NGA HALIL MULAJ/
Konsullata e Republikës së Kosovës në Nju Jork organizoi një takim solemn me përfaqësuesit e Shoqatës së Batalionit Atlaniku, me rastin e fillimit të regjistrimit të deshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së.
Ambasadori Bekim Sejdiu, Konsull i Pergjithshem ne New York, shprehu respektin e shtetit të Kosovës për ata djem dhe vajza që lanë SHBA-në për të luftuar për lirinë e Kosovës, si dhe ata që në forma të ndryshme kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ai potencoi se diaspora shqiptare në Amerikë është shëmbull më i mirë i kontributit të pazevëndësueshëm që diaspora jonë e madhe, anë e kënd botës, ka dhënë për liri dhe pavarësi. Ambasadori Sejdiu nënvizoi se fillimi i regjistrimit të veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të UÇK-së koincidon me 100 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, si dhe me afrimin e 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Këto ngjarje i japin një dimension të posaçëm emocionues këtij regjistrimi.
Kryetari i Shoqatës Atlantiku, z.. Gani Shehu, falënderoi Konsullatën e Republikës së Kosovës për takimin. Ai u shpreh në dobi të vazhdimit të bashkëpunimit në mes të Konsullatës së Republikës së Kosovës dhe Shoqatës Atlaniku (duhet potencuar se ky nuk ishte takimi i parë në mes të Konsullatës dhe Shoqatës Atlaniku). Më tej,z. Shehu dhe të pranishëm të tjerë evokuan kujtime nga koha e luftës. Ata po ashtu informuan për veprimtarinë e Shoqatës, si dhe për kontaktet me vendlindjen.
Gjatë takimit u bisedua edhe për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë dhe vise të tjera ku jetojnë shqiptarët në Ballkan.
Në fund, Ambasadori Sejdiu dhe Konsulli Zajmi , ua shpërndanë të pranishmëve materialet për regjistrimin e veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të UÇK-së.