Bëhet e qartë se intervenimi me trupa tokësore nuk është aktual, por me bomba nga ajri do të jetë vështirë të arrihet një zgjidhje afatgjatë, për më tepër nuk mund të zgjidhet katastrofa humanitare që po ndodh atje/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Ajo e paimagjinueshmja po ndodh përsëri. Këtë e dëshmon Amnesti Internacional në raportin e saj të paraqitur javën e shkuar, duke konstatuar se ajo çka po ndodh në Irakun Verior është spastrim etnik sistematik i grupeve minoritare të vendit. Raporti për spastrim dhe ndjekja sistematike e shtetit islamik ndaj pakicave është përmbledhur në një verë të përgjakshme, ndërsa në anën tjetër tregon vështirësinë e Komunitetit Ndërkombëtar për të parandaluar këtë lloj të tragjedisë.
Të mbijetuarit dëshmojnë për vrasje masive e martesa me dhunë
Të mbijetuarit dëshmojnë për vrasje masive të qindra, ndoshta mijëra, burrave dhe djemve edhe të moshës 12 vjeçare, të cilët janë dërguar në drejtime të panjohura dhe të rreshtuar janë vrarë në mënyrën më brutale. Disa i kishin mbijetuar masakrat pasi që ishin mbuluar nga të vrarit dhe pasi ishin larguar vrasësit ata ishin larguar nga zona dhe më pastaj kishin ikur nëpër male, ku as atje nuk janë të sigurt.
Dëshmia tjetër mjaft trishtuese e përfshirë në raportin e Amnesti Internacional është së gra e fëmijë të shumtë kanë qenë të shtrënguar për të braktisur shtëpitë e tyre, por që janë kapur nga IS që i ka dërguar nëpër shkolla e objekte të mëdha. Të dhënat nga disa që kanë arritur për të siguruar telefona celular tregojnë se femrat janë martuar me xhihadistë, ndërsa ato që nuk kanë pranuar ta bëjnë këtë janë shitur si skllevër. Ka raporte edhe të abuzimit seksual dhe të përdhunimit të grave dhe fëmijëve.
Edhe në mesin e atyre që kanë arritur të shpëtojnë nga egërsia xhihadiste, situata është jashtëzakonisht e vështirë. Nga qershori i këtij viti mbi 830 mijë veta ishin të detyruar të largohen nga zonat që i ka okupuar ISIS, gjë që ka rezultuar me një katastrofë humanitare, vlerëson OKB. Ndihma që duhet ofruar këtyre njerëzve absolutisht është e domosdoshme, por në të njëjtën kohë politikisht e parealizueshme. OKB nuk do të jetë në gjendje të dakordohet për një veprim më të fuqishëm kundër terroristëve të pamëshirshëm.
Ushtria irakiane u shemb si një shtëpi kartoni
Meqë ushtria irakiane u shemb si një shtëpi kartoni, ISIS u duk shumë shpejt në rajon dhe mbrojtja e popullsisë e në veçanti e pakicave dhe grupeve civile ishte jo- ekzistente. Shi për këtë, të shpërngulurit ishin lehtë të kapen dhe po të mos ishin ushtarët Peshmerga të pjesës kurde atëherë terrori shkatërrues do të merrte më shumë viktima. Ndërkaq, në anën tjetër Amensti International vlerëson se marrja e vendimit të qeverisë irakiane për të armatosur milicinë shiite vetëm sa e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën. Në një aksion të këtoditshëm të terroristëve të ISIS u pushtuan edhe 16 fshatra në Siri dhe shi për këtë ishin të detyruar që më së 70 mijë sirian të kapërcejnë kufirin dhe të kalojnë në Turqi.Hëpërhë, nevojat janë të qarta: ndihma humanitare, mbrojtja e civilëve nga terroristet e shtetit islamik.
Me bombardime vështirë se do të këtë zgjidhje afatgjatë
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka qenë i qartë se intervenimi me trupa tokësore nuk është aktual. Megjithatë, sulmet ajrore amerikane, por edhe ato franceze dhe të aletatëve tjerë po vazhdojnë në përpjekje për të kufizuar ambicien e shtetit islamik për një Kalifat të zgjeruar. Por do të jetë vështirë që me bomba nga ajri të arrihet zgjidhje afatgjatë. Për më tepër nuk mund të zgjidhet katastrofa humanitare: furnizimi me ushqime thjesht nuk arrinë të refugjatët, i cili është aq i nevojshëm. Me një fjalë, me gjithë të vërtetën e frustruar është se edhe pse ka ekzekutime mizore dhe vrasje masive, që sigurisht se ngjall neveri, siç duket nuk pritet ndonjë veprim më i fort. Kjo është më të vërtetë tragjedi.