• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA BRUKSELI FLET PER DIELLIN DR. VALBONA SELIMAJ KONTONI

July 16, 2020 by dgreca

KOMPLIKIMET E RRALLA TE FËMIJËT QË PREKEN NGA COVID-19

Dr. Valbona Selimaj Kontoni, mjeke pediatre infeksiologe në Klinikën Saint Jean në Bruksel, Belgjikë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, shtetin belg në betejën ndaj Covid-19 dhe mbi të gjitha fokusohet te problemet e fëmijëve që infektohen me Covid-19. Me Dr. Valbona Selimaj Kontoni bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

COVID-19 DHE FËMIJËT

Aktualisht, pas rreth 6-7 muajsh qarkullimi të pandemisë SARS-CoV-2, ne e dimë që fëmijët e infektuar me këtë virus shfaqin simptoma të lehta e shpesh nuk kanë asnjë ankesë a shenjë infeksioni. Ne kemi të dhëna studimesh në shkallë popullate si në Islande, Kore e Jugut, Itali etj ku mund të shohim se fëmijët kanë sëmundshmëri shumë të ulët nga infeksioni me SARS-CoV-2, si dhe në 80% të rasteve infektohen nga një person i familjes. Pavarësisht nga këto të dhëna shpresëdhënëse, është e rëndësishme të flasim edhe për dy komplikime të rralla të fëmijëve pas sëmundjes Covid-19. Këto janë Sindroma Kaëasaki (SK) si dhe Sindroma Inflamatore Multi-Sistemike tek fëmijët (SIMS-F) e lidhur me Covid-19. Sindroma Kaëasaki në 80% të rasteve prek fëmijët e moshave 6 muaj me 5 vjeç dhe jep një vaskulit (dmth nj inflamacion të enëve të gjakut) të enëve të mesme. Nëse nuk trajtohet, SK mund të japë zgjerim të enëve që furnizojnë zemrën me gjak, por kjo sëmundje njihet shumë mirë nga pediatrët dhe shërohet me trajtimin e duhur. Gjithashtu, SIMS-F shfaqet 4-6 javë pas infeksionit me SARS-CoV-2 dhe jep temperaturë të lartë, mosfunksionim të shumë organeve si dhe shenja inflamacioni të lartë. Që në fillim të pandemisë, këto dy komplikime pas infektimit me virusin SARS-CoV-2 janë raportuar në shtypin mjekësor dhe pediatrët janë plotësisht të informuar për ti trajtuar agresivisht. Megjithatë, studimet japin një numër shumë të vogël rastesh nëse e krahasojmë me numrin total të fëmijëve të infektuar. Një artikull nga popullata në Nju Jork jepte një numër të 2 fëmijëve me SIMS-F për 100.000 të infektuar (nga këta 322 fëmijë), por duhet pasur parasysh se numri i vërtetë i fëmijëve të infektuar por të padiagnostikuar mund të jetë realisht disa herë më i lartë sesa ç’është dokumentuar,  por duke pasur parasysh mungesën e simptomave në këto mosha, testimet nuk bëhet rregullisht, duke ulur edhe numrin e rasteve të diagnostikuara. Gjithashtu është e rëndësishme të theksojmë impaktin negativ të mbylljes së shkollave tek femijët. Jemi të ndërgjegjshëm se pas kaq muajsh të mbyllur, po vërehet në të gjitha anët e botës një rritje e rasteve të abuzimit ndaj fëmijëve, rritje të aksidenteve shtëpiake, shumëfishim i  kohës së ekspozimit ndaj ekraneve, çrregullime të sjelljes, dhe ankth ; të gjitha këto fenomene paguhen shtrenjtë nga fëmijët sepse vonojnë zhvillimin dhe ndikojnë negativisht në mirëqënien e tyre psiqike dhe fizike. Si prindër dhe si shoqëri ne duhet të kujdesemi për këto aspekte madhore në rritjen e fëmijëve e të jemi positivë ndaj hapjes së shkollave.

COVID-19 DHE INFEKTOLOGJIA

Në fund të dhjetorit 2019, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u informua se në krahinën e Wuhan, në Kinë u paraqitën disa raste të një pneumonie jo-tipike me origjinë të panjohur. Më vonë, më datën 9 janar shkaku u identifikua si një koronavirus. Korona-viruset janë një familje e gjërë virusesh që shkaktojnë infeksion tek njerëzit dhe tek kafshët. Deri në vitin 2002, koronaviruset ishin një familje që jepte shenja të lehta infeksioni dhe shumë rrallë përkeqësime tek përsonat me imunitet të ulët apo tek fëmijët të vegjël. Në vitin 2002 – 2004 në krahinën Guangdong në Kinë u shfaq një koronavirus (SARS-CoV) që shkaktoi SARS ose  Sindroma e Rëndë Respiratore Akute  (Severe Acute Respiratory Syndrome). SARS u përhap në rreth 30 vende dhe pati rreth 900 viktima. SARS u ndoq nga një tjetër koronavirus MERS-CoV në 2012 që shkaktoi MERS (Middle-East Respiratory Syndrome) ose Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme. MERS-CoV është një koronavirus zoonotic dmth që transmetohet nga kafshët  (njeriu infektohet nga gamiljet e infektuara) dhe dallohet për vdekshmërinë e lartë të pacientëve të  infektuar. Sipas të dhënave të OBSH, 35% e të infektuarve nga MERS-CoV, vdesin. Që  nga viti 2012 janë raportuar rreth 858 viktima nga MERS. Covid -19 u emërua nga OBSH si sëmundja që shkaktohet nga virusi i ri SARS-CoV-2. Covid-19 u quajt kështu nga bashkimi i Co (corona)- Vi (Virus)- D(Disease)- 19( viti që u shfaq). Mënyra e  transmetimit fillestar tek njeriu mendohet se erdhi nga lakuriqët e natës.  Tashmë njihet transmetimi njeri-njeri nga pikëzat e vogla të pështymës, nga prekja e objekteve të infektuara por edhe nga ajri gjë që thekson rëndësinë e vendosjes së maskave në  ambjentet e mbyllura. Fakti se SARS-CoV 2 transmetohet nga ajri (ku një përson i infektuar  ka marrë frymë) duhet pasur parasysh dhe duhet respektuar me  fanatizëm dhe maskat duhen mbajtur në ambientet e mbylluara. Mos të harrojmë, se deri tani, pavarësisht punës  së palodhur të shkencëtarëve në çdo cep të botës, nuk kemi terapi shëruese për Covid-19, përveç disa të dhënave mbi Dexametazonin (kortizon) që ul vdekshmërinë si  dhe sëmundshmërinë, për momentin nuk kemi terapi të tjera shpresëdhënëse. Gjithashtu,  dalja e një vaksine është akoma e paqartë si dhe cilat grup-mosha do kenë përparësi. Nuk duhet të harrojmë, se pavarësisht se përballë semundjes jemi të gjithë të barabartë, kjo pandemi do të theksojë pabarazitë midis vendeve e regjioneve të ndryshme të botës.

COVID-19 NË BELGJIKË

Belgjika, ju bashkangjit strategjisë së përgjithshme europiane të mbylljes së popullatës për përballimin e epidemisë de SARS-CoV-2. Pjesa dërrmuese e punonjësve punonte nga shtëpia, shkollat dhe strukturat jo rrënjësore të shoqërisë u mbyllen. Ashtu si edhe shumë vende të tjera europiane, strategjia fillestare ishte testimi vetëm tek pacientet që kishin shënja të infeksionit të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes dhe që do të shtroheshin në spital. Në fillimet e pandemisë, mungesa e testimeve masive rezultoi si pikë e dobët sidomos në azilet e  të moshuarve, ku u regjistrua edhe numri më i madh i viktimave, e kjo veçanërisht në fillim të pandemisë. Me pas, që në mes të muajit maj në pamë një liberalizim të testimeve dhe një marrje masash drastike sidomos në azilet e të moshuarve. Këto masa dhanë rezultat dhe numri i viktimave u ul drastikisht. Gjithsesi, duhet të kemi parasysh se ky është vetëm një kapitull i ‘luftës’ tonë ndaj pandemisë. Pavarësisht kushteve klimatike që shfavorizojnë shumëfishimin e SARS-CoV-2, si dhe faktit të qëndrimit në ambjente të hapura, rastet e pacientëve të infektuar rriten, gjë që s’është një ogur i mirë për stinët e ardhshme ku pritet të kemi më shumë raste, deri sa të arrijmë atë që quhet imuniteti i tufës (dmth qe 60-90% e popullatës të jenë të mbrojtur nga infeksioni ; ose ta kenë kaluar, ose të jenë të vaksinuar).

MESAZHI PËR LEXUESIT E GAZETËS DIELLI DHE DIASPORËN NË USA

E para gjë që të doja t’ju uroja të gjithë bashkatdhetarëve në Shtetet e Bashkuara është që të kenë durim për të përballuar këtë periudhë të vështirë për të gjithë qytetarët e globit. Covid-19 na e ndryshoi jetën, kjo sëmundje e uli vrapin e të përditshmes, si dhe paralizoi botën. Covid-19 po dëshmon sa i rëndësishëm është shëndeti për secilin nga ne si individë, por edhe për shoqërinë si e tërë. Gjithashtu, do të doja t’ju kujtoja se secili nga ne si qytetarë edhte i përgjegjshëm për kufizimin e pandemisë. Të kujdesemi për  njerëzit tanë të dashur, për kolegët e çdo person që takojmë. Të zbatojmë rregullat e  higjenes dhe të vendosim maskat në vendet e mbyllura, të ruajmë distancën fizike prej 2 metrash, të lajmë duart shpesh dhe mos të mendojmë se këto masa janë të tepërta. Janë  rregulla të domosdoshme dhe shprehje e respektit si dhe e dashurisë tonë për jetën.

KUSH ËSHTË VALBONA SELIMAJ KONTONI MD, MPH

Dr. Valbona Selimaj Kontoni është mjeke pediatre infeksiologe në Klinikën Saint Jean  në Bruksel. Dr. Selimaj Kontoni është anëtare e komitetit shkencor pediatrik Covid-19 në  Belgjikë si dhe është pjestare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë. Studion Infeksiologji pediatrike në Universitetin e Oxfordit dhe ka përfunduar me sukses një Master në Shendet Publik si dhe është mbartëse e Diplomës në Infeksiologji e  Mikrobiologji në Belgjikë. Dr. Valbona Selimaj Kontoni ka prezantuar punime në kongrese kombëtare e ndërkombëtare.  

Filed Under: Featured Tagged With: COVID dhe Femijet, Dr.Valbona Selimaj, Kontoni, Sokol Paja

FLET PËR DIELLIN DEPUTETJA E LDK:KOSOVA NË BETEJËN NDAJ COVID-19-

July 15, 2020 by dgreca

Rrezarta Krasniqi, Deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK, Anëtare e Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, shtetin e Kosovës në betejën ndaj Covid-19 dhe masat e jashtëzakonshme që po merr qeveria në përballimin me sukses të situatës. Me deputeten Rrezarta Krasniqi bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

KOSOVA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Pandemia e cila ka prekur gjithë botën Covid-19 ka lënë pasoja të mëdha, si në ekonomi ashtu edhe në shoqëri. Tek ne aktualisht gjendja me virusin korona është nën kontroll dhe po menaxhohet mirë nga institucionet e vendit, me gjithë shtimin e rasteve të infektimit nga ky virus përgjatë javëve të fundit që ka arritur në total 5,118 të infektuar, prej tyre 2,370 persona tashmë janë shëruar, ndërsa fatkeqësisht 108 deri më tani kanë vdekur si pasojë e Covid-19.

MASAT QË PO MERR QEVERIA E KOSOVËS

Me rritjen e numrit të infektuarve me virusin Covid-19, Qeveria e Republikës Kosovës në bashkëpunim edhe me Kuvendin e Kosovës dhe organet lokale, tashmë kanë marrë një serë masash kufizuese, për të ndaluar përhapjen e mëtejme të virusit Covid-19, duke nisur me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në qytetet me numër të madh të infektuarve si Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Vushtrri, Fushë Kosova, Mitrovica Jugore dhe Mitrovica Veriore, prej 21:00 deri në 5:00, pastaj kufizimin e lëvizjes në nivel vendi për personat mbi moshen 65 vjeçare, të cilët kanë liri të lëvizjhes vetëm në dy orare, 05:00 – 10:00 dhe nga 18:00 – 21:00, bartja e maskave dhe mjeteve tjera mbrojtëse është bërë obligative, janë mbyllur çerdhet dhe parqet, janë ndaluar tubimet në më tepër se pesë persona, është pezulluar puna e tregjeve publike të automjeteve dhe tregjet e kafshëve si dhe janë pezulluar ceremonitë fetare. Këto janë disa prej atyre vendimeve që së fundmi organet drejtuese të vendit i kanë marrë me qëllim të ndalimit të përhapjes së virusit.

HAPJA E INSTITUCIONEVE ARSIMORE

Qeveria e Republikës Kosovës në koordinim të vazhdueshëm me këshillin për menaxhimin e pandemisë Covid-19 po e përcjell gjendjen në nivel vendi dhe deri më tani siç e ceka edhe më herë, situata është nën kontrollë dhe e menaxhueshme. Për rihapjen e çerdheve, shkollave dhe universiteteve, sigurisht se do të merren për bazë edhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe do të vendoset po ashtu edhe në bazë të situatës epidemiologjike. Pra është ende herët të thuhet se çka do të ndodh, dhe nuk mund të jap një përgjigje hipotetike.

RIMËKËMBJA EKONOMIKE NË KOSOVË

Ekonomia e vendit ka ndjerë dëme të mëdha përgjatë këtyre katër muajve të përballjes me pandeminë Covid-19. Ende nuk është bërë një kalkulim total për të parë dëmet, por llogaritur edhe nga kryerja e obligimeve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, vërehet se ka një rënie të konsiderueshme te të hyrave, që nënkupton dhe dëmtim i bizneseve dhe ekonomisë së vendit. Marrë parasysh situatën reale në vendin tonë dhe duke ditur se virusi vazhdon të jetë i pranishëm, Qeveria e Kosovës ka hartuar një pako të Rimëkëmbjes, e cila do të ndikojë direkt në forcimin e ekonomisë dhe bazuar në vlerësimet e ekspertëve financiar, Kosova do të arrijë ta rimarrë vetën brenda këtij viti në aspektin ekonomik. Një prej veprimeve të rëndësishme në këtë drejtim nga ana e institucioneve është edhe ai i lejimit të tërheqjes së kurismeve pensionale nga Trusti, në vlerë prej 10%, vendim ky që është pritur mjaft mirë nga qytetarët dhe pritet të hy në fuqi brenda pak ditësh. Po ashtu është planifikuar edhe ndarja e granteve dhe subvencioneve të ndryshme, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë

KOSOVA DHE GJYKATA SPECIALE

Të gjithë qytetarët e vendit janë krenarë me atë çfarë ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe dihet qartë roli i UÇK-së në luftën me Serbinë, pra ka qenë për të ruajtur vendin, pragun e shtëpisë. Ne besojmë në pastërtinë e UÇK-së.

MESAZHI PËR DIASPORËN NË USA

Shqiptarët janë populli më fisnikë dhe bujarë. Ne kemi ditur të ruajmë identitetin tonë dhe duhet të vazhdojmë të kontribuojmë në këtë drejtim. Kur jemi të bashkuar, jemi më të fuqishëm. Shqiptarët duhet ruajtur dashurinë mes vete si dhe respektin për atëdheun dhe para ardhësit tanë, që bën aq shumë sakrificë për të ruajtur identiteton tonë, prej shqiptari. Për fund me lejoni të shpreh falenderime ndaj gjithë diasporës shqiptare në mbarë botën, për angazhimet dhe kontributin e tyre. Ju faleminderit.

Filed Under: Featured Tagged With: Deputetja, Kosova COVID-19, Rezarta Krsaniqi, Sokol Paja

SHQIPTARËT NË KINË DHE BETEJA E SHTETIT AZIATIK NDAJ COVID-19

July 14, 2020 by dgreca

Edison Myrteza, Gazetar, Freelance, Kryeredaktor i multimedias online www.hermesnews.al, Pekin, Kinë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, gjëndjen e pandemisë globale në shtetin e Kinës, modelin që ndoqi shteti aziatik në luftën ndaj Covid-19 dhe analizon shqiptarët në Kinë. Me gazetarin Edison Myrteza bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

COVID-19, ÇFARË PO NDODH NË KINË?

Situata aktuale në Kinë tashmë nuk është më aspak shqetësuese. Mund të them se është njëri nga vendet më të sigurt nga Covid-19. Pas luftës dhe punës së madhe të bërë nga të gjithë, “qeveria, mjekë, infermierë dhe gjithëkush”, tashmë këtu jeta është kthyer në normalitetin e saj të mëparshëm. Madje, edhe Wuhani i cili para disa muajsh ishte epiqendra e virusit, është kthyer në “qytetin më të pastër dhe më të sigurt” për banorët nga virusi. Edhe rastet më të fundit të zbuluara këtu në Pekin, kanë qenë sporadike dhe nuk ka patur asgjë për alarm. Disa persona të infektuar në një treg të madh në jug të Pekinit, të cilët u izoluan, tashmë nuk janë më aspak rrezik për banorët e kryeqytetit. Unë jam jashtë çdo ditë dhe e shoh me sytë e mi që jeta në Pekin është më e jetueshme se kurrë. Pothuajse që prej disa ditësh, Pekini ka regjistruar “zero” numrin e të infektuarve, ndërkohë që pacientët që ndodhen nëpër spitale janë duke u shëruar dita-ditës.

VAKSINA NË FAZËN E TRETË TË TESTIMIT

Është e vërtetë që gjetja e vaksinës është e vështirë. Duke qenë se Covid-19 është një virus fare i ri, duhet që të krijohet një vaksinë “totalisht e re” për ta luftuar. Shumë vende janë vënë në garë se kush do ta prodhojë e para, por thjesht janë deklarata pa asnjë rezultat. Aktualisht, Kina ka ngritur laboratorin më të madh të prodhimit të vaksinave në botë “Sinovac” dhe deri tani, është arritur me sukses testimi i fazës së tretë klinike i vaksinës. Por duhet edhe pak kohë që gjithçka të përfundojë dhe vaksina të jetë gati. Fundi i këtij viti “mbase” do ta gjejë vaksinën gati. Sa për të ardhmen, Kina mesa shoh nuk ka ndonjë problem. Jeta është si më parë, ku pavarësisht se virusi la pasoja dhe gjurmët e tij, ashtu si edhe viruset e tjera të mëparshme, edhe kjo ka për të kaluar. Përsa i përket medikamenteve, këtu preferohen më tepër ato të TCM “Traditional Chinese Medicine” si dhe përzjerje e ndonje medikamenti të huaj, por më tepër kinezet. “Kush ka arritur në fazën e fundit të goditjes nga virusi, nuk mund të bëhet më asgjë, ndërkohë që medikamentet dhe eksperimentet me vaksinën po përdoren hapur për ata që janë ende të sëmurë”, kanë deklaruar ekspertët.

SHQIPTARËT NË KINË

Këtu në Kinë nuk është se kemi ndonjë komunitet zyrtar siç janë ato në SHBA, Kanada, Greqi, Itali dhe kudo tjetër. Jemi shumë herë më pak se ata që përmenda. Por kemi një komunitet të vogël “jo zyrtar”, me të cilin jemi në kontakt çdo kohë nëpërmjet rrjeteve sociale kineze. Flasim çdo ditë se ku ndodhemi, çfarë bëjmë, si ka ndryshuar jeta jonë gjatë dhe pas pandemisë, çfarë informacionesh na duhen për punën, lëvizjet, ndihma që i japim njëri-tjetrit, etje. Takohemi herë pas here dhe jo vetëm për festa, por kur kemi dëshirë. Festojmë festën kombëtare “pa patur asnjë lidhje me Ambasadën e Shqipërisë në Pekin”. Pra, jemi në kontakt aq sa jemi jo vetëm në Pekin, por kudo në Kinë. Nuk ka një shifër të saktë të shqiptarëve që jetojnë këtu në Kinë, pasi një pjesë e tyre janë të përkohshëm. Nuk ka një “database” në institucionin e ambasadës për të regjistruar shqiptarët dhe të shihet sa janë “përafërsisht”. Mendohet se mund të jenë mbi 500, por nuk është shifër zyrtare. Për fat të mirë, nuk ka patur “nga informacioni i deritanishëm”, asnjë shqiptar të infektuar ose sëmurë me Covid këtu në Kinë dhe kjo është gjë shumë pozitive.

MODELI KINEZ NË LUFTËN NDAJ COVID-19

U diskutua shumë ky model. U tha se ishte shumë i rreptë, gati-gati i papranueshëm, por në raste të tilla epidemish, specialistët më të mirë të vendit morrën vendime të vështira, shumë ekstreme, por që sollën rezultate të shkëlqyera. Për mua ishte shumë i suksesshëm. Kur infektoheshin me qindra dhe viktimat ishin të shumtë, Kina bllokoi gjithçka. Nuk la njeri në rrugë, mbylli dhe gjunjëzoi ekonominë, masa jashtë mase strikte. Për rreth 20 apo më tepër të infektuar u futën qytete të tëra në izolim. Kina u godit rëndë e para, por doli po e para e suksesshme nga kjo pandemi. Unë jam vetë një dëshmi e gjallë e asaj që ndodhi, duke e përjetuar dhe e parë me sytë e mi këtë pandemi.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Shumë prej njerëzve “përfshi edhe shqiptarët”, qeshin dhe janë të inatosur se “u mbyllën brenda dhe po vuajnë”. Sigurisht, në rast lufte dhe epidemish, merren masa ekstreme. Madje, kanë qenë të shumtë ata që kanë thënë se “me raki dhe alkool do t’ia dalim”. Për ju të gjithë lexues dhe për ju të dashur bashkëkombas kudo që ndodheni, Covid-19 është një virus që shkatërroi dhe vuri në sprovë jetën tonë. Është virus mëse i vërtetë. Mos bëni të fortin duke u përballur sepse do të dështoni dhe vini jetën tuaj dhe të të dashurve tuaj në rrezik. Të lash duart sa herë vjen nga jashtë apo të mbash një maskë në fytyrë, janë procese fare të lehta, të cilat me kaq pak, të shpëtojnë jetën.

Filed Under: Featured Tagged With: Shqiptaret ne Kine, Sokol Paja

SHQIPTARËT NË SUEDI DHE BETEJA E SHTETIT SKANDINAV NDAJ COVID-19

July 11, 2020 by dgreca

Geriolda Topi, MD, PhD, Shërbimi i Endokrinologjisë, Diabetit dhe Infertilitetit Spitali Universitar i Skånes, Malmö, Suedi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, gjëndjen e pandemisë globale në shtetin e Suedisë dhe gjëndjen e shqiptarëve në Malmo, Suedi. Me Dr. Geriolda Topin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA. *

SUEDIA PËRBALLË COVID-19

Suedia është vendi i vetëm që ndoqi një strategji të hapur ndaj virusit Covid-19 me qëllimin për të krijuar imunitetin e popullatës duke shmangur kështu një valë të dytë të epidemisë dhe duke u përpjekur të ruajë “normalitetin e jetës” edhe gjatë kohës së pandemisë. Fakti që Suedia ndoqi strategjinë e ekspozimit ndaj Covid-19, nuk do të thotë që nuk u morën masa parandaluese për të zvogëluar shpejtësinë e përhapjes së virusit në popullatë. Njerëzit kanë tentuar të vazhdojnë aktivitetet e përditshme duke zbatuar rregullat e higjenës dhe distancimit social në punë, supermarkete, transport publik etj, dhe duke u mësuar të “bashkëjetojnë” me situatën e Covidit. Shumë persona kanë punuar nga shtëpia për të shmangur mbipopullimin e institucioneve. Çerdhet, duke zbatuar me përpikmëri rregullat e nxjerra nga autoriteti i shëndetit publik, nuk janë mbyllur asnjë ditë, pasi nuk ka patur dhe nuk ka asnjë të dhënë shkencore që fëmijët mund të infektohen apo të jenë transmetues të virusit. Aktualisht numri i të vdekurve nga Covid-19 ka rënë në mënyrë drastike, krahasur me muajin Prill-Maj ku ky nunër arriti kulmin e tij, duke u barazuar me nivelet e vdekshmërisë së viteve të kaluara. Me po të njëtin proporcion është ulur edhe numri i personave të infektuar që kërkojnë hospitalizim në njësinë e terapisë intensive. Nëse i referohemi numrit të të infektuarve, duket sikur ka një rritje, por që në fakt nuk është një rritje reale, pasi nga muaji Mars e deri në Maj Suedia nuk ka testuar çdo individ që shfaqë shënjat e sëmundjes. Kjo për shkak të ndjekjes së strategjisë së immunizimit të popullatës, ku çdo person që shfaqte shënja të ngjashme me virusin SARS-CoV-2, apriori konsiderohej i infektuar duke u instruktuar që të qëndronte në shtëpi dhe të shmangte kontaktet me personat e kategorisë “risk group”. Të vetmit individë që janë testuar në fillimin e pandemisë kanë qenë individët simptomatikë të kategorisë “risk group” dhe individët që shfaqnin simptoma të rënda të prekjes së rrugëve të frymëmarrjes dhe kërkonin hospitalizim. Në fillim të qershorit numri i testimve u rrit për disa arsye: nevojës për të menaxhuar më mirë situatën, ku shumë institucione përfshirë edhe ato shëndetësore u pajisën me teste për të gjithë punonjësit e tyre; studimet e kryera veçanërisht në regjionin e Stockholmit, që ka qenë edhe epiqendra e Covid-19 në Suedi; hapjes së qendrave private ku çdo individ ka mundësinë të kryejë testin serologjik, për të parë praninë e antitrupave ndaj virusit në fjalë, kundrejt pagesës 50 euro.

TRAJTIMET ME MEDIKAMENTE TE PACIENTËT E PREKUR

Suedia, që kur mori vendimin për të ndjekur strategjinë e imunizimit të popullatës, nuk po i mban shpresat tek vaksina. Realizimi i një vaksine të sigurtë dhe efektive është një proces i komplikuar, që kërkon shumë studime eksperimentale të shumta dhe një kohë të gjatë për tu realizuar. Për të mos harruar riskun e çdo vaksine për efekte anësore, të cilat mund të jenë edhe të paparashikuara. Kjo për arsyen se studimet e ashtuquajtura clinical trials, shumë rrallë zhvillohen në individë të shëndoshë (që është kontigjenti target për vaksinën), që zakonisht paguhen për pjesëmarrjen në studim dhe që janë shumë të pakët në numër. Zakonisht individët e përfshirë vullnetarisht në clinical trials që kanë për bazë testimin e ilaçeve apo qoftë edhe vaksinave të reja, janë persona me sëmundje terminale apo kronike, të cilët nuk kanë se çfarë të humbin. Një shembull ku vaksina ndaj një virusi nuk ka rezultuar e sigurtë është edhe rasti i vaksinës kundër gripit të derrit H1N1, e cila shkaktoi narkolepsi në shumë individë, përfshirë edhe fëmijët, disa vite pas administrimit. Sidoqoftë, kërkimet në fushën e vaksinës ndaj Covid-19 janë duke u zhvilluar intensivisht, por personalisht mendoj që do të duhet akoma kohë që vaksina të aprovohet si një mjet profilaktike efikas dhe të sigurtë. Suedia është një vend me një mjekësi konservative përsa i përket përdorimit të medikamenteve tek pacientët. Nuk përdoret asnjë preparat që është akoma në fazë eksperimentale dhe që nuk është aprovuar ende si një preparat i efikas dhe i sigurtë. Për këtë arsye trajtimi i individëve me pneumoni nga virusi SARS-CoV-2 ka përfshirë kryesisht dhe në linja të përgjithshme trajtimin suportiv (oksigjenoterapi dhe të gjitha masat e tjera për të mbajtur stabël parametrat vitale), trajtimin me medikamente që hollojnë gjakun dhe parandalojnë formimin e trombeve në enët e gjakut (pasi në të gjitha studimet e bëra dhe evidencat e deritanishme është parë që SARS-CoV-2 e rrit riskun për trombozë), trajtimi me kortizonikun Dexamethasone, (i cili në një studim të bërë në një grup pacientësh në Suedi rezultoi shumë efektive) si dhe dhënien e antibiotikeve me spektër të gjërë veprimi si profilaksi tek individët me risk për të bërë infeksione sekondare. Sigurisht që këto linja të përgjithshme trajtimi janë përshtaur sipas specifikave dhe sëmundjeve të tjera shoqëruese të secilit pacient. Hydroxychloroquine apo chloroquine nuk është përdorur në Suedi për trajtimin e pacientëve me Covid-19, me aq sa kam unë dijeni në spitalin ku punoj, por as në spitalet e tjera me informatat që kam marrë nga kolegë të ndryshëm.

SHQIPTARËT NË SUEDI

Në Malmö, qyteti ku unë jetoj, ka shumë shqiptarë. Kryesisht shqiptarë të Kosovës, por nuk janë të pakët edhe shqiptarët e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Nuk kam dijeni për statistika apo shifra përsa i përket infektimit apo vdekshmërisë së shqiptareve në Suedi nga Covid-19. Në rrethin e miqve dhe të njohurve shqiptarë që unë kam në Malmo por edhe në qytete të tjera të Suedisë, fatmirësisht nuk ka patur asnjë person që të ketë patur simptoma të rënda apo të jetë testuar pozitiv me covid-19. Në spitalin ku punoj kam hasur vetëm dy pacientë shqiptarë me covid-19, një burrë dhe një grua të grupmoshës 50-60 vjeç, të shtruar në shërbimin e sëmundjeve infektive. Të dy këta pacientë nuk paten komplikacione të rënda dhe u shëruan plotësisht, duke dalë nga spitali negativ për covid-19.

MODELI QË NDOQI SUEDIA PËR TË PËRBALLUAR PANDEMINË GLOBALE

Çdo shtet ndërmerr politika të caktuara shëndetësore në bazë të specifikave të popullatës dhe kapaciteteve që ka për ta përballuar një situatë specifike. Mendoj që modeli suedez ka qenë i duhuri për një vend si Suedia (që ka një shtrirje të madhe horizontale dhe një dendësi të vogël të popullsisë, kapacitete të larta në numër shtretërish dhe burimesh spitalore, kapacitete të larta të personelit mjekësor rezervë, dhe sigurisht kapacitet të lartë financiar), por që pati disa pika të dobëta të cilat mund të ishin menaxhuar më mirë. I tillë ishte menaxhimi i shtëpive dhe azileve të pleqve, pasi këtu ndodhi edhe numri më i madh i vdekjeve. Statistikat tregojnë se numrin më të madh të individëve që u hospitalizuan me covid-19 e përbën grupmosha 50-64 vjeç. Por vdekshmëria në këtë grupmoshë është shumë shumë e vogël, më pak se 5% e vdekjeve totale nga covid-19. Grupmosha me numrin më të lartë të vdekjeve, që përbën rreth 95% të vdekjeve totale nga covid-19, është 75-85 vjec ku pjesa më e madhe e tyre i përket azileve. Nëse situata në azile dhe shtëpitë e pleqeve do të ishte menaxhuar më mirë, me masa parandaluese më të rrepta dhe testim të çdo individi që shfaqte simptoma të kollës apo temperaturë, bilanci i vdekjeve në Suedi do të ishte shumë më i vogël. Një nga masat që ja vlen të përmendet si shembull është informimi i saktë dhe shumë adekuat i popullatës rreth virusit SARS-CoV-2, jo vetëm nëpër mjet medias, por duke ngritur ekipe të specializuara të cilat shkuan në çdo institucion duke informuar njerëzit mbi rrugët e transmetimit të virusit, shenjat klinike, grupet e riskuara, çfarë do ti ndodhte individit nëse do infektohej, dhe mbi të gjitha mbi masat parandaluese dhe se si individët mund të ruanin distancimin social në qendrat e punës apo në transportin publik. Kjo gjë bëri që të shmangej paniku, masat parandaluese të pranoheshin më lehtë dhe njerëzit të arrinin të vazhdonin përditshmërinë e tyre duke mbrojtur veten dhe të tjerët. Një tjetër pikë e strategjisë suedeze që ja vlen të përmendet, është realizimi i studimeve të mirëfillta shkencore nga qendrat kërmimore të vendit, përpara marrjes së vendimeve dhe ndryshimit të strategjive. Për shembull, Suedia, ndryshe nga shumë shtete të tjera,po heziton të fillojë testimin masiv në popullatë me teste serologjike për të parë praninë e antitrupave kundër covid-19, sepse studimet e bëra deri tani kanë treguar që këto teste kanë një fals-negativitet të konsiderueshëm. Kjo do të thotë që edhe pse një individ mund të jetë infektuar, ai mund të rezultojë negativ për antitrupa kundër SARS-CoV-2. Kjo sepse individi e ka kaluar pa shënja ose me shënja të lehta sëmundjen, dhe niveli i antitrupave të formuar është shumë i ulët për tu dedektuar nga testi në fjalë. Një studim i bërë së fundmi në Stockholm, tregoi se në një grup të madh pacientësh me covid-19, vetëm 15% kishin zhvillur antitrupa ndaj virusit. Pjesa tjetër e pacientëve kishin zhvilluar një lloj tjetër përgjigjeje imunitare nëpërmjet qelizave citotoksike T, të cilat njohin dhe shkatërrojnë qelizat e infektuara pa qenë nevoja e formimit të antitrupave. Për shkak të fals-negativitetit të testeve serologjike, është e vështirë të thuhet me siguri nëse aktualisht, 4 muaj nga fillimi i pandemisë, Suedia e ka arritur apo jo imunizimin e popullatës me anë të modelit që ka ndjekur. Sidoqoftë, e përmenda edhe më lart, numri i vdekjve në muajin Korrik ka rënë në mënyrë drastike, dhe ky është një tregues i mirë.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Së pari, do të doja të përshëndesja të gjithë diasporën në USA, e cila gjithnjë është shquar për sensin e bashkimit dhe atë patriotik, duke organizuar evente dhe nisma që promovojnë Shqipërinë, shqiptarët dhe vlerat e tyre. Gjithnjë kam menduar që lidhjet e tokës mëmë me diasporën jo vetëm në USA por edhe më gjërë, duhet të jenë të forta pasi vetëm të bashkuar zëri i shqiptareve mund të dëgjohet edhe më fort në botë. Së dyti, duke qënë në një kohë të vështirë pandemie, mezashi im sensibilizues do të ishte që të ndjekin dhe zbatojnë me rigorozitet të gjitha masat dhe këshillat e nxjerra nga autoritetet vendase. Veçanërisht të ruajnë distancimin fizik së paku 2m, me personat jashtë familjes, gjë të cilën ne shqiptarët e kemi pak të vështirë për shkak të natyrës së dashur dhe eksperive që kemi. Dhe diçka tjetër, të cilën e kam vënë re që neglizhohet në përgjithësi nga të gjithë njerëzit, tështitja në këndin e bërrylit. Është një veprim shumë i thjeshtë por me vlerë të madhe, pasi shmag kontaminimin e sendeve dhe përsonave përreth. Dora është pjesa më e lëvizshme e trupit, dhe nëse do të vendosim dorën përpara kur tështijmë atëherë do të kontaminojmë çdo gjë në vendin ku jemi. Kjo është edhe një nga arsyet përse duart duhet ti lajmë sa më shpesh që të mundemi.

KUSH ËSHTË PHD.GERIOLDA TOPI

Geriolda Topi është mjeke nga Tirana që aktualisht jeton dhe punon në Suedi. Është e martuar, bashkëshorti gjithashtu mjek, dhe ka një vajzë 3 vjeçare. Është diplomuar si mjeke në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në 2012, ku është diplomuar me medalje ari për rezultate të shkëlqyera. Më pas u zhvendos në Rotterdam të Hollandës për studimet Master, ku në 2013 mori titullin MSc në Clinical Epidemiology, Erasmus University. U rikthye në Tiranë ku punoi një vit si pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë në lëndën e Anatomisë Normale dhe Epidemiologjisë. Në 2015 u zhvendos drejt Suedisë për të kryer doktoraturën në fushën e endokrinologjisë dhe kancerit në Universitetin e Lundit në Malmö. Në pranverë të 2020 mori titullin PhD. Aktualisht punon si mjeke në shërbimin e Endokrinologjisë, Diabetit dhe Infertilitetit në Spitali Universitar të Skånës në Malmö, dhe në të njëjtën kohë është e angazhuar me kërkim shkencor në Departamentin e Mjekësisë Translative në Universiteti i Lundit. Që prej kohës që kryente doktoraturën është angazhuar edhe në mësimdhënie me studentët e mjekësisë së Universiteti të Lundit ku zhvillon lëndën PBL (Problem Based Learning). Është fituese e dy bursave të rëndësishme EraËeb dhe Basileus, si dhe e disa çmime në konferenca midis të cilave edhe çmimi për prezantimin më të mirë oral. Është autore e librit “Estrogen receptors and inflammation in colorectal cancer. Role in prognosis and therapeutic opportunities, si dhe autore apo bashke-autore e një sërë artikujsh në PubMed të botuara në revista prestigjoze. Ka qënë anëtare e Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë dhe e Rrjetit të Studentëve Ekselentë nga viti 2008 deri në 2012. Që prej vitit 2016 është anëtare e AACR-American Association of Cancer Research.
*Per me shume fotografi shihni ne Facebook(Gazeta Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: Geriolda Topi, MD, Sokol Paja, Suedi

SHQIPTARËT NË FINLANDË DHE BETEJA E SHTETIT SKANDINAV NDAJ COVID-19

July 10, 2020 by dgreca

Dr. Arbër Mehmeti specializant në Shëndet Publik nga Universiteti i Helsinkit, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, gjëndjen e pandemisë globale në shtetin e Finlandës. Me Dr. Arbër Mehmetin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

FINLANDA PËRBALLË PANDEMISË GLOBALE

Situata e epidemisë Covid-19 në Finlandë është qetë për momentin. Numri i rasteve të reja është zvogëluar gradualisht dhe tashmë ka disa disa javë incidenca e rastëve është diku përafërsisht 1 për çdo 100. 000 banorë. Krahasuar përshembull me situatën e para dy muajve kur incidenca ka qenë 10/100 0000 banorë. Për momentin në tërë Finlandën janë në spital vetëm 19 pacientë me Covid-19, prej të cilëve vetëm 1 në trajtim intensiv. Për shkak që situata është aq e qetë këtu, thuajse të gjitha kufizimet e mëhershme janë hequr. Por ende këshillohet që qytetarët të kenë kujdes, t’ju mbahen distancës, të testohen me prag të ulët në qoftë se kanë simptoma etj. Situata është normalisht në përcjellje të rreptë të zyrtarëve dhe në qoftë se prapë do të rritët numri i rastëve, pritet reagimi i shpejtë me kufizime të reja apo me mënyra tjera të manaxhimit të epidemisë. Fatkeqësisht po shohim edhe relaksim të tepërt tek njerëzit me tubime, anashkalime të vetëizolimeve etj dhe kjo normalisht përbën rrezik real në rritjen e rastëve.

COVID-19 SI KËRCËNIM GLOBAL

Zakonisht studimet shkencore për vaksina marrin kohë me vite, mesatarisht mbi 10 vite. Për shkak se Covid-19 është aq problem i madh edhe global më financime të mëdha dhe numër të madh të shkencëtarëve që janë duke punuar me zgjidhjen e këtij problemi, momentalisht janë disa vaksina kundër Covid-19 që janë në testim e sipër. Por zakonisht ky proces testimi të vaksinave anti-covid është shumë i rëndësishëm dhe merr kohë. Testimi bëhet në 3 faza ku në secilën rritët numri  i njerëzve që testohen dhe zgjerohen kriterët e njerëzve që merren në testim. Pa testim nuk e dijmë a ka vaksina efekt apo jo edhe a ka ndonjë efekt anësor. Pacientet në Finlandë po trajtohen me trajtim standart për arsye se për momentin nuk ka ndonjë trajtim specifik. Finlanda merr pjesë në SOLIDARITY i cili është studim shkencor i trajtimeve të ndryshme për COVID19 organizuar nga Organizata Botërore e Shëndetit. Ka dhe disa studime tjera ma të vogla. Fatkeqsisht të ardhmën nuk e di askush por për shak që rreziku i valës së dytë të epidemisë qëndron, atëherë duhet të jemi vigjilent dhe të reagojmë shpejt me kufizime të reja. Shpresojmë që studimet shkencore të rezultojnë në një vaksinë efektive ose trajtim efektiv sa më të shpejtë dhe efektiv.

SHQIPTARËT NË FINLANDË

Situata e epidemisë të komuniteti shqiptar këtu në rrethinë të Helsinkit është e mirë dhe e qetë, njësoj si situata e tërë popullatës. Edhe pse shumica e rastëve të COVID19 kanë qenë në rrethinë të Helsinki-t, situata tashë është e qetë. Nuk e dijë a mund të flitet specifikisht për modelin finlandez të luftës ndaj Covid-19 pasi reagimet shtetërore që nga muaji Mars për menaxhimin e epidemisë nuk kanë qenë të veçanta po kanë qenë vepra që u morën nga shumica e shtetëve që ballafaqohën me ketë pandemi. Në Finlandë u mbyllën restorantët, shkollat, bibliotekat, u ndaluan tubimet, njerëzit udhëzohëshin të qendrojnë në shtëpi, të mbajnë distancë etj. Këto mënyra u treguan shumë të sukseshme në Finlandë. Këtu ma merr mendja luan rolë të rëndësishëm disa gjëra. Një, Finlanda reagoi shpejt në vënien në fqui të kufizimeve. Dy, finlandezët si popull janë të shkolluar, të vetëdijshëm dhe ju përmbahen rreptësisht rregullave të udhëzuara nga autoritetet. Tre, Finlanda ka densitet të vogël dhe kjo me siguri ka luajtur një rol në mospërhapje të epidemisë me të madhe në vazhdim. Sidoqoftë vëtëm studimet shkencore më vonë do të na tregojnë që cilat vendime të marra kanë pasur ndikim në mbajtjen nën kontroll të epidemisë dhe cilat jo. Edhe nuk duhët harruar që pandemia ende është duke vazhduar edhe ndoshta ka nevojë prap të vihen kufizime në vazhdimësi të percepitimit të situatës në vazhdim.

MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Fatkeqësisht në SHBA situata e epidemisë nuk po duket që është aq e mirë sa shpresonin se do ishte. Mesazhi im për disporën në SHBA por edhe për gjithë botën do ishte që të kemi ende kujdes të madh se pandemia e Covid-19 ende nuk është as afërmi të kaluarit. Prandaj këshilloj që të minimizohen kontaktet sociale aq sa është mundësia, të mbahët distanca fizike me të tjerët, të mbahen maskat sidomos aty ku mbajtja e distancës nuk është e mundur dhe ti pastrojmë duart shpesh.

Filed Under: Featured Tagged With: COVID-19, Dr.Arber Mehmeti, Shqiptaret ne Finlande, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • …
  • 100
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT