Në vitin 1978, fiks në 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Përzerenit, Kukësi u përmbyt me gjithçka; qyteti me arkitekturën identifikuese, me infrastrukturën, me puset, me zejtarinë, me bujqësinë gjysëm urbane, pemtarinë, me fshatnat e begatë… deri me çdo fije bari. Ah, zoti u faltë për krimin që batë: përmbytët nji kulturë, nji qytetnim. Zhvendosja e popullsisë së pellgut krijoi trysni në zonat më pak produktive duke e ba krejt krahinën të pajetueshme. Po, ani, atdheu ka pasë nevojë. Për ne nuk prish punë. U përmbytën përgjithnji edhe tri urat mesjatare: ajo e famshmja Ura e Vezirit, Ura ndërmjetme dhe ajo e Kullës së Lumës. Të urtët thonë se për asnji arsye Kukësi nuk duhej përmbytë. Për ne, prapë nuk prish punë, atdheu ashtu ka pasë nevojë dhe lumjanët, e japin sakrificën.
Mirëpo n’ato vite dhe pak ma parë, atdheu u ndodh n’rrezik dështimi, sepse drejtuesit e futën atë në rrethim, e ky rrethim, bllokadë siç keni dëgjue të thuhet, nuk mund të çahej me grunin e fushës. Bllokada do të çahej me bakrin dhe kromin e Kukësit dhe Tropojës. Dhe vetëm në Kukës (në atë kohë në Kukës bante pjesë edhe Hasi) punuen për vendin 18.000 minatorë, metalurgë etj. duke i dhanë Shqipnisë rreth 20% të prodhimit të përgjithshëm bruto në vit (burimet natyrore i njiheshin Kukësit si kontribut në GDP). Ani, hallall. Mjafton që vendi ti mbijetojë falimentimit.
Në të vërtetë, fillimisht u sakrfikue vetë emni i krahinës, Luma. Sepse siç duket, ky emën i kujtonte udhëheqjes kontributin për pavarësinë e Shqipnisë, pse n’at kohë Vlona vërtetë u ba ballkoni i flamurit, por Luma (bashkë me Hasin) i ndali pushtuesit serbë. Ju ndoshta keni harrue, por, pikërisht për kët arsye serbët u rikthyen nji vit ma vonë dhe e masakruen Lumën, të cilës nuk i doli zot kërkush. Në luftën e dytë Botnore krahina e Lumës, nuk u pajtue me internacionalizmin jugosllav që e la Kosovën nën Serbi, e për kët arsye shteti komunist, aty nga vitet ‘50 ia fshini eminin, e quejti Kukës. Krahina e Lumës apet bani përpara me dinjitet, sepse edhe ky emën i shkonte shumë mirë, me qytetin e hijshëm midis dy Drinave.
Viti 1999 ishte nji provë jo e vogël për Kukësin, pse me Kukësin lidhej fati i krejt shqiptarëve. Priti në shtëpinë e vet gjysëm milioni shqiptarë të dëbuem të Kosovës, ndau me to shtëpinë dhe zemrën, ndau me to solidaritetin. Bota u mahnit, dhe dërgoi vendimmarrës të mëdhenj që, në njifarë mënyre ta shpërblenin këtë komunitet me projekte dinjitoze, pra me investime. Mirëpo edhe në këtë rast hyn në mes shteti. Për meritën e Kukësit në atë kohë u investuen qindra milionë dollarë në rrethe të tjerë të vendit, po jo në Kukës.
Presidenti Klinton i dhuroi nominalisht Kukësit 10 milionë dollarë, me këto para do të bëhej rruga Kukës-Morin segmenti i parë i autostradës Durres-Kukës-Prishtinë, atë segment udhe, siç kishte nënvizue Klinton, të dëbuemit prej Kosove e kanë ba në kambë. Segmentit në fjalë iu vu edhe emni “Udha Klinton”. Por qeveria e asaj kohe 10 milion dollarët e Kukësit, i çoi diku tjetër, askush nuk e di me saktësi se ku. Kjo ka ndodhë nw vitin 2000.
Dikush nga OKB-ja e propozoi Kukësin për çmimin Nobel për paqë, por si gjithnji qeveria edhe atje e la vetëm. Megjithatë kandidimi mjafton. Për Kukësin nuk prish punë. Lumjanët menduen se tashma shteti nuk u bie në qafë, menduen se mafia qeveritare do ta lejojë me jetue në hallin e vet. Ia kishte marrë gjithçka deri atëherë, madje edhe meritat morale.
Por nuk ishte ashtu. Pasi iu turrën mineraleve që gjendeshin stoqe si dhe atyne lehtësisht të nxjerrëshme, iu përveshën punës për shterrimin e çdo burimi ujor duke përftue energji elektrike. Qeveritë e kanë sistemue kët punë në atë mënyrë sa asnji banor nuk mundet me ngritë zanin. Ujnat i kanë kthye në pasuni shtetnore, se, ashtu duhet. Ndërsa ish sipërfaqet pyjore, tashma të shkretueme, ua kanë dhanë vendorëve, pse aty nuk ka asgja për me i pëlqye dikujt me pushtet.
U mendue se Kuksianët mund të përdorin aeroportin, po edhe atij iu ba halli ende pa mësue me fluturu. Qe mendue se gjithsesi, shteti nuk ka me e lanë Kukësin me vdekë, pse ai jep kaq shumë në mirqenien e vendit. Por, jo. Llogaritë e drejta, e sidomos edhe të moralshme, dalin të gabueme. Nëntoka dhe mbitoka e kësaj krahine nuk asht pasuni e komunitetit por e qeverive, e si e tillë nuk llogaritet në kontributin e përgjithshëm të vendit.
Njerëzit e kuptuen kurthin e ekzistencës dhe nisën me lypë derman. Nji në tre banorë iku në Gjermani apo diku tjetër. Ikën mijëra familje në dëshpërim, ikën duke shitë edhe lopën e tamlit, ai që e ka pasë, ikën duke u ligshtue deri në johnim të identitetit. Ah, zoti ju faltë për krimin që keni ba, edhe në Gjermani nuk i latë rahat të shkretët. Udhëheqësit shkuen e i thanë (Gjermanisë), kthejini leckamanët sepse në Shqipni ka shtet demokratik.
Mendoni pak, nëse një rajoni ia merrni fushat pjellore dhe burimet e ujit, nëse një rajoni ia merrni edhe burimet minerare, e nëse një rajoni ia merrni edhe rrugët atëherë atë e keni ekzekutue. Kështu vazhdon me ndodhë me Kukësin. Shteti i ka marrë gjithçka, sepse i quen pasuni të shtetit, dhe shteti ia ka dhanë privatit. Nëse ky rajon jep shpirt, nëse ky rajon vdes, atëherë edhe rajone të tjerë të vendit do të vdesin me siguri dhe çdo kurrajë ka me qenë e vonueme. Imagjinojeni çka do të ndodhte me Vlonën apo me Durrësin t’ua hiqnim detin, apo Lushnjes t’ia mohonim fushën, do të shndërroheshin në shkretina. Duke ia përmbytë pellgun pjellor me tre lumenj të bukur e jetdhanës, Kukësit ia kanë heqë hisen e atdheut.
Në të vërtetë edhe deti asht pasuni shtetnore, por kush e ka shtëpinë në breg, ka ngritë hotelin, kurse në Lumë nuk lejohet me përfitue prej burimeve natyrore, nuk lejohet me kalue traun e doganës, nuk lejohet me përdorë aeroportin, nuk lejohet me përdorë autostradën, nuk lejohet me jetue… Dhe shteti, i ftohtë e shpesh edhe i pa edukuem, mbasi ia ka marrë Kukësit resurset e mundëshme, i thotë: ti nuk jep ma shumë se 2% të prodhimit të përgjithshëm bruto, prandaj nga buxheti nuk do të marrësh ma shumë se proporcioni i llogaritun.
Neni 11 i kushtetutës asht rrenë kur thotë se sistemi ekonomik bazohet edhe në pronën publike. Aktualisht 50% e popullsisë së Kukësit jeton me më pak se 5 dollarë në ditë për familje. Por nëse Kukësi do të përfitonte rentën minerare, e cila fshihet prej kompanive shfrytëzuese, nëse Kukësi do të përfitonte rentën energjitike, gja që duhet rregullue me ligj, do të jetonte në mirqenie normale si çdo rajon evropian.
Kukësi i jep vendit 600 MW energji elektrike/orë (nga këto rreth 80 MW hidrocentralet lokale private apo koncesionare mbi lumenjt e Kukesit që shteti i konsideron të shtetit); – e barabartë me 432 milionë euro në vit.
Rezervat e kromit (të zbuluar), vetëm në Kalimash, Surroj dhe Arrën shkojnë mbi 3 milionë tonë me pastërti deri në 38%, nikel silikat 100 milionë tonë, rezervat e bakrit nga 500 mijë deri në 1 milionë tonë, alumin 1 milionë tonë, rezerva pa fund kuarci, hekur silikat, oliviniti, gurë dekorativë e deri te mineralet kersantit, ortofir apo uranium etj.
Pra, Kukësi i jep shtetit kaq shumë të ardhuna, ia jep vendit këtë sakrificë. Kush pasunohet? Shpërngulja nga vendbanimet për ti lanë vend liqenit të Fierzës kurrë nuk mund të kompensohet me pagesë si fatura e një malli të zakonshëm, por vetëm me rentën e ligjshme sipas legjislacionit evropian. Asht thanë shpesh se familjeve të përmbytuna u asht pague shpia, toka në pronësi e prralla të tilla. Por, jo, toka tashma e përmbytun ka qenë nji burim i gjithmonshëm fitimi e jetese bashkë me lumenjtë që e kanë ushqye zonën – pellgun e Kukësit, bashkë me krejt fushat dhe luginat e freskëta. Mijëra vite njerëzit kanë jetue këtu pikërisht duke u mbështetë në këto burime jetdhanëse të cilat shteti i ktheu në burime drite, por duke vra të ardhmen e komunitetit përgjithnji.
Kukës, 05 Qershor 2018
_________________
Disa burime:
dr. Hamit Noka, Një guidë për Kukësin, T. 2004
Ali Domi, Rrethi i Kukwsit, T. 1980
wikipedia.org/wiki/
www.kqk.gov.al/en/node/611
Kangjelja e Damastionit, një alegori që të le pa fjalë
Nga Sulejman Dida/
Romani “Kangjelja e Damastionit” i autorit Rushit Ramabaja duhet të ket tërhequr vëmendjen e kritikës qysh kur është botuar në vitin 2009, por unë shpreh mangësinë që nuk më ka ra në dorë më herët. Sepse në morinë e librave që shkruhen sot, shumica e të cilëve të rëndomtë, ky roman përbën një vepër elitë të letrave shqipe pasi është shkruar me elegancë dhe mjeshtëri për tu patur zili. Për më tepër përmes çasjes diakronke të fatit tonë, jep një mesazh të qartë për mbijetesën në të ardhmen. Romani ka si nëntitull ndajshtimin: Apokrife për mbretëritë shqiptare. Me apokrife kuptojmë të vërtetat biblike që u ruajtën për një kohë të gjatë si mistere dhe asnjëherë nuk u bënë publike, janë letra me të vërteta që dhembin ose shkaktojnë ndryshim orjentimi e përmbysje venerimesh. Po sidoqoftë kjo është përdorur si një metaforë për krejt tregimin e ‘prrallës’ së jetës tonë në mijëra vite ku shpalos pretendimin e një djaloshi të soçëm për të ngritur, ose më mirë për të shpallur, një mbretëri në fshatin e vet, me dëshirën që ti bashkohet edhe ndonjë fshat i afërt, pikërisht në momentumin e një vakumi të presionit të sheklësve. Për mbretin pretendues nuk ka fare rëndësi tërësia si komb, për të luan rrol mbretëria në fshatin e vet, sepse prej nja dymijë apo tremijë vitesh, atij i vjen shumë tërheqëse jehona e mbetërive të dikurshme pellazge dhe ilire.
Vepruesit e romanit janë Djali i Kryeplakut dhe Çun Maloku, por edhe shumë të tjerë. I pari i hypur në një kal, ‘në shpinën e kalit brymës’ e i dyti në një gomar. Këta nisin aksionin e ‘shenjtë’ të shpalljes së mbetërisë së Damastinoit duke diskutuar edhe lementët që duhet të ket një mbretëri, me të gjitha takëmet, deri edhe te lufta me konkurrentët për vajzën më magjepse dhe harlistare që ndodhej në ato anë. Jehona rrëmujtare e pellazgëve të famshëm i vjen djaloshit krejt nëpër terr vetëm si energji e trashëguar, si një amanet i harruar në ‘adn’ e tij, por nga ana tjetër, mos na lashtë zoti pa njerëz të ditur, gjendet Mësuesi që shpalos krejt apokrifet e mbretërive pellazge dhe më vonë ato ilire, e më vonë akoma principatat e arbërve, e më vonë akoma fiset e veçuara si dhe më në fund një komb të hallakutur në mënyrën më të pabesueshme. Një komb tek i cili është vrarë ose është zhdukur dukuria e programacionit që duhet të karakterizojë komunitetet, veçmas ato të rrezikuar, një komb tek i cili ka humbur një nga shqisat që kanë qeniet e gjalla që ëshët nuhatja, një komb i cili është mpirë në përgjumje.
Djali i Kryeplakut dhe Çun Maloku ngjajnë aq shumë me heronjë kalorsiakë Don Kishoti e Sanço Panço. Kanë kalin dhe gomarin, ku sipas hierarkisë Djali i Kryeplaku hypën në kalë e tjetri në gomar, kanë plane, ndonëse planet e tyre nuk ngjajnë me ato të Donit që ishte një idealist dhe misionar i madh i të drejtës në botë, të cilin armët e vjetra e bënin qesharak, por është edhe Angjalina, një simbiozë apo bocet i dylqinjës së Donit e kështu me rradhë. Ndonëse ngjajnë aq shumë, kanë edhe dallimet e tyre themelore. Kishoti kishte një kauzë, ai luftonte për të vendosur drejtësi dhe rend në botë, ndërsa këta luftojnë kundër njëri-tjetrit në udhën e ngritjes së ‘mbretërisë’, e, as u shkon në mendje të luftojnë kundër pushtuesit, thjesht gjuajnë një dobësi të armikut për me ba hygjym e me ngritë mbretërinë në katund. Janë ndoshta porterti më real i shqiptarëve të soçëm, e ndoshta të gjithkohshëm. Eshtë mbreslënëse por edhe mjaft brengosëse thirrja, ah, burra bre, ulni hunjt. Sepse fiset shqiptaee desh po dalin fare duke luftuar kundër njëri-tjetrit me hunj. A nuk po dallohemi sot, ndër të tjera edhe si hunjtarë të zot?! Në një farë mënyrë i bie që të lëshojmë thirrjen: ah paralamentarë në Tiranë, Prishtinë e Shkup, pash njat Zot si u ka falë, ulni hunjt!
Vetëm kundër njëri-tjetrit shqiptarët kanë qenë të famshëm në ndeshjen me hunj, kundër huajit jo, sepse ose nuk ka pasë armë të mjaftueshme, ose paria kanë qenë të hamgjitur nëpër mejhane në net fajnore, ose kanë ba si gomari andërr, sepse kur po e hante ujku, gomari siç thonë mbylli sytë duke u lutur, ishalla jam në andërr, ose… Me një kulturë të habitshme Ramabaja shpalos ‘apokrifet’ e cubave të vjetër dhe perandorëve Emathiotë, të Hyllit dhe të zanave, të Hektorit dhe Akilit, të Filipit dhe Olimbisë, të Akesandrit dhe Roksanës e deri te Gjergji. Qysh në kohët e vjetra rraca jonë mori një ftohmë e asnjëherë nuk qemë në gjendje për udhë as deri te pragu etnik, te Molla e Kuqe që i tërheq gati gjithnjë vepruesit si një mirazh, por fisi jonë nuk ka gjunj me shkue te Molla.
Përpos historisë tonë të vjetër, imperatorive të Evropës, invazionit sllav etj. me një ironi të lakmueshme Ramabaja tregon se sa lehtësisht e kanë humbur davanë të parët tonë, siç po e humbim ne sot. E nga ana tjetër shpalos dukurinë gjermane të dominimit, dhe, admirimin e ndërsjelltë po ashtu.
Viktimizimi, masakrimi i pashembullt për faktin se nuk arrijmë më u ba bashkë, amatorizmi dhe mabicia për pushtet si dhe mungesa e dritës e çojnë një komb në shpërbërje të sigurtë. Emblemat e dikurshme, shenjat mbretërore dhe flaka e gjenisë krijuese e kanë humbur kuptimin simbolik e janë shndërruar tashmë në alegori. Herë-herë autori e ngre zërin në dhimbje, e lexuesi, si një fëmijë i bindet plakut që rrëfen. Sepse autori e ka të qartë faktin se lexuesi është mashtruar tej mase nga letërsia e mbulesës dhe mirazhit, autori e di që krejt letrat shqipe glorifikojnë trimërinë e shqiptarëve në shekuj, çka përbën një mashtrim gjigant, madje flagrant, edhe pse e ka humbë flagrancën me kohë. Sepse në të vërtetë shqiptarët janë aktualisht më të dobëtit në Evropë. Derisa ende nuk e pranojmë këtë gjendje, asnjëherë nuk nisim kah rimkëmbja. Të lexosh se shqiptarët janë të fortë dhe trima, ke lexuar një rrenë të hatashme. Ata as janë trima e as janë solidarë me familjen. Ata kanë heshtur ose kanë ba sikur nuk po ndodh asgja, kur në pjesë të ndryshme të territorit etnik bashkëkombasit janë masakruar nga serbët dhe më herët nga kush ka mundur. Dhe gabimisht në histori dhe letra të tjera është glorifikuar trimëria në vend që të glorifikohej mendja si fuqia e kombit. Sepse, siç e vumë në dukje, në roman është Mësuesi që ‘ndriçon’ me dritë të fortë tunelin e vetëdijës shqiptare. Dhe ja si bërtet ai duke portretizuar shqiptarin, e pra jo vetëm shqiptarin e soçëm: “A lufoti ai gjithnjë kur pa batrdinë e shkelësit mbi atdheun dhe kur dëgjoi klithmat e fëmijëve majë syngjisë tij? Ndonjëherë po, s’mund ta fshehim, veç jo rrallë ai, në vend se ta fsidonte barbarin te dera e shtëpisë, ia dha vrapit dhe vetëm kur kapërceu kufirin e mënzyrës u shtrua shesh e ia mori të qarës”. (f.41). Kështu pra, edhe lotët i kemi të shpifur, thotë më tej. Ne nuk mundëm kurrë të provojmë takatin tonë me të tjetët, por veç me njëni-tjetrin, ashtu si Haktori dhe Akli, të cilët ‘ndonëse ishin gjak mesvete, luftuan që ti hanin kokën shoqi-shoqit’.
Kangjelja e Damastionit është një roman që do të udhëtojë gjatë në kohë dhe hapësirë sepse është shkruar me një stil të lartë, me gjuhë lakonike dhe mjaft të pasur. Madje me një gjuhë të cilën Ramabaja e përdor me virtuozitet në sintakstë dhe fjalformim. Duke mos marrë përsipër ti caktoj vendin në letërsi, e konsideroj romanin e Ramabajës si një poemë me plot situata groteske dhe paradokse, me përshkrime mbreslënëse dhe me një ndërthurje të miteve, legjendave dhe brengës aktuale. Në shumë episode në duket se ndodhemi në një orë historie, por, me mënyrën se si e tregon atë, nxënsi ashtu si mësuesi, ‘mbetet pezull mbi akthin e vet’. Në fund dua të nënvozoj edhe këtë pasazh:
Mbas Hektorit dhe Akilit, si stërgjyshër që vijnë nga legjenda, “disa nga ata të mëvonshmit, ata që erdhën pasi kërcyem kohën mitike, i lëvizën epokat përsëmbari vertetë, që nga Leka i madh e deri te Gjergji. Shumica, megjithatë u bënë të famshëm vetëm kur qëlloi tu prijnë të huajve. Të vetët nuk ua kanë duruar lavdinë. Madje kur kanë luftuar për ta, në të shumtën o i kanë vrarë vetë, o i kanë lënë të digjen filli vetëm në zjarrin e betejës. Pse psh, Gjergj Elez Alisë iu desh të ngrihej nga shtrati mortor e me dhimbjet nëntëvjeçare të plagëve, fillikat vetëm të sfidonte Bajlozin? Ku ishin kryezotët e tjerë të Arbrit? … Apo shpresonin se Bajlozi do nginjej me motrën e Gjergjit e me shtrimin e krahinës së tij dhe se ata do ti linte të qetë?”. (f.42).
Ky roman të kënaq me bukurinë e gjuhës dhe fantazinë, po nga ana tjetër etnisë tonë të përgjumur i jep një thupër të fortë për ta sjellë në vete.
Kukës, 11.01.2016
DOBËSIA E SHQIPTARËVE DHE EKSPANSIONI MALAZES
Nga Sulejman DIDA/
“Krajl Nikolla i Malit të Zi” i autorit Ramiz Lushaj asht nji ese e thuktë me nota biografike të dinastëve të këtij vendi të vogël e ngacakeq, kryesisht në aspektin e ekspansionit kriminal që kanë zhvillue në dam të trojeve dhe etnisë shqiptare. Burimet historike tregojnë se gati 90 për qind e territorit të sotëm të Malit të Zi asht territor etnik shqiptar dhe se nji pjesë e madhe e popullisisë së rracës tonë asht likujdue fizikisht me vrasje dhe ekzekutime masive, asht dëbue me mënyra të ndryshme ndërsa pjesa e mbetun asht asimilue dhe sot thirren me mbiemnat e ngarkuem me sufiksat iç apo viç dhe trajtohen si muslimanë boshnjakë. Ekspansioni represiv kundër shqiptarëve asht ushtrue nga kush ka mundë, nga grekët, sllavët etj. dhe në këtë mes ka ndikuar pa dyshim edhe dobësia jonë si fis me tipare individualiste dhe spontaniteti si dhe nga mungesa e organizimit apo programacionit.
Sllavët sollën në territoret e sotme të Malit të Zi fillimisht një familje. Më pas e ndihmuen atë të shndrrohej në dinasti dhe të rritej në trupin tonë etnik, të ushqehej me gjakun e fisit tonë. Trojet shqiptare u sakrifikuen edhe për shkak të pazareve të Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane. Duke qenë në kufijt e dy përbinshave, kombi shqiptar u shtyp prej të dyve. Kurrë nuk mund tja kishin dalë Malazezët, po as serbët të mposhtin pjesë të kombit tonë nëse ndeshja mes tyne do të kishte qenë afërsisht e barabartë, ose të paktën ballëpërballë apo tek e fundit nji përballje vetëmpërvetëm. Përkundrazi, Mali i Zi pushtoi nji pjesë të territoreve tona në vitet ’70 dhe ‘80 të shekullit të XIX nën presionin e flotës ruse, asaj franceze etj. dhe me ndihmën ogurzezë të turqve osmanë.
Në përmbushjen e krimit ndaj shqiptarëve, sllavët e Ballkanit nuk harrojnë të shqiptojnë herë mbas here nji ligësi gati të çuditshme, hierarkinë e forcës së krimit. Ne jemi serbë, thonë malazezët, për me trembë shqiptarët e mbetun aty. Ndërsa vetë serbët thonë, ne jemi rusë, për me trembë shqiptarët në tansi. Ju do të lexoni në këtë tekst se kështu identifikoheshin organizatat kriminale malazeze në fund të shekullit XIX dhe në gjysmën e parë të shekullit XX që damtonin popullsinë e pambrojtur shqiptare. Malazezët e kthyen në moto vrasjen e shqiptarëve në dyqind vitet e fundit. Në kapitullin 18 të këtij libri lexojmë: “Princi nuk e pret malaziasin ndryshe, por me pyetjen: ku je, more trim, a preve mjaft koka të shqiptarëve?”. Njëjtë qenë indoktrinue edhe serbët, madje edhe serbët banorë të Kosovës. Njëjtë kanë vepruar qarqe të caktueme në Greqi kundër krahinës tonë çame etj. Njëjtë dëshmohen edhe sot
Ky asht nji libërth me penelata të shpejta, një oh në histori, një gotë me ujë i ftohtë që na shkund nga përgjumja. Nji libërth që na kujton se ekspansioni i Malit të Zi vijon sot e kësaj dite dhe që fatalisht udhëhiqet nga drejtuesit e shtetit apo principatës. Për me i kuptue ma qartë e ma thellë rrethanat kërcënuese, për me pa ma kthjelltë rrezikun që na kanoset, duhen ndërmarrë përpjekje ma serioze për botime ma të plota të kësaj teme. Kjo do të ishte nji sipërmarrje e vështirë, por nga ana tjetër asht e domosdoshme që ne ta kuptojmë se jemi humbës të mëdhenj në këto troje, dhe se nuk ban me u heqë sikur nuk po ndodh asgja.
Në fund due me pru në vëmendje mesazhin e një tregimi që ma tha para do kohësh nji rozhajas kur ishte fjala për relacionet shqiptaro-malazeze atje. Ferra i tha hardhisë, a të fle nji natë këtu prane teje, sepse nuk kam ku të pushoj? Po, moj ferrë, pse jo, rri sonte se nuk bahet nami, tha hardhia. Të nesërmen ferra i drejtoi të njatën lutje me kalue natën aty afras. Lutja e ferrës u përsërit edhe ditën e tretë, e hardhia pranoi. Ditën e katërt ferra nuk i merr leje hardhisë por po qëndron si në truallin e vet. Kështu hyn grindja mes tyne derisa thirrën një gjykatës. Shikoji kush i ka rrënjët më thella dhe vendos, i kujt është trualli, tha ferra. Dhe në të vërtetë ferra i kishte depërtuar rrënjët aq thellë sa fitoi prej gjykatësit autoktoni mbi truallin që kishte zaptue. Mbas do kohësh ferra e mbështolli trupin e hadhisë derisa kjo ra e vdiq.
*Studiues, gazetar, poet
SHKURTORE DREJT PUSHTETIT OSE REVOLUCIONI I CUBAVE
Nga Sulejman Dida/*
Në qershorin e vitit 2014, ndërsa ndodhesha në panairin e librit shqip në Prishtinë për një reportazh për TVSH, më bëri përshtypje dyndja e njerëzve në rradhë bukur të gjatë në pavionin e entit botues “Koha”. Rradhë si ato të qumëshit dikurë në qytetet tona (në Shqipëri). Çfarë shitet këtu, nuk e marr vesh përse shtyheni, pyeta dikë në rradhë. Libri i Vetonit shitet, libri “Kambët e Gjarpnit”, por duhet me hy në rradhë sepse nuk ka për të gjithë, tha. Këtu ka dhjetra mijë tituj librash e nuk e kuptoj pse u dashka me ble vetëm “Këmbët…”, thashë, si vetmevete dhe futa dikë si mik të ma siguronte një kopje. Ka shkrue të vërtetën, mor zotni, ka shkrue të vërtetën për Kosovën, kjo më duhet, nuk më duhen shkresurina që na mashtrojnë, tha një zë tjetër nga “radha”.
Më në fund del dikush që i thotë gjërat hapur në mënyrën krijuese dhe shkencore, në mënyrën më elitare të mundëshme. Ka prekur tabutë të cilat ndër shqiptarë nuk është se preken shumë lehtë qysh mbas Faik Konicës. Ka marrë në analizë ish kryeministrin Hashim Thaçi dhe disa nga shokët e tij duke i shikuar nga aspekti i formimit dhe predispozicionit të shfaqur, por mbi të gjithë duke i vlerësuar mbi atë se si kanë vepruar drejt pushtetit dhe me pushtetin. Zoti Surroi merret me emra konkretë por aq thellë e analizon objektin sa, mendoj se përbën një traktat mbi dukurinë e gjithmonëshme të aksidentalizmit që na karakterizon. Duke mos qenë shumë të pasur në arritje ushtarake, aq më pak në rrezistencë apo, larg qoftë në ekspansion, është në tiparin tonë gati biologjik të ngremë tabu, siç ishte edhe rasti i UÇK-s, (ngjashëm me partizanët shqiptarë të luftës së Dytë Botërore) me anatominë e të cilës nuk guxon të merret askush. Por zoti Surroi merret me të, madje merret me objektivizëm të admirueshëm, glorifikon sigurisht përpjekjet e djemve që vunë jetën në shërbim të çlirimit por nuk bie në foklorizëm, e madje është demontues i propagandës grandomane. Surroi merret me persona tabu por edhe me tema tabu. Me përpjekjet për ndërtimin e ushtrisë nën komandën supreme të Rugovës dhe me shkatërrimin e saj prej moskonseguencës së vetë shqiptarëve. Merret me flamurin e shtetit të Kosovës, medemek imitim i flamurit të BE-së, por që siç thotë Surroi, del në të vërtetë një kompozim joestetik, një rrenë me bisht edhe në aspektin simbolik që përfaqëson komunitetet përbërëse të Kosovës. Sepse nuk janë themelorë në numër pesë nacionalitete në Kosovë. Himni i flamurit, himni i Kosovës, të le pa fjalë. Një himn që shpreh shpirtin memec, shpirtin e pafjalë.
Aksidentalizmi si vetvrasje. Duket se shqiptarët i ka shoqëruar, në të paktën dymijë vitet e fundit, dukuria fatale e aksidentalizmit. Mundet që kjo dukuri ndodh te popujt me tipare dominuese të spontanitetit dhe individualizmit, që siç thonë studiuesit, janë karakteristika tonat. Surroi argumenton se periudha “gjatë dhe pas luftës së Kosovës” u karakterizua pikërisht nga aksidentalizmi ku njerëz pa histori, e ndoshta pa ideale të formuluara politike, morën pushtetin në mënyrë aksidentale dhe po ashtu e drejtuan atë duke shkelur apo kapërcyer etapat evolucioniste që shqiptarët kishin krijuar me shumë përpjekje.
Ashtu si komunistët e Shqipërisë (1944) të cilët sapo erdhën në pushtet fshinë çdo arritje të deriatëhershme në përvojën shtetndërtuese, edhe drejtuesit e rinj të Kosovës zgjodhën udhën e shkurtër, një shkurtore siç thotë Surroi, dhe fshinë çdo arritje të shënuar gjatë perudhës së funksionimit të shtetit paralel që ndërtuan shqiptarët e Kosovës me Rugovën në vitet 90 ku, gjithsesi u mbajt gjallë arsimi edhe pse në ambjente jo shumnë të mira, u mbajt gjallë shëndetësia etj. Ishte një periudhë kur shqiptarët konsumuan para botës, por edhe para vetvetes opcionin e joluftës, vendimtar në njohjen ndërkombëtare të çështjes shqiptare. Dhe ndoshta ishte nga arritjet më të mira dhe konkrete që kanë shënuar shqiptarët ndonjëherë. Lufta dhe jolufta janë nocione të diskutueshme edhe sot e kësaj dite sepse qeveritarët që pretendojnë se e çliruan Kosovën, në të vërtetë nuk u futën në Kosovë si të tillë, pra si çlirimtarë sepse nuk qenë ata që e mundën Serbinë (ajo nuk u mund asnjëherë), që e larguan prej Kosove, pra nuk qenë vendimmarrës, ndonëse ishin faktor shumë i rëndësishëm. Mirëpo me instalimin e pushtetit dhe rrjetit të shërbimit, me uzurpimin e kanaleve të informimit publik ndodh fabrikimi i ndodhive. Autori Surroi konstaton se “nuk është edhe gjithaq me rëndësi se çka ndodhi por ajo çka flitet e shkruhet se ndodhi”, (f.25). A nuk e falsifikoi edhe Enver Hoxha historinë e luftës së Dytë Botërore, e cila për ironi të fatit tonë quhej edhe Nacional-Çlirimtare, pra çlirimi i kombit? A nuk hiqej pikërisht ai, pra Hoxha si themelues i PKSH-s kur as kishte qenë të paktën i pranishëm? A nuk hiqej si luftëtar i frontit të luftës kur nuk kishte marrë pjesë asnjë ditë? Shqiptarët e kanë mësuar në tekstet e historisë se qenë brigadat partizane që e përzunë gjermanin, edhe pse patën rrol në këtë, kur në të vërtetë gjermanin e mundi Boshti? Njëjtë, majtistët pretenduan se qenë ata që e çliruan Kosovën, ku pa dyshim që kishin rrol, por çlirimi erdhi nga NATO. Menjëherë mbas luftës Dytë Botërore komunistët në Shqipëri iu vunë zhbërjes së çdo arritjeje të deriatëhershme, shtetëzimit të pasurive private dhe të gjithçkaje tjetër, ngjashëm vepruan majtistët në Kosovë, me ndryshimet që sugjeron epoka e sotme pa dyshim, synuan menjëherë pronat publike, shitën lirë, siç argumenton autori Surroi, asetet-pasurinë e përbashkët, dhe, përkitazi me shprehjen e njohur sipas të cilës politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë, e ndërtuan më miri atë, jo për shtetin por, siç tregon me kurrajë autori, për klanet e caktuara.
Uzurpuesit e pushtetit fabrikojnë ngjarjet e luftës, ribëjnë në mënyrën më amatore “historinë”, sepse kështu legjitimohet demolimi i demokracisë dhe instalimi i elitave aksidentale në krye të shtetit. Dhe arrijnë të ndërtojnë një hajni profesionale, por nga ana tjetër një poltikë amatore që vazhdimisht del humbëse në çdo ballafaqim negociator.
Kastat e ndryshme apo klane të fuqishëm të formuar kohët e fundit, me qasje të rralla i ndihmojnë zhvillimit të vendit, ndonëse të tillë siç janë këta, koha ka me i lanë prapa. Por fatkeqësisht një kohë edhe më e keqe se kjo e sotmja, sepse idealistët, të diturit dhe intelektualët po shtypen me nevojën e mbijetesës dhe asnjë program shpëtimi nuk duket në horizont.
Hajdutët e pasurive publike nuk mund të formulojnë qëllime fisnike. Hajdutët, edhe nëse e futin krejt botën në dorë, mendojnë prapë për zaptime të radhës. Demokracia? Nëse kjo është diçka e zaptueshme atëherë është një gjë e mirë. Dhe në të vërtetë e arrijnë, e arrijnë duke injoruar çdo element të së drejtës dhe duke mos përfillur asnjë parim moral. Kështu kastat apo klanet e ndryshëm kanë ndërtuar sistemin e pacënueshmërisë mbi mohimin total të barazisë para ligjit, mbi mohimin total të aspiratës së ngritur me shumë breza, mbi mohimin total të çdo arritje njerzore e natyrore.
Vulgarët e fuqishëm tashmë nuk janë anonimë apo ilegalë, por pjesë e shtetit. Ata i paraqesin qëllimet e tyre specifike si aspirata të përgjithshme, dhe konkurrojnë, mbasi e kanë siguruar blerjen e fitores. Ata të cilët, në vend që të dërgoheshin në burg për vepra kriminale, zënë karriget e paramentit e madje bëhen edhe ministra.
Si mund të mbështeten persona të tillë që, duke u ndodhur në krye të shtetit nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë lakminë e ulët për pasuri, që nuk janë të gatshëm madje të sakrifikojnë edhe jetën e tyre në favor të interesave superiore nacionale?
Në vitin ’99, por edhe një vit më herët si dhe pas vitit ’99, kuptohet, persona egoistë dhe pa histori të mjaftueshme po se po, iu dorëzuan tundimit për dominim personal dhe bënë përpjekje përtej çdo morali për të maksimalizuar pozitën individuale duke u kamufluar me qëllimet e natyrshme të kombit, kur në të vërtetë e dëmtuan këtë të fundit në aspektet më sublime.
Nuk qëndron fakti që shqiptarët fituan luftën me Serbinë. Fitorja do të përmbante tjetër prestigj. Fituesi vendos kompetencat supreme ndërsa i munduri dorëzohet pa kushte. Ashtu si në jetën e egër, kombi shqiptar ishte kafshuar dhe po jepte shpirt, por u shpëtua, dhe ashtu shumë i lënduar vijon të përpëlitet për tu ngritë në këmbë. Serbia, edhe po të shporrej prej Kosove duke u mundur nga ushtria e Kosovës, serbët thjesht do të ktheheshin në shtëpinë e tyre, por pa humbje, sepse nuk është ndonjë humbje dramatike të mos jesh pushtues i një kombi tjetër. Populli do të thoshte, Serbia iku prej Kosove, e theu qafën, por kjo nuk do të thoshte se Serbia u mund, sepse edhe ashtu ajo ende mban shumë territore shqiptare.
Mosfunksionimi i Shqipërisë dhe i Kosovës ka pa dyshim edhe arsye objektive. Si mund të funksionojë një shtet i cunguar? Ashtu si një organizëm i gjallë i cili nuk mund të funksionojë normal përveçse i plotë e jo i copëtuar, ashtu edhe kombet lëngojnë nëse ata i përshkon gërshëra duke ia pre arteriet kryesore që duhej ti jepnin energji gjithë njësisë.
Ne vetë nuk jemi për ne. Në vitin ’99 Tirana zyrtare kërkoi vendosjen e trupave të NATO-s në kufirin Shqipëri-Kosovë, gjë që po të ndodhte, do të ishte futja në thertore e gjysmës së kombit. Fillimisht futja në geto, por me kalimin e kohës në thertore për asgjësim. Nuk është e vështirë të kuptohet se pas likujdimit të njërës, Serbia shumë lehtë do ta kishte me gjysmën tjetër, ashtu si prralla Dy Qetë dhe Ujku (së pari i përçau e pastaj i kullufiti njërin pas tjetrit).
Atë që bënë nazistët me bashkimin e trojeve shqiptare, e shpërbënë vetë shqiptarët duke rënë në kurthin që, midis dy të këqiave të zgjedhin të keqen më të madhe. Pra zgjodhën të qëndronin me serbët, nën pushtim pjesërisht dhe nën diktat teresisht.
Mbas luftës së Dytë Botërore nuk bëhej fjalë më për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, por mund të punohej, siç edhe ndodhi, për ndërtimin e projektit të shtetit të Kosovës, ve në dukje autori Surroi.
Por me arritjen e një caku politik, të dhemb fakti se në vend që të instalohej demokracia, ajo thjesht u përdor. Në demokracinë shqiptare, dmth, në Kosovë dhe në Shqpëri, ka ndodhur përdorimi i krejt sistemit demokratik, përdorimi i shtetit në funksion të pasurimit dhe fuqizimit personal. Në platformat e deklamuara që në krye të herës, po të shohim me vëmendje, janë pikërisht qëllimet personale që na janë shitur si qëllime tonat, si qëllime të shoqërisë shqiptare. Liderët tanë të fabrikuar jo vetëm që kanë krijuar distancë me masat, me njerëzit që vunë besimin e sinqertë për ti bërë liderë të shtetit, por i sfidojnë e i ofendojnë ato me arrogancën e një banditi pushtues duke ecur nëpër mjedise publike me suita të armatosura.
Në faqen 118 të librit “Këmbët e Gjarprit”, lexojmë: “Qeverisja e Hashim Thaçit, i quajtur Gjarpëri, nuk ka të bëjë gjë as me të majtën socialdemokrate as me të djathtën konservatore eurpiane, as me komunistët – ka të bëjë me cubat. Cubat e ndalin kalimtarin, qerren me mall, çobanin me bagëti dhe kërkojnë një pjesë të pronës si shpërblim për leje kalimi”.
Përpjekja për të ndërtuar një komb kosovar, është një përpjekje që e bën të pjestueshëm njësinë kombëtare shqiptare duke e thjeshtëzuar deri në zerim, pra deri në zhbërje. Ligjvënësit e sotëm, qeveritarët, megjithë mungesën problematike të informimit, ndjehen prapëseprapë kompetentë. Taborret e sistemit të drejtësisë ngërthehen imponues në motivimin e krimit të përmbushur prej tyre. Dhe vjen konstatimi i drejtë se ne kemi një drejtësi të dështuar, sepse nuk është se u përpoç dikush ta ndërtojë atë. Nëse do të kishim përpjekje për ta ndërtuar ngrehinën e drejtësisë, ku janë martirët e këtij misoni? Në të vërtetë ka ndodhur ngritja e truprojës së krimit, taborre që marrin në mbrojtje grabitësist e pasurisë kombëtare, vrasësist e shumfishtë dhe përdhuneusit. Absolutizmi i kësaj kaste nuk mbështetet në rregulla apo në ligje, por në forcën e errët, në parimet e frikshme të bandave.
Kur u lirua Kosova, shqiptarët u hutuan dhe e lanë Mitrovicën jashtë vëmendjes. Sepse u hutuan nga liria. Edhe UÇK-ja u hutua, nëse ka qenë ndonjëherë e kthjellët. Shqiptarët u hutuan edhe kur bënë flamurin, kur bënë bisedimet me Beogradin për Mitrovicën e kështu me rradhë, ashtu siç pat ndodhë në vitet e luftës së Dytë Botërore. Surroi thotë se nga të paktat gjana që i kemi, hutimi do të ket qenë autokton (f.62).
Prandaj lindin pyetje që dhembin fort: nuk u besuan profesionistëve në luftë, sepse u hutuan?, e votuan Gjykatën Speciale sepse nuk e dinin se çka ishte, sepse ishin të hutuar?! A ishte një ushtri UÇK-ja? Nëse po, përse u la në baltë Adem Jasharri? Ky i fundit a ishte vërtetë komandant, pra a kishte një ushtri që e komandonte dhe, a ishte vërtetë komandant legjendar?! Cila ishte ushtria me të cilën ai e mbajti frontin, shtëpinë e vet disa ditë përveç fëmijëve të tij?! Dhe përse ai i sakrifikoi fëmijët e vet, kush ka të drejtë ta bëjë një gjë të ngjashme?!
Kombet që synojnë prosperitetin e jo thjesht mbijetesën synojnë të përfqësohen me maksimumin në raportet me të tjerët dhe për këtë bien dakrot të gjitha palët, i gjithë faktori i brendshëm. Por me ne ndodh e kundërta, ne jemi përfaqësuar gati gjithmonë nga joprofesionistët. Në politikën e sotme mungesa e profesionalizmit duket pothuajse në çdo aspket. Le të marrin rastin e politikës së jashtme. Njohja e Republikës ë Kosovës është edhe sot e kësaj dite në rend të ditës, pra një shqetësim që rri në sirtar. Në librin “Këmbët e gjarpërit” Surroi thotë se lobimi që shtetet arabe ta njohin Kosovën iu la Izraelit. Dhe njohjet nuk ndodhin. Gjithkush që ka informacion të përgjithshëm mbi atë se çfarë raportesh mospajtimi kanë mes tyre izraelitët dhe arabët, e kupton se këtu kemi të bëjmë me veprim joprofesional në mos kundërshqiptar.
Në e dëgjojmë shpesh në media termin klasë politike. Por shqiptarët, si në Tiranë, si në Prishtinë apo Shkup nuk kanë klasë politike, ndonëse nuk mungojnë politikanët. E si mund të quhen si pjesë e “klasës politike” njerëz që, kur shkarkohen apo u mbaron mandati i një funksioni në qeveri si ministër etj. emërohen në detyra drejtuese në digastere për të cilat nuk kanë informacion se ekziston? Surroi thotë në libër se qeveritarët nuk e dinë se çka don me thanë politikë, dhe nuk e dinë se ka edhe të jashtme.
Të ndodhur në kushte inferiore dhe në rrezik zhbërje, shqiptarët kanë pranuar gati gjithmonë rekomandimet e huaja, thelbi i të cilave ka qenë, Demokracia apo Stabiliteti. Sepse gati gjithnjë shqiptarët vetsakrifikohen në emër të medemek stabilitetit. Po përse të sakrifkohet demokracia kur mund të ndërtohen që të dyja, pra demokracia por edhe stabiliteti?! Përse të huajt vijnë me ogur të keq për demokracinë kur vjen puna për shqiptarët? A nuk rrezikohet stabiliteti pikërisht edhe për faktin se trojet shqiptare nuk janë bashkë? Sepse kështu po rrezikohet diçka e shenjtë dhe madhore, por jo stabiliteti. Po rrezikohet rraca shqiptare. Sepse nuk kemi një platformë mbijetese. Lexoni elaboratin e nobelistit serb nga Bosnja Ivo Andriç, për zhdukjen e shqiptarëve (The Voice of Truth, dhjetor 2014, NJ USA), lexoni platformat e Çubrilloviqit për shpërnguljet e shqiptarëve (libri Vaso Çubrilloviq“Shërngulja e shqiptarëve”, T.2015)… pra të tjerët kanë platforma asgjësimi për ne, po ne a kemi platforma mbijetese?! Sigurisht që jo, madje ne, çdo përpjkje idealistësh për çështje sublime të mbijetesës si komb e sabotojmë duke llapur me të tjerët. Këtej, del në dritë edhe një rrenë e madhe që e kemi ndërtuar vetë: që ne jemi popull miqsor. Ishim vërtetë miqësorë me të tjerët dhe vijojmë me qenë të tillë, apo ishim dhe jemi të dobët në raport me to?! Kjo rrenë po na nxjerr të zbuluar.
Ne jëmi bërë të pandjeshëm. Masakrohet një pjesë e fisit ndërsa pjesët e tjera dehen me birrë sikur të mos ket ndodhur asgjë. Siç e cekëm pak më sipër, jemi bërë si ai organizmi me nerva jofunksionalë që, nëse e pret diku në një pjesë të trupit, pjesa tjetër nuk e ndjen fare.
Nuk është vetëm Mitrovica. Janë plot territore dhe komunitete etnike tonat që masakrohen, siç ndodhi pak ditë më parë në Kumanovë. Por le të marrim si shembull Mitrovicën. A ishte në thelb të dokumentit, më saktë të hatrit të Ahtisarit që serbët të kenë një garanci, por jo garanci territoriale? A po shihni si po ndodh sot në terren? Shihni pak mbarapa çka thotë Ahtisari dhe sa lëshime kanë bërë shqiptarët mbas tij.
Shqiptarët, duke pranuar në krye të shtetit njerëzit më pak profesionistë, asnjëherë nuk kanë qenë kompetentë për të vendosur kushte. Kompetenca buron edhe nga informacioni. Dokumenta të rëndësishëm ndërkombëtar i kanë nënshkruar pa e ditur se çka përmban. (f.165) Shqiptarët ashtu vepruan gjatë luftës së Dytë Botërore. Nënshkruan marrveshje humbëse me jugosllavët, u bashkuan me serbët pa e ditur se çfarë genocidi do të pësonin banorët shqiptarë prej serbëve që në mënyrë fatale u quajtën miq, madje më keq akoma, vëllezër. Sepse shqiptarët menduan se u rrjeshtuan me fituesit, madje edhe sot ashtu mendojnë, me fituesit e luftës po, por pa ndonjë fitore, përkundrazi me humbjen më të madhe në krejt historinë e tyre. Në të vërtetë të gjithë të tjerët mund të ishin fitues, por shqiptarët dolën humbësit tragjikë, e ndoshta tragjikomikë sepse ndihmuan në theqafjen e vet duke u rrjeshtuar me fituesit ndaj të cilëve shpalli armiqësinë shumë shpejt. Pra në mënyrë tragjikomike Republika e Shqipërisë, jo Shqipëria (me Kosovën etj), u rrjeshtua në anën e fituesve armiq. Nga ajo luftë shqiptarët dolën plotësisht të dështuar, megjithë propagandën se u rrjeshtua me fituesit, propagandë që për fat të keq vazhdon edhe sot. Sepse as atëherë e as sot nuk ka një vetëdijë të formuar.
Në librin e vet Surroi parashikoi sjelljen e ardhëshme të parlamentit të Kosovës, kuptohet që më herët edhe të qeverisë lidhur me Gjykatën e krimeve të luftës, pra atë që quhet speciale. Sepse për fat të keq nuk është në pyetje emri apo emrat e personave, por është në pyetje dinjiteti i popullit shqiptar, prestigji i shtetit të ri. Sepse nëpër botë do të shkruhet: si ta njohim një shtet të ngritur nga njerëz të inkriminuar? Udhëheqësit e sotëm, të ndodhur në siklet e ndoshta në kolizion, u bëjnë thirrje shqiptarëve: ‘blini këtë mall sepse është jashtëzakonisht i keq për ju’. (f.162) Nga ana tjetër, shumë njerëz mendojnë se kjo është një zgjidhje që e ka sjellë zoti në momentet kur një klasë jo prefesioniste po ngrihet me shpatë kundër cilitdo zë kundërshtues, edhe pse mund të ket të drejtë. Një trupë sikur të kishte zbritur nga qielli ‘për të gjykuar ata që janë bërë të paprekshëm nga gjykatat vendore’. (f.164)
Një nga aspektet më trishtuese për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë etj. është përceptimi depresiv i udhës tonë, i të ardhmes. Zoti Surroi nënvizon jo pa dhimbje se për shumkë perspektiva e afërt është e paqartë por shpresdhënëse, për shumë të tjerë është jo vetëm e paqartë por edhe e pashpresë. Për autorin Surroi është krejt e qartë hipoteka aspak dinjitoze e së ardhmes. Ai si njohës i thellë i udhës së Kosovës në dy-tri dekadat e fundit ku ka qenë edhe protagonist, e parashikon me saktësi atë që do të ndodhë ose atë që nuk do të ndodhë. Profecia ka nisë të vërtetohet qysh me zhagitjen gjashtmujore të rotacionit politik mbas zgjedhje të fundit në Kosovë.
Veton Surroi, ndoshta pa e patur qëllim në vetvete, ka bërë skanerin e situatës dëshpëruese shqiptare, kësaj lëngate të gjatë. Eshtë një traktat me shtrirje të gjithanëshme sepse ka dëshmuar shkaqet përse në shqiptarët jemi humbës. Ai ka analizuar Kosovën por gjendja është e njëjtë në mjediset shqiptare kudo, pra, përse ne shqiptarët jemi humbës, madje humbës të mëdhenj në raport me kombet fqinjë. Ka treguar se ne jemi sjellë me politikën vazhdimisht si amatorë dhe gati asnjëherë nuk kemi ndjekur evolucionin por kemi përmbysur vlera me revolucion.
Arritja e epokës së Rugovës ishte rezultat evolutiv. Por cubat nuk presin evolucionin, ata preferojnë revolucionin, e, duke mos qenë të aftë për të, aplikojnë pritën dhe plaçkën, zaptimin dhe pritën njiohësisht, prenë dhe jo produktin e mundimit me djersë.
UÇK-ja, praktikisht organizatat majtiste shfrytëzuan arritjen e Rugovës, që ishte njohja ndërkombëtare e problemit shqiptar. Politka e Rugovës ishte pjekur, ishte një autostradë e shtruar tashmë ku në vend të parakalimeve me bukë dhe me parrulla duhej të marshonte një ushtri që tregon dhëmbët. Por kjo nuk ndodhi. Kështu del në skenë grupimi i majtë dhe korr frutat, por nuk bëri edhe luftën, thjesht korri frutat.
Kur shtetet drejtohen nga joprofesionistët, viktima e parë është sistemi demokratik. Sepse hajdutëve, psh, nuk u intereson demokracia por pushteti. Ndër shqiptarët tashmë ka vdekur idealizmi. Zyrtarët veprojnë me kanune cubash, jo me ligje.
E shfrytëzova librin”Këmbët e gjarpërit”, botim i cili përbën një cak civilizues në tërësi dhe në kurrajon intelektuale në veçanti, për të folur edhe për situatën politike etj. në Republikën e Shqipërisë, madje jo vetëm kaq por edhe për udhën e mundimëshme të saj në shekullin XX dhe në vazhdim. Sepse ky libër, nëpërmjet përshkrimit të metodave të marrjes së pushtetit të një grupi drejtuesish konkretë në Kosovë, vlen të perifrazohet edhe për Shqipërinë. Sepse ajo që po ndodh në Kosovë është pak a shumë, rezultat i pafuqisë apo i pakompetencës, i neglizhencës së vetë kësaj Shqipërie. Një nga qëndrimet fatale, vetvrasëse ka qenë dhe mbetet konsiderimi i Kosovës si një problem thjesht kosovar dhe jo si problem shqiptar. Kombet e tjerë, sigurisht që nuk e shohin këtë si qëndrim civilizues, por si ligësi. Me qëndrime të tilla është e sigurtë që nuk bëjmë miq, e sa për armiqtë, edhe ashtu nuk na mungojnë.
Por shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë dhe kudo nuk duhet ti humbin shpresat sepse në mesin tonë ka programatorë të mëdhenj, terapeutistë të politikës që japin të vërtetën. Madje as u bëhet vonë se kush dhe çfarë pëlqen, por japin të vertetën, shtrojnë pltaforma dhe dëshmojnë shpirtin kohës. E ky pra është Veton Surroi me shënimet heretike “Këmbët e Gjarprit”.
*(Për librin “Këmbët e gjarprit” të autorit Veton Surroi)
Kukës, 10 qershor 2015
10 KALORËSIT E PAVARËSISË MARSHOJNË DREJT VLORËS
Dhjetë kalorës, mes tyre edhe një vajzë që e thërrasin “Shotë”,te merkuren me 21 Nentor, kanë kaluar doganën e Morinit /
Nga Sulejman Dida/
Dhjetë kalorës janë nisur nga Kosova drejt Vlorës si 100 vjet më parë. Një mënyrë kjo për të kujtuar delegacionin me në krye Isa Boletinin, që u nis të merrte pjesë në ngjarjen historike. Flamurtari i grupit, Artan Nikiqi, tregon se grumbullimi është bërë në Prishtinë ditën e martë, ndërsa dje kanë marrë rrugën në orën 06.00 të mëngjesit. “Jemi nisur në mëngjes herët nga Prishtina, në drekë kemi bërë një pushim në shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit e bujtjen do ta bëjmë në Kukës”, thotë Artani duke shtuar se gjithçka është programuar deri në detaje për të mbërritur në datën 28 Nëntor në Sheshin e Flamurit në Vlorë. Në ditën e parë, “kalorësit e pavarësisë” kanë përshkuar rreth 120 kilometra nga Prishtina në Kukës, ndërsa qindra kilometra të tjera do të përshkohen në ditët në vijim. Enver Raça nga Prishtina (Obiliqi) thotë se në përbërje të grupit janë përfaqësues nga krahinat kryesore të Kosovës, Mitrovica, Karadaku, Rrafshi i Dukagjinit, etj., dhe se pranimi në grupin e kalorësve nuk ka qenë një detyrë e lehtë. “Kemi nisur përgatitjet pesë apo gjashtë muaj më herët dhe janë pranuar vetëm personat që dinë të kalërojnë, që janë të fortë dhe që i shkojnë me të vërtetë një delegacioni si atë kohë”, thotë Raca. Itinerari i udhëtimit nuk është nëpërmjet tunelit, por rrugës së vjetër nga Puka, gjithkund në gjurmën ku eci Isa Boletini me delegacionin e Kosovës 100 vite më parë. Ata do të kalojnë malet e Kalimashit, të Shën Mërisë, të Gdheshtës e Qafës së Malit e kështu me radhë. Në ndalesën e tyre të shkurtër në doganën e Morinit, një vajzë emigrante nga Zvicra, të cilën e thërrasin Shotë (në kujtim të Shote Galicës) bën në emrin e tyre formalitetet e duhura doganore. Një prej tyre thotë: “Ah, çou bre baca Isë, çou bre baca Isamil Qemali dhe ti Hasan Prishtina”. Iniciativën private të këtij grupi kalorësish e ka mbështetur një fermë private kuajsh hipizmi në afërsi të Prishtinës, si dhe një agjenci kosovare e turizmit alternativ.(Kortezi-Shqip)