• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJUHA, KULTURA, TRADITA DHE FOLKLORI SHQIPTAR NË ITALI

February 15, 2021 by dgreca

Neat Marku kryetar i shoqatës atdhetare “Ilirida” Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve si dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme për kultivimin e kulturës, traditës, gjuhës shqipe dhe vlerave të tjera kombëtare shqiptare në Itali. Sipas Neat Markut, shoqata “Ilirida” ka për detyrë që të prezantojë para opinionit publik italian dhe komunitetet e tjera që jetojnë e punojnë në Itali, me kulturën tonë kombëtare, me traditën dhe folklorin tonë shqiptar, nëpërmjet organizimit të shumë takimeve e manifestimeve kulturore e artistike. Me Neat Markun bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

GJUHA SHQIPE NË THEMEL TË KOMBIT SHQIPTAR

Çdo intelektual apo çdo mësues i gjuhës shqipe në mërgim, kur i përkushtohet rëndësisë së gjuhës shqipe në Diasporë, ideal të vetmin ka shprehjen shpirtërore: “Në gjuhë të tjera edhe mund të flas, por kur më dhemb shpirti shqip bërtas”. Duke u nisur nga kjo shprehje dinjitoze, mësuesit e Diasporës i kanë dhënë vetes një detyrë, një obligim të madh, një mision dinjitoz e atdhetar në hapjen e shkollave shqipe, për të qenë pishtar të shenjtë e mësues të devotshëm në nxënien e mësimit të gjuhës shqipe tek fëmijet tanë, tek nxënësit tanë. Ne mësuesit e kemi për obligim moral e patriotik që nxënësve t’u mësojmë gjuhën e mëmës, lexim e shkrim e t’i aftësojmë që të zotërojnë normën e sotme letrare të shqipes së njëhsuar. Për intelektualët dhe mësuesit e Rilindjes Kombëtare, gjuha ishte “themel i kombit shqiptar”. Pra, gjuha është një trashëgimi e përcjellë brez pas brezi. Prandaj, vetëm gjuha i bën ballë asimilimit. Gjuha është Atdheu ynë i vetëm i përbashkët që nuk njeh kufinjë politik e shtetëror, me të cilët mjerisht akoma ballafaqohet populli ynë, tragjikisht i ndarë më dysh. Poeti ynë i madh Naim Frashëri shkruante se: ” gjuh’ e Shqipërisë është gjuhë e Perëndisë” dhe, ” gjuhë e mëmëdheut është gjuhë e Skënderbeut”.

SHKOLLAT SHQIPE “ILIRIDA” DHE “ACAS SKËNDERBEG”

Shkolla jonë “Ilirida” së bashku me shkollën e Shoqatës “ACAS Skënderbeg” në Spoleto (PG), të udhëhequr nga Presidenti i saj z. Kol Marku nga Lezha, njëri ndër studiuesit e mirënjohur e të denjë të etnokulturës shqiptare që nga 2002, kemi arritur të realizojmë detyrat, obligimet, qëllimet dhe synimet e lartpërmendura, duke prezantuar me nxënesit tanë shumë aktivitete: recitale, këngë e valle folklorike të traditës, gara sportive e të tjera. Këto aktivitete të nxënësve tanë, për çdo vit stolisin mbrëmjet tona gazmore, 28 Nëntorin – Pavarësinë e Shqipërisë, 17 shkurtin – Pavarësinë e Kosovës dhe për çdo vit tubimin Përkujtimor kushtuar dëshmorëve tanë me moton : “Ata një jetë për Ne, ne një ditë për Ta!” Shkolla jonë ” Ilirida ” në bashkëpunim me nxenësit e shkollës së Shoqatës Acas ” Skënderbeg” në Spoleto(PG), kemi organizuar në Peruxha edhe Përvjetorin e vdekjes misterioze të Ismail Qemalit, mu në sallën e Hotel ” Brufanit” ku Plaku i Shqipërisë do të dalë në një konferencë për shtyp. Sa për t’ju përkujtuar: Më 1917 Partia Kombëtare Politike e Shqiptarëve të Amerikës e caktoi delegat të saj për në Konferencën e Paqës në Paris 1919 – 1920. Ismail Qemali kishte mision: ftoi më 23 janar 1919 në Hotel “Brufani ” në Peruxha, ku edhe kishte buajtur, korespondentët e disa gazetave italiane që ndodheshin në Peruxha. Sipas të birit, Et’hemit, kur Ismail Qemali pasi kishte ngrënë drekë doli para gazetarëve që po e prisnin, sapo filloi të fliste u zverdh dhe filloi të dridhej e të belbëzonte dhe e mbyti shkuma e të vjellët. Mësuesit e Mërgatës sonë, me plotë gojën mund të them se janë ata që vazhduan Rrugën e shkronjave duke mbajtur premtimin e rilindasve për gjuhën dhe identitetin kombëtar. Shkolla jonë “Ilirida” është e hapur edhe për fëmijët jo shqiptarë, si në rastin tonë, ku së bashku me nxënësit shqiptarë vijnë edhe shokët e tyre për të mësuar gjuhën dhe kulturën shqipe, edhe atë nxënës nga komuniteti italian , rumun e maroken. Unë shkollat shqipe në Diasporë i konsideroj si një ” Institucion” më vete që angazhohen për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar. Në bankat e kësaj shkolle, nxënësit marrin njohuri për gjuhën, letërsinë dhe artin, për historin dhe gjeografinë e atdheut tonë, për kulturën, traditën dhe zakonet e popullit tonë, dhe me atë se si duhet të integrohen në vendin ku jetojnë me jetën dhe kulturën italiane. Të gjitha këto mësime janë shumë të rëndësishme për intelektin e nxënësit, ku vetvetiu do të arrijë të vetëdijësohet, të krijojë besim për kënaqësinë që ndjen.

LIDHJA E MËSUESVE SHQIPTARË NË ITALI

Mësuesit e gjuhës shqipe të Mërgatës në Itali, e panë mëse të nevojshme bashkimin dhe kordinimin e ndërsjelltë të të gjitha shkollave me mësim plotësues në Itali që të themelojnë Shoqatën e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Itali. Kjo Lidhje është Asociacion, Shoqatë profesionale jo fitimprurëse. Është një organizatë që mbështet organizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në Itali. Lidhja bashkëpunon me institucionet e Italisë dhe me ato të atdheut: me Ministritë e Arsimit dhe institucionet e tjera të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë etj., ambasadat dhe me përfaqësitë konsullare në Itali. Pra, ne si Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Itali, të udhëhequr edhe nga kryetarja jonë e mirënjohur për punën, angazhimin dhe vendosmërinë e saj, Ariana Hoxha Kosova, në bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën Lidhja e Avokatëve Shqiptar në Itali, të përfaqësuar nga Avokati i mirënjohur në Mërgatë z. Gentian Alimadhi, kemi marrë një nismë shumë të vyer për fëmijët tanë që rriten në mërgim. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për firmën, nënshkrimin tuaj të nderuar miq, për të përkrahur gjuhën shqipe në mënyrë institucionale që të përfshihet nëpër shkollat shtetërore italiane. Pra, gjërat e mira bëhen dhe realizohen vetëm kur jemi bashkë. Firmat, nënshkrimet e shqiptarëve kudo që janë, nën mbrojtjen ligjore të Lidhjes së Avokatëve Shqiptarë në Itali, do të nisen për në Strazburg, për t’u shqyrtuar në Parlamentin Evropian. Besojmë, shpresojmë dhe urojmë që t’ia dalim. Është vërtetuar se gjuha shqipe është gjuha mëmë. Rilindasit na kanë mësuar se gjuha shqipe është në themel të kombit shqiptar. Nuk ka gjë më të bukur, sesa kur takohemi me kolegët tanë nëpër tubime e seminare për gjuhën shqipe, është gjuha shqipe standarti që na bashkon, pa marrë parasysh se cilit dialekt, nëndialekt apo të folur i takon. Të njejtën kënaqësi e krenari ndjej edhe me nxenësit në shkollë, të cilët kur janë bashkë kuptohen mirë mes tyre duke përdorur gjuhën e njëhsuar standarte edhe pse në shtëpi përdorin dialektet dhe të folurën e tyre krahinore. Por, me keqardhje po e them se më sëmbon shpirti kur shoh një pakujdesi, një painteresim nga prindërit për gjuhën shqipe përkundër asaj italishte, ashtu sikur më vjen në kujtesë parimi i përmbytjeve të mëdha: “shpëto ç’të shpëtosh”. Prandaj ne mësuesit nuk do të reshtim së lodhuri për të shpëtuar gjithçka kombëtare. Unë nuk jam kundër mësimit të gjuhëve të huaja, ngaqë të mësosh gjuhë të huaja si anglishten, italishten etj., nuk do të thotë të mos vlerësosh gjuhën tënde. Të huajën mësoje, por tënden mos e harro. Mund të themi se diaspora e hershme e ka ruajtur me dinjitet identitetin shqiptar, siç janë arbëreshët e Italisë, të cilët që në shek. XV. dhe akoma sot e gjithë ditën, ruajnë dhe kultivojnë gjuhën dhe traditat arbërore.

THEMELIMI I SHOQATËS ATDHETARE “ILIRIDA” NË FOLIGNO (PG) TË ITALISË

Shqiptarët të mërguar ndër shekuj, sa herë qe janë përballur me halle e probleme të mëdha apo të vogla, shpëtim kanë gjetur në idenë e organizimit dhe të bashkimit të tyre. Gjithçka përballet me vullnet, vendosmëri dhe besim në realizimin e ideve të përbashkëta duke respektuar fjalën dhe punën e njëri tjetrit. Duke u nisur nga ky slogan, më 25 tetor 2001 një grup bashkatdhetarësh që vepronin më parë si një Këshill Organizues, morën përsipër themelimin e Shoqatës rreth së cilës do të mblidheshin mërgimtarët tanë që bashkërisht të zgjidhnin nyjen e kurbetit. Pra, ideja për themelimin e kësaj Shoqate u lind nga vetë situata e vështirë që përjetonim në mërgim, përballë shumë sfidave e probleme komplekse juridike, ekonomike, kulturore, arsimore, morale e të tjera. Shoqata pikësynim të vetin ka ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve si dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme për kultivimin e kulturës, traditës, gjuhës dhe vlerave të tjera kombëtare.
Pra, qëllimi i shoqatës është të ndihmojë integrimin e mërgimtarëve në jetën italiane dhe të jetë një urë e kontakteve kulturore me tokën mëmë. Shoqata jonë ka për oblogim e synim që të prezantojë e njoftojë opinionin politik italian dhe komunitetet e tjera që jetojnë e punojnë në Itali, me kulturën tonë kombëtare, me traditën dhe folklorin tonë shqiptar, përmes organizimit të shumë takimeve e manifestimeve kulturore e artistike.

MESAZH PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË AMERIKË

Çdoherë kur përmenden mërgimtarët e Amerikës më kujtohen vargjet e Fan Nolit , që jehuan edhe nëpër këngët e kengëtares së madhe Shkurte Fejza: “Mbahu nënë mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”. Gjithçka e mirë na vinte nga mërgimtarët, Shqiptarët e Amerikës dhe nga vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës falë juve bashkatdhetarë të nderuar. Shqiptarët e Amerikës gjithnjë kanë dëshmuar dashurinë për Atdheun. Dhe sot e dëshmojnë krenarinë që kanë për mëmedheun dhe flamurin tonë kombëtar. Gazeta “DIELLI” e Vatrës në Sh.B.A., është zemra e kombit shqiptar, e cila u lind nga Rilindja Kombëtare në krye me Fan Nolin dhe Faik Konicën. Çdo fitore e jona e ka nismën tek Ju. Puna juaj ka qenë gëzimi jonë, krenaria jonë ngaqë vlerat dhe sukseset tuaja kanë qenë udhërrëfyes për misionet tona, për angazhimet dhe qëllimet tona. “DIELLI” juaj na ka ndriçuar rrugën dhe na ka ushqyer me frymëzime e dituri për t’u bërë ballë sfidave të jetës dhe për të lartësuar idealin tonë, Bashkimin Kombëtar. U jam mirënjohës shqiptarëve të Amerikës për kontributin e tyre në mbeshtetje të tre Luftërave çlirimtare në Kosovë, në Iliridë e në Luginen  Preshevës që luftuan në ” Bataljoni Atlantiku” ku ranë edhe shumë dëshmorë duke luftuar kundër okupatorit barbar sërb dhe atij sllavomaqedonas. Andaj, ju shprehim shumë fjalë mirënjohëse për Dëshmorët e rënë në altarin e lirisë, “Qoftë i përjetshëm kujtimi për to “, lavdi edhe gjithë luftëtarëve, heronjëve të gjallë të Diasporës shqiptare në Amerikë. Si mësues i gjuhës shqipe në mërgim prej 30 vitesh në Itali, po ju përkujtoj edhe një herë: fëmijëve ju flituni vetëm shqip. Mos harroni, vetëm shqip. Ju faleminderit për mirëkuptimin. Në fund kam një faleminderim të veçantë për mikun tim, gazetarin e mirënjohur të Gazetës “Dielli”, i cili me largëpamësinë e tij arrin të zbuloje veprimtarinë dhe të shpalos vlerat atdhetare të çdo personaliteti apo të çdo Shoqate që vepron në Diasporë e Mërgatë. Urime dhe suksese Gazetës “Dielli” pranë Vatrës së Shqiptarisë.

KUSH ËSHTE PROFESOR NEAT MARKU?

Neat Marku u lind më 22 janar 1958 në Dibër, Republika e Maqedonisë së Veriut. Shkollën fillore dhe Gjimnazin e ka kryer në Tetovë. Studimet në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe i ka mbarur në Fakultetin Filologjik, Universiteti i Prishtinës. Më 1982, akoma pa u diplomuar filloi të punojë si arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe nëpër shkollat e malësisë së Tetovës, në fshatin Grupçin dhe fshatin Cerovë. Më 1985 merr titullin Profesor i Letërsisë e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Konkuroi nëpër shumë shkolla të qytetit të Tetovës, por më kot, shpallet i papëlqyëshëm (“nepodoban” – në gjuhën zyrtare maqedone) nga inspektoriati i Arsimit të Maqedonisë, me pretekst se ishte student i Prishtinës, dhe se ishte i indoktrinuar me nacionalizëm e iredentizëm nga demostratat e 1981 në Prishtinë. Mbetet akoma mësues i malësisë së Tetovës, për të udhëtuar në këmbë 10 Km në ditë, plotë 10 vjet me rradhë. Më 1987 dënohet nga Inspektoriati i Arsimit të Maqedonisë, me vërejtje e parapërjashtim nga vendi i punës si arsimtar i gjuhës shqipe, me pretekst se ka shkelur ligjin e arsimit: nga se administratën edukativo – arsimore e ka mbajtur vetëm në gjuhën shqipe, dhe më e keqja, lëndën e gjuhës shqipe e ka ushtruar në një klasë ku nuk ishte e varur fotografia e Titos (absurditet i rradhës). Më 1989 ishte bashkëthemelues i trupës së parë teatrale “Studioja e dramës” në Tetovë, së bashku me Regjisorin e mirënjohur Refet Abazi, të ndjerët Shpend Pustina, Naim Kasapi, Murtezan Arifi, mandej Fatmir Sulejmani, Ylber Pustina, Irfan Muslia, Nebi Jusufi, Sulejman Mehazi e shumë të tjerë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gjuha shqipe ne Itali, Neat Marku, Sokol Paja

GJUHA DHE IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR NË BELGJIKË

February 12, 2021 by dgreca

Amet Gjanaj themelues dhe kryetar i shkollës  shqipe “Vatra” në Bruksel dhe deputeti i parë shqiptar në Bruksel, Belgjikë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Belgjikë nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me z.Amet Gjanaj bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SI ORGANIZOHET MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË BELGJIKË

Mësimi plotësues i gjuhës shqipe në Belgjikë organizohet nga shoqata të krijuara në bazë vullnetare. Nuk është arritur ndonjë marrëveshje ndërshtetërore që të merrët përsipër organizimi i mësimeve në mënyrë institucionale. Iniciativat e para janë marrë menjëherë kur kanë arritur të arratisurit nga diktatura komuniste në Shqipëri në vitin 1956 që shënon dhe fillimi i prezencës së Shqiptarëve në Belgjikë. Deri atëherë, prezenca e tyre ishte individuale siç ishte ajo e Faik Konicës që emigroi në Belgjikë në vitin 1897 ku dhe botoi revistën «Albania» përpara që të shkojë në Angli dhe pastaj Amerikë. Për disa vite, janë Xhamitë shqiptare që kanë organizuar orë mësimi të gjuhës shqipe brenda programit fetar. Pastaj me ardhjen e Shqiptarëve nga ish-Jugosllavia në valë të ndryshme në vitet e ndryshëm të represioneve atje, janë organizuar e paguar orë mësimi të gjuhës shqipe nga vetë ish-Jugosllavia për disa vite me radhë në një tentativë për të kontrolluar diasporën shqiptare dhe e mbajtur atë nën ndikimin e saj. Pastaj është formuar Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë në Belgjikë (L.A.Sh-it), organ i pavarur prej çdo lloj ndikimi shtetëror, që ka funksionuar gjer në vitin 2005 kur u mbajtë ansambleja e fundit e përgjithshme dhe që mori vendimin e federalizimit të organizimit të gjuhës shqipe në të 3 rajonët e Belgjikës. Gjatë koordinimit të L.A.Sh-it, janë nxitur dhe hapur mësime plotësuese në shumë qytete të Belgjikës gjithmonë në bazë vullnetare. Shumë prej tyre nuk i kanë rezistuar kohës dhe mungesës së koordinimit pas zhdukjës së L.A.Sh-it. Nga viti 2005, mësimet kanë filluar të organizohen në kuadër të shoqatave kulturore ashtu siç bëri shoqata jonë Albabel duke e emëruar mësimin «Shkolla Vatra». Shkolla Vatra ka si bashkëthemelues edhe z.Ibrahim Dizdari, drejtoreshë e shkollës është Vaile Shkodra, kurse mësuesit aktual janë: Mirjeta Bardhoshi, Ermenita Çerra, Arta Kapaj, Alisa Syknej, dhe Elona Turkesha. Kryesisht, mësimet organizohen të shtunave për 4 orë në 4 grupe në funksion të moshës dhe të njohurive. Jemi përpjekur që të mos gjenden fëmijë të moshave shumë të ndryshme në të njëjtin grup dhe pse mund të kenë pasur njohurira të përafërta. Brenda orarëve, zhvillohet dhe një orë vallëzimi për të qenë sa më tërheqës dhe që të mos ngarkohen për së tepërmi fëmijët që tërë javën shkojnë në shkollat belge. Në 3 orët e gjuhës, fëmijtë mësojnë gjuhën shqipe por dhe elementë të gjeografisë dhe të historisë kombëtare. Shkolla “Vatra” u ka dhënë dëftesë mbi 700 nxënësve për 15 vitet që funksionon. Ajo vepron në rajonin e Brukselit ku banojnë gati 20.000 Shqiptarë. Çdo vjet regjistrohen nga 60 deri në 80 nxënës, që do të thotë, një përqindje shumë e ulët në raport me përmasën e komunitetit. Në të gjithë territorin e Belgjikës funksionojnë dhe 2 shkolla të tjera, një në rajonin e Valonisë dhe një tjetër në atë të Flandrës. Vitet e fundit, janë ndërmarrë iniciativa të ndryshme për të nxitur mësime në qytete të tjera dhe pritet që numri i shkollave shqipe të 2-3 fishohet në të ardhmën. Gradualisht synojmë të rikrijojmë një koordinim të shoqatave që shkollat të kenë jetëgjatësi dhe që komuniteti shqiptar t’i ketë ato si institucione të përherëshme për ta mbajtur gjallë komunitetin shqiptar. 

KURRIKULAT MËSIMORE NË SHKOLLËN “VATRA”

Mësimet e gjuhës shqipe jepen duke gërshetuar tekste të ndryshëm që jepen nga ambasadat e Shqipërisë dhe të Kosovës dhe tendenca është që të merret si referencë tekstet që po përpunohen nga të dy ministritë e arsimit. Megjithatë, funksionaliteti i tyre nuk është akoma në nivelin e kërkuar dhe aq sa e kërkon situata. Prandaj, në vendet ku diaspora është më e organizuar sikur në Zvicër dhe Amerikë, organizohen herë pas herë seminare që thellojnë njohuritë mbi mësimëdhënia në mërgim dhe japin mjete të ndryshëm për diasporet e tjera. Ashtu ishte seminari që ka organizuar shoqata «Albanian American Dual Language & Culture» për këtë temë në shtator të vitit të kaluar. Ky lloj bashëpunimi duhet që të forcohet që të arrihen tekste dhe metoda bashkëkohore dhe funksionale në diasporë të përshtatshme për fëmijtë në kushtet e mergimit. Njëkohësisht, shtetet tona duhet të merren më seriozisht me këtë punë. Duhet nënvizuar se Kosova ka qenë më aktive në këtë drejtim duke pasur një ministri të diasporës që në fillimet e shtetit të saj.  

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR

Gjuha shqipe është elementi kryesor i ruajtjës së identitetit që konkurohet nga kultura dhe gjuha e vendit pritës prandaj shoqata e jonë ka zgjeruar spektrin e aktiviteteve të saj duke organizuar aktivitete kulturore si në vende të mbyllura ashtu dhe në ambjente të jashtme që të marrin pjesë çdo ditë e më shumë Shqiptarët e Belgjikës që pastaj të tërhiqen fëmijët për të ndjekur mësimet plotësuese në gjuhën shqipe. Në këtë sens, është ngritur një grup vallëzimi që prurjet e reja i ka nga nxënësit e talentuar të shkollës shqipe për vallëzim. Është ngritur dhe një grup grash shqiptare që të lidhen dhe të punojnë gratë për të tërhequr nënat e fëmijëve shqiptarë dhe rritur numrin e nxënësve. Së fundmi është inauguruar faza e dytë e Qendrës Kulturore Vatra në përmasa dinjitoze që të shkohet dhe më tutje në organizimin e rinisë e të komunitetit shqiptar. Ndërkohë dhe për të nxitur krenarinë e komunitetit dhe rritur ndjenjat patriotike, shoqata e jonë ka organizuar evente madheshtore që kanë kulmuar me ngritjen e flamurit kombëtar mbi Atomiumin, simbolin e Belgjikës që i bie sikur të ishte ngritur flamuri shqiptar mbi Shtatoren e Lirisë në Amerikë apo mbi kullën Eifel në Francë. 

SI PRITET MËSIMI SHQIP NË BELGJIKË

Belgjika është një shoqëri liberale ku jepet e drejta që të funksionohet lirisht në kuadër të shoqatave. Gjuha shqipe nuk është se promovohet dhe financohet nga shteti belg por nuk pengohet. Shoqëria belge ka qenë mikpritëse nda Shqiptarëve duke mbështetur Shqipërinë dhe Kosovën saherë që është dashur vota e saj. Megjithatë, imazhi i Shqiptarëve vazhdon të ngelet i lidhur me veprimtarinë e disa individëve aktivë në botën e krimit. Prandaj dhe shoqatat i kanë vënë vetës si obligim moral që të punojnë fort për të ndryshuar këtë imazh përmes promovimit të kulturës shqipe dhe duke treguar vlerat e kombit tonë. 

ROLI DHE PESHA E SHQIPTARËVE NË BELGJIKË

Shqiptarët, duke qenë mbi 60.000 veta në të gjithë Belgjikën, janë komuniteti i tretë i huaj jashtë BE-së. Vitet e fundit, pikërisht me shtimin e numrit të aktiviteteve kulturore dhe prezencën gjithmonë e më të madhe të Shqiptarëve në sheshet publike duke treguar vlerat e tyre tradicionale, Shqiptarët kanë filluar të interesojnë autoritetet politike të vendit. Sidomos prej vitit 2014 kur fitova mandatin e deputetit në rajonin e Brukselit, për herë të parë për një Shqiptar, jemi përpjekur që të ndërtojmë ekipe kandidatesh që të ketë sa më shumë mandate të fituara nga Shqiptarë. Niveli politik është më i larti dhe që mund të sjellë rezultate të prekshme për një komunitet. Shqiptarët me zgjuarsinë e tyre me vitalitetin e tyre kanë potencialin për të arritur majat e shoqërive ku jetojnë. Por duhet rritur doza e bashkëpunimit dhe besueshmëria ndërmjet Shqiptarëve që kjo të arrihet. Duke qenë se shoqëritë ku jetojmë në mergim janë të gjera dhe të mjaftueshme për gjithsecilin, nuk jemi konkurrentë për vende të caktuara por mund të zëmë të gjithë, pozicione shumë më të larta se ç’kemi duke bashkëpunuar strategjikisht. Një strategji të tillë kemi përdorur në zgjedhjet lokale të fundit ku kemi arritur që të futëmi në kryesinë e 3 komunave të Brukselit aty ku s’kishte asnjë në të kaluarën.

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN NË USA

Gjithmonë jemi inspiruar nga diaspora shqiptare e Amerikës dhe akoma vazhdojmë të inspirohemi prej saj në të gjitha fushat e veprimit. Kohët e fundit vërejmë se ka një zbehje të aktiviteteve të saja dhe një mungesë në lidershipin e saj botëror. Do të donim që kjo diasporë të nxirrte një apo disa kandidatë në kongresin dhe senatin amerikan që të kompensohet largimin e DioGuardit nga skena politike amerikane. Kjo është një domosdoshmëri jo vetëm për Shqiptarët në Amerikë por gjithashtu për Shqiptarët në të gjithë botën. Ne adhurojmë komunitetin shqiptar të Amerikës, e kemi pikë referimi dhe urojmë që do ta kemi përgjithmonë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Amewt Gjanaj, belgjike, Sokol Paja

KUR SHQIPËRIA“VRAU” ZOTIN

February 10, 2021 by dgreca

54 VJET NGA REVOLUCIONI ATEIST, KUR SHQIPËRIA “VRAU” ZOTIN/

Sokol PAJA – DIELLI/

54 vite më parë Shqipëria ndërmori një nismë të pa dëgjuar ndonjëherë më parë. I shpall luftë Zotit. Shqipëria komuniste shpallet zyrtarisht i vetmi vend ateist në botë. Gjithçka fetare shpallet rreptësisht e ndaluar dhe besimtarët, klerikët dhe praktikantët dënoheshin me burg. Kishat e xhamiat propagandistët komunistët i quanin institucione të një ideologjie reaksionare. Çmenduria revolucinare shqiptare në luftë kundër fesë solli sulmi frontal ndaj klerit fetar, linçime, arrestime, burgosje, tortura ndaj atyre klerikëve që kishin mbetur pa u likujduar nga 1945, shkatërrim  fizik i kishave, xhamive, turbeve, teqeve, faltoreve, manastireve, demaskim të bazës ideologjike e materiale fetare, propagandë në të gjitha dritaret e shtypit kundër fesë si institucion dhe ideologji. Lufta ndaj fesë në Shqipëri solli mbylljen dhe shkatërrimin e 2,169 institucioneve fetare, përfshirë 740 xhami, 608 kisha ortodokse, 157 kisha katolike dhe 530 teqe, tyrbe, mekame. Feja u ndalua me ligj. Gjimnazi “Naim Frashëri” në Durrës bëhet pishtari i parë i revolucionit kundër fesë në Shqipëri. Pas propagandës ateiste agresive në mediat komuniste të kohës, pas sulmeve të pandërprera ndaj klerikëve dhe institucioneve fetare, pas fjalimit të 6 shkurtit prej diktatorit Enver Hoxha për “Revolucionarizimin e partisë dhe të pushtetit” shpërtheu për herë të parë në Shqipëri Revolucioni kulturor ideologjik ateist si Lëvizje Antifetare Mbarështetërore.  

SHPËRTHIMI I REVOLUCIONIT ATEIST

Shpërthimin e lëvizjes masive popullore antifetare propagandisti komunist L.Dibra në shkrimin “Një lëvizje revulocionare e rinisë së Durrësit me përmbajtje të thellë teologjike”, botuar në gazetën “Zëri i Rinisë” të datës 8 Shkurt 1967, numri 11, faqe 1, tregon për për një atmosferë shumë të ndezur të luftës ndaj fesë. Në shkrimin ateist thuhet se: Menjëherë pas rënies së ziles që shënonte fillimin e procesit mësimor, ndërsa nxënësit prisnin mësuesin në klasë, shpërtheu revolucioni ideologjik me qëllim luftën kundër zakoneve prapanike dhe paragjykimeve fetare. Aktivi i shkollës “Naim Frashëri” sipas shkrimit ateist shtroi detyrën që organizata e shkollës, anëtarët e “Bashkimit të Rinisë” dhe gjithë nxënësit të mobilizoheshin për të dalë plotësisht fitimtarë në atë detyrë të rëndësishme kombëtare që komunistët kishin marrë përsipër. Sipas shkrimit të cituar më lart, të rinjtë duhej të armatoseshin mirë ideologjikisht pasi “lufta” kundër atyre që komunistët i quanin zakone prapanike dhe paragjykime fetare do të thoshte sipas ateisteve në shtyp, luftë bindjesh, luftë ideologjike, zëvëndësimi i bindjeve të vjetra me bindje revulocionare komuniste. Për kthimin në shoqëri plotësisht ateiste baza e këtij aksioni antifetar ishte edukimi ateist-shkencor i popullit, kryesisht rinisë që përdorej dhe manipulohej lehtë prej regjimit diktatorial. Shkrimi nga L.Dibra “Një lëvizje revulocionare e rinisë së Durrësit me përmbajtje të thellë teologjike” e shikon këtë revolucion që do të shtrihej në të gjithë Shqipërinë si një lëvizje të “armatosur” me teori, botëkuptim dhe ideologji socialiste. Panorama e shkollës “Naim Frashëri” në Durrës paraqitet në shkrim sikur me propozimin e aktivitetit të organizatës së rinisë, komiteti i rinisë së shkollës krijoi një organ ndihmës shtabin e luftës kundër zakoneve prapanike dhe paragjykimeve fetare si dhe tre komisione që ishin: “komisionin e studimit të materialeve, i cili do të meret me zbulimin e literaturës përkatëse ateiste dhe përvetësimin e ideve të tyre, komisioni i citateve, i cili do të merrte mendime të çmura mbi luftën kundër zakoneve të vjetra dhe dogmave reaksionare të fesë dhe komisioni i prapagandës figurative”. Sipas shkrimit ateist që mban firmën e L.Dibrës, hyrja në korridorin e shkollës, muret e shkollës, korridoret e klasat kishin marrë një pamje të re: citate, artikuj, vizatime, karikatuara të vendosura në të katër anët që mbështesnin lëvizjen e re, zbulonin qëllimet e ideologjisë fetare, të origjinës e të rolit të fesë që sipas komunistëve ishte pengesë të zhvillimit të shoqërisë e përparimit të njerëzimit.

SHKRIMET ANTIFETARE NË SHTYPIN KOMUNIST

Shkrimet antifetare të kohës në shtypin komunist bëjnë thirrje urgjente për masivizim të lëvizjes kundër fesë, institucioneve dhe ideologjisë fetare, masivizim të shtrirjes si lëvizje ateiste, pjesëmarrje masive të të gjithë organizatave bazë të partisë të organizatave të masave e bashkimeve profesionale komuniste. Komunistët propagandonin që gjoja revolucioni ideologjik në luftën kundër ideologjisë së vjetër (fesë) kërkoheshin që të gjithë të shëndërroheshin në revolucionarë me detyra konkrete për të nxitur masat komuniste për të shkatërruar paragjykimet fetare e zakonet fetare e familjare që komunistët i quanin prapanike. Si formë e përdorur prej komunistëve në propagandën ateiste dhe shtrirjen e gjithëpërfshirjen e kësaj lëvizjeje kombëtare antifetare, ishin shkrimet në shtyp, kronikat në radio e televizon, debatet, kritikat, veprimi praktik, studimi e përgatitja ideologjike që bënin pa reshtur organizatat bazë të partisë, në qendra pune, shfaqje të ndryshme teatrale apo në shtëpitë e kulturës e deri te koperativat në fshatrat e Shqipërisë. Përveç luftës kundër fesë ky i ashtuquajtur revolucion prej komunistëve, synonte sipas propagandistëve ateistë edhe goditjen e amullisë, burokracisë, javashllëkut dhe indiferentizmit. Në aksionin kombëtar për çrrënjosjen e fesë dhe ideologjisë e zakoneve prapanike siç i quanin komunistët, u mbështet maksimalisht nga organizatat bazë të partisë së rretheve që ishin leva të zbatimit të vendimeve të Komitetetit Qëndror të PPSH. Motoja e aksionit kundër fesë që shërbeu si shkëndijë komuniste në të gjithë Shqipërinë ishte: “Me shpatën e mprehtë të ideologjisë së Partisë sonë, në luftë kundër bestytnive fetare e zakoneve prapanike”. Propaganda në luftën ndaj fesë u mbështet tek: elementet figurative dhe gazeta e murit kishin një ritëm dhe forcë manipuluese dhe nxitëse të masave komuniste. Në luftën që shteti komunist zhvilloi ndaj ideologjisë fetare, në shkollën “Naim Frashëri” komisionet e studimeve të citateve e të propagandës figurative kishin hartuar gjithë biblografinë e librave atistë shkenorë duke krijuar një kënd të librit ateist që ishte burim i frymëzimit ateist, bibla e revolucionit ideologjik agjitacionit figurativ, u krijua biblioteka ateiste-shkencore dhe këndi i propagandimit të luftës kundër shfaqjeve të ideologjisë fetare. Anëtarët e komisioneve studionin problemet që godasin, përgatiten për të diskutuar në klasa e jashtë shkolle me qëllim forcimin e bazës ideologjike të revolucionit si një kusht për forcën goditëse gjithnjë e më të madhe të tij. Sipas shkrimit ateist të cituar më lart, me rritjen dhe shtrirjen e revolucionit sa vinte e shtohej numri i studiuesve,  të librave ateistë, të materialeve të partisë së punës, e të veprave të klasavë të marksizëm – leninizëm. Shembulli i rinisë së Durrësit u detyrua të ndiqej rreptësisht në të gjitha shkollat dhe qytetet e Shqipërisë. Për suksesin e luftës klasore dhe ideologjike, organizata e kohës synonte të tërheqë në përgatitje teorike dhe ideologjike gjithë masën e të rinjve që ishin zemreku i revolucionit ideologjik të shtyrë, nxitur, të manipuluar, motivuar dhe orkestruar nga direktivat direkte të Komitetit Qendror të PPSH.

PROPAGANDA ATEISTE NË LUFTËN NDAJ FESË

Propagandisti komunist L.Dibra në shkrimin “Një lëvizje revulocionare e rinisë së Durrësit me përmbajtje të thellë teologjike”, shprehet se propagandën ateiste në luftën ndaj fesë më së miri e ndihmonte Komisioni i Citateve që çdo ditë ndryshonte citat e reja antifetare që shprehnin anë të ndryshme të së vërtetës mbi rolin gjoja reaksionarë të fesë dhe të paragjykimeve dhe mbi rolin e shkencës e diturisë dhe luftës kundër ideologjisë fetare për fitoren e rendit të ri komunist. Përveç kësaj, edhe në art shihej si një mundësi e mirë zhvillimi i luftës ndaj fesë dhe institucioneve fetare. Sipas shkrimit ateist të cituar më sipër, në klasat shkollore kudo vendoseshin vjersha, karikatura, anektoda, trajtojnë problemin e bestytnive, zakoneve prapanike dhe para gjykimeve fetare. Me masivizmin e lëvizjes mbarëkombëtare ateiste, komunistët synonin edukimin marksist të shoqërisë komuniste, kthimin e shoqërisë shqiptare në një shoqëri plotësisht ateiste dhe shtirjen e kontrollit komunist në çdo qelizë të shoqërisë, depersonalizimin e njerëzve, uniformizimin e shoqërisë dhe të mendimit politik e ideologjik të kohës.  

Filed Under: Politike Tagged With: KUR SHQIPËRIA “VRAU” ZOTIN, Sokol Paja

COVID 19, MUTACIONET E REJA DHE PROCESI I VAKSINIMIT

February 8, 2021 by dgreca

-FLET PËR DIELLIN NGA UNIVERSITETI I KALLFORNISË DR. LISIENA HYSENAJ/

Dr. Lisiena Hysenaj, kërkuese shkencore në Universitetin e Kalifornisë, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se: Viruset kur nuk shumohen dot brenda qelizave mundohen të gjejnë strategji të reja për të luftuar trupin duke bërë mutacion. Kjo do të thotë që nëse një person i vaksinuar është në kontakt me virusin, virusi mund të bëjë mutacion brenda trupit të të vaksinuarit dhe të krijojë një virus akoma më të rrezikshëm se virusi aktual. Kjo do të thotë që nëse nuk vaksinojmë gjithë botën nuk shpëtojmë dot nga Covid 19.

MËNYRA PËR TË SHPËTUAR NGA COVID 19

Viruset nga shumë shkencëtarë nuk konsiderohen si qënie të gjalla. Në fakt viruset përbëhen nga material gjenetik (ARN ose AND) dhe një kapsulë që mbron këtë material gjenetik. Viruset nuk shumohen jashtë organizmit të njeriut/kafshes/bimes. Në fakt, për tu shumëfishuar, viruset futen në qelizat e trupit njerëzor duke e “pushtuar” atë. Qelizat, “të pushtuara” nga virusi, nuk ushqejnë më vetveten por do riprodhojnë me miliona viruse të tjerë. Dhe në vend që trupi të furnizohet me qeliza të tjera të domosdoshme, furnizohet me viruse që e helmojnë atë. Ky “pushtim” nga viruset quhet “infeksion – λοίμωξη . Një tjetër karakteristikë e viruseve është vetia për të bërë mutacion. Viruset kur nuk shumohen dot brenda qelizave mundohen të gjejnë strategji të reja për të luftuar trupin duke bërë mutacion. Kjo do të thotë që nëse një person i vaksinuar është në kontakt me virusin, virusi mund të bëjë mutacion brenda trupit të të vaksinuarit dhe të krijojë një virus akoma më të rrezikshëm se virusi aktual. Kjo do të thotë që nëse nuk vaksinojmë gjithë BOTËN nuk shpëtojmë dot nga COVID-19. Këtë fakt fatkeqësisht politikanët e shteteve të pasura duket sikur nuk e kanë kuptuar. Kisha shumë shpresë që çdo shtet do të kishte akses të barabartë për vaksinë kur dëgjova për krijmin e COVAX. Mirëpo fatkeqësisht politikat e vaksinimit nuk janë transparente për momentin. Sot në botë janë miratuar 10 vaksina. Të gjitha na mbrojnë nga simptomat e rënda të Covid-19. Unë nuk jam politikane dhe nuk e di pse shtetet nuk trajnojnë njerëz për të prodhuar më shumë vaksina.

MUTACIONI BRITANIK DHE MUTACIONET E TJERA TË VIRUSIT 

Siç e shpjegova më sipër viruset e kanë veti te bëjnë mutacion. Mutacioni britanik duket sikur nuk është dhe aq i rrezikshëm. Vaksina na mbron nga ky mutacion. Unë kam më shumë frikë nga mutacionet që do të vijnë nga fakti që jo të gjithë njerëzit janë të vaksinuar. Virusi do të dojë që të mbijetojë dhe do të krijojë mutacion nëse nuk vaksinojmë shpejt të gjithë popullsinë. Gjithsesi në të njëjten kohë, shkencëtarët po studiojnë dhe po bëjnë kërkime se si të parandalojnë dhe shërojnë pandeminë. Rreth 50 vaksina të tjera do provohen dhe me qindra medikamente janë në prova klinike.       

SHBA DHE PROCESI I VAKSINIMIT TË POPULLSISË

SH.B.A është një nga shtetet më të pasura në Botë. Sh.B.A kishte të gjithë materialin për shpërndarjen e vaksinës ne popullatë. Personeli mjekësor ishte i pari që u vaksinua. Tani po vaksinohen mosha mbi 65 vjeç në Kaliforni. Për më tepër në mënyrë që të vaksinohen sa më shumë njerëz, doza e dyte do bëhet 45 ditë mbas dozës së parë dhe jo 28 ditë mbas dozës së parë siç ishte parashikuar në fillim. Kjo procedurë i jep më shumë kohë kompanive farmaceutike të prodhojnë vaksina dhe gjithashtu shërben që më shumë njerëz të vaksinohen. Këtu mendohet që e gjithë popullata të vaksinohet deri në fund të 2021.

SHQIPËRIA DHE KOSOVA NË BETEJËN NDAJ PANDEMISË GLOBALE

Më dhemb shpirti sa herë që lexoj ose dëgjoj për Shqipërinë. Në këtë periudhë gjenet egoiste të njerëzve kanë dalë në pah. Vëllazeria shqiptare sikur është zhdukur. Unë krenohem me faktin që vij nga Shqipëria dhe mbart vlera që janë zhdukur në botën e zhvilluar siç është besnikëria dhe shpirtëbardhësia. Mirëpo kur dëgjoj që laboratoret shqiptarë kërkojnë 150 dollar për të bërë një test për COVID, kur i nisin të sëmuret e mushkërisë me avion në Turqi vetëm për biznes, kur disa mjekë kërkojnë me qindra dollar per tu kujdesur për të sëmuret, më neveritet dhe më vjen turp për vendin tim. Personalisht gjatë kësaj periudhe nuk paguhem më shumë por punoj tre here më shumë sepse e kam detyrë që të ndihmoj njerëzimin. Nuk e di se sa fuqi ka kryeministri shqiptar dhe bashkëpunëtoret e tij të ndalojnë këtë korrupsion dhe zhvatje që po i bëhet popullit shqiptar. Thjesht unë me një pikëpamje naive them që duhet të merren ca masa të dhunshme për popullatën e Shqipërisë që gjërat të ndryshojnë dhe mos të lëmë mashtruesit dhe zemërzinjtë të përfitojne nga situata.

NJË MESAZH SENSIBILIZUES PËR SHQIPTARËT PËR TU VAKSINUAR

Vaksina është e sigurtë dhe sjell imunitet ndaj sëmundjes së COVID-19 dhe është testuar në 20 000 persona. Vaksinat e mëparshme testoheshin vetëm në 2 000 persona. Fakti që keni kaluar COVID-19 dhe keni antitrupa, nuk ju mbron nga infeksionet e ardhshme nga virusi. Antitrupat nuk janë parametri i vetëm që tregojnë që jeni të mbrojtur nga COVID-19. Parametra të tjerë si kapaciteti neutralizues i antitrupave, prodhimi i qelizave B memorie, prodhimi i qelizave T,etj, duhen të maten për të përcaktuar që jemi të mbrojtur. COVID-19 vaksinë  është një vaksinë që është zhvilluar shpejt sepse shkenca sot ka avancuar shumë në krahasim me përpara. Janë investuar me miliona dollar që sa më shumë shkencëtarë të punojnë për të kuptuar këtë sëmundje. 1 ne 1000 vetë kanë vdekur nga COVID-19 në shtetet më të zhvilluara të Europës si Franca, 4 në 100 000 vetë plagosen ose vriten nga aksidentet automibilistike. 1 në 500 000 vetë shfaqin efekte anësore nga vaksinat dhe rastet e vdekjeve janë shumë te rralla. Duke pasur parasysh të gjitha këto arsye dhe për të shpëtuar nga kjo pandemi botërore çdo person që i jepet mundësia duhet të vaksinohet.

KUSH ËSHTË DR. LISIENA HYSENAJ

Dr. Lisiena Hysenaj është kërkuese shkencore në Universitetin e Kalifornisë. Ka mbaruar doktoraturën në Francë me një bursë ekselence të quajtur LABEX Inform. Doktoraturën e ka mbrojtur në laboratorin e Doktorit të shkencave Jean-Pierre GORVEL, që është shkencëtari më i përmendur në fushën e sëmundjes së Brucelozës. Gjatë doktoraturës ajo zbuloi se bakeria që shkakton Brucelozën bashkëvepron me një molekule të qelizave të palcës kurrizore që quhet SLAMF1 për t’ju fshehur sistemit imun të trupit. Falë kësaj pune, ajo u transferua në Amerikë ku po punon për të kuptuar pse SARS-CoV-2 infekton disa persona më shumë se të tjerë. Ajo punon gjithashtu në krijimin e një terapie qelizore universale për të luftuar kancerin dhe sëmundjet infektive.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Lisiena Hysenaj, Sokol Paja

KUR FLASIN TË “VDEKURIT”

February 6, 2021 by dgreca

Nga Sokol PAJA – DIELLI/

Zakonisht për të vdekurin nuk flitet keq. Por kur i “vdekuri” ringjallet si profet biblik apo kuranor, ai e meriton një “uratë” apo “sure”. Vetëm rilindja e socialistëve arrin ti ringjallë njerëzit që vetë i “vret”. Për interesa të rëndomta politike partia-shtet ringjall “heronj” të cilët pasi i ndërsen në situata të caktuara politike kryesisht zgjedhore, pasi i përdor sipas oreksit politik të çastit i tret në harresë. Zakonisht të ikurit, të larguarit, të humburit, të zhdukurit, të vdekurit nuk janë atje ku i mendojmë, por aty ku flitet për ta dhe aty ku ata shfaqen si hije, si imazhe apo mesazhe. Me qëllim largimin e vëmëndjes publike nga menaxhimi katastrofik i pandemisë globale, me synimin që të shmangë vëmëndjen nga hetimet për lidhjet kriminale të eksponentëve të qeverisë me organizatën kriminale famëkeqe Ndragheta për pastrim parash e kulla mafjoze në Tiranë, partia-shtet ngjalli një hero qimelyer, Fatos Nanon. Një mishërim spektakolar i vesit, korrupsionit, krimit, abuzimit dhe degradimit shtetëror dhe njerëzor kur rilindasit udhëhiqeshin nga filozofi majtist i katarsisit. Për nevoja të partisë apo për fitoren e revolucionit si vëlla komunist, rilindasit e sotëm sjellin nga lartësitë e qiejve edhe ata që vetë i “varrosën” dikur. Të gjitha partitë që burojnë nga filozofia marksiste, heroin komunist e kanë njeriun ideal, njeriun e ri, për manipulim spektakolar të opinionit publik. Komunistët edhe kur nuk e kanë një hero ata e sajojnë, e shpikin, e fabrikojnë dhe e shpërndajnë këtë model për ndjekje masive. Duke nxjerrë Nanon në Tv, Rama tregoi se është vetëm, se nuk e mbështet më askush, se ndër të gjallët s’ka më përkrahje, i duhet forca e një të “vdekuri” për ta mbajtur gjallë. Ky shërbim mediatik dhe politik që ish kryeministri liberal i bëri liderit arrogant e diktatorial ishte një neveri përtej kufijve të arsyes nëse i referohemi konsideratave dhe vlerësimeve në të kaluarën që këto dy dordolecë karnivalesh kanë pasur për njëri-tjetrin. Në spektaklin 3D të qeverisjes shkatërruese të kryerilindasit Rama ndaj qytetarëve shqiptarë, dordoleci i karnivales nuk kishte sesi ti mungonte shfaqjes dhe spektaklit të çmendurisë që qeveris shqiptarët tash 8 vjet. Të mbrosh të keqen je më i keq se vetë e keqja. Nano me daljen e tij publike në televizionin kombëtar Klan i shtoi vetes një njollë turpi duke mbrojtur e promovuar atë që deri dje e përbuzte me neveritje. Hajduti i ikonave të vjedhura dhe thonjëpapreri, papritur si me shkop magjik na del politikani i maturuar dhe modeli i politikanit produktiv i dekadës së fundit. Nano është refuzuar nga shqiptarët 16 vite më pare. Me Nanon në ekran, Rama ua shpifi dhe ua neveriti edhe më shumë shqiptarëve. Edi Rama është kryeministri më i keq në historinë moderne të shtetit shqiptar. Ky huligan, ky dinosaur politik që shpartallon e pushton gjithçka e çdo gjë që i del përpara, prodhoi një qeverisje të tmerrshme për Shqipërinë: shqiptarët gjenden pa shtëpi, shqiptarë që detyrohen të braktisin atdheun, shqiptarë që u vritet shpresa, që u shkatërrohet e ardhmja, që u hiqet mundësia, shqiptarë që mjerohen, shqiptarë që varfërohen, shqiptarë që diskutojnë kafshatën, shqiptarë të harruar, shqiptarë të diskredituar, fshatra që braktisen, qytete që vriten. Pasi zaptoi të gjitha institucionet dhe pushtetet, Rama prodhoi një Shqipëri të varfër dhe të mjerë që zhytet përditë e më keq nën kthetrat e sektit të rilindjes që i pi dhe pikat e fundit të gjakut përpara se të thyejnë qafën një herë e përgjithmonë. Ndryshimi i sistemit qeverisës dhe largimi sa më shpejt i këtij sekti grabitqarësh rilindas neokomunistë, është një frymëmarrje e thellë për Shqipërinë, është një çlirim  i madh nga kthetrat e shpopullimit, lidhjes së politikës me mafjen kombëtare e ndërkombëtare, degradimit të shtetit, thellimit të pabarazive shkatërruese, konfliktit social dhe varfërisë. 

Filed Under: Politike Tagged With: Nano TV, Rama, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT