• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ROLI PATRIOTIK I REVISTËS SË PARË TË KLERIT KATOLIK NË SHQIPËRI “ELCIJA E ZEMËRS JEZU KRISCTIT”

September 21, 2020 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA –

Shtypi Katolik Shqiptar i ka fillimet e tij në vitin 1891 me të parën revistë katolike : “Elcija e Zemërs Jezu Krisctit”. Kjo revistë dilte në treg çdo muaj. Nga viti 1891 deri në vitin 1913 revista doli me 12 numra. Kjo revistë ishte organ i Eterve Jezuitë në Shqipëri dhe u shtyp në shtypshkronjën “Zoja e Papërlyer”. Përgjatë pushtimit otoman revista kishte shpërndarje dhe përmbajtje të kufizuar dhe të kontrolluar. Në këtë periudhë revista “Elcija” trajtonte vetëm probleme fetare dhe mesazhe me përmbajtje fetare pasi ndalohej nga regjimi i atëhershëm otoman trajtimi i problematikave të tjera si për shembull atdhetare. Për shkak të kushteve historike “Elcija” në fillimet e saj nuk kishte qëllim tjetër veçse për të përhapur me devocion mësimet dhe dashurinë e zemrës së Krishtit. Në fillimet e saj ka qënë vetëm fetare dhe vetëm përmbante shkrime që i drejtofshin lavdi e nderime zemrës së Krishtit, pastaj në varësi të kohës erdhi dhe u bë në përshtatje me zhvillimet politike në shërbim jo vetëm të kishës por edhe të atdheut. Nga viti 1908 deri ne vitin 1913 në  revistën “Elcija” u botua si shtojcë edhe pjesa e dytë me përmbajtje kulturore”. Në këtë periudhë, revista “Elcija” duke filluar që me kongresin e Manastirit dhe me shënjat e para të dobësimit të Perandorisë Osmane filloi të trajtonte tema gjithëpërfshirëse duke i dhënë rëndësi të veçantë trajtimit të çështjes atdhetare. Kjo revistë trajtontë me delikatesë dhe përgjegjshmëri të veçantë tema të rëndësishme kombëtare. Revista “Elcija e Zemërs Jezu Krisctit” dha një ndihmesë të madhe në nxitjen e atdhedashurisë dhe të vetëndërgjegjësimit kombëtar tek shqiptarët. Kjo revistë me temat e trajtuara i dha një hov të madh lëvizjes  kryengritëse për pavarësi të popullit shqiptar. Në vitin 1914 revista Elcija e Zemërs Jezu Krisctit kthehet në një revistë me po atë program veçse me një tjetër emër:  “Lajmëtari i Zemërs Jezu Krishtit”. Përgjatë gjithë ekzistencës së saj, kjo revistë ashtu si gjithë kleri katolik dha një ndihmes ëtë jahstëzakonshme në zhvillimin dhe emancipimin kultoror e patriotik te lexuesit. Gjithmonë krahas trajtesave fetare, i kushtohej në faqet e kësaj reviste faqe për historinë, kulturën, antropologjinë, letërsinë, estetikën, fjalët e urta popullore, doke e zakone të shoqërisë shqiptare. Kjo si revistë katolike e vazhdoi veprimtarinë  e saj deri në vitin 1944 që shënon edhe mbylljen e dalëngadalë të shtypit shqiptar nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës. Regjimi komunist shqiptar ndaj klerit fetar dhe sidomos ndaj klerit katolik ishte shumë radikal pasi ndjehej në inferioritet kulturor ndaj klerikëve katolik të shkolluar në universitetet më të mira në botë për kohën. Shtypi katolik me ardhjen në pushtet të partisë komuniste filloi të përndiqet dhe u mbyll shpejt, pasi për këtë parti dhe shoqëri të kohës nuk pranohej mendimi ndryshe dhe veprimtaria e shtypit katolik biente ndesh me ideologjinë e partisë komuniste. Fryma kristjane me frymën bolshevike ishin diametralisht të kundërta. Komunistët pasi vranë dhe burgosën klerikët më në zë në Shqipëri, ata konfiskuan shtypshkronjat, shkollat, kopshtet, gazetat e revistat, qëndrat kulturore, manastiret dhe çdo ambjent fetar duke e kthyer në pronë të komunistëve dhe administrimin e shtetit njëpartiak. Shtypi Katolik shqiptar megjithëse u mbyll dhe u persekutua në mënyrën më të tmerrshme që njohu historia me turturat që u bënë ndaj klerikëve katolikëve, përsëri ky shtyp me vlerat dhe meritat që pati në zhvillimin dhe kultivimin e ideve atdhetare, zhvillimin e gjuhës shqipe, zhvillimin e shoqrisë shqiptare, njohjen e çështjes shqiptare në evropë e shumë merita të tjera në jetën politike, kulturore, dhe religjioze shqiptare. Shtypi i klerit katolik shqiptar ishte përherë tribunë atdhedashurie dhe përbën një faqe të ndritur në historinë e shtypit dhe të popullit shqiptar. 

Filed Under: Featured Tagged With: Elcija e Zemres Jezu Krishtit, Sokol Paja

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË UKRAINË

September 18, 2020 by dgreca

Vladislav Ilchenko drejtues i organizatës “Bashkimi i Shqiptarëve të Ukrainës” në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, tregon sesi ruhet identiteti kombëtar i shqiptarëve të Ukrainës nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe në qytetet ku ka vendbanime shqiptare. Me Vladislav Ilchenkon bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË UKRAINË

Gjuha shqipe mësohet si një opsion me zgjedhje në rajonin Zaporozhye në fshatin Devnenskoye në një shkollë publike, sipas një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit në Ukrainë.Ka katër vendbanime në territorin e Ukrainës, 3 në rajonin e Zaporizhzhya, Priazovskoe rrethit Georgievka, Devnenskoe dhe Gamovka. Georgieka është emëruar pas stërgjyshit tim, ai ishte organizatori i zhvendosjes nga rajoni i Odesës në fshatin Karakurt. Ky është vendbanimi i katërt shqiptar në Ukrainë. Në rajonin e Odessa, në Karakurt, gjuha shqipe mësohet gjithashtu në klasat fillore, si në rajonin Zaporozhye. Tekstet shkollore ofrohen nga Shqipëria si pasojë e marrëveshjes mes dy shteteve.

QYTETET KU JETOJNË SHQIPTARËT NË UKRAINË

Të parët që mësuan për shqiptarët-arnautët në Rusi pas përfundimit të luftës së parë ruso-turke në 1768-1769, pas nënshkrimit të traktatit botëror Kuchuk-Kainardzhinsky, midis Rusisë dhe Turqisë, ku shqiptarët morën pjesë aktive, si në tokë ashtu edhe në det. Po shkruaj një libër për këtë, tani po e shtyp në formë elektronike, më janë dashur më shumë se dhjetë vjet për ta shkruar, për të studiuar materialet ekzistuese. Për momentin ne jemi duke pritur për klasa dhe tekste të reja.

Me kërkesën time, u hartua një fjalor Ukrainas-Shqip. Në rajonin e Zaporozhye, në fshatin Devnenskoe, kemi 12 fëmijë, mësuese është Oksana Shilo e cila ka  studiuar në Shqipëri në Universitetin e Tiranës. Në Karakurt, rajoni i Odessa, mësuese është Natalya Kircheva. Për numrin real të studentëve duhet të flas në një moment tjetër pasi në kushtet e karatinës dhe pandemisë numri ndryshon.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR

Unë kam vajzën e madhe Vlada Ilchenko, ajo gjithashtu studioi në Universitetin e Tiranës, flet rrjedhshëm anglisht, gjermanisht, frëngjisht. Ne i kemi ruajtur të gjalla gjithmonë lidhjet me atdheun e origjinës. Fakti është se në territorin e Ukrainës shqiptarët ishin nga rajone të ndryshme të Shqipërisë, nga Peloponezi, Mani, Suliots. Tre fshatra: Georgievka, Devnenskoe dhe Gamovka kanë dialekte të ndryshme në shqiptim. Shqipëria dikur ndahej në Shqipërinë e Epërme dhe Shqipërinë e Poshtme, popullsia këtu është nga të gjitha viset shqiptare. Shqiptarët jetojnë në mënyrë kompakte në territorin e Ukrainës, shumë familje u dëbuan nën Bashkimin Sovjetik si armiq të popullit, nën sundimin e Stalinit sipas Nenit 58 paragrafi 10. Pas luftës civile në 1991, disa u kthyen në shtëpi në rajonin Azov të rajonit Zaporozhye, shumica e të cilëve jetojnë në Rusi. Banorët e parë të qytetit të Odesës ishin Arnautët, ku tani ka rrugë, Bolshaya Arnautskaya dhe Malaya Arnautskaya. Pjesëmarrësit e parë që studiuan në Tiranë, Oksana Shilo dhe vajza ime Vlada Ilchenko dhe Neli Supyur, tre studentë të tjerë që studiuan, u përballën me një numër vështirësish të mëdha por që më pas u ofruan kushte shumë të mira si pasojë e marrëveshjes ndërshtetërore.

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Unë komunikoj me shumë shqiptarë nga Amerika dhe dy kushërinjtë e mi të dytë, Vleriy dhe Vladislav Gagunsky, jetojnë në Amerikë, Boston. Dëshiroj të gjithë shqiptarëve shëndet e lumturi. Kudo që të jemi të përpiqemi ta ruajmë traditën dhe gjuhën tonë të bukur shqipe. Të mësosh shqip është një krenari dhe nder edhe për brezat që vijnë pas nesh. Le të kujtojnë se gjaku nuk është ujë, nuk mund të hollohet. Përshëndetje të gjithëve nga Ukraina. Të gjithë jemi në të njëjtin gjak, ti ​​dhe unë.

Filed Under: Emigracion Tagged With: shqiptaret e Ukraines, Sokol Paja, Vladislav Ilchenko

SFIDAT E SHQIPËRISË PËRBALLË PANDEMISË GLOBALE COVID-19

September 16, 2020 by dgreca

Profesor i Asociuar Doktor i Shkencave Mjeksore Tritan Kalo, rrëfen Shqipërinë në përballje me pandeminë globale Covid-19. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, Profesor Kalo analizon gjithçka po ndodh në Spitalet Covid, ecurinë e infektimeve, trendin e shifrave, shpjegon me detaje përdorimin e  plazmës hiperimune nga individë që tashmë e kanë kaluar infeksionin nga Sars-Cov2/Covid-19 dhe apelin ndaj qytetarëve sidomos me rastin e fillimit të vitit shkollor. Me Doktor Kalon bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SI ËSHTË SITUATA E INFEKSIONIT SARS-COV2/COVID-19 NË SHQIPËRI?

U bënë mbi 6 muaj që prej deklarimit më 8-9 Mars 2020, të rasteve të para të infektimit me Sars-Cov2/Covid-19 në Shqipëri. Në 26 javët e para të Epidemisë janë konfirmuar pozitivë 10406 raste, prej të cilëve janë shëruar 6186 individë si dhe 319 individë e kanë humbur sfidën me infeksionin Sars-Cov2/Covid-19. Grup-moshat më të prekura kohët e fundit janë ato midis 35-55 vjeç, por edhe grup-mosha 65-85 vjeç po ashtu është shumë e prekur. Fillimisht më të prekur ishin vetëm ata që kishin disa sëmundje bashkëshoqëruese si: Diabeti mellitus, Hipertonia, Pamjaftueshmëria kronike e zemrës, e veshkave, e mushkërive, Sëmundje malinje hematopoetike, etj, por me kalimin e kohës u vu re tendenca e prekjes edhe e individëve pa sëmundje kronike si dhe ulja e pragut të moshës së të prekurve. 

Kuarantinimi i imponuar në fillim të kësaj epidemije, një dukuri e përbotëshme për të kursyer jetë njerëzish, si dhe për t’u dhënë kohë strukturave shëndetsore për mirëpërgatitjen dhe mirëmenaxhimin prej tyre të rastve të të infektuarve rezultoj positive, por në aspektin ekonomik ky kuarantinim i zgajtur tej kufijve të gjashtë javëve sa edhe zakonisht parashihet në të tilla raste, ishte një frenim jo i neglizhueshëm i tij. 

SI PARASHIKOHET E ARDHMJA E TIJ?

Vështirë të flitet me siguri për ecurinë e kësaj Pandemije, por nisur edhe nga Pandemi të tjera si p.sh. Gripi spanjoll i viteve 1918-1920, Sars-Cov1, etj, një dukuri e tillë epidemiologjike zgjat nga gjashtë deri nëtetëmbëdhjetë apo njëzet e katër muaj. Ajo që duhet të kemi të qartëështë fakti se flitet për “profile” të ndryshme kohore të një ngjarje të tillë, për nivele jo të njëjta të përgatitjes së strukturave diagnostike, për struktura të ndjekjes dhe trajtimit të të sëmurëve që evoluojnë pozitivisht me kalimin e kohës, duke mos nënvlerësuar edhe faktorë të tjerë qëndërkohë ndërhynë në ecurinë e kësaj Pandemije. 

ENDE nuk kemi një medikament specifik ndaj Sars-Cov2/Covid-19 për mjekimin më të mirë të të sëmurëve, si dhe ende nuk kemi një Vaksinë të efektëshme për parandalimin e këtij infeksioni. Përgatitja e një vaksine të besueshme dhe të mirë-efektëshme kërkon kohën e saj që varion nga 12-18 muaj. Precipitimi për të hedhur në treg sa më parë një vaksinë të tillë, e ul besueshmërinë në mirë-funksionimin e saj. Interesat komerciale jo të neglishueshme në të tilla raste, nuk duhet të prevalojnë mbi sigurinë e përgatitjes dhe të efektshmërisë së një vaksine të tillë, si e vetmja mënyrë për të këputur përfundimisht zinxhirin e transmetimit të infeksionit Sars-Cov2/Covid-19. 

ÇPO NDODH ME SHIFRAT E INFEKTIMIT APO TË HUMBJES SË JETËVE?

Me deklarimin e Pandemisë së Sars-Cov2/Covid-19 u krijua përshtypja se do të ishte e mundur “kufizimi” i saj, mundësija e mos prekjes së vëndeve me klimë shumë të ngrohtë e të lagësht dhe ndoshta e prezervimit të shumë vëndeve nga prekja prej këtij virusi sëmundje-shkaktues dhe jetë-marrës. Përshtypjet e para rezultuan të ishin të gabuara, por edhe menaxhimi i kësaj Pandemije jo ai i duhuri prej Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH/ËHO). Ndërhyrja e pavend e politikës në shumë vende nuk bëri gjë tjetër veçse e “lëndoj” mundësinë e mirë-menaxhimit të kësaj Pandemije. Shifrat e infektimit nga Sars-Cov2/Covid-19 ishin shumë optimiste dhe mjaft domethënëse në raport të drejtë me masat e mara edhe në vendin tonë. Rihapja pas kuarantinimit jo si dhe sa duhet në përputhje me planin katër-fazash të hartuar nga Komiteti i Ekspertëve të ngritur nga MShMS me vendimin e saj të 31 Janarit 2020, ku edhe unë jap kontributin tim, si dhe mos respektimi i duhur i masave higjeno-sanitare nga popullata, detyrimisht do të bënte që si shifrat e të infektuarve edhe numuri i jetëve të humbura të rriteshin. 

Po ashtu në vatrën më të nxehtë të infeksionit, në Tiranë, higjena dhe dezinfektimi i mjediseve publike, i mjeteve të qarkullimit në transportin publik, dhe tani me fillimin e vitit tëri shkollor ku sasia dhe cilësija e nyjeve sanitare në mjediset shkollore le shumë për të dëshiruar, detyrimisht që do të ndikojnë në rritjen e numurit të të infektuarve. Vjeshta sjedh në qarkullim edhe shumë viroza të tjera stinore, përfshirë edhe Gripin stinor çka do të rrisë më tej kurbën e të infektuarve jo vetëm nga Sars-Cov2/Covid-19. Është një dukuri që vërehet sot kudo në Botë. Në shifrat e raportuara edhe mundet të ndërhyhet, POR në realitetin e numurit të të shtruarve, të atyre që ndodhen në terapi intensive apo jetëve të humbura nga ky infektim nuk mundet të ndërhyhet. 

Të bërit shumë Politikë në këtë “Kohë kovidiane”, në mendimin tim nuk sjedh asnjë dobi përkundrazi. Intensifikimi dhe zgjerimi i skemës së vaksinimit ndaj Gripit stinor në vendin tonë, shpresoj dhe uroj të ndikojë për mirë në zbutjen e shifrave të të infektuarve në Shqipëri. 

A ËSHTË E MUNDUR NDJEKJA E DUHUR E TË SËMURËVE SI NË SPITALE EDHE AMBULATORISHT?

Në Shqipëri janë ngritur dhe pajisur tashmë katër struktura spitalore me një kapacitet prej 500 shtretërish, për të ndjekur dhe trajtuar të prekurit nga infeksioni Sars-Cov2/Covid-19. Për momentin janë në funksionalitet vetëm dy struktura: Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në QSUT “Nënë Tereza” ose sikundër ai njihet si Covid-1, dhe që ka përballuar deri më tash ngarkesën kryesore në ndjekjen dhe mjekimin e të sëmurëve nga Sars-Cov2/Covid-19, si dhe SUSM “Shefqet Ndroqi” ose sikndër ai tashmë njihet si Covid-2. Këto dy struktura kanë respektivisht 120 dhe 190 shtetër të destinuara për ndjekjen dhe mjekimin e të sëmurëve, si dhe jo më pak se 45 shtretër për trajtimin intensiv të të sëmurëve në këto 310 shtretër.

Mjekët e familjes janë tashmë të përfshirë mjaft mirënë ndjekjen dhe trajtimin e të sëmurëve të prekur nga Sars-Cov2/Covid-19. Eksperienca botërore ka treguar se mbi 70-80 % e të prekurve mundet mjaft mirë të ndiqen dhe trajtohen ambulatorisht. Ka protokolle të mirë-përcaktuara për këtë ndjekje si dhe një mirëkuptim dhe mirëkoordinim me këta mjekë, për të ndjekur si duhet të prekurit nga Sars-Cov2/Covid-19, si dhe vënien në funksionim të Urgjencës Kombëtare ose 127 sikundër ajo njihet nga popullata, kur nevojitet ndihma e tyre në rastet e rëndimit të të sëmurëve dhe adresimin e tyre në mjediset spitalore. 

Në rast përkeqësimi të situatës është parashikuar edhe vënia në dispozicion të Pandemisë i strukturave të Spitaleve Rajonalë si dhe atyre Bashkiakë. 

KURIMI ME PLAZËM A KA FILLUAR NË SHQIPËRI DHE CILAT JANË REZULTATET E TIJA TË DERITANISHME?

Përdorimi I plazmës hiperimune nga individë që tashmë e kanë kaluar infeksionin nga Sars-Cov2/Covid-19, është një mjet I vënë në dispozicionin tonë këto kohët e fundit. Janë donatorët vullnetarë të gjakut ata të cilët testohen nëse kanë krijuar imunitet pas kalimit të sëmundjes, që pas një seleksionimi paraprak mbi bazën e një protokolli të mirë-përcaktuar, shërbejnë si bazë në prodhimin e kësaj plazme. Deri më tash janë mbi 20 të sëmurë, që kanë përftuar nga kjo terapi edhe pse jo pak e diskutueshme në efiçiencën e saj. Publikisht u është bërë thirrje që të gjitha ata të cilët e kanë kaluar sëmundjen dhe kanë krijuar imunitet ndaj saj, të dhurojnë gjak dhe ai të përdoret për nxjerjen më pas të plazmës hiperimune. Mbi 80 ish të sëmurë i janë përgjigjur deri më tash kësaj thirrje. Jetë që shërben për të shpëtuar jetë të tjera.

APELI I JUAJ PËR QYTETARËT SIDOMOS TANI ME RIFILLIMIN E VITIT SHKOLLOR?

Përkujdesi ndaj vetes dhe kujdesi ndaj të gjithë atyre që gjallojnë rreth jush është çelësi i artë në mirë-menaxhimin e kësaj Pandemije. Higjena vetjake dhe kolektive, distancimi fizik dhe mbajtja e maskave në mjediset e mbyllura apo aty ku ka prani të shumë individëve, përbëjnë tre hallka shumë të efektëshme në këtë kohë kovidiane. Nuk mjafton Puna, Profesionalizmi dhe Përkushtimi ynë, që të përballemi me sukses në këtë sfidë ndaj infeksionit Sars-Cov2/Covid-19. Duhet në çdo moment edhe Vetëndërgjegjësimi qytetar, që së bashku me Mantelbardhët të mundet me sukses të ia dalim mbanë kësaj “beteje” të gjatë,  me një armik të padukshëm por shumë të rrezikshëm sikundër është edhe infeksioni nga Sars-Cov2/Covid-19. 

Filed Under: Opinion Tagged With: COVID-19, Doktor i Shkencave Mjeksore, Profesor i Asociuar, Sokol Paja, Tritan Kalo

RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR

September 15, 2020 by dgreca

RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR PËRMES MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË TURQI-

Teuta Tabaku, mësuese e Gjuhës Shqipe në Bursa të Turqisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës shqiptare në Turqi nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Teuta Tabakun bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË TURQI

Mësimi i gjuhës shqipe organizohet në mënyra të ndryshme sipas mundësive dhe kushteve që ka komuniteti Shqiptar në Turqi. Është për tu theksuar se qeveria Turke dhe Ministria e Arsimit e kanë organizuar në këto mënyra:

1- Gjuha Shqipe në shkollat fillore si lëndë me zgjedhje

2- Në shkollat publike sipas niveleve

3- Gjithashtu edhe në Universitetin e Edirnesë dega e gjuhës dhe letërsisë Shqipe në nivelin e arsimit të lartë.

Arsimi i nivelit fillor fatkeqësisht nuk pati jetëgjatësi pasi mungonte interesi i fëmijëve të cilët janë brezi i gjashtë dhe më larg. Këtu nuk duhet të paragjykojmë për arsyen e niveleve të ndryshme të arsimit dhe formimit të familjarëve. Për këtë program institucionet tona në bashkëpunim me institucionet Turke, duhet të përgatisin pedagogë ose mësimdhënës të kësaj fushe për të filluar edukimin e gjuhën amtare duke filluar nga prindërit. Së dyti ishte mungesa e teksteve të rifreskuara e nevojshme për të mbështetur procesin mësimor.

QYTETET KU MËSOHET SHQIP, KURRIKULA MËSIMORE

Mësimi i gjuhës shqipe organizohet në disa nga qytetet e mëdha të Turqisë si Bursa, Ankara, Izmir, dhe Stamboll. Unë në qytetin e Bursës për mësimdhënien punoj me programin e niveleve A1, A2, B1, B2, C1, dhe C2. Këtë program e kam filluar në vitin 2017 në shkollën publike të Bursës ku përfshihen metoda dhe materiale nga pedagogë të Universitetit të Tiranës. Duke u nisur nga përvoja ime mendoj se ky program është më i përshtatshëm për të mësuar gjuhën si gjuhë të dytë dhe për Komunitetin Shqiptar në Turqi. Ashtu sikurse e përmenda edhe më lart, mendoj se institucionet tona duhet të bashkëpunojnë për të përgatitur mësues për mësimdhënien e gjuhës Shqipe në Turqi. Në kurset e gjuhës Shqipe kam punuar me vullnet e dëshirë të madhe për të rritur interesin gjithashtu edhe numrin e nxënësve, pavarësisht vështirësive të ndryshme. Punoj dhe jap mësim vullnetarisht me disiplinë dhe korrektësi. Kjo punë ka dhënë frutat e veta dhe ka bërë që numri i nxënësve të vijë duke u rritur. Për tu mësuar gjuhën amëtare bashkëkombesve të mi këtë vit hapa edhe kursin e gjuhës Shqipe për amvisat me origjinë Shqiptare. Une çdo vıt hap 4 klasa me numër të ndyshëm nxënësish duke filluar nga 15 e deri në 25, 30 në varësi të interesit dhe kushteve. Sepse interesi mund të jetë i madh por mospërputhja e orareve të kursit me jetën e përditshme ndikon në numrin e pjesëmarrësve. Situata pandemike sigurisht krijoi vështirësi edhe në këtë fushë pasi jo të gjithë kanë mundësinë për të ndjekur mësimet online, por me durim dhe përkushtim mund të them që ia dolëm. Për këtë vit arsimor deri tani kam dy klasa online. Një të nivelit A1 me 20 nxënës dhe një klasë të nivelit A2 me 25 nxënës. Kjo e dyta ka mundësı të ndahet në dy klasa sipas kërkesave që mund të shtohen. Theksoj se është dhe kënaqësi për mua fakti që do të hap edhe një klasë onlinë me moshat e vogla, si 9 dhe 10 vjeç. Për klasat në shkollën publike besoj se ato do të hapen sipas programit dhe protokollit të Covid-19. Numri i mësimdhënësve për gjuhën shqipe është i pakët.

GJUHA SHQIPE SI MJET I RUAJTJES SË IDETITETIT KOMBETAR

Mësimi i gjuhës shqipe jo vetëm që ndihmon në ruajtjen e identitetit por është rruga e vetme për brezat e ardhshëm  që ta transmetojnë në brezat e tjerë. Duke folur e shkruar Shqip mbrojmë identitetin, rrënjët dhe traditen tonë. Komuniteti Shqiptar në Turqi duhet të jetë më i bashkuar për të mbrojtur identitetin dhe kulturën. Komuniteti Shqiptar është i organizuar në shoqata civile dhe kulturore të cılat janë të ligjshme në Shtetin Turk. Ashtu sikurse dihet Komunıtetı Shqiptar në Turqi ka një rol të rëndësishëm në çdo fushë dhe sukseset janë pafund.

TË MËSOSH SHQIP NË TURQI, REAGIMET

Edhe këtu mësimi i gjuhës shqipe është pritur mirë sepse komuniteti Shqiptar është një nga komunitet më të vjetra që jetojnë e punojnë bashkë me popullin Turk. Normalisht pritet mirë sepse historikisht kanë patur marrëdhënie vllazërore. E rëndësishme është se duke ruajtur e jetuar traditat e veta çdo komunitet ka respekt reciprok. Po bëjmë një punë shumë të mirë në shërbim të identitetit, kulturës, traditës, miqësisë me bashkëpunimin me vendin ku jetojmë.

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Mesazhi im për diasporën në USA është se duhet të bashkëpunojmë të gjithë së bashku kudo ku jemi. Vetëm nëse kemi bashkëpunim mund të jetë e mundur të mbrojmë dhe promovojmë gjuhën dhe kulturen tonë kombëtare.

 KUSH ËSHTË MËSUESE TEUTA TABAKU

Teuta Tabaku, mësuese e Gjuhës Shqipe në Bursa të Turqisë. Ajo u largua nga Shqipëria në qershor të vitit 1992. Pas një periudhe të gjatë integrimi, u angazhua vullnetarisht për të dhënë kontributin e saj në komunitetin shqiptar në Turqi, për informimin dhe zhvillimin e Diasporës atje. Me hapjen e Konsullatës së Nderit, një hap i rëndësishëm nga ana e saj ishte hapja e Kursit të Gjuhës Shqipe (pa pagesë), identifikimi dhe regjistrimi i të gjitha familjeve shqiptare që emigruan në Turqi në vitet ’90. Ky regjistrim solli pajisjen e tyre me dokumente dhe regjistrimin e fëmijëve të emigrantëve në Shkollat Publike Turke. Përgjatë viteve 2003-2015 në strehën e Konsullatës së Nderit, ajo organizoi aktivitete të ndryshme kulturore e historike lidhur me njohjen  reciproke të trojeve shqiptare dhe turke, si dhe për përkrahjen sociale e ekonomike të nxënësve, studentëve dhe familjeve të tyre. Këto aktivitete vazhdojnë edhe në ditët e sotme. Për thuajse tri dekada, ajo ka punuar për ruajtjen e identitetit dhe të gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar atje, i cili përfshin bashkëkombës nga të gjitha trojet shqiptare. Në vitin 2017, me mbështetjen e bashkisë, ajo hapi zyrtarisht Kursin e Gjuhës Shqipe në shkollën Publike të Bursës në Turqi. Ka marrë pjesë në shumë konferenca e seminare për informimin, mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, zhvillimin e marrëdhënieve turko-shqiptare, si në Turqi, ashtu dhe në trojet shqiptare. Për kontributin e saj vullnetar për komunitetin, Teuta Tabaku u nderua me titullin “Ambasadore e Kombit”. Në vitin 2019, Qeveria dhe Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës e vlerësoi me çmimin “Gruaja në Diasporë, Digë e fuqishme kundër asimilimit”.

Filed Under: Featured Tagged With: Shkolla shqipe, Sokol Paja, Teuta tabaku

LAHUTARI I EPOSIT TË KRESHNIKËVE

September 14, 2020 by dgreca

Lahutari Jonuz Delaj ka qenë pjesëmarrës i festivaleve ndërkombëtare në vitin 1973 në festivalin Ballkanik në Ohër të ish-Jugosllavisë, në Ankara të Turqisë, në festival Europian në Venecia, në Bolonja dhe turne të rregullt në viset shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e Preshevës….

Nga Sokol PAJA  – DIELLI-

Jonuz  Delaj është lahutari më i veçantë në trevën e Malësisë. Një vazhdues i gjallë  i traditës, historisë dhe krenarisë së lashtë të Eposit të Kreshnikëve. Prej 64 vitesh Jonuz Delaj nuk resht duke i kënduar e shkruar këngë Malësisë, historisë së saj të lavdishme, traditës, kulturës e personazheve më të rëndësishëm në shekujt e gjatë të Malësisë. Jonuz Delaj në moshën 6 vjeçare filloi ti binte lahutës, në një moshë kur lahuta ishte më e madhe edhe se vetë artisti. Këtë instrument muzikor e ka trashëguar nga babai dhe gjyshi që ishin mjeshtra të lahutës. Lahuta dhe pushka ishin binom i çdo familje malësore. Fëmijët në atë kohë bëheshin ose të pushkës ose të lahutës. Fëmijëria e Jonuz Delajt ishte e lidhur jashtëzakonisht me kuvendet e burrave, logun apo organizimet mes fshatrave.  Fisnikëria e malësorëve ishte e jashtëzakonshme. Dashuria për atdheun ishte frymëzim së bashku me këngët e trimërisë, lufta për të mbajtur pushtuesin (shkjaun) larg trojeve shqiptare. Krenaria e të papushtuarit, dëbimi i shovinistëve dhe mbajtja në mënyrë të shenjtë të tokave të të parëve, ishin elementi dallues dhe frymëzues në këngët e Jonuz Delajt.

Kënga e parë e kënduar prej lahutarit Jonuz Delaj quhet: “Këta nizamët e shqiptarisë” që i dedikohej djemve shqiptarë të marrë peng prej Turqisë. At Gjergj Fishta ishte element frymëzimi për çdo malësor. Jonuz Delaj në moshën 10 vjeçare lexoi kryeveprën e Fishtës “Lahuta e Malësisë” origjinale dhe arrinte të thoshte qindra vargje  në koncerte e ansamble. Jonuz Delaj është dekoruar me Dekoratë e Klasit të Tretë nga Kuvendi Popullor si interpretues i vlerave kombëtare, folklorike dhe trashëgimisë kulturore. Kënga e fundit që ka krijuar lahutari Jonuz Delaj është për emigrantët shqiptarë e titulluar: “Prej mërgimit më erdhi një fjalë”. Jonuz Delaj  vazhdon të krijojë çdo ditë duke i kënduar Malësisë, figurave të saj, e ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së saj. I harruar prej  të gjitha pushteteve, ai  nuk u  zemërua kurrë, por në zemrën e tij dhe shpirtin të artit kultivoi dashurinë për Malësinë e tij, atë që nuk e braktisi kurrë. Çdo këngë ka historinë e saj të veçantë tregon Jonuz Delaj. Pabesia e komunistëve ndaj Këlmendit ishte e frikshme. Këlmendasit janë mësuar gjithmonë me pabesi që nga Osmanët  e deri nga serbët e komunistët në fund, shpreh pikëllim lahutari. Jonuz Delaj i ka kënduar Marash Ucit (një figurë e lartë trimërie nga Brigjet e Hotit), Oso Kukës, Atë Fishtës, Ciklit të Kreshnikëve, Martesa e Halilit, Isa Buletinin, Ali Pashë Gucinë, Nores së Kelmendit, Mem Smaljit, Prek Calit, Nik Lek Pepës, Sali Manit etj. U ka kënduar ngjarjeve që kanë shënuar Malësinë, qëndresës heroike të Këlmendit çka e bëjnë këtë lahutar kaq të dashur për Malësinë e malësorët.

Leu Prek Cali mbi  këto kreshta

Fjala e tij ushtoi sa bjeshka

Atje në Londër ky dai

Mos mi shtyj gur e shefi

Mos ma shkelni vendin tem

Se ua baj  vorrin në Kelmen

Sipas Lahutarit Jonuz Delaj, At Fishta erdhi në Malësi jo vetëm  për meshën e shenjtë por për ti kënduar e shkruar  malësorëve të Malësisë, bijve heroikë dhe atyre që kanë lënë jetën për Këlmendin e krejt Malësinë. Fishta u shkroi malësorëve dhe fisnikërisë e trimërisë së tyre mbi  20 mijë vargje. Lahuta ime thote Jonuz Delaj nuk i ka kënduar gjithëkujt, por bijve të veçantë të Malësisë dhe historisë së saj. Lahuta është më e vjetër se Cikli i Kreshnikëve. Lahuta ishte një sinjal kushtrimi si kënga maja krahut për raste të veçanta për malësorët që të mos diktoheshin  nga shkjau. Kënga e lahutës dhe kënga maja krahut ishin sinjale të veçanta komunikimi, një gjuhë specifike e fshehtë mes malësorëve që sinjalizonin njëri-tjetrin në raste rreziku. Edhe në komunizëm nuk i këndoi kurrë partisë dhe udhëheqjes por vetëm Ciklit të  Kreshnikëve dhe trimërisë e historisë së Malësisë e malësorëve. Vetë misioni dhe specifika e lahutës si instrument muzikor e shpëtoi nga censura dhe shërbimi ndaj partisë e udhëheqjes së kohës. Lahuta i këndonte trimërisë së malësorëve, kënga e lahutarit frymëzonte malet dhe malësinë e trimërinë , i nxiste në luftë  patriotët për të luftuar për atdheun e trojet e tyre. Në çdo luftë, në çdo kuvend burrash, në çdo betejë, lahuta i frymëzonte malësorët kundër sllavëve dhe osmanëve. Çdo katund ka pas lahutarët e tij në Malësi. Lahuta, fyelli, zymarja ishin tre instrumentët muzikor më të përdorur në Malësi. Jonuz Delaj veçon lahutarët më në zë të Malësisë: Nua Biboçi, Prek Gjon Luca, Martin Llesh Smajlaj, Vera Qosaj, Pretash Nilaj e disa të tjerë që e kanë trashëguar traditën e lahutës në Malësi. Sipas Jonuz Delajt, Sali Mani solli i pari çiftelinë në Malësinë e Madhe dhe i këndonte fshatit, trimërisë së malësorëve, jetës së  përditshme dhe personazheve të thjeshta frymëzuese të jetës së përditshme. Së bashku me Sali Manin kujton lahutari Jonuz Delaj, shkonim nga Malësia në Shkodër në këmbë për të kënduar në koncerte. Ne lidhëm një miqësi të fortë. Si dy instrumentat e çiftelisë e lahutës që janë bashkë, ashtu edhe ne ishim  një binom i pa ndarë. Me Sali Manin kemi shkuar në çdo festival në Gjirokastër, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj. Fakti i qëndrimit besnik të boshtit kreshnik të Lahutës, shpjegon lahutari Delaj, më shpëtoi nga kënga për udhëheqjen komuniste. Jonuzi i rritur me sokolat e bjeshkës mësoi ti binte edhe fyellit, zymarese e çiftelisë. 

Lahutari Jonuz Delaj ka qenë pjesëmarrës i festivaleve ndërkombëtare në vitin 1973 në festivalin Ballkanik në Ohër të ish-Jugosllavisë, në Ankara të Turqisë, në festival Europian në Venecia, në Bolonja dhe turne të rregullt në viset shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e Preshevës. Lahutari Delaj tregon me krenari se në Prishtinë, vitin që shkoi së bashku me lahutarë të tjerë kanë krijuar Festivalin e Lahutarëve në hapsirën mbarëshqiptare. Lahutari Jonuz Delaj është një mbrojtës i flaktë i vlerave të hershme të lahutës ( lavdës ) në media të shkruara dhe audiovizive. Lahutari Jonuz Delaj sulmon dhe UNESCO-n që e ka cilësuar lahutën element të trashëgimisë kulturore serbe. Lahutari Delaj citon At Fishtën: Serbët në Ballkan erdhën dy shekuj mbas nesh dhe shprehimisht, kur ne vazhdonim qytetërimin për dy shekuj, ata erdhën nga shpellat Urale të Rusisë. 

Në 30 vitet e demokracisë janë vitet  më të zymta të artit dhe kulturës shqiptare. Sidomos të pjesës folklorike që përbën identitetin tonë kombëtar, shprehet i zhgënjyer lahutari Delaj. Tradita dhe historia në muzikë është lënë në harresë prej qeverive në vazhdimësi. Shteti duhet ti ruaj me fanatizëm këto tradita. Sot ky komb është në rrezik, po humbet identitetin kombëtar. Që nga librat në shkolla e deri te mbështetja shtetërore për artin janë në nivele alarmante. Nuk kujdeset askush as per individin as për  artin, nuk ka kinema, shtëpi kulture, zero investime për artin. Në përfundim të bisedës, lahutari kreshnik Jonuz Delaj, na lë një amanet patriotik: Ruani patriotizmin siç e ruani prej më shumë se tash një shekulli. Mësojini fëmijëve shqip. Duani atdheun dhe mos e harroni kurrë historinë dhe identitetin tuaj shqiptar.  

Filed Under: Featured Tagged With: Jonuz Delaj, Lahutari, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • …
  • 103
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin
  • NJË FESTË E BUKUR E SHKOLLËS SHQIPE NË BOSTON
  • Kosova mes diplomacisë pasive dhe rrezikut të izolimit të heshtur: a po humbet momenti historik i ingranimit në organizma ndërkombëtar?
  • LE SOIR ILLUSTRÉ (1934) / KUSH ËSHTË EKREM LIBOHOVA, AMBASADORI I RI I SHQIPËRISË NË BELGJIKË ?
  • Dr. VLORA MEHMETI – TËRSHANI, NJË FENOMEN I BOTËS SË SHKENCËS
  • Shqiptarët dhe Maqedonia e Veriut midis reformimit dhe stagnimit të procesit eurointegrues
  • Mes poezisë, këngës dhe mirënjohjes : Komuniteti shqiptar në Montreal feston 7 dhe 8 Marsin
  • Arnautët e Damaskut zotohen për riaktivizimin e Shoqërisë së parë shqiptare të themeluar më 1947
  • Shoqata “Malësia e Madhe” në Nju Jork shfaqi dokumentarin “Narhelmi” të autorit Mark Lucgjonaj
  • “Thinking of You”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT