• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një kushtrim për kulturë!

August 17, 2023 by s p

Mendoj se, sot, në këtë situatë që po kalon Shqipëria, ku Europa rri e barazlarguar prej nesh, të paktën që prej një dekade, fati dhe e ardhmja e qyteteve tona varen në një masë të madhe nga kultura mbizotëruese e qytetarëve të vet. Sot Shqipëria nuk mund të ofrojë vetëm pejsazhin, por edhe kulturën e vet ende të pashkatërruar krejt.

Por, po ashtu si dhe pejsazhi, edhe kultura e mbetur është në rrezik. Edhe pse kultura nuk hahet dhe nuk pihet, ajo prapë rrezikon të dystohet, të asimilohet nga shfaqjet më të shëmtuara të kitchit dhe komercializmit. Thjesht, kultura shkatërrohet. Dhe ajo që e shkatërron kulturën është vetëm ideja e varfër dhe e mjerë e të ashtuquajturit “efikasitet ekonomik”.

Mjaft më “kulturë” për turistët. Mjaft më “kulturë” që shitet per pesë aspra. Kultura para të gjithash duhet të ketë për destinacion vendasit, të cilët nisin e dashurohen dhe bëhen “shërbëtorë” dhe “aktorë” të saj.

S’ka dyshim që një copë park në qendër të një lagjeje nuk ka “efikasitet ekonomik”, prandaj dalin përditë “mendjemprehtë”, që pa i ftuar askush duan t’i japin këtyre hapësirave “efikasitet ekonomik”, me anë të një kulle, apo edhe të një kioske. Mjaft duke i dhënë qyteteve tona këtë soj “efikasiteti ekonomik”! Nuk e duam!

Kultura ka të bëjë me krijimin e ideve, me aftësinë për të prodhuar një mendim më shumë, jo domosdoshmërisht me funksionalitet të lartë.

Në kushtet ku gjendemi, vetëm kultura mund t’i japë energji dhe shpirt të gjallëve që jetojnë në një zonë të përbashkët, dhe t’i lejojë ata të ndërtojnë në mënyrë kritike dëshirat, vizionet, shpresat dhe mbi të gjitha perspektivat përparimtare. Është e nevojshme të thuhet gjithandej se kultura nuk është thjeshtë erudicion. Ajo është lidhja misterioze midis asaj që dihet dhe asaj që nuk dihet, midis asaj që tashmë është menduar të jetë dhe asaj që ende po projektohet.

Në këtë kuptim, një qytet vdes sa herë që tentohet të ngadalësohen apo nëpërkëmben proceset kulturore. Me vdekjen e kulturës, qytetit i ndërpriten lidhjet logjike, të përkohshme dhe hapësinore, mes njerëzve, midis njerëzve dhe gjërave. Prej atij moment komuniteti nuk është më në gjendje të ushqehet vetë dhe e mira kryesore e tij, hapësira e përbashkët, pikërisht si e përbashkët, nis e humbet kuptimin e saj deri në asgjësim.

Mua, për shembull, do të më kënaqte një qytet ku askush nuk do mund të na pengonte të shihnim qiellin dhe yjet dhe askush nuk mund të na cënonte ëndërrimin; një qytet ku të argëtoheshin fëmijët dhe me fëmijët; një qytet me një punëtori që ia del të riprodhojë traditat, ku të rinjtë dhe të moshuarit mund të rikthehen lehtësisht te rrënjët e tyre; një qytet ku flitet për të ardhmen; një qytet që u jep të gjithë banorëve të saj mundësinë për të përjetuar eksperienca të reja shqisore në çdo cep të vetin; një qytet i aftë për të promovuar të mirat e tokës dhe bukuritë e territoreve. Por mbi të gjitha unë do të doja të jetoj në një qytet të aftë për të ndryshuar, për t’i rinovuar vazhdimisht shprehitë kulturore të banorëve të vet.

© by Stefan Çapaliku

Filed Under: Opinion Tagged With: Stefan Capaliku

Martin Camaj nëpërmjet një letërkëmbimi

June 29, 2022 by s p

Nga Akad. asoc. Stefan Çapaliku/

Ka qenë fillimi i dhjetorit të vitit 1990, ende pa u shpallë i ashtuquajturi “Pluralizëm politik”, kur radio “Zëri i Amerikës”, fundin e një edicioni lajmesh ia kushtoi një figure krejtësisht të panjohur prej meje, por mendoj se edhe prej të tjerëve, një farë Martin Camaj.

Ishte koha kur radio “Zëri i Amerikës” ndiqej nga i madh e i vogël. Ndiqej nga ato që mezi po prisnin të binte komunizmi, nga ato që nuk donin që të binte komunizmi si dhe nga ato që dëshëronin të dinin paraprakisht sesi do të binte komunizmi.

Aso kohe unë sapo kisha filluar punë në Universitetin e Shkodrës, si pedagog i ri letërsie dhe gjendesha në rrjedha të ngjarjeve me mish e me shpirt.

Elez Biberaj foli bukur gjatë atë natë për këtë malësor shqiptar që na ishte jo vetëm linguist, shef I katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Mynihut, por ajo që më interesonte mua më së shumti, që edhe shkrimtar dhe posaqërisht poet. Në fund të emisionit u duk sikur zoti Biberaj e ngadalësoi kaq shumë të folurën sa edhe një fëmijë i klasës së parë mund ta merrte shënin adresën e këtij profesori të cuditshëm. Madje nuk gaboi të them se zoti Biberaj e tha dy herë adresën e Martinit, në fillim dhe në fund të emisionit. Unë që aso kohe nuk isha vetëm gjithë sy, por edhe gjithë veshë e shënova ekzaktësisht në një copë letër.

Meqënëse aso “Zëri i Amerikës” kishte nisur t’i ritransmetonte emisionet e mbasdites edhe në darkë, atëhere shënova gjithcka munda. Stacione të jetës së Martinit, tituj veprash e kështu me radhë.

Fati e desh që sendet të lidheshin si të ishin copëza të një pazëlli të lumtur. Martini, sic e mora vesh atë natë, na paskësh studiuar në Beograd fill mbas aratisë. Po a nuk kishte studiuar në Beograd edhe kolegu im i vjetër, ai burri i shkurtë dhe i urtë, që gjendej në zyrën tjetër, në katedrën e gjuhësisë, profesori i gramatikës historike, autori i veprës madhore, “Marrëdhëniet e shqipes me gjuhët sllave”, Safet Hoxha?

Po. Profesori buzëqeshi kur i permenda emrin e Martinit dhe më solli të nesërmen dy libra të hollë “Një fyell ndër male” dhe “Kanga e vrrinit” që ai i kishte me dedikim nga vetë Martini. Profesor Safeti më foli gjatë e gjërë për të, për të dashurën e vet Nina Bogdanovic dhe i vuri pikën kur tha se ata të dy, Martini me zonjushën Bogdanovic qenë cifti më i bukur i gjithë universitetit të Beogradit.

U ngazëlleva pa masë dhe ashtu, i mbushur me entuziazmin e ngajrjeve të dhjetorit u ula të shkruaja një artikull me destinacion shtypn opozitar që sapo qe krijuar në Shqipëri.

Fillimisht i vura titullin artikullit “Martin Camaj – i gjalli, i vdekur”. Mandej provova të gjendesha midis dy tundimeve: ta botoja artikullin menjëherë, pra ta ndaja këtë lajm të gëzueshëm edhe te të tjerët për ekzistencën e një poeti që shkruante ndryshe apo t’ia nisja njërerë atij vetë që ta shikonte dhe mandej, mbasi që ai të binte dakord, ta botoja?

Vendosa këtë të dytën. Diku mbas një muaji ia nisa artikullin bashkë me një letër, në të cilën i shpjegoja se kush isha dhe se pse kisha dëshirë të merresha me të.

Ekzaktësisht dy muaj mbrapa më erdhi kjo letër, të cilën dua të ju lexoj pothuajse të gjithën, përvec një fragmenti në fund të saj, ku ai më lë një porosi përsonale dhe më porositi që kjo të mbetej midis nesh.

Po e citoj:

“Lenggries, 19.3.1991

I ndershmi zoti koleg,

Ju falenderoj për letrën tuej dt. 18.1.1991 dhe syzimin mbi vepren e jetën time. Me vend titulli! Këtu poshtë po marr lirinë t’ju vë në dijeni: Në kolegjin ksaverjan të Shkodrës, ashtë e vertetë qesh edukue, por filozofi e teologji nuk kam studie as në Shkodër, as ngjeti. Andaj besoj, tash për tash mjafton të thuhet se kam studiue në shkollë si sa e sa njerëz tanë e për këtë jam krenar e mirënjohës. Kam lindë në Temal me 1925 në një familje simbas gjendjes së asaj kohe në Malësi mjaft të ngjitun me pasuni rudimentale: në familje nuk na mungoi asgja e nevojshme. Për të dhana tjera krh.biografi të ndryshme në prospekte që po ju nis. Jam i martuem tash afer 25 vjet me një grue gjermane nga Mynihu (dr. med. interniste, fëmijë nuk kemi: për deri sa të jem gjallë, besoj, s’ashtë e domosdoshme të hyhet fort në sferën jetësore të ngushtë).

Jam gezue për letren e syzimin tuej sepse janë të parat sheje nga vendi i ngushte im në lidhje me veprën time. Nga Tirana e vende të tjera ka pasë pyetje dhe perpjekje kontakti qysh me kohë. Mjerisht, për arsye që dihen nuk kam reague. Me interesoi tematika me te cilen merreni. Na këndej e quejmë “shkolla letrare shkodrane” për të cilën u shkrue diçka në revistën “Shejzat” (Le Pleiadi) Romë 1957 – 1974 i së cilës isha kryeredaktor. Edhe unë i përkas kësaj shkolle, sadopak në fazën e parë të krijimtarisë sime (krh. Fazën kosovare). Ndonëse nuk e kam pasë zakon të shprehem mbi veprën time, sidomos me ata të degës së gjurmimeve letrare si jeni ju,

megjithatë po ju rrëfehem disesi nga se dëshiroj të merreni me vepren time letrare edhe për arsye se une jam shumë i sëmurë. Kjo mes nesh sepse ka familje që kujtojnë me të vertete se nuk jetoj!

Kryekreje unë jam lirik, mjaft i vështirë – thonë, me forma e përmbajtje moderne, me faza të ndryshme dhe sigurisht nga shkaku sepse kam pasë kultura të ndryshme, sepse studiova së pari në Belgrad (jo italianistikë vetëm, por romanistikë, teorinë e letersisë, gjuhë klasike dhe slavistikë), një botë e re per ne të edukuem në Shkodër): me pat ba përshtypje simbolizmi rus, por jo letersia e sllaveve të Jugut, surrogat i romantizmit vendas me rrymat letrare përëndimore. Por studimet i kam sosë në këtë vend dhe jam largue andej ne veren 1956. Në Romë ku kam studiue edhe një herë dhe doktorue, jam sjellë në rrethet letrare të këtij qyteti (krh. Hymjen në vepren e fundit PALIMPSEST), ku jam njoftë dhe me autoret emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë, dhe sidomos me poetë Baltikë. Ishim të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me ndeje në Londër.

Në 1961 (fillimi i vjetit) u transferova në Mynih, ku jam specializue definitivisht në linguistiken tonë mos m’u shkepute nga letërsia krijuese, nga lirika. Këtu mbeta tanë jeten deri më sot: njohja e gjuhëve të ndryshme shkaktoi dhe zgjanimin e mjeshtërisë, pasunim motivesh e shijesh etj. etj. Vonë kam ra në kontakt edhe me poezine moderne të gjuhës angleze, T.S. Eliot, p.sh, por askush nuk ka ndikue në liriken time ose prozen që mbeshtetet në ghuhen shqipe qe e njoh mjaft mirë në diakroni e sinkroni dhe si permbajtje i kanë rranjët në kulturën tonë, sidomos në mytin e trashëguem, mbete i gjallë (krh. Besimet popullore që janë miksime apo formula të një përvoje mitike).

Letërsia ime nuk është funksionale dmth nën ndikimin e ideologjive apo ideologjive të manipulueme nga njerëz fare injorantë: Nuk due të kem të njëjtin emërtim me kolegët letrarë të kohës sime: për ta due të jem një njeri e asgja tjeter. Si e shihni, nuk jam modest dhe e di se çka kam shkrue dhe nuk pendohem për asnjë varg të shkruem. Përpunoj fort vargun apo shprehjen e jam i dashunuem në gjuhën shqipe, si tingull, formë e shkrueme dhe kuptim shumë dimensionesh.

Këtu po ju mbyll pakëz bibliogarfi letrare. Me postë sendesh të shtypuna po ju nis dhe një bibliografi (jo të plotë), dalë nga një tezë doktorati që u mbrojt në Univ. të Kozencës; në këtë pako po ju nis 6 (gjashtë) vëllimet “varg librash letrare që nuk gjinden, sidomos si komplet, andaj mos i ndani: kështu nuk do të botohen kurrë ma, me këtë veshje tipografike.

Ju përshëndes përzemërsisht!

Martin Camaj

Letra arriti bashkë me plikon e librave, që padyshim ishte dhe është një nga dhuratat më të cmmueshme që kam marrë në jetë. Aso kohe unë kisha një mik të madh, edhe ai poet lapidar, shumë më i vjetër se unë dhe pakashumë bashkëmoshatar me Camajn, Zef Zorbën. Vrapova te ai dhe i lexova letrën. Librat i ndamë. Zorba mori fillimisht poezitë dhe mua më la prozën dhe të tjerat. Mbas dy ditësh ai erdhi dhe më solli dy librat me poezi “Njeriu më vete e me tjerë” dhe “Poezi”, duke më thënë: Asht nji poet i madh.

Por le të kthehemi te letra. Sic shihet letra është shumë intense, e ngjeshur, e thukës dhe me shestime esenciale. Tani, mbas rreth 30 vjetëve, mmundem me nxjerrë si me piskërr disa citate esenciale prej kësaj letre dhe po përpiqem t’i komentoj:

“tash për tash mjafton të thuhet se kam studiue në shkollë si sa e sa njerëz tanë e për këtë jam krenar e mirënjohës”

“për deri sa të jem gjallë, besoj, s’ashtë e domosdoshme të hyhet fort në sferën jetësore të ngushtë”.

“Me interesoi tematika me te cilen merreni. Na këndej e quejmë “shkolla letrare shkodrane”. Edhe unë i përkas kësaj shkolle, sadopak në fazën e parë të krijimtarisë sime (krh. Fazën kosovare)”.

“dëshiroj të merreni me vepren time letrare edhe për arsye se une jam shumë i sëmurë”

“Kryekreje unë jam lirik, mjaft i vështirë – thonë, me forma e përmbajtje moderne, me faza të ndryshme dhe sigurisht nga shkaku sepse kam pasë kultura të ndryshme”

“me pat ba përshtypje simbolizmi rus, por jo letersia e sllaveve të Jugut, surrogat i romantizmit vendas me rrymat letrare përëndimore”.

“njohja e gjuhëve të ndryshme shkaktoi dhe zgjanimin e mjeshtërisë, pasunim motivesh e shijesh etj. etj. Vonë kam ra në kontakt edhe me poezine moderne të gjuhës angleze, T.S. Eliot, p.sh, por askush nuk ka ndikue në liriken time.”

“Letërsia ime nuk është funksionale dmth nën ndikimin e ideologjive apo ideologjive të manipulueme nga njerëz fare injorantë”

“jam i dashunuem në gjuhën shqipe, si tingull, formë e shkrueme dhe kuptim shumë dimensionesh.”

Besoj se cdonjëra prej këtyre tezave të shkëputura nga letra munden me qenë argumente studimesh të vecanta.

Stefan Çapaliku

Tiranë, 28 qershor 2022

www.akad.gov.al

Filed Under: Kulture Tagged With: Stefan Capaliku

Dy libra të rinj nga Stefan Çapaliku

June 2, 2022 by s p

Brenda një muaji nga shtëpia botuese “Fishta” dolën në qarkullim dy botime të reja të autorit të mirënjohur Stefan Çapaliku. Botimi i parë është romani “Një engjëll veshë me frak” dhe i dyti monografia e ilustruar “Shtjefën Palushi, më vete e me tjerë”. Romani “Një ëngjëll veshë me frak” i vendos ngjarjet në Shkodrën e viteve ’50, menjëherë mbas instalimit të sistemit komunist. Ai merret eskluzivisht me fatin e një muzikanti dhe kompozitori, duke rrëmuar në jetën private dhe profesionale të tij. E gjithë ngjarja tregohet nga bashkëkohësit dhe bashkëpjestarët në ngjarje. Figura e Pol Gjakovës e parë kësisoj nga prespektivat e të tjerëve, shndërrohet në strumbullarin e atmosferës së një qyteti, që duket se po jep shpirt.

Libri i dytë, “Shtjefën Palushi, më vete e me tjerë” është pjesë e kolanës “Imago et verbum” që autori e ka nisur vite më parë me botime të tilla si “Renzo Collura”, “Serafin Fanko” etj. Duke qenë se libri është monografia e parë botuar për mitin e humorit desident shqiptar Shtjefën Palushit apo Tefës, sic njihej rëndomt, ai është njëkohësisht edhe kontribut i vyer në historinë e humorit shkodran. Me të dy këto libra Stefan Çapaliku vazhdon të japë një kontribut të shkëlqyer në mbajtjen gjallë të kujtesës së qytetit dhe të frymës së re estetike. Që të dy këto botime gjenden tashmë në libraritë e Shqipërisë, Kosovës si dhe online.

Filed Under: ESSE Tagged With: Stefan Capaliku

“TREGIMET E TRANZICIONIT”

October 23, 2021 by s p

Dielli/

“TREGIMET E TRANZICIONIT” janë botimi më i fundit i autorit Stefan Çapaliku dhe Botimeve “Fishta”.

Ky vëllim me tregime përbëhet nga tre kapituj të mëdhenj: “libri i ëndërrimeve”, “libri i dyshimeve”, “libri i dështimeve” dhe është shkruar në harkun kohor të njëzet e pesë viteve nga Shkodra në Tiranë.

Në “Librin e ëndërrimeve” bëjnë pjesë tregimet: PSE ME NE DHE JO ME ATA?!, TË FLUTUROSH, ÇFARË KËNAQËSIE!, MËKATET E TË KAFSHUARIT, ÇARÇAFË PREJ LINI, NJË ËNDËRR AMERIKANE, EROS DHE THANATOS.

Në “Librin e dyshimeve” kemi tregimet: ZHURMAT E KATIT SIPER, VETVRASJA E MBASDITES, LEOPOLDI, PO SIKUR TË KEM QENË SPIJUN?!

Kurse në “Librin e dështimeve” gjenden RA FJALA TE EUTANAZIA dhe DITËLINDJA E FUNDIT

Në hyrjen e librit autori shprehet se: “Te ky koleksion tregimesh, të shkruara përgjatë një çerek shekulli, banoj unë, miqtë, hera herës armiqtë, të dashurit, dhe gjithë ato që do doja t’i kisha gjatë rrugës.

Në to rri një njeri i brishtë, ëndrrimtar, i dashuruar, aventurier, i heshtur, i dëshpëruar, nervoz, dhe lumturisht i gënjyer.

Është një njeri i dalë nga një sistem i tmerrshëm, që e kish mësuar të fliste ulët, dhe që i kishte dhënë si dhuratë të fundit një koleksion frikërash sot e kësaj dite të paindentifikuara nga ana e tij.     

Është njeriu i gjendur papritmas brenda një lirie të pamatë dhe absurde, ku mund të bëje çdo gjë dhe nuk ia dilje të bëje asgjë.

Është edhe njeriu që njihet me lirinë fluturimthi, në udhëtim.

Është ai që do të europianizohet me çdo kusht. Me një plastikë të brëndshme jashtzakonisht të zhvilluar. Njeriu që po pëlcet t’a eksteriorizojë qënien e vet.

Është aktori me një plan të dytë si tallaz deti, me një monolog të brendshëm shumë dinamik dhe me një aparencë të ngathët dhe dembele.

Është njeriu që përballon dy tranzicione njëherësh, atë biologjik dhe atë politik.

Është njeriu që ka shkëmbyer rrugën më të mirë me rrugën më të shkurtër për të shkuar në Europë.

Është njeriu i prerë në besë, i zhgënjyer, i fyer dhe i rrahur në thelbin e vet ekzistencial.

Është djaloshi i therur në bark, gjatë një zënke idiote në një tavernë në cep të rrugicës, që vrapon, duke mbajtur zorrët në duar.

Është ai që nuk do të vdesë, edhe pse askush nuk e pret te dera e spitalit.

Stefan Çapaliku është autor i:

Letërsi

Asgjë më shumë se kaq s’ka ndodhë, Sh. B. Fishta. Shkoder, 1993. Poezi

Kohë e ndalur, Sh. B. Fishta. Shkodër, 1994. Poezi

Kronikë në lindje, Sh. B. Fishta, Shkodër, 1996. Roman

Fjalë për fjalë-Word for word, Botimet Toena. Tiranë 2000. Poezi dhe prozë

Tregime për Anën. Botimet Onufri, Tiranë 2002. Tregime

Quelqu’un de passage. Albiana-CCU. Marseille, Francë, 2002. Roman

The shoes. One act capriccio. Sh.b. Fishta. Tiranë, 2002. Dramë

Utopos. Pismo nr. 76/77. Belgrade. Serbia 2004. Dramë

Pesë drama dhe një korn anglez, IdeArt, Tiranë, 2004. Drama

Buty. Dialog. 11 Listopad. Poland 2004. Dramë

Allegretto Albania dhe drama të tjera, Fishta, Tiranë, 2006. Drama

Pesë komedi të përgjakshme, Botimet Fishta, Tiranë 2010. Drama

Allegretto Albania. Dramaturgie contemporana din Balcani. Teatrul azi. Buchuresti. Romania 2010. Dramë

Sveti Don obezglavljeni & Prica o gubitnicima ili Ne pljujte po zemlji! Izbor iz savremene albanske poezije i drame. Podgorica 2011. Drama

Tri drama, Mediacenter, Prishtina 2014. Drama

Allegretto Arnavutluk, Mitos Boyut, Istambul, 2016. Dramë

Secili çmendet simbas mënyrës së vet, Botimet Fishta, Tiranë, 2016. Roman, 1

Secili çmendet simbas mënyrës së vet, Botimet Fishta, Tiranë, 2017. Roman, 2

Trilogia Albanica, Editions L’espace d’un instant, Paris 2017. Drama

Secili çmendet simbas mënyrës së vet, Botimet Fishta. Tiranë, 2018. Roman, 3

Chacun s’affole à sa manière, roman. Meet, Paris, France 2018. Roman

Svako poludi na svoj nacin. Clio, Belgrade. Serbia, 2018. Roman

Cекој полудува на свој начин. Ars lamina. Скопје. Македонија, 2018. Roman

Laisse la porte ouverte. Në Zurih/Tiranë. MEET, France, 2018. Monodramë

Ognuno impazisce a modo suo. Lubrina Bramani. Itali, 2019. Roman

Teatri i pakryer 1. Rezna. Tetovë, 2020. Drama

Danimarka, toka jonë. Bardbooks. Prishtinë, 2020. Dramë

Svako poludi na svoj nacin. Nova Knjigs, Podgorica. Mali i Zi, 2020. Roman

Teatri i pakryer 2. Rezna. Tetovë, 2020. Monodrama

Skadarski karnevali. Biblioteka Mess. Sarajevë, 2020. Komedi

Mbyllur për pushime. Botimet Fishta. Tiranë, 2021. Roman.

Ese dhe studime

Fishta satirik, Universiteti i Shkodrës, 1995.

Prijës për gjeografinë dhe sociologjinë e letersisë shqipe, Hylli i Dritës, Tiranë 1997.

Letërsia e interpretuar, Albas, Tiranë 1998

Letërsia shqiptare 2. Sh. B. Librit Shkollor, 1998 (bashkautor)

Letërsia bashkëkohore shqiptare. Albas. Tiranë, 2003. (bashkautor)

I vetëm në Europë, Ombra GVG, Tiranë 2005

Estetika moderne, Sh.B Librit Universitar, Tiranë 2006.

Artet. SHB “Erik”, Tiranë, 2009. (bashkautor)

Libri i vogël i dramatikës, Sh. B Librit Universitar, Tiranë, 2011.

On Albanian Contemporary Art, QSA. Tiranë, 2014

Z.M.H dhe teatri ’30. Botimet Fishta, Tiranë 2015

Ars Albanica, Albass, Tiranë 2017

Sita estetike. Akademia e Shkencave. Tiranë, 2019

Një antologji e vogël e vdekjes. Botimet Fishta, Tiranë, 2020

Një antologji e vogël e jetës. Botimet Fishta, Tiranë, 2020

Imago & Verbum. Galleria Zeta, Tiranë, 2020.

Renzo Collura, një artist i humbur në Shqipëri. Botimet Fishta, Tiranë, 2020

Serafin Fanko. Felini i teatrit shqiptar. Botimet Fishta, Tiranë, 2021

Art in post-communist Albania. Lambert Academic Publishing. Berlin, 2021

Filed Under: LETERSI Tagged With: Stefan Capaliku

Tribut humbjes

September 28, 2021 by s p

Mbi romanin ‘’Mbyllur për pushime’’ të Stefan Çapalikut

Nga Gladiola Jorbus

Padyshim që luftërat kanë frymëzuar, ndikuar apo infektuar letërsinë, kinematografinë dhe krejt artin në përgjithësi. Ky i fundit duhet konsideruar një aleat për të kuptuar më mirë të djeshmen.

‘’Mbyllur për pushime’’, romani më i ri i Stefan Çapalikut transmeton fragmente nga Lufta e Dytë Botërore që nga dita e kapitullimit të Italisë, në shtator të vitit ‘43 deri në ardhjen e komunistëve në pushtet, në nëntor të vitit ’44. Vetvetiu në periudhat gjatë dhe post bellum evidentohen raportet midis kostos dhe fitores. Ana nga e cila zhvendoset peshorja, vulos fatin e jetës së njerëzve. Rëndom jemi mësuar të himnizojmë fituesit e të anashkalojmë humbësit. Por në të vërtetë, cili është fati i këtyre të fundit?! Me se përballen ata ?!

 Në sfondin e romanit, imazhet e dashurive të humbura, mungesa e të drejtës për të zgjedhur, privimi i lirisë, shpalosin kohën e zymtë (si stina e pambarimtë e shirave të Shkodrës),  por në të njëjtën kohë dhe vlera të mëdha që do të jetojnë  në zemrat dhe kujtimet e të dashuruarve, të humburve, miqve e armiqve.

 Portrete me valenca politike, historike e artistike, ngjyrosin peizazhin e luftës; fatet e personazheve kontrastohen nga dëshirat dhe synimet që spikasin për papërpuethshmërinë me atë që ofron koha historike, ideologjia apo vetë fakti i të qenit në momentin e gabuar, në vendin e gabuar.

Romani i Çapalikut është një ylber që shkëlqen përtej konfuzionit të një epoke gri, një dëshmi e brishtë që na pëshpërit se si, kundër të gjitha fatkeqësive, njeriu tenton të jetojë përtej asaj që imponon lufta, përtej jehonës së vdekjes, së disfatës a nënshtrimit, si një ngërç tronditës brenda të cilit duam të rrëmojmë, të qëmtojmë lojërat e dyfishta, emocionet e forta dhe të dhimbshme. Deri ku mund të arrijë fataliteti dhe çmenduria njerëzore?!

Personazhet dramatike janë ngatërruar në skemat mjeruese të jetës e kështu përpiqen të gdhendin këndin e tyre të qetësisë dhe të vërtetës. Ngjarjet në romanin ‘Mbyllur për pushime’ janë vendosur në boshtin Tiranë – Beograd – Shkodër. Vetë shkrimtari është shprehur se i intereson të merret me 

fatet e njerëzve që kanë jetuar epokën në një kontekst të gabuar, dhe jo faktet historike në vetvete. 

Çapaliku është medium i fjalës. Në krijimtarinë e tij artistike që përfshin zhanre letrare si poezia, proza, eseistika, dramaturgjia, fjala nuk ka assesi prirjen për të qenë një ndërgjegjje e vetme, një zë i vetëm. 

Teksti dhe konteksti historik nuk janë thjesht thelbi i ngurtë i fakteve që do të interpretohen, ndaj mbetet e nevojshme që fillimisht të konstatohen të dhënat e më pas të zhytemi në detin e interpretimit. Mesazhi lëshohet nga autori dhe merr një jetë më vete. Është e nevojshme që dhe lexuesi të endet në të njëjtin horizont interpretues, që mesazhi të mbërrijë tek ai deri diku i paprekur. Umberto Eco, në lidhje me teorinë hermeneutike të komunikimit, thekson se interpretimi i teksteve nënkupton kufij, ai nuk mund dhe nuk duhet të jetë plotësisht i lirë, por duhet të ndjekë qëllimin e autorit, kontekstin në të cilin u lëshua mesazhi, sistemin e domethënien, dhe kështu me radhë. 

Përmes talentit krijues autori mund të rrëfejë, denoncojë apo përshkruajë protagonistët e harruar, humbësit, viktimat. Ata shfaqen në apatinë e tyre, si spektatorë të brishtë të një drame që është vetë jeta e tyre; një dramë që frymon përmes pauzash herë të shkurtra e herë të gjata. 

Vepra fiction është skalitur si një procedurë kompozicionale që turbullon kufijtë midis “realitetit të të dështuarve” dhe të krijimit letrar, andaj për këtë arsye ofron një lojë pesimizmi, konfuzioni e kotësie. Përvoja e shfaqjes së humbjes dhe të pikëllimit te këta njerëz është kaq subjektive apo e veçantë. Kjo i bën ata që herë-herë të ndihen të izoluar apo të shkëputur nga bota. 

Meqenëse personazhet vuajnë humbje të një rëndësie vitale a esenciale, harku narrativ i historive të tyre jetësore paraqitet i fragmentizuar, si minidrama që tregojnë për betejat e jetuara, përmbushjen apo dështimin e sfidave dhe vlerësimin e ndjenjave e reagimeve. Stefan Çapaliku ka aktivizuar talentin e tij si shkrimtar e dramaturg për të shtrirë kufijtë dhe për të shqyrtuar temat e natyrës njerëzore. 

Si një dramaturg bashkëkohor, ai i ka eksploruar ato përmes një lenteje mirëkuptuese duke u shndërruar kështu, në një zë sa humanist, aq dhe të admiruar të shekullit XXI.

Filed Under: LETERSI Tagged With: ‘’Mbyllur për pushime", Gladiola Jorbus, Stefan Capaliku

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT