zaptuar çdo pushtet. Shqiptarët po ikin nga sytë këmbët. Shqipëria po shpopullohet, vendi po vidhet e po varfërohet. Shqiptarët nuk e meritojnë qeverisjen që i vjedh e i rrënon përditë. Më 12 Nëntor 2022 opozita në Shqipëri, Partia Demokratike, Partia e Lirisë dhe forcat e tjera opozitare do të fillojnë protestat për rrëzimin e qeverisë. Të gjithë opozitarët shqiptarë është shpallur se do të protestojnë kundër keqqeverisjes e korrupsionit. Si kurrë më parë në këto procese demokratike delikate, duhet të përfsihen të gjitha mërgatat shqiptare në botë me qëllimin e vetem jo vetëm luftimin e së keqes në qeveri por edhe ofrimin e një alternative të re politike për shqiptarët. Shqiptarët kanë nevojë për alternativë të re. Shqiptarët duhen zgjuar, duhen nxitur, duhen ftuar, duhen afruar për tu përballur me të keqen që qeveris vendin prej 9 vitesh. Që opozita të jetë e besueshme e të zgjojë dëshirën e nevojën emergjente për dryshim te shqiptarët, duhet pikë së pari të ketë fytyra të reja, energji te rëja, moral të ri e mbi të gjitha filozofi e njerëz patriotë që duan të bëjnë Shqipërinë, ta pasurojnë atë, e jo të pasurojnë veten e tyre nëpërmjet qeverisjes së Shqipërisë. Rama u fron shqiptarëve sot keqqeverisje, korrupsion galopant në çdo qelizë të shtetit e pushtetit, mashtrim, lidhje të shtetit me krimin, trafiqe, emigrim masiv, shpopullim, mungesë transparence e llogaridhënëse, arrogancë dhe monopolizim të të gjitha pushteteve. Shqiptarët nuk janë të varfër, janë të vjedhur e të tradhëtuar. Mërgata shqiptare e Amerikës duhet të ndërgjegjësohet që të përfshihet masivisht duke marrë pjesë fuqishëm në të gjitha proceset politike në Shqipëri e Kosovë me qëllim që shqiptarët të kenë një qeveri e shërbim dinjitoz. Shqiptarë të Amerikës, shqiptarë të botës: Shqipëria, Kosova, trojet tona kanë nevojë për ne. Atdheu na thërret…

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

VATRA PROMOVOI ROMANIN HISTORIK “HUMBJA” TË AUTORIT MARK PASHKU

October 27, 2022 by s p

Sokol Paja/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi romanin historik “Humbja” të autorit Mark Pashku. Me pjesëmarrjen e posaçme të Shoqatës Malësia e Madhe e drejtuesve të saj më të lartë, Vatra u kthye në shtëpinë e promovimit të letërsisë, historisë e kulturës kombëtare në mërgatën e Amerikës. Dr. Pashko Camaj uroi mirëseardhjen në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. “Fillimi i autorit është mbresëlënës. Vlerësimet e marra deri tani tregojnë një arritje madhështore. Është shumë i rëndësishëm përkthimi në gjuhën angleze e kësaj vepre për letërsinë shqiptare dhe historinë tonë” tha ndër të tjera dr. Camaj. Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë z.Mhill Velaj ndër të tjera tha se romani historik “Humbja” është një klithmë për humbjen dhe dhimbjen e një kombi. Është një thirrje për humbjen e etnitetit tonë ndër kohëra. Si romani më i mirë i vitit 2021 në trojet shqiptare përshkruan jetën kolektive të malësorëve që e duan Malësinë. Epiqendra e rrefimit të Mark Pashkut është rrënja e lashtë etnike e shqiptarëve në vazhdën e shekujve. Në këtë roman përplasen kohërat në kërkim të së vërtetës historike. Ky roman është në vetvete një dimension historik dhe filozofik. Substrakti i romanit historik është etnokultura shqiptare” tha ndër të tjera z.Velaj. Autori i romanit “Humbja” Mark Pashku në fjalën e tij falënderoi e përgëzoi organizatorët dhe tha se Vatra është Ambasada reale e popullit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai shpjegoi idenë qëndrore të librit si nevoja e faktimit të historisë e kulturës kombëtare, problemet e rinisë në Malësi ku kultura, edukata, leximi janë e vetmja shpresë nga mbrojtja nga e keqja në ditët e sotme, tha aitori. Në libër gërshetohet e tashmja dhe e kaluara. Tema qëndrore e librit është: Rinia të orientohet në drejtim të shëndoshë dhe si një ftesë që ta duan historinë, kulturën, kombin tonë, përfundoi shpjegimin e tij autori Mark Pashku. Z.Nikollë Junçaj prezantoi autorin dhe rrënjët e tij familjare historike. Ai tha se autori Mark Pashku përshkruan jetën reale të kohës sonë. Personazhi na vjen në një prozë moderne. I kushtohet rëndësi rolit të familjes, edukimit, jetës dhe përshkrimit të ngjarjeve në Malësi. Përmes Mateos, kryepersonazhit të romanit, tregohet se jeta është më e vlefshme se çdo gjë tjetër, tha ndër të tjera z.Junçaj. Në promovim Z. Abdyl Hajredinaj ndër të tjera i uroi autorit jetë aktive krijuese dhe të nxisë kritikën letrare në letrat shqipe. Gjithashtu edhe Zef Hoti Gojçaj përgëzoi autorin dhe organizatorët për promovimin. Për të gjithë të pranishmit, në Selinë e Vatrës, kryetari z.Elmi Berisha shtroi një koktejl vëllazëror.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

VATRA PRITI SHKRIMTARIN VISAR ZHITI

October 16, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York, 15 Tetor 2022 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA priti në një takim të përzemërt e vëllazëror shkrimtarin e shquar Visar Zhiti. Një bashkëbisedim i ngrohtë, i sinqertë e i paqtë si shqiptarë e si vatranë për shqetësimet tona të përbashkëta, idetë dhe vizionet për të ardhmen tonë. Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të Vatrës duke i uruar mirëseardhjen, falënderuar për kontributin dhe shërbimin që Visar Zhiti i ka dhënë kulturës e kombit tonë. Shkrimtari Visar Zhiti në fjalën e tij ndër të tjera tha: “Vatra është tempulli i shqiptarisë, nder i veçantë të vizitosh Vatrën. Gazeta Dielli është pasuri që duhet mbajtur, aty është fjala shqipe, shpirti shqiptar, pasuri e veçantë, trashëgimi e shkëlqyer. Mbajeni, mbështeteni e forcojeni Diellin. Kur u thashë poetëve ndërkombëtarë se ka shkruar Dielli për ne, të huajt u entuziazmuan shumë, imagjinoni unë si shqiptar çfarë emocioni ndiej për Diellin.Vatra është fat i madh, kështu duhet ta shohim. Vatra duke qënë sa më miqësore me veten, do jetë po aq miqësore edhe me të tjerët. Vatra është nderi ynë, historia jonë, identiteti ynë” tha ndër të tjera Visar Zhiti. Në bashkëbisedimin vëllazëror në Vatër, Visar Zhiti kujtoi mesazhin e paqes nga Papa Françeku për vëllazëri fetare në Shqipëri, detaje nga Festivali i Poezisë Ndërkombëtare në New York më 13 tetor dhe shpjegoi se para Festivalit të Poezisë ai kishte folur për Migjenin, Dritëroin dhe Pano Taçin, jeta në burg dhe disidenca e poetit kundërshtar të regjimit dhe përkujdesja e veçantë e Lasgush Poradecit për të. Shkrimtari Zhiti u ndal te Noli e Konica si figura të shquara të kulturës e historisë sonë kombëtare dhe leximi i librit “Fije Bari” i Uitman i cili ndalohej në komunizëm dhe leximet në burg me Hasan Bajon e të dënuar të tjerë. Në fjalën e tij Visar Zhiti përmendi kujtimin e Dalip Grecës dhe Zef Balës. Zhiti tha gjithashtu se Shqipëria nuk dënoi as diktaturën as diktatorin. U duk sikur nuk pati fitimtar, dhe shpjegoi për të pranishmit peripecitë sesi bashkëvuajtësit e tij ruanin poezitë e tij në burg. Ai e përmbylli takimin me historinë e poetit Lasgush Pogradecin me sekretarin e partisë: “Sekretarët vejnë e vijnë, poetët bëjnë Shqipërinë”. Sekretarja e Vatrës Nazo Veliu falenderoi dhe kërkoi që të mblidhen të gjithë bashkë për të paraqitur vlerat më të mira të kombit tonë, ajo i përcolli urimet e Presidentit të Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj. Zonja Veliu i shprehi mirënjohje Visar Zhitit për çfarë ka bërë për kombin shqiptar në letërsi dhe diplomaci. Disidenca kombëtare mbajti gjallë frymën e kombit, përfundoi Zonja Veliu. Ambasador Mal Berisha në fjalën e tij theksoi se Visar Zhiti është kronikan i historisë më të dhimbshme të kombit tonë. Visari shkëlqeu në të gjitha periudhat. Z.Berisha kujtoi në fjalën e tij episode të ndryshme të punës e bashkëpunimit me Visar Zhitin në Ministrinë e Jashtme dhe promovimin në Nëntor të platformës audiobooks nga Avni Ponari, së bashku me Vatrën dhe shkollat shqipe në New York. Bashkëvuajtësi i Visar Zhitit, Hasan Bajo në fjalën e tij u ndal te paralelizmi i Skënderbeut që sakrifikoi kombin e tij për Perëndimin. Merita e Visarit është se shkroi poezi në kushte të pa imagjinueshme në hetuesi. Shkrimi i poezive në hetuesi ishte në kushte të tmerrshme, kujtoi z.Bajo. Marjana Bulku në fjalën e saj theksoi se letërsia shkollore ka nevojë për veprën e Visar Zhitit, Vatra ka nevojë për Visar Zhitin, historia shqiptare ka nevojë për z.Zhiti. A mjafton veç poezia apo letërsia për të treguar atë kohë? Z.Zhiti iu përgjigj se letërsia është përjetim, është emocion, ajo bën një efekt si uji i nëndheshëm. Poezia nuk është termet as revolucion, ajo na ndihmon të bëjmë veten. Nëse çdo kush e bën këtë, ne kemi bërë vendin, theksoi z.Zhiti. Kejvi Mirakaj i kërkoi poetit një frazë për të kristalizuar bashkimin e shqiptarëve dhe zërin e tyre të përbashkët. Shkrimtari Zhiti theksoi se historia, e kaluara duhet të kalojë nga rrëfimi në përvojë. Vatra duhet të afrojë të rinjtë, t’u dëgjojë zërin, të gjejmë të mirat te njëri-tjetri për t’u bashkuar. Në këtë takim diskutoi edhe Eduart Aranitasi, Drita Vushaj dhe Ibrahim Shabaj, treguan përsekucionin e familjes dhe dhanë mesazhe paqeje, bashkimi e vazhdimësie. Mark Mërnaçaj dhe Anton Raja gjithashtu falënderuan poetin për vizitën e veçantë në Vatër. Para vizitës në Vatër, Visar Zhiti mori pjesë në Festivalin Botëror të Poezisë në New York ku kishte përfaqësues nga Amerika, Europa, dhe Amerika Latine. Visar Zhiti ishte i vetmi poet shqiptar pjesëmarrës në këtë festival poezie, si poet, autor, diplomat dhe disident politik.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja, Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 103
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT