Ne vend të një letre të hapur për kryetarin e PLL z.Sulejman Gjana/
Nga Hakik Mena/*
I dashtun Sulejman,/
Me lejoni t’ju drejtohem me këtë letër publike, së pari në cilësinë time si zogist, pastaj si kryetar i një dege të PLL, e mandej edhe si shok, mik e bashkëmendimtar i juaji.
Edhe pse i kam thënë më parë, e shoh të arsyeshme përsëri, të ritheksoj, disa pika rreth jush, të cilat po i përmbledh si më poshtë:
E para, të lumtë, për kontributin e dhënë në drejtim të kauzës kombëtare! Ndonëse i lindur dhe rritur jashtë atdheut, ju jeni, ndër rastet më ekzemplare, që sakrifikoni çdo privilegj dhe luks, (fatmirësisht familja dhe natyrisht vendi ku jetoni jua kanë mundësuar), dhe vini në botën e pistë të politikës shqiptare, kryekëput, për t’i shërbyer kombit dhe kauzës në të cilën besoni! Në këtë sens, ju jeni shembull i shkëlqyeshëm dhe model ideal, për mbarë të rinjtë, që lindin dhe rriten jashtë, se si i shërbehet kombit. Madje jo vetëm për ata, por pse jo edhe për mbarë shqiptarët, duke pasë parasysh edhe faktin tjetër, se ju jeni një person i kompletuar në çdo aspekt. Edukimi i shëndoshë familjar, shkollimi perëndimor, mos-përlyerja me komunizmin dhe inteligjenca – dhe për këtë arsye, çdo shqiptar i mirë duhet t’ju vlerësojë.
Së dyti, ju lumtë për impenjimin, qëllimin, kontributin dhe këmbënguljen tuaj konstante në drejtim të potencimit të ideve Zogiste, gjë për të cilën, jam absolutisht i sigurt, që çdo legalist dhe monarkist i vërtetë, e vlerëson pa masë.
Së treti, sinqerisht unë dhe shumë miq e dashamirë legalistë në Amerikë, e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë faktin që ju keni pasë kurajon civile të merrni përsipër drejtimin e PLL-së, vendim, që kërkon një sakrificë dhe mund të jashtëzakonshëm. Aq më tepër, po të kemi parasysh rrënimin total që i është bërë asaj, veçanërisht në dekadën e fundit. Dhe pikërisht, bash për këto arsye të përmendura me lart, unë, së bashku me shumicën dërrmuese të legalistëve në Amerikë, e pritëm shumë mirë lajmin e shpalljes së kandidaturës suaj për kreun e PLL-së, duke menduar se ishit alternativa më e mirë, për ta nxjerrë PLL-në prej batakut, që ndodhej dhe ngritjen e saj në një nivel të dinjitetshëm dhe të meritueshëm.
Ne si degë të mbështetëm haptas dhe fuqishëm, duke pasë besimin, që ju do ta ndryshonit kursin e partisë, nga një parti të katandisur si “seksion” i PD-së, në një parti me identitetin e vet; atë të një Partie Tradicionale Kombëtariste, që mbi gjithçka vë interesat e atdheut dhe që posedon nji platformë të qartë kombëtare. Natyrisht, një ndër vështirësitë më të mëdha, që do të hasnit gjatë detyrës suaj të re, të cilën ne legalistët e vërtetë do ta prisnim me ankth, ishte: qëndrimi i juaj në negociata me partinë aleate tradicionale më të madhe të këtyre 23 viteve tranzicioni të tejzgjatur qëllimshëm, PD-në. Dmth, ankthi ishte, nëse ju, do të ishit një YES MAN, ose nji “lepe peqe” kryetar partie, në bisedat e para elektorale që ju do të zhvillonit, duke pranuar çdo variant që ata do të servirnin, mjafton që ju, me një rreth të ngushtë tuajin, të siguronit ndonji karrige – apo do të shkonit kryenaltë, duke mos pranuar të trajtoheshit si leckë, por si të barabartë, të dinjitetshëm, si përfaqësues të një Partie që ka traditë në bërjen e shtetit-komb, të një partie që ka eksperiencë në qeverisjen e shtetit, të një partie që mbarte vlera tradicionale shqiptare dhe perëndimore, të një partie që ka nxjerrë figura të ndritura kombëtare, si ajo e të pazëvendësueshmit Mbretit Zog dhe e heroit tonë kombëtar Abaz Kupi, të një partie që rrezaton luajalitet, por dhe që e meriton atë, të një partie që elektorati i saj përbëhet prej shtresës më të vuajtur dhe të persekutuar të regjimit sllavo-komunist, të një partie që për hir të zhvillimit të demokracisë, pranon dhe ofron bashkëpunim të sinqertë por kurrsesi nuk pranon të nëpërkëmbet, të një partie që pa diskutim ka bazë reale elektorale e jo të blerë me thasë mielli.
Dhe kur mendon të kaluarën e kësaj partie, që trashëgon një histori të hershme dhe jashtëzakonisht pozitive, natyrshëm, si drejtues i saj, do të kenë shkuar ndërmend, para, gjatë dhe mbas negociatave, ndjesi të tilla, si psh:
a) ajo e të ndjerit krenar që përfaqëson një Parti të tillë, e cila duhet të ketë dhënë forcë e kurajë duke mos ndier as më të voglin kompleks inferioriteti, por përkundrazi dhe
b) atë të përgjegjësisë, madje të dyfishtë, personale dhe kolektive; personale sepse vihet në diskutim personaliteti juaj, për performancën tuaj si lider i saj, dhe kolektive, se përfaqëson interesat e të gjithë simpatizantëve, ithtarëve, idealistëve që besojnë në filozofinë e kësaj partie. Si rrjedhim, kjo krenari dhe përgjegjësi që ju ndieni si kryetar i kësaj partie, ka influencuar natyrshëm, që qëndrimi dhe vendimi juaj së bashku me atë të kryesisë, rreth negociatave me PD-në, të jetë më se transparent, i drejtë, i saktë dhe i dinjitetshëm, thjeshtë ashtu siç duhet të jetë; i PAVARUN, vendim të cilin, në legalistët e Amerikës, dhe mbarë legalistët që të dhanë votën në Kongres dëshironin të shihnin, sepse janë dremitur, zhgënjyer, neveritur me vendimet servile, dallkauke, meskine, perfide të mëparshme.
I dashur Sulejman,
Më në fund, dinjiteti i partisë është në rikthim e sipër, në rrugën e duhur, të paktën bazuar në intervistat, shkrimet dhe deklaratat tuaja më se të sakta dhe tepër dinjitoze, ndryshim që do të dëshironim ta shihnim sa më shpejt dhe në rindërtimin në themel të partisë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për punën e madhe që duhet dhe për vështirësitë që ju së bashku me kryesinë keni përpara, dhe është normale që do të keni pengesa, intriga, bllokada, shkopinj nën rrota, kundërshtime, sajime, keqinterpretime të instruktuara prej ish-it dhe isha-ve drejtues të niveleve nga më të ndryshme, që çdo gjë mund t’i thuash këtij lloji, por legalistë e zogistë jo! Logjikisht idealja do të ishte mos të harxhonim kohë e mund duke u marrë me njëri-tjetrin në parti, sepse nuk e kemi këtë luks, por ja që Katovica na e la peshqesh sabotimin, dhe na duhet me fillu prej zeros. Në fakt, fillimi prej zeros, është si thika me dy presa, ka të mirën dhe të keqen e vet. Të keqen e përmendëm, ndërsa e mira është se – Ke mundësinë, me mbështetjen e kryesisë dhe tagrin e dhënë prej Kongresit, për të bërë një transformim thelbësor në parti.
***
Jam më se i sigurt që ju i keni bërë një studim të hollësishëm anëtarësisë së partisë, anëtarësi të cilën me sa jam i informuar, do ta ndaja në 5 kategori ose grupime.
1). Kategori me elementë të lidhur me komunizmin, që mund të ketë depërtuar në parti dhe duhet të largohen një orë e më parë..
2). Kategori, me elementë të shtresës sonë që janë me dosje, të cilët fatkeqësisht janë peng i tjetërkujt dhe prandaj duhet patjetër të largohen.
3). Kategori, me elementë perfidësh laramanë, që të fusin thikën mbas shpine, por sa t’u dalë një ofertë ekonomike, pavarësisht se prej të cilës palë vjen oferta.
4). Kategori me elementë legalistë të pastër, por u ka ngjarë si Nastradinit, dhe kujtojnë se janë në ëndërr. Kjo kategori është e njëjtë në mentalitet me nji numër bajagi të madh të ish persekutuarish jo-legalistë, që kur vjen puna për ballafaqim faktesh në lidhje me punën, impenjimin, dëshirën që ka bërë dhe ka pasë PD-ja, për këtë shtresë të sakatuar nga sllavo-komunizmi, dhe që ka qenë automatikisht si bllok në favor të PD-së, – kanë të njëjtit argument, si psh: «Më mirë PD-ja, se këta komunistë e kriminelë. Të paktën PD-ja është e deklaruar haptas kundër komunizmit. Ndërsa këta horra akoma besojnë në të. Sido që të jetë, me PD e kemi ndonji tonin diku në ndonji punë!» etj., etj, argumente të këtij lloji. Argumente tashmë të dalë boje, të të kënaqurit me pak, ose në rastin me të mirë, pesimist dhe në rastin më të keq, ngritjen e duarve lart. Argumente që me të vërtetë të bëjnë të ndihesh keq për gjendjen e katandisur të shtresës sonë. Indeks mjaft i qartë për të dëshmuar gjendjen e shtresës antikomuniste, që është kaq e drobitur, e çoroditur, e shkapërdarë, pesimiste, e dremitur, e pa-besim në vetvete, e tromaksur, e shushatur, e pa alternativë, me kompleks inferioriteti ndaj politikës se Katovicës, e pa shpresë, dhe e pa alternativë, e pa iniciativë, aq sa nuk është e zonja të dalë mbi palët e politikës Katoviciane, si bllok së bashku ose qoftë edhe veçantë në politikat që besojnë, por të pavarur ama, e jo si garniturë ose bisht i PD-së. Sepse vetëm në këtë mënyrë do të rrisë reputacionin e vet, duke ringjallur të djathtën, duke rikthyer besimin tek elektorati i vërtetë i djathtë dhe në të njëjtën kohe do t’i shërbente edhe kombit, i cili është fundosur për gati 80 vjet, prej të majtës me rrënjë në sllavo-komunizëm. Shpresojmë, që kjo pjesë shtresës sonë, të shkunden e t’iu dalë kjo ëndërr, ose ky gjumë letargjik.
Me këtë kategori anëtarësie, që pak a shumë mund të përbëjë shumicën dhe që fatkeqësisht këtë pesimizëm e bartin si pasojë e luftës së ashpër që i është bërë shtresës sonë për dekada me radhë, kërkohet një trajtim i kujdesshëm, i matur dhe një taktikë dashamirëse, miqësore dhe vëllazërore që mund dhe duhet t’i bashkangjiten kategorisë së pestë.
5). Kategori, të cilët janë pakicë për momentin, por janë ai grupim që janë më të qartë dhe vendosur politikisht. Janë grupi që nuk ndiejnë as më të voglin kompleks inferioriteti ndaj politikës së Katovicës, janë grupi që për hir të kombit dhe klasës që përfaqësojnë, insistojnë me ngulm dhe me plotësisht të drejtë, të formojnë shtratin e vet, të dalin me fizionominë e tyre, janë grupi që nuk mendojnë thjeshtë për ndonjë kockë, kothere, vend pune, janë grupi që nuk mendojnë shkurt duke u kënaqur me fitimin e ndonjë kandidati, që mund të marrë vota fiktive dhe nesër të fluturojë në mënyrë të paskrupullt në oborrin e të majtëve, janë grupi që preokupim kryesor të partisë kanë rimëkëmbjen e saj, duke shtruar rrugën për të ardhmen. Janë grupi që prioritet kanë; realizimin e bashkimit kombëtar, zgjidhjen e problemit të pronës, zgjidhjen përfundimtare dhe ingranimin total të ish persekutuarve, dekriminalizimin e vendit, ligjin e lustracionit, etj., etj.
Pa diskutim që ky grup meriton të jetë në strukturat drejtuese, në drejtimin e degëve në rrethe, në përfaqësimin e kandidatëve të tashëm të bashkive e në veçanti në përfaqësimin e zgjedhjeve të përgjithshme të ardhme.
Prandaj, i dashur bashkidealisti im Sulejman, si një prej kryesorëve të këtij grupi që jeni, duhet domosdoshmërisht t’i jepni prioritet këtij formacioni, i cili unë besoj bindshëm që së shpejti do të jetë bërthama, avangarda, elita që do të marrë frenat në dorë, jo vetëm të partisë tonë, por mund të shërbejë, si një dritë në fund të tunelit, për bashkimin e të gjitha partive të tjera tradicionale të djathta, së bashku me të djathtë të pavarur, duke formuar një lidhje që mund të quhet “Lidhja Antikomuniste e Djathtë Shqiptare”, e cila do të plotësonte boshllëkun e mosfunksionimit të një djathte të vërtetë në Shqipërinë Londineze.
***
I dashur Sulejman, me të vërtetë e ke marrë partinë në një situatë tepër të vështirë dhe është krejt normale që për këto zgjedhje lokale nuk ka qenë koha e bollshme për me u pregatitë në formën e dëshirueshme plus fakteve që tashmë ju i keni bërë te qarta, kështu që mua nuk më shqetëson shume fakti i rezultatit të këtyre zgjedhjeve, por çfarë do të më shqetësonte është; nëse do të vazhdohej të bëhej e njëjta politikë jargavitëse si ne periudhën e para Kongresit, nëse nuk do të vazhdohej të mendohej për të ardhmen e partisë dhe nëse në parti do të kishin në dorë frenat 3 grupet e para të përmendura më lart.
I dashur si vëlla Sulejman,
Juve historia do t’ju gjykojë në të ardhmen dhe mundësitë e konkluzioneve të njerëzve në përgjithësi, të nacionalistëve dhe në veçanti të legalistëve do të jenë në 3 vlerësime.
1) Si një kryetar i pa vlerë nëse do të vazhdoje në të njëjtën rrugë si para Kongresit.
2). Si as mish as peshk, nëse do të ndiqje një politikë të përzier para Kongresit me nji politikë tërhiq e mos këput të sotmes.
3). Si një Lider, që do të ngelje në histori të legalistëve, por ndoshta dhe mbarë nacionalistëve po të ndjekësh një politikë bazuar në mendimin e kategorisë së pestë të përmendur më lart dhe unë besoj që je në rrugë të mbarë deri tani dhe dëshiroj të besoj që do ta vazhdosh edhe më tej atë, madje duke e përforcuar edhe më shumë, dhe vetem duke ndjekur këtë rrugë në mënyrë konstante, do të kesh mbështetjen maksimale të idealistëve legalisto-zogistë. Natyrisht, që kjo ka koston e vet mbasi përveç bllokadës së brendshme në parti, do të përballesh edhe me atë të jashtmen; politikën e Katovicës.
Sa për sqarim, për lexuesit mbarë, shpesh herë e përmend PD-në, se shkrimi është si shkak i deklarimeve të Kryetarit të PLL-së Sulejmanit, ndaj problemeve me ta, por me këtë rast dëshiroj që të jemi të qartë me lexuesin mbare se: – ne legalistët e vërtetë antikomunistë, as që nuk e diskutojmë, dmth është absurde qoftë për ta menduar, se mund të ekzistojë mundësia për të bërë aleancë me PS -në, sepse me ata ne na ndajnë lumenj gjaku dhe do të ishte poshtëruese, diskredituese dhe vetëvrasëse për ne te merrnim ndonji vendim te tille. Por, argumenti është që këtë hamendje për të bërë aleancë a jo, në kohë të ndryshme e kemi me një forcë politike, të cilën për të qenë objektivë, nuk mund ta quajmë të njëjtë me PS-në, por nga ana tjetër ajo pretendon që është e djathtë dhe përsëri për të qenë objektivë, nuk rezulton si e tillë, si në program, ashtu edhe në veprime në lidhje me shoqërinë por edhe në marrëdhëniet me partitë aleate të saj, forcë prej të cilës, ne i kemi besuar plotësisht për shkak të zotnillëkut dhe fisnikërisë që na karakterizon. Kemi pretenduar që të paktën mbas nënshkrimeve të negociatave, të mos pritemi në besë prej saj, por fatkeqësisht kemi provuar të kundërtën. Madje ne kemi një eksperiencë të hidhur në të kaluarën si psh; 1993 kthimin e Mbretit Leka I; 1997 prerjen në besë të Mbretit Leke I, duke lejuar ndryshimin e referendumit; 2005, luftën e ashpër që iu bë LZHK-së së krijuar prej Mbretit Leka I-rë dhe sakatimi i votave tona, duke mos lejuar që fryma nacionaliste e drejtuar prej Mbretit, të hynte në parlament. Pra ne legalistët për hir të forcimit të demokracisë, kemi pranuar edhe të dëmtohemi, madje tradicionalisht, megjithëse ky gjest fisnik dhe i pjekur politik nga ana jonë, na është marrë për dobësi. Por çdo durim ka kufi dhe ka ardhë koha që PLL të mos të ndiejë më as me të voglën pendesë dhe presion për vendimet që ajo merr në ndihmë të elektoratit të vet. Dy rrugë ka tashmë ose PLL të rimëkëmbet dhe të kthehet në traditë e të shohë për të ardhmen, se sa për me qenë seksion a bisht i PD-së, më mirë të shkrihet dhe mos të vazhdohet më me iluzione…
Si konkluzion, ndryshimi midis liderit dhe politikanit të zakonshëm, qëndron në marrjen e vendimeve. Lideri merr vendime të guximshme dhe largpamëse, të cilat ndonëse janë utopike për masën, rezultojnë dobiprurëse për të ardhmen e partisë, shoqërisë dhe kombit. Prandaj, mos e humb, i dashtun Sulejman, mundësinë që të është dhënë për t’u skalitur në memorien e legalistëve dhe nacionalistëve!
Eqerem Bej Vlora në nji rast shpjegon shumë bukur çështjen e shfrytëzimit të momentit prej liderëve duke cituar bisedën me Mbretin Zog: “Fati, Eqerem Bej, – më tha ai – është një dem i tërbuar e i verbër, që shpesh herë na shkel me thundra, por ndodh që edhe të na dalë përpara në një vend të volitshëm. I mençur dhe i zoti është pikërisht ai që dallon këtë çast, që e zë demin prej brirësh, e mposht dhe vë në shërbim të tij”. Kështu që mos u dorëzo dhe vazhdo në këtë rrugë që ke vendosur, se ne legalistëve idealistë, na ke mbështetje të fuqishme, për të ringritur dinjitetin tonë.
***
Të dashtun bashkidealista, mbështetjuni PLL-së dhe Kryetarit të saj në këtë mision fisnik që sa po ka nisur, se ky mision nuk është vetëm i tij, por i të gjithë idealistëve. Ai i vetëm nuk mundet me ia dalë, ai ka nevojë për të rinj dhe të reja të shkolluar, që tashme nuk na mungojnë, dmth të pa kosumuar politikisht dhe sidomos pinjollë të familjeve tradicionale kombëtare. Ai nuk është i përjetshëm, më vonë ndonjërit prej jush do i bjerë fati të jetë në këtë pozicion të përgjegjshëm dhe fisnik që ka si qëllim përpjekjen për shtrimin e rrugës politike të klasës sonë. Pra, le të lëmë çdo paragjykim dhe xhelozi mënjanë, e të mblidhemi rreth njëri tjetrit, e të mundohemi edhe për realizimin e një koalicioni gjithëpërfshirës të djathtë, e mos të mbetemi përjetë shërbëtorë të të tjerëve, por të pregatisim terrenin politik për sot e për të ardhmen e fëmijëve tanë. Zoti ju udhëzoftë, ju, i dashtun si vlla Sulejman dhe të gjithë idealistët legalisto-zogistë, klasën tonë dhe mbarë shqiptarët! U bëftë realitet sa më shpejt Bashkimi Kombëtar i Shqiptarëve!
New Jersey, SHBA
6 Qershor 2015
Mukja e Dytë
Nga Sulejman GJANA/
Kryetar i PLL/
Pas publikimit të Letrës së Hapur…, drejtuar Kryetarit të PD, z. Basha, në të cilën parashtrova qëndrimet e PLL për shkeljen e njëanshme nga PD të marrëveshjes parazgjedhore me partinë që drejtoj, prisja reagim zyrtar nga PD dhe kryetari i saj, qoftë edhe formalisht e për kortezi ndaj një partie aleate tradicionale… Por, për fat të keq, asgjë e tillë nuk ndodhi.
Në atë Letër të Hapur pohova se grisjen e kësaj marrëveshjeje, akoma pa u tharë boja, në dëm dhe me qëllim keqdashës ndaj partisë sonë kombëtariste, ne legalistët e konsideronim “Mukje të Dytë”… Madje për këtë arsye edhe paralajmërova se për “Mukjen” e vitit 2015 do të shkruaja shumë shpejt. Dhe këtë po bëj me këtë shkrim, në përmbushje të zotimit publik dhe sepse mendoj se ka ardhur koha t’i themi troç të vërtetat, ashtu siç i dijmë ne.
Duke vlerësuar drejt dhe maksimalisht partnershipin luajal politik si parim thelbësor dhe garant të suksesit në luftën politike, qysh prej dy dekadash ne legalistët i kemi shmangur paragjykimet, gërricjet dhe gjykimet aprioristike politike, pavarësisht diferencave konceptuale e programore me PD, në kohë, për zhvillime, qëndrime dhe probleme të shumta e të ndryshme politike.
Për të lehtësuar dhe jetësuar bashkëpunimin zgjedhor me PD, ne legalistët shkuam në tryezën e përbashkët të partive opozitare (ku u ngjiz aleanca zgjedhore) dhe morëm pjesë në disa raunde negociatash me PD, ku paraqitëm një draft prej disa faqesh përplot parime, ligjësi dhe kritere bazike të teorive dhe doktrinave politike e politologjike. Draft ky që nuk u kundërshtua dhe nuk u refuzua nga PD. Madje paskëtaj, në negociatat e zhvilluara ne legalistët nuk vendosëm apo imponuam kushte e kuota, por negociuam me frymë konstruktive, ndonëse në fund pranuam me keqardhje ofertën minimaliste të PD dhe bashkërisht firmosëm marrëveshjen dypalëshe.
Por fatkeqësisht marrëveshja e firmosur dhe e vulosur nga kryetarët Basha dhe Gjana u injorua më pas nga PD, që të njëjtën gjë bëri edhe me partinë kombëtariste të Ballit Kombëtar, duke na ndërmendur bash Mukjen… Tashmë jo në kuptimin e konfrontimit vëllavrasës, por në atë të vënies së partive kombëtariste në pozitat reale të asgjësimit përfundimtar politik… Natyrisht me anë të përvetësimit të përsëritur e të sigurtë të votave tona, teksa numëruesit e tyre kurrë nuk u përzgjodhën pjesërisht dhe sërish nuk do të pranohet të përzgjidhen edhe nga anëtarësia e legalistëve dhe ballistëve, por vetëm nga kontigjentet e militantëve demokratikas, që gjithmonë i kanë nxjerrë dhe sërish do t’i nxjerrin PLL dhe PBK, me pak ose pa mbështetje elektorale, deri edhe në bastionet e tyre tradicionale.
Grisja e njëanshme dhe e pabesë e marrëveshjes nga PD dëshmon tërthorazi dashakeqësi dhe uri për votat e aleatëve kombëtaristë edhe në zgjedhjet thjesht vendore të 21 Qershorit. Zgjedhje të cilat PD i ka shndërruar paradoksalisht në zgjedhje politike të mirëfillta, me premtime në nivel kombëtar dhe jashtë kompetencave të pushtetit vendor, pa kurrfarë projekti qeverisës në nivel bashkiak dhe pa kurrfarë lufte të natyrshme politike ndaj shterpësisë programore të maxhorancës dhe mëkateve të shumta të atyre përfaqësuesve të saj që synojnë përsëritjen e mandateve.
Këto veprime dhe qëndrime na bëjnë të dyshojmë me të drejtë për synimin e përvetësimit paraprak në tavolinë të votave tona nga komisionerët demokratikas të specializuar për këto punë. Dhe për çudi ky përvetësim i përsëritur synohet të bëhet tashmë në kushtet e një fushate “pozitiviste” ndaj gjushëve e qazimëve të maxhorancës. Dhe kur kjo skemë planifikohet të bëhet realitet në zgjedhje thjesht vendore, imagjinojeni pas dy vitesh, në zgjedhjet parlamentare!
Kaq naivë na pandehin ne kombëtaristët aleati ynë i madh, kur na i përvetëson votat në favor të këshilltarëve të uritur për “përfaqësim”, e që në shumicë kanë dezertuar ndër vite e dekada tek e Majta… Teksa në të kaluarën, ata dhe paraardhësit e tyre, bashkëfirmosën me vullnet dhe faktikisht realizuan masakrën urbane në bregdet dhe qytetet më të mëdha e në ato të mbarë vendit, krahas kryebashkiakëve majtistë, që lidershipi i tyre, dje dhe sot, i masakronte dhe i masakron ende në ligjërimin politik?!!
Kaq naivë na pandehin ata që na planifikojnë asgjësimin politik me grisje marrëveshjesh, sërish në favor të po të njëjtit takëm këshilltarësh demokratikas që u pasuruan në opozitë dhe në pushtet, e që u majmën me favore kryebashkiakësh majtistë në këmbim të votës nëpër këshilla!?
Kaq naivë na pandehin ne kombëtaristët këta, kur duan të na zhbëjnë nga politika, teksa votat i bashkuan dhe sërish i bashkojnë me bollanot antishqiptarë, me anëtarët dhe krerët me shtetësi shqiptare të sillogjeve vorio-epirote, apo me terroristët e MAVI-t, të dënuar si autorë të masakrës së Peshkëpisë, jo nga gjykatat shqiptare, por nga ato greke!!?
Pikërisht për këtë arsye e ndërmenda Mukjen si metaforë politike dhe si projeksion politik, qysh nga 1943-shi, në vazhdim, e deri në vitin e mbrapshtë 2015… Projeksion që fatkeqësisht, më 21 Qershor do të shënojë fitoren absolute pasuese të Mukjes-metaforë në pothuajse të gjithë hartën e 61 bashkive, hartuar dhe miratuar habitshëm kjo, në mungesë të PD-së dhe “alternativave” të saj gjatë procesit të së ashtuquajturës reformë administrative… Reformë të cilën hartuesit dhe apologjetët e saj majtistë, qysh nga kryeministri e poshtë, nuk janë në gjendje ta mbrojnë e motivojnë mbi parime, kritere dhe standarde europiane…, teksa në 300 kilometër katrorë kanë miratuar njësi vendore “funksionale e të vetëmjaftueshme për t’u vetëqeverisur”, sikurse Gjirokastra, Libohova, Saranda, Delvina, Konispoli, Përmeti, Këlcyra, Tepelena e Memaliaj. Njësi të cilave po t’u bashkëngjitësh edhe ato fqinjë të Vlorës dhe Himarës, rrumbullakosin çerekun e numrit të tyre në mbarë vendin, duke rijetësuar në vitin 2015, në hartën administrative, bash të famshmen Zonë të Parë Operative, nga ku ka buruar dhe buron pushteti i të Majtës shqiptare qysh prej 70 e kusur vitesh.
Nën peshën e rëndë morale të principialitetit dhe besnikërisë ndaj aleatit politik, ne legalistët nuk donim të besonim akuzën e kahershme se pluralizmin politik në Shqipëri e projektuan dhe e jetësuan Ramiz Alia dhe PPSH konform Platformës së Katovicës, dhe se zhvillimet politike, ekonomike dhe “demokratike” në Shqipëri po ecnin në shinat dhe margjinat e saj.
Ne u tronditëm thellë kur në vitin 1997 nga diaspora jonë në SHBA-të erdhi një tekst i shkëputur nga protokolli i njërës prej mbledhjeve më të rëndësishme të ish Byrosë Politike në fundvitin 1990, ku Alia vinte në dijeni byroistët dhe miratonte në Byro Platformën e Katovicës, dërguar nga Gorbaçovi. U tronditëm sepse vumë re analogjinë e frikshme të skemës katoviciane me zhvillimet e deriatëhershme në Shqipëri dhe me zhvillimet korrente gjithnjë në zbatim të saj, asokohe. Dhe tronditja jonë thellohej vazhdimisht teksa edhe në vitet dhe dekadat pasuese, me kokëfortësi, në çdo pikë, presje e apostrof, zhvillimet shqiptare provonin dhe rikonfirmonin pafundësisht zbatimin e Platformës së Katovicës. Platformë të cilën, kur u publikua dhe u ripublikua, ne kombëtaristët e konsideronim thjesht si metaforë propagandistike e fetishizuar nga një “shumatore përkimesh të përsëritura habitshëm”, apo si “fantazi e zhvilluar dhe e shfrenuar e ndonjë shkruesi mitoman e xheloz ndaj lidershipit politik të demokracisë së re shqiptare”.
Ne kombëtaristët nuk u impresionuam aspak kur u publikua me zë dhe figurë deklarata e Alisë në Byro: “Baballarët e tyre i kemi vrarë gjatë dyzet vjetëve…”, sepse këtë të vërtetë e dinim dhe e kishim provuar mbi kurriz, ndaj dhe nuk na lipsej pohimi nga krimineli trashëgimtar i diktaturës, nga e cila, përveç të tjerash, kemi ende 6 mijë varre të pagjetura. Por ne u tronditëm thellë dhe vijojmë të tronditemi kur shtresa jonë bazale politiko-shoqërore: ish të Përndjekurit Politikë dhe ish Pronarët Legjitimë (që përfshijnë afro 700 mijë shqiptarë), sot jo rastësisht ndodhen në mjerim ekonomik, të margjinalizuar, të papunë, të imponuar dhe të nxitur për të emigruar, e aspak të integruar.
Por dyshimi mbi ekzistencën, apo jo, të Katovicës mori fund kur bash i përzgjedhuri nga Alia për të drejtuar për më shumë se një dekadë, si nënkryetar, PPSH-në e “reformuar” në parti socialiste, profesori i filozofisë marksiste Servet Pëllumbi pranoi jo vetëm ekzistencën e Katovicës, por edhe zbatimin e përpiktë të Platformës së Katovicës, ideuar dhe hartuar nga Gorbaçovi si manual politik i pushtetmarrjes dhe pushtetmbajtjes nga ish komunistët e konvertuar tashmë në social-demokratë “europeistë, euro-atlantistë” dhe miliarderë.
E përse të mos e besojmë Pëllumbin e mirinformuar kur vetë ai, Mejdani dhe të tjerë jashtë politikës, krahas Blushit brenda parlamentit, e akuzojnë PS-në se ka braktisur kauzën socialdemokrate të mbrojtjes së shtresave të paprivilegjuara?… Teksa e kanë dorëzuar lidershipin e partisë tek oligarkët miliarderë bash sipas Platformës së Katovicës: fillimisht dorëzim i pushtetit politik dhe marrje e pushtetit ekonomik, çka do të mundësojë sërish marrjen e pushtetit politik…
***
Pas pohimit nga Profesor Servet Pëllumbi të “Katovicës shqiptare”, gjykimi a posteriori, pra “post factum”, më ndihmon ta konsideroj atë (pra Katovicën) si fillesa e “Mukjes së Dytë”, që ka synuar dhe synon zhbërjen dhe zhdukjen graduale nga skena politike të partive kombëtariste dhe zhdukjen e përfaqësimit real të shtresave që këto parti mbulojnë. Gjithmonë krahas përdorimit të këtyre partive si kontorno dhe fioritura në “pjatën e madhe” të së “Djathtës”, ku në qendër të saj gjithnjë ndodhet llokma e “mish-peshkut” pa identitet politik, që ende nuk ka bindur askënd se ku konsiston dallimi i saj programor me PS-në, në një kohë kur edhe lideri i saj historik para dy vitesh i deklaroi opozitës në parlament: “Ju nuk jeni socialistë, socialistë jemi ne…”. Madje më keq akoma, aleati ynë i madh e ka reduktuar dhe spostuar gjithë debatin politik, nga raporti e Djathtë/e Majtë, në rrafshin e ngushtë dhe të ngurtë: Pushtet/Opozitë… Aqsa kur e pyet këtë takëm opozitarësh përse e konsiderojnë veten të tillë, të përgjigjen: sepse nuk jemi në pushtet.
Kaq harraqë dhe naivë na pandehin këta, sa të mos kujtojmë ankesën në vitin 1992 të hartuesit të programit të PD, Gramoz Pashkos, se “socialistët na vodhën programin si të ishte xhaketë që ne e varëm me besim në kremastarin e politikës…”. Apo ankesën e Nanos në vitin 2001, që në prag të fushatës zgjedhore akuzoi publikisht PD-në se i vodhi programin bashkë me premtimet elektorale, të cilat për hir të së vërtetës ia kish hartuar miku i tij i rinisë, ish këshilltari ekonomik i Adil Çarçanit gjatë viteve 1989-1990, Gramoz Pashko, që ishte dhe mbeti heroi i të dy partive dhe miku i përbashkët i liderëve të tyre!?
Kaq naivë na pandehin këta kur mendojnë se nuk jemi në gjendje të dallojmë mungesën e diferencave programore e qeverisëse midis PD dhe PS, teksa Ben Blushi i akuzoi para dy javësh të tijtë se në qeverisje po imitojnë dhe kopjojnë kryeministrin paraardhës…
Gjykimi “post-factum” na bën të përparojmë e të konkludojmë drejt të vërtetës që na tregon përse dikur PD miratoi Ligjin famëkeq 7501, efektet shkatërrimtare të të cilit i vetëpranoi edhe lideri i saj historik me një pohim të sinqertë gjatë një interviste. Por ky gjykim na ndih të kuptojmë gjithashtu edhe përse demokratikasit nuk e atakojnë sot zbatimin e tij, që vazhdon ende me shpërndarje tokash, kullotash e pyjesh(!!!), për të pronësuar dreqin e të birin, por kurrsesi pronarët legjitimë.
Kaq naivë dhe harraqë na pandehin këta, kur dihet publikisht se në fundvitin 2005 deklaruan se “Ministria e Bujqësisë ka në dispozicion një fond toke prej 120 mijë hektarësh për të kompensuar ish pronarët…”, ndërsa sot akuzojnë qeverinë për “18 mijë hektarët” që i “lanë si fond i mbetur për kompensimin e tyre”. Fond toke që sipas tyre qeveria aktuale e ka përdorur për shpërblimin pronësor të klientelës politike?!
Po ku shkuan 100 mijë hektarët që ekzistonin në kohën e qeverisjes së tyre, teksa ish pronarët nuk kanë marrë prej tyre asnjë metër katror? Ndërkohë që qëllimisht këta i jepnin përparësi: legalizimeve me ligje të amenduara pafundësisht; legalizimeve me shtyrje të afateve të veprimit të ligjeve; pronësimeve të paligjshme me VKM dhe me urdhëra administrative; pengimin e njohjes së pronësisë për pronarët legjitimë me anë të ngadalësimit të qëllimshëm, deri në ndërprerje, të punës mbi dosjet dhe vendimmarrjet nga komisionet e degëve të AKKP.
Kaq naivë na pandehin këta, sa kujtojnë se nuk e kuptojmë skemën e përdorimit të “Ligjit të Legalizimit” si vazhdim i Ligjit 7501 dhe si mjet për vazhdimin e grabitjes të tokës së mbetur të pronarëve legjitimë nëpërmjet legalizimit të pafundëm të ndërtimeve pa leje… Proces ky me rishtyrje pafund të afateve ligjore për legalizimin sot, nga qeveria aktuale, edhe të ndërtimeve të reja, madje edhe të atyre pas vitit 2009 (që u vu asokohe si afat limit për legalizimet e banesave mbi tokat-troje të pronarëve)… Proces që aleati ynë nuk po e kundërshton, thjesht sepse i konvenon ideologjikisht dhe për interesa elektorale!
Kaq naivë na pandehin demokratikasit kur Gjykata Kushtetuese (e mbushur prej tyre me gjyqtarë ish komunistë të përkëdhelur nga diktatura), e njohur në demokraci si “garante e mbrojtjes së pakushtëzuar të Kushtetutës”, guxon dhe shkel me këmbë nenet 41 dhe 181 të Kushtetutës që presupozohet se mbron, e që konsakrojnë pronësinë dhe rrugët ligjore demokratike për përftimin e saj?! Gjykatë Kushtetuese kjo e vetmja në botë që shkel Kushtetutën dhe frymën e saj, për të cilat është betuar se do t’i mbrojë dhe që me vendimet e saj nuk bëri dhe nuk bën drejtësi, por politikë, duke legjitimuar politikat e Legalizimit si “shpronësim për interes publik” të pronarëve legjitimë në favor jo të interesave të publikut të gjerë, por të të tretëve, që janë “pronarët e rinj”, ose klientela e pushtetit?! Gjykatë kjo që kulmon absurdin dhe paligjshmërinë teksa guxon dhe shkel gjithashtu edhe të gjitha kartat ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, që prevalojnë edhe mbi legjislacionin shqiptar që ajo gjoja mbron, duke i njohur ligjërisht, me vendime, klasës politike dhe qeverive shqiptare tagra ligjore që nuk mund t’i posedojnë, gjithmonë në raport me pronën, konform parimit të shenjtë juridik se “nuk mund të dhurosh, apo të shesësh atë që nuk e disponon ligjërisht si pronë”?!
Kësisoj kjo gjykatë, megjithëse shkel Kushtetutën, frymën e saj, kartat dhe marrëveshjet detyruese ndërkombëtare, dhe mbi të gjitha shkelmon dhe shkallmon parimin e shenjtë të Sigurisë Juridike – fatkeqësisht asnjëherë nuk atakohet nga aleati ynë i madh, por anëtarët e saj mbrohen dhe votohen sipas interesave të çastit.
Kaq naivë na pandehin dy partitë e mëdha teksa u dhurojnë ende zaptuesve të paligjshëm tokat e pronarëve, me ligj dhe letra me vlerë e me shpenzime administrative të paguara, thjesht për qëllime elektorale dhe mjegull për hajdutët-klientelë… Dhe kjo ndërkohë që buxhetit të shqiptarëve të varfër u faturojnë vlerat e kompensimit financiar për pronarët e grabitur, ndërsa luftës dhe ligjërimit politik u shtojnë akuzat e ndërsjellta për sipërfaqe të mëdha tokash e trojesh në pronësi?
Kaq naivë na pandeh aleati ynë i madh, që ka shpallur armik të demokracisë dhe shqiptarëve një ish zv/ministër të Drejtësisë të kohës së qeverisjes 1992-1996, vetëm e vetëm se një dekadë më vonë, në cilësinë e gjyqtarit në Gjykatën e Strasburgut ka marrë vendime në favor të pronarëve të ligjshëm, të shoqëruara këto me fatura të kripura kompensimi financiar, e të paguara me paratë e buxhetit të shtetit tonë të varfër?!
Kaq naivë na pandehin këta, teksa mendojnë se ne nuk e dijmë se arsyeja kryesore për zvarritjen pafund të integrimit europian të vendit është moszgjidhja e qëllimshme e problemit të pronësisë së ligjshme në Shqipëri?… Kusht vendimtar ky, si në tërësinë e dikurshme të 12 pikave, ashtu edhe në tërësinë e 5 pikave-parakushte që ende qëndrojnë mbi procesin e integrimit të vendit si “shpata e Demokleut” në dorë të Brukselit?!
Aleati ynë gjatë qeverisjes 8-vjeçare harxhoi mbi 10 miliardë euro për investime publike, por kurrë nuk e kaloi shifrën e 10 milionë eurove për kompensimin e ish Pronarëve dhe ish të Burgosurve politikë?!
Kaq naivë na pandehin këta, sa të mos kuptojmë dhe përmendim se nuk bënë asgjë për Dekomunistizimin e vendit dhe imunizimin e shoqërisë nga trashëgimia komuniste, si parakushte vendimtare të ndërtimit të demokracisë pas gjysmë shekulli diktaturë?
Këta jo vetëm nuk insistuan për hapjen me ligj të dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe Lustracionin, por fshehurazi, bashkë me PS-në, në vitin 2003 miratuan në parlament ligjin për shtyrjen edhe për 25 vite të hapjes së Arkivit të PPSH, kësaj “maje të shpatës të diktaturës së proletariatit”, që bëri krimet më të përbindshme në këtë vend, në shërbim të sllavokomunizmit.
Konsekuentë në qëndrimet e tyre 25 vjeçare, deputetët e aleatit tonë të madh u arratisën edhe nga lufta politike në komisione dhe nga votimi në seancat plenare të projektligjeve për: Dekriminalizimin e politikës dhe administratës publike; për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe Lustracionin pasues logjik.
Ata rendin çdo 5 Maj për të vënë kurora në varrezat ku prehet shumica e vrasësve të baballarëve tanë, që merrnin urdhërat vrastarë nga Miladini e Dushani, e që dhanë frymën e fundit me betimin: “Za Tito, za Stalin…”.
Dhe këto, bashkë me shumë veprime të tjera që synonin dhe synojnë asgjësimin politik të shtresave më të vuajtura dhe të masakruara gjatë diktaturës komuniste, për ne thonë shumë…, na ndërmendin natyrshëm Katovicën dhe “Mukjen e Dytë”.
Dhe më në fund, përtej modestisë, jam i detyruar të ndërmend se kam lindur në Perëndim, bash në kryeqytetin e Europës së Bashkuar, dhe jam rritur, edukuar e diplomuar me teoritë dhe me praktikën institucionale të demokracisë, çka më mundëson identifikimin e çdo deformimi dhe devijimi të qëllimshëm të saj.
Ndaj sot gjykoj se gabimet e së kaluarës nuk duhet të përsëriten nga lidershipi i ri politik i aleatit tonë të madh, sepse legalistët nuk do ta mbajnë peshën e bashkëfajësisë për rrënimin e të Djathtës dhe kauzave të saj në vendin tonë.
LEGALISTËT U KUJTOJNË DEMOKRATËVE KONFERENCËN E MUKJES
Letër e Hapur/
Drejtuar: Z. Lulzim BASHA/
Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë/
I nderuar zotëri Basha!/
Si për ironi të fatit, më 1 Prill 2015 u thirr nga PD, në selinë e saj, mbledhja e parë e partive tona, për të filluar negociatat për formimin e një koalicioni opozitar. Në atë mbledhje shprehëm bashkërisht vullnetin politik për koalicion midis nesh, me objektiv: fitoren e zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit 2015, duke u “… bazuar në parimet e transparencës, kolegjialitetit, proporcionalitetit dhe bashkëqeverisjes”.
Në atë mbledhje ne vendosëm bashkërisht afate për zhvillimin e negociatave midis subjekteve tona, për jetësimin e koalicionit tonë, duke iu referuar zotimit Tuaj se do të sundonte fryma e bashkëpunimit, e harmonisë, e besimit dhe respektit reciprok ndërmjet palëve.
Mbi këto baza, më datë 3 Prill 2015, PLL u ka paraqitur negociatorëve të PD një dokument ku shpreheshin propozimet tona për koalicionin…, dhe në të cilin i referoheshim realitetit politik, rezultateve faktike, eksperiencave të së kaluarës dhe synimit tonë të përbashkët për fitoren e zgjedhjeve vendore të radhës.
Për hir të së vërtetës, duhet të pranojmë se propozimet tona ngjallën një debat konstruktiv me negociatorët tuaj, dhe se shkëmbimi i informacioneve që pasoi mbledhjen e datës 3 Prill 2015, si dhe takimi i datës 5 Prill 2015, krijuan bindjen se aktorët e koalicionit opozitar kishin arritur nivelin e një mirëkuptimi dhe bashkëpunimi të ndërsjellët, që konsideron rrethanat dhe problematikat që secili subjekt duhet të përballojë në raport me realitetin e tij dhe të partnerëve politikë.
E njëjta gjë nuk mund të thuhet për mbledhjen që zhvilluam me negociatorët e PD-së më datë 8 Prill 2015, ku për çudinë tonë konstatuam një ndryshim të pozicioneve dhe qëndrimeve të miratuara më parë nga PD, gjë që shkaktoi edhe vonesa në përfundimin e negociatave.
Për të zhbllokuar situatën, propozova takimin kokë më kokë me Ju, takim të cilin e zhvilluam më datë 20 Prill 2015 në zyrën Tuaj, pasi vlerësova dhe vlerësoj se konturet e një koalicioni opozitar duheshin dhe duhen miratuar në nivelin më të lartë, për të siguruar pjesëmarrjen në këtë koalicion të PLL, si një parti kombëtariste, e djathtë dhe me trashëgimi antikomuniste.
Gjatë atij takimi, ne të dy miratuam pikat më të rëndësishme të koalicionit PD-PLL, ku përveç parimeve politike miratuam bashkërisht edhe disa aspekte teknike që do të ndihmonin koalicionin tonë për maksimalizimin e votave të djathta, por edhe për krijimin e ndjenjës së besimit reciprok.
Eksperiencat e së kaluarës kanë qenë shpesh herë të hidhura për PLL-në, sidomos gjatë procesit të numërimit, ndaj dhe vullneti ynë i përbashkët ishte që të tejkalohej kriza e mosbesimit.
Mekanizmi që kishim propozuar për këtë qëllim u pranua dhe u sanksionua në marrëveshjet dypalëshe që nënshkruam atë ditë.
Po Ju rikujtoj se kriteri mbi të cilin u dakorduam së bashku ishte i thjeshtë: Në bashkitë ku PLL e ka fuqinë elektorale për të nxjerrë këshilltarë nga listat e veta (sipas rezultateve të vitit 2011), PD do të vendoste në listat e saj dhe në pozicion të mundshëm zgjedhjeje një kandidat të propozuar nga PLL; dhe njëkohësisht, në të njëjtat bashki, PD do të kishte një kandidat në vendin të parë në listat e PLL për këshillat bashkiakë.
Ky kriter i shkëmbimit të kandidatëve do të materializonte edhe frymën e bashkëpunimit tonë, krahas materializimit të kriterit të proporcionalitetit dhe parimeve të mirënjohura të reciprocitetit dhe bashkërendimit të veprimeve tona. Por mbi të gjitha do të krijonte frymën e besimit reciprok, pasi strukturat tona do të ishin të siguruara në ndershmërinë e procesit të numërimit.
Në ditët në vazhdim, pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicionin tonë, kemi patur disa takime me përfaqësuesit tuaj ku kemi paraqitur në mënyrë të argumentuar informacionet përkatëse për 30 bashkitë që miratuam së bashku dhe që integruam në marrëveshjen tonë.
Me vullnet të mirë dhe gjithmonë me frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit reciprok, pas nënshkrimit të marrëveshjes sonë, reduktuam bashkërisht numrin e bashkive objekt të marrëveshjes: nga 30, në 19.
Për fat të keq, PD nuk na paraqiti asnjë informacion lidhur me kandidatët e saj që do të renditeshin në listat tona në bazë të marrëveshjes.
Pavarësisht kërkesave tona të përsëritura me telefon, e-mail dhe SMS për shkëmbimin e informacioneve që do të na mundësonin përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm sipas dispozitave ligjore për regjistrimin e listave brenda afateve kohore, kemi marrë me telefon nga përfaqësuesi juaj një informacion verbal vetëm ditën e Hënë, më datë 4 Maj 2015, në ora 17:00, pra vetëm 60 minuta para përfundimit të afatit zyrtar për paraqitjen e listave në KQZ dhe KZAZ-të. Bëhet fjalë vetëm për 9 raste (nga 19 që kishim rënë dakord) dhe ku shumica e propozimeve të PLL në listat e PD ishin ishin renditur në pozicione jashtë mundësisë për tu zgjedhur. Ndërkohë, asnjëherë nuk kemi marrë informacion për kandidatët e PD, që sipas marrëveshjes, do të ishin në pozicionet nr. 1 në listat e PLL.
Këto vonesa tuajat na kanë shkaktuar dëme serioze, sepse, për shkak të marrëveshjes, të cilën ne legalistët e kemi zbatuar deri në sekondën e fundit duke pritur edhe nga PD të njëjtën gjë, kandidatët tanë më të mirë kanë mbetur edhe jashtë listave tona, ngaqë sipas marrëveshjes ishin parashikuar të ishin brenda listave tuaja dhe ne vend të sigurt, sipas kriterit të shkëmbimit të kandidatëve.
Legalistët e bazës e kanë lexuar shkeljen tuaj të marrëveshjes si veprim të qëllimtë për eliminimin e lidershipit të PLL dhe kontributeve të tij të padiskutueshme në pushtetin e ardhshëm vendor…, pushtet që, pas reformës territoriale, është tejet më i rëndësishëm. Gjithashtu ata e kanë lexuar shkeljen tuaj të marrëveshjes si një synim për dëmtimin e PLL dhe të së Djathtës tradicionale në vendin tonë.
Zotëri Basha!
PLL ka pranuar të bashkohet në koalicionin APPD duke u nisur nga vullneti ynë për të bashkuar forcat dhe energjitë tona për një kauzë që ne legalistët e konsiderojmë të drejtë.
Ne, asnjëherë në historinë tonë politike nuk e kemi konsideruar aksionin tonë në raportin e ngushtë “pushtetarë-opozitarë”, dhe anasjelltas. Përkundrazi, besojmë se populli shqiptar ka të drejtën të gëzojë një qeverisje qendrore dhe vendore të bazuar në vlerat që e Djathta dhe elektorati i saj mbartin dhe përfaqësojnë.
Ndonëse shpesh herë elektorati i djathtë ka pranuar të heshtë për hendekun fiktiv që është krijuar pas vitit 1990 midis dy blloqeve politike që e kanë vendosur aksionin e tyre në raportin “pushtetarë-opozitarë”, – sot ka ardhur koha që ky elektorat të vlerësohet me respekt dhe dinjitet për kontributin e vet të paçmuar për demokracinë, ligjin dhe shtetin.
Gjithmonë kemi konsideruar se luajaliteti dhe korrektësia në hartimin dhe zbatimin e marrëveshjeve parazgjedhore do të ishte një shtysë e madhe për motivimin e elektoratit të djathtë, sidomos pas humbjes së zgjedhjeve politike të vitit 2013.
Gjithashtu kemi bindjen se, shkelja e marrëveshjeve midis partive opozitare sot, do të përkthehej nga elektorati ynë, ende i traumatizuar pas humbjes së vitit 2013, si një ndërmendje e një përfundimi se, kur arrihet të shkelet brenda pak ditësh deri edhe kontrata midis partnerëve politikë që është e nënshkruar me firmë dhe vulë, atëherë çfarë sigurie mund të ekzistojë se nuk do të shkelet edhe kontrata e pushtetarëve tanë vendorë me zgjedhësit dhe mbarë qytetarët?!
Shkelja brenda pak ditësh e marrëveshjes së sipërcituar, ne legalistëve dhe mbarë kombëtaristëve na kujton Mukjen…
Por për Mukjen do të shkruaj një herë tjetër, ndoshta shumë shpejt.
Sulejman Gjana
Kryetar i PLL
Dekriminalizimi ynë i rrezikuar
Nga Sulejman Gjana/*
Kryetar i PLL/
Aktorët dhe faktorët politikë që ndihen bartës të frymës kombëtariste dhe që në epiqendër të filozofisë së jetësimit të projektit të Rilindjes kombëtare kanë shtetin dhe jo pushtetin, janë dhe duhet të jenë më të interesuarit për dekriminalizimin e klasës politike, politikëbërjes, pushteteve dhe mbarë jetës së vendit.
Me dekriminalizim, ata kuptojnë pa dyshim largimin e të inkriminuarve me çdo lloj krimi, ordiner apo të organizuar, dhe shkëputjen e çdo lloj lidhjeje të tyre, të pushteteve e të administratës, me krimin dhe kriminelët.
Dekriminalizimi i politikës, parlamentit dhe i institucioneve në përgjithësi, sidomos i atyre kushtetuese në veçanti, nuk është thjesht përmbushje e kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE, por është domosdoshmëri jetike për vendin, në shërbim parësor ndaj qytetarëve. Ky proces nënkupton dhe kërkon divorcin e menjëhershëm të institucioneve qëndrore e vendore me personat e inkriminuar, pavarësisht kostos dhe pasojave.
Aktualisht opozita shqiptare pretendon se në Kuvendin e Shqipërisë ndodhen 19 deputetë me rekorde kriminale dhe si të dënuar me vendime të formës së prerë për vepra penale të rënda, sikurse grabitje me dhunë, sekuestrime personi, pjesëmarrje në organizata kriminale të trafiqeve të drogës, prostitucionit apo të fëmijëve, etj.. Po kështu, opozita ka akuzuar se në nivele të ndryshme të pushtetit vendor dhe qëndror janë hierarkuar mbi 100 punonjës me rekorde të tilla, madje i ka denoncuar nominalisht këta persona.
Më parë krimi i organizuar synonte përzgjedhjen, apo korruptimin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë në tre pushtetet kryesore të vendit, për t’i patur ata si koperturë politike. Ndërsa në dekadën e fundit, në tre palë zgjedhjet parlamentare dhe dy palë zgjedhjet vendore të realizuara pas vitit 2005, krimi ka synuar të shfrytëzojë të gjitha hapësirat për të futur dhe emëruar drejtpërsëdrejti njerëzit e vet nëpër institucione. Personazhe këta që janë përçues direktë të interesave kriminale apo garantë për mbrojtjen dhe avancimin e interesave pasurore deri edhe në nivel vendor, ku pronat e krimit jo vetëm ruhen, por edhe zhvillohen më së miri. Kësisoj është realizuar simbioza midis politikë-pushtetit me krimin, duke kanalizuar interesat e përbashkëta dhe ardhmërinë drejt një perspektive të errët për shqiptarët.
Deri në vitin 2008, kur u bënë ndryshimet kushtetuese dhe ato të Kodit zgjedhor, krimi i organizuar dhe ai ordiner u infiltruan duke u bërë klientelë e preferuar e enturazhit apo vetë lidershipit të partive politike, që i përzgjidhte dhe i hierarkonte direkt të inkriminuarit apo përfaqësuesit e tyre. Por pas vitit 2008, të inkriminuarit u bënë klientelë direkte e kryetarëve të partive politike, duke u futur nëpër lista zgjedhore për parlamentin apo pushtetin vendor, ose duke u emëruar në poste të larta në administratën publike.
Nëpërmjet këtyre pozicionimeve të preferuara, përfaqësuesit e krimit përfituan financiarisht në procesin e përdorimit të fondeve buxhetore në investimet publike, jo vetëm thjesht për qëllime fitimi, por edhe për pastrim parash, realizuar kryesisht nëpërmjet favorizimit selektiv në tendera apo nëpërmjet sigurimit të tenderave me prokurim të drejtpërdrejtë, krahas koncesioneve të pafundme.
Pikërisht këto zhvillime negative shqetësuan edhe partnerët ndërkombëtarë, që janë iniciuesit e drejtpërdrejtë të nismës për Dekriminalizimin, krahas këmbënguljes së vazhdueshme për çrrënjosjen në Shqipëri të kulturës së pandëshkueshmërisë për korrupsionin dhe krimin e organizuar, me ngjyresë dhe mbrojtje politike.
Por fuqia, presioni i krimit, dhe sidomos shkalla e lartë e inkriminimit të politikës me krimin e organizuar dhe ordiner, po e shfaqin hapur efektin e tyre qysh në mosdakordimin e kampeve politike qoftë edhe në parim, me kërkesat, parimet, kriteret dhe shkallën e shtrirjes së qasjes së vërtetë ligjore për dekriminalizimin. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sa kohë që krimi financon politikën dhe fushatat zgjedhore me kosto marramendëse të partive, krahas sigurimit të votave, duke blerë me para mjerimin tonë.
Fatkeqësisht ligji ynë “Antimafia” është vlerësuar nga ekspertët si ligj me fushë të kufizuar veprimi, teksa vepron vetëm mbi personat me veprimtari të vërtetuar kriminale dhe vetëm në fushën e krimit të organizuar, dhe nuk vepron aspak mbi persona që kanë akumuluar pasuri të mëdha e që nuk kanë nevojë t’i justifikojnë pasi këtë nuk ua kërkon askush, sa kohë që nuk kanë rekorde kriminale në dosjet e agjensive zbatuese të ligjit.
Unë kam bindjen se procesi i dekriminalizimit dhe kuadri ligjor respektiv duhet të ketë si objekt edhe luftën kundër korrupsionit dhe nëpunësve të korruptuar të shtetit, sepse përvetësimi i parave dhe aseteve publike nuk është proces që kryhet pa praninë, konstatimin dhe përfshirjen e shumë personave, çka direkt merr trajtën e krimit të organizuar nëpërmjet nëpunësve që në bashkëpunimin për realizimin e akteve korruptive formojnë natyrshëm grupe të strukturuara kriminale.
Unë gjithashtu kam bindjen se vështirësitë për krijimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit të ligjëruar me partnerët ndërkombëtarë, çka kërkon aftësi dhe kuadër ligjor special, krahas mungesës së vullnetit politik, në fundore do ta sabotojnë procesin e dekriminalizimit në të gjitha drejtimet e sipërcituara, duke e lënë atë thjesht në fazën fillestare të Rezolutës për Dekriminalizimin, të firmosur me konsensus politik dhjetorin e kaluar.
Zhvillimet shqetësuese të deritashme në komisionin parlamentar Ad Hoc për Dekriminalizimin, dëshmojnë vështirësitë e projektimit dhe zbatimit të këtij procesi.
Por dëshmia më e fortë në favor të këtij shqetësimi është fakti se ende edhe sot, pas afro dy vitesh në qeverisje, maxhoranca nuk e ka formuluar draftin e Platformës Antikorrupsion të qeverisë shqiptare.
Në fjalën e tij në Konferencën vjetore të Sigurisë, të mbajtur në Mynih vitin e kaluar, sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, është ndalur tek fenomeni i korrupsioni në vendet e Ballkanit…, që sipas tij “është mjaft shqetësues”. Ai me këtë rast theksoi se “Shtetet e Ballkanit po e vuajnë barrën e rëndë të korrupsionit. Fakti është që po vërejmë një prirje shqetësuese, teksa aspiratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, e interesave oligarkike dhe interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët, grupet mediatike dhe pavarësinë e gjyqësorit”.
Pas këtij përcaktimi, çdo koment është i tepërt…
*E dergoi vete autori. E falenderojme
Shqiptarët duhet të jenë të bashkuar për interesat tona kombëtare
Intervistë e posaçme me Kryetarin e Partisë së Legalitetit të Shqipërisë, Sulejman Gjana dhene gazetarit Beqir SINA – New York/
Gjana: “Kam pëlqyer gjithmonë fjalën e urtë popullore “Bashkimi bën fuqinë” dhe besoj se shqiptarët duhet të jenë gjithmonë të bashkuar kur vjen fjala për interesat tona kombëtare”
NEW YORK : Kryetari i Partisë së Legalitetit të Shqipërisë, Sulejman Gjana, zhvilloi një vizitë në Shtetet e Bashkuara ku ai pati një serë takimesh të ndryshëme mjaft të rëndësishme. Kreu i legalistëve, në një intervistë me gazetarin tonë, në SHBA, Beqir Sina, foli për qëllimin e vizitës së tij, të cilën ai e karakterizojë si shumë të ngjeshur me takime të rëndësishme.
Ai zhvilloi një intervistë e posaçme për gazetën Bota Sot ku fletë edhe për situatën në të cilën gjenden sot partitë tradicionale, rishkruajen e historisë, së Shqipërisë, për hapjen e dosjeve , si e shikon PLL fenomenin ISIS në mesin shqiptar, ku disa elemente kanë depërtuar duke shkuar e janë duke luftuar atje, dhe në fund zoti Gjana jep edhe një mesazh për të gjithë shqiptarët e Amerikës.
Ku ai mbasi uronë që çdo shqiptar që jeton në Amerikë, apo kudo tjetër në botë, si një ambasador i popullit të vet, bën me dije se çdo njeri prej tyre duhet të veprojë gjithmonë dhe gjithkund si i tillë. “Kështu, përtej faktit që do të jetë një qytetar i denjë i vendit ku jeton, thotë në fund të kësaj interviste kreu i legalistëve Gjana, do të ketë dhënë edhe një kontribut për vendin e tij. Andaj shton ai, kam pëlqyer gjithmonë fjalën e urtë popullore “Bashkimi bën fuqinë” dhe besoj se shqiptarët duhet të jenë gjithmonë të bashkuar kur vjen fjala për interesat tona kombëtare”.
– Cili është qëllimi i vizitë suaj në SHBA?
Vizita që kreva në SHBA kishte disa qëllimi. Qëllimi i parë ishte për të takuar anëtarët dhe simpatizantët e Legalitetit që nuk janë të pakët në SHBA. Dega e PLL në SHBA që aktualisht drejtohet nga z. Hakik Mena është një ndër degët tona më të spikatura, qoftë për nga cilësia e përbërjes së kryesisë dhe anëtarësisë aktuale, qoftë për nga aktivitetet e kësaj dege në komunitetin shqiptar në SHBA dhe kontaktet që mban me partnerët tanë amerikanë si dhe mbështetja e saj për partinë në Shqipëri. Për më tej, vizita ime kishte një axhendë të ngjeshur takimesh me zyrtarë amerikanë dhe miq të Shqipërisë. Po ashtu, kisha një ftesë për të qenë në panelin e konferencës mbi dialogun ndërfetar që u mbajt në Muzeun e Tolerancës në New York. Unë, gjithashtu isha i ftuar në disa aktivitete që komuniteti shqiptar në New York dhe Connecticut organizoi me rastin e 7-vjetorit të Pavarësisë të Kosovës. Kisha po ashtu disa takime me përfaqësues të lartë të disa komuniteteve fetare në SHBA. Pjesë e rëndësishme ishte edhe dëshira për të takuar personalitetet dhe shoqatat shqiptare në SHBA me të cilat PLL dhe legalistët kanë një histori të gjatë bashkëpunimi siç është Federata Pan-shqiptare Vatra.
– Për 50 vjet regjimi komunist jo vetëm që ju anatemoi, por hodhi shumë baltë, ndaj partive tradicionale shqiptare, përfshirë partinë tuaj PLL që ju e drejtoni prej më shumë se një vit. Në këtë periudhë 25 vjeçare paskomuniste, sa arritët ta gjeni elektoratin tuaj tradicional dhe njeriun që ishte me të vërtetë i dhënë dhe që kishte mbetur aty tek partia juaj?
Nuk ka qenë dhe nuk është një gjë e lehtë, dhe kjo për disa arsye. Së pari, sepse edhe pas ndryshimeve politike të fillim-viteve ’90 Legaliteti dhe legalistët vazhduan të vuajnë persekutimin komunist dhe neo-komunist. Mjafton të kujtojmë faktin se PLL u pranua zyrtarisht nga Ministria e Drejtësisë vetëm më 22 Shkurt 1992, pra 30 ditë para zgjedhjeve të 22 marsit 1992, ndonëse ne e kishim paraqitur kërkesën për regjistrim disa muaj më parë. Kuptohet se qëllimi ishte që të mos lejohet regjistrimi dhe pjesëmarrja e PLL në zgjedhjet e para pluraliste të 22 Marsit 1992 dhe të garantohej kështu fitorja e partive të tjera që ishin krijuar brenda natës dhe me pëlqimin e PPSH, komunistëve dhe vet Ramiz Alisë. Së dyti, në vitet në vazhdim, PLL nuk ka qenë pjesë e pushtetit dhe sigurisht kjo shkakton vështirësi në ruajtjen e elektoratit tradicional pasi gjatë 25 viteve të fundit partitë në pushtet kanë përdorur shpesh herë metoda dhe mekanizma të ndryshme për të intimiduar ose manipuluar votuesit. Nga ana tjetër, PLL është penguar vazhdimisht në përpjekjet e veta politike. Le të kujtojmë këtu faktin që nuk u lejuam të regjistrohemi në zgjedhjet e vitit 1996 si koalicion nën siglën “E Djathta e Bashkuar”. Pastaj ndryshimet e sistemit dhe të kodit elektoral pengojnë PLL dhe diskriminojnë qindra mijë zgjedhës shqiptarë që nuk përfaqësohen sot në Parlament për shkak të sistemit që kanë sajuar PD dhe PS. Megjithatë, kur na është dhënë mundësia dhe pavarësisht vështirësive ligjore, manipulimeve dhe presioneve, PLL ka arritur të jetë në parlament në vitin 1997 dhe në legjislaturën 2001-2005 kur ishin partia e tretë politike në Shqipëri. Pra kjo është një dëshmi se elektorati ynë tradicional i ka mbijetuar komunizmit dhe i ka trashëguar bindjet e veta tek brezi i ri.
– Mirëpo, Si e shpjegoni ju faktin që, partitë tradicionale, si ju nuk arrini dot të nxirrni dot qoftë edhe një deputet në një kohë që ju keni mbështetjen e një elektorati më të madh se sa nevojitet për të nxjerr qoftë edhe një deputet që ju cakton kodi zgjedhor.
Sistemi proporcional rajonal dhe kodi zgjedhor është konceptuar për të mënjanuar disa parti. Të kujtojmë se këtë sistem dhe kod e kanë miratuar bashkërisht PD dhe PS. Nëse kësaj i shtojmë faktin që në çdo zgjedhje vërejmë vjedhjen e votave tona (siç ishte rasti në zgjedhjet e fundit ku në qarkun e Lezhës u konstatua vjedhja gjatë rinumërimit të votave) ndërkohë që nuk kemi komisioner, kuptohet se për PLL bëhet më e vështirë me nxjerr deputetë sesa për PD, PS ose LSI.
– Kur mendoni se do të bëheni parti parlamentare, të jeni në parlament ose do të bëni një grup parlamentar?
Me ju thënë të drejtën, unë jam i lumtur që PLL nuk është pjesë e këtij parlamenti që turpëron vendin dhe popullin tonë. Kam bindjen se nëse respektohen rregullat e lojës demokratike nga partitë që quhen më të mëdha (dhe quhen kështu edhe për shkak se vjedhin ose manipulojnë votat) dhe respektohet vullneti i zgjedhësve, PLL do të jetë në Parlament pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare duke kaluar çdo parashikim votash.
– Sipas mendimit tuaj, a duhet shkruar ose rishkruar historia e Shqipërisë dhe në ç’pikëpamje ?
Patjetër! Historia e Shqipërisë duhet të rishkruhet! Historia “zyrtare” është shkruar dhe po rishkruhet nga ata që i kanë shërbyer diktaturës ose me frymën e tyre. Edhe pse opinioni i gjerë, për arsyet që dihen, akoma nuk është i informuar plotësisht, studiuesit serioz kanë kuptuar se gjatë diktaturës komuniste çdo fakt historik është manipuluar me qëllim për të legjitimuar pushtetin diktatorial. Kjo nuk mund të vazhdojë më gjatë dhe duhet që çdo nismë të synojë vetëm zbardhjen e të vërtetës duke analizuar faktet historike dhe aktorët e tyre në kontekstin historik dhe nga pikëpamja e veprimeve të tyre në dobi apo në dëm të interesave të shtetit, popullit dhe kombit. Sigurisht që kjo do të jetë e hidhur për komunistët dhe trashëgimtarët e tyre. Prandaj kam ftuar dhe ftoj komisionin ad-hoc që punën e vet ta bëjë me ndërgjegje ose të tërhiqet.
– A i besoni ju dhe partitë me themel nacionalist dhe që jeni goditur për 50 vjet këtij komisioni që është caktuar nga kjo qeveri për rishkrimin e historisë ?
Aspak! Paçka se në këtë komision bën pjesë studiuesi dhe njohësi i mirë i historisë së vendit tonë, Bernd Fisher, Duke u nisur nga vet pohimi i këtij të fundit në një intervistë para fundit të vitit kaluar, ai ka një hapësirë maksimale prej 18 faqesh për të trajtuar periudhën e LDB. Prandaj, dyshoj se do të përdoren shkurtime, kufizime dhe karikatura që do të cenojnë objektivitetin dhe neutralitetin. Madje, mos të harrojmë se ky komision është ngarkuar për rishikimin e teksteve shkollore, çka lë të kuptohet se gjithçka do të jetë sipërfaqësore.
Nga ana tjetër është një dinakëri e paturpshme e qeverisë kur Fisherin e kanë rrethuar dhe udhëhequr në atë komision nga ata që kanë deformuar dhe manipuluar historinë e vendit tonë në shërbim të ideologjisë dhe diktaturës. Unë nuk besoj se Fisheri do të ketë forcën për t’i bindur ata në pasqyrimin e të vërtetës pasi ata kanë dhënë provën gjatë 25 viteve të fundit se janë të pandreqshëm. Dhe rreziku është që një studiues si Fisheri të manipulohet nga orientimi i tyre dhe i mandatorëve të tyre të cilët do të përdorin pastaj kartëvizitën e Fisherit për të legjitimuar gjithçka që do të shkruhet në këtë rishkrim të historisë. Në fakt, po bëjnë një histori të re të Shqipërisë por me ingredientë dhe kuzhinierë të njëjtë. Në këto kushte nuk mund të pritet të dale diçka tjetër dhe e ndryshme nga gënjeshtrat e djeshme.
– Sipas jush cila është e ardhmja e idealit monarkik të Shqipërisë? A ka ndërmend Oborri dhe PLL të ritentojë të “dërgojë” edhe një her politikën shqiptare, drejt një referendumi tjetër për zgjedhjen e formës së regjimit në Shqipëri, apo jeni të kënaqur me republikën parlamentare dhe ndonjë një post honorifik për Princin Leka? që i ishte dhënë deri dje
Mendimi im është se sistemi aktual në Shqipëri paraqet shume defekte. Ne e kemi trashëguar këtë sistem prej diktaturës komuniste dhe sot ka ardhur koha që kjo status quo të ndryshohet Lidhur me formën e regjimit, besoj se do të vijë koha kur populli do të kërkojë një referendum të ri. Të paktën ne jemi të angazhuar në këtë drejtim.
– Zoti Gjana: Herë me “ulje dhe herë me ngritje, simbas situatave”, në Shqipëri, ka një rishfaqje të simboleve dhe reminishencave të kaluara komuniste. Hapen dhe mbyllen polemika të përvitshme, në datat përkujtimore për Enver Hoxhën dhe regjimin komunist në Shqipëri. A mendoni se kemi të bëjmë me një ndarje reale, nga e kaluara apo me taktika politike? Sidomos, tani që në pushtet janë socialistët, pra e majta shqiptare.
Tashmë është e padiskutueshme se Enver Hoxha konsiderohet brenda dhe jashtë vendit si një diktator i pashembullt. Por, figura e tij akoma nuk është ndarë shpirtërisht nga jeta politike dhe sociale e shqiptarëve. Kjo për arsye se nuk janë marrë asnjëherë nismat ligjore për dekomunistizmin e vendit siç e bënë të gjitha vendet e ish-Europës lindore që në fund të viteve 80 dhe në vazhdim. Prandaj, nuk besoj se polemikat për figurën e Enver Hoxhës shënojnë një ndarje pasi, po të kishte qenë ky qëllimi, do të ishte arritur gjatë çerek shekullit të fundit. Përkundrazi, figura e Enver Hoxhës është mbajtur gjallë dhe është përdorur nga politika për interesa të ndryshme dhe mendoj se kjo nuk është e ndershme, sidomos kur bëhet fjalë për një kriminel lufte dhe një diktator si Enver Hoxha.
– Z. Gjana, cili është qëndrimi i Partisë Lëvizja e Legalitetit, për çështjen e hapjes së dosjeve?
Për PLL, çështja e hapjes së dosjeve ka qenë, është dhe mbetet përparësi, si pjesë përbërëse e procesit të dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare. Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë që Kuvendi i Shqipërisë të hartojë një paketë të plotë ligjore që këtë çështje do ta shteronte në mënyrë përfundimtare dhe ku hapja e dosjeve do të ishte vetëm hapi i parë në përmbushjen e një drejtësie për ata mijëra qytetarë që vuajtën nga masakrat, krimet, burgimet, internimet, ekzili, etj. gjatë gjithë periudhës së diktaturës komuniste por edhe gjatë LDB. Por kjo ka qenë dhe është e pamundur kur marrim në analizë konstruktin personal, intelektual, politik dhe ideologjik të shumicës së parlamentarëve të pas 90-ës.
Ne konsiderojmë se faqja e errët e diktaturës komuniste duhet mbyllur njëherë e përgjithmonë dhe me drejtësi, për viktimat dhe kriminelët dhe se, përderisa nuk kemi bërë Nurenbergun tonë, duhet që krimet e komunizmit të dënohen në bllok apo në mënyrë individuale, kjo ngelet për tu debatuar. Por, sido që të jetë, për ata të cilët do të rezultojnë të implikuar në shërbim të pushtetit kriminal, duhet që të merren masa restriktive sidomos për ti kufizuar që të shtrijnë ndikim në sferën politike dhe publike. Pra lustracioni është edhe i domosdoshëm për të mundësuar zhvillimin e vendit tonë.
Po ashtu, ne mendojmë se ky proces është vonuar mjaft dhe se shtresat që kanë vuajtur më së shumti gjatë diktaturës komuniste janë po ata që janë mashtruar më së shumti gjatë gjithë periudhës post-komuniste. Për fat të keq, shoqëria civile nuk ka ushtruar presion të mjaftueshëm ndaj pushteteve post-diktatoriale në mënyrë që ti detyronin ata që të ndërmerrnin nisma ligjore serioze dhe shteruese.
Ne besojmë se hapja e dosjeve dhe dekomunistizimi nuk duhet të jenë një ekskluzivitet i asnjë force politike, por një detyrim për mbarë shoqërinë shqiptare. Ndërkohë që partitë politike duhet të kenë vullnetin politik për të realizuar një gjë të tillë. Por, nuk duhet që ky proces të jetë i njëanshëm ose të përdorët politikisht për të bërë presion ndaj dikujt ose tërhequr vëmendjet nga problemet e tjera të shoqërisë.
– Prej se kur jeni ne krye të PLL, sa keni arritur ju ta shfrytëzoni ndjenjën nacionaliste jashtë trojeve për të bashkuar dhe për tu lidhur me forcat progresive, që janë pro Shqipërisë etnike. Sa keni arritur ju t’i gjeni këto forca dhe t’i afroni afër vetes?
Më lejoni të bëj një sqarim të vogël lidhur me terminologjinë e përdorur pasi në fjalorin politik, forcat progresive konsiderohen ato të majta dhe nisur nga eksperienca e këtyre forcave gjatë diktaturës komuniste dhe të atyre që trashëgoi Partia e Punës, nuk ka forcë të tillë pro Shqipërisë etnike.
Për sa u përket të tjerëve, PLL ka bashkëpunuar gjithnjë dhe është e gatshme që të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike shqiptare që kanë një platformë kombëtariste. Ne këtë platformë e kemi të qartë dhe angazhimin tonë e kemi të shkruar edhe në programin tonë. Nuk e kemi përdorur kurrnjëherë çështjen kombëtare për interesa politike dhe nuk pranojmë demagogjinë që përdorin disa parti apo individë në Shqipëri, Kosovë e më gjerë. Por ekzistojnë hapësira për një bashkërendim të përpjekjeve tona dhe jemi duke punuar në këtë drejtim me disa intelektualë dhe subjekte aktiv në trojet shqiptare.
– Të kthehemi edhe tek një fenomen shumë negativë – të kohëve të fundit me atë të terrorizimit ISIS – si e shikon partia juaj këtë fenomen në mesin shqiptar, ku disa elemente kanë depërtuar duke shkuar e janë duke luftuar atje ?
Ne e konsiderojmë këtë fenomen shumë të rrezikshëm jo vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët por edhe për paqen globale. Përtej deklaratave boshe, qeveria duhet të marrë masa urgjentisht që të stopojë këtë dukuri. Dhe duhet filluar që me programe edukimi në shkolla dhe në televizorin shtetëror për vlerën e bashkëjetesës fetare të popullit shqiptar, të respektit e tolerancës. Duhet që të krijohet lënda e mësim-besimit në shkollat publike ku secili do të mund të zgjedh mësimin e fesë së vet por edhe ku do të njihet me fetë e tjera monoteiste.
– Z. Gjana, në qershor kemi zgjedhjet vendore – PLL është aleate tradicionale e PD -së sidomos e liderit historik të saj Dr Berishës. A do ta vijoni këtë bashkëpunim edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale edhe me këtë lider?
Unë besoj se komplementariteti dhe diversiteti sjellin më shumë sukses. PLL ka ideologjinë e vet, një program të ndryshëm nga subjektet e tjera por edhe një eksperiencë dhe kontribut për shtetin dhe kombin që nuk e kanë të tjerët. Veprimtaria jonë para, gjatë dhe pas diktaturës ka qenë e qartë dhe pa ekuivokë në raport me komunizmin, pushtuesit e huaj, krimin, korrupsionin, kontrabandën dhe gjithë ato fenomene negative që e kanë paralizuar zhvillimin e vendit sidomos kohët e fundit. Ne besojmë se identiteti ynë duhet konsideruar si një vlerë e shtuar nga partnerët tanë të sotshëm dhe të ardhshëm. Përveç kësaj, qëndrimi i PLL në zgjedhjet e ardhshme do të varet sigurisht nga kodi dhe ndarja e re territoriale por edhe nga vendimi që do të marrin strukturat e partisë, vullnetin e të cilave do ta respektoj pa kompromis.
– Thuhet se PLL, me ardhjen tuaj në krye ka hyrë në një proces riorganizimi. Cilat janë objektivat kryesore? Dhe ku e shihni Partinë Lëvizja e Legalitetit në të ardhmen e saj?
Ne synojmë që të ngremë struktura efiçiente në të gjithë vendin dhe të përgatitemi për sfidat e ardhshme elektorale. Kemi zhvilluar konferenca zgjedhore të suksesshme në shumë degë dhe ky proces është në vazhdim. Besojmë se projekti ynë ofron një mundësi për qytetarët që janë zhgënjyer gjatë viteve të fundit, që janë ndier të përfaqësuar politikisht dhe që kanë aspirata të parealizuara nga partitë e tjera. Ndaj ne u ofrojmë hapësirë veprimi sidomos intelektualëve me kapacitete dhe përvojë që dinë ta përcjellin thjesht dhe qartë alternativen tonë tek elektorati.
– Çfarë mesazhi do të kishit dhënë nëpërmjet gazetës tonë për bashkatdhetarët tanë në ShBA dhe në diasporë?
Urojmë që çdo shqiptar që jeton në Amerikë apo kudo tjetër në botë, ta dijë se është një ambasador i popullit të vet dhe të veprojë gjithmonë dhe gjithkund si i tillë. Kështu që përtej faktit që do të jetë një qytetar i denjë i vendit ku jeton, do të ketë dhënë edhe një kontribut për vendin e tij. Kam pëlqyer gjithmonë fjalën e urtë popullore “Bashkimi bën fuqinë” dhe besoj se shqiptarët duhet të jenë gjithmonë të bashkuar kur vjen fjala për interesat tona kombëtare.
Intervistoje Beqir SINA – New York, Mars 2015
- « Previous Page
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- …
- 7
- Next Page »