• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PSE PARTIVE POLITIKE NË SHQIPËRI NUK U INTERESON VOTA E DIASPORËS?

June 5, 2020 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA / DIELLI/

Vota e emigrantëve ka qenë ndër premtimet më të bujshme në fushatat elektorale të forcave politike shqiptare në tranzicionin politik 30 vjeçar. Edhe pse është pemtuar sa herë ka pasur zgjedhje, prapë se prapë, përfaqësimi i diasporës ka mbetur në vend numëro. Partitë në Shqipëri kanë bërë marrëveshje dhe emigrantët kanë mbetur gjithmonë të papërfaqësuar. Shqiptarët në diasporë kudo ku jetojnë e punojnë, një pjesë të rëndësishme të aktivitetit të tyre jetësor ia kushtojnë atdheut. Komuniteti shqiptar bashkohet dhe organizohet në shoqëri patriotike, kulturore, historike, atdhetare, sportive e muzikore. Shqiptarët investojnë familjarisht në shkolla shqipe, në organizata kulturore e patrotike duke e mbajtur të ndezur zjerrin e atdhedashurisë të pasardhësit e tyre.Votën e emigranteve shteti shqiptar e ka detyrim dhe borxh moral të përjetshëm. Shteti shqiptar e ka për detyrë si çdo detyrë tjetër shtetërore që të garantojë të drejtën e votës të gjithë shtetasve shqiptarë jashtë atdheut. Pra çdo shqiptar që mban një pasaportë shqiptare, që ka mbushur moshën e për të votuar, që nuk ka hequr dorë nga nënshtetësia, që gjendet në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, që ka aftësi dhe zotësi për të vepruar ka të drejtën kushtetuese të ushtrojë vullnetin e tij politik. E drejta e votës së lirë, të fshehtë dhe të barabartë është një nga të drejtat themelore dhe të patjetërsueshme të njeriut, e garantuar nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Kushtetuta e Republikës dhe ligjet e shtetit shqiptar. Shteti shqiptar e ka detyrim të panegociueshëm ofrimin dhe garantimin e të drejtës së votës shqiptarëve kudo gjenden jashtë kufijve territorialë shtetërorë. 

Pse partive politike nuk u intereson vota e diasporës?

Partitë Politike në Shqipëri nuk janë aspak të interesuara që shtetasve të tyre tu mundësojnë të drejtën e shprehjes së vullnetit politik me anë të votës. Partitë politike nuk e duan votën e diasporës pasi këtë votë: nuk e kntrollojnë dot, nuk e manipulojnë dot, nuk e shantazhojnë dot, nuk e blejnë dot. Liderët shqiptarë duan ushtarë të bindur, jo personalitete dhe individualitete që dalin kundër urdhërit të kryetarit të partisë. Kryetarët kontrollojnë gjithçka e vendosin për gjithçka. Një personalitet me kulturë oksidenti nuk do të mund të qëndronte gjatë në një mjedis politik orjentalist.Elektorati shqiptar në kohë zgjedhjesh është nën një presion të jashtëzakonshëm. Partia në pushtet kryesisht dhe ato që pretendojnë të vijnë kërcënojnë elektoratin me asistenca, bursa, kempe, heqjen e familjarëve nga puna, vërsulje mbi shpinë të strukturave shtetërore, ulje në detyrë, transferim në detyrë, e deri në shkarkime masive si pasojë e mos mbështetjes së forcës politike në pushtet. Fushatat karakterizohen me gjuhë urrejtjeje dhe kërcënimi. Zgjerimi i votës e bën pushtetin që të mos e ketë nën kontroll sjelljen e elektorarit dhe opozitës i jep një mundëësi më shumë që të përqafojë të pakënaqur. Partia në pushtet sa herë ka zgjedhje futet më e avantazhuar në betejë, ka administratën që e shtrëngon me anë të presionit, kontrollit, shantazhit e kërcënimit, ka frymën e krijuar e trashëguar prej qeverisjes disa vjeçare, ka buxhetorët që varen direkt prej financimeve të qeverisë, ka faktorin diplomatik dhe kryesisht shumicën e mediave në mbështetje. Një interferim nga jashtë pozitës kryesisht i prish mozaikun zgjedhor dhe kalkulimet për pushtet. Vota e diasporës do ta bënte pushtetin më të përgjegjshëm dhe opozitën më reale në premtimet e saj. Përfshirja e diasporës do rriste nivelin e përfaqësuesve në institucione. Diaspora do e zgjeronte alternativën politike dhe shtetformuese. Kontributi i diasporës do ishte jetik për vendin pasi vitet e fundit nga Shqipëria si pasojë e keqqeverisjes janë larguar specialistët më të mirë: mjekë, infermjerë, arkitektë, inxhinjerë, mësues, ekonomistë etj. Çdo shtetas shqiptar në diasporë, nëse një ditë shteti shqiptar do vihej në shinat e vlerave dhe të meritokrcisë, nuk do e mendonte dy herë kthimin për të kontribuar në Atdhe. Me qëllim që Shqipëria të mos shpopullohet kombëtarisht dhe intelektualisht, pikë së pari ajo duhet tu mundësojë votën shtetasve të saj anëmbanë globit. Vota e diasporës është detyrim ligjor e patriotik i panegociueshëm.  

Filed Under: Politike Tagged With: nuk u intereson, Pse Partive Politike, Sokol Paja, Vota e Diaspores

SHQIPËRIA NË SYTË E ADI KRASTËS

June 4, 2020 by dgreca

“Tetë vjet janë të mjaftueshëm për të shkatërruar shpirtin dhe mëndjen e një vendi”/

Adi Krasta, prezantuesi i njohur dhe shumë i dashur për publikun shqiptar, ka rrëfyer dhe analizuar ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA New York, Shqipërinë aktuale dhe betejën e shtetit shqiptar ndaj Covid-19, keqqeverisjen e vendit në kohë pandemie, dështimin e reformës në drejtësi, kohën për rrotacion të domosdoshëm politik, shëmbjen e Teatrit Kombëtar si akt tinëzar, opozitën shqiptare dhe kryesorja apeli për diasporën shqiptare kudo në botë për të kontribuar në betejat e Shqipërisë për një jetë më të mirë. Me Adi Krastën bashkëbisedoi gazetari Sokol PAJA.

COVID-19 DHE SHQIPËRIA

Sipas prezantuesit të mirënjohur Adi Krasta “Covid-19 e gjeti botën të papërgatitur. Është paradoksale por si të gjithë vendet komuniste e diktatoriale Shqipërinë e dikurshme nuk do e gjente kaq gafil. Mosmbyllja e rrugës me Italinë e Veriut që në janar, nxitimi për të bërë tendera të dyshimtë të maskave, komunikimi vetëm nga Kryeministri me FB dhe zgjatja e bllokimit u konsideruan gabime të qeverisë në ballafaqimin me pandeminë globale”- citoi ai.

MANIPULIM DHE PROPAGANDË

Administrimi shtetëror i Shqipërisë në kohë pandemie u shoqërua me : masa estreme izolimi, urdhra shproporcionalë, tejzgjatje e gjëndjes së fatkeqësisë natyrore, dhunë policore ndaj qytetarëve etj. Sipas Krastës “ka patur padyshim edhe nga këto që përmendni. Por unë gjej manipulimin, mungesën e çiltërsisë dhe propagandën si defekte serioze” – shpjegon ai.

REFORMA NË DREJTËSI, GJUETI SHTRIGASH

Reforma në sistemin e Drejtësisë në Shqipëri e trumbetuar si reforma më e rëndësishme e dekadave të fundit, sipas Adi Krastës ka qenë një dështim i plotë. “Jam i mendimit që reforma në drejtësi ka dështuar. Ka qenë boshe, selektive, bazuar mbi pritshmëri jo realiste. Roli i ambasadoreve amerikanë ka qenë naiv dhe i pasinqertë. Nga pala shqiptare, dëshira për reformë u shoqërua siç ndodh gjithmonë me klientelizëm dhe gjueti shtrigash” – arsyeton Krasta.

TETË VITE MJAFTOJNË PËR TË SHKATËRRUAR GJITHÇKA

Adi Krasta këmbëngul që rrotacioni i pushtetit politik në Shqipëri është një domosdoshmëri. “Unë e ndjek politikën nga larg. Kulisat i dinë ata që janë afër establishmentit. Unë nuk kam qenë kurrë. Kam folur vetëm për atë që ka qenë para syve të mi. Ajo që kuptoj unë është se tetë vjet janë të mjaftueshëm për të shkatërruar shpirtin dhe mëndjen e një vendi. Rrotacioni është imperativ” – thekson Krasta.

LYPSET NJË KRYEMINISTËR NDRYSHE

Sipas Adi krastës “sytë e shqiptarëve janë tek Kryeministri i të ardhmes, cilido qoftë ai. Bën mirë që ky kryeministër të jetë seriozisht i ndryshëm nga paraardhesit e tij. Dhe po. Një parti politike mundet të vijë në pushtet pas tetë vjetësh opozitë. Problemi është se çfarë do sjellë në pushtet? Të njëjtën çmenduri, arrogancë, kurrupsion dhe hajvanllëk politik të përjetshëm? Shpresoj që jo” – lutet Krasta.

KRASTA SHOW, OPOZITË NGA EKRANI

Monologu i Adi Krastës ka qenë një formë e shkëlqyer gazetarie për të ndërgjegjësuar publikun dhe për të nxjerrë në pah anën tjetër të politikës, asaj që njerëzve u fshihet nga propaganda qeveritare. Modestisht këtë Krasta e arsyeton kështu: “Kam folur si një njeri i zakonshëm por që punon në televizion. Jam i lumtur se konstatoj që më kanë dëgjuar. Nuk kam pretendime iluminuese. Nuk e kam marrë asnjëherë seriozisht veten. Por më është dukur e domosdoshme ti flas shpirtit kundërshtues të popullit tim si një njeri i medias” – mbyll shpjegimin e tij Krasta.

SHËMBJA E TEATRIT AKT I SHËMTUAR E TINËZAR

Sipas Adi Krastës “shembja e Teatrit Kombëtar ka shkaktuar një shembje në shpirtin tim. Ka qenë kaq e parashikuar, burracake, tinëzare dhe e shëmtuar. Jam i bindur se Teatri dhe ata që vdiqën të nderuar dikur sepse punuan në të do jenë Karma për ata që guxuan ta rrënojnë” – shprehet i revoltuar Krasta.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË

USAAdi Krasta e quan diasporën shqiptare kudo në botë si pjesë të pandashme të shpirtit e zemrës së Shqipërisë. Ai kujton se “në vitin 1996 kam bërë një dokumentar në USA. Intervistova Gergian, një zonjë në të 80-tat që ishte me origjinë nga Korça. Kishte kindur në Amerikë por fliste një shqipe të shkëlqyer. Kam një veneracion për brezat e shqiptarëve që jetojnë në Usa. Kishin një guxim të admirueshëm që kërkuan Tokën dhe Jetën e ëndrrave. Shpresoj që ata do gjejnë gjithmonë kohë të jenë të pranishëm në jetën dhe betejat e Shqipërisë për një jetë më të mirë. Distanca nuk do të duhet ti bëjë këta shqiptaro-amerikanë të mos e kuptojnë më shpirtin dhe sjelljen e shqiptarëve që jetojnë ende në vendin e vogël nga ku u larguan. Ne kemi nevojë për solidaritet jo për paternalizëm. Vlerësojmë ndjeshmërinë jo marrjen e pozicioneve të prera. Ne kemi nevojë që shqiptarët e Amerikës dhe të të gjithë botës të vazhdojnë të jenë pjesë e jetës dhe zemrës sonë” – mbyll prononcimin e tij për gazetën Dielli prezantuesi i 

Filed Under: Featured Tagged With: Adi Krasta, shqiperia, Sokol Paja

ÇRREGULLIMET E SHËNDETIT MENDOR GJATË PANDEMISË COVID-19

June 3, 2020 by dgreca

Gjergji Merja, mjek psikiatër në St. Vinzenz Hospital në qytetin e Dinslaken, Gjermani, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, veçoritë e çrregullimeve të shëndetit mendor te njerëzit gjatë karantinës dhe gjithë fazës së pandemisë globale, intervistë dhënë gazetarit Sokol PAJA.

ANKTH DHE DEPRESION

Me procesin e karantinimit për shkak të Corona Virusit është vënë re një rritje në numër e disa çregullimeve të shendetit mendor që kanë të bëjnë me ankthin dhe depresionin. Kjo për shkak të disa faktorëve që kanë ndikuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe të tërthortë në përditshmërinë e çdokujt dhe mënyrën e programimit të jetës. Ndër faktorët kryesorë që bie në sy është pasiguria dhe frika për të ardhmen, kësaj i bashkangjitet edhe nivelet e rritura të vigjilencës të amplifikuara nga masa e madhe e informacionit për një infektim të mundshëm nga Covid-19. Çdo kush nga ne i përgjigjet një situate stresuese në mënyra të ndryshme por mekanizmi i cili çon në pergjigjen tonë është pothuajse i njëjtë dhe ka të bëjë me ndryshimin e nivelit të disa neurotransmetuesve dhe hormoneve kryesore siç është serotonina, dopamina dhe adrenalina. Ndryshimi i Serotoninës sjell përshembull çregullime në ritmin e gjumit me zgjatje të fazave zgjuar që është edhe një nga simptomat e para të çregullimeve të ankthit apo fazave depresive. Duke qenë që serotonina dhe dopamina luan një rol kyc në modulimin e humorit dhe qetësisë së brëndshme çdo ndryshim që ndodh në ciklin e këtyre hormoneve ka një impakt thuajse të menjëhershëm në shfaqjen e simptomave si lodhja, frika e shtuar, mungesa e përqëndrimit, ulja e nivelit të urisë dhe në disa rase rritje të sjelljeve agresive. Është një pjesë normale e jetës të përjetosh ankth të rastin kur rreth nesh ndodhin dryshime dhe disa ekuilibra prishen përkohësisht, siç është në këtë rast për shkak të pandemisë, ekuilibri socio-ekonomik. Por mund të ndodhë të pësoni një ankth që është këmbëngulës, në dukje i pakontrollueshëm dhe mbizotërues. Nëse është një frikë e tepruar, jo racionale për situatat e përditshme, mund të jete e veshtirë për tu kontrolluar dhe ndikon ndjeshëm në atë që ne quajmë cilësinë e jetës. Kur ankthi ndërhyn në aktivitetet e përditshme, mund të keni një çrregullim ankthi që mund të avancojë deri në sulme paniku apo ndjenja të forta depresiviteti. 

SI TË SHMANGIM PANIKUN

Në këto situata është e nevojshme një ndryshim në këndvështrimin e jetës, pra të forcohet ai që quhet mekanizmi adaptues që na lejon ne të rregullojmë dhe përmirësojmë sjelljen tonë për të kapërcyer ndjenjat e forta të frikës që lidhen me mundësinë e infiektimit si dhe ndjenjën e të qënit të izoluar e të vetmuar që lind shpeshherë në kohë pandemie. Çdo situatë e cila na krijon ndjenja të forta ankthi ja vlen të izolohet edhe të vlerësohet për të zbërthyer mekanizmin i cili çon në panik apo depresivitet. Duke bërë këtë ne mund të përmirsojmë sjelljen tonë në momentet e ankthit, të kuptojmë më thjeshtë se çfarë përfaqëson ankthi për ne, ta njohim atë më mirë dhe pse jo ta pranojmë si pjesë tonën pa ju trembur.  Një mundësi e mirë është të përdorim izolimin për tu fokusuar te vetvetja, të marrim kohë për tu kujdesur për ne, për trupin dhe mëndjen tonë. Kjo është një mundësi për ta ulur pak nivelin e alarmit, për ta kaluar fokusin nga ajo që na rrethon për momentin dhe për tu përqëndruar më shumë te gjendja jonë e përgjithshme, për tu angazhuar me dëshira që kemi patur gjithmonë por për shkak të angazhimeve të mëdha nuk kemi mundur ti realizojmë. Provoni të mbani të pandryshuar rutinën e ditës që nga ditët e para-karantinës. Shpeshherë të qënit për një kohë të gjatë të izoluar dhe nën ndikmin e stresit të shkaktuar nga situata e pandemisë rritë eksponencialisht frymën e të menduarit negativist apo katastrofizues që është në themel të çregullimeve të ankthit dhe depresionit. Sa më të aftë të jemi ta mbushim rutinën tonë me aktivitete pozitive aq më të mbrojtur do jemi ndaj këtyre problemeve të shëndetit mendor. 

SI TË TRAJTOJMË PROBLEMET E SHËNDETIT MENDOR

Kuptohet që jo e gjithë shoqëria do përjetojë gjëndje depresive apo ankthi sepse kjo varet nga vulnerabiliteti dhe predispozicioni që ka çdo kush nga ne për t‘u prekur nga të tillë çregullime. Un do të këshilloja të jemi të kujdesshem dhe ti kushtojmë vëmendje siptomave të lart përmendura duke mos i anashkaluar ato por duke reaguar sa më pareë. Në këtë proces mund të na ndihmojë mbajtja e një ditari duke hedhur aty mendimet dhe ndjesit tona në mënyrë për të bërë një reflektim të mëvonshëm. Kto do të ishin disa nga mundësitë që ne kemi për të parandaluar zhvillimin e çregullimeve Të ankthit apo depresionit por ja vlen të përmenden edhe mundesitë e trajtimit. Përpos mjekimit me antidepresiv SSRI apo SNRI të cilët janë të shumtë në numër dhe ka një efikasitet të lartë në trajtimin e këtyre çregullimeve të shëndetit mendor, një alternativë mjaft e vlefshme dhe që ja vlen të praktikohet me shpesh është psikoterapia. Psikoterapia synon të trajtojë çregullimin në themel të tij, ndryshe nga sa bëjnë mjekimet me antidepresiv që kontrollojnë më shumë simptomat e shfqura. “Cognitive behavioral treatment“ apo i përkthyer trajtimi njohës i sjelljes, synon të analizojë veprimet që çojnë në situata paniku apo ankthi, përmirësimi i rregullimit emocional, dhe zhvillimi i strategjive personale të përballimit që synojnë zgjidhjen e problemeve aktuale. Këto terapi jan bazuar në studime që tregojnë se shtrembërimet e mendimit dhe sjelljet jo të përshtatshme luajnë një rol në zhvillimin e çrregullimeve psikologjike, dhe se simptomat dhe shqetësimet shoqëruese mund të zvogëlohen duke mësuar aftësi të reja të përpunimit të informacionit dhe mekanizma të përballimit të situatave të ndryshme. Çdo kush nga ne ka mundësi që me ndryshime të vogla në përditshmëri ta bëjë sa më pak të vështirë këtë proces i cili duhet kaluar pa trauma. 

Filed Under: Featured Tagged With: çrregullimet mendore, dr.Gjergj Merja, Sokol Paja

ARBEN MALAJ- SKENARËT PËR RIMËKËMBJEN E EKONOMISË SHQIPTARE

June 1, 2020 by dgreca

Arben Malaj, President i “Institutit për Politika Publike dhe Qeverisje të Mirë” në Tiranë, analizon për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, Shqipërinë në përballjen me pandeminë globale, skenarët e daljes nga kriza ekonomike, masat e qeverisë, pasiguria, paniku, investimet dhe stabiliteti i përgjithshëm ekonomik i vëndit. Me Prof.Dr Arben Malajn, për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë pas pandemisë globale, bashkëbisedoi gazetari Sokol PAJA. 

E ARDHMJA E EKONOMISË SHQIPTARE PAS PANDEMISË COVID-19

Për faktin se COVID 19 preku të gjithë sektorët e ekonomisë dhe që imponohet nga faktorë të jashtëm, mund të themi që kjo është kriza më e rëndë që mund të ketë kaluar ekonomia shqiptare pas viteve `90. Pasojat shoqërore janë të rënda pasi është rritur ndjeshëm papunësia,  e cila nqs ekonomia do të ketë një rënie 9% e PBB-së mund të shtohet me 100 mijë të pa punë. Sipas Bankës Botërore pandemia do të rrisë varfërinë, personat me të ardhura deri në 5.5 dollarë në ditë mund të shkojnë deri në 40 përqind të popullësisë. Rënia e aktivitetit ekonomik do të shkaktojë rritjen e defiçitit dhe borxhit publik, dhe do të dëmtojë stabilitetin e financave publike. Mund të gjendemi përballë fenomenit që ish sekretari i thesarit Larry Summers e konsideron si “secular stagnation”. Do të duhet të bashkëjetojmë për një kohë jo të shkurtër me sfidat e rritjes ekonomike në kushtet e pa qëndrueshmërisë së financave publike. Studiuesit parashikojnë që Shqipëria të ketë një rritje në trajtë V e cila nënkupton se rënie të shpejtë dhe të madhe por edhe ringritja do të jetë e shpejtë. EBRD parashikon rënie ekonomike në 2020 në nivelin -9% dhe rritje në vitin 2021 në masën 12% të PBB-së. Opsioni i rritjes në trajtë V nuk mund të jetë automatik. Kërkohen politika monetare,  fiskale, reforma strukturore që lehtësojnë ambientin e biznesit dhe përmirësojnë qeverisjen e vendit. Fundi i vitit 2020 dhe fillimi vitit 2021 mund të preken negativisht edhe nga ethet dhe përplasjet për zgjedhjet e ardhshme locale dhe parlamentare. Një ambient agresiv politik redukton apo sponton shpenzimet e individëve dhe biznesit. Kjo ul kërkesën agregate pra rritjen e së cilës nuk mund të ndalet përkeqësimi dhe nuk mund të fillojë ri-ngritja shpirtërore dhe ekonomike. Besimi tek qeveria dhe integriteti I  qeveritarëve vlerësohen element të rendësishëm të sjelljes së individëve dhe konsumatorëve.  Konsumi familjeve ze rreth 70 % të GDP-së. Shpresoj që rritja ekonomike në 2020 të mos bie deri në 9 %. Që të mos ndodhë kjo qeveria nuk duhet të vonohet në bërjen efektive të paketës së rindërtimit e cila është rreth 1.15 miliard euro dhe te tre paketave anti coronavirus.  Këto burime financiare shtesë do të rritin kërkesën agregate  ne fund të 2020 dhe gjate vitit 2021.

PAKETA PËR SHPËTIMIN E EKONOMISË

Përballja me pandeminë kërkojnë dërhyrjen e qeverisë në tre kollona. Kollona e parë – përballimi i krizës shendetësore – parandalimi i përhapjes së Covid-19, reduktimi i numrit të infektuarëve dhe mbi të gjitha të numrit të pacientëve që humbin jetën.   Në këtë pjesë të manaxhimit të pandemisë mjekët e mrekullueshëm shqiptare dhe qeveria paten rezultate pozitive. Manaxhimi i kësaj faze kërkoi burime financiare shtesë, nga alokime të buxhetit të shtetit dhe ndihma e menjëhershme e BE-së me 50 milionë euro, 1/3 për shëndetësinë dhe 2/3 për të papunët dhe të varfërit. Qeveria e SHBA-së ofroi ndihma të mirë adresuara për shëndetësinë dhe Akademinë e Transparencës. Kollona e  dytë ishte ajo e ndihmës për të papunët dhe të varfërit. Kjo është një sfidë morale për të garantuar kohezionin dhe solidaritetin social. As në kohë krize askush nuk duhet të ndjehet i braktisur. U ofrua paketat financiare për  60.000 të papunë të rinj me një pagesë (pagesë lufte) 26.000 lekë/muaj dhe ndihma 40.000 lekë pagesë e menjëhershme për 179.000 individë. Pra janë 236 000 familje që përfshihen në këto skema ndihme. Me një numër rreth 4 veta për një familje janë rreth 900.00 shqiptarë që kushtëzohen nga paketat antikrizë fiskale. Dy janë problemet që u konstatuan tek skema e mbështetjes për të papunët dhe të varfërit. E para vonesa në dizenjimin dhe disbursimin e mbështetjes financiare që në këtë rast është pagesë për mbijetesë dhe e dyta pagesa 40 000 lekë për 176 000 familje nuk kishte element diferencues sipas numrit të pjestarëve për familje në varfëri dhe nuk qartësonte sa ishte ndihma konkrete për çdo pjestar të familjeve përfituese ku numri varion nga 1 deri në 5 anëtarë. Paketat që kanë qëllim të injektojnë likujditete në ekonomi nëpërmjet rritjes së kreditimit duke ofruar edhe garanci sovrane kanë ecur shumë ngadalë edhe për faktin se  dizenjimi i tyre nuk është bërë në bashkëpunim me bankat dhe asosacionet e biznesit. Vështirësitë praktike kanë qenë të konsiderueshme për përfituresit potencial. Në kulmin e diskutimeve për kapërcimin e krizës financiare 2008 ku propozohej edhe instrumenti “Helicopter Money” Thomas Friedman i Neë York Times i cili bazuar në rrënjet e krizës do të qartësonte se botës i duhet më shumë një “Helicopter integrity” sesa helicopter që do të hedhin para në ekonomi. Strategjitë antikrizë mund të dështojnë kur mungon besimi tek qeveria dhe integriteti qeverisës. Tre janë pengesat kryesore që mund ta pengojnë ringritjen e ekonomisë tonë: (i)  pa  qartësitë për përmasat e ndikimeve negative të pandemisë;  (ii) pasiguritë për të ardhmen aq më tepër që shpesh flitet për rikthim të pandemisë apo  shfaqjen në mënyrë të përsëritur të pandemive të ndryshme dhe (iii)  kostot direkte dhe indirekte të efekteve në shëndetin mendorë për shkak të pandemive që ushqejnë ankthin, pasivitetin, panikun dhe depresionin. Siç thotë nobelisti Leëit armiku i vërtetë nuk është pandemia por  paniku. Ne nuk jemi të aftë të masim efektin negativ të uljes së produktivitetit për shkak të traumave psikologjike, por në librin e tyre “PLAN B” Sheryl Sandberg and Adam Grant theksojnë se humbjet në një vit në ekonominë amerikane nga rënia e produktivitetit gjatë periudhës post trauma llogaritet rreth 74  miliard dollarë në vit. Të qeverisësh përballë këtyre tre pengesave nuk do të jetë e lehtë. Nga  pikëpamja praktike tani arma kryesore e luftës kundër pandemisë nuk do të jetë shumëllojshmëria apo madhësia e paketave ndihmëse dhe mbështetëse, por reduktimi i pa qartësive, i pa sigurive dhe panikut.

KU GABOI QEVERIA NË MENAXHIMIN E KRIZËS

Lidhur me pjesën e manaxhimit shëndetësorë qeveria vepro   i shpejt dhe me masa  deri drastike të cilat rezultuan positive, por disa masa krijuan kosto të rënda psikologjike, sociale, ekonomike e buxhetore. Lidhur me manaxhimin social dhe ekonomik në fillim qeveria ushqeu ndjenjën e frikës dhe panikut. Ndërhyrjet me paketa lehtësuese dhe mbështëse për të papunët, të varfërit dhe biznesin rezultuan të pa studjuara mirë, të pa kordinuara dhe ta pa harmonizuara në tërësinë e tyre. Këto paketa rezultuan të jenë jo efektive në kohën e duhur. Transmetimi i efekteve të tyre në ekonominë reale për të rritur kërkesën e përgjithshme, duhet të frenonte rënien ekonomike dhe të lehtësonte ringritjen. Vonesat për të garantuar kohezionin social rriten varfërinë dhe pasigurinë. Ndërsa vonesat për biznesin mund ta thellojnë dhe ta bëjnë me të gjatë krizën e Covid-19.

RRUGËT PËR RIMËKËMBJEN E EKONOMISË SHQIPTARE                 

Qeverisja ekonomike sot kushtëzohet ndjeshëm nga pritshmëritë e individëve dhe biznesit.  Reduktimi i pasigurive, pa qartësive dhe panikut janë parakushte për daljen e  shpejtë nga kriza dhe për ringritjen e qëndrueshme morale dhe ekonomike. Përmirësimi i pritshmërive kërkon reduktimin e paqartësive dhe pasigurive, kërkon një qeverisje me zemër dhe jo me gjoba, kërkon një qeverisje me respekt reciprok dhe jo me arrogancë. Sektorët që kërkojnë mbështetje të veçantë janë turizmi, fasonët dhe bujqësia në të gjithë ciklin e saj të prodhimit,  grumbullimit dhe përpunimit. Qeverisja aktuale nuk është e fortë, ajo është e ashpër deri në arrogancë.  Mirëqeverisja, reduktimi i kapjes së shtetit dhe korrupsionit, reforma e thellë në gjyqësorë, garantimi i lirive ekonomike e politike janë element shumë më të rëndësishëm se sasia e parave të injektuara në ekonomi. Qeveria nuk duhet të vonohej të garantonte fondet për të papapunët dhe të varfërit si edhe paketa financiare funksionale për të garantuar likujditetet shtesë në ekonomi. Duhet të vet ndërgjegjësohemi se qeverisja personale, e biznesit dhe e vendit pas pandemisë nuk do të jetë e njëjta. Ndyshime të konsiderueshme duhet të ketë në mënyrën e sjelljes midis të gjithë agjentëve social dhe ekonomike. Shqipëria duhet të kalojë nga sektorët më pak productive drejtë ekonomisë së dijes.  Kjo kërkon një strategji kombëtare të mirëstudiuar dhe të implementueshme. Përfaqësues të spikatur të diasporës në shkencë dhe biznes duhet të jenë pjesë institucionale dhe aktive e këtij ndryshimi strukturorë. Aktualisht përballemi me papunësinë ciklike por për rritjen e  produktivitetit dhe aftësisë konkuruese të ekonomisë tone duhet të përqëndrohemi tek papunësia strukturore e cila mund të lehtësohe te dhe nga edukimi onlinë. Përballë pandemisë preferoj strategjitë e rritjes ekonomike që bazohen në mirëfunksionimin e shtetit ligjore sesa rritja e paketave financiare të bujshme por të vonuara dhe jo efektive, të cilat do të rritin barrën e borxheve dhe mund të përkeqësojnë sfidat e një rritje ekonomike me tëlartë, të qëndrueshme, vibrante ndaj goditjeve të jashtme dhe një rritje ekonomike më e drejtë e cila ndan më mire përfitimet e rritjes ekonomike duke  prodhuar më shumë punësim dhe me pak varfëri e pabarazi. Borxhet e marra për përballimin e covid-19 do të jenë një barrë jo e lehtë për vende si Shqipëria, prandaj rritje e borxheve duhet të jetë e mire studiuar dhe të përdoren me eficencë maksimale. Në rast të kundërt paqëndrueshmëria e financave publike do të jetë një sëmundje e përhershme dhe e kushtueshme.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

E para uroj nga zemra që familjet e tyre në SHBA por edhe në vendin amë ta kalojnë sa më lehtë këtë situate pandemike.  E dyta – ju shpreh mirënjohje të veçantë shoqatës “VATRA” për kontributet e tyre të spikatura në moment kritike të histories së kombit shqiptarë dhe e treta- apeloj që diaspora të ketë një rol pro  aktiv ndaj sfidave të kombit shqiptarë. Ndoshta për shkak të ftohtësisë me të cilën priten dhe respektohen nga institucionet qeverisëse në Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut dhe në Mal të Zi edhe për shkak të dështimeve për ide apo projekte të ndryshme, shumë prej tyre janë zhgënjyer dhe nuk janë këmbëngulës. Diaspora shqiptare në USA ka një aset të vyer që mund dhe duhet ta përdorin më mirë për kombin shqiptarë. Ju  keni netëorkun më të madh politik dhe ekonomik, njihni dhe ju respektojnë personalitete në fushën  e shkencës, biznesit dhe politikës. Aty janë përqëndruar pjesa më e madhe e diasporësë re, të mire arsimuar dhe të sukseshëm. Mendoni çdo ditë për ta venë pozitivisht në shërbim të kombit tuaj këtë pasuri të madhe. Shqipëria dhe Kosova kanë sfida politike në procesin e integrimit euro-atlantik, por kanë sfida imediate sociale dhe ekonomike.   Pikerisht tani mund të ketë mundësi shumë të mira në ristrukturimin dhe rialokimin e bizneseve amerikane jashtë Amerikës sidomos nga Kina. Një pjesë e këtyre bizneseve jane duke i dentifikuar se ku mund të rivendosen. Mundësitë më të mëdha janë Evropa, Afrika dhe Ballkani Perëndimorë. Ne kemi nevojë ta orientojmë ekonominë tone drejtë ekonomisë së dijes.  Disa paketa lehtësuese dhe mbështetëse për bizneset në IT janë bërë. Investitorët nga diaspora mund të jenë garancia e munguar për të lehtësuar këtë sfidë imediate të strukturimit drejtë sektorëve më productive të ekonomisë tonë.  Diplomacia jonë ekonomike nëpërmjet diasporës mund të jetë efektive. Duke ju mbajtur larg dhe  duke qëndruar larg, Shqipëria ka humbur një pjesë të kapitalit shkencore, ekonomike e politike të disporës së saj. Këshilla ime miqësore është, mos u tërhiqni, këmbëngulni,  angazhohuni më shumë për çdo ndryshim pozitiv që i duhet kombi shqiptar. Askush më mirë se NënëTereza  mund të na inspirojë për të ardhmen tonë me mesazhin e saj: “Të duash do  të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

Filed Under: Featured Tagged With: Arben Malaj, Rimekembja e economies shqiptare, Sokol Paja

SHQIPËRIA PAS PANDEMISË COVID-19

May 31, 2020 by dgreca

-SHQIPËRIA POPULISTE DHE EKSTREMISHT E POLARIZUAR/

Ylli Manjani, si ish-Ministër i Drejtësisë në Shqipëri, analizon për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, Shqipërinë në kushtet e pandemisë globale, sjelljen e qeverisë, paligjshmërinë, dhunën policore, shëmbjen e Teatrit Kombëtar, krizën ekonomike dhe pandeminë ligjore të institucioneve në Shqipëri. Me Ylli Manjanin bashkëbisedoi gazetari Sokol PAJA.

Sokol Paja.

SHQIPËRIA PAS PANDEMISË COVID-19

Njësoj si pas çdo fatkeqësie natyrore, por me një dallim, kur bie tërmet e dimë nga na erdhi, ndërsa këtë pandemi se mori vesh askush se ç’ishte e përse duhej ekstremizuar mbyllja e jetës. Sidoqoftë, ekonomikisht kjo mbyllje ishte rrënuese për çdo shqiptar. Si për të pasurit ashtu dhe për të varfërit. Natyrisht për këto të fundit shumë më e rëndë. Më e keqja është se situata duhet pa shpresë që të ketë ndonjë përmirësim të shpejtë. Njerëzit në shumicë presin një lëmoshë nga diskush. Puna është bërë gjithnjë e më e pamundur për tu gjetur e për tu mbajtur. Të ardhurat nga emigracioni natyrshëm bien edhe më shumë se çkishin rënë. Politikisht Shqipëria post pandemi është vetëm populiste dhe ekstremisht e polarizuar. Ky polarizim i vendosur në një mjedis pushteti monist ku bosi ka çdo gjë në dorë, nuk prodhon asnjë lloj ndjesie pozitive. Njerëzit ndjehet në velur, të zhgënjyer, pa shpresë dhe nën një tension permanent kolektiv se “diçka tjetër më e rëndë pritet të ndodhë”. Shoqëria është e lodhur dhe gjeneron vetëm mjete mbijetese. Shteti tashmë është i gjithi monist. Kjo është shkurt Shqipëria post pandemi. Ah, ndjesë se harrova, jemi formalisht ende në gjendje fatkeqësie, në mënyrë antikushtetuese, megjithse jemi mbi një muaj që nuk kemi asnjë fatalitet nga COVID.

QEVERIA, SAJESA DHE PROPAGANDË

Qeveria nuk mori masa, por improvizoi sajesa dhe ndërmori një fushatë propagande të jashtëzakonshme. Në asnjë rast nuk e pamë qeverinë që të bëhej bashkë me popullin për ti bërë ballë fatkeqsisë. Përkundrazi qeverinë e pamë përballë popullit të saj, me mjete nga më represivet dhe me gjuhën më të egër kërcënuese ndaj tij. Ligjërisht është e kotë të harxhojmë kohë ta analizojmë sjelljen e kësaj qeverie sepse NUK KA ASNJË LIDHJE me ligjin. Qeveria ka kohë në fakt që ka abroguar Kushtetutën e vendit de fakto dhe sillet si skllavopronare e Shqipërisë e shqiptarëve. Liritë dhe të drejtat kushtetuese të këtyre të fundit janë peng i qeverisë. Policia e shtetit është e gjitha nën komandë politike dhe dhunon qytetarët hapur. Këto ditë pamë edhe një reagim të shëmtuar të Drejtorit të Policisë së shtetit që justifikoi dhunën e policisë ndaj një 14 vjeçari me një video të së emës. Ky ishte në thelb fytyra e vërtetë e shtetit politik që sundon sot në vend. Bosi urdhëron në Fb dhe policia i quan ligje. Ky është sundimi i ligjit në vend sot.

QEVERIA MES SHPIKJES DHE IMPROVIZIMIT

Qeveria nuk e pati asnjëherë situatën nën kontroll. Shpiku sajoi e improvizoi skenarë e grafikë që nuk pasqyruan ansjëherë realitetin. Kishte prova që sëmundja ishte prezente që në janar e shkurt, por pandemia u shpall në mars. Pa informacion të saktë nuk mund të ndërmarrësh asnjë masë të suksesshme. Nëse ne nuk patëm aq shumë fatalitete kjo nuk erdhi si rezultat i masave pa lidhje të qeverisë. Qartësisht është kështu.

SHQIPËRIA NË RRUGËN E LIGJIT

Si fillim duhen bërë zgjedhje pluraliste. Duhet një parlament që.përfaqëson popullin në mënyrë pluraliste. Bashkë me pluralizmin duhet të ndodhë dhe një rotacion politik i nevojshëm. Në vijim duhen thelluar reformat politike, ekonomike, shtetformuese e sociale.

SHEMBJA E TEATRIT KOMBËTAR NJË AKT BARBAR

Shembja e Teatrit Kombëtar është akt barbar. Në përkufizim barbar quhet çdo shkatërrues i kulturës dhe objekteve të saj. Për fat të keq ky akt barbar ka ndodhur për arësye politike. Edi Rama e shëmbi tani Teatrin sepse mendoi se do largojë opozitën nga përgatitja për zgjedhje. Është taktikë e tij për të lodhur, dobësuar e larguar opozitën nga bashkimi i saj dhe nga zgjedhjet. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Ndriçohuni nga rrezet e Diellit dhe përdorini ato për të ndriçuar të vërtetën në Shqipërinë tuaj. Atë të vërtetë që e shohim ne por që nuk ka ambasadë që e ndriçon. Kjo vlen edhe për Ambasadën të cilën ju e paguani me taksat tuaja. Vetëm ju mund të kontribuoni që të ri pozicionohet raporti diplomatik me të vërtetën e dhimbshme të Shqipërisë sonë të përbashkët. Ju përshëndes.

Filed Under: Featured Tagged With: Shqipëria pas COVID-19, Sokol Paja, Ylli Manjani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 90
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • …
  • 100
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT